"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar!
...
Insights
HISTORIA e zgjedhjeve në PD, uljet-ngritjet e Lulzim Bashës dhe pjesëmarrjes/ Versioni i rivalëve: Si i mori 80% të votave
18 Qershor 2021, 10:08Nga DOSJA
TIRANË- Rezultati i zgjedhjeve pas 13 qershorit në Partinë Demokratike, solli sërish akuzat e kandidatëve të tjerë në garë se procesi ishte i manipuluar. Me një fitore prej 81%, për Edith Harxhin, Fatbardh Kadillin dhe Agron Shehajn, Lulzim Basha përdori çdo mjet të partisë për të rimarrë drejtimin e PD dhe ia doli.
Por çfarë ka ndodhur, a është hera e parë që procesi i zgjedhjeve në PD kontestohet?
Historia nis në vitin 2013, kur Lulzim Basha akoma nuk e kishte marrë drejtimin e partisë. Pas dorëheqjes së Sali Berishës, dy kandidatët Lulzim Basha dhe i ndjeri Sokol Olldashi në verën e 2013-ës, nisën një fushatë, e cila në memorien e demokratëve është fushata më e egër e zhvilluar brenda partisë. Një fushatë mirëfilli, me takime dhe llogaritje votash, u zhvillua në të 61 degët e PD në të gjithë Shqipërinë. Demokratët u ndanë në zonat lokale në dy grupe: Grupi i Bashës dhe grupi i Olldashit. Nën zë, në korridoret e partisë, të gjithë flisnin për një mbështetje të fortë që Basha kishte nga lideri Sali Berisha. Më 22 korrik 2013, dy ministrat e Sali Berishës,Olldashi një njohës i mirë i strukturave dhe Basha, një yll në ngjitje u përballën në zgjedhjet e brendshme. Fituesi do të përballonte Edi Ramën dhe 1 milionë ‘shuplakat’ e marra në 23 qershor 2013. Ajo që përflitej ndodhi. Dita e votimit në PD ishte kaotike. Shumë mbështetës të Olldashit deklaruan se nuk gjenin emrin në lista ndërsa në disa zona të tjera, votimi nisi pas orës 12:00. Rezultati: Lulzim Basha fitoi me rekord votash. Në zgjedhje mori pjesë 80% e anëtarësisë së PD, dhe në total Lulzim Basha mori 33.220 vota ndërsa 8060 vota i mori Sokol Olldashi.
Akuzat e Sokol Olldashit për Bashën dhe ‘shigjetimi’ për Berishën
Kandidati Sokol Olldashi, një njohës i PD dhe strukturave në bazë, ishte i pari që denoncoi atë që sot kërkohet me ngulm nga kandidatët e PD: listën e anëtarësisë. Edhe pse e kërkoi për javë me radhë, Olldashi nuk e siguroi dot listën e anëtarësisë, ndërsa administrata zgjedhore ishte në duart e të besuarve të Berishës. Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në PD ishte Gjergj Lezhja, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, duke shtuar zërat për një mbështetje ndaj Lulzim Bashës. Ndërkohë që Olldashi shkoi më tej me akuzat e tij.
“Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”.-tha Olldashi.
Kandidati tha se demokratët ishin të intimiduar për shkak të gjurmimit të votimit përmes fletës. “Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm”, -tha ai.
Ndërsa goditjen ‘finale’ e rezervoi për liderin e PD, Sali Berisha për të cilin tha se angazhoi të gjitha burimet në parti për të mbështetur Lulzim Bashën.
“Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë”.-tha Olldashi.
Lulzim Basha mori drejtimin e PD, ndërsa kundërshtarët e tij dhe mediat, shoqëruar nga qeveria e re socialiste e lidhën rezultatin me mbajtjen në kontroll të partisë nga Berisha.
Zgjedhjet e 2017-ës, përsëritet historia, Lulzim Basha humbet por nuk jep dorëheqjen
Pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ku PD mori një rezultat turpërues me 43 mandate, Lulzim Basha nuk dha dorëheqjen. Në verën e 2017, në muajin korrik, Basha deklaroi se kishte ‘ngrirë’ funksionet e tij në PD, një vendim që solli një hilaritet për nga forma, dhe u interpretua si tipik i stilit berishist, që kishte futur “ngrirjen” si sanksion në politikë, për herë të parë ndaj Spartak Ngjelës, në 2006, kur e akuzonte për përgjimin e një mbledhjeje në “Kryesinë e vogël të PD”. Zgjedhjet sërish u caktuan më 22 korrik. Kandidati i vetëm në garë ishte Eduart Selami, ndërsa Astrit Patozi nuk hyri në garë, pasi tha se do të ishte farsë. Patozi kishte të njëjtat pretendime si Olldashi, se PD do të zhvillonte zgjedhje me një listë sekrete dhe me një kontroll të procesit nga Basha, e kësisoj gara qe e mbyllur ende pa nisur. Por Eduart Selami i shkoi deri në fund garës. Edhe pse akuzohej si kandidat i Berishës dhe Bashës nga Topalli dhe Patozi, ai denoncoi shkeljet e procesit. Selami, një nga figurat kryesore të PD pas themelimit, e krahasoi Bashën me Ramiz Alinë. “Ana tjetër është mospublikimi i listave dhe ajo çka mua më ka zhgënjyer dhe me shumë është ndrydhja e garës… Dhe fatkeqësisht më kujton më shumë liderin e fundit komunist, Ramiz Alinë i cili bënte gjithçka dhe të pamundurën për një fasadë demokratike, një pluralizëm mendimi dhe i shmangej asaj që ishte më kryesorja që shqiptarët më në fund e arritën”, shprehej Selami.
Më 22 korrik, mediat raportonin për probleme në garë, përtej listës sekrete të votuesve. Në disa qendra votimi, nuk munguan as kamerat mbi dhomat e fshehta. Selami denonconte se krerët e degëve kanë ndërhyrë në proces me SMS për tu votuar Basha.
“Disa kryetarë dege kanë ndërhyrë, kanë bërë presione dhe kanë kërkuar që të votohet për z. Basha, kjo është shkelje e rëndë. Po ashtu, fleta e votimit ku votohet Lulzim Basha është varur në disa qendra votimi. Kemi të bëjmë me shkelje të neutralitetit”-tha Selami.
Rezultati: I pritshëm. Anëtarësia e PD votoi me 57.5%, dhe Basha mori mbi 80% të këtyre votave. Lulzim Basha fitoi bindshëm zgjedhjet përballë Selamit. Basha mori rreth 53.931 vota ndërsa Selami 5135. Pas humbjes, Selami denoncoi për manipulimin e procesit nga Basha. Pjesëmarrja e 2017-ës është rekord nga 2013 dhe 2021.
“More një listë dhe e nxore nga xhepi siç i thashë unë, që është turp i tij. Listën nuk e dinte njeri kush do të jetë kandidat për deputet. Theu statute dhe të gjitha. Edhe Sali Berisha i bënte formalisht. Mos të pyes njeri që unë e ngatërroj për demokrat Sali Berishën, është një autokrat klasi. Po kishte karizmë. Ky shkon edhe më tej. Ai të paktën ia kishte dhënë një kryesie përpara. E mbylli këtë punë me turpin e vet.”-shkruante Selami në prillin e 2018, një vit pas zgjedhjeve.
13 qershor 2021, Lulzim Basha siguron sërish mbi 80% të votave përballë 3 kandidatëve
Nëse në 2013 dhe 2017, Lulzim Basha ishte në një garë me një kandidat të vetëm, në vitin 2021, Basha garoi përballë Edith Harxhit, Fatbardh Kadillit dhe Agron Shehajt. Pavarësisht se gara u duk më e vështirë, përballë tri emrave jo të panjohur për demokratët, Lulzim Basha fitoi bindshëm. Me një pjesëmarrje 54.7% në rang vendi, ose 41 mijë e 100 vota, Lulzim Basha mori 32 mijë e 882 vota, ndjekur nga Agron Shehaj me 6 mijë e 38 vota, Edith Harxhi me 991 vota dhe Fatbardh Kadilli me 763 vota. Edhe ky proces u kontestua nga kandidatët të cilët denoncuan që para procesit mbajtjen e fshehtë të listës së anëtarësisë dhe shkurtimin e kohës së fushatës, në më pak se 3 javë që nga nisja e garës, ndërsa u vu re tkurrja e numrit të anëtarësisë. Nga 106 mijë në vitin 2013, PD në vitin 2021 sipas Jemin Gjanës, kryetarit të Komisionit të Zgjedhjeve, ka 75 mijë anëtarë. Lulzim Basha rikonfirmohet me pjesëmarrje dhe me një rezultat të bindshëm në krye të PD, duke hedhur poshtë akuzat e kritikëve se mund të manipulonte 80% të pjesëmarrjes.
Basha-Rama, pushtet dhe zgjedhje me të njëjtat mjete?
Ajo që historia e 2013, 2017 dhe 2021 tregon më së miri është fakti se kur puna vjen te pushteti, politika është njësoj. Me të njëjtat mjete me të cilat Edi Rama akuzohet nga kundërshtarët se ka mbajtur pushtetin dhe në mandatin e tretë, me të njëjtat akuzohet edhe “shpresa” opozitare që ishte varur deri në 25 prill tek Lulzim Basha. Kur Basha akuzon Ramën se përdor administratën për zgjedhje, se përdor të dhënat personale për të skeduar qytetarët në bazë të përkatësisë politike, nuk mund të bësh sikur nuk i ke dëgjuar akuzat e kandidatëve përballë Lulzim Bashës, që tregojnë gishtin tek një njeri, që sipas tyre ka ‘privatizuar’ listën e anëtarësisë, ka përdorur strukturat e partisë për të fituar dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në proces përmes krerëve të degëve dhe manovrave zgjedhore. Lulzim Basha mund t’ja kursente vetes këtë krahasim, nëse pas 25 prillit përtej denoncimit të vjedhjes nga kundërshtari do të jepte dorëheqjen për të mos lejuar lidhjen e tij me një proces të manipuluar zgjedhore. “Zgjedhje pa Ramën kryeministër ose zgjedhje pa Bashën kryetar”, ku nis vërtetë demokracia?/ (F.g.dosja.al)
Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?
Gjykata e Posaçme apo thene ndryshe togat e zeza prane SPAK-ut dhane dje dy vendime denimi per dy ish-zyrtare te larte ne vend! U deklaruan fajtor dhe u ...
TIRANË- Një eksperiment i veçantë ekonomik është zhvilluar nga Bashkia e Tiranës dhe më konkretisht, institucioni Ujësjelles Kanalizime Tiranë. 40 b...
TIRANË– Sot kryeministri Edi Rama ka bërë takimin e radhës me “ekselentët” që kanë dërguar me email në Kryeministri, idetë që duan të zbatojnë në vend. Nj...
Presidenti amerikan Bajden ka krijuar një momentum të ri të jashtëzakonshëm diplomatik për Kosovën dhe për Ballkanin, që ka pasur dhe do të ketë efekte në rajon...
Tangping. Kuptohet lehtësisht që është një fjalë kineze dhe ka qenë ndër lajmet më interesante që kam lexuar këtë javë. E bërë virale nga një djalë i ri kinez, ...
Një gol me pozicion të dukshëm “jasht loje”, i dha sërisht shiritin e kapitenit të skuadrës PD – Lulzim Bashës, në përballjen e tretë brenda llojit. Ky “g...
Kishte shumë fotografi të bukura. Drita e diellit dhe peizazhi piktoresk i Cornwall-it ishin një mjedis i mirë për atë që ishte ndoshta sinjali më i rëndësishëm...
Me Hashim Thacin nuk kam pase raporte te mira ne disa vitet e fundit, perpara se ai te arrestohej nga Tribunali i Hages. Kam qene deputet i PDK’se, pastaj...
TIRANË– Në këtë faqe të shpenzimeve të NATO-s, shfaqet një kompani jo pak e njohur shqiptare, Salillari. E preferuara e qeverisë ka fituar një tender...
TIRANË- Një vendim i brendshëm i Kuvendit të Shqipërisë ndalon gazetarët e politikës që janë të vendosur prej vitesh në këtë institucion, që të bëjnë rapor...