LIVE UPDATES
Bota

Më shumë se gjysma e të huajve në Serbi janë rusë

Nga afërsisht 100.000 të huaj që banojnë ligjërisht në Serbi, më shumë se 53.000 janë rusë, sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave të Serbisë (RZS).

3 Qershor 2025, 10:20 Nga N.F
Më shumë se gjysma e të huajve në Serbi janë rusë
Ana

SERBI-  “Dua të mbijetoj”. Kështu e fillon rrëfimin e saj Ana, shtetase e Rusisë, për zhvendosjen dhe jetesën e saj në Serbi. Ajo u zhvendos në Beograd në korrik të vitit 2023 dhe pas një muaji vendosi të hapte një biznes - gjë për të cilën, deri atëherë, thotë se kishte ëndërruar.

“E kuptova se duhej të bëja diçka që dua dhe e dua vërtet. Unë kam dashur gjithmonë të hap një bibliotekë. Dhe këtë vendosa ta bëj në Serbi”, thotë Ana për Radion Evropa e Lirë.

Ajo mori me qira një hapësirë në komunën e Vraçarit të Beogradit dhe hapi një vend ku njerëzit “lexojnë libra dhe shoqërohen, ndërkohë që hanë dhe pinë”. Ana punonte në industrinë e teknologjisë informative, ndërsa sot kafeneja e saj është e mbushur me rafte librash.

“Biblioteka është e vogël, por veprat janë përzgjedhur me dashuri. Janë librat që unë i dua”, thotë ajo. Ana shton se është e kënaqur me mënyrën se si mjedisi e ka pranuar.

“Është fantastike. Kam shumë miq në mesin e serbëve. Shumë fqinj me të cilët kam marrëdhënie të shkëlqyera”, shprehet ajo.

Ana është një prej dhjetëra mijëra qytetarëve rusë që kanë shkuar në Serbi prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Për disa, Serbia ka qenë vetëm një destinacion i përkohshëm, por të tjerë kanë mbetur atje.

Kafeneja e saj bibliotekë është një vend takimi për banorët vendas, por edhe për pjesëtarë të shumtë të komunitetit rus në Beograd.

Librat në raftet e saj janë në rusisht, anglisht dhe serbisht, por ka edhe romane nga autorë serbë të përkthyera në rusisht.

“Kjo është dëshira ime, të kontribuoj në përparimin e komunitetit rus, por edhe të komunitetit në të cilin jetojmë. Të përmirësoj komunikimin dhe lidhjen e ndërsjellë”, thotë Ana, duke shtuar se hapësirën e saj, do që ta bëjë​një “shtëpi për të gjithë”.

“Shumë nga ata që vijnë këtu, më thonë se ndihen si në shtëpi. Për momentin, kjo mjafton për mua”, thotë Ana.

Të dhënat zyrtare tregojnë se çdo i dyti i huaj me leje qëndrimi në Serbi vjen nga Rusia. Nga afërsisht 100.000 të huaj që banojnë ligjërisht në Serbi, më shumë se 53.000 janë rusë, sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave të Serbisë (RZS).

Kjo është hera e parë që numri i të huajve që kanë qëndrim të rregullt në Serbi, është i detajuar në statistika. Hulumtimi është kryer nga RZS-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe rezultatet janë prezantuar në prill.

Demografi Vlladimir Nikitoviq nga Instituti i Shkencave Sociale në Beograd thotë për Radion Evropa e Lirë se ky është një numër i konsiderueshëm njerëzish dhe se mbërritja e tyre është një lajm i mirë për Serbinë.

“... sepse në Serbi kemi ende një bilanc negativ të migrimit - kur e krahasojmë se sa njerëz vijnë dhe sa largohen, pavarësisht nëse janë shtetas tanë apo të huaj. Pra, të dhënat janë pozitive në kuptimin demografik”, thotë Nikitoviq.

Më shumë se gjysma e të huajve në Serbi janë rusë

Të dhënat zyrtare tregojnë se mosha mesatare e atyre që kanë emigruar në Serbi, është 32.6 vjeç, që është më e ulët se mesatarja kombëtare. Nikitoviq thotë se kjo mund “t’i përmirësojë” statistikat e Serbisë.

"Mesatarja jonë tani është afërsisht rreth 43-44 vjeç. Në këtë kontekst, ky është një efekt pozitiv dhe do të ishte mirë nëse modelet e tilla, do të vazhdonin”, thekson Nikitoviq.

Të rinj dhe të arsimuar

Sipas të dhënave, të cilat i referohen vitit 2023, qytetarët rusë që jetojnë në Serbi, janë mesatarisht 30 vjeç. Shumica janë burra, 54.4 për qind, ndërsa gratë përbëjnë 45.6 për qind. Rreth 83 për qind e tyre jetojnë në komunat qendrore të Beogradit dhe në Novi Sad.

“Ata kanë zgjedhur mjediset që besojnë se mund t’u ofrojnë më shumë. Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një mundësi për ato mjedise - në njëfarë mënyre”, beson demografi Nikitoviq.

Sa i përket demografisë, sipas tij, është mirë për komunitetet lokale kur një popullsi që është mesatarisht më e arsimuar se popullsia e përgjithshme, shpërngulet - siç është rasti me qytetarët rusë.

“Ata, gjithashtu, kanë një portofol aftësish që këtij komuniteti i mungojnë, sepse është kryesisht popullsi që vjen nga pjesët më urbane të Rusisë - niveli i zhvillimit të të cilave është shpesh mbi mesataren e Bashkimit Evropian”, shpjegon Nikitoviq.

“E, tani, praktikisht varet nga shoqëria jonë se si do ta përdorë këtë impuls”, shton ai.

A e kanë të shtrenjtë jetën në Serbi?

“Jeta është e shtrenjtë në Beograd. Qiranë e apartamentit e paguaj 750 euro, kjo është shumë! Është tepër e shtrenjtë. Tregu është i shtrenjtë”, thotë Ana.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës dhe mbërritjes së një numri të madh rusësh në Serbi, rritja e çmimeve është bërë një nga temat dhe shqetësimet e përditshme të banorëve serbë.

Nikitoviq thotë se do të ishte “e padrejtë t’i hidhej faji popullsisë ruse”.

“Nuk është shkaktuar drejtpërdrejt nga mbërritja e popullsisë ruse. Por, momenti është përdorur për t’i rritur çmimet për arsye të ndryshme - jo vetëm për strehimin, por për të gjitha shërbimet”, beson ai.

“Duket se kjo valë [e rritjes së çmimeve] ka kaluar”, thotë ai dhe shton se migrimet e tilla e përshpejtojnë procesin e urbanizimit.

“Shikojeni Beogradin sot, i cili është një qytet shumë më metropolitan sesa ishte vetëm shtatë ose tetë vjet më parë. Rusët kontribuuan në këtë, por edhe migrimet e tjera që po ndodhin dhe për të cilat jemi të vetëdijshëm edhe pa këto të dhëna statistikore", thotë ai.

Për Anën, hapja e një biznesi në Serbi ishte gjithashtu sfidë.

“Ende nuk mund ta kuptoj politikën tatimore në Serbi... Është vërtet shumë vështirë t’i paguash të gjitha këto taksa. Të ardhura nuk kemi shumë, ndaj punojmë vetëm”, thotë Ana, e cila punon bashkë me një mik të sajin.

Ajo shton se situata aktuale është e tillë që nuk të ofron përmbushje materiale, por ajo personale është e madhe, sipas saj.

“Kështu është për momentin, po përpiqemi ta rregullojmë. Nuk e di se si, por shpresojmë se do ta bëjmë”, shton ajo.

Kthesa pas fillimit të luftës në Ukrainë

Serbia nuk ka qenë gjithmonë një destinacion tërheqës për emigrantët rusë. Pika e kthesës ka ndodhur në mars të vitit 2022, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në atë kohë është regjistruar vala e parë e të arriturve të regjistruar në Serbi - ku qytetarët rusë ende mund të hyjnë pa viza, ndryshe prej shumicës së vendeve të tjera evropiane.

Disa kanë shkuar atje, sepse nuk kanë mundur t’i vazhdojnë bizneset në vendin e tyre. Kjo për shkak të sanksioneve perëndimore kundër Moskës, të cilave Beogradi nuk u është bashkuar. Disa të tjerë, ndërkaq, janë larguar nga Rusia për shkak të mospajtimit me luftën ose nga frika e mobilizimit ushtarak.

Që atëherë, qindra mijëra qytetarë rusë kanë hyrë në Serbi, por jo të gjithë kanë qëndruar. Për ata që vendosin të qëndrojnë, është e nevojshme një leje qëndrimi. Në vitin 2022, më shumë se 19.000 rusë i kanë marrë ato.

Me vazhdimin e luftës edhe në vitin 2023, leje qëndrimi në Serbi kanë marrë edhe qytetarë të tjerë rusë - gati 23.000. Shkalla e ndryshimit shihet më së miri në krahasim me vitet e kaluara.

Gjatë vitit 2012, më pak se 500 qytetarë rusë kanë marrë leje qëndrimi në Serbi, që do të thotë se numri i imigrantëve rusë, ndërkohë, është rritur pothuajse 47 herë. Ana thotë se do një pasaportë serbe, por se motiv i saj nuk është liria e lëvizjes.

“Dua një pasaportë serbe, sepse dua të jetoj këtu. Nuk ka të bëjë me udhëtimin e lirë apo qëndrimin pa viza”, sipas saj.

A mendojnë rusët të qëndrojnë në Serbi?

Në vitin 2023, në Serbi kanë lindur mbi 230 foshnje nga prindër me shtetësi të huaj. Më shumë se gjysma e këtyre fëmijëve kanë prindër që janë shtetas rusë.

Edhe pse beson se ky është një lloj treguesi se qytetarët rusë jo vetëm që qëndrojnë më gjatë në Serbi, por edhe krijojnë familje atje, demografi Nikitoviq thotë se është e vështirë të vlerësohen qëllimet e tyre në lidhje me qëndrimin e përhershëm në Serbi.

“... sidomos duke marrë parasysh situatën [në Rusi]. Dihet që sa më gjatë që të qëndrosh diku, aq më të mëdha janë shanset për të qëndruar aty”, shton ai.

Sipas tij, praktika demografike tregon se, mesatarisht pas shtatë vjetësh, shanset për të qëndruar diku rriten me shpejtësi.

“Mbyllja e dyerve” për kundërshtarët e Putinit

Edhe pse Beogradi dhe Moska tradicionalisht mbajnë marrëdhënie të ngushta dhe publiku serb dominohet nga narrativi i “kombeve vëllazërore”, ky vend u ka treguar një fytyrë paksa ndryshe disa qytetarëve rusë, duke ua shkurtuar mikpritjen.

E përbashkët e tyre është kundërshtimi i pushtimit të Ukrainës dhe i politikave të presidentit rus, Vladimir Putin.

Kështu, në vitin 2023, aktivistëve kundër luftës, Vladimir Volohonski dhe Jevgeni Irzhanski, u janë refuzuar kërkesat për të zgjatur qëndrimin e tyre në Serbi, për shkak të, siç është thënë, “shqetësimeve për sigurinë”.

Një mesazh të ngjashëm ka marrë edhe aktivisti kundër luftës, Ilya Zernov, disa muaj më vonë. Policia kufitare nuk e ka lejuar të hyjë në Serbi, edhe pse ai ka arritur atje nga Gjermania, për të marrë pjesë në gjyq për një sulm ndaj tij, i cili ka ndodhur më herët në Beograd.

Në këtë grup bën pjesë edhe historia e Elena Koposovas, kërkesa e së cilës për qëndrim të përhershëm është refuzuar vazhdimisht nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Ajo jeton në Serbi me bashkëshortin dhe fëmijët e saj tash e pesë vjet.

Në justifikim përmenden “arsyet e sigurisë”, por Koposova beson se arsyeja e vërtetë lidhet me nënshkrimin e një letre publike kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Serbia është një nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kinezët në vendin e dytë, të ndjekur nga indianët dhe turqit

Pas qytetarëve rusë, kinezët përbëjnë numrin më të lartë të qytetarëve të huaj në Serbi. Sipas të dhënave nga fundi i vitit 2024, çdo i dhjeti i huaj në këtë vend vjen nga Kina.

Në total janë rreth 12.300 prej tyre. Ky numër është rreth tetë herë më i lartë se në vitin 2012, kur ishte rreth 800. Shumica e tyre janë të vendosur në Bor dhe Zrenjanin - gjë që tregon se është puna ajo që i ka çuar në Serbi.

Dy kompani të mëdha kineze operojnë në këto dy qytete - kompania minerare Zigjin në Bor dhe Linglong në Zrenjanin, e cila po ndërton një fabrikë të gomave të makinave.

Kinezët pasohen nga qytetarët e Indisë (4.574), të Turqisë (4.029), të Maqedonisë së Veriut (1.952) dhe të Ukrainës (1.472). Pjesa e shtetasve të tjerë në numrin e përgjithshëm të të huajve në Serbi është rreth 17.7 për qind./ REL

serbi ruse

Sondazh

Poll

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Fotoja e djalit të porsalindur të Zëvendëspresidentit J.D. Vance publikohet nga Donald Trump

Do mbështesim njëri-tjetrin si miq, deklarata e Jessie J për ndarjen nga Chanan Coleman

Të shtëna me armë zjarri në Elbasan, plagosen tre persona

Mbyllen fjalimet, nis marshimi në rrugët e kryeqyetit: Rama jepe dorëheqjen!

Aktivisti: Nuk jemi nazistë, por jemi shqiptarë të cilët po largohemi çdo ditë

Protestuesi: Kërkojmë largimin e një qeverie dhe një kryeministri të korruptuar

Aktivisti: Më datë 23 të gjithë para Parlamentit, t’u themi se nuk na përfaqësoni

Dita e 51-të e revoltës/ Protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

“Kryeministri bridh, Taulanti vendos”/ Qytetari: Dalim në protestë për skandalet e qeverisë

Labinot Tahiri mban premtimin, do të ndajë 150 euro me djalin e të ndjerit Shpat Kasapi

Zjarr përgjatë autostradës Fier–Vlorë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Yjet që dhuruan spektakël në finalen e kupës së botës

Përplasje mes Bardhit dhe Peleshit: Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh Kuvendin

"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Bie zjarr në zonën e Ujit të Ftohtë, flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta

Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërpritet seanca plenare

Rama: Protestat për mjedisin janë arritje e madhe për shoqërinë

"Dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara"/ Rama: Shteti do të paguajë sigurimet

‘O shoku kryetar! Alooo!’ Peleshi përplaset me Korreshit: S’është festivali folklorik!

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Balla- Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë... flamingot e vërteta e braktisën llumin e kënetës

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj