Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Situata me zjarret vijon të jetë alarmante edhe ditën e sotme në vendin tonë. • Ministria e Mbrojtjes thotë se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. • Gjithashtu mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren duke luftuar me flakët. • Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin. • Gjithashtu nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë. • Situata në vatrat më problematike është qarku Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, Dibër dhe Korçë. • Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja. • Sakaq, situata alarmante është në Delvinë dhe në Gramsh. • Si pasojë e përhapjes masive të flakëve shumë banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, ndërkohë autoritetet janë në terren për të menaxhuar situatën emergjente. • Situata mbetet mjaft serioze dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës. • Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje se për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare. • Ai thekson se po vijon puna për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin. • Rama gjithashtu theksoi se për shuarjen e flakëve Italia ka sjellë 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair.
28 artikuj për këtë temë.
DELVINË- Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu ndodhet në Delvinë ndërsa po monitoron nga afër situatën e zjarreve në vend. Gjatë fjalës së tij para mediave Vengu është pyetur në lidhje me mungesën e avionëve zjarrfikës ndërsa është shprehur se avionët prodhohen që të vijnë në vendin tonë dhe se kjo kërkon kohë.
Sipas tij ata kanë kërkuar që procesi të përshpejtohet dhe të vinë në vendin tonë sa më parë. Ministri gjithashtu është justifikuar duke thënë se në vendin tonë që nga viti 2007 nuk ka pilot. Në një situatë të tillë është dashur ndërhyrja nga vendet fqinje si Italia për te sjellë helikopterë dhe avion për të ndihmuar sado pak për të luftuar ferrin që po përjeton prej ditësh Delvina dhe jo vetëm.
"Ne duhet që me shpejtësi ka të bëjë me formimin e pilotëve të këtyre mjeteve. Qe nga viti 2007 Shqipëria nuk ka pilot avioni. Ky është realiteti që kemi trashëguar dhe është realiteti që duam të transformojmë. Kemi hapur edhe një shkollë aviacioni që në qershor të vitit që vjen do fillojë të operojë në Vlorë.
Avionët duhet të prodhohen që të vijnë në Shqipëri. Është proces që merr kohë, ne po kërkojmë një mundësi që të prodhohen sa më shpëjt. Në këto kushte jemi, kjo është transparencë e plotë. Nuk ka polemikë këtu, ka të bëjë me planin e zbatimit të investimeve të qeverisë shqiptare," tha Vengu.
TIRANË- Vendi ynë prej ditësh po përballet me situatë alarmante përshkak të vatrave të zjarrit. Shumë vatra janë ende aktive dhe janë përhapur me shpejtësi duke lënë pas pasoja të mëdha me djegien e bimësisë, banesave dhe bagëtive. Shumë prej këtyre vatrave kanë nga kontrolli për shkak të vonesës së ndërhyrjes nga autoritetet.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Arben Cara duke folur në lidhje me situatën në të cilën ndodhet vendi shprehet se shumë bashki nuk kanë siguruar ende kushtet minimale për funksionimin e forcave zjarrfikëse. Ai shtoi se mjetet e pakta dhe mungesa e uniformave të standardizuara ndikojnë në punën për shuarjen e zjarreve dhe në sigurinë e zjarrfikësve të cilët janë në frontin e parë me flakët.
“Ka mangësi serioze në pajisjet dhe uniformat e zjarrfikësve. Uniformat nuk përputhen me standardet dhe nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme. Kjo është një çështje që kërkon reflektim dhe ndërhyrje të menjëhershme”, u shpreh ai.
TIRANË- Ambasada greke përmes një postimi në "Facebook" ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në Shqipëri. Ambasada shkruan se po e monitoron situatën dhe se brenda kapaciteteve të saj po kontribuojnë për të shuar zjarret me mjete ajrore zjarrfikëse.
Më tej në reagim thuhet se mendimet e tyre janë me popullin shqiptar. Vendi ynë prej ditësh ndodhet në situatë alarmante me zjarre të cilat kanë dalë jashtë kontrollit sidomos në Delvinë dhe Gramsh. Edhe Italia ka kontribuar për shuarjen e flakëve duke dërguar 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair.
"Ambasada e Greqisë në Shqipëri shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta vendit mik dhe fqinj, Shqipërisë, dhe monitoron situatën me frontin e gjerë të zjarreve në vend. Në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit, Greqia, brenda kuadrit të kapaciteteve të saj, kontribuon në përpjekjen për të shuar zjarret me mjete ajrore zjarrfikëse, si në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh.
Mendimet tona janë me popullin shqiptar", thuhet në postim.
GRAMSH- Një vatër e re zjarri është aktivizuar në Gramsh. Mësohet se zjarri ka rënë në fshatin Ermenj. Fatkeqësisht zjarri po përjapet me shpejtësi duke rrezikuar banesat. Banorët kanë kërkuar ndihmë urgjente që flakët të izolohen në kohë pa iu afruar pranë banesave.
Edhe pse autoritetet janë njoftuar menjëherë, terreni i vështirë ka qenë në favor të flakëve të cilat janë përhapur shpejt duke djegur bimësinë në zonë. Në Gramsh zjarret kanë pushuar vendin prej ditësh ndërsa banorë të shumtë janë në qiell të hapur pasi banesat e tyre janë djegur.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama së fundmi përmes një postimi në "Facebook" ka ndarë pamje nga situata e zjarreve në vend. Rama gjithashtu ka bërë me dije se në 24 orët e funduat kanë qenë aktive 34 vatra zjarri ndër të cilat 13 jane fikur.
Më tej kryeministri ka ndarë detaje se për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare. Ai thekson se po vijon puna për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin. Rama gjithashtu theksoi se për shuarjen e flakëve Italia ka sjellë 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair.
"Një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin Gjatë 24 orëve të fundit: 34 vatra aktive, 13 të izoluara dhe të shuara.
Në operacione janë angazhuar: Dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura; Mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare; 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë.
Qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve. Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës. Gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe emiratas po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë," shkruan Rama.
GRAMSH- Zjarret ne fshatin Skënderbegas kanë lënë pas pasoja të shumta në banesa dhe bagëti. Sot mësohet se Drejtori i Shërbimit Veterinar në DRVMB Elbasan së bashku me stafin e zyrës së Veterinaisë Gramsh kanë shkuar në Skëndërbegas që të asgjesohen të gjitha trupat e kafshëve të ngordhura nga zjarri.
Me ndihmën e banorëve po kryhet groposja e tyre më qëllim mos përhapja e sëmundjeve që mund të krijohen nga kafshët e ngordhura. Siç shihen edhe nga pamjet e publikuara po hapen gropa me skavator.
"Drejtori i Shërbimit Veterinar në DRVMB Elbasan, z. Spiro Hunçi , së bashku me stafin veterinar të Zyrës Vendore të Veterinarisë Gramsh, nën drejtimin e përgjegjësit të sektorit veterinar z. Fatmir Ozuni , ndodhen sot në Njësinë Administrative Skënderbegas, ku po zhvillohet procesi i evidentimit dhe inventarizimit të kafshëve të ngordhura, djegura apo asfiksuar si pasojë e zjarrit.
Në këtë veprimtari po merr pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Gramsh, z. Besian Ajazi, së bashku me strukturat vendore të emergjencave dhe banorët e zonës. Po kryhet groposja dhe asgjësimi i kontrolluar i trupave të kafshëve, në përputhje me kërkesat e sigurisë veterinare dhe mbrojtjes së mjedisit. Kjo ndërhyrje e koordinuar synon të parandalojë përhapjen e sëmundjeve dhe të garantojë sigurinë shëndetësore e mjedisore në zonën e prekur", thuhet në njoftimin e Drejtorisë rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Elbasan.

DELVINË- Situata në Delvinë ka dalë jashtë kontrollit ndërsa minutë pas minute zjarret përhapen me shpejtësi duke rrezikuar banesa të shumta. Raportohet se zjarri është përhapur deri në malin e Sopotit duke rrezikuar Gjirokastrën dhe fshatin Lazarat.
Mësohet se zjarrfikës dhe banorë të Lazaratit po punojnë për neutralizimin e zjarrit dhe për të mos lejuar që flakët të përhapen me tej. Prej disa orësh Delvina po përballet me vatra të shumta zjarri ndërsa ështe dashur ndërhyrja nga ajri për të ndihmuar në neutralizimin e flakëve të cilat po djegin fshatra të tërë. Fatkeqësisht edhe pas ndërhyrjeve të shumta nuk është arritur të neutralizohet dhe izolohen vatrat të cilat kanë lënë pas fshatra të shumtë të shkrumbuar.
DELVINË- Temperaturat e larta kanë qenë në favor të zjarreve në vend ndërsa situata më alarmante është regjistruar në Delvinë. Vatrat e zjarrit në Delvinë kanë djegur dhjetëra hektarë dhe banesa duke lënë pas një qytet të shkrumbuar dhe një të ardhme të vështirë për familjet e prekura.
Siç shihet edhe nga pamjet e kapura me dron, flakët kanë djegur gjithçka duke lënë pas një "mantel" të zi i cili ka shkatërruar dhe djegur natyrën dhe banesat. Nga flakët janë djegur banesa të shumta ndërsa shumë banorë nuk kanë pranuar të largohen duke rrezikuar jetën. Disa prej tyre kanë përfunduar duke marrë ndihmë mjekësore për shkak të asfiksimit.
TIRANË- Ambasada amerikane ka reaguar së fundmi në lidhje me situatën e zjarreve në Shqipëri ndërsa ka shpërndarë një mesazh emergjence për të gjithë qytetarët amerikanë që ndodhen në vendin tonë. Ambasada u ka bërë thirrje amerikanëve që të jenë të kujdesshmëm dhe të mos shkojnë në zonat ku kërcënohen nga zjarret.
Në reagim theksohet se duhet të shmanget udhëtimi në zonat ku janë aktive vatrat e zjarrit dhe se në rast se ndodhen të kërcenuar të përdorin rrugë alternative ose të shtyjnë udhëtimin. Ambasada gjithashtu shton se në rast urgjence duhet të telefonojnë në numrin 127 për një ambulancë, në 112 për policinë ose në 128 për zjarrfikësit.
Reagimi i Ambasadës Amerikane:
Mesazh Emergjence për Qytetarët Amerikanë – Ambasada Amerikane në Tiranë, Shqipëri (12 Gusht 2025)
Vendndodhja: Në të gjithë vendin
Ngjarja: Ambasada e SHBA-së në Tiranë vazhdon të monitorojë disa zjarre në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes në zonat e kërcënuara nga zjarret. Disa zona në të gjithë vendin janë nën urdhër evakuimi. Qytetarët amerikanë në Shqipëri që kanë nevojë për ndihmë mund të kontaktojnë Ambasadën e SHBA-së me telefon në 4224-7285 (duke telefonuar nga Shqipëria) ose +355-4224-7285 (duke telefonuar nga jashtë Shqipërisë), ose me email në: [email protected] .
Veprimet që duhen ndërmarrë:
– Qytetarët amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato që janë nën urdhra evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljen e rrugëve ose ndërprerjet e trafikut. Monitoroni lajmet lokale për përditësime mbi kushtet e zjarreve në pyje dhe planifikoni rrugët tuaja në përputhje me rrethanat. Google Maps gjithashtu mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljet e rrugëve dhe aktivitetin e zjarreve në pyje.
– Zjarret në pyje janë të zakonshme në Shqipëri. Thithja e tymit përbën një rrezik serioz për shëndetin, edhe nëse nuk jeni afër flakëve. Nëse një zjarr në pyje është afër vendndodhjes suaj, përfshirë banesën tuaj, evakuohuni menjëherë në një zonë të paprekur.
– Mos u përpiqni të kaloni me makinë nëpër zona të prekura nga zjarret në pyje ose tymi i dendur. Kërkoni një rrugë alternative ose merrni në konsideratë shtyrjen e udhëtimit nëse nuk keni një rrugë alternative. Nëse nuk keni zgjidhje tjetër përveçse të kaloni me makinë nëpër tymin e një zjarri në pyje, ngisni ngadalë me dritaret hapur, kanalet e ajrit të jashtëm të mbyllura dhe dritat e ndezura për shikueshmëri më të mirë.
– Ne i inkurajojmë fuqimisht qytetarët amerikanë në zonat e prekura që janë të sigurt të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të dashurit e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në mediat sociale.
– Nëse keni një urgjencë të menjëhershme ose kërcënuese për jetën, ju lutemi telefononi në 127 për një ambulancë, në 112 për policinë ose në 128 për zjarrfikësit. Gjithashtu mund të kontaktoni Urgjencën Kombëtare në [email protected]
TIRANË- Presidenti i Konferecës Ipeshkvore të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta përmes një postimi në "Facebook" ka reaguar në lidhje me situatën e zjarreve në vend. Meta shkruan se këto zjarre pjesa më ë madhe e tyre janë të qëllimshme dhe se është një krim që duhet të merren veprime konkrete.
Ai më tej u shpreh se të gjithë përgjegjësit do të japin llogari para Zotit një ditë dhe se askush nuk ia ka parë hajrin abuzimit dhe shkatërrimit të vendit dhe natyrës. Dom Gjergj Meta gjithashtu bëri thirrje që autoritetet të të forcojnë ruajtjen e pyjeve, të përmirësojnë dhe përforcojnë strukturat me mjete ndërhyrëse.
"NJË THIRRJE NGA ZEMRA. Zjarret që në këto ditë po rrezikojnë jetën e banorëve, shtëpitë e tyre, florën dhe faunën që gjendet në male dhe në pyje, në pjesën më të madhe janë të qëllimshme. Ky është një krim që kërkon përgjigje para njerëzve e para Zotit.
Krijimi na është dhënë në roje dhe jo për ta prishur apo për të abuzuar me të duke e shkatërruar. Zjarret rrezikojnë edhe mundin dhe djersën e shumë njerëzve dhe familjeve të tyre. Kemi përgjegjësi të gjithë për të ruajtur si sytë e ballit çdo pëllëmbë vend tonin nga shkatërrimi.
Ju bëj thirrje nga zemra të gjithëve, individë dhe institucione, të përballemi me situatën me veprime konkrete, por sidomos me shqyrtimin e ndërgjegjes tonë, në mënyrê që të dalim nga këto situata e të mos krijojmë të tjera.
Përgjegjêsve ju them se një ditë do të japim llogari para Zotit. Askush nuk ia ka pa hajrin abuzimit me ambjentin, shkatërrimit të tij, pasi është njëkohësisht edhe shkatërrimi ynë e i të ardhmes tonë mbi planet. Thirrini zërit të ndërgjegjes, ndaleni dorën tuaj! Dërguesit dhe dorasët kanë përgjegjësi njësoj para njerëzve e para Zotit.
Për këtë kanë përgjegjësi edhe organet shtetërore që të mos jenë neglizhentë, por të forcojnë ruajtjen e pyjeve, të përmirësojnë dhe përforcojnë strukturat me mjete ndërhyrëse. Të merret më seriozisht kjo gjë se vjen shpejt edhe viti tjetër e duhet të shkojmë përtej retorikave. Zoti bekoftë çdokend që e ka për zemër ruajtjen e mjedisit, të gjithë ata që në këto ditë po luftojnë me zjarret e qoftë pranë të dëmtuarve nga flakët. Me shpresën se sadopak këto fjalë do të dëgjohen i uroj secilit paqe në zemër e dashuri për këtë vend, për Shqipërinë tonë, që e kemi shumë të shtrenjtë," thuhet në reagim.
DELVINË- Situata e zjarreve në vend është alarmante ndërsa në Delvinë është situatë e rënduar. Prej disa orësh Delvina po përballet me vatra të shumta zjarri ndërsa ështe dashur ndërhyrja nga ajri për të ndihmuar në neutralizimin e flakëve të cilat po djegin fshatra të tërë.
Mësohet se një avion Canadair italian ka ndërhyrë nga ajri. Nga pamjet shihet avioni i cili po shkon në vendngjarje. Situata ka qenë alarmantë që në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ku flakët u afruan pranë puseve të naftës dhe spitalit të qytetit.
Nga flakët janë djegur banesa të shumta ndërsa shumë banorë nuk kanë pranuar të largohen duke rrezikuar jetën. Disa prejt tyre kanë përfunduar duke marrë ndihmë mjekësore për shkak të asfiksimit.
DELVINË- Situatata po vijon të bëhet edhe më dramatike gjatë orëve të fundit në Delvinë. Flakët janë përhapur masivisht dhe po shkrumbojnë fshatra të tërë. Situata është bërë edhe më dramatike në mometin që disa banorë kanë përfunduar në urgjencë të asfiksuar nga zjarri. Gjithashtu mes tyre është edhe nënkryetari i bashkisë së Delvinës Filip Xuxi.
Sakaq, fshati Kasapaj po përballet me flakë massive të cilat kanë përfshirë shtëpitë duke rrezikuar edhe jetën e banorëve. Shumë prej tyre nuk kanë pranuar të largohen pavarësisht thirrjeve për evakuuim.
TIRANË- Instituti për Bashkitë e vendit ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend, Në një postim zyrtar Instituti për Bashkitë ka kërkuar mbledhjen urgjente të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të shqyrtuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Instituti gjithashtu thotë se duhet të bëhet edhe një vlerësim i plotë i dëmeve të shkaktuara. Më tej Instituti për Bashkitë u ka bërë thirrje të gjithë banorëve të bashkive të prekura ose që ndodhen në zona me rrezik të lartë, të respektojnë thirrjet dhe udhëzimet e Ministrit të Mbrojtjes.
Njoftimi i plotë:
Instituti për Bashkitë Shqiptare ndjek me shqetësim situatën e krijuar nga zjarret masive që kanë prekur disa zona të vendit dhe shpreh sa vijon:
1. Së pari, shprehim solidaritet të plotë me të gjithë qytetarët dhe komunitetet e prekura nga flakët. Mendimet dhe mbështetja jonë janë me trupat zjarrfikës por jo vetëm që po përballen me rrezik për jetën e tyre.
2. Falënderojmë qytetarët dhe vullnetarët për angazhimin dhe bashkëpunimin e treguar me forcat e specializuara në përpjekjet për përballimin e situatës.
3. U bëjmë thirrje të gjithë banorëve të bashkive të prekura ose që ndodhen në zona me rrezik të lartë, të respektojnë thirrjet dhe udhëzimet e Ministrit të Mbrojtjes, Kryetarëve të Bashkive dhe Drejtorit të Emergjencave Civile, për masat e evakuimit të mundshëm.
4. Sugjerojmë thirrjen urgjente të mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe marrjen në shqyrtim të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke kategorizuar situatën si emergjencë civile sipas ligjit.
5. Në këtë moment, të gjitha energjitë dhe burimet duhet të përqendrohen në operacionet për shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e pronës private dhe publike.
6. Pasi të dilet nga faza emergjente, kërkojmë një vlerësim të plotë e real të dëmeve dhe zbatimin e masave ligjore për kompensimin dhe rikuperimin e tyre.
Instituti për Bashkitë Shqiptare mbetet i angazhuar të mbështesë bashkitë në çdo hap të përballimit dhe rikuperimit nga kjo situatë.

TIRANË- Kreyministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me zjarret në Shqipëri, por këtë herë është ndalur tek pyetja më e sjpeshtë që bërë kohët e fundit, se përse Shqipëria nuk blen avion zjarrfikës. Me anë të një reagimi në X, Rama thekon se përpos faturave ekonomike, situata e rëndë e zjarreve nuk merr zgjidhje përfundimtare nga blerja e avionëve zjarrfikës. Rama gjithashtu pëmend si shembull Greqinë, ku sipas tij edhe se posedon avion zjarrfikës, zjarret e fuqishme e kanë gjunjëzuar shtetin fqinj.
Po ashtu Rama tha se këto ditë vendi ka mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë. Kjo sipas Ramës, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe.
Postimi i Ramës:
Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?! Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.
GRAMSH- Vatrat e zjarrit në Gramsh, vijon të jenë aktive, duke rrezikuar jetën e banorëve. Flakët kanë shkrumbuar Fshati Shimër, Bletas dhe Skënderaj. Banorët e fshatit Skënderaj prej ditës së djeshme braktisën banesën zbathur për ti ikur flakëve e kur të kthehen druajnë se nuk do të gjejnë asgjë veç shkrumb e hi. Banorët shprehen se nuk dinë as si do të jenë ditët në vijim pasi zjarri u ka marrë të vetmen pasuri që kishin.
"Në Skënderbegas, na ra zjarri në orën 11 -12 , Ne ikëm. Erdhën me helikopterë kur ne po iknim. Kemi lënë pas shtëpinë, bagëtinë. Jemi në qiell të hapur. Na janë bërë dëme të mëdha. Morëm fëmijët e ikëm.. unë ika zbathur..Kur ikëm ne po vinte ushtria e helikopterët.. janë djegur bagëti e lopë. duam ndihmë nga shteti," tha banori për Syri TV.
TIRANË- Shqipëria është duke u përballë me një gjendje të vështirë zjarresh, si pasojë e të cilave një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë kërkuar ndihmë në ditët e fundit. Tridhjetë e shtatë vatra zjarri janë evidentuara në mbarë vendin, nga të cilat 30 mbeten aktive, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë të martën mbrëma.
Flakët kanë përfshirë disa qarqe, duke rrezikuar banesa, sipërfaqe pyjore e zona të mbrojtura, ndërsa një i moshuar ka humbur jetën në një fshat të të Gramshit në qarkun e Elbasanit.
Gjatë natës, për shkak të tymit dhe kushteve të krijuara nga flakët, rreth 10 qytetarë, përfshirë 4 ushtarë, kanë marrë ndihmë mjekësore në qytetin e Delvinës, ku banorët u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Zjarrfikësit po ndihmohen edhe nga pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe nga helikopterë.
Autoritetet paralajmërojnë se, për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta, rreziku i përhapjes së zjarreve mbetet i lartë dhe kërkojnë bashkëpunim maksimal nga qytetarët për evakuim dhe shmangie të rrezikut.
Zonat më të prekura përfshijnë qarkun e Elbasanit, ku forcat zjarrfikëse dhe 150 trupa tokësore po luftojnë me flakët në Skënderbegas e zonat përreth. Situata ka detyruar autoritetet të evakuojnë banorët, ndërsa është kërkuar ndërhyrja e 50 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Në Vlorë, zjarri në Finiq po kërcënon Parkun Natyror të Syrit të Kaltër. Në terren po operojnë zjarrfikës nga disa bashki, të mbështetur nga mjetet ajrore shqiptare dhe ndërkombëtare, përfshirë avionë PZL nga Greqia dhe helikopterë nga Çekia e Sllovakia, tha ajo.
Në Berat, situata në Poliçan është përshkallëzuar, duke rrezikuar disa fshatra. Autoritetet kanë bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm në zonat e rrezikuara.
Në kryeqytet, Tiranë, disa vatra janë shuar, por Mali i Bërzhitës dhe disa fshatra të tjerë vijojnë të digjen, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Shkodra, Gjirokastra dhe Korça raportojnë vatra të mëdha, shpesh të paarritshme për mjetet tokësore për shkak të terrenit të vështirë, ndërsa në Parkun Natyror të Gërmenjit ndërhyrja pengohet edhe nga prania e predhave të vjetra.
Forcat e angazhuara për shuarjen e zjarreve përfshijnë qindra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga të gjitha qarqet, forca policore, punonjës bashkish dhe dhjetëra vullnetarë. Dhjetëra automjete zjarrfikëse dhe mjete të rënda janë në operacion. Nga ajri po veprojnë 2 helikopterë Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe, 1 nga Çekia, 1 nga Sllovakia dhe 1 nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Shqipëria është përballur me zjarre aktive në javët e fundit dhe autoritetet i arrestuan në fund të korrikut 18 njerëz nën dyshimet për zjarrvënie në pjesë të ndryshme të vendit.
Ndërkohë, me zjarre janë duke u përballur edhe vendet e tjera të Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Malin e Zi./REL

TIRANË- Kryeministri Edi Rima ka reaguar sërish lidhur me situatën alarmante të zjarreve. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Rama shkrun se falë angazhimit të gjitha forcave në terren, zjarret janë arritur të vihen nën kontroll. Rama gjithashtu apelon edhe banorët që të tregohen të kujdesshëm dhe të raportojnë për çdo vatër zjarri pa qenë vonë.
Postimi Ramës:
Dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme
Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja.
Thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve, ndërsa për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal.

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend. Sipas ministrisë gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. Gjithashtu mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.
Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin. Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.
Situata në vatrat më problematike është qarku Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë, Dibër dhe Korçë. Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja.
Situata në vatrat më problematike:
Qarku Vlorë – Bashkia Delvinë & Finiq
Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Në operacione janë angazhuar 36 efektivë zjarrfikës me 5 mjete, 120 trupa të FA, forca të FNSH, Delta, Shqiponjat, policia vendore dhe bashkiake, si dhe 7 autobote uji. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.
Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.
Qarku Elbasan – Bashkia Gramsh
Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke përfshirë disa fshatra dhe shkaktuar një viktimë. Janë raportuar dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, me forcat vendore dhe FA në terren.
Qarku Gjirokastër – Bashkia Tepelenë
Në Hormovë, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.
Qarku Shkodër – Bashkia Fushë Arrëz
Në Xeth, vatra po digjet në një zonë me pisha. Janë angazhuar forca të shumta nga FA, MZSH, policia dhe shërbimi pyjor. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.
Qarku Tiranë
Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.
Qarku Dibër
Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave. Në Ternovë, operacioni vazhdon me forca vendore dhe të FA.
Qarku Korçë – Bashkia Kolonjë
Në Gërmenj, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje. Puna po vijon ndërkohë edhe në vatrat, ku nuk ka rrezik për banesa apo gjënë e gjallë.
Parashikimi i motit dhe rrezikshmëria për zjarre
Sipas të dhënave meteorologjike, vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe erëra të forta në orët e mesditës, çka rrit rrezikun për riaktivizimin dhe përhapjen e vatrave ekzistuese, si dhe krijimin e zjarreve të reja. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të re.
GRAMSH- Situata në Gramsh vijon të jetë alarmante, pas shpërthimit të një zjarri të fuqishëm që ka përfshirë fshatrat kryesore të zonës. Banorët të trishtuar shprehen se kanë punuar një jetë të tërë dhe çdo gjë u shkrumbua. Banorët gjithashtu shprehen se pjesë e madhe e pasurisë është shkatërruar, duke përfshirë shtëpitë dhe kafshët.
"Situata është shumë e keqe, kemi lënë gjithçka pas, duke përfshirë shtëpitë, bagëtitë, pasurinë që kemi grumbulluar gjithë jetën. Jemi këtu pa asgjë, vetëm me rrobat që kemi mbi trup,” shprehet një prej banorëve.
Gjithashtu banorët shprehen se nuk u dha asnjë ndihmë për të fikur zjarret. Ata thonë se edhe një avion që ka arritur në zonë nuk ka mundur të bëjë asgjë për ta.
“Na morën dhe na sollën këtu, por nuk dimë se çfarë do të bëjmë. Dëmet janë të mëdha, kemi humbur gjithçka dhe askush nuk po na jep ndihmë të mjaftueshme. A i dhamë ne votat atij? Po, po, por tani ku është ai? Çfarë po bën për ne?” tha një tjetër banor.
Në këtë situatë tragjike, banorët kërkojnë një përgjigje të menjëhershme dhe ndihmën e shtetit për të riparuar dëmet dhe për të mbështetur ata që kanë humbur gjithçka.
“Na erdhi flaka në këmbë, dhe nuk na lanë asgjë, përveç se shkatërrimin e gjithçkaje. Si mundet që pas gjithë kësaj, askush të mos kujdeset për ne? A i dhamë votat për të qenë të lënë në harresë?” thekson një tjetër.
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zjarret në vend. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Rama falenderon zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit dhe shtëpitë. Rama theksoi gjithashtu se ata që ndezin zjarre qëllimisht duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji.
Postimi Ramës:
Falenderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë.
Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji.
DELVINË- Banorët e Delvinës dhe zjarrfikësit kaluan një natë tmerri, pasi flakët masive përfshinë zonën kodrinore në afërsi të qytetit, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe terrenit të vështirë. Ndërsa nga pamjet e sotme shihet vendi i shkrumbuar dhe zjarrfikësit e lodhur që flenë në rrugë.
Po ashtu nga tymi i dendur dhe përhapja e flakëve, rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore gjatë natës, ku katër prej tyre ishin pjesëtarë të forcave të ushtrisë.
Forcat zjarrfikëse të bashkive të jugut, njësi të specializuara nga Tirana, ushtria si dhe banorët vendas luftuan pa pushim për të shmangur përhapjen e flakëve drejt qytetit.
Falë ndërhyrjes së tyre, zjarri u shmang nga zonat e banuara, por vatrat mbeten aktive në malësinë pranë fshatit Kakodhiq, zona nga ku besohet se nisi zjarri.
GRAMSH- Vatrat e zjarrit janë përhapur masivisht edhe në Gramsh, duke shkrumbuar plotësisht 6 fshatra. Situata është bërë kritike, pasi era e fortë ka kontribuar në përhapjen e flakëve, duke shkaktuar krijimin e vatraprave të reja në disa zona.
Gjithashtu një nga zonat më të prekura është Skënderbegas, ku edhe fshati i fundit po digjet. Ndërsa në njësinë administrative të Kodovjatit, flakët kanë arritur të jenë shumë pranë fshatit Posnovisht.
DELVINË- Qytetarët e Delvinës kanë kaluar një natë tmerri nga flakët masive. Bëhet me dije se rreth 10 qytetarë, ku 4 prej të cilëve nga forcat e ushtrisë kanë marrë ndihmë mjekësore nga asfiksia, në mjediset e Kinotetatrit ku u vendos përkohësisht spitali.
Flakët gjatë natës u përhapën me shpejtësi dhe përfshinë një pjesë të madhe të vendit, duke rrezikuar edhe jetën e banorëve. Forca të shumta zjarrfikëse, ndodhen gjithashtu në terren për shuar flakët, por situata vijon të jetë dramatike.
BULQIZË- Vatrat e zjarrit po vijojnë të përhapen me shpejtësi edhe në Bulqizë në kurorën e malit të “Liqenit të Zi” të njësisë Zerqan. Bëhet me dije se aktualisht janë djegur rreth 10 hektar pyje ahu dhe pisha.
Ndërkohë forcat e shërbimit pyjor dhe atë të zjarrfikëses po punojnë për fikjen e zjarrit por e kanë shumë të vështirë për shkak të terrenit keq. Si pasojë e terrenit të thyer e vetmja zgjidhe për shuarjen e flakëve është ndërhyrja nga ajri.
Po ashtu një vatër e re zjarri është shfaqur në Val të njësisë administrative Martanesh. Flakët po vijojnë të përhapen me shpejtësi, pasi po favorizohen edhe nga era e fortë.
SHQIPËRI- Reuters ka publikuar panje apokaliptike të momenteve të vështira në Delvinë, e cila është përfshirë nga flakët. Imazhet e frikshme tregojnë vendin e shkrumburuar nga zjarri, teksa banorët shikojnë të trishtuar dhe të pafuqishëm katastrofën natyrore, teksa braktisin banesat e tyre.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi ditën e djeshme se zjarri i nisur në Finiq kishte kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat.
Edhe gjatë natës flakët kanë vijuar me intensitet të lartë, ku si pasojë shumë banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, ndërkohë autoritetet janë në terren për të menaxhuar situatën emergjente.
Pas evakuimit të banorëve u bë edhe zhvendosja e pacientëve dhe stafit mjekësor të spitalit të Delvinës pasi flakët iu afruan edhe godinës së spitalit.
EVROPË- Të paktën tre persona kanë vdekur në një valë të nxehtë përvëluese që po nxit dhjetëra zjarre në pjesë të Evropës Jugore, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Alarme janë lëshuar në pjesë të Italisë, Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Ballkanit, duke paralajmëruar për rreziqe të konsiderueshme për shëndetin ndërsa temperaturat kalojnë mbi 40 gradë Celsius.
Shërbimi meteorologjik i Spanjës, Aemet, tha se temperaturat mund të arrijnë 44 gradë Celsius në Sevilje dhe Kordoba, ndërsa edhe Portugalia jugore mund të arrijë 44 gradë Celsius. Në Spanjë, një punonjës i një qendre hipizmi vdiq pasi pësoi djegie të rënda në Tres Cantos, pranë Madridit, ku erërat mbi 70 km/orë (43 mph) shkaktuan flakë pranë shtëpive, duke detyruar qindra njerëz të largoheshin. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha të martën se shërbimet e shpëtimit "po punojnë pa u lodhur për të shuar zjarret".
"Jemi në rrezik ekstrem nga zjarret në pyje. Ju lutemi të jeni shumë të kujdesshëm", shtoi ai në një postim në X.
Në rajonin veriperëndimor të Spanjës, Castile dhe Leon, u evakuuan pothuajse 4,000 persona dhe u raportuan më shumë se 30 zjarre - me një që kërcënonte Las Médulas, të listuar në UNESCO, i njohur për minierat e tij të lashta të arit. 2,000 persona të tjerë u evakuuan nga hotelet dhe shtëpitë pranë qendrës turistike të Tarifës në rajonin jugor të Andaluzisë.
Pothuajse 1,000 ushtarë u vendosën në shërbim të luftimit të zjarreve në të gjithë vendin, tha të martën në mëngjes njësia kombëtare e emergjencës ushtarake e Spanjës. Në Portugalinë fqinje, zjarrfikësit luftuan me tre zjarre të mëdha, ku më seriozi pranë Trancoso-s u kontrollua në qendër të vendit të martën.
Më shumë se 1,300 zjarrfikës dhe 14 avionë u vendosën në vendngjarje, me Marokun që dërgoi dy aeroplanë pasi bombarduesit me ujë portugezë u prishën, raportoi Reuters. Autoritetet paralajmëruan se rajonet jugore mund të arrinin 44 gradë Celsius, me temperaturën që nuk pritet të bjerë nën 25 gradë Celsius.
Një fëmijë vdiq nga goditja nga nxehtësia në Itali të hënën, ku temperaturat pritet të arrijnë 40 gradë Celsius më vonë këtë javë. Alarme të kuqe për vapë ishin në fuqi për të paktën 10 qytete italiane, përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen. Një djalë katërvjeçar rumun, i cili u gjet pa ndjenja në një makinë në Sardenjë, u transportua me helikopter në një spital në Romë, por vdiq për shkak të dëmtimit të pakthyeshëm të trurit, që thuhet se është shkaktuar nga goditja nga nxehtësia, thanë autoritetet mjekësore për AFP.
Pothuajse tre të katërtat e Francës janë nën alarm për vapë, me temperaturat që parashikohen të arrijnë 36 gradë Celsius në rajonin e Parisit dhe 40 gradë Celsius në Luginën e Ronës. Ministrja franceze e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, tha se spitalet ishin të përgatitura për pasojat e valës së dytë të të nxehtit që ka goditur vendin brenda vetëm pak javësh.
Greqia po lufton me më shumë se 150 zjarre në të gjithë vendin, të përkeqësuara nga erërat e forta, me gati 5,000 zjarrfikës dhe dhjetëra avionë që po merren me shuarjen e flakëve. Evakuime masive janë duke u zhvilluar në ishullin turistik Zakynthos dhe në Akainë perëndimore, ku flakët kanë shkatërruar shtëpi, automjete dhe biznese.
Grigoris Alexopoulos, kryebashkiaku i Akaisë perëndimore, tha se zjarret në rajon ishin jashtë kontrollit, duke shtuar se disa zona bregdetare janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme. Anijet e shpëtimit kanë evakuuar plazhistët e bllokuar nga flakët që përparojnë në Kios dhe autoritetet kanë kërkuar disa avionë zjarrfikës të BE-së.
Autoritetet greke paralajmërojnë se kushtet mund të bëhen edhe më sfiduese në ditët në vijim. Turqia ka vënë nën kontroll disa zjarre të mëdha, përfshirë ato në Çanakala dhe Izmir, pasi qindra persona u evakuuan dhe Ngushtica e Dardaneleve dhe aeroporti i Çanakalasë u mbyllën. Në Mal të Zi, një ushtar vdiq dhe një tjetër u plagos kur cisterna e tyre e ujit u përmbys ndërsa po luftonte zjarret pranë kryeqytetit Podgoricë.
Zjarret në Shqipëri i detyruan njerëzit të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre të hënën, ndërsa në Kroaci një zjarr i madh shpërtheu në Split dhe u vu nën kontroll të martën. Pjesë të Mbretërisë së Bashkuar po përjetojnë valën e katërt të të nxehtit të vitit, me temperatura që arrijnë në 33 gradë Celsius dhe alarme shëndetësore për nxehtësinë ngjyrë qelibar dhe të verdhë në fuqi për të gjithë Anglinë.
Dy zjarre shpërthyen në kryeqytet të martën, një në Ealing dhe një tjetër në Wanstead Flats, duke djegur më shumë se 17 hektarë tokë. Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po i bën verat mesdhetare më të nxehta dhe më të thata, duke nxitur sezone zjarresh më të gjata dhe më intensive.
DELVINË- Situata është paraqituar alarmante edhe gjatë natës në Delvinë. Flakët janë përhapur shpejtë dhe kanë mbërritur edhe në periferi të qytetit dhe rrezikon seriozisht zonat e banuara.
Si pasojë e përhapjes masive të flakëve shumë banorë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, ndërkohë autoritetet janë në terren për të menaxhuar situatën emergjente.
Gjithashtu forcat zjarrfikëse po përballen me vështirësi për shkak të erërave të forta dhe terrenit të thyer. Sakaq, situata mbetet mjaft serioze dhe autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës.
TEPELENË- Një vatër zjarri masive ka përfshirë gjatë gjatë natës fshatin Hormovë, Bashkia Tepelenë, pranë kufirit me Gjirokastrën. Bëhet me dije se që prej orës 04:00 të mëngjesit, forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi Gjirokastër po punojnë në terren për izolimin e flakëve, me synimin që ato të mos kalojnë në territorin e Bashkisë Gjirokastër.
Gjithashtu zona paraqet rrezik të lartë për shkak të bimësisë së dendur dhe afërsisë me disa fshatra, ku pasojat mund të ishin katastrofike. Ky është një operacion emergjent i ndërmarrë vetëm nga efektivët e MZSH Gjirokastër, për të parandaluar përhapjen e zjarrit në një territor me potencial të madh dëmesh.
Po ashtu situata paraqitet alarmante që prej ditës së djeshme në disa zona, pasi flakët u përhapën në mënyrë masive, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.