Krim në familje/ Burri vret me çifte bashkëshorten në Shkodër, arrestohet nga Policia (EMRAT+ PAMJET)
EMRAT/ Krimi brenda familjes në Shkodër, identifikohet viktima dhe autori 9 Korrik, 13:55 Krim brenda familjes n&eu...
EMRAT/ Krimi brenda familjes në Shkodër, identifikohet viktima dhe autori 9 Korrik, 13:55 Krim brenda familjes n&eu...
"Rama ka shndërruar fondin rezervë në llogari personale"/ Qeveria dha 4 mln euro për Kanye West, Berisha: Biletat nuk jan&eu...
PS: Deputetët e PD-së votuan kundër rekomandimeve për Shqipërinë në BE 9 Korrik, 11:49 Zv&...
"Celulari u sekuestrua në mënyrë të paligjshme"/ Kryemadhi në GJKKO: Të mos përdoren tabulatet e zbardhura ng...
• Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas ndalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës të tre deputetëve të koalicionit shqiptar VLEN në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë politik dhe diplomatik të qeverisë shqiptare. • Gjatë konferencës së sotme për mediat, Berisha theksoi se ndalimi i deputetëve Bekim Çoku, Adnan Hazizi dhe Hasim Myrtezani përbën, një veprim antishqiptar të paprecedent. • Sipas Berishës, ky veprim cenon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe shkel marrëveshjet ndërkombëtare. • Berisha tha se qeveria shqiptare po përpiqet të transferojë përgjegjësinë te faktorë të jashtëm për protestat qytetare që kanë ndodhur në vend. • I pyetur nga gazetarët për pretendimet e kryeministrit Rama se Shqipëria do të presë samitin e ardhshëm të NATO-s, Berisha tha se nuk ka pasur ende një konfirmim zyrtar. • Sipas tij, fakti që nuk pati një konferencë të posaçme për shtyp nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s është një tjetër tregues që kërkon sqarim. • Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kritikoi vendimin e qeverisë për përdorimin e 4 milionë eurove nga fondi rezervë për organizimin e një koncerti, duke e cilësuar si një shpërdorim të parave publike.
4 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër vendimin e qeverisë për financimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West. Duke folur në konferencë për mediat, Kryedemokrati theksoi se përdorimi i rreth 4 milionë eurove nga fondi i emergjencave për një aktivitet artistik është, sipas tij, një nga aktet më të rënda dhe më të papërgjegjshme. Lideri i opozitës nënvizoi gjithashtu se institucionet shtetërore, përfshirë ministritë dhe shkollat, po angazhohen për të siguruar pjesëmarrje në koncert, duke thene se biletat nuk janë shitur.
“Dy fjalë për 4 milionë eurot të marra nga fondet e emergjencës të një vendi me potenciale të mëdha zjarri, për një këngëtar, përbën në mënyrë absolute një nga aktet më të rënda, të papërgjegjshme. Fondi i tillë përdoret vetëm për emergjenca kombëtare. Rama ka shkrirë fondin rezervë në llogari personale. Me 10 dhe 11 maj të 2025 ai i dha Giro D’italia gjithë fondin. Në këto momente të urrejtjes kombëtare ndaj tij, të zemërimit ndaj tij ai përpiqet që të sfumojë sentimentetet armiqësore me koncertin e një këngëtari të njohur. Ai ka problematikat e tij.
Skam gjë kundër koncertit të tij, por nuk pranoj kurrë që të paguhet me taksat e shqiptarëve. Por ai është i aftë që të marrë çdo vendim për të shpëtuar lëkurën e tij. Çdo ministri, shkollat kanë bërë listat për të ftuar punonjësit dhe nxënësit në koncert, pasi biletat nuk janë shitur. Do të jenë dhe disa milionë të tjera, pasi punonjësve do u mbahet në rroga ato bileta. Edi Rama beson se duke u përfaqësuar me Kanye West do të mundet të qetësojë urrejtjen e përgjithshme që buron nga shpirti i shqiptarëve," tha Berisha./Dosja.al
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas ndalimit në pikën kufitare të Qafë Thanës të tre deputetëve të koalicionit shqiptar VLEN në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë politik dhe diplomatik të qeverisë shqiptare. Gjatë konferencës së sotme për mediat, Berisha theksoi se ndalimi i deputetëve Bekim Çoku, Adnan Hazizi dhe Hasim Myrtezani përbën, një veprim antishqiptar të paprecedent.
Sipas Berishës, ky veprim cenon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe shkel marrëveshjet ndërkombëtare Berisha tha se qeveria shqiptare po përpiqet të transferojë përgjegjësinë te faktorë të jashtëm për protestat qytetare që kanë ndodhur në vend.
"Në një akt antishqiptar të paprecedent që nga diktatura e Enver Hoxhës, dhe në një skandal shumë të rëndë diplomatik dhe politik, dje me urdhër të Edi Ramës, nuk u lejuan të hyjnë në territorin e Shqipërisë, në kundërshtim dhe shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut dhe konventat ndërkombëtare, tre deputetë të koalicionit të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, VLEN. Kështu u bllokuan dje me datën 8 korrik nga narkopolicia shqiptare në pikën kufitare të Qafë Thanës koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit VLEN, deputeti Bekim Çoku dhe deputetët Adnan Hazizi dhe Hasim Myrtezani, zëvendëssekretar i përgjithshëm në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Që të tre me pasaporta diplomatike. Ata u trajtuan dhe u ndaluan sikur të ishin terroristë, armiq të kombit shqiptar dhe jo deputetë të nderuar, përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, vendin fqinj. Duke kërkuar ndjesë në emër të shqiptarëve të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të këtij vendi, koalicionit VLEN dhe të gjithë deputetëve të tij, PD dënon me forcën më të madhe këtë akt të shëmtuar të Edi Ramës dhe ministrit të tij kukull antishqiptar të Brendshëm.
Ky akt dëshmon një goditje të rëndë të fqinjësisë së mirë me vendin fqinj dhe përbën një përpjekje vulgare për të fajësuar fqinjët dhe të tjerët për protestën rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi në 35 vitet e fundit. Me këtë akt, narkodiktatori i Tiranës po sillet në rajon në mënyrë identike me Lukashenkon e Bjellorusisë dhe ish-diktatorin e Venezuelës, tani në pranga, Maduron. Një akt i shëmtuar. E garantoj Edi Ramën se dënimi i tij është pa shpëtim, pa kthim. Le t’i mbyllë kufijtë nga të katër anët, por shqiptarët i kanë prerë përfundimisht biletën atij," tha Berisha./Dosja.al
TIRANË- Kreu i PD-së, Sali Berisha komentoi edhe pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Ramës në samitin e NATO-s, duke thënë se Rama ishte i vetmi që u përçmua në atë Samit. Duke folur në konferencë me gazetarët, kryedemokrati shtoi gjithashtu se konferenca e paralajmëruar për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s nuk u zhvillua. Sipas tij, fakti që nuk pati një konferencë të posaçme për shtyp nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s është një tjetër tregues që kërkon sqarim.
"Së pari, thashë dhe një herë, akti i bllokimit të deputetëve të koalicionit VLEN është një akt që shkelmon marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por dhe marrëveshjet ndërkombëtare, mbasi këta ishin me pasaporta diplomatike.
Edi Rama përpiqet të fshihet pas këtij skandali. Sepse ky është një gjest tjetër, një damkë tjetër, që ai merr jo vetëm në rajon, por në Europë dhe në mbarë botën. Ju e patë vetë, e patë vetë në samit. E patë besoj apo jo? Aty ishte njeriu më i vetmuar. Sharlatani më i damkosur. Hokatari më i shpifur. Që mendoi se me atletet e bardha, s'po përdor shprehjet që i meriton në këtë rast, do mund të tërhiqte vëmendje dhe tërhoqi vetëm përçmim.
E patë vetë. Nuk ka një foto. Nuk ka një fjalë. Ka vetëm atletet e tij. Për të cilat protokolli turk, në darkën presidenciale i nxori kartonin e kuq: S'mund të vish! Edhe u detyrua të kthehet, mos bëjë më ekzibicionistin, por të zbresë tek këpucët normale për ngjarje të tilla. Shikojeni ju kur shkon, kur futet në pallatin presidencial për darkën e presidentit. Por aty nuk u tolerua, u përçmua. Ai pra hyri dhe doli nga ai samit si i vetmi njeri i përçmuar. Kjo është e vërteta. Kishte informuar këtu, kishte bërë gati televizionet se do dilte në konferencë shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm. Do ishte një konferencë e veçantë shtypi. Po ajo nuk ndodhi. Nuk ndodhi asgjë. Përveçse e kthyen në rresht kur humbi orientimin, gjoja humbi orientimin, që t'i dukeshin këpucët e bardha, shakaxhi i paskrupullt," tha Berisha./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka cilësuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për ndërhyrje të vendeve të tjera në çështjet e Shqipërisë, si përpjekje për të krijuar një klimë jomiqësore me shtetet fqinje. Gjatë konferencës për mediat, Berisha tha se akuzat ndaj Greqisë dhe Kosovës janë të papranueshme, duke theksuar se Shqipëria gëzon marrëdhënie shumë të mira me këto vende dhe zhvillon shkëmbimet më intensive me to. Sipas tij, deklarata e Ramës janë një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë politike dhe për të tensionuar marrëdhëniet me vendet fqinje.
"Gjithashtu dua të dënoj me forcën më të madhe akuzat që Edi Rama bën për ndërhyrje të vendeve të tjera, veçanërisht Greqisë, Kosovës, duke krijuar kështu një klimë jomiqësore me këto vende, me të cilat Shqipëria ka marrëdhëniet më të mira dhe ndan shkëmbimet më intensive. Është në natyrën e njeriut të inkriminuar, në natyrën e diktatorëve mbi shpatullat e të cilëve rëndojnë krimet e rënda të fajësojnë gjithë botën dhe të mos njohin asnjë përgjegjësi për veten e tyre. Por, populli i ka prerë biletën. Kjo është e vërteta," tha Berisha./Dosja.al