LIVE UPDATES
Sport

Lamtumirë kapiten! Ndërron jetë Nuri Bylyku, një legjendë e familjes bardheblu…

Homazhet për këtë figurë të spikatur të Tiranës do të mbahen sot nga ora 11.00-12.00 ambjentet e stadiumit ‘Selman Stërmasi’, më pas varrimi në Sharrë

18 Janar 2023, 10:15 Nga DOSJA

Lamtumirë kapiten! Ndërron jetë Nuri Bylyku, një

TIRANE - Ka ndërruar mbrëmë jetë, në moshën 85-vjeçare, Nuri Bylyku, ish-kapiteni i Tiranës së madhe të viteve ’63-’70, një legjendë e familjes bardheblu të kryeqytetit. Ai ishte një autokton tiranas, i lindur më 10 prill të vitit 1937, duke u bërë edhe përfaqësues i dy gjeneratave në radhët e skuadrës Tiranës.

Mesfushori luftarak Nuri Bylyku, pasi kreu shërbimin ushtrak në radhët e Partizanit, ku u shpall edhe kampion, u rikthye në radhët e skuadrës së Tiranës, ku edhe e kishte nisur rrugën e bukur të futbollit.

Nuri Bylyku, ishte kapiteni i parë i skuadrës së Tiranës, që në përfundim të sezonit 1964-65, do të ngrinte trofeun e kampionit të Shqipërisë, duke thyer hegjemoninë e Partizanit dhe Dinamos në futbollin shqiptar që me krijimin e tyre.

Lamtumirë kapiten! Ndërron jetë Nuri Bylyku, një
Tirana e madhe e viteve '60...

Pasi ndërpreu karrierën e tij sportive, Nuri Bylyku, nuk u largua nga klubi i Tiranës, duke kryer detyra drejtuese, qoftë si trajner, inspektor dhe shef klubi.

Familja bardheblu sot është në zi! Ajo ka humbur njeriun, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi klubit të Tiranës, ajo ka humbur një prej kapitenëve të saj, një ikonë të asaj Tirane të madhe, që ka bërë histori në futbollin shqiptar… Homazhet, për këtë figure të spikatur do të mbahen sot nga ora 11.00-12.00 ambjentet e stadiumit ‘Selman Stërmasi’, më pas varrimi në Sharrë

Lamtumirë kapiteni Nuri Bylyku…

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll