Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
•Seanca e sotme plenare u përfshi me debate• Që në nisje të saj, opozita u ankua se iu ishte reduktuar në maksimum koha e debatit për raportet e institucioneve te drejtësisë. •Familjarët e deputetes së PS-së, Ermonela Felaj, të emëruar në Prokurorinë e Tiranës u kthyen në temë debati. •Deputetët e opozitës, duke nisur nga kryetari i PD-së Sali Berisha kanë hedhur akuza ndaj Felaj dhe mazhorancës. •Sali Berisha dhe deputetët e PD-së i kërkuan Felajt të mos ishte drejtuese e seancës, duke e akuzuar se “ka uzurpuar Prokurorinë e Tiranës me familjarë të saj”. • Në replikë, Felaj tha se ndihej krenare për familjarët e saj të cilat janë në detyrë për shkak të arsimimit dhe aftësive të tyre, dhe mohoi të ketë pasur ndërhyrje politike në emërime. •Në nisje të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi hyri me një buqetë me grurë. •Deputeti u shpreh se të gjithë fermerët kanë dalë me humbje, dhe nuk kanë marrë asnjë subvencion, dhe se që buqeta me grurë ishte për qeverinë. •Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, ka komentuar akuzat nga ana e opozitës për emërimet familjare në Prokurorinë e Tiranës. • Balla është shprehur se ky shqetësim e ka prekur dhe atë, por përderisa e lejon ligji që është miratuar nga Parlamenti, nuk ka asnjë zgjedhje tjetër. • Ai theksoi se është në dorën e deputetëve për të ndryshuar nenin dhe deri në momentin që kjo nuk ndodh, nuk ka pengesa. •Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2022. •Ai deklaroi se për vitin që lamë pas, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 mijë banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër. •Gjatë bilancit që bëri, ai theksoi se gjatë vitit 2022 është vendosur pezullimi i hetimeve për 7762 procedime, pasi nuk njihet autori. •Edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, prezantoi raportin vjetor 2022 të institucionit që ai drejton. •Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ka vënë theksin se gjatë vitit 2022 janë dënuar 4 zyrtarë të lartë dhe janë hetuar 24 procedime penale gjatë periudhës 2020-2022. •Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, reagoi ashpër ndërsa sulmoi kryeprokurorin Olsian Çelën, duke i kujtuar atij një dosje të bujshme. •Ai i kujtoi Çelës një dosje, por kur ngriti kokën për ta parë nëse ishte në sallë, Bardhi tha se “kryeprokurori qenka larguar”. •Bardhi përmendi vetëm numrin e dosjes “335/1” dhe numrin e targës së personit që ishte nën hetim, dhe që sipas tij kryeprokurori aktual, kur ishte prokuror e shpëtoi. •Nga ana tjetër, deputeti Pandeli Majko u shpreh se ndihet keq që deri më tani janë vënë para drejtësisë vetëm zyrtarë të majtë. •Ndërsa deputeti i PD Dash Sula kërkoi publikisht nga SPAK të godasë si politikanët majtas ashtu edhe djathtas, ndërsa akuzon deputetët se janë të lidhur me krimin e organizuar dhe biznesmenit e fuqishëm në vendin tonë.
22 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Deputeti Dash Sula kërkon nga SPAK duhet të godasë si politikanët majtas ashtu edhe djathtas, ndërsa akuzon deputetët se janë të lidhur me krimin e organizuar dhe biznesmenit e fuqishëm në vendin tonë. Nga seanca e Kuvendit, Sula tha se nuk ka nevojë për shumë hetime për të gjetur se ku ka korrupsion, por mjafton që SPAK të vendosë traun në vilat nga 500 mijë euro në Gjirin e Lalzit apo në jug të vendit dhe të shikojë se kush politikanë futen aty që sipas tij janë të korruptuar. Po ashtu tha se duhet të hetohen edhe deputetët që lëvizin me makina 100 apo 200 mijë euro.
Po ashtu, sipas Sulës, si ata majtas, si ata djathtas po i bëjnë presion SPAK.
“Pranë organeve të qeverisë së ministrive korrupsioni arrin deri në nivelet më të larta. Nuk ka qoftë kriminel të krimit të organizuar që të mos jetë i lidhur dhe të mos ketë mbështetje politikë. Është trinomi krim i organizuar, politikë biznes. E dimë gjithë se këtu jetojmë se cilët biznes nuk marrin kredi në banka për të ndërtuar kulla po marrin paratë. Si ka mundësi një 18-vjeçar të ketë 88 apartamente dhe jeton në Londër, si ka mundësi të ndërtosh kulla e mos të marrësh kredi. Si mund të ndodhë, çfarë ka një politikan të ha dreka me biznesmenë, pse bëjnë pushime bashkë, të dalë telefonata me një krerë të krimit të organizuar, ç’punë ka një nga politika që të rri për drektë me persona të ekspozuar të krimit të organizuar.
Tregon që ka interesa të caktuar. Për të gjetur SPAK, dhe e mbështes publikisht, po i them spak e ka shumë të thjeshtë, të vënë traun te gjiri i Lalëzit, Palasë në Dhërmi dhe të shikojë se kush politika shkon në vilat 500 mijë euro. Kjo është e vërteta, të shikojë kush janë këta politikanë që lëvizin me makina 100 mijë euro e 200 mijë euro. Edhe nga krahu i majtë dhe djathtë, ka zonja e deputet që kam respekt maksimal, por ka edhe nga ata që duhet të jenë para drejtësisë. Nuk është normale që SPAK të merret me një arkë peshk, me korrupsionin e një telefoni, kur ke para shumë gjëra, këtu kur ne gjithë e dimë se kush ka këllqe të bëjë korrupsion sa i përket inceneratorit, kush ka këllqe që t’i jepen 200 mln euro personave nëpër bashki të mëdha, është Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, janë qytete e mëdha ku ndahen miliona euro sipas interesave të caktuara.
SPAKU është në një person të fortë politk nga të dyja krahët. Nuk flisni ju se jam i bindur se kushdo politikan i mazhorancës se ka një kod siç e ka mafia, të bëjë 1 vit burg dhe të gëzojë pasurinë, mos të akuzohen vetëm për shpërdorim detyre por t’i sekuestrohet edhe pasuria”, tha Sula./Dosja.al
TIRANË- Deputeti Pandeli Majko u shpreh ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit se mazhoranca e ka “provuar në kurrizin e saj shkopin e drejtësisë së re”. Ai u shpreh se ndihet keq që deri më tani janë vënë para drejtësisë vetëm zyrtarë të majtë.
“Mos prisni që t’u them që ndihem mirë kur shoh përfaqësues të politikës së majtë në burg. E vërteta është që ndihem keq. Por më keq ndihem kur përballem me pyetjen se mos vallë në këtë vend vetëm të majtët e shkelin ligjin?”, tha Majko.
Majko kërkoi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që të mos u kthehet traditave të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që marrëdhënia me Prokurorin e Përgjithshëm të mos jetë si ajo e një ‘çifti të divorcuar’.
Ndërsa, sa i përket punës së SPAK, Majko tha se mbështet hetimin e nisur brenda strukturës së Posaçme për nxjerrjen e sekretit hetimor./Dosja.al
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, reagoi ashpër nga Kuvendi, ndërsa sulmoi kryeprokurorin Olsian Çelën, duke i kujtuar atij një dosje të bujshme. Deputeti demokrat i kujtoi Çelës një dosje, por kur ngriti kokën për ta parë nëse ishte në sallë, Bardhi tha se “kryeprokurori qenka larguar”. Gazment Bardhi përmendi vetëm numrin e dosjes “335/1” dhe numrin e targës së personit që ishte nën hetim, dhe që sipas tij kryeprokurori aktual, kur ishte prokuror e shpëtoi.
Në fjalën e marrë gjatë seancës planare, kreu i grupit parlamentar të PD-së u shpreh se: Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Prokurori i Përgjithshëm merr bekimin e mazhorancës në këtë sallë, vetëm pasi provon se është besnik i familjes kryeministrore dhe hedh në erë një dosje të tërë, duke veçuar procedimin me nr. 335/1 dhe duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht cdo qytetar në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i çështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”, apo “përdorues i automjetit me targa AA653DM.
Bëhet fjalë për dosjen nr. 335/1, i njohur për publikun edhe si laboratori i kokainës në Xibrakë. Gjatë operacionit të udhëhequr nga autoritetet e huaja u kapën 100 kg kokainë, mes 8 të arrestuarve ishin 2 kolumbianë dhe nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha. Itinerari që ndiqte droga pasi përpunohej në laboratorin e Xibrakës ishte Durrës-Itali-Austri-Gjermani.
TIRANE- Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, mbajti këtë të hënë fjalën e saj në Parlament, ku tha se kryetari i PD-së Sali Berisha është një kriminel më i rrezikshëm se ata që ndodhen në burgun 113.
“Edhe grabitje edhe vrasje. Çfarë kanë bërë më shumë ata që janë tek 313, se vrasje dhe grabitje? Dhe sot siç thuhet në raportin amerikan, se cilët janë aleatët, por nuk hetohen as për pastrim parash. Ata aletatët e tu që nuk dihet ku i kanë dhe nuk hetohet. Presidenti Clinton në takimin me historinë se nuk ka ardhur për turizëm, se në 8 vitet e drejtimit të tij i ka dhënë zgjidhje çështjes shqiptare. Padrejtësinë histoirike të mbi 100 viteve, i ka dhënë presidentit që do dekorohet sot, politika nuk është e krijimit të fronteve, por është plotika e ndershme, që flet të vërteta. Nuk është vizita e Clinton as pronë e kësaj qeverie, por është nder për kombin shqiptarë. Edhe këto zgjedhje e dëshmuan për ata që bëjnë politikë kundër aleatëve tanë, do mbeten gjithmonë e më të vegjël”.
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka hedhur akuza të forta nga Kuvendi ndaj anëtarëve të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka akuzuar ministrin Ulsi Manja, duke e cilësuar si një person të përfshirë në krim elektoral dhe e quajti spiun të ish-kryebashkiakut të arrestuar të Durrësit, vangjush Dakos. Pasi sipas Berishës, ai it ha Gjushit t’ja mbathte në Dubai pasi do të arrestohej.
“Reforma në drejtësi u projektua si një proces për të shndërruar drejtësinë shqiptare në një degë të ekzekutivit. Drejtësia sot është një nga degët më të deformuara të ekzekutivit shqiptar. U larguan me dhjetëra dhe qindar gjyqtarë e prokurorë vetëm për përkatësi fetare, krahinore dhe bindjeje politike. U mbajtën individë me lidhje familjare, politike e ideologjike. Në këtë makineri të shkatërrimit të sistemit të drejtësisë, viktima më e madhe është qytetari shqiptar. Sepse ai sot nuk ka më drejtësi. Sepse atij i duhet të presë 10-20 vite për një vendim gjyqësor.
I duhet të paguajë qimet e kokës ryshfet, për të afruar kohën e gjykimit, lere pastaj gjykimin që të betuarit e partisë e kanë me një çmim 4 herë më të madh. Kjo është ana më tragjike e këtij sistemi. Aspekti tjetër dramatic është se kjo reformë ka sjellë dhe mban në pushtet grupin politik më të korruptuar dhe inkriminuar që nga koha e byrosë politike gjer sot në Shqipëri. Nga Nikua i Satelitëve, te Ulsiu i krimit elektoral dhe spiunit të Gjushit, që i thotë Gjushit mbathj në Dubai se do arrestohesh, te Damiani që me urdhër të Ramës i dhe Deripaskës dhe McGonigal fushat e naftës.
Do dënohesh nda drejtësia amerikane. Janë paguar 10 milionë dhe pritet të paguhen edhe 40 milionë të tjera për licencat që ia hoqi kombanive dhe ja dha Deripaskës. Pa le zonja që është bërë si kuçedra e digave, që zbrazin digat, që energjinë e shesin te sekserët e tyre, vetëm për të marrë paratë në bursë. Balluku zëvendësja e Ramës bashkë me Ramën. Shqiptarët po vidhen si kurrë më parë. Në të gjitha institucionet flasin për Salarionin sesi e lumturoi kunatin, gjithçka nga Eliza. Erdhi si erdhi ja ku është 5 milionëshe. Por me llogari offshore mund të shkojnë 15-30 milionë euro. Keni patur një drejtor te energjia që quhej Ardian Çela, akuzoi se energjinë po e gllabëron bitcoini.
Po kush i ka fermat e bitcoinit sot? I ka Amant Josifi dhe Olsi Rama. Rama firmosi 450 milionë euro djegësat. Ku është kjo ministrja e jashtme? Është pas pronave strategjike. 10 herë më shumë e meritojnë ata të 313 të ishin këtu sot sesa ju. Kush prej tyre ka firmosur dhe ka vjedhur 450 milionë? Më thoni cili prej tyre ka fituar 100 tendera me bashkëpunimin e kumarxhiut? Ulsi, krimi elektoral i yti do të ndëshkohet dhe do të të ndjekë gjithë jetën. Je hipokrit.
Kjo nuk është dita e drejtësisë, por e turpit. Arrestohet Gjyshi, po Erion veliaj a nuk është shumë-fishi i Gjushit? A nuk është Veliaj njeriu që po taton qytetarët e Tiranës 18 euro më shumë për djegësin që nuk ekziston? A nuk është Veliaj njeriu që i dalin pallatet brenda natës? Të Arben Malokut e me radhë. Me cilën drejtësi vini ju këtu? Ju jeni kontigjent për te 313 me veprat që keni kryer”, u shpreh Berisha.
TIRANË- Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, teksa ka kujtuar genocidin e Çamërisë është shprehur i keqardhur që akoma nuk ka një vendim për të dënuar dhunën ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Sipas tij, Parlamenti duhet që të miratojë një rezolutë për mbrojtjen e të drejtave të tyre, sipas kushtetutës. Në Kuvend ai kërkoi që 27 qershori të shpallet dita e gjenocidit ndaj popullit të Çamërisë. Teksa ktehehet pas në kohë e kujton historinë e shkuar, Idrizi thotë se 2770 njerëz u masakruan mizorisht. E po kështu qindra fshatra u dogjën dhe u grabitën, si dhe 30 mijë shqiptarë u larguan. Në fund të fjalës, Idrizi citoi se është i keqardhur që ende nuk ka një deklaratë apo rezolutë nga ky Parlament, për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë dhe avancimin si detyrim edhe nga kushtetuta për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë.
“Kërkojmë që 27 qershori të shpallet dita e gjenocidit ndaj popullit të Çamërisë. Siç është e njohur botërisht, pas Luftës së Dytë Botërore mbi popullsinë çame u krye një gjenocid. 2770 jetë njerëzore u masakruan mizorisht, qindra fshatra u dogën dhe u grabitën, si dhe 30 mijë shqiptarë u larguan.
Po ashtu qindra të tjerë vdiqën nga uria. Kjo është arsyeja, për nderim të tyre, ju kërkoj që të mbajmë 1 minutë heshtje. Si Grup Parlamentar kemi bërë kërkesë për të mbajtur 1 minutë heshtje për gjithë viktimat e popullit çam.
Kjo është një datë e njohur edhe nga Parlamenti i Shqipërisë si dita e genocidit të Çamërinë, ndaj është e paarsyeshme që kryetarja e Kuvendit që mungon në këto raste, të mos e bëjë këtë gjë, por duhet që të ngrihem unë si deputet për ta kërkuar si rezolutë.
Ky Kuvend i nderuar ka bërë shumë rezoluta, ka bërë që të nderohen me të drejtë raste të tilla genocidiale, si për Kosovën, për Bosnjën, për Holokaustin, për kemberët e Kuq të Kamboxhias, dhe kemi bërë shumë mirë se kjo kujtesë na ndihmon që raste të tilla nuk duhet që të përsëriten më. Jam i keqardhur se nuk ka akoma një deklaratë apo rezolutë nga ky Parlament për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë dhe avancimin si detyrim edhe nga Kushtetuta për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë”, u shpreh Idrizi.
TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka shprehur shqetësimin në Kuvend se ka ardhur koha për të ndryshuar mentalitetin në ushtrimin e ndjekjes penale. Duke e demostruar përmes shifrave, ai tha se numri i të paraburgosurve është më i lartë se ai të burgosurve me vendim të formës së prerë. Në sistemin e burgjeve janë 2 mijë e 151 të burgosur, të dënuar me vendim të formës së prerë dhe 2 mijë e 657 të paraburgosur, pra mbi 55% në sistemin tonë janë të paraburgosur.
“Institucionet e drejtësisë penale, kanë treguar se po i qëndrojnë testit të pavarësisë në hetimin e rasteve të zyrtarëve të lartë sa i takon kurrupsionit.
Megjithatë, është e nevojshme të intensifikohet puna në çështje që sjellin efekte negative në jetën e qytetarëve. Vakancat mbeten për t’u plotësuar. Të adresohen problemet që ndikojnë në gjykata dhe prokurori. Presim që nga sistemi të vijnë sinjale progresi.
Ka ardhur koha për të ndryshuar thelbësisht mentalitetin në ushtrimin e ndjekjes penale dhe të hetimit. Po marr shumë shkurt shembullin e zbatimit të masave të sigurimit personal. Dëgjojmë që prokurorët kërkojnë dhe gjykatat japin masa të “arrestit në burg”.
Aktualisht, në sistemin e burgjeve kemi 2 mijë e 151 të burgosur, të dënuar me vendim të formës së prerë dhe 2 mijë e 657 të paraburgosur, pra mbi 55% në sistemin tonë janë të paraburgosur. Fakti që numri i të paraburgosurve tejkalon numrin e të burgosurve është shqetësues, dhe kjo situatë nuk ngjan me asnjë vend tjetër në rajon dhe më gjerë”.
TIRANË-Deputeti socialist Fatmir Xhafaj foli ditën e sotme për reformën në drejtësi ku tha se është e pamundur që të kuptohen ndryshime në 4 vite, por kjo e fundit ka filluar të japë ‘frytet’. Nga seanca e Kuvendit, ai tha se prokuroria e Posaçme, SPAK ka filluar të japë goditjet e para ndaj pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë, kjo dhe falë mbështetjes së ndërkombëtarëve.
“Katër vjet janë shumë pak për të kuptuar ndryshimet, por në këto pak vite ka ndodhur e paimagjinueshmja. Institucionet e Drejtësisë me Kushtetutën gëzojnë një pavarësi të plotë, ashtu duhet të jetë dhe në vendimmarrjen e prokurorëve, gjyqësore. Kemi sot goditjet e para ndaj pandëkueshmërisë korruptive, përfshi dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, është momenti që SPAK përmes hetimeve proactive mbështetur në ligj dhe prova të dëshmojë forcën për dhe autoritetin e tij ndaj disa çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike.
Në këto 3 vite SPAK ka iniciuar dhe realizuar me sukses hetimet ndaj grupeve kriminale, e tregon se një pjesë e krerëve janë në kërkim ndërkombëtar. Qëndrueshmëria pozitive në drejtësi është dhe falë mbështetjes së BE dhe SHBA, duhet ti jemi mirënjohjes dhe ambasadorëve që mbajtën në fokus reformën në drejtësi”, tha Xhafaj./Dosja.al
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në fjalën e tij në Kuvend tha se në Shqipëri ka një kategori individësh, që për shkak të statusit, pozicionit apo pasurisë, janë të paprekshëm. Ai theksoi se drejtësia e re e të paprekshmëve të vjetër nuk rregullohet as me rezoluta dhe as me rekomandime.
Bardhi tha se vijojmë të kemi drejtësinë e mikut dhe shokut, drejtësinë që pranon ndërhyrjet politike. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së bëri me dije se janë duke punuar për disa ndryshime në ligjet e Reformës në Drejtësi. Në të njëjtën kohë i mëshoi faktit se opozita do të mbështesë çdo ndryshim që rrit eficencën dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
Fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi
Drejtësia e re e të paprekshmëve të vjetër nuk rregullohet as me rezoluta, as me rekomandime e as me këshilla në këtë sallë. Kështu e kam mbyllur fjalën time ekzaktësisht një vit më parë, ku njëlloj si sot miratonim rezolutat për institucionet e drejtësisë. Ka kaluar një vit dhe për fat të keq asgjë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të bëjmë sikur rekomandojmë, ndërkohë që institucionet e drejtësisë vazhdojnë të bëjnë sikur punojnë. Kjo është tashmë një histori e njohur prej 32 vitesh – ashtu siç i njohur është edhe fakti që në Shqipëri ka një kategori individësh, që për shkak të statusit, pozicionit apo pasurisë, kanë statusin të paprekshëm.
Ishte kjo drejtësia që ne donim të shëmbnim kur miratuam Reformën në Drejtësi me 140 vota në vitin 2016. Kërkuam të shëmbnim drejtësinë e mikut dhe shokut, drejtësinë e ndërhyrjeve politike, drejtësinë që ulte kokën përpara të paprekshmëve. Sot pas 8 viteve me keqardhje të thellë mund të themi që ende nuk ja kemi dalë.
Ne vazhdojmë të kemi drejtësinë e mikut dhe shokut, vazhdojmë të kemi drejtësinë që pranon ndërhyrjet politike, vazhdojmë të kemi drejtësinë që ende nuk ka gjetur kurajon të ngre kokën përpara cilido. Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të mbuluar lirimin e paligjshëm të Saimir Tahirit, shpall në media pa ndodhur ende arrestimin e Vangjush Dakos. Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar Arben Ahmetajn, pret sinjale publike nëpër studio nga Kryeministri Edi Rama. Nëse ai jep sinjale se e ka lëshuar, prokurorët marrin kurajon jo vetëm ta hetojnë, por mundësisht edhe ta denigrojnë. Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar e arrestuar një politikan të lart me pasuri e para të gjetura tashmë prej kohësh jashtë vendit, po pret sinjale se kur arrestimi i tij do i shërbejë Kryeministrit për të mbuluar ndonjë skandal qeveritar.
Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë i lejon vetes të shndërrojë në familje një prokurori të tërë dhe brenda një viti të emërojë aty jo dy, por plot 4 persona brenda një familje. Asnjë reagim për këtë, i vetmi shqetësim i KLP është pse drejtuesi i saj do i nënshtrohet vettingut.
Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nën këmbët e Kryeministrit, pret ti shkojë në sallë Ambasadorja Amerikane që të mos emërojë drejtues të SPAK një të preferuar të Edi Ramës, por dikë tjetër që ishte i vetmi që nuk pranoi ti shkojë si vartës Kryeministrit në zyre, kur ky i fundit tentoi të hapte konkursin kryeministror për të përzgjedhur ai vetë drejtuesin e SPAK.
Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Prokurori i Përgjithshëm merr bekimin e mazhorancës në këtë sallë, vetëm pasi provon se është besnik i familjes kryeministrore dhe hedh në erë një dosje të tërë, duke vecuar procedimin me nr. 335/1 dhe duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht cdo qytetarë në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i cështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si “personi i moshës 45 vjec me flokë të shkurta”, apo “përdorues i automjetit me targa AA653DM”. Ne vazhdojmë për të fat të keq të kemi një drejtësi ku Gjykata Kushtetutese, pasi merr në punë në të njëjtin pozicion drejtoren e kabintetit të Elisës, ka një standart për bordin e ushqimeve dhe një standart për bordin e karburanteve, edhe pse janë identike, me dallimin e vetëm që për të dytin Kryeministri ka interes të drejtpërdrejtë. Sa kohë ju në këtë sallë i mbushët institucionet e reja të drejtësisë me miqtë e shokë tuaj, dhe ato vazhdojnë edhe në detyrë të sillen si miqtë dhe shokët tuaj, qytetarët do presin kot drejtësi. Ajo do jetë drejtësia juaj, por jo drejtësia që prisnin qytetarët. Ajo do jetë drejtësia e Kryeministrit, por jo drejtësia e qytetarit të zakonshëm. Ne do vazhdojmë me rekomandime, ato do vazhdojnë me qoka e ndere.
Gjatë këtyre ditëve ne jemi duke punuar disa ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi. Opozita është përfshirë në atë proces që në nisje, me bindjen e plotë që Reforma në Drejtësi duhet të ecë përpara, duke u përpjekur të shpëtohet aq sa mund të shpëtohet. Edhe në atë proces, unë dhe kolegët e mi jemi dëshmitar sesi institucionet e reja të drejtësisë më shumë kishin merakun sesi të rrisnin kompetencat e tyre, dhe jo sesi ti shërbenin më mirë qytetarëve.
Dua të jem fare i qartë; opozita mbështet dhe do të mbështesë cdo ndryshim që rrit eficencën dhe efikasitetin e sisitemit të drejtësisë. Por ne nuk do të mbështesim asnjë rol të shtuar të Prokurorit të Përgjithshëm; asnjë lehtësim të rregullave të hyrjes në sistemin e drejtësisë; asnjë favorizim apo lehtësim për anëtarët e KLP/KLGJ apo institucioneve të reja, që kërkojnë privilegje të shtuara për vehten.
Reforma në Drejtësi ishte dhe mbetet kërkesë e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që mendonin dhe besonin se kjo reformë do i jepte fund pandëshkueshmërisë, do të siguronte barazinë para ligjit, dhe do i hiqte përfundimisht statusin “të paprekshëm” një grushti njerëzish që kontrollojnë qeverisjes dhe ekonominë e vendit. Për të arritur këtë qëllim, vota jonë do të jetë gjithmonë pro. Por vetëm për këtë.
Qytetarët duhet të fillojnë të marrin mbrapsht besimin që investuan tek Reforma në Drejtësi, duhet të shohin që ato që deri dje gëzonin statusin “të paprekshëm” të ndjejnë frikën e asaj që quhet drejtësia e re. Koha është tani, sepse nesër është shumë vonë.
TIRANË- Nga foltorja e Kuvendit, kreu i Këshillit të lartë të Prokurorisë, Alfred Balla i është përgjigjur akuzave të opozitës, duke komentuar emërimin e 4 anëtarëve të familjes së deputetes së PS, Ermonela Felaj, në Prokurorinë e Tiranës. Ai iu drejtua opozitës se kanë miratuar një ligj në 2019, dhe përderisa nuk është shfuqizuar, nuk ka asnjë pengesë të bëhet një kërkesë e tillë. Alfred Balla shtoi më tej se është në dorën e deputetëve për të ndryshuar nenin dhe deri në momentin që kjo nuk ndodh nuk ka pengesa.
“Në lidhje me 4 anëtarë të familjes së një deputeteje. Ne nuk i lidhim emrat dhe mbiemrat e prokurorëve me deputetë, disa i dimë dhe disa nuk i dimë kush i kanë lidhjet apo si i kanë me deputetët. Por neve na shqetëson vetëm papajtueshmëria ambientale, duhet të dini që vetë ju në vitin 2019 keni miratuar një ligj i cili ka ardhur si nevojë e shfuqizimit të Gjykatës Kushtetuese i ka bërë këtij neni. Ne e kemi diskutuar dhe rasti i fundit meqënëse e lidhni me disa emërime që kanë lidhje krushqie-kunat, motër-vëlla pranë Prokurorisë së Tiranës, ka qenë një koicidencë që në këtë Prokurori të madhe të aplikojnë.
Nëse ju që keni miratuar një ligj të ri në 2019, i cili vjen pas Reformës në Drejtësi, mendoni se duhet ndryshuar, mund ta ndryshoni jeni të lirë, jemi dakord. Ne e kemi pasur këtë shqetësim, në Komisionin e Karrierës është diskutuar kjo gjë. Ne si pengesë ligjore nuk kemi, ia kam bërë pyetje edhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i thashë: “Tani kemi hallin e moralit apo të zbatimit të ligjit”, unë personalisht nuk do të ngrija dorën për të dhënë një vendim kur jam 100% i sigurtë që Gjykata Administrative mua do të ma rrëzojë”, tha ai.
TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, ka paraqitur këtë të hënë në Kuvend raportin vjetor të SPAK. Deputetja demokrate, Albana Vokshi, e ka pyetur se çfarë po ndodh me kallëzimet për krimet elektorale të 2021 dhe çështjen e McGonigal. Ai iu kundërpërgjigj duke i vënë në dukje se pjesa më e madhe e tyre janë në hetim, dhe se nuk mund të japë të dhëna e të raportojë për çështje konkrete.
“Pjesa më e madhe e tyre janë në hetim. Nuk mund të jap të dhëna e të raportoj për çështje konkrete. Por përsa kohë janë në hetim, ndaj me ju të njëjtën shqetësim me ju lidhur me disa çështje që janë të mbartura, që kanë kohë në hetim dhe duhet të disponohen nga prokurorët me një vendimmarrje. Unë si drejtues Prokurorie kam të drejtë ti krijoj kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme. Që nga dita e parë në këtë detyrë jam përpjekur ta bëj dhe shpresoj që në të ardhmen të kemi përgjigje me vendimmarrje”, përfundoi ai.
TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2022. Në seancën e sotme plenare, Çela tha se ka një rritje konstante përsa i përket personave të dënuar. Po kështu ka përcjellë detaje sa i takon zhvillimit të hetimeve në lidhje me çështje të ndryshme penale, përfshirë krimin e organizuar, dhunën në familje, kultivimin e lëndëve narkotike apo shpërdorim të detyrës.
Ai deklaroi se për vitin që lamë pas, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100 mijë banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër.
Qarku Berat cili ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021. Gjatë bilancit që bëri, ai shtoi më tej se gjatë vitit 2022 është vendosur pezullimi i hetimeve për 7762 procedime, pasi nuk njihet autori.
Pjesë nga fjala në Kuvend:
Gjatë vitit 2022, organi i Prokurorisë në hetimet paraprake ka trajtuar 61114 materiale. Janë ndjekur gjithsej 48315 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 1,69 % në krahasim me vitin 2021, nga të cilat janë 25737 procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 9,27 % në krahasim me vitin 2021. Janë mbartur 21883 procedime penale, me rritje prej 20,21 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2021. Është vendosur mosfillimi i procedimit për 12799 referime dhe kallëzime penale. Numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me 33,88 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Berat, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Gjirokastër.
Sa i përket tendencës, vërehet se rritjen më të lartë e ka qarku Shkodër me 10,64 %, ndërsa qarku Berati cili ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtar rezulton me ulje 25,09 % krahasuar me vitin 2021. Ndër grup-veprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se -veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 29,45 %, por me një ulje 7,53 % krahasuar me vitin 2021. Veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 26,16 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 14,87 % krahasuar me vitin 2021; -veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 6,08 %, me një rritje prej 4,89 % në krahasim me vitin 2021; -veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës me 5,05 %, që kanë ulje 33,62 % të numrit të procedimeve të regjistruara në krahasim me vitin 2021;
Ngritja e përfaqësimit të akuzës në gjykatë dhe ekzekutimi i vendimeve penale
-Gjatë vitit 2022 nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 11006 çështje (rritje prej 4,75 % në krahasim me vitin 2021) me 12958 të pandehur (rritje prej 4,90 % në krahasim me vitin 2021), të cilat përbëjnë 66.87 % të totalit të çështjeve në raport me çështjet e pushuara. Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 13138 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal (me ulje 9,84 % në krahasim me vitin 2021).
-Në vitin 2022 në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë është urdhëruar ekzekutimi i 9,146 vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë (ulje 17,84 % krahasuar ne vitin 2021), janë ekzekutuar 4897 vendime penale dhe kanë mbetur pa u ekzekutuar 3806 vendime.
Efiçenca në përfundimin e ndjekjes penale dhe e kërkesave në gjykatë
-Gjatë vitit 2022 janë përfunduar 25853 çështje, me rritje të lehtë nga 2021, prej të cilave: 42,49 % janë dërguar për gjykim, 25,30 % janë pushuar, 30,03 % janë pezulluar .
-Janë dërguar 254 kërkesa për miratim urdhri penal, me 265 të pandehur ose krahasuar me vitin 2021 me ulje 3,79 % të kërkesave dhe ulje 1,49 % të pandehurve, -Janë dërguar 265 kërkesa për miratim të marrëveshjes së fajësisë, me 268 të pandehur ose krahasuar me vitin 2021 me ulje 49,04 % numrit të kërkesave për miratim marrëveshje si dhe refuzimi i miratimit të marrëveshjes dhe pushimi i çështjes në 5 raste ose me ulje 44,44% krahasuar me vitin 2021.
-Është kërkuar gjykimi i drejtpërdrejtë për 245 çështje me 247 të pandehur, që krahasuar me vitin 2021, përbëjnë ulje prej 11,87 % të numrit të çështjeve për të cilët është kërkuar ky lloj gjykimi.
-Gjatë vitit 2022, janë dërguar në gjykatë për pushim 5440 çështje, me rritje 16,09 % krahasuar me vitin 2021, prej të cilëve 41,91% janë pushuar për mungesë fakti. Nga të dhënat rezulton se për 140 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ose me ulje 2.78 % krahasuar me vitin 2021, ndërsa për 6 çështje ka vendosur kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës, shifër e njëjtë me vitin 2021.
Gjatë vitit 2022, gjithashtu, është vendosur pezullimi i hetimeve për 7762 procedime për shkak se autori nuk njihet apo nuk është zbuluar autori i veprës penale ose me ulje prej 12,43 % e çështjeve të pezulluara krahasuar me vitin 2021".
TIRANË- Gjatë raportimit në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami thotë se me hartën e re gjyqësore, për të shqyrtuar një çështje tashmë do të duhen të paktën 6 herë më pak kohë, se sa nevojitej para fillimit të zbatimit të saj. Ajo tha se koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve ndryshon në varësi të gjykatave. Problematikë paraqitet gjendja në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku tendenca për zgjidhjen e çështjeve, përpara zbatimit të hartës së re gjyqësore, përllogaritej se do shkonte në 16.4 vite.
“Gjykata e Lartë, gjatë vitit 2022 ka funksionuar me 70% të gjyqtarëve dhe 74% të administratës gjyqësore, të parashikuar në organikë. Viti 2022 u përmbyll me një stok të reduktuar me 12% me një vit më parë.
Gjithashtu, edhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion, ndonëse ka funksionuar me 72% të gjykatës dhe nuk ka pasur ngarkesë të lartë të çështjeve, nuk ka mundur ta permirësojë performancën krahasur me vitin e kaluar.
Përsa i përket Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, evidentohet se rritja e numrit të gjyqtarëve në vitin 2022, ka sjellë rritjen e tërësisë së treguesve të efiçencës në gjykatë. Gjykatat e Apelit të Përgjithshëm kanë evidentuar një përkeqësim të efiçencës gjatë vitit 2022.
Koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve ndryshon në varësi të gjykatave. Problematikë paraqitet gjendja në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku tendenca për zgjidhjen e çështjeve, përpara zbatimit të hartës së re gjyqësore, përllogaritet se do shkonte në 16.4 vite. Me një Gjykatë të vetme Apeli, projeksionet tona tregojnë se koha e nevojshme do të jetë 6 herë më pak”, theksoi ajo.
TIRANE- Kreu i SPAK, Altin Dumani, prezantoi sot në Kuvend raportin vjetor 2022 të institucionit që ai drejton. Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ka listuar metodat që përdoren nga SPAK për të hetuar, ndërsa ka vënë theksin se gjatë vitit 2022 janë dënuar 4 zyrtarë të lartë dhe janë hetuar 24 procedime penale gjatë periudhës 2020-2022. Në fjalën e marrë në Kuvend, ai ka rendituar disa nga problematikat e këtij institucioni. Ai theksoi se problematikë është mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit të organizuar, kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Fjala e Dumanit
“Jam para jush për të prezantuar raportin e SPAK gjatë 2022. Dua të bëj me dije se SPAK i ka adresuar rekomandimet të rezolutës së Kuvendit dhe rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave. Sa i takon rekomandimit për pavarësinë institucionale, SPAK vijon të cilësoj thelbësore pavarësinë e saj. Lidhur me sistemin e menaxhimit të çështjeve, SPAK po krijon një sistem të brendshëm që mundëson digjitalizimin e të dhënave që do të rrisë efikasitetin e shkëmbimit të të dhënave.
Në lidhje me forcimin e hetimit, theksoj se ka një rritje të regjistrimeve penale. Ka dhe një rritje të hetimeve proaktive.
Metodat speciale te hetimit, janë përdorur përgjimet, simulimi i aktit korruptiv, dorëzimi i kontrolluar apo agjenti i infiltruar.
Në lidhje me hetimet në lidhje çështjet e korrupsinit të nivelit të lartë, gjatë 2022, janë dhënë katër vendime dënimi. Ndërkohë 2020-2022, janë hetuar 24 procedime penale nga 25 persona në hetim.
Sipas DASH, SPAK ka bërë përparim. Janë sekuestruar dhe konfiskuar një portofol divers asetesh. Kemi sekuestruar 12 pasuri të luatjshme, 34 të paluajtshme, 13 subjekte tregtare (11 të konsfiksuara)”, tha Dumani.
TIRANË- Kryetarit të PD-së, Sali Berishës, ia ka marrë vemendjen për pak çaste telefoni, ndërsa në Kuvend vijojnë diskutimet sipas rendit të ditës. Një mesazh në Whatsapp, e ka ‘shpërqendruar’ Berishën nga diskutimet në seancë plenare. Në foton e publikuar nga LSA në sallën e Kuvendit, duket se Berishës i vijnë mesazhe në Whatsapp, mes tyre dhe një reagim i avokatit Spartak Ngjela.
Në një nga intervistat e dhëna për mediat, avokati Spartak Ngjela tha se zgjidhja në PD është që Berisha të largohet.
“Ne dorë e ka Saliu, do tërhiqet? PD është parti e djathtë dhe të jesh i djathtë do të thotë të jesh nën influencën e SHBA. Saliu ka shpresë se mos shpëton "non gratën". Saliu nuk tërhiqet se ka frikën e "non gratës". Po këta që janë me Saliun dhe e panë që nuk kanë të ardhme, brenda 2-3 muajsh do kalojnë te PD zyrtare”, shtoi avokati.
Këtë angazhim politik, Ngjela e sheh si një frikë të Berishës ndaj Reformës në Drejtësi.
“Një njeri i mundur prej një dekade, natyrisht që ka deviacion në psikik, është dhe interesi i tij, se vuan shumë nga Reforma në Drejtësi. Erdhën 300 hetuesit të shohim se çdo bëjë SPAK”, përfundoi Ngjela.
TIRANË- Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, pati një përplasje pak çaste më parë në Kuvend me deputetin demokrat, Asllan Dogjani, pasi ky i fundit i kërkoi fjalën në Kuvend për procedurë, por nuk iu lejua.
Dogjani iu drejtua kryeparlamentares me tone të larta, duke i thënë se kjo e fundit po e trajton Parlamentin si pronë private.
Pjesë nga diskutimi:
Nikolla: Ju lutem uluni në vend,
Dogjani: Kam kërkuar fjalën për procedurë, po e trajtoni Parlamentin si pronë private, turp të keni
Nikolla: Uluni në vend o zotëri!
TIRANË- Kryetari i grupit parlametar të PS-së, Taulant Balla, në një prononcim të shkurtër për mediat, ka deklaruar se dy projektligje të iniciuara nga mazhoranca socialiste për verifikimin e figurës së politikanëve në lidhje me të shkuarën e tyre në komunizëm, ka për synim që të mos jenë në Kuvend apo kryetarë të partive politike. Ai theksoi se ata vazhdojnë si zvarranikë që riciklohen dhe të arrijnë majat më të larta, por publiku duhet t’i njohë dhe s’mund të jenë më kryetarë partie.
“A është dakord opinionin publik shqiptar që persona të cilën kanë qenë pjesë e organeve represive të diktaturës, të vazhdojnë si zvarranikë të riciklohen, dhe madje të arrijnë deri në majat më të larta të shtetit shqiptar?
Personi që ju thatë, ka arritur të jetë Presidenti i Republikës, në rast se personi në fjalë Meta vërtetohet pas procesit të verifikimit të ketë qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Këta persona publiku t’i njohë, të paktën në Kuvendin e Shqipërisë, apo kryetar të partive politike, të mos jenë. Tani s’mund të jenë më kryetarë partie, duhet të jetë një masë e përkohshme, ne ia kemi detyrim të gjitha atyre që kanë vuajtur në kurriz tmerret e atij sistemi”, tha Balla.
TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, i kërkoi drejtueses së seancës Ermonela Felaj të jepte dorëheqjen, pas emërimit të katër familjarëve të saj në sistemin gjyqësor. Nga foltorja e Kuvendit, ajo tha se është shkelur rendi i ditës në Parlament, pa pasur asnjë rast urgjent, duke futur sot në seancë raportet e institucioneve të pavarura.
Vokshi: Në ditët e fundit të qershorit është shpërndarë kalendari. Në faqen zyrtare të Parlamentit gjendet ky kalendar që nuk ka lidhje me rendin e ditës, por me urdhrin e Lindita Nikollës.
Rendi mund të shkelet për çështje urgjente dhe ne nuk kemi asnjë urgjencë. Nëse është urgjente se e mbyllët me urdhër të Ramës, jo nuk përbën çështje për të shkelur rregulloren. Rendi i ditës së sotme ka disa shkelje. Në fakt nuk pres nga ju znj Felaj që të respektoni rregulloren, pasi ju nuk duhet të ishit sot aty, do ishte në nderin tuaj të kishit dhënë dorëheqje për ndërhyrje në Reformën në Drejtësi apo institucione. Ju znj Felaj duhej të kishit dhënë dorëheqjen, pas skandalit të emërimit të…
Felaj: Znj Vokshi ju mbaroi minutazhi.
Vokshi: Më lini të flas, ashtu siç latë dhe Ballën 3 minuta shtesë.
TIRANË- Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka kërkuar ditën e sotmme ndryshim të rendit të ditës në seancën e sotme plenare. Gjatë fjalës në Kuvend, Tabaku ka deklaruar se duhet të diskutohet në mënyrë urgjente paketa e ndryshimeve në drejtësi. Po ashtu për vizitën e Presidentit Bill Clinton në Shqipëri, Tabaku shtoi se do ishte e udhës që të përshendetej nga Kuvendi.
Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se nuk mund të bëhen ndryshime në reformën në drejtësi pa u konsultuar me dy partnerët, SHBA-në dhe BE-në. Po ashtu Balla ftoi deputetët e opozitës të jenë pjesë e ceremonisë së pritjes dhe dekorimit të Presidentit Clinton.
Pjesë nga debati:
Tabaku: E para, në emër të PD dua t’i uroj mirëseardhjen Presidentit Clinton në Tiranë. Ai ka bërë shumë për Shqipërinë, për Kosovën, për shqiptarët ashtu siç ka thënë; Ne fituam luftën, koha që ju të fitoni paqen. Do kish qenë normale që ky parlament t’i uronte mirëseardhjen por edhe kjo vizitë po trajtohet si një vizitë private. Sesioni po përfundon dhe ne nuk jemi gati për të miratuar paketën e reformës në drejtësi. Nëse duhet të diskutohet në mënyrë urgjente është paketa e ndryshimeve në drejtësi, paraqitja pa konsultim dhe heqja e nga portali i diskutimeve, ajo që është më e rëndësishmja është një diçka abuzive.
Balla: Tabaku qetësohu se në dy minuta shkove nga Amerika tek kanabisi, vizita e Klinton në prag të pavarësisë është e mirëseardhur, e gjithë opozita që e konsideron, duhet të jetë pjesë e këtij momenti sot ku kryeministri do të dekorojë zotin Klinton për gjithë atë kontribut. Mos u vetëpërjashtoni, është një ceremoni e hapur, fakti që e dekoron kryeministri, do nderoni veten tuaj dhe ata që ju kanë sjellë këtu. Kuvendi duhet të shprehet me një rezolutë për drejtësinë në tërësi. Nuk shkon të bëjmë një për ILD një për SPAK, do të bëjmë një për drejtësinë në përgjithësi. Për sa i përket pjesës tjetër, se vetëm tek Tabaku ka vend për të replikuar se ata që furnizonin me naftë Millosheviçin. Pa u konsultuar me SHBA dhe BE nuk bëjmë ndryshime në reformën në drejtësi. Nuk do e kishim bërë dot, do të ishte Adriatiku, do të ishte ky se shkonte i biri, mos ta përdorim këtë për politikë, janë çështje të rëndësisë kombëtare. Edhe ju jeni pjesë e komunikimeve. Të mërkurën takim përfundimtar me miqtë ndërkombëtarë, pa të cilët nuk do e bënim reformën, pse jo t’i miratojmë në seancën e fundit, ta nisim shtatorin me miratimin e ndryshimeve.
TIRANË- Që në nisje të seancës në Kuvend, agravoi debati mes Sali Berishës dhe nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, pasi kryetari i PD-së e akuzoi se e ka shndërruar Prokurorinë e Tiranës në strofull familjare. Berisha dhe deputetët të tij i kërkuan Felajt të mos ishte drejtuese e seancës, duke e akuzuar se “ka uzurpuar Prokurorinë e Tiranës me familjarë të saj”.
Në një moment iu përgjigj edhe akuzave të deputetit të Partisë Demokratike, Luan Baçi, duke thënë se titujt nuk ia ka dhënë politika, por arsimi.
Luan Baçi: E keni bërë këtë shtet, drejtësinë e parlamentin duke e mbajtur në një dorë.
Ermonela Felaj: E kuptoj që vini nga bashkimet profesionale e kultura e vjetër komuniste, e të marrurit të familjarët është në ADN-në tuaj. E ke mbushur prokurorinë me familjarët e tuaj. Ta dish ti dhe të gjithë të tjerët, ato tituj nuk na i ka dhënë politika, por arsimi. Se magjistrat nuk të bën politika por shkolla, nuk jemi plepista. Nuk jemi nga listat e Sali Berishës kur ishte president. Ulu! Ato çështjet nuk i trajtoni ju. Mos sillni familjarët në sallë. Është e shpifur kultura juaj komuniste.
Ndërhyn Sali Berisha nga salla. Kërkon replikë nga foltorja por Felaj refuzon
Ermonela Felaj: "Duhej të largoheshit ju e familja juaj që jeni shpallur non grata për "korrupsion masiv". Unë jam krenare për veten time dhe në familjen tonë nuk gjen asgjë të zezë. TI je krejt i zi ti dhe familja juaj".
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Saimir Korreshi ka shkuar në seancën e sotme plenare me një buqetë me grurë. Teksa ka folur për mediat në hyrje të Kuvendit, Korreshi ka deklaruar se të gjithë fermerët që kanë mbjellë grurë kanë dalë me humbje, pasi nuk kanë marrë asnjë subvencion, edhe pse qeveria ua kishte premtuar.
“Janë nga fermerët e Myzeqesë drejtuar qeverisë, veçanërisht ministres të Bujqësisë, që u tha të gjithëve të mbjellin grurë edhe në prill. Meqë i morëm votën, ia futën pak në çmim. Nuk po i subvencionojnë fermerët, që po sheshin grurin me çmim shumë më të ulët se ai në bursë. Të gjithë fermerët kanë dalë me humbje dhe presin nga qeveria t’u japë ndonjë subvencion”, tha Korreshi.
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Kuvendi ka reduktuar kohën e debatit lidhur me raportet e veprimtarive vjetore të katër institucioneve të drejtësisë.
Duke replikuar me nënkryetaren e Kuvendit, Ermonela Felaj, ai hodhi akuza mbi të, për të cilën tha se nuk duhet të flasë pasi e ka shndërruar Prokurorinë e Tiranës në strofull familjare.
"Fakti që ju keni kufizuar debatin kur përputhej me kushtetutën, drejtësia vjen raporton para parlamentit dëshmon shkallën e inkriminimit tuaj, dëshmon sikur të ishin banorë të 313 apo të Peqinit e jo parlamentar. Dëshmon se keni frikë nga krimet e tuaja elektrorale, jo elektorale, ordinere, afera korruptive, dëshmon se jeni skllevër të veprave tuaja.
Felaj: Ju iu është dhënë fjala për procedurë
Berisha: Vetëm ti s’duhet të flasësh, e shndërrove Prokurorinë e Tiranës si strofull familjare, turp turp, turp
Felaj: Berisha uluni
Berisha: Kaq kisha për të thënë
Felaj: Ashtu…Mos mashtro kur nuk fjalën për procedurë".