Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
Vitin e kaluar, Shqipëria u anëtarësua në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Brenda vitit 2025 pritet që institucionet shqiptare të pagesave të fillojnë të operojnë në sistemet e SEPA. Në 2024 u shënua rritje e mëtejshme e përfshirjes financiare dhe dixhitalizimit të pagesave.
TIRANË- Viti 2024 solli zhvillim shumë të rëndësishëm për sektorin financiar dhe në përgjithësi për gjithë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në nëntor, Shqipëria u pranua zyrtarisht në zonën unike të pagesave në Euro (SEPA).
Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë. Aktualisht, sektori bankar në Shqipëri i ekzekuton transfertat ndërkombëtare nëpërmjet bankave të huaja korrespondente. Një zgjidhje e tillë sjell komisione të larta dhe kohë relativisht të gjatë për kryerjen e transfertave.
Sipas analizave të kryera nga Banka Botërore, një pagesë nga Shqipëria drejt zonës SEPA sot kushton gati 10 herë më shumë se një pagesë brenda zonës SEPA.
Transferta kërkon disa ditë pune, ndërsa me anëtarësimin në SEPA pritet që paratë të transferohen në llogarinë e përfituesit maksimalisht brenda një dite pune.
Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë, Bashkimin Europian, pritet të lehtësojë zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare. Bizneset shqiptare do të kenë akses në një treg të madh me mundësi për zgjerimin e shërbimeve dhe produkteve dhe rritjen e konkurrencës.
Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me Investimet e Huaja Direkte. Ulja e kostove të transfertave në Euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.
Projeksionet e Bankës së Shqipërisë janë që në afat të mesëm, ekonomia shqiptare do të përfitojë disa qindra milionë euro nga aderimi në SEPA. Nga pikëpamja e stabilitetit financiar, pjesëmarrja në SEPA ofron një mënyrë për të adoptuar sisteme më moderne, më të sigurta dhe më eficiente të pagesave elektronike.
Efektet
Pjesëmarrja në SEPA vlerësohet se do të ketë një kontribut domethënës në sektorë strategjikë siç është turizmi dhe në rritjen flukseve të lidhura me Investimet e Huaja Direkte. Ulja e kostove të transfertave në Euro pritet të ndikojë dhe në formalizimin e flukseve të remitancave.
Data më e afërt është 5 tetori 2025
Pas anëtarësimit të Shqipërisë në zonën SEPA, institucionet e pagesave duhet të anëtarësohen individualisht për të marrë pjesë në skemat e saj. Sipas shpjegimeve të Bankës së Shqipërisë, data më e afërt për nisjen e veprimeve në sistemin SEPA nga bankat dhe institucionet e pagesave në Shqipëri është 5 tetori 2025.
Ofruesit e shërbimeve të pagesave nga Shqipëria mund të anëtarësohen në SEPA duke filluar muaji prill 2025. Megjithatë, ekziston një periudhë e ndërmjetme mes anëtarësimit dhe gatishmërisë së plotë operacionale ose mundësisë për të kryer transferta nëpërmjet sistemeve të SEPA.
Si rregull, aplikantët e skemës mund të dërgojnë aplikimet e tyre dhe të përfshihen në Regjistrin e Pjesëmarrësve të Skemës deri në 6 muaj përpara datës së parashikuar të gatishmërisë operacionale. Megjithatë, data e saktë e gatishmërisë operacionale do të duhet të përcaktohet nga çdo ofrues i shërbimit të pagesave, së bashku me mekanizmin e zgjedhur të klerimit dhe shlyerjes së pagesave.
Kriteret e pranimit në SEPA janë specifike për secilën skemë, por në thelb, të gjitha kërkojnë minimalisht përmbushjen e disa kritereve minimale, si të pasurit e një licence për ofrimin e shërbimeve të pagesave nga autoriteti rregullator i vendit përkatës, aftësia dhe kapacitetet për të përballuar kërkesat e lidhura me luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, kriteret e lidhura me administrimin e rrezikut dhe kërkesat për kapitalizimin, aftësinë paguese dhe likuiditetin.
Skemat e pagesave të SEPA janë ajo e Transfertave të Kreditit (SCT), e Transfertave të Kreditit në Çast (SCT instant) dhe ajo e Debitimit Direkt (SDD). Dy skemat e para mundësojnë kryerjen e transfertave mes llogarive të klientëve në institucionet anëtare të pagesave.
Ndryshimi mes tyre është se në Skemën e Transfertave të Kreditit, transfertat ekzekutohen brenda një dite pune, ndërsa në Skemën e Transfertave të Kreditit të Çastit, ato kryhen brenda pak sekondash.
Skema e Debitimit Direkt u mundëson bizneseve mbledhjen direkte të detyrimeve utilitare apo pagesave periodike automatikisht nga llogaria e klientit, me miratimin e tij.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në vitin e parë të pjesëmarrjes në SEPA, ekonomia shqiptare pritet të kursejë rreth 20 milionë euro.
Kursimi
Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në vitin e parë të pjesëmarrjes në SEPA, ekonomia shqiptare pritet të kursejë rreth 20 milionë euro.
Viti 2024 solli një tjetër zhvillim të rëndësishëm në sektorin e pagesave, licencimin e institucionit të parë financiar jobankë për ofrimin e shërbimeve të bankingut të hapur (open banking). Deri në muajin mars të këtij viti, numri i operatorëve të licencuar për shërbimet e open banking ka arritur në dy, ndërsa Banka e Shqipërisë bën të ditur se disa operatorë të tjerë janë në proces licencimi.
Në fillim të këtij viti, institucionet e licencuara financiare kanë njoftuar edhe kryerjen e transaksioneve të para nëpërmjet open banking.
Bankingu i hapur është një risi, që u mundëson qytetarëve të aksesojnë të dhënat e llogarisë së tyre dhe të inicimit të pagesave nga bankat dhe institucionet e tjera financiare, nëpërmjet ofruesve të shërbimit të palëve të treta. Në ndryshim nga bankingu tradicional, ku vetëm klienti dhe banka kanë akses në të dhënat financiare, bankingu i hapur iu jep mundësinë klientëve t’i ndajnë këto të dhëna në mënyrë të sigurt, me një ofrues tjetër shërbimi për të shtuar përfitimet e klientëve nga përvojat inovative financiare.
Kjo do të thotë se klientët mund të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht vetëm nëpërmjet bankës, ku kanë llogarinë.
Bankingu i hapur ishte një nga risitë kryesore të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, që hyri në fuqi në janar 2021, mbështetur mbi parimet kryesore të Direktivës së Dytë të Bashkimit Europian për pagesat (PSD 2) dhe synon të sjellë më shumë konkurrencë në këtë treg, duke krijuar më shumë hapësira për institucionet financiare të pagesave.
Koha e nevojshme për plotësimin e kuadrit nënligjor dhe përgatitjen e aktorëve të tregut zgjati më shumë se parashikimet, por pas disa vonesave dhe shtyrjeve tashmë, bankingu i hapur ka hedhur hapat e parë dhe është bërë operacional.
Fillon projekti i instant payments
Me gjithë rritjen e shpejtë të pagesave me kartë në vitet e fundit, edhe me shtysën e turizmit, sërish vlerësohet se ekonomia shqiptare karakterizohet nga një shkallë e lartë e përdorimit të parasë cash, fenomen i lidhur me informalitetin dhe evazionin fiskal, shkallën e edukimit financiar, por pjesërisht edhe me kostot që bartin për tregtarët skemat e pagesës me kartë.
Në muajin janar, Banka Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan me Bankën e Italisë marrëveshjen e bashkëpunimit mbi nisjen e projektit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në vendet e Rajonit.
Marrëveshja e bashkëpunimit parashikon që Banka e Italisë të ofrojë një sistem pagesash të shpejta të bazuar në një kopje të shërbimit TIPS, e cila është platforma europiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale.
Platforma e re, e cila do të jetë funksionale brenda 18 muajve nga nisja e punës (e planifikuar për javët e ardhshme) do të mundësojë kryerjen e pagesave në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse.
Sistemi i pagesave të shpejta pritet të sjellë një alternativë më të lirë dhe më të shpejtë për pagesat nga konsumatori te biznesi dhe për të rritur nivelin e përdorimit të pagesave elektronike.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave të shpejta mund t’u kursejë qytetarëve, bizneseve, aktorëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, rreth 35 – 40 miliardë lekë.
Adoptimi i një sistemi pagesash të shpejta sjell një sërë përfitimesh në nivel kombëtar, duke filluar me nxitjen e efikasitetit të ekonomisë, rritjen e përfshirjes financiare dhe reduktimin e ekonomisë informale.
Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, sistemi i pagesave të shpejta do të sjellë rritje drastike të pagesave elektronike në tregun shqiptar.
Pagesat e shpejta
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave të shpejta mund t’u kursejë qytetarëve, bizneseve, aktorëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, rreth 35 – 40 miliardë lekë.
78% e shqiptarëve kanë llogari pagese
Të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se përfshirja financiare ka vazhduar të rritet vitin e kaluar. Përqindja e popullsisë që zotëron të paktën një llogari pagese vitin e kaluar vlerësohet se ka arritur në 78%, nga rreth 70% që ishte një vit më parë dhe 40% që kishte qenë në vitin 2015.
Statistikat tregojnë se numri total i llogarive bankare në fund të vitit të kaluar arriti në më shumë se 3.45 milionë, me një rritje prej 6.7% krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar, numri i llogarive në sektorin bankar është zgjeruar me më shumë se 218 mijë të tilla.
Numri i llogarive bankare të subjekteve rezidente në Shqipëri vitin e kaluar u rrit si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve.
Llogaritë e individëve rezidentë arritën në 3.09 milionë, me një rritje vjetore prej 5%. Numri i llogarive të individëve është rritur në mënyrë të qëndrueshme në vitet e fundit, megjithatë ndodhet ende poshtë nivelit maksimal prej 3.24 milionësh, të regjistruar në vitin 2016.
Vitin e kaluar, hyri në fuqi ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Vlerësohet se ligji i ri i ka dhënë një shtysë të mëtejshme përdorimit të llogarive bankare nga shqiptarët.
Sipas ligjit, llogaria e pagesave me shërbime bazë do t’u ofrohet konsumatorëve në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit dhe historikut të aftësisë paguese. Për mbajtësit e kësaj llogarie, bankat duhet të ofrojnë disa shërbime bazë të pagesave, pa aplikuar tarifa, ose kundrejt një tarife të arsyeshme.
Në veçanti, bankat duhet ofrojnë të gjitha shërbimet bazë të pagesave me tarifë zero, për kategoritë të cilat përfitojnë nga programet dhe politikat për skemat e ndihmës ekonomike dhe sociale sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Shqipërisë.
Vitin e kaluar, numri i llogarive të bizneseve shënoi rritje të fortë, pas rënies së vitit 2023. Në fund të vitit të kaluar, bizneset kishin pothuajse 292 mijë llogari bankare, në rritje me 25.6% krahasuar me një vit më parë.
Edhe numri i llogarive të jorezidentëve u rrit me ritme të larta vitin e kaluar, me 18.8% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Numri i përgjithshëm i tyre arriti në pothuajse 72 mijë dhe llogaritë jorezidente përbëjnë rreth 2.1% të numrit të përgjithshëm të llogarive në bankat shqiptare. Llogaritë e jorezidentëve dominohen kryesisht nga individët dhe rritja e vitit të kaluar erdhi kryesisht në këtë segment.
Një shqiptar kryen mesatarisht 23 pagesa dixhitale në vit
Një tregues i rëndësishëm për të monitoruar shkallën e dixhitalizimit të shërbimeve financiare është numri i pagesave nëpërmjet kanaleve elektronike. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i pagesave dixhitale për frymë vitin e kaluar arriti në 23, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015.
Përdorimi i kanaleve bankare të pagesave nga shqiptarët shënoi përsëri një rritje të shpejtë në vitin 2024. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, individët dhe bizneset kryen rreth 48.3 milionë pagesa në rrugë bankare, në rritje me 21.5% krahasuar me një vit më parë.
Vlera totale e transaksioneve arriti në 6.44 trilionë lekë, në rritje me 5% krahasuar me vitin e kaluar. Rritja më e vogël e pagesave në vlerë krahasuar me rritjen si numër transaksionesh tregon se rritja e veprimeve bankare po ndikohet ndjeshëm nga transaksionet në vlerë të vogël, që reflektojnë kryesisht pagesat e kryera nga konsumatorët në llogaritë e bizneseve.
Që prej vitit 2022, pagesat bankare që klientët kryejnë nga llogaritë e tyre (duke përjashtuar pagesat me kartë) po dominohen nga kanalet elektronike të internet banking. Kjo do të thotë se sot, vetëm një pakicë e veprimeve kryhen duke u paraqitur fizikisht në mjediset e bankave.
Për vitin 2024, më shumë se 61% e transfertave bankare kryen nëpërmjet kanaleve elektronike të internet banking, nga 57% që ishte pesha e tyre një vit më parë.
Të dhënat e detajuara tregojnë se përdorimi i pagesave bankare në distancë (home banking) u rrit për të katërmbëdhjetin vit radhazi në 2024. Numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 9.36 milionë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22%, ose me 1.7 milionë veprime më shumë. Në harkun e pesë viteve të fundit, numri i transaksioneve të home banking është rritur me pothuajse 160%.
Ndërsa vlera totale e veprimeve të bankingut në distancë për 2024 arriti në 2.39 trilionë lekë, në rritje me 19% krahasuar me një vit më parë.
Veprimet bankare në distancë janë transaksionet bankare që kryhen nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve në telefonat celularë.
Kufizimet e lidhura me pandeminë dhe ngarkesa e degëve të bankave sollën një vëmendje më të madhe drejt mundësive të pagesave në distancë dhe ishin një moment shtyse të mëtejshme drejt pagesave elektronike. Tendenca rritëse e veprimeve nëpërmjet kanaleve dixhitale ka vijuar e qëndrueshme në të gjithë periudhën pas pandemisë.
Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të shërbimit po rritet me ritme të shpejta.
Në fund të vitit 2024, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.35 milionë, në rritje vjetore me 23%.
Vlerësohet se tashmë 39% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 34% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023 dhe më pak se 20% në vitin 2020.
Afërsisht 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin u takojnë individëve. Numri i llogarive të lidhura me internetin për individët u rrit me 23%, ndërsa për llogaritë e bizneseve, rritja ishte edhe më e lartë, me 26% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Ndërkohë, për shumat më të mëdha, transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave.
E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në Euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jenë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.
Numri i pagesave me kartë u rrit me 35%
Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri një rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh.
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 19.6 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 30% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Për vitin 2024, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 16% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 14.5% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Pagesat me kartë në vitet e fundit janë nxitur sidomos nga shtimi i numrit të turistëve të huaj. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë ka shtyrë një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord 24 470, në rritje me 27.6% krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori bankar shqiptar arriti në 1.51 milionë, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë.
Numri i kartave të debitit arriti në 1.32 milionë, në rritje vjetore me 6.7%. Ky produkt mbetet dominues dhe përbën pothuajse 88% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare.
Karta e debitit është një instrument bazë pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Viti 2024 dhe tremujori i fundit solli rënie në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pak më shumë se 113 mijë karta krediti aktive, me rënie vjetore prej 5.3%.
Me gjithë rritjen e shpejtë të pagesave me kartë në vitet e fundit, edhe me shtysën e turizmit, sërish vlerësohet se ekonomia shqiptare karakterizohet nga një shkallë e lartë e përdorimit të parasë cash, fenomen i lidhur me informalitetin dhe evazionin fiskal, shkallën e edukimit financiar, por pjesërisht edhe me kostot që bartin për tregtarët skemat e pagesës me kartë.
Më shumë se një milion depozitime automatike të parasë
Klientët e sistemit bankar kryen më shumë se një milion depozitime të parasë në bankomate vitin e kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se depozitimet automatike të parasë vitin e kaluar shënuan përsëri një rritje të shpejtë, duke kaluar për herë të parë pragun e një milion veprimeve.
Konkretisht, numri i depozitimeve arriti në 1 milionë e 31 mijë, me një rritje prej 34% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa vlera totale e depozitimeve arriti në 50 miliardë lekë, me një rritje prej 32% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e përdorimit të këtij shërbimi po shoqërohet edhe me zgjerimin e teknologjisë së nevojshme për ofrimin e tij.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të vitit 2024 arriti në 396, me një rritje prej 7% krahasuar me një vit më parë. Tashmë, 39% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash.
Shtimi i ATM-ve me funksion depozitimin e parasë ka një rol të rëndësishëm për transformimin e shërbimeve bankare dhe për shkurtimin e kohës së marrjes së tyre nga publiku.
Pagesat cash në arkë kanë qenë dhe pjesërisht ngelen një nga arsyet kryesore të fluksit të klientëve në degët e bankave.
Automatizimi i këtij shërbimi nëpërmjet ATM-ve ndikon ndjeshëm në uljen e ngarkesës, pakësimin e radhëve dhe përdorimin e degëve të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit nga stafi është i domosdoshëm.
Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 1011 ATM-ve aktive, në rritje me 9.3% krahasuar me një vit më parë.
Numri i ATM-ve pati rënë në periudhën 2015-2019, sidomos për shkak të uljes së numrit të degëve, por edhe të pakësimit të numrit të përgjithshëm të bankave tregtare.
Por, duke filluar nga viti 2020, edhe nën shtysën e pandemisë, bankat shtuan numrin e ATM-ve (kryesisht të vendosura në mjedise jashtë degëve), me qëllim lehtësimin e flukseve të operacioneve në sportele.
Paralelisht, shtimi i ATM-ve po shoqërohet edhe me përditësim të teknologjisë dhe të shërbimeve të ofruara prej tyre. Rritja e numrit të tyre duket se është ende e nevojshme për të plotësuar nevojat e një shoqërie me përdorim të lartë të parasë cash.
Megjithëse përqindja e veprimeve me cash-in është në rënie graduale vit pas viti, por sidoqoftë mbizotëron kundrejt numrit total të veprimeve që shqiptarët kryejnë me karta bankare.
Vitin e kaluar, 52% e veprimeve me karta bankare ishin tërheqje apo depozitime të parasë cash, por pesha e këtyre veprimeve ishte në rënie nga niveli prej 58% i vitit 2023.
Edhe në vlerë monetare, pesha e veprimeve me paranë cash ka pësuar një rënie të lehtë, në 82% të volumit të përgjithshëm të transaksioneve me kartë, nga 84% një vit më parë./MONITOR
foto ilustruese TIRANË- Dita e sotme do të jetë me mot relativisht të paqëndrueshëm. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushta...
GREQI- Autoritetet greke kanë kapur një sasi të madhe droge gjatë një hetimi që kanë zhvilluar ndaj një 34-vjeç...
Ervin Resuli TIRANË- Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli ka komentuar deklaratën e përbashkët të Shoqatës ...
Foto Ilustruese Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit dhe Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit kan&...
Pallati KUÇOVË- Rreth 15 familje ne lagjen "Ferëm Partizani" në qytetin e Kuçovës ndihen të rrezikuar pasi pallati i...
Foto ilustruese ITALI- Krerët e Komuniteteve Fetare Shqiptare janë bërë bashkë në Vatikan për t’i dhën&e...
Foto ilustruese KORÇË- Një aksident është regjistruar disa çaste më parë në aksin Korçë–...
Foto ilustruese TIRANË- Dr. Liri Berisha, presidente e Fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’ dhe Salvador Kaçaj u vle...
Florian Sulejmani TIRANA- Gjykata e Tiranës vendosi të heqë masën e pezullimit nga detyra të drejtorit të Agjencisë...
Policia KAVAJË- Policia e Kavajës ka arrestuar ditën e sotme në flagrancë 68-vjeçaren që drejtonte kompaninë tekn...