LIVE UPDATES
Art&Argëtim

Dëshmia e rrallë e të birit të Ndue Marashit: Arkivolin e sollën pak minuta para varrimit dhe nuk na lejonin ta hapnin, por

22 Dhjetor 2020, 07:23 Nga DOSJA
Dëshmia e rrallë e të birit të Ndue Marashit: Arkivolin e

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Ndue Marashit, ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cili në datën 16 dhjetor të vitit 1975, u gjet i vdekur nga një plumb pistoletë në një nga dhomat e vilës së tij (tek “Shkolla e Kuqe”), rrethanat e së cilës nuk janë zbardhur ende edhe sot pas 45 vitesh?!

Dëshmia e rrallë e të birit të tij, 62 vjeçarit Xhovalin Marashi që banonon prej vitesh në Belgjikë, i cili dëshmon për herë të parë publikisht, të gjithë historinë e panjohur të babait të tij dhe familjes Marashi, duke filluar nga: origjina e tyre, ardhja në Tiranë, puna, shkollimi, diplomimi dhe karierra e Ndues fillimisht në Kamzë e më pas në koopertativën e Kasharit, Komitetin e Partisë së Rajonit Nr. 4 dhe më pas si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku ai shërbeu nga viti 1973, deri në 16 dhjetorin e vitit 1975, kur Xhovalini me vëllanë më të vogël, Vlashin, e gjetën të atin e tyre të përgjakur në minutat e fundit të jetës dhe autobulanca që ata njoftuam me telefon, erdhi pas vetëm 45 minutash?!

Rrëfimi Xhovalinit edhe për miqësitë që kishte babai i tyre me një pjesë të udhëheqjes së lartë si: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Fadil Paçramin dhe Myslym Pezën, apo të tjerë me poste e funksione më të ulta si: Irakli Bozo, Abedin Çiçi, Mark Dodani, Hazbi Lamçe, Demlush Thaçi, Fadil Lamin, Halim Stërmasi, Ilir Gjylbegu, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Bert Jashari, Miti Dheodhosi etj.

Si u realizua skema e ekzekutimit të Ndue Marashit, kush ishin njerzit që e sulmonin atë në Byronë Politike dhe ata që Sigurimi i Shtetit i angazhoi për eliminimin fizik të tij dhe përse i biri i tij, Xhovalini, e përjashton që ajo gjë është bërë me dijeninë e Enver Hoxhës, për të cilin shprehet se është një nga njerzit që e ka dashur shumë Nduen dhe ai së bashku me Nexhmijen dhe të birin e tyre, Ilirin, kanë bërë shumë për familjen Marashi, duke filluar nga…?!

Pas publikimit të disa shkrimeve nga Memorie.al në dy numrat e kaluar, lidhur me historinë e ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe deputetit të Kuvendit Popullor, Ndue Marashi, i cili plot 45 vjet më parë, në mesditën e 16 dhjetorit të vitit 1975, u gjet pa jetë në një nga dhomat e vilës së tij që ndodhet edhe sot diku pranë “Shkollës së Kuqe”, ku sipas versionit zyrtar, të dhënë me anë të komunikatës që u publikua të nesërmen në shtyp, ai kishte bërë vetëvrasje, Memorie.al i rikthehet përsëri kësaj historie.

Kjo ngjarje e rëndë e cila nuk kaloi pa zhurmë edhe në atë kohë që ndodhi, pasi po t’i referohemi versionit zyrtar, ishte hera e parë pas shumë vitesh që ndodhte një vetëvrasje nga një funksionar i lartë i shtetit,(kemi parasysh, në vitin 1947 Nako Spiron, ish-Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, që ‘de jure’, ishte kryeministri i vëndit dhe më pas në vitin 1956, Omer Nishanin, Presidentin e Shqipërisë, apo siç quhej në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor), dhe sipas moralit komunist, e gjithashtu ligjeve në fuqi, vetëvrasja konsiderohej vepër armiqësore dhe personi që bënte një gjë të tillë, aq më shumë kur ishte me funksione zyrtare, në rastin më të mirë konsiderohej “disfatist e kapitullant”, ndryshe etiketohej si: “tradhëtar dhe armik i popullit”!

Nisur nga këto, edhe për Ndue Marashin nuk u bë asnjë përjashtim nga regjimi komunist i asaj kohe dhe mbi të ranë të gjitha akuzat si “armik i popullit” etj., dhe familja e tij u dëbua nga Tirana dhe u persekutua deri në shëmbjen e regjimit komunist. Lidhur me këtë ngjarje dhe misteret që ajo mbart ende, është shkruar pak vetëm pas viteve ’90-të dhe në 2018-ën, u realizua një dokumentar televiziv nga Radio-Televizioni Publik Shqiptar, ku familjarë të Ndue Marashit, dhanë versionet e tyre lidhur me atë ngjarje.

Nisur edhe nga fakti, se më datën 16 dhjetor, u mbushën 45 vjet nga dita që Ndue Marashi humbi jetën në rrethana tragjike dhe ajo ngjarje ende mbetet e mbuluar me mister, Memorie.al u kontaktua nga z. Xhovalin Marashi, (djali i madh i Ndue Marashit), që prej vitesh jeton familjarisht në Belgjikë, i cili pasi i shprehu falenderimet redaksisë sonë për artikujt e botuar për babanë e tij, u tregua i gatshëm gjithashtu edhe për të dhënë një intervistë të gjatë dhe ekskluzive për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, shumë nga anët e panjohura të asaj historie që lidhet me emrin e Ndue Marashit dhe familjes së tyre, intervistë të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.

Vijon nga numri kaluar

Zoti Xhovalin, përveç kësaj ngjarje që ndodhi me nënën tuaj, (pra goditja me hekur në kokë dhe shtrimi i saj në spital), ato ditë para ngjarjes së 16 dhjetorit, a vutë re ndonjë shqetësim të babait, a kishte ndonjë problem pune apo familjar, etj. Ju ka treguar gjë nëna më pas?

Përveç asaj ngjarje tepër të rëndë që ndodhi me mamanë tonë, që siç u thashë, babai Nduja, i kishte thënë se: “E kanë me mua, është një paralajmërim…”, absolutisht nuk ka pasur asnjë problem tjetër. Problem familjar jo e jo, por as probleme pune besoj se jo, pasi ai do ja kishte thënë mamasë, siç bënte dhe herë të tjera, duke u konsultuar me të. Përkundrazi, babai ishte shumë i qetë ato ditë dhe ne po përgatiteshim që të shkonim me pushime në Vlorë, pasi mamaja, Franceska, pas asaj që i kishte ndodhur, kishte nevojë të pushtonte, se kishte pësuar shëmbje. Kjo ishte situata në familjen tonë para datës 16 dhjetor kur dhe ndodhi ajo që as e kishim menduar kurrë. Por edhe pse ishte kjo situatë, babai kishte kohe që mbante me vete dy revolverë, (një “Gold” amerikan dhe një të markës sovjetike), pa të cilat prej disa muajsh, ai nuk lëvizte kurrë!

Pse i mbante këto…?!

Si duket babaj mendonte se diçka mund t’i ndodhte ato kohë dhe siç na ka thënë mamaj, ai ishte konsultuar me shokun e tij të ngushtë, kolonel Hazbi Lamçen (ish-komandant në disa kampe dhe burgje), dhe ai e kishte sugjeruar që të mos bënte asnjë hap pa dy revolverë. Disa kohë pas ngjarjes së babait, dhe Hazbi Lamçe përfundoi në burg, me akuza të montuara, gjoja për përvetësime. Kështu përfuanduan edhe disa të tjerë miq dhe shoikë të babait.

Para se të flasim për këto që sapo thatë, të kthehemi te data 16 dhjetor, kush nga familja juaj u takua për herë të fundit me babanë tuaj dhe ju personalisht kur e patë për herë të fundit babanë, para se të ndodhte ajo që ndodhi?

Mëngjezin e asaj dite, babai si zakonisht është ndarë me mamanë që shkonte si çdo ditë në punë (te Kopsht-Çerdhja e Fëmijve Nr. 49, ku ishte drejtoreshë) dhe pas saj, unë me vëllanë, Lulin, jemi ndarë me babanë para orës 8 të mëngjezit kur po shkonim për në shkollë.

Kujtoni ndonjë gjë se çfarë keni biseduar atë ditë?

Atë ditë në mëngjez, para se të niseshim për në shkollë, babai ishte shumë i qetë, madje mund të them edhe me humor, e para se ne të dilnim nga shtëpia për të shkuar në shkollë, ai na dha 100 lekë (të vjetra) mua dhe Lulit, pasi ai me nënën siç u thashë, do të shkonin në Vlorë, ndërsa ne do rrinim në Tiranë se ishim në shkollë. Pasi na dha lekët, na tha: “Dëgjoni këtu, kujdes mos bëni fjalë me njeri dhe mos flisni ndonjë fjalë kundër Partisë dhe shokut Enver, se ju vras të dyve me dorën time…”, e në përqafoi të dyve. Ato fjalë në fillim na i tha si me seriozitet, por kur na përqafoi, e ndërroi çehren dhe tonin e zërit dhe buzëqeshi.

Përse ua tha ato fjalë, flisnit ju gjëra të tillë në atë kohë në atë moshë që ishit?!

Atë shprehje, pra: “Kujdes…, se mos flisni ndonjë gjë kundër Partisë dhe shokut Enver, se do ju vras të dyve me dorën time…”, babai kishte disa ditë që në e përsëriste shpesh, por ne as e kuptonim se përse po na e thoshte, pasi ne as kishim folur ndonjëherë gjëra të tilla dhe as na shkonte mëndja të bënim ato muhabete me njeri! Por, kohë më vonë, pra kur u rritëm dhe nisëm të kuptonim disa gjëra, e kam menduar gjatë domethënien e atyre fjalëve që na thoshte babai, gjë të cilën e bisedonim edhe me nënën. Dhe ne dilnim në një konkluzion, që babai: si duket parandiente se diçka do t’i ndodhte dhe duke pasur frikë se dikush edhe mund të na provokonte ne fëmijve të tij, ai na i thoshte ato fjalë, që ne të kishim kujdes dhe të ruheshim! Mund edhe të jemi të gabuar në këto konkluzione, por nuk kishte arsye tjetër që ai të na i thoshte ato fjalë, pasi ne nuk kishim folur kurrë të tilla gjëra, pasi nuk kishim arsye. Ne normalisht, jetonim pak më mirë se pjesa tjetër e shokëve tanë dhe s’kishim pse të ankoheshim, se nuk na mungonte gjë. Po kështu, në atë kohë unë dhe vëllai aktivizoheshim me ekipet e futbollit të Klubit “17 Nëntori”, pasi thuej se ishim talente, por na kishte përkrahur edhe profesor Lym Alla, (mik i ngushtë i babait), dhe ne ndjeheshim të lumtur edhe për këtë fakt, pra se ishim diçka më shumë se të tjerët, ishim dhe futbollistë.

Po natën e datës 16 dhjetor, kush erdhi në shtëpinë tuaj?

Përveç ne të familjes, pra njerëzve të babajt, si axha, Zefi, etj., dhe atyre të mamasë, Francekës, si tezja, Marta, dajat etj., asnjë njeri tjetër nuk guxoi me ardh te ne, se si duket u morr vesh se aty nuk po vinte asnjë nga funksionarët shtetëror apo partiakë.

Po të nesërmen te ceremonia e varrimit të babait tuaj, kush erdhi?

Trupin e babait e sollën në shtëpi të nesërmen me arkivol të mbyllur vetëm 30 minuta para orës që ishte caktuar për të bërë varrimin në Tufinë dhe aty te arkivoli ishin dy oficerë të Sigurimit të Shtetit (të veshur civilë) që nuk linin ansjeri me ju afru dhe as me e prek me dorë arkivolin.

Nuk e hapën fare arkivolin, pra askush nga familja nuk e pa para varrimit?

Mezi e lejuan gjyshen, Dranen, e cila insistoi me pa të birin e vdekur dhe ata dy personat e Sigurimit të Shtetit, pasi e zbrapsën disa here gjyshen, më në fund u dorzuan dhe e lejuan ta shikonte punë sekondash, duke hapur pak kapakun e arkivolit, të cilin kujtoj se më shumë e shtyu gjyshja, se e hapën ata.

E pa gjyshja se ku e kishte plagën e plumbit babai?

Kur hapën kapakun e arkivolit, pjesën e kokës e kishin mbuluar me një copë të trashë që të mos dukej, por gjyshja e tërhoqi dhe pa plagën e plumbit e kishte në ballë. Atë plagë ja kishin mbuluar me një leukoplast të hollë rreth 20 centimetra, por as lart dhe as poshtë leukoplastit, nuk kishte shenja djegie, gjë e cila ndodh kur arma, pra revolveri, është shumë afër vëndit ku qëllon dhe shkakton djegie.

Me çfarë automjeti u krye varrimi dhe kush morri pjesë aty.

Automjeti ku vumë arkivolin dhe shkuam në varrezat e Tufinës, ishte një tip mikrobusi ngjyrë blu, (pra jo i zi, siç i kishte Funerali i Tiranës), që përdorej për të dërguar në punë në Tufinë, punonjësit e Ndërrmarjes së Luleve dhe pas tij ishin dhe dy autobuzë të vegjël. Në varrim, përveç ne të familjes dhe pak nga të afërmit tanë apo komshinj, nuk kishte të tjerë. Pra, nuk erdhi në varrim asnjë person me funksione partiake apo shtetërore. Por kujtoj se, nga shtëpia deri në varrezat e Tufinës, në të dy anët e rrugës, gjatë gjithë kohës që kaloi kortezhi, kishte njerëz që ndalonin dhe mbanin qëndrim, apo dhe duke hequr kapelet, në shenjë nderimi për babanë, pasi pothuaj në të gjithë Tiranën u morr vesh lajmi se çfarë kishte ndodhur me Ndue Marashin.

Sa veta mund të ishin në atë varrim dhe a foli njeri për meritat e tija?

Siç thashë, te shtëpia pothuaj nuk erdhën njerëz të tjerë përveç ne të familjes e të afërmeve tanë, por kur shkuam te varrezat e Tufinës, mbaj mënd se kishte shumë njerëz që kishin shkuar përpara aty. Mund të kenë qenë afro 300 veta dhe pjesa më e madhe ishin nga fshatrat e Tiranës, ku babai kishte punuar prej vitesh dhe siduket ata kishin ardhur për ta respektuar, edhe pse u morr vesh se ai po trajtohej si “armik i popullit”? Kjo gjë, pra mënyra e varrimit dhe trajtimi që na u bë ne si familje ato ditë, ishte më se e qartë për këdo, por edhe në këto situata, në ceremoninë e varrimit në Tufinë kishin ardhur shumë njerëz.

Ceremonia e varrimit u bë me shpenzimet e shtetit apo…?!

Këtë desha t’ju shpjegoj. Të gjitha shpenzimet e varrimit, (pra automjeti që sollën për të mbajtur arkivolin, dy autobuzat e vegjël, kurora, hapja e varrit etj.) që kushtuan rreth 4 mijë lekë (të vjetra,) na i vunë ne në ngarkim dhe të nesërmen e varrimit na erdhën në shtëpi e na sollën faturën, duke na thënë që të shkonim të bënim pagesën te Ndërmarrja e Funeralit. Por ne nuk kishim aq lekë në shtëpi dhe shkuam në Komitetin Ekzekutiv për të marrë rrogën e babait, por nuk na e dhanë, duke thënë që nuk i takonte. Atëhere, mamaja jonë, Franceska u detyrua që të shiste dy palë këpucë që i kishte blerë në Hungari apo Itali (s’më kujtohet mirë se ku) dhe me to ne bëmë pagesën e shpenzimeve të varrimit. Pra, ne si familje e ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që të nesërmen e vdekjes së babait, nuk kishim lekë as për të ngrënë bukë. Kjo ishte gjëndja jonë dhe këtë e dinë të gjithë ata që na kanë njohur.

Po, por… u shprehët që nëna juaj, Franceska, i kishte blerë ato këpucë në Hungari apo Itali…?!

Po është më se e vërtetë, por mamaja jonë, Franceska, pati shkuar në Hungari për t’u kuruar që në vitin 1967 dhe për atë gjë ka urdhëruar vetë Enver Hoxha, pasi ajo ishte shumë e sëmurë me diagnozë ‘ostomilit’ (tuberkuloz në kockë) të cilën e kishte marrë duke kuruar të sëmurët gjatë kohës që punonte në qëndrat shëndetësore në Kamzë, Institut, Laknas etj.

Kush ndërhyri te Enver Hoxha që ai urdhëroi të shkonte nëna juaj për kurime në Hungari?

Babai, Nduja, duke mos pasur shpresë se mamaja mund të shërohej në spitalet tona, me shumë zor, por edhe me insistimin e Prof. Dr. Shefqet Ndroqit (mik i ngushtë i babait dhe koleg i hallës sonë, Dilës, që ishte kryeinfermiere në Sanatorimum), u detyrua që të shkonte te Enver Hoxha, pasi në atë kohë shumë nga familjet e nomeklaturës së lartë dhe të afëmit e tyre, shkonin për kurime, kryesisht në Hungari. Kështu shkoi dhe babai të Enveri dhe ai urdhëroi menjëherë, Vera Ngjelën në mos gaboj, që ta niste urgjent në Hungari, ku nëna shkoi me barrelë në avion dhe erdhi po me avion me këmbët e veta, pas gjashtë muajsh. Vetëm për këtë fakt, babai ynë, Nduja të vriste për Enver Hoxhën dhe jo të ishte ai “armik i popullit”, si u shpall dhe na trajtuan ne si familje.

Po në Itali përse kishte shkuar nëna juaj?

Po edhe në Itali për kurime ka shkuar nëna dhe përsëri me urdhërin e Enver Hoxhës. Ka qenë viti 1970, kur gjatë një feste në Pallatin e Brigadave, babai me mamanë u takuan edhe me Enverin e Nexhmijen dhe ata e panë që Franceska dukej që ishte e sëmurë dhe urdhëruan që të shkonte për kurime në Itali, ku ajoi qëndroi tre muaj. Babai sa ishte gjallë, nuk ja harronte kurrë ato të mira që i bëri Enveri me Nexhmijen, por edhe mamaja, edhe pse ndodhën ato që ndodhen me ne, nuk ja harronte Nexhmijes kurrë ato të mira që i bëri, pra duke e dërguar për kurime jashtë. Por përveç kësaj, familja e Enver Hoxhës e kanë respektuar shumë familjen tonë, dhe Nexhmija me Sanon, motrën e Enverit, e kanë pas thirrur disa herë Franceskën në shtëpinë e tyre, thjesht për të pirë kafe dhe për të bërë muhabet. Po kështu, ne si familje kishim miqësi edhe me djalin e madh të Enver Hoxhës, Ilirin, i cili sapo ishte fejuar, (fillimi i viteve ’70-të), vinte në shtëpinë tonë, ku babai, Nduja i jepte automjetin e tij “(“GAZ”), sepse ishte i lartë dhe ai shkonte në Dajt, apo në ndonjë vënd tjetër, pasi sapo kishte marrë patentën dhe kishte shumë dëshirë të ngiste makinën. Nisur nga të gjitha këto që u thashë, babai ynë, Ndue Marashi, jo vetëm që nuk ishte “armik i popullit” apo “sabotator e qehaja” etj., siç u etiketua pas vdekjes, apo më saktë pas vrasjes së tij, (se babai nuk ka bërë vetëvrasje), por e them publikisht, se Ndue Marashi, ishte një besnik deri në verbëri i Partisë dhe e Enver Hoxhës. Ky ka qenë një realitet dhe e dinë të gjithë ata që e kanë njohur babanë tonë atë kohë. Pra u’a thashë këtë, për të dalë në konkluzionin se Enver Hoxha, nuk ka pasur gisht në eleminimin e babait tonë, por atë e sulmuan dhe e eliminuan disa nga anëtarët e Byrosë Politike si….!

Para se të dalim te konkluzionet dhe të flasim gjatë edhe për Plenumet e Komitetit Qëndror të PPSH-së që u zhvilluan në atë kohë para se të ndodhte ngjarja me babanë tuaj, si dhe akuzat që u hodhën në adresë të tij, desha t’ju pyes se ç’ndodhi me familjen tuaj më pas dhe kush e morri vilën ku banonte familja juaj?

Po e filloj përgjigjien e pyetjes suaj me shtëpinë tonë, të cilën e morri Katina Starja, sekretare e parë e Komitetit të Partisë të Rajonit N. 4 të Tiranës. Deri këtu normal, se dikush do ta merrte, por ajo që na dëmtoj ne, ishte se Katina Starja, bëri rregullime në atë shtëpi, duke thënë se “armiku popullit” Ndue Marashi, ka ndërruar ngjyrat origjinale të shtëpisë dhe ajo i leu nga e para. Kurse fatura prej 42.000 lekë të vjetra të asaj kohe, na erdhi në për ta pagur dhe e kemi pagur ne, lek më lek, për vite me rradhë gjatë kohës që ishim në Tapizë, duke punuar në bujqësi, ku vitet e para kemi vuajtur për bukën e gojës. Është një kapitull tjetër kjo gjë, që duhen orë të tëra t’ua shpjegoj se sa dhe si kemi vuajtur aty e se si i kemi shpëtuar burgut…?!

Si ndodhi që u dërguan në Tapizë, kur për ngjarje të tilla, familjet e atyre që konsideroheshin si “armiq të popullit”, zakonisht i dërgonin larg Tiranës…?! Pra si shpëtuat nga kjo?!

Vetëm disa ditë pas varrimit të babait, ne na erdhi një i plotfuqishmi i lagjes dhe na tha se: “Urgjent bëni plaçka tuaja gati, se do të internoheni në Lushnje…”. Pas kësaj, mamaja Franceska, me xhajën, Zef Marashi, i kërkuan takim Nexhmije Hoxhës e cila i priti dhe ata i thanë lidhur me atë që po ndodhte me ne, pra internimin. Nexhmija u tha se do interesohej dhe do u kthente përgjigjie. Të nesërmen, na erdhi në shtëpi një i lagjes, Besnik Nallbani, një njeri i shkëlqyer dhe mik i afërt i familje sonë, i cili gjithë gëzim, i dha mamasë lajmin e gëzuar, pra që ne nuk do internoheshim në fshatrat e Lushnjes, por do të na dërgonin në Tapizë, me dëbim nga Tirana. Pra gjysma e së keqes, pasi nuk do ishim të internuar dhe do mbeteshim afër Tiranës. Sipas Besnikut, Nexhmija kishte urdhëruar: “Mos i çoni në Lushnje familjen e Ndues, por dërgojini në Tapizë, te ajo kooperativë që ai e ka ngriur vetë…”.

Marrë nga Memorie.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

dikur dikur ndue marashi ndue marashi

Sondazh

Poll
Art&Argëtim 20 Dhjetor 2020, 21:56

TIRANË– Xhensila Pere është stepur të komentojë se çfarë do të bënte po të jetonte në një shtëpi me kryeministrin Edi Rama.E ftuar në “Why not...

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni