Nina Obuljen
TIRANA- Ministrja e Kulturës në Kroaci, Nina Obuljen, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga LDK me temë “Global She”. Obuljen shprehu mbështetje të qartë për politikat që promovojnë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje dhe fuqizimin e rolit të tyre në shoqëri.
Ajo ka ndarë përvojën e saj si grua me një karrierë të gjatë në politikë, teksa vlerësoi reagimin e grave shqiptare ndaj temave të trajtuara në këtë forum, veçanërisht në kontekstin e vlerave të përbashkëta. Në fjalën e saj, ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së parimeve tradicionale, përballë sfidave moderne si populizmi, keqinformimi dhe polarizimi social, duke vënë theksin te mundësitë e barabarta, dinjiteti njerëzor dhe respektimi i të drejtave të grave – si shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike dhe progresiste.
"Kemi përmirësuar edhe planet e pensioneve për gratë, kemi investuar fuqishëm në statusin e nënës në familje, duke ndihmuar zhvillimin e shoqërisë, me gjithnjë e më shumë gra që ndjekin dhe përfundojnë arsimin e lartë. Kjo është një nga arsyet pse po përballemi edhe me një ulje të numrit të lindjeve. Ne po përjetojmë rënie të normës së lindshmërisë në vendin tonë, ashtu si edhe ju. Por, përkundër përmirësimit ekonomik, ne kemi arritur të ndalojmë migracionin ekonomik nga Kroacia dhe po ndryshojmë rrënjësisht situatën, duke u bërë një vend tërheqës për kroatët që më parë ishin larguar", tha ajo.
Deklarata e ministres kroate :
Është një sfidë më vete të flas pas kryetarit tuaj kaq karizmatik. Sikurse më është kërkuar, unë do të ndaj me ju disa mendime mbi rrugëtimin tim si grua në politikë. Të flasësh përpara një salle plot me gra të mrekullueshme, të cilat reaguan me kaq energji ndaj fjalës së kryetarit, është një nder i veçantë dhe një përgjegjësi. Më lejoni që të ndalem pjesërisht edhe te disa nga çështjet që përmendi zoti Berisha, duke i lidhur ato me kontekstin e organizatës që na ka mbledhur sot këtu, të CDI-së. Dua të përshëndes panelistët e nderuar dhe, njësoj si ju, kuptoj që një pjesë e këtyre grave të mrekullueshme janë gjithashtu kandidate në zgjedhjet e ardhshme. Ju uroj shumë suksese të gjithave! Gjithashtu, sjell përshëndetjet e zotit Plenkoviç, kryetar i partisë sonë, zëvendëspresident i organizatës sonë dhe një figurë shumë aktive në PPE. Zoti Plenkoviç ka qenë tre herë radhazi kryeministër në vendin tonë.
Dua të theksoj se unë vetë kam shërbyer si ministre për nëntë vjet – një periudhë shumë e gjatë, sidomos për një grua në politikë. Ashtu siç theksoi edhe zoti Berisha, kur flasim për gratë në politikë, veçanërisht në kontekstin e partive tona të qendrës së djathtë, ne gjithmonë përpiqemi të balancojmë mes parimeve dhe vlerave thelbësore: vlerat e familjes, kujdesin për familjen, ruajtjen e vlerave tradicionale. Ne ndajmë një vlerë të përbashkët: besimin në bashkimin e shoqërisë dhe në mundësitë e barabarta për të gjithë. Shoqëritë tona duhet të garantojnë realisht mundësi të barabarta për çdo individ.
Dhe pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i debatit për rolin e grave në politikë. Sfida të shumta ekzistojnë sot në botë, të cilat na detyrojnë të luftojmë për këto parime dhe vlera, edhe pse kjo betejë është bërë më e vështirë. Ajo që përpiqemi të bëjmë është ndryshe nga e kaluara. Me rritjen e populizmit dhe me sulmet e partive populiste të majta dhe të djathta ekstreme, është shumë e vështirë t’u shpjegosh qytetarëve se si mund të mbrohen këto vlera, duke luftuar njëkohësisht për një shoqëri gjithëpërfshirëse që garanton kujdes të barabartë për çdo person.
U trondita kur dëgjova nga Zoti Berisha se pagat e larta në Shqipëri janë shumë më të larta se në vende të tjera, ndërsa pagat e ulëta janë edhe më të ulëta se në vendet e tjera europiane. Kjo tregon se shoqëria shqiptare ka probleme të thella. Vetëm nga ky informacion kupton se ke të bësh me një shoqëri të fragmentuar, e cila nuk mund të zhvillohet dhe as të përballojë sfidat e së sotmes. Këto sfida janë të shumta dhe ne që jemi pjesë e politikës, në nivel lokal, kombëtar, europian apo global – e kuptojmë se jetojmë në një botë ku gjithçka ndryshon me shpejtësi, ku siguria është gjithnjë e më e rrezikuar, dhe ku besimi te e drejta ndërkombëtare po vihet në pikëpyetje. Duke vënë në pikëpyetje parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut – përfshirë të drejtat e grave, ekziston rreziku që këto të drejta të cenohen.
Pjesëmarrja e barabartë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, që Zoti Berisha e ka theksuar gjithmonë, është jetike për shoqëritë dhe vendet tona që të ecin përpara. Kur flasim për Kroacinë, duhet të jemi të sinqertë: ne kemi një problem serioz me përfaqësimin e grave, sidomos në nivelet më të larta të politikës.
Në mitingje, takime partie apo diskutime për të drejtat e grave, shohim shumë gra dhe kjo më mbush me gëzim dhe shpresë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për qeverisjen, parlamentin apo pozicionet kyçe në kompani, situata ndryshon: gratë janë shumë më pak të përfaqësuara. Edhe pse janë pikërisht ato që shpesh bëjnë pjesën më të madhe të punës në prapaskenë, ne e pranojmë këtë dhe e dimë se duhet të punojmë për ta përmirësuar. Gjithashtu, dua të theksoj veçanërisht në rastin e Shqipërisë dhe të qeverisë kroate: ne besojmë fuqimisht në të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ne e mbështesim fuqimisht zgjerimin e Bashkimit Europian dhe duam që çdo vend i rajonit tonë të përfitojë nga anëtarësimi, që shoqëritë të forcohen dhe Europa të bëhet më e fortë. Kur shohim çfarë kemi arritur në nëntë vitet e fundit në drejtim të politikave sociale dhe ekonomike, shumë gjëra janë përmirësuar, falë pjesëmarrjes sonë në Bashkimin Europian, fondeve të marra dhe reformave të zbatuara. Ne kemi përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës, jemi afër realizimit të pagave të barabarta dhe sot norma e papunësisë është rreth 5%, çka nuk konsiderohet më papunësi. Për krahasim, kur kemi ardhur për herë të parë në pushtet, papunësia ishte rreth 20%.
Kemi përmirësuar edhe planet e pensioneve për gratë, kemi investuar fuqishëm në statusin e nënës në familje, duke ndihmuar zhvillimin e shoqërisë, me gjithnjë e më shumë gra që ndjekin dhe përfundojnë arsimin e lartë. Kjo është një nga arsyet pse po përballemi edhe me një ulje të numrit të lindjeve. Ne po përjetojmë rënie të normës së lindshmërisë në vendin tonë, ashtu si edhe ju. Por, përkundër përmirësimit ekonomik, ne kemi arritur të ndalojmë migracionin ekonomik nga Kroacia dhe po ndryshojmë rrënjësisht situatën, duke u bërë një vend tërheqës për kroatët që më parë ishin larguar. Besoj se edhe Shqipëria do të mund ta realizojë këtë, ndërkohë që zhvillohet ekonomikisht, duke i kthyer bashkatdhetarët dhe qytetarët e saj që u larguan për arsye të ndryshme ekonomike ose sociale. Në kontekstin e grave, Zoti Berisha foli gjithashtu për këtë temë. Ne nuk duhet të mbyllim sytë përballë këtyre fenomeneve. Ka shumë deklarata ndërkombëtare që ne duhet t’i ndjekim. Ky është një problem që ekziston në çdo shoqëri, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi udhëheqës që e pranojnë, e artikulojnë dhe nuk e injorojnë këtë problem. Sepse vetëm duke e pranuar dhe duke folur për të, ne mund të fillojmë ta përmirësojmë situatën për të gjithë.
Nuk do të flas gjatë për çfarë do të thotë të jesh për nëntë vite në një pozicion drejtues si grua. Nuk e di as vetë si ndodhi. Nuk e kisha menduar kurrë se do të zgjaste kaq shumë, por ne patëm mbështetjen e popullit dhe qëndruam në pushtet. Dhe ka një arsye për këtë: ne punuam për të realizuar atë që u premtuam qytetarëve tanë. Sepse në politikë, të mbash premtimet, të flasësh dhe të punosh për çdo anëtar të shoqërisë, duke u kujdesur që secili të ketë mundësi dhe trajtim të barabartë, është mënyra e vetme për të ecur përpara. Çfarë mund të them tjetër? Familja politike që na bashkon sot këtu, na bashkon jo vetëm në Europë, por edhe në nivel global. Për dekada të tëra, në shoqëri të ndryshme, në kontekste të ndryshme politike, ne kemi ndërtuar një traditë të gjatë demokracie. Për gjithçka për të cilën kemi luftuar 35 vjet më parë, për ruajtjen e vlerave bazë, për bashkimin, për demokracinë, për solidaritetin, këto parime sot janë edhe më të rëndësishme, në një kohë kaq të vështirë sa kjo që po jetojmë. Nëse arrijmë të ruajmë këto vlera në një kontekst botëror të mbushur me sfida të mëdha, keqinformim, gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale, krizë migratore, frikë nga ndryshimet në shoqëri, kriza ekonomike dhe ekologjike, nëse në çdo politikë që ndjekim kemi këto parime në mendje, atëherë ne do t’ia dalim me sukses si anëtarë të partive tona politike.
Përtej partive politike dhe duke folur jo vetëm në emër të partive tona, por duke u përpjekur të përmirësojmë dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për shoqërinë, me këto fjalë, unë shpresoj sinqerisht që zgjedhjet që ju presin do t’i japin Shqipërisë mundësinë të zgjedhë ata që do t’u përmbahen këtyre parimeve, që do të luftojnë për to, që do të ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, dhe që do të mbështesin fuqizimin e pozitës së grave në shoqëri. Vetëm kështu Shqipëria do të vazhdojë të ecë përpara drejt integrimit europian. Si gra që vijmë nga një vend që në tre dekadat e fundit ka kaluar përvoja të ngjashme me ato që po kaloni ju, mund të them se kemi qenë me fat që u bëmë pjesë e Bashkimit Europian. Kjo e ndryshoi shoqërinë tonë, përmirësoi ekonominë dhe na bëri pjesë e një unioni vlerash. Unë shpresoj sinqerisht që edhe Shqipëria të vazhdojë në këtë rrugë, dhe sa i përket Unionit Demokratik Kroat, në emër të Presidentit tonë dhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë, dua t’ju siguroj mbështetjen tonë të plotë.