LIVE UPDATES
Aktualitet

Kur pija shndërrohet në makth

Megjithatë, ai këmbënguli dhe shkoi ta blinte një pije energjike. Pikërisht kjo këmbëngulje e shtyu Blertën ta ndiqte atë instinktivisht për të parë sesi ai po hidhte diçka në pijen e saj.

21 Dhjetor 2025, 20:38 Nga I.A
Kur pija shndërrohet në makth
Foto Ilustruese

KOSOVË- Blerta Sejdija ishte 17-vjeçare kur e pranoi një pije nga një burrë i panjohur.

“Disa herë i thashë se nuk doja”, tregon Sejdija për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai këmbënguli dhe shkoi ta blinte një pije energjike. Pikërisht kjo këmbëngulje e shtyu Blertën ta ndiqte atë instinktivisht për të parë sesi ai po hidhte diçka në pijen e saj.

“Edhe pse prindërit të thonë vazhdimisht të jesh e kujdesshme, nuk mendoja se diçka e tillë ndodh vërtet” thotë ajo.

Ngjarja në një kafene pranë Prishtinës e ndryshoi rrjedhën e karrierës së saj dhe e shtyu atë të përkushtohej ndaj problemit të hedhjes së drogës apo substancave të tjera në pije pa dijeninë dhe pëlqimin e personit.

Arsyeja pse atë natë ajo veproi instinktivisht dhe u mbrojt lidhet me njohuritë që kishte fituar përmes organizatës “Beat Sexism”, të cilën e kishte themeluar një vit më parë për, siç thotë ajo, ta luftuar patriarkatin.

E lindur dhe e rritur në Çeki, nga prindër me prejardhje nga Kosova, Sejdija sot e ndan kohën dhe angazhimin e saj mes këtyre dy vendeve. Megjithatë, se ndotja e pijes me substanca narkotike ishte kaq e përhapur, ajo e kuptoi vetëm në vitin 2021, kur vendosi ta ndajë publikisht përvojën e saj dhe të hapë një diskutim në Çeki.

“Vendosëm të mbledhim rrëfime të grave të tjera, sepse kuptuam se ky nuk ishte problem i izoluar, por diçka që prek shumë gra”, tregon Sejdija.

Se nuk bëhet fjalë për raste të veçuara, por për një problem më të gjerë shoqëror, e dëshmojnë edhe të dhënat dhe historitë që viktimat kanë ndarë me ta.

Sipas të dhënave që organizata e saj ka mbledhur në bashkëpunim me policinë dhe qeverinë në fillim të këtij viti, çdo i treti i anketuar në Pragë është përballur me hedhje të padëshiruar të drogës në pije.

Kjo ndodh më së shpeshti te gratë e reja, shpjegon Sejdija, por rasti i fundit i përdhunimit të Gisele Pelicot në Francë ka treguar se mund të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

“Mund të ndodhë në një takim romantik, mes një çifti apo edhe mes personash të martuar, mund të ndodhë edhe mes miqsh ‘për qejf’”, sipas saj.

Se bëhet fjalë për një dukuri të përhapur e dëshmon edhe rasti në një festival muzikor, po ashtu në Francë, ku 145 njerëz raportuan se ishin shpuar me shiringë.

Arsyet pse ndodh kjo janë të ndryshme dhe nuk lidhen vetëm me sulme seksuale, por edhe me vjedhje, forma të tjera dhune, madje ndonjëherë edhe “për shaka”, pavarësisht se pasojat mund të jenë shkatërruese. Në shumicën e vendeve ky akt nuk është i kriminalizuar veçmas, ndërsa Sejdija shton se Mbretëria e Bashkuar ka një praktikë pozitive.

Shtimi i alkoolit, drogës së jashtëligjshme ose ilaçeve në ushqim, pije apo cigare të një personi është i paligjshëm dhe, përmes ligjeve të ndryshme britanike, mund të dënohet nga gjashtë muaj deri me burgim të përjetshëm. Së fundmi, kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar edhe krijimin e një vepre të veçantë penale që lidhet me këtë çështje.

“Qëllimi ynë me futjen e kësaj vepre të re penale është të inkurajojmë viktimat të dalin hapur dhe t’i raportojnë incidentet në polici, si dhe të ndihmojmë në tejkalimin e pengesave kryesore në ndjekjen penale të rasteve të hedhjes së substancave në pije, në mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë britanike të Drejtësisë lidhur me këtë dispozitë të ardhshme ligjore.

Se edhe të rinjtë në vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me këtë problem, e konfirmon Stefan Pejiq nga organizata beogradase “Re Generation”, por, sipas tij, është e vështirë të flitet për përhapjen reale të hedhjes së substancave në pije, pasi këto raste raportohen shumë rrallë.

“Organizatave si e jona u drejtohen persona që besojnë se janë përballur me hedhje të substancave në pijen e tyre, ose kanë dyshime të bazuara, por shpesh nuk i raportojnë rastet te autoritetet. Arsyet janë frika, mungesa e besimit në institucione, stigma, por edhe pasiguria. Shumë persona nuk janë të sigurt se çfarë ka ndodhur saktësisht, veçanërisht nëse nuk u kujtohet saktë, ose nuk kanë prova të qarta”, thotë ai.

Për këto arsye, thekson Pejiq, është e rëndësishme të punohet në njohjen dhe parandalimin e kësaj forme dhune, në edukim, si dhe në përmirësimin e reagimit institucional.

“Parandalimi duhet të shkojë shumë më tej sesa këshilla ‘kujdes se mos të hedhin diçka në pije’. Mesazhe të tilla, edhe pse me qëllim të mirë, e transferojnë përgjegjësinë te personat që mund të jenë viktima, në vend se te ai që e shkakton dhunën” shpjegon Pejiq.

Sipas tij, parandalimi nënkupton staf të trajnuar në bare, si dhe protokolle të qarta.

Të gjitha këto i kishte parasysh edhe Blerta Sejdija kur, në mes të nëntorit, së bashku me kolegen e saj Veronika Shimkova, lansoi platformën “Blurred”.

Bëhet fjalë për një platformë digjitale unike që përfshin programe edukative, trajnime për parandalim, punëtori dhe ligjërata për shkolla, si dhe mundësinë që një person të raportojë nëse dyshon se është droguar pa dijeninë e tij.

Qëllimi, siç shpjegon Sejdija, është që përmes avokimit, shkencës dhe inovacionit të luftohet problemi i hedhjes së substancave në pije dhe që aktivizmi të shndërrohet në diçka që ofron ndihmë konkrete.

“Ne nuk i lidhim vetëm dhembshurinë dhe sigurinë, por edhe shkencën dhe teknologjinë për të krijuar diçka funksionale. Sepse, siç e dimë, ekzistojnë disa teste në treg që në fakt nuk ndihmojnë nëse dëshironi të kontrolloni pijen dhe krijojnë një ndjenjë të rreme sigurie”, nënvizon ajo.

Në treg ekzistojnë teste të ndryshme që shiten me pretendimin se ndihmojnë në zbulimin e substancave të padëshiruara – nga manikyr të thonjve që ndryshojnë ngjyrë, deri te teste të ndryshme që mund të porositen online, mjafton një klikim online.

Megjithatë, se ato nuk janë më të besueshmet, e konfirmon edhe Martin Kuchar, shef i Laboratorit për Analizë Forenzike të Substancave Bioaktive në Universitetin Teknologjik të Pragës. Një nga problemet është se testet nuk funksionojnë në pije me ngjyrë dhe se përqindja e drogës në pije duhet të jetë e lartë që testi ta zbulojë atë. Por, Kuchar shpjegon se edhe një përqindje më e vogël e drogës mund të ndikojë te viktima.

“Ndryshimi i ngjyrës ndodh vetëm në nivele më të larta të substancës aktive. Po flas për GBL, MDMA, benzodiazepina dhe droga të tjera. Nga perspektiva ime, testet komerciale nuk funksionojnë dhe mund të çojnë në rezultate të rrejshme negative” thotë ky ekspert forenzik.

Testet janë verifikuar edhe në laboratorin e Fakultetit Teknologjik. Droga është hedhur në pije të ndryshme, nga vera e kuqe dhe e bardhë e deri te pijet joalkoolike. Megjithatë, testet, të dizajnuara për të ndryshuar ngjyrë në prani të drogës, nuk reaguan.

“Ndoshta funksionojnë nëse testohen vetëm me ujë dhe drogë”, thotë Kuchar. “Kemi dokumentacion fotografik që tregon se testet nuk ndryshuan ngjyrë. Nëse kanë ndryshuar, atëherë në pije ka pasur një dozë shumë të lartë alkooli ose ngjyra është ndikuar nga vetë ngjyra e pijes”.

Për momentin, thotë Kuchar, nuk ka teste te të cilat përdoruesit mund të mbështeten 100 për qind.

Kur dikush ju drogon kundër vullnetit tuaj, keni 20–30 minuta për të ndërmarrë diçka, shpjegon Blerta Sejdija.

“Së pari vini re se diçka po ndodh në organizmin tuaj. Ndjeni marramendje, shikimi ju turbullohet, mund të filloni të mos i ndieni fare disa pjesë të trupit”, thotë ajo.

Ndonjëherë droga e ndryshon shijen e pijes dhe ajo bëhet e hidhur, ndonjëherë i ndryshon ngjyrën ose bëhet e turbullt.

“Të gjitha këto janë gjëra të vogla që mund t’i vini re dhe që janë nën kontrollin tuaj. Ajo që nuk është nën kontrollin tuaj është mënyra se si trupi juaj do të reagojë”, sipas saj.

Të gjithë këshillohen që, nëse papritur nuk ndihen mirë, t’i tregojnë personit pranë ose stafit të lokalit.

“Mos u izoloni, sepse nuk e dini se çfarë doze keni marrë dhe si mund të reagojë trupi juaj”.

Nëse është e mundur, do të ishte e dëshirueshme të ruhet pjesa e mbetur e pijes, pasi ajo mund të testohet për prani droge, sepse substanca largohet shpejt nga trupi. Duhet të pini shumë ujë, të shkoni në një vend të sigurt, të vendoseni në një pozicion të qëndrueshëm dhe patjetër të telefononi policinë.

“Kur të arrini në urgjencë, kërkoni që t’ju bëhet analizë toksikologjike, sepse mund të mos e dinë se ju ka droguar dikush. Shpesh ndodh që të shkoni në urgjencë dhe t’ju thonë se keni pirë shumë”, shpjegon Sejdija.

Ajo që ndodh shpesh është edhe fakti që njerëzit nuk e raportojnë rastin në polici, sepse do t’i fajësojnë ose nuk do t’iu besojnë.

“Nuk është faji juaj, përgjegjësia është gjithmonë në anën e sulmuesit”, thotë ajo.

Kur atë mbrëmje në kafenenë pranë Prishtinës burri i panjohur u kthye me pijen, në të cilën tashmë kishte diçka për të cilën ajo nuk kishte dhënë pëlqimin, Blertën e zuri paniku. Por, ajo nuk e shfaqi këtë.

“Nga ajo anë isha krenare për veten. Por, nuk jam krenare për mënyrën se si e zgjidha më pas situatën – nuk e raportova, nuk u përballa me të, thjesht ika, gjë që ishte një akt vetëmbrojtjeje”, shpjegon ajo.

Në atë moment, thotë ajo, nuk donte që ai të bëhej edhe më agresiv, ndaj trilloi se duhej të shkonte në tualet me shoqen dhe nuk u kthyen më kurrë.

“Ajo natë vërtet e ka formësuar mënyrën se si mendoj për sigurinë gjatë daljeve dhe veçanërisht për hedhjen e substancave në pije si një fenomen të tërë, të cilin që nga ai moment kam filluar ta hulumtoj”, tregon ajo.

Me organizatën e saj, Sejdija sot planifikon të punojë në edukim dhe në gjetjen e zgjidhjeve për problemin e hedhjes së substancave në pije. Për momentin ata veprojnë në Evropën Qendrore, por në të ardhmen planifikojnë të zgjerojnë aktivitetet e tyre edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në pjesë të tjera të Evropës./REL

blerta sejdija

Sondazh

Poll

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi