24 Prill 2026, 21:35
Nga E.d
Foto ilustruse
Tre ditë më parë, në redaksinë tonë mbërritën disa pamje shqetësuese të një incidenti nga një institucion arsimor privat në qytetin e Elbasanit. Pamje që, në momentin e parë, nuk i përkasin një ambienti të edukimit të fëmijëve, por një përplasjeje të pakuptimtë.
Por realiteti është tjetër.
Sepse në video shfaqet drejtori i shkollës Maarif Elbasan Campus, shtetasi turk Fatih Konuksever, i cili jo vetëm u merr ushqimin nxënësve nga duart, por e flak atë jashtë ambienteve të shkollës, duke kaluar madje edhe në kontakt fizik me ta. Një sjellje që ngre realisht pikëpyetje serioze mbi standardet që duhet të përfaqësojë drejtuesi i një institucioni arsimor.
Pamjet e publikuara në rrjetet tona sociale shkaktuan menjëherë një valë reagimesh.
Qindra komente nga qytetarë, prindër apo ish-mësues, të cilët jo vetëm dënuan gjestin, por ngritën edhe një shqetësim tjetër të madh: A bëhet një testim i saktë dhe i kujdesshëm i drejtuesve të institucioneve arsimore në këtë vend?
Ndërkohë, vetëm pak orë pas publikimit të videos, institucioni në fjalë reagoi përmes një komunikate zyrtare në rrjetet sociale, duke tentuar të japë versionin e vet të ngjarjes dhe të justifikojë situatën e krijuar.
Por çfarë mund ta shtyjë një drejtor shkolle, një figurë që zakonisht mishëron autoritetin përmes qetësisë dhe komunikimit, të reagojë në mënyrë kaq të ashpër, madje duke humbur kontrollin përballë nxënësve?
A bëhet fjalë këtu thjesht për zbatim rregullash, apo kemi të bëjmë me një problem më të thellë që lidhet me kontrollin e nervave dhe emocioneve të një individi?
Çfarë fshihet realisht pas këtij episodi që për shumëkënd duket i pajustifikueshëm?
Dy ditë pas incidentit, vendosëm të shkojmë pranë shkollës për të parë nga afër situatën dhe për të kuptuar më qartë se çfarë po ndodh realisht brenda atyre mureve. Që në momentin e parë vihet re një ndryshim i dukshëm krahasuar me informacionin që na ishte dhënë nga vetë nxënësit. Shkolla është nën masa të shtuara sigurie dhe kjo, natyrisht, nuk është rastësi, por lidhet drejtpërdrejt me vëmendjen që ka marrë kjo çështje dhe me premtimin tonë për ta ndjekur situatën, që ishte marrë vesh nga drejtuesit e shkollës.
Pavarësisht kësaj, përpiqemi të marrim një reagim nga institucioni, me shpresën se do të kemi një përgjigje konkrete.
Pas disa minutash pritjeje, ajo që marrim është një tekst i printuar i deklaratës që ishte publikuar një ditë më parë në rrjetet sociale. Një përgjigje formale, të cilën në realitet e prisnim, duke parë hermetizmin me të cilin u përballëm që në fillim. Ndërsa ne jemi ende në pritje të një komunikimi zyrtar, një motorist sjell ushqim, që mesa duket ishte porositur nga nxënësit e shkollës, duke përsëritur fillimin e skenës së dy ditëve më parë.
Me një ndryshim të vetëm, këtë herë nuk është prezent drejtori për të ndërhyrë dhe për ta penguar.
Dhe këtu situata kthehet në komike. Një vajzë nga brenda shkollës del për të marrë picat, por pengohet nga roja, i cili ka hallin se ne po filmojmë dhe ushqimet nuk duhen lejuar.
Pra, problemi nuk është ushqimi, por kamera përballë.
Ndërkohë, situata komike vazhdon.
Sepse pak çaste më vonë, ndërsa jemi larguar nga sheshi përpara portës hyrëse, e njëjta vajzë del dhe merr ushqimin për ta futur në fshehtësi brenda shkollës.
Mesa duket, “ushqimi kontrabandë” nuk paska qenë shkaku i vërtetë i zemërimit të drejtorit.
Po çfarë halli ka pasur në të vërtetë ky zotëri, të cilit i janë besuar fëmijët e njërës prej shkollave më të kuotuara në Elbasan?
Sidoqoftë, kur rregullorja e shkollës thotë që nuk lejohen ushqimet, a mundej që drejtori thjesht të kthente mbrapsht ushqimin, pa pasur nevojë të bënte skena që terrorizuan një shkollë të tërë?
Por ndërsa nxënësit dhe prindërit pretendonin një ndjesë ndaj tyre, mësojnë se ajo çfarë kishte ndodhur nuk ishte ruajtur në asnjë nga serverët e kamerave të sigurisë. Por le të rikthehemi edhe njëherë tek cilësia e ushqimit dhe papastërtitë e gjetura, sepse, sipas nxënësve, kjo situatë është raportuar edhe në AKU, inspektorët e të cilës kanë ardhur në ambientet e shkollës.
Edhe pse e kuptuam me vështirësi ndoshta për shkak të “valëve”, mësuam se drejtori i AKU-së nuk ka hasur asnjë problem në shkollën e kontestuar.
Nëse kontrollet janë bërë në një ditë si kjo e sotmja, është e sigurt që nuk do të gjendet asnjë problem në asnjë prej mensave dhe restoranteve të Elbasanit. Sidoqoftë, diçka duhet sqaruar: kontrollet nuk bëhen nga drejtori.
Meqë me AKU-në “e zgjidhëm” problemin, le t’i drejtohemi Zyrës Vendore të Arsimit, institucioni mbikëqyrës i sistemit arsimor parauniversitar, që, me sa duket, e ka vlerësuar në maksimum këtë problematikë./Piranjat news
shkolla turke ushqimi institucioni
Aktualitet
24 Prill 2026, 21:22
E.d
Foto ilustruse
Jemi në Pogradec dhe kemi ardhur për të kapur fillin e një historie thuajse të pabesueshme, jo vetëm për ...
Aktualitet
24 Prill 2026, 21:13
E.d
Foto ilustruse
Një dëshmi tronditëse nga brenda kantierit të projektit “Durrës Marina” ngre alarmin për sigurin&e...
Aktualitet
24 Prill 2026, 21:06
D.S
gledis nano
TIRANË- Gjykata e Lartë i ka dhënë fund betejës ligjore të ish-kryepolicit Gledis Nano me Këshillin e Minis...
Aktualitet
24 Prill 2026, 21:03
D.S
BURREL- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi ka kryer transferimin e të...
Aktualitet
24 Prill 2026, 19:57
D.S
Ky është vendimi gjykatësit Justice Swift disponuar nga gazetari Top Channel, Muhamed Veliu, ku pranon kërkesën për mos tu ekstr...
Aktualitet
24 Prill 2026, 19:50
E.d
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker dhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi.
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew W...
Aktualitet
24 Prill 2026, 19:09
D.S
FUSHË-KRUJË- Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e sotme në superstradën Fushë-Kruj&eum...
Aktualitet
24 Prill 2026, 18:34
D.S
FUSHË-KRUJË- Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e sotme në superstradën Fushë-Kruj&e...
Aktualitet
24 Prill 2026, 18:30
D.S
LOKALI
KRUJË- Një subjekt është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të ...
Aktualitet
24 Prill 2026, 17:50
D.S
foto nga vengjarja
LEZHË- Një aksident autmobiistik ka ndodhur në aksin Lezhë-Milot. Mësohet se një kamionçin&eum...