5 Nëntor 2023, 07:26
Nga A.B
Masat e qeverisë nëpërmjet buxhetit të shtetit vazhdojnë të mbështetin asetet fizike të vendit, duke i përqendruar burimet financiare në projektet e infrastrukturës, teksa mbështetja te njerëzit vazhdon të jetë e vakët.
Inflacioni i lartë e ka ndihmuar qeverinë të rrisë të ardhurat më shumë se parashikimet dy vitet e fundit. Faktikisht, të ardhurat e paparashikuara po përdoren për të financuar disa projekte investimesh të zgjatura në kohë dhe të diskutueshme për nga produktiviteti.
Javën e kaluar, një akt normativ në Parlament vendosi të rialokojë 46,4 miliardë lekë (438 mln euro) dhe rriti më tej shpenzimet për investime, rrugë dhe projektin e rindërtimit, teksa sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe ata që kanë të bëjnë me mbrojtjen sociale, baza e shërbimeve publike, mbeten të nënfinancuar në raport me nevojat që kanë. P.sh. në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, buxheti vjetor mbeti në vendnumëro për 8 vitet e fundit në 4-5 miliardë lekë në vit, teksa volumet e punës janë rritur me 30% ndërmjet vitit 2017 dhe 2022.
Ndërkohë, popullsia e vendit po vuan nga plakja, emigrimi i të rinjve dhe rënia e lindjeve, duke sinjalizuar se, fondet për mbrojtjen sociale dhe rritjen e produktivitetit në ekonomi duhet të rriten më tej.
Qeveria është operatori më i madh në vend, roli i së cilës është rritur vitet e fundit, për shkak të përmirësimit të rendimentit fiskal. Buxheti i shtetit synon të injektojë në ekonomi 705 miliardë lekë këtë vit (7 miliardë euro), shumë kjo 43% më e lartë se në vitin 2019, para se pandemia dhe lufta në Ukrainë të ndryshonin thellësisht kushtet në ekonomi dhe në jetën e njerëzve.
Por teksa fondet buxhetore janë rritur ndjeshëm, shpenzimet ndaj shtresave vulnerabël nuk u rritën me të njëjtin ritëm. P.sh., shpenzimet për ndihmën ekonomike gjatë 2019-2023 u rritën me vetëm 29% dhe pensioni mesatar në 6-mujorin e parë të vitit 2023 ishte vetëm 6% më i lartë se në vitin 2019, pa llogaritur efektet e inflacionit.
Nga ana tjetër, të rinjtë po vuajnë nga mungesa e mundësive. Treguesit e punësimit për popullsinë e gjerë janë përmirësuar dukshëm në dy vitet e fundit, por papunësia te të rinjtë shënoi rritje vjetore me 2.4% në tremujorin e dytë të vitit 2023.
Sipas “Financial Times”, Shqipëria ishte në mesin e 10 vendeve për emigracionin e personave të arsimuar në vitin 2022, ndërsa zhvillimet e brendshme nuk ishin pozitive për sektorët e prodhimit (industria). Ekspertët e ekonomisë pohuan se rishpërndarja këtë vit u bë jashtë kontekstit.
Buxhetet kudo në Europë u përballën me arkëtime shtesë nga rritja e çmimeve, por të ardhurat u rishpërndanë ndaj shtresave që u goditën më shumë nga çmimet. Pano Soko, i cili ka përvojë në programimin e buxhetit, tha se, zakonisht në këtë kohë mendohet për dëmet që ka shkaktuar inflacioni.
“Përgjithësisht, vendet normale që kanë njëfarë ndjeshmërie për jetën e qytetarëve, në këto momente janë duke planifikuar rritje të kompensimeve për qytetarët, sidomos shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, të tillë si pensionistët apo ata me ndihmë ekonomike, në mënyrë që t’i lehtësojë sa më shumë nga inflacioni”.
P.sh., qeveria e Serbisë, e cila bëri rishikimin në fund të shtatorit 2023, rialokoi gati 1 miliard euro, të cilat i përdori për rritje të pensioneve dhe një bonus gati 200 euro për pensionistët, dhe 100 euro për çdo fëmijë deri në 16 vjeç, teksa dyfishoi subvencionet në bujqësi. Ndërsa Mali i Zi, më herët këtë vit e përdori buxhetin shtesë për të ulur deficitin buxhetor të vitit 2023 nga 5,9% të PBB-së, në 3%.
Sheferedin Shehu, i cili për disa vite me radhë ka projektuar rishpërndarjen e buxhetit si ish-zëvendësministër Financash, tha se, akti normativ e ndryshon ndjeshëm strukturën fillestare të buxhetit dhe nuk i zgjidh sfidat aktuale të ekonomisë shqiptare.
Teksa të ardhurat shtesë kanë burim kostot e rritura të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare nga inflacioni i lartë 5-8,5%, rialokimet bëhen kryesisht për shlyerje detyrimesh të akumuluara në vite si ato të rindërtimit, me rreth 12 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, nuk ka asnjë lek që shkon për mbështetjen e biznesit, apo për rritjen e pensioneve dhe ndihmës sociale.
Ministria e Financave, në një intervistë të posaçme për “Monitor” sqaroi se, ndryshimet me buxhet, nëpërmjet Aktit Normativ, u bënë me qëllim akomodimin e kërkesave shtesë të argumentuara nga institucionet, reflektimin e kursimeve/fondeve të lira të evidentuara gjatë periudhës 9-mujore dhe rialokimin e tyre eventual drejt zërave që mund të përshpejtohen bazuar në performancën e kënaqshme deri në këtë moment.
Këto rishpërndarje ruajnë të pandryshuar nivelin e deficitit buxhetor, kundrejt ligjit të buxhetit fillestar 2023. Gjithashtu, do vijohet të targetohet një nivel më i ulët i borxhit publik, në raport me PBB, krahasuar me nivelin faktik të një viti më parë, si dhe me nivelin e parashikuar në buxhetin fillestar 2023, duke siguruar kësisoj vijimësinë e konsolidimit fiskal, sqaroi Dikasteri i Financave.
Qeveria e rishikoi buxhetin 2023 me rritje 7,4 miliardë lekë (69 mln euro) me rritje 1,1% të të ardhurave, duke e çuar totalin në 650,1 miliardë, nga 642 miliardë që ishte në fillim të vitit. Ndryshimi erdhi kryesisht nga rritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të ardhurave nga ndihmat e huaja.
Shpenzimet u rritën gjithashtu në të njëjtën masë me të ardhurat, duke arritur pas ndryshimeve në 705,6 miliardë lekë, nga 698 miliardë në buxhetin fillestar, por nëpërmjet projekteve u rialokuan 46 miliardë lekë, ose 438 milionë euro. Disa zëra u shkurtuan dhe disa të tjerë morën financime shtesë.
Një kursim prej 15,5 miliardë lekësh që erdhi nga ngushtimi i deficitit buxhetor në skemën e pensioneve, për shkak të rritjes së të ardhurave nga kontributet, shkoi për financimin e programit të rindërtimit, i cili, nga 5 miliardë lekë në fillim të vitit, arriti në 17 miliardë lekë.
Teksa fondet që nuk u përdorën në shëndetësi dhe në disa programe të tjera, shkuan për financimin e projekteve të investimeve publike. Në ndryshimet e reja, zëri i investimeve publike arriti në një rekord historik prej 136 miliardë lekësh (1,1 miliardë euro) me rritje 10% në krahasim me buxhetin fillestar.
Ekspertët pohojnë se rialokimet e mëdha brenda zërave të shpenzimeve u bënë pa transparencë nga Ministria e Financave dhe nuk u publikuan projektet, të cilat morën shtesë fondesh. Zoti Soko pohoi se, qeveria i rriti të ardhurat nga inflacioni i lartë, por këto fitime duhet të ishin shpërndarë tek ata që e paguajnë më shtrenjtë inflacionin, shtresat e varfra.
Zoti Shehu, nga ana tjetër, sugjeroi se duheshin masa për mbështetjen e prodhimit dhe produktivitetit në vend. Bujqësia duhet të mbështetet më tepër, teksa duhet të nxitet një model ekonomik që rrit barazinë në të ardhura.
Eksperti fiskal, Eduart Gjokutaj, tha se nga analiza e uljes së fondeve për disa institucione dhe rritjes së tyre për disa institucione të tjera, krijohet një mendim se për vitin 2023 kanë performuar mirë dhe kanë nevojë për fonde shtesë vetëm infrastruktura e transporti.
7 miliardë euro investime publike në 10 vjet
Nga viti 2014 deri në vitin 2023, investimet publike të injektuara nga buxheti i shtetit kanë arritur një vlerë prej 866 miliardë lekësh, rreth 7 miliardë euro. Fondet po hidhen në seksione rrugësh, ku punimet kanë nisur që para 15 vitesh, të tilla si Rruga Arbrit, Kardhiq-Delvinë, Qukës Qafë-Plloçë.
Ndërsa në qendrën e vendit, nga Fushë-Kruja -Tiranë-Durrës, ku jeton më shumë se 60% e popullsisë, mungon infrastruktura bazë. Fondet e investimeve të kanalizuara në projekte korruptive në hetim nga SPAK, të tilla si inceneratorët që kanë marrë gati 150 milionë euro financime nga viti 2015 në vitin 2023, ngrenë dyshim për përdorimin eficient të zërit të investimeve që po rritet me shpejtësi vitet e fundit. Javën e kaluar, Misioni i FMN-së vuri në dukje se presionet afatmesme dhe afatgjata të shpenzimeve kërkojnë përmirësime të efikasitetit.
Fondi kërkoi për të disatën herë që integrimi i Partneriteteve Publike-Private (PPP) në kuadrin e rregullt të investimeve publike të bëhet urgjentisht.
Fondi e konsideroi shumë të nevojshme një deklaratë ku të paraqiten rreziqet që mbartin kontratat koncesionare. Rritjet e fundit të pagave publike dhe indeksimi ndaj inflacionit do të çojnë në një faturë më të lartë pagash për qeverinë.
Buxheti shtesë, Mali i zi uli deficitin dhe ndihmoi personat më aftësi të kufizuar
Në mes të majit të këtij viti, qeveria e Malit të Zi miratoi rialokimet në buxhetin e vitit 2023. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave në Malin e Zi, shtesa buxhetore u përdor për të ulur deficitin buxhetor në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 5,9% që ishte në fillim të vitit.
Rishikimi i buxhetit pasqyroi të ardhurat e paplanifikuara nga një paketë mbështetëse e BE-së për krizën energjetike, me vlerë 30 milionë euro, dhe nevojën për të siguruar financim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në qershor, përafërsisht 5 milionë euro. Përveç uljes së deficitit, fondet shtesë u përdorën për të subvencionuar punësimin e personave me aftësi të kufizuara (13 milionë euro).
Serbia rialokoi 1,3 miliardë euro shtesë për paga, pensione dhe bonuse për fëmijët
Qeveria e Serbisë miratoi në fund të shtatorit rialokimin e një shtese prej më shumë se 1 miliard eurosh. Në Serbi funksionon Këshilli Fiskal, i cili e prezanton buxhetin në fund së bashku me një oponencë mbi vendimet e qeverisë.
Të ardhurat shtesë u rialokuan në rritjen e subvencioneve për bujqësinë; rritjen e jashtëzakonshme të pensioneve; rritjen e pagave për të punësuarit në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë; teksa u dha një bonus prej 10,000 dinarësh (rreth 100 euro) për çdo fëmijë deri në 16 vjeç. Krahas këtyre masave u dha një bonus i ri për pensionistët rreth 200 euro, në vlerën 285 milionë euro në total.
Deficiti buxhetor i planifikuar prej 2.8% të PBB-së mbeti i pandryshuar, ndërkohë që rregullat fiskale të Serbisë përcaktojnë se deficiti fiskal i synuar duhet të jetë nën 1,5% të PBB-së. Buxheti suplementar në Serbi rriti nga 50-100 subvencionet për blegtorinë dhe bujqësinë, duke e rritur masën e tyre në 250 milionë euro.
Rishikimet e buxhetit dhe nevoja për vëmendje sociale dhe profesionale
Rishikimet e buxhetit të të ardhurave dhe shpenzimeve në mes të vitit janë pjesë e një cikli më të shpeshtë të rishikimit financiar, për të siguruar që paratë të shpenzohen në mënyrë strategjike dhe për të analizuar dhe për të përshtatur alokimet sipas performancës së projekteve buxhetore sipas ministrive. Fatkeqësisht, shumë ministri dështojnë të kryejnë rishikime të rregullta financiare, sepse procesi shpesh kërkon kohë, kapacitete dhe përkushtim.
Ky nuk duket të jetë rasti në këtë rishikim të buxhetit në fundvit.
Me rekomandimet e përshkruara në aktin normativ, shikohen ndryshime në disa zëra që shkojnë në drejtim të kundërt me interesin e publikut dhe politikat sociale.
Në një akt normativ apo dokument të rishikimit të buxhetit duhet të ketë gjithmonë një sqarim shterues, të qartë dhe që e lidh çdo pozicion të buxhetit me ndryshimet politike, objektivat fiskale, realizimin e shpenzimeve dhe pozicionin buxhetor me kontekstin ekonomik.
Ndërkohë, një dokument ndryshimi buxheti, që nuk ka një raport mbi matjet e kryera dhe realizimin e politikave sektoriale, sipas ministrive dhe sipas agjencive në varësi të ministrive konsiderohet si i mangët dhe i mungon përgjegjshmëria politike për llogaridhënie dhe transparencë.
Për të sqaruar se këto kërkesa nuk janë të tepërta, por janë realitete që kryhen nga institucionet homologe, në botë mjafton të shikojmë dokumentin e ndryshimit të buxhetit në Australi, i cili mendojmë se mund të përdoret si një format edhe për rastin tonë, duke e përshtatur sipas kontekstit shqiptar.
Në drejtim të transparencës për llogaridhënie, në aktin normativ të datës 18 tetor të duhet të punosh në Ministrinë e Financave dhe në sektorin e buxhetit që të kuptosh se çfarë ka ndryshuar, pasi për të kuptuar se përse ka ndryshuar, kjo nuk është e mundur.
Megjithatë për të sqaruar tendencën e këtyre ndryshimeve, në ballafaqimin krahasues të buxheteve fillestare me buxhetin e ndryshuar sipas aktit normativ të tetorit 2023, në linjë horizontale për çdo ministri dhe institucion, kupton se:
Fondet për shërbimet e kujdesit parësor janë ulur me 1.79 miliardë lekë, por ulje ka pasur edhe për shërbimet e kujdesit dytësor me 499 milionë lekë.
Shpenzimet për sigurimin shoqëror janë ulur me 15.57 miliardë lekë dhe ulje shikohet edhe në arsimin profesional, me 130 milionë lekë.
Edhe në programin e mbështetjes për energjinë shihen ulje me 500 milionë lekë.
Krahas uljeve të fondeve shikojmë që ka rritje në transportin rrugor, të cilat menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës, me 8.31 miliardë lekë.
Rritje ka edhe FSHZH për projektet e infrastrukturës rurale me 2.13 miliardë lekë.
Rritje shikohet edhe në bujqësi me 1.38 miliardë lekë.
Në një analizë të uljes së fondeve për disa institucione dhe rritjes së tyre për disa institucione të tjera krijohet një mendim se për vitin 2023 kanë performuar mirë dhe kanë nevojë për fonde shtesë vetëm infrastruktura e transportit.
Ndërkohë, uljet e fondeve për kujdesin shëndetësor, për sigurimet shoqërore, për arsimin profesional dhe për mbështetjen për energjinë duket se nuk kanë performuar sipas objektivave dhe kjo i ka penalizuar, duke u ndërprerë fondet e parashikuara në fillim të vitit.
Por, buxhetit i mungon mbështetja më e madhe dhe shumë e nevojshme për gjithë nënsektorët e bujqësisë, ashtu si mungon edhe mbështetja për prodhuesit e tjerë dhe veçanërisht prodhuesit për eksport.
Në këto alokime të fundvitit, në mungesë të informacionit mbi realizimet dhe mosrealizimet nevojitet që ndryshimi që mund të bëhet deri në fund të vitit 2023 të konsiderojë luftën ndaj varfërisë, frenimin e efekteve të goditjeve inflacioniste duke dhënë më shumë subvencione, por duke shpërndarë pak pjesë nga tatimfitimi që u merret bizneseve për subvencionin e domosdoshëm që ata e kanë të nevojshëm sot, jo nesër.
Kujdes, investimet në infrastrukturë nuk janë më shumë të rëndësishme se forcimi i kapaciteteve profesionale dhe forcimi i kapaciteteve të institucioneve.
Soko: Rishikimi i buxhetit jashtë realitetit, të gjitha vendet masa për të zbutur ndikimet në inflacion
Zakonisht, në ketë kohë, mendohet për dëmet që ka shkaktuar inflacioni.
Prandaj, përgjithësisht, vendet normale që kanë njëfarë sensibiliteti për jetën e qytetarëve, në këto momente janë duke planifikuar rritje të kompensimeve për qytetarët, sidomos shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, të tillë si pensionistët apo ata me ndihmë ekonomike, në mënyrë që t’i lehtësojë sa më shumë nga inflacioni, tha Pano Soko, i cili më parë ka punuar në sektorin e programimit të buxhetit.
Sipas z. Soko, vendimi për të çuar të gjithë suplementin buxhetor tek investimet publike është jashtë kontekstit kohor. Në fakt duhet të ndodhte e kundërta. Duhej të merrej diçka nga investimet publike për t’ua dhënë shtresave që kryesisht kanë të ardhura të vetme pagesat buxhetore, si pensionistët dhe familjet me ndihma ekonomike, sepse na duhet të amortizojmë apo të riparojmë sadopak dëmet që ka shkaktuar periudha inflacioniste.
Pavarësisht se indeksimi bëhet me inflacionin mesatar në vend duhet të dimë se në disa shtresa, sidomos tek 20 përqindëshi i poshtëm i popullsisë me të ardhura të ulëta, inflacioni është më i lartë për shkak të përqendrimit të konsumit vetëm në disa produkte.
P.sh., nëse inflacioni vitin e kaluar u rrit mesatarisht me 6,7%, çmimet e artikujve themelorë të shportës, bulmetit dhe zarzavateve u rritën mbi 20 dhe 30%. Qeveritë në Europë u përpoqën të korrektojnë pikërisht këtë devijim, duke ofruar paketa dhe bonuse të posaçme për familjet dhe personat me të ardhura të pakta, pikërisht për të korrektuar diferencat matematikore ndërmjet inflacionit zyrtar dhe atij real në shtresat vulnerabël.
Qeveria shqiptare bëri të kundërtën dhe kjo, në rastin më të mirë, është papërgjegjshmëri, tha z. Soko.
Shehu: Ndryshimet në buxhet nuk i adresojnë sfidat aktuale, rishpërndarja nuk merr në mbrojtje të varfit
Analiza e treguesve të aktit normativ për ndryshimet e buxhetit 2023 tregon se argumentet e performancës së mirë fiskale, përshpejtimit të projekteve me performancë pozitive dhe nxitjes së rritjes ekonomike janë demagogjike, tha Sheferdin Shehu, ish-zëvendësministër i Financave, tani konsulent i pavarur.
Sipas tij, ndryshimet e buxhetit brenda vitit, kur nuk lidhen me situata të paparashikueshme, tregojnë mungesë vizioni dhe paaftësi. Ato janë të pranueshme, nëse lidhen me performancë të mirë fiskale, por edhe në këto raste, nuk miratohen si amendime, por si buxhet suplementar.
Kështu mundësohet shpërndarja e burimeve shtesë për të realizuar politikat dhe vizionin e shpalosur në programin financiar dhe buxhetor të vitit përkatës, tha Shehu.
Argumentet e mësipërme mbështeten, së pari, në faktin se ndërsa të ardhurat shtesë janë vetëm 7.5 miliardë lekë, rialokimet e shpenzimeve janë rreth 46 miliardë lekë, ose rreth 7 herë më të larta se të ardhurat shtesë, apo rreth 7% të buxhetit vjetor.
Edhe analiza e rialokimeve tregon se mungon përgjegjshmëria fiskale dhe ato nuk bazohen në analiza ekonomike, shpjegoi z. Shehu.
Akti normativ e ndryshon ndjeshëm strukturën fillestare të buxhetit dhe nuk adreson sfidat aktuale të ekonomisë shqiptare. Kështu, ndërsa të ardhurat shtesë kanë burim kostot e rritura të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare nga inflacioni i lartë 5-8,5%, rialokimet bëhen kryesisht për shlyerje detyrimesh të akumuluara në vite, si ato të rindërtimit me rreth 12 miliardë lekë dhe ish-të përndjekurve politikë.
Eksperti thotë se, nga njëra anë, asnjë lek nga tejkalimi i pritshëm i të ardhurave nuk shkon për ulje e deficitit buxhetor, ndërsa me rialokimet e shpenzimeve asnjë lek nuk shkon për mbështetjen e biznesit, apo për rritjen e pensioneve dhe ndihmës sociale.
Përkundrazi, akti normativ shkurton me rreth 15,4 miliardë lekë fondet për sigurimet shoqërore, ose me 33% të buxhetit fillestar, si dhe buxhetin e shërbimit shëndetësor parësor, me 23%./MONITOR
Ekonomi
4 Nëntor 2023, 07:25
a.l.
PPP
TIRANË- Buxheti është një “kontratë” sociale, që përcakton se çfarë shërbimesh e invest...
Ekonomi
3 Nëntor 2023, 07:20
A.B
Banka e Shqipërisë rriti të mërkurën normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar at&...
Ekonomi
3 Nëntor 2023, 07:12
A.B
Kontratat koncesionare të shëndetësisë, ajo e kontrollit mjekësor bazë e njohur si “Check Up” dhe e Dializës n&...
Ekonomi
3 Nëntor 2023, 07:05
A.B
“Përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore po kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontrat&...
Ekonomi
2 Nëntor 2023, 14:42
A.B
Porti i ri
Porti i ri në Porto Romano në të cilin do të transferohen shërbimet e portit aktual të Durrësit do të fi...
Ekonomi
2 Nëntor 2023, 13:08
a.l
Foto ilustruese
TIRANË- Qeveria shqiptare do të dyfishojë huamarrjen në tregun e brendshëm financiar për vitin e a...
Ekonomi
2 Nëntor 2023, 13:06
a.l
Foto ilustruese
TIRANË- Qeveria shqiptare parashikon një rritje me 18% të shpenzime për interesa të borxhit në projektbuxheti...
Ekonomi
2 Nëntor 2023, 12:55
a.l
Gent Sejko
TIRANË- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë normën ba...
Ekonomi
2 Nëntor 2023, 13:06
A.B
Në buxhetin 2024, sektori i bujqësisë do të marrë të paktën 9% më pak financime se plani i këtij viti, i finalizu...
Ekonomi
2 Nëntor 2023, 13:04
A.B
Deri në muajin shtator 2023, rreth 195 milionë euro (194,915,845 euro) llogaritet fatura e shtetit shqiptar për dëmshpërblimet ndaj v...