Krim në familje/ Burri vret me çifte bashkëshorten në Shkodër, arrestohet nga Policia (EMRAT+ PAMJET)
EMRAT/ Krimi brenda familjes në Shkodër, identifikohet viktima dhe autori 9 Korrik, 13:55 Krim brenda familjes n&eu...
EMRAT/ Krimi brenda familjes në Shkodër, identifikohet viktima dhe autori 9 Korrik, 13:55 Krim brenda familjes n&eu...
"Rama ka shndërruar fondin rezervë në llogari personale"/ Qeveria dha 4 mln euro për Kanye West, Berisha: Biletat nuk jan&eu...
PS: Deputetët e PD-së votuan kundër rekomandimeve për Shqipërinë në BE 9 Korrik, 11:49 Zv&...
"Celulari u sekuestrua në mënyrë të paligjshme"/ Kryemadhi në GJKKO: Të mos përdoren tabulatet e zbardhura ng...
• Partia Socialiste dhe Partia Demokratike nuk kanë arritur të gjejnë konsensus në Strasburg për miratimin e deklaratës së përbashkët të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Europian. • Dokumenti zyrtar, i cili miratohet në përfundim të takimeve periodike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, përmban vlerësime mbi ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në BE dhe rekomandime për reformat që duhen ndërmarrë. • Procesi i votimit kërkonte një shumicë të dyfishtë, si nga delegacioni shqiptar prej 14 deputetësh, ashtu edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian. • Në delegacionin shqiptar, votat u ndanë në mënyrë të barabartë, me 7 vota pro nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe 7 vota kundër nga deputetët e Partisë Demokratike. • Si me delegacionin shqiptar, njësoj dhe në Parlamentin Europian dokumenti nuk arriti të sigurojë shumicën e kërkuar. • Përplasja mes dy forcave politike u përqendrua te amendamentet e propozuara nga opozita. Partia Demokratike pretendon se propozimet e saj, që lidhen me luftën kundër korrupsionit, zbatimin e vendimeve të gjykatave, transparencën institucionale dhe forcimin e organeve të drejtësisë, nuk morën mbështetjen e mazhorancës. • Amendamentet e PD përfshinin gjithashtu shqetësime për procesin zgjedhor, fondet e programit IPARD II, çështjet e imunitetit të zyrtarëve nën hetim, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe masat kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. • Nga ana tjetër, Partia Socialiste deklaron se ka mbështetur një pjesë të amendamenteve të propozuara nga opozita, por ka kundërshtuar ato që, nuk përputheshin me natyrën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. • Mazhoranca vlerëson se procesi i integrimit europian duhet të bazohet te progresi i arritur nga Shqipëria dhe jo te përjashtimi i rezultateve të njohura nga institucionet europiane.
4 artikuj për këtë temë.

STRASBURG: Në Strasburg është zhvilluar mbledhja e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, ku u diskutuan rekomandimet që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Partia Socialiste ka deklaruar se përfaqësuesit e saj dhe eurodeputetët votuan në favor të dokumentit, duke e konsideruar atë një mbështetje për rrugëtimin europian të vendit. Sipas deklaratës së socialistëve, deputetët e Partisë Demokratike votuan kundër rekomandimeve.
Socialistët theksojnë gjithashtu se disa nga amendamentet e propozuara nga opozita u mbështetën, por nuk u pranuan ato formulime që, sipas PS, cenonin balancën e dokumentit dhe nuk pasqyronin progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit. Ata theksojnë ndër të tjera se avancimi drejt BE duhet të bazohet te reformat konkrete, standardet europiane dhe rezultatet e arritura gjatë procesit të anëtarësimit.
Deklarata e PS:
Sot në Strasburg në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, deputetët e Partisë Socialiste dhe të gjithë eurodeputetët votojnë pro Rekomandimeve në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, deputetët e PD zbatuan urdhrin e Saliut, siç e kishin bërë me dije, duke votuar kundër Shqipërisë në BE.
Partia Socialiste nuk paraqiti asnjë amendament në tekstin e propozuar nga Sekretariati i KPSA-së, pikërisht sepse atij teksti iu bashkëngjitën dy dokumente themelore: Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Rezoluta e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në këto kushte, përsëritja e përmbajtjes së këtyre dy rezolutave, duke hequr njëkohësisht pjesët që evidentojnë qartësisht ecurinë pozitive të Shqipërisë në këtë rrugëtim, nuk kishte as kuptim politik, as logjikë institucionale dhe as vlerë shtesë për tekstin e përbashkët.
Është po ashtu e rëndësishme të theksohet se një numër amendamentesh të propozuara nga Partia Demokratike u mbështetën dhe u votuan edhe nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, pikërisht në frymën konsensuale që duhet të karakterizojë një proces kaq të rëndësishëm sa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nga ana tjetër depputetët e Partise Socialiste votuan një pjese e amendamenteve të Partisë Demokratike, me perjashtim te formulimeve që nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. Nuk mund të pranohej tentativa për të deformuar balancën e dokumentit, përmes përjashtimit të plotë të çdo reference që pasqyron progresin e njohur dhe të çertifikuar nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe njoftimin për përmbylljen e kapitujve të negociatave.
Procesi i anëtarësimit nuk i shërbehet duke mohuar arritjet e vendit, por duke ndërtuar mbi to, me seriozitet, përgjegjësi dhe vullnet bashkëpunimi.
Partia Socialiste mbetet e angazhuar për të mbështetur çdo tekst, çdo qëndrim dhe çdo mekanizëm bashkëpunimi që i shërben realisht avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, mbi bazën e fakteve, standardeve dhe rezultateve konkrete të këtij procesi./Dosja.al
STRASBURG- Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Strasburg është shprehur se projekti i zhvillimit në Zvërnec do të ecë përpara vetëm në respektim të plotë të standardeve ligjore dhe mjedisore. Duke iu referuar diskutimeve mbi këtë investim, Balla ka theksur se zona ka rëndësi të veçantë ekologjike dhe se çdo zhvillim do t’i nënshtrohet vlerësimit të plotë të ndikimit në mjedis, konsultimeve publike dhe miratimeve nga autoritetet përgjegjëse.
"22.1% e territorit të Shqipërisë është zonë e mbrojtur. Projekti është në fazën e zhvillimit, nuk është miratuar projekti përfundimtar dhe nuk mund të vazhdojë pa vlerësimin e plotë të ndikimit në mjedis dhe pa miratimet përkatëse. Çdo zhvillim do të jetë i nënshtruar kërkesave të ligjit", deklaroi Balla.
Ai nënvizoi se investimet dhe mbrojtja e natyrës nuk janë procese që përjashtojnë njëri-tjetrin, por pjesë e të njëjtit vizion për zhvillim të qëndrueshëm.
"Objektivi është të ofrojmë një model turizmi që krijon vende pune, tërheq ekonomi dhe investime, ndërsa mbron njëkohësisht vlerat ekologjike të zonës. Ruajtja e natyrës dhe zhvillimi nuk janë objektiva që bien ndesh, por shtylla plotësuese të të njëjtit vizion për një Shqipëri më të begatë dhe më të gjelbër”, u shpreh Balla.
Balla gjithashtu ka folur edhe për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar rëndësinë e konsensusit politik dhe pronësisë demokratike të këtij procesi. Ai bëri të ditur se rezoluta e fundit për procesin e integrimit europian është miratuar nga të gjitha forcat kryesore politike, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit institucional të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
"Asnjë proces nuk mund të arrihet pa pronësinë demokratike. Parlamenti shqiptar është një nga shtyllat kryesore që i jep legjitimitet, mbikëqyrje dhe transparencë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian", deklaroi Balla./Dosja.al
STRASBURG- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian se sfida kryesore për Shqipërinë mbetet garantimi i shtetit të së drejtës, duke ngritur pyetjen nëse ligji është më i fortë se pushteti.
Në deklaratën e tij, Bardhi ngriti shqetësime edhe për pastrimin e parave, duke iu referuar hetimeve të autoriteteve ligjzbatuese në Belgjikë, Holandë, Itali, Gjermani dhe Francë, të cilat, sipas tij, kanë evidentuar organizata shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës që investojnë të ardhurat në sektorët e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri.
Ai shtoi se, sipas një dosjeje të fundit të SPAK-ut, provat e ardhura nga autoritetet belge dokumentojnë takime mes funksionarëve të lartë shtetërorë dhe personave të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Bardhi tha gjithashtu se opozita kishte kërkuar interpelancë me Kryeministrin për çështjen e pastrimit të parave, si dhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, por të dyja kërkesat janë refuzuar.
Deklarata e Bardhit:
Kur flasim për të drejtat themelore, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në fakt po përpiqemi t'i japim përgjigje një pyetjeje themelore: A është ligji më i fortë se pushteti?
Ligjet mund të shkruhen mirë. Por prova e tyre e vërtetë vjen në momentin kur duhet të veprojnë ndaj vetë pushtetit. Pikërisht aty kuptohet nëse shteti i së drejtës është real, apo vetëm formal. Po ju sjell dy raste konkrete që tregojnë se çfarë ndodh në Shqipëri kur ligji përballet me pushtetin. I pari lidhet me luftën kundër korrupsionit.
Kur SPAK kërkoi autorizimin e Kuvendit për të vijuar procedurat ndaj një prej zyrtarëve më të lartë të qeverisë shqiptare, zëvendëskryeministres Belinda balluku, shumica parlamentare përdori votën si mburojë politike. Kryeministri urdhëroi shumicën për të mbrojtur krahun e tij të djathtë, edhe pasi vetë SPAK deklaroi publikisht se mungesa e masës së sigurimit dëmtonte hetimin.
Ky është një moment që ngre një pyetje themelore: a përdoret shumica parlamentare për të mbrojtur institucionet apo për të mbrojtur pushtetin nga veprimi i ligjit?
Rasti Balluku nuk ishte vetëm një debat i brendshëm politik. Ai ekspozoi një problem që sot është reflektuar edhe në kriteret (benchmarks) e Bashkimit Europian për mbylljen e Grupkapitullit të Themeloreve: nevojën që ekzekutivi dhe legjislativi të mos ndërhyjnë në drejtësi dhe që vendimet për imunitetin të udhëhiqen nga standardet e Komisionit të Venecias.
Rasti i dytë lidhet me luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Dy nga urdhër-arrestet më të rëndësishme për krimin e organizuar në Shqipëri , ai ndaj drejtuesit të bandës së Elbasanit dhe ai ndaj personit që konsiderohej koordinatori jozyrtar i Kryeministrit, mbeten ende të paekzekutuara. Vendndodhja e tyre është prej kohësh sekret publik në zemër të Shqipërisë, por policia nuk i gjen. Kjo është e vështirë të shpjegohet me mungesë informacioni. Ajo ushqen bindjen se ligji ndalet aty ku fillon interesi politik i pushtetit.
Po aq shqetësues është fenomeni i pastrimit të parave. Hetimet e autoriteteve ligjzbatuese në Belgjikë, Hollandë, Itali, Gjermani dhe Francë kanë zbuluar organizata shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës që investojnë fitimet e tyre në Shqipëri, përmes projekteve në ndërtim dhe turizëm. Investime që nuk mund të realizohen pa vendimmarrjen dhe miratimin e qeverisë shqiptare.
Po citoj dosjen më të fundit të Prokurorisë së Posaçme çhqiptare kunder krimit te organizuar, SPAK: provat e ardhura nga autoritetet belge kanë dokumentuar me pamje filmike takime të funksionarëve të lartë shtetërorë shqiptare me persona të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Sipas së njëjtës dosje, në këto takime diskutohet përdorimi i pasurive të paluajtshme dhe investimeve në ndërtim e turizëm për pastrimin e të ardhurave nga trafiku i kokainës.
Edhe përpara se ky fakt tronditës të bëhej publik, opozita kishte kërkuar interpelancë me Kryeministrin për çështjen e pastrimit të parave nga krimi i organiçuar dhe korrupsioni në ndërtim dhe turizëm. Kryeministri refuzoi të paraqitej në Parlament.
Kërkuam ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Edhe ai u refuzua. Të gjitha këto raste çojnë te e njëjta pyetje: a zbatohet ligji njësoj edhe ndaj pushtetit, apo pikërisht aty ai pushon së vepruari? Sepse kjo është prova e vërtetë e shtetit të së drejtës. Të nderuar kolegë, Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk e ka kaluar plotësisht provën më të vështirë të shtetit të së drejtës: që ligji të jetë njësoj i fortë për të gjithë dhe të mos bëhet më i dobët sa herë që përballet me pushtetin./Dosja.al

STRASBURG- Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri-Bashkimi Evropian nuk arriti të miratojë një rezolutë të përbashkët për procesin integrues të Shqipërisë. Sipas PD, arsyeja ishte refuzimi nga përfaqësuesit e mazhorancës i më shumë se 30 amendamenteve të paraqitura nga Partia Demokratike, amendamente që në thelbin e tyre përmbanin kriteret dhe kërkesat jetike për avancimin e procesit të integrimit evropian.
Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit.
Amendamentet e Partisë Demokratike morën mbështetjen e europarlamentarëve në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Evropian, por u refuzuan në mënyrë të përsëritur nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Komitet ritheksuan qëndrimin e tyre të palëkundur për të bërë gjithçka në funksion të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Megjithatë, integrimi nuk mund të ndërtohet mbi propagandë apo deklarata politike, por vetëm mbi reforma reale dhe të prekshme për qytetarët shqiptarë. Lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i shtetit të së drejtës, zbatimi i vendimeve të gjykatave dhe rritja e standardeve të jetesës janë kushtet e vetme për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian./Dosja.al