LIVE UPDATES
Bota

COVID-i në Kinë, mbingarkohet sistemi shëndetësor dhe krematoriumet

Ndërsa Kina përballet me valën e saj të parë mbarë kombëtare të COVID-19ës, pavionet e urgjencave në qytetet e vogla përreth Pekinit janë të mbingarkuara.

24 Dhjetor 2022, 23:08 Nga I.A
COVID-i në Kinë, mbingarkohet sistemi shëndetësor dhe
Covid

KINË– Yao Ruyan ecte me nervozizëm jashtë spitalit në provincën kineze Hebei, rreth 70 kilometra në jugperëndim të Pekinit. Vjehrra e saj u infektua nga COVID-i dhe kishte nevojë urgjente për kujdes mjekësor, por të gjitha spitalet e zonës ishin plot.

“Thonë se nuk ka shtretër këtu”, bërtiste ajo në telefon.

Ndërsa Kina përballet me valën e saj të parë mbarë kombëtare të COVID-19ës, pavionet e urgjencave në qytetet e vogla përreth Pekinit janë të mbingarkuara. Pavionët e kujdesit intensiv po refuzojnë ambulancat; familjarët e personave të sëmurë po kërkojnë për shtretër të lirë, dhe pacientët presin të ulur në stolat e korridoreve të spitaleve, ose të shtrirë në tokë për shkak të mungesës së shtretërve.

Vjehrra e moshuar e Yaos ishte sëmurur nga koronavirusi një javë më parë. Ata shkuan fillimisht në një spital lokal, ku grafia e mushkërive tregoi se kishte shenja pneumonie. Por, Yaos i thanë se spitali nuk mundej të trajtonte rastet me COVID-19 dhe se duhej të shkonte në spitale më të mëdhenj në rrethet fqinje.

Ndërsa Yao dhe bashkëshorti i saj udhëtonin nga spitali në spital, ata konstatuan se të gjithë pavionët ishin të mbushur plot. Zhgënjimin më të fundit e pësuan në spitalin Zhuozhou, rreth një orë larg me makinë nga qyteti i tyre.

Yao iu afrua me shpejtësi tavolinës së regjistrimit, duke lënë pas karriget me rrota që transportonin pa pushim pacientë të moshuar. Megjithatë asaj i thanë sërish se spitali ishte plot, dhe se i duhej të priste.

“Jam e zemëruar”, thotë ajo ndërsa përlotet, dhe shtrëngon në duar grafitë e bëra në spitalin lokal. “Nuk kam shumë shpresë. Kemi dalë prej kohësh dhe jam e tmerruar, pasi ajo ka vështirësi në frymëmarrje”.

Për dy ditë, gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press vizituan pesë spitale dhe dy krematoriume në qytetet e prefekturave Baoding dhe Langfang, në provincën qendrore Hebei. Kjo zonë ishte epiqendra e një prej vatrave të para të përhapjes së virusit në Kinë, pasi qeveria lehtësoi masat ndaj COVID-19 në nëntor dhe në dhjetor. Për javë të tëra, rajoni ra në heshtje, ndërsa njerëzit sëmureshin dhe qëndronin në shtëpi.

Shumë prej tyre janë shëruar tashmë. Sot tregjet gumëzhijnë, restorantet janë të mbushur me klientë dhe boritë e makinave dëgjohen në trafikun agresiv, megjithëse virusi vazhdon të përhapet në pjesë të tjera të Kinës. Gjatë ditëve të fundit, edicionet kryesore të lajmeve në mediat shtetërore thonin se zona “po fillon t’i rikthehet jetës normale”.

Por, jeta në pavionet e urgjencës dhe krematoriumet e Hebeit nuk është aspak normale. Megjithëse të rinjtë po i rikthehen punës dhe radhët në klinika janë zvogëluar, shumë prej të moshuarve në Hebei po kalojnë në një gjendje kritike shëndetësore. Urgjencat e tejngarkuara së bashku me shtëpitë funerale mund të sinjalizojnë për atë që do të pasojë në të gjithë Kinën.

Qeveria kineze ka raportuar vetëm shtatë vdekje nga COVID-19 që kur masat kufizuese u lehtësuan në mënyrë dramatike më 7 dhjetor, duke e sjellë kështu numrin e përgjithshëm të viktimave në vend në 5,241. Të martën, një zyrtar kinez i shëndetësisë tha se Kina llogarit si raste nga COVID-i vetëm vdekjet nga pneumonia apo problemet në frymëmarrje, një përkufizim ky i ngushtë që përjashton shumë raste vdekjesh që në vende të tjera do të klasifikoheshin si prej COVID-it.

Ekspertët kanë parashikuar se Kina do të ketë vitin e ardhshëm 1-2 milionë vdekje, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se mënyra se si i përllogarit Pekini do të “ulte nivelin e vërtetë të vdekjeve”.

Në spitalin Baoding 2 në Zhuozhou, pacientët kishin mbushur korridoret e pavionit të urgjencës. Të sëmurët merrnin frymë me ndihmën e respiratorëve. Një grua qante me të madhe pasi doktorët i thanë se i kishte vdekur një i afërm.

Pavioni i kujdesit intensiv ishte aq i mbingarkuar, sa ambulancat ktheheshin mbrapsht. Një punonjës i mjekësisë u bërtiste familjarëve të një pacienti që po e sillnin nga ambulanca me karrocë.

“Nuk ka oksigjen apo elektricitet në këtë korridor!”, thoshte punonjësi. “Nëse nuk i jepni dot oksigjen, si do ta shpëtoni?”

“Nëse nuk doni vonesa, kthehuni mbrapsht dhe largohuni shpejt!”, u tha ai.

Familjarët u larguan duke e futur prapë pacientin në ambulancë, e cila u nis me dritat ndezur.

Gjatë dy ditëve lëvizje me makinë nëpër këtë rajon, gazetarët e agjencisë Associated Press u shkëmbyen me gati tridhjetë ambulanca. Në një autostradë drejt Pekinit, dy ambulanca ndiqnin njëra-tjetrën me dritat e urgjencës të ndezura, ndërsa një e tretë u shkëmbye për t’u larguar në drejtimin e kundërt. Numrat e telefonit të urgjencave janë të mbingarkuar dhe zyrtarët e Pekinit raportuan më herët këtë muaj një rritje me gjashtë herë të telefonatave.

Disa prej ambulancave shkojnë drejt shtëpive funerale. Në krematoriumin në Zhuozhou, furrat e djegies punojnë jashtë orarit, ndërkohë që punonjësit përpiqen të përballojnë rritjen e vdekjeve të javës së fundit, tha një prej punonjësve. Një punonjës funeral vlerësoi se janë duke kremuar 20-30 trupa në ditë, në krahasim me 3-4 në ditë gjatë periudhës kur ishin në fuqi masat e rrepta ndaj COVID-it.

"Ka patur kaq shumë njerëz që vdiqën", tha Zhao Yongsheng, punëtor në një dyqan mallrash për funerale pranë një spitali lokal. "Ata punojnë ditë e natë, por nuk mund t'i djegin të gjithë (trupat)".

Në një krematorium në Gaobeidian, rreth 20 kilometra në jug të Zhuozhousë, trupi i një gruaje 82-vjeçare u soll nga Pekini, dy orë me makinë, sepse shtëpitë funerale në kryeqytetin e Kinës ishin të mbingarkuara, tha nipi i saj.

“Thanë se duhej të prisnim 10 ditë”, tha zoti Liang, duke dhënë vetëm mbiemrin e tij për shkak të ndjeshmërisë së situatës.

Ai shtoi se gjyshja kishte qenë e pavaksinuar, kur përjetoi simptoma të koronavirusit dhe i kishte kaluar ditët e saj të fundit e vendosur në një respirator në një pavion kujdesi intensiv në Pekin.

Gjatë më shumë se dy orëve në krematoriumin në Gaobeidian të enjten, gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press panë tre ambulanca dhe dy furgonë që shkarkonin trupat. Njëqind apo më shumë njerëz u grumbulluan në grupe, disa me veshje tradicionale zie kineze në ngjyrë të bardhë.

"Ka patur shumë!", tha një punëtor kur u pyet për numrin e vdekjeve nga COVID-19, përpara se drejtori i shtëpisë funerale Ma Xiaowei të ndërhynte dhe t’i orientonte gazetarët që të takonin një zyrtar të qeverisë lokale.

Ndërsa zyrtari dëgjonte bisedën, zoti Ma konfirmoi se kishte më shumë kremime, por tha se nuk e dinte nëse ishte për shkak të COVID-19. Ai fajësoi për vdekjet e shtuara ardhjen e dimrit.

"Çdo vit gjatë këtij sezoni, ka më shumë", tha zoti Ma. "Pandemia nuk është reflektuar realisht" në numrin e vdekjeve, tha ai, ndërsa zyrtari dëgjonte dhe pohonte me kokë.

Edhe pse evidenca përreth dhe projektimi i të dhënave sugjerojnë se një numër i madh njerëzish po infektohen dhe po vdesin, disa zyrtarë në Hebei mohojnë që të ketë patur shumë ndikim virusi.

"Nuk ekziton e ashtuquajtura rritje masive në raste; është gjithçka nën kontroll", tha Wang Ping, menaxheri administrativ i Spitalit Gaobeidian, duke folur pranë portës kryesore të spitalit. "Ka patur një rënie të lehtë të pacientëve".

Zoti Wang tha se vetëm një e gjashta e 600 shtretërve të spitalit ishin të zënë, por refuzoi të lejonte hyrjen e gazetarëve. Dy ambulanca erdhën në spital gjatë periudhës prej gjysmë ore që gazetarët ishin të pranishëm dhe një i afërm i një pacienti u tha se ishin larguar nga reparti i urgjencës në Gaobeidian sepse ishte plot.

Tridhjetë kilometra në jug në qytetin Baigou, mjekja e repartit të urgjencës Sun Yana u tregua e sinqertë, edhe pse zyrtarët lokalë dëgjonin bisedën.

"Ka më shumë njerëz me ethe, numri i pacientëve është rritur me të vërtetë", tha zonja Sun. Ajo hezitoi dhe më pas shtoi: “Nuk mund të them nëse jam bërë më e zënë apo jo. Departamenti ynë i urgjencës ka qenë gjithmonë i zënë”.

Spitali në Baigou ishte i qetë dhe i rregullt, me shtretër bosh dhe radhë të shkurtra, ndërsa infermierët spërkasnin dezinfektantë. Pacientët me COVID-19 janë të ndarë nga të tjerët, thanë anëtarët e stafit, për të parandaluar përhapjen e infeksioneve. Por ata shtuan se rastet e rënda po orientohen për në spitalet e qyteteve më të mëdha, për shkak të pajisjeve të kufizuara mjekësore.

Mungesa e kapacitetit në pavionin e kujdesit intensiv në qytetin Baigou, që ka rreth 60,000 banorë, pasqyron një problem mbarëkombëtar. Ekspertët thonë se burimet mjekësore në fshatrat dhe qytetet e Kinës, ku jetojnë rreth 500 milionë nga 1.4 miliard banorët e Kinës, mbeten shumë prapa atyre të qyteteve të mëdha, si Pekini dhe Shangai. Në disa qarqe nuk ekziston as edhe një shtrat i vetëm për kujdes intensiv.

Për rrjedhojë, pacientët në gjendje të rëndë detyrohen të shkojnë në qytetet më të mëdha për trajtim shëndetësor. Në Bazhou, një qytet 40 kilometra në lindje të Baigout, njëqind ose më shumë njerëz gjendeshin të enjten mbrëma në repartin e urgjencës të Spitalit Popullor Nr. 4 Langfang.

Rojet punonin për të përmbajtur turmën teksa njerëzit nxitonin për të zënë vend. Pa hapësira të mbetura në pavion, pacientët dergjeshin në korridore dhe holle. Të sëmurët qëndronin të shtrirë mbi batanije në dysheme, ndërsa personeli shtynte me nxitim karrige me rrota dhe respiratorë. Në një korridor, disa pacientë merrnin frymë me vështirësi të ulur në stola metalikë, ndërsa bombolat e oksigjenit i ushqenin me ajër.

Jashtë një dhome skaneri, një grua e ulur në një stol nuk mbushej dot me frymë. Një burrë u shtri në një barelë jashtë pavionit të urgjencës ndërsa punonjësit e mjekësisë i vendosnin elektroda në gjoks. Pranë një tavoline regjistrimi, një grua e ulur në një stol mezi merrte frymë, ndërsa një i ri i mbante dorën.

"Të gjithë në familjen time janë me COVID", tha një person, ndërsa katër të tjerë pas tij kërkonin gjithashtu vëmendje. "Çfarë ilaçi mund të marrim?"

Në një korridor, një person ecte teksa bërtiste në celularin e tij.

"Numri i njerëzve është rritur shumë!" tha ai. "Nuk ka asnjë mënyrë që të marrë kujdes shëndetësor këtu, ka shumë njerëz".

Nuk ishte e qartë se sa pacientë kishin COVID-19. Disa kishin vetëm simptoma të lehta, duke nxjerr në pah një çështje tjetër, thonë ekspertët: njerëzit në Kinë mbështeten më shumë tek spitalet sesa në vendet e tjera, që do të thotë se është më e lehtë që pavionët e urgjencave të mbingarkohen.

Për mbi dy orë, gazetarët dëshmuan se disa ambulanca mbërrinin në pavionët e kujdesit intensiv të spitalit dhe merrnin pacientët në gjendje të rëndë për të nxituar drejt spitaleve të tjera, edhe pse mjete të tjera vinin ndërkohë duke sjellë dhjetëra pacientë të rinj.

Një furgon ngjyrë bezhë u afrua dhe i binte me forcë borisë pas një ambulance që priste. "Lëviz!" - bërtiti shoferi.

"Le të shkojmë, le të shkojmë!", thërriti një zë në panik. Pesë persona ngritën në një batanije një burrë nga pjesa e prapme e furgonit dhe e futën me urgjencë në spital. Rojet e sigurisë bërtisnin në repartin e mbushur plot: “Hapni rrugën, hapni rrugën!”

Roja i kërkonte një pacienti të lëvizte, por u tërhoq kur u përball me një të afërm. Burri i mbledhur në batanije u shtri në dysheme, ndërsa mjekët vraponin përreth. "Gjyshi!" qante një grua, duke përqafuar pacientin.

Punonjësit mjekësorë nxitonin me një respirator. "A mund t’i hapni gojën?", bërtiti dikush.

Kur iu vendosën në fytyrë tuba të bardhë plastikë, i sëmuri filloi të merrte frymë më lehtë. Të tjerët nuk ishin aq me fat. Të afërmit që rrethonin një shtrat tjetër filluan kujën, ndërsa shenjat e jetës së një gruaje të moshuar u fashitën. Një burrë vendosi një cohë mbi fytyrën e gruas dhe ata qëndruan në heshtje, përpara se ta largonin trupin e saj. Brenda pak minutash, një tjetër paciente e kishte zënë vendin e saj.

Marrë nga VOA

yao ruyan covid

Sondazh

Poll

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend