LIVE UPDATES
Aktualitet

Vera lokale, rritje mes paragjykimit/ Turizmi nuk po jep efektin e plotë, bar-restorantet zgjedhin importin

Verërat lokale kanë mbetur gjatë vitit 2025 në të njëjtën panoramë të një viti më parë, por sfidat që po u dalin përpara janë bërë edhe më të mëdha.

28 Dhjetor 2025, 07:26 Nga E. D
Vera lokale, rritje mes paragjykimit/ Turizmi nuk po jep efektin e plotë,
foto ilustruese

TIRANË- Vitet e fundit, turizmi u ka dhënë një shtysë të rëndësishme kantinave të verës, por ky impuls mbetet larg potencialit real për shkak të një zinxhiri mbështetës që ende nuk funksionon si duhet. Kantinat theksojnë se vera vendase vijon të paragjykohet dhe shpesh mbetet jashtë rafteve të bareve dhe restoranteve, të cilat favorizojnë produktin e importuar.

Nga ana tjetër, konsumatori po ndryshon sjellje, duke u orientuar drejt verërave më të lehta, një tendencë globale që shoqërohet me rënie të përgjithshme të konsumit. Industria përballet njëkohësisht me sfida të shumta: rritje të vazhdueshme të kostove, presion nga ndryshimet klimatike dhe konkurrencë të pandershme në treg, ndërsa në horizont shfaqen gjithnjë e më qartë “ethet” e integrimit në Bashkimin Europian.

Kantinat pohojnë se nevojiten investime dhe masa për të qenë realisht gati për këtë hapje të tregut. Ndërsa çdo ditë është një betejë për mbijetesë dhe rritje, ato po iu drejtohen gjithnjë e më shumë modeleve të qëndrueshme, duke integruar agroturizmin në biznesin e tyre dhe shpesh edhe anasjelltas.

Verërat lokale kanë mbetur gjatë vitit 2025 në të njëjtën panoramë të një viti më parë, por sfidat që po u dalin përpara janë bërë edhe më të mëdha.

Turizmi, një lokomotivë e rëndësishme për to vitet e fundit, i ka tërhequr një shkallë më lart, por sërish shumë më pak se potenciali real që ka ky zinxhir nëse do të funksiononte siç duhet.

Të huajt kanë kureshtje për prodhimet lokale dhe vera nuk bën përjashtim në kërkesat e tyre, por ajo që duket se kufizon këtë është mosprania e produkteve shqiptare në raftet e bizneseve, kryesisht bar-restorantet. Shumica e tyre priren të kenë etiketa të huaja duke lënë pak ose aspak vend për kantinat vendase.

Për ta është thjesht biznes, ku vendin do ta zënë etiketat që u ofrojnë fitim më të lartë dhe shitjen e bën zhargoni “është e jashtme e për rrjedhojë më e mirë”.

Me këtë, prodhuesit shqiptarë nuk janë dakord, të cilët thonë se cilësia e verës vendase për të njëjtën klasë që serviret nga importi është më e lartë.

Në një betejë për t’u rritur në një treg me konkurrencë të fortë globale, vera shqiptare luhatet mes rritjes së vështirë, sfidave gjithmonë e më të mëdha dhe paragjykimit që mbetet pengesë historike.

Prodhimi mes ulje-ngritjeve, rritet gjendja e stokut

Kantinat shqiptare kanë rritur vazhdimisht prodhimin nga viti në vit, në vazhdën e potencialit që panë te turizmi, i cili u kthye në një pjesë të rëndësishme të konsumit të tyre. Kjo është ndihmuar edhe nga prodhimi i lartë dhe cilësor i rrushit.

“Në vendin tonë, viti 2025 mund të konsiderohet i mbarë për prodhimin si në cilësi ashtu edhe

në sasi. Faktori kryesor për këtë rendiment të lartë prodhimi sigurisht mbeten kushtet e favorshme klimatike në muajin e vjeljes. Shumë kantina, si dhe fermerë që shesin lëndën e parë rrush te prodhuesit, kanë zgjeruar kultivimin e rrushit në toka të reja, madje disa fermerë kanë nisur mbjelljen e rrushit edhe në serra”, thotë Rigers Kaçorri, nga Kantina Arbëri.

Teksa prodhimi ka qenë i lartë, duket se shitja apo tërheqja nga tregu nuk ka qenë në nivelet e pritshme, me një presion të fortë që vjen nga vera e importit. Si pasojë, disa kantina, pavarësisht mundësive për të prodhuar më shumë, kanë ulur ritmin për 2025-n për shkak të stokut. Kjo sigurisht që ka dhënë ndikim negativ te fermerët e vreshtave, të cilët kanë humbur një pjesë të atij tregu që e quanin të sigurt.

“Me prodhimin e verës kemi qenë mirë. Jemi të kënaqur me cilësinë e rrushit, por këtë vit kemi prodhuar më pak. Gjatë 2018 deri në 2021, ne merrnim nga familjet që bashkëpunonim 100 tonë rrush. Këtë vit kemi marrë vetëm 15 tonë sepse kantina është plot, ngaqë verën e vendit e mbyt importi.

Ndiej keqardhje vetëm që s’mund të ndihmojmë më shumë ato 200 familje me të cilat kemi bashkëpunuar ndër vite, sepse nuk po funksionon zinxhiri. Kështu po detyrohemi të braktisim familjet me vreshta”, thotë Flori Uka, nga Uka Farm, që përpos agroturizmit, kanë të integruar edhe kantinën dhe prodhimin e verës si pjesë të tyre prej vitesh.

Të dhënat nga Doganat bëjnë të ditur se për vitin 2024, në vend u prodhuan 1.39 milionë litra verë, me një rënie prej 3% në raport me 2023-n.

Situata duket pak më e përmirësuar në 2025-n. Për 11 mujorin prodhimi është 1.28 milionë litra, me rritje 3.4% në raport me janar-nëntor të vitit 2024.

Turizmi nuk po jep efektin e plotë, bar-restorantet zgjedh importin

Rritja e vizitorëve të huaj, vit pas viti, ka rritur interesin për verën shqiptare. Turistët janë kureshtarë të provojnë shijet e prodhuara me rrush autokton dhe ta kthejnë këtë në pjesë të përvojës. Jo të paktë janë ata që gjatë turit nëpër Shqipëri përfshijnë edhe degustimet në kantina.

Viti 2025, për disa prej tyre, ka qenë edhe më i mirë se viti 2024.

“Kantina jonë ka pritur vizitorë nga kombësi të ndryshme, gjatë gjithë vitit 2025. Në sezonin veror, ky numër ka qenë në mënyrë të konsiderueshme i lartë. Ajo çfarë has çdo prodhues në sektorin e verës është konkurrenca e pandershme dhe presioni i fortë që i vjen tregut nga verërat e importuara, të cilat vijojnë ta vështirësojnë shitjen dhe zhvillimin e produkteve vendase.

Nga ana tjetër vihet re një mungesë e informacionit teknik, procedural dhe legjislativ, një boshllëk ky që bashkë me një treg të pakontrolluar dhe informal, krijon sfida në standardizimin e cilësisë dhe konkurrencën e drejtë”, – pohon z. Kaçorri.

Pavarësisht kësaj tendence pozitive, potenciali që shfaq turizmi për të tërhequr dhe për të rritur industrinë e verës mbetet në nivele modeste, pasi produktet shqiptare parapëlqehen më pak se ato të importit nga ana e bar-restoranteve.

“Në baret dhe restorantet e bregdetit thuajse gjithë verës, turistëve u shërbehet verë importi, që as nuk e ka cilësinë e verës shqiptare.

Këto verëra kanë kimikate, aditivë (substancë shtesë në një produkt për të përmirësuar dhe për të ruajtur në afat të gjatë) dhe nuk përfaqësojnë asgjë nga autenticiteti dhe tradita shqiptare. Këtu është problem zinxhiri dhe dashamirësia për produktin vendas, që jo të gjithë e kanë.

Vetë pronarët shqiptarë të restoranteve apo bareve nuk e kanë parësore promovimin e produkteve vendase. Pra, këtu është përparësi fitimi i parave duke mos e parë aspak këtë në një këndvështrim më të gjerë dhe më patriotik, diçka që haset rrallë. Për hir të së vërtetës do t’i bënin nder edhe imazhit të përgjithshëm të vendit, sepse vera që prodhohet në Shqipëri është cilësorë”, – nënvizon z. Uka.

Sipas të dhënave të doganave, tendenca e importeve të verës ka ardhur në rritje të vazhdueshme, që pas vitit 2020.

Në 2024-n, u importuan gjithsej 6.2 milionë litra verë e kuqe e bardhë dhe spumante, me një rritje prej 10.4% në krahasim me vitin e mëparshëm. Në vlerë, importet arritën në 2.3 miliardë lekë, me një zgjerim prej 8.8% për të njëjtën periudhë.

Edhe për 11 mujorin 2025, tendenca e importeve ishte në rritje, ndonëseme ritme më të ngadalësuara se një vit më parë. për periudhën janar-nëntor 2025, sipas të dhënave nga Doganat, u importuan 5.5 miilionë litra verë e kuqe e bardhë dhe spumante, me një rritje prej 4.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. në vlerë importet arritën në 5.3 miliardë lekë, me zgjerim 5.3%, që tregon një shtrenjtim të lehtë të çmimeve.

Kostot në rritje, presioni i ndryshimeve klimatike dhe e ardhmja në BE

E ardhmja për kantinat e verës duket më sfiduese sesa sot. Ndërsa në fillimet e tyre, lufta e parë ishte mbijetesa në një treg të vështirë, sot kostot në rritje po e bëjnë gjithmonë e më të vështirë rrugëtimin.

“Kostot janë rritur shumë. Është një tendencë që ka nisur prej disa vitesh: kostot rriten, fitimi ulet, stresi rritet.

E kam fjalën për koston e materialeve, për fuqinë punëtore dhe për shërbimet që duhet t’i marrim nga shteti dhe nuk i marrim”, thotë Flori Uka. Ai pohon se situata paraqitet edhe më e vështirë për rrugën që do të duhet të ndiqet si pjesë e integrimit në BE.

“Më pyete nëse është e leverdishme t’i hysh sot këtij biznesi? Jo, nuk është e leverdishme dhe mendoj se jemi përpara një faze seleksionimi shumë të madh deri në vitin 2030, me integrimin në Bashkimin Europian.

Duket e sforcuar sepse nuk jemi gati. Integrimi duhet të vinte në mënyrë të natyrshme, ku të ishin hedhur themelet.

Bashkimi Europian është angazhuar ndër vite me projekte për forcimin e prodhuesve, rritjen e cilësisë, standardizimin, por paratë nuk kanë shkuar realisht aty dhe kjo na ka lënë pas. Shumë pak do ta kalojnë këtë provë dhe kjo do të jetë shkatërruese”, nënvizon ai.

Në të njëjtën linjë është edhe z. Kaçorri, i cili vlerëson se sektori duhet të formalizohet dhe të koordinohet për të rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë përpara se të bëhet pjesë e BE.

“Sektori ka nevojë për formalizim, koordinim më të mirë midis fermerëve dhe subjekteve prodhuese, investime në teknologji dhe infrastrukturë për të rritur cilësinë dhe konkurrueshmërinë në tregun rajonal dhe për t’u bërë gati për hyrjen në tregun e Bashkimit Europian”, – nënvizon ai.

Një tjetër sfidë janë ndryshimet klimatike, të cilat në Shqipëri po ndihen gjithashtu në disa sektorë dhe industria e verës është një prej tyre.

Teksa një pjesë e prodhuesve botërorë po eksperimentojnë me varietete rezistente, prodhuesit shqiptarë e shohin këtë si diçka ndaj së cilës nuk duhet të dorëzohemi plotësisht, në mënyrë që të ruajmë pjesën autoktone që është identiteti ynë.

“Nuk jam kundër eksperimenteve apo kombinimeve të ndryshme mes varieteteve, por nëse përqendrohemi të gjithë te varietetet rezistente, në botë do të pihej e njëjta verë dhe ne nuk do të shquheshim për ndonjë shije identifikuese”, – shprehet z. Kaçorri.

Konsumi në ulje një tendencë globale, Shqipëria nuk është imune

Konsumi i pijeve alkoolike në botë po pëson rënie të ndjeshme dhe kjo ndikohet nga parimet që po ndjekin breza të ndryshëm mbi mënyrën e jetesës.

Në korrik të këtij viti, revista “Wine Business” publikoi gjetjet e një ankete të saj që tregonin se konsumatorët e moshës mes 20-40 vjeç po pinin më pak verë se më parë.

Anketa tregoi se rënia e konsumit ndikohej sidomos nga ideja e kursimit të këtij grupi, që e konsideronin vlerën e asaj që merrnin më të ulët se çmimi që po paguanin.

Në shtator të vitit të shkuar, edhe “The Guardian” publikoi një artikull ku shkruhej se ka ndryshuar qasja e brezave ndaj alkoolit, përfshirë verën, ku Gen Z dhe Millennials rendisnin si faktor koston dhe rreziqet e shëndetit dhe prirjen për t’i zëvendësuar këto me kokteje dhe marijuanë.

Revista “Fortune” shkruante pak ditë më parë se Gen Z po pi 20% më pak se Millennials. Teksa këto janë tendencat globale, Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë trend.

“Në përgjithësi, konsumi i verës po ndryshon shijen, duke shkuar drejt preferencave për verë më të lehtë për sa i përket gradës së alkoolit. Do të thosha që është një trend botëror, që vihet re sidomos te të rinjtë, të cilët konsumojnë alkoolin në mënyrë të moderuar.

Verërat organike mund të jenë potencial për të ardhmen dhe mendoj që duhet të jetë fokus jo vetëm i prodhuesve, por edhe interes i institucioneve shtetërore”, – shprehet z. Kaçorri.

Kantinat shkojnë drejt agroturizmit dhe anasjelltas

Kantinat dhe agroturizmet e kanë zbehur totalisht ndarjen e tyre. Në Shqipëri, po shtohen gjithmonë e më shumë rastet kur kantina zgjerohet në agroturizëm dhe anasjellas, duke sjellë një model më të qëndrueshëm me një ofertë më të zgjeruar.

“Agroturizmi është një nga ato pikat që parapëlqehet më shumë sepse sjell identitet dhe për këtë ka kureshtje, ama kjo duhet të nxitet.

Të nxitet prodhimi vendas sepse agroturizmi nuk është asgjë më shumë se ai fermeri që në mungesë të tregut për të shitur produktin u jep atyre vlerë të shtuar për të ofruar diçka tjetër”, – shprehet z. Uka. Së fundmi ishte Kantina Arbëri që integroi si pjesë të saj një agroturizëm nën emërtimin “Bukë dhe Venë”.

“Agroturizmi është një ëndërr e kahershme e babait për të plotësuar atë që prej vitesh ka munguar dhe identifikon zonën tonë, gatimet tradicionale të Mirditës.

Prej vitesh, Kantina jonë ka qenë destinacion turistik nga vizitorë të huaj dhe vendas, të cilët kërkonin vazhdimisht të provonin ushqimet tipike të zonës.

E lindur nga dëshira dhe nga nevoja, Arbëri Agroturizëm, ‘Bukë dhe Venë’, i bashkohet filozofisë sonë për të sjellë te konsumatori shijet karakteristike të Mirditës”, – thotë z. Kaçorri./MONITOR

turizmi

Sondazh

Poll

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend

Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë