baba mondi
TIRANË- Kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Mondi në një deklaratë nga Ambasada e Vatikanit në Tiranë ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Franceskut.
Baba Mondi shprehu ngushëllimet klerit dhe besimtarëve katolikë për këtë humbje. Ai njoftoi se do të jetë i pranishëm në ceremoninë mortore të Papa Françeskut.
“Me shumë dashuri vlerësoi punën që bëjmë për bashkëjetesën vëllazërore dhe rinia shqiptare iu kthye besimit menjëherë pas kthimit të demokracisë. Vlerësoi punën tonë që parakaluam në Charlie Hebdo që treguam se të bashkuar jetohet, jo vetëm për të vrarë njëri tjetrin. Edhe në takimin e dytë nënshkruam marrëveshjen e Abu Dhabit. Edhe pse ishte në gjendje të rëndë na priti. Ngushëllime i jap klerit dhe besimtarëve katolikë. Zoti e bekoftë për punën e bërë dhe vepra e tij të vijojë nga pasardhësi i tij. U prehtë në paqe. Do të marr pjesë në ceremoninë e përcjelljes së tij në banesën e fundit”, tha ai.
Trupi i Papa Françeskut është vendosur sot në Bazilikën e Shën Pjetrit. Besimtarët sot, nesër dhe pasnesër do të mund të nderojnë trupin e papës së ndjerë deri në mesnatë, ndërsa të premten do të lejohet prania e besimtarëve katolikë në kishë deri në orën 19.00. Të shtunën, menjëherë pas funeralit, trupi i papës argjentinase do të varroset në kishën e Santa Maria Maggiore, pranë stacionit qendror të trenit të Romës, në përputhje me dëshirën e shprehur nga vetë "papa i të varfërve" në testamentin e tij.
Papa Françesku do të jetë Papa i parë në më shumë se një shekull që nuk do të varroset në Vatikan, në kriptin e Bazilikës së Shën Pjetrit, por në vend të kësaj do të vendoset të prehet në Bazilikën e Shën Marisë Major të Romës. Papa kërkoi gjithashtu që të varrosej në një arkivol të thjeshtë prej druri, ndryshe nga paraardhësit e tij që u varrosën në tre arkivole tradicionale të bëra nga selvi, plumbi dhe lisi.
Papa Françesku ndërroi jetë mëngjesin e 21 prillit në moshën 88-vjeçare. Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen.