Kuvendi
TIRANË-Ditën e sotme, në orën 13:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila pritet që të shqyrtojë kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për mocion me debat në seancën plenare për çështjen e Charles McGonigal. Po ashtu do të shqyrtohet edhe kërkesa 44 deputetëve të Grupit Parlamentar të PD për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së takimeve të Kryeministrit Edi Rama me agjentin e FBI-së, Charles.
Komisioni hetimor do të verifikojë edhe “nxitjen, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, ryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare”.
Partia Demokratike ka kërkuar sërish mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për çështjen e ish-agjentit të FBI-së, “McGonigal”. Deputetët demokratë dorëzuan në Kuvend 13 pyetje drejtuar Kryeministrit, duke kërkuar që të zhvillohet një seance “pyetje-përgjigje”. Në seancën e kaluar plenare, deputetët e Partisë Demokratike krijuan një situatë kaotike në Kuvend duke mos lejuar që të zhvillohet debati.
Ç'ka ndodhur me ish-agjentin?
Mbi një javë më parë, FBI arrestoi ish-zyrtarin e lartë të kësaj strukture, Charles McGonigal. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal. Pas publikimit të dosjes, Partia Demokratika ka organizuar një protestë që do mbahet më 11 shkurt para Kryeministrisë, e do të kërkojë largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit./Dosja.al