6 interperlanca në Kuvend/ Seanca plenare nis me një minutë heshtje për vrasjen e efektivit në Korçë
Resorti në Zvërnec, Zhupa: S’ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm 4 Qershor, 1...
Resorti në Zvërnec, Zhupa: S’ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm 4 Qershor, 1...
E rëndë në Maliq/ Vritet polici gjatë operacionit për kapjen e një personi të kërkim, plagoset dhe nj&eu...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
•Ditën e sotme, liderët e vendeve të NATO-s, do të mblidhen në Vilnius për të trajtuar një sërë çështjesh, vetëm 32 km nga gardhi kufitar i Lituanisë me aleatin rus, Bjellorusinë. •Në samit, i cili do të zhvillohet edhe përgjatë ditës së nesërme, do të diskutohen një sërë çështjesh, ku kryefjalë do të jetë lufta në Ukrainë, por edhe ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë në NATO, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash. •Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në samitin e NATO-s. •Gjatë qëndrimit në Vilnius, Rama pritet të zhvillojë një takim me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis. •Takimi pritet të fokusohet te marrëdhënia dypalëshe dhe çështja për Fredi Belerin, i cili ndodhet që prej 12 majit në qeli pasi akuzohet për blerje votash. •Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid. •Për sigurinë e samitit më të madh të krerëve të shteteve dhe qeverive në historinë e Lituanisë, ushtria e saj dhe NATO po vënë në dispozicion 4000 ushtarë.
11 artikuj për këtë temë.
LITUANI- Mediat greke i kanë kushtuar një artikull takimit të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis me kryeministrin Edi Rama në Lituani. Protothema shkruan se Mitsotakis me Ramën do të takohen ditën e nesërme dhe fokusi i bisedimeve do të jetë mbi arrestimin e Fredi Belerit. Po ashtu Mitsotakis do të takohet edhe me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, takim i cili shihet si një mundësi për rifillimin e marrëdhënieve Greqi-Turqi.
Shkrimi i Protothema:
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të marrë pjesë në Samitin dyditor të NATO-s në Vilnius të Lituanisë. Në qendër të vëmendjes është takimi që kryeministri grek do të ketë me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në margjinat e samitit të mërkurën. Përveç këtij takimi, i cili është një “dritare” mundësie për rifillimin e marrëdhënieve Greqi-Turqi, kryeministri grek do të ketë një sërë takimesh të rëndësishme me liderë të huaj. Konkretisht, siç njofton Pallati Maximou, të martën, kryeministri do të ketë takime dypalëshe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku pritet të ngrihet edhe çështja e ndalimit të Fredi Belerit nga autoritetet shqiptare.
Mbrëmjen e së martës, Kyriakos Mitsotakis do të ulet në një darkë të shtruar nga presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, për liderët e vendeve anëtare të NATO-s, në Pallatin Presidencial. Të mërkurën, kryeministri do të ketë takime dypalëshe (përveç R. Erdogan) me presidentin e Francës, Emmanuel Macron , kancelarin e Gjermanisë, Olaf Solz dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Pas përfundimit të punimeve të Sinodit, Kyriakos Mitsotakis do të mbajë një konferencë për media.
LITUANI- Më 11 dhe 12 korrik, udhëheqësit e shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do të takohen në Vilnius të Lituanisë, për t’i adresuar sfidat më urgjente për aleancën, për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s, si dhe për ta sjellë më afër grupit Ukrainën, sipas aleancës.
“Vendimet që ne do t’i marrim në Vilnius do ta sjellin Ukrainën më afër NATO-s... forcimi i mbrojtjes së NATO-s do të jetë në krye të agjendës së samitit tonë, po ashtu”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Derisa Ukraina do të jetë në krye të agjendës së samitit, për Kosovën nuk pritet të diskutohet fare, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Është interesante se në kohën e trazirave të fundit në pjesën veriore të Kosovës, në të cilat u sulmuan trupat e misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, ajo nuk është zyrtarisht në agjendë.
Prania e KFOR-it tani është rritur me 500 trupa, duke e çuar numrin e përgjithshëm të paqeruajtësve në 4.300 - por, nuk priten diskutime për këtë çështje në samit, nëse një nga liderët nuk e adreson atë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Çfarë do të përfitojë Ukraina?
Për Ukrainën, ky samit ka të bëjë me shmangien e një “Bukureshti” apo “Budapesti” tjetër. “Bukureshti” i referohet samitit të NATO-s të vitit 2008, i zhvilluar në kryeqytetin rumun. Pikërisht në këtë samit, aleanca ushtarake deklaroi bujshëm se Ukraina (si dhe Gjeorgjia), do të bëheshin anëtare të aleancës, mirëpo pa u cekur ndonjë afat kohor apo ndonjë mënyrë.
Është e qartë se deklarata e NATO-s, në samitin që do të mbahet në Vilnius, nuk do ta ftojë Kievin të bëhet anëtar i aleancës pikërisht atë ditë, në samit.
Në fakt, askush nuk është në humor që t’ia japë një shteti, i cili është në mes të luftës, garancitë e Nenit 5 (sulmi mbi një shtet anëtar të NATO-s, është sulm mbi çdo shtet anëtar të aleancës ushtarake). Mirëpo, ata do të tentojnë ta gjejnë një mënyrë se si t’ia premtojnë Ukrainës anëtarësimin, pasi të jenë përmirësuar gjërat paksa.
Këtu futet në lojë “Budapesti”.
Është një referencë për një treshe memorandumesh të vitit 1994, në të cilat Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dhanë garanci sigurie Ukrainës (si dhe Bjellorusisë dhe Kazakistanit), në këmbim që Kievi të hiqte dorë nga armët e tij bërthamore nga koha sovjetike.
Derisa Ukraina pret anëtarësimin e mundshëm në NATO, ajo kërkon "garanci” apo “të sigurohet” se Perëndimi do të vazhdojë ta mbështesë atë ushtarakisht.
Se si mund të shprehet kjo mbështetje, mbetet një nga enigmat e këtij samiti.
Më hollësisht
Shumica e përfaqësuesve të NATO-s me të cilët kam biseduar, e pranojnë me “pëshpëritje” se ekziston vetëm një garanci e pathyeshme e sigurisë: ajo e anëtarësimit në NATO. Këtë e kanë kuptuar Finlanda dhe Suedia, të cilat aplikuan për t'iu bashkuar NATO-s menjëherë pas luftës në Ukrainë. Të gjitha masat e tjera, si ato të sigurisë, në thelb mund të ofrohen vetëm në baza bilaterale nga anëtarët e aleancës.
Është e mundur që një grup shtetesh, gjatë përgatitjeve të samitit, po në Vilnius, do të zotohen për ta mbështetur ushtarakisht Ukrainën "për aq kohë sa duhet", duke dërguar më shumë armë, municion, apo edhe stërvitje për trupat ukrainase. Ka mundësi që grupi i shtatë shteteve më të industrializuara (G7) të bëjë një deklaratë tjetër për këtë qëllim, pasi të gjithë anëtarët e këtij grupi do të jenë në Vilnius. (Pritet gjithashtu të marrë pjesë edhe kryeministri japonez, Fumio Kishida.)
Ajo se çfarë NATO-ja do të ofrojë si organizatë janë 500 milionë euro për vit për të ardhmen e paraparë, për ta ndihmuar Ukrainën ushtarakisht. Madje, kjo shumë mund të rritet në të ardhmen.
Përndryshe, se çfarë fjalësh do të përdoren në samit, është problemi kryesor këtu: si mund të hartohet një deklaratë për të shmangur një "Bukuresht" tjetër, për të mos e zhgënjyer Ukrainën dhe për t’i risiguruar vendet e kujdesshme, si SHBA-ja dhe Gjermania? Siç tregohet nga paralajmërimi i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, se nuk ka "unanimitet" për anëtarësimin e Ukrainës "në këtë moment, në mes të një lufte", ata janë të kujdesshëm ndaj çdo angazhimi të anëtarësimit në kohë lufte, kundër një Rusie të armatosur me armë bërthamore.
Një mënyrë tjetër mund të jetë të thuhet se Kievi do t’i bashkohet aleancës, sapo të jenë përmbushur "kushtet", apo kur të lejojnë "rrethanat". Është e mundur që mund të sigurohet gjithashtu një udhërrëfyes i qartë; për shembull - aleatët e NATO-s mund të raportojnë mbi situatën ose ta rishikojnë atë në samitin e ardhshëm në Uashington, verën e ardhshme.
Ukraina po përpiqet gjithashtu ta shmangë detyrimin për të paraqitur një Plan Veprimi për Anëtarësim (MAP) përpara se të mund t’i bashkohet asaj. MAP-i është një formë e anëtarësimit në NATO, një "korridor" në të cilin vendi aspirues merr një program kombëtar të përshtatur për t'u përgatitur për anëtarësimin e ardhshëm, i cili mund të përfshijë jo vetëm aspektet mbrojtëse, por edhe çështjet politike, të sigurisë dhe ato ligjore, që aleanca beson se duhet të adresohen. Shumë vendeve ekzistuese të NATO-s nga Evropa Qendrore dhe Lindore u është kërkuar një MAP, përpara se të anëtarësoheshin. Megjithatë, zyrtarët kanë dhënë sinjale se Kievi nuk do të ketë nevojë për një të tillë, ashtu si Finlanda dhe Suedia nuk ishin të detyruara ta kishin një të tillë përpara fillimit të procesit të anëtarësimit.
Në fund, pyetja kryesore është nëse ukrainasit do të jenë të kënaqur me rezultatin e samitit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, parashihet të marrë pjesë, megjithëse ka pasur thashetheme se ai mund të vendosë të mos shkojë, nëse parasheh se samiti nuk është mjaft ambicioz. Megjithatë, shumica presin që ai të marrë pjesë dhe të bashkëkryesojë takimin e parë të Këshillit NATO-Ukrainë – një marrëdhënie e përditësuar politike në bazë të të cilës Kievi do të ulet në tryezë si një partner i barabartë, me të drejtën për të thirrur takime me aleancën ushtarake kurdo qe e sheh të arsyeshme.
Anëtarësimi i Suedisë në NATO?
Kjo është një çështje që jo shumë zyrtarë të NATO-së prisnin se do të zvarritej kaq shumë. Suedia aplikoi për t'iu bashkuar NATO-s bashkë me Finlandën në pranverën e vitit 2022, si pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, dhe shumë diplomatë prisnin që ky proces të përfundonte deri në vjeshtë.
Por, Ankaraja kishte plane të tjera.
Erdogan kushtëzon pranimin e Suedisë në NATO me anëtarësim të Truqisë në BE
Turqia u kërkoi vendeve nordike, veçanërisht Suedisë, ta shfuqizonin embargon e armëve kundër Turqisë, t’i përditësonin ligjet e tyre kundër terrorizmit dhe ta ekstradonin këdo që besohet se është i përfshirë në terrorizëm, përpara se t'ua miratonte anëtarësimin në NATO.
Në takimin e NATO-s në Madrid vitin e kaluar, Turqia pranoi që Suedia dhe Finlanda do të bashkoheshin, por Ankaraja e shtyu ratifikimin e Protokolleve të Anëtarësimit derisa gjërat të përmirësoheshin.
Problemet me Suedinë, veçanërisht protestat në Stokholm, duke përfshirë djegien e librit të shenjët të myslimanëve - Kuranin, prishën marrëdhëniet Ankara-Stokholm, pastaj Finlanda “u nda” dhe iu bashkua e vetme NATO-së në fillim të prillit.
Më hollësisht
Janë dy mënyra se në çfarë drejtimi mund të shkojë ky samit: Mund të ketë përsëritje të samitit të Madridit: takim mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, në Vilnius, një ditë para fillimit të samitit, për të kërkuar arritjen e një marrëveshjeje, në mënyrë që të hapet rrugë për ratifikimin në parlamentin turk në korrik apo vjeshtë; apo palët do të përfundojnë duke zhvilluar “bisedime konstruktive” në kryeqytetin e Lituanisë, ku kjo do të linte të nënkuptohej se palët ende kanë punë për të bërë në nivele të ndryshme diplomatike.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u takua me ministrat e jashtëm dhe shefat e inteligjencës dhe sigurisë së Finlandës, Suedisë dhe Turqisë më 6 korrik, në përpjekje për të zgjidhur detajet e zgjatura para samitit në Vilniusit. Ai e përshkroi takimin më pas si "produktiv" dhe sugjeroi se është "e mundur të kemi një vendim pozitiv" javën e samitit.
Erdogani ende dëshiron të njihet si një burrështetas kyç dhe të pajtohet për diçka kur samiti të jetë në qendër të vëmendjes së medias, sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët kam biseduar në kushte anonimiteti. Ata pranojnë se kishte pritshmëri të ulëta para samitit të Madridit, por pohojnë se negociatat ballë për ballë në nivelin më të lartë më vonë bënë të mundur një marrëveshje.
Megjithatë, ata theksojnë se mund të kërkohet gjithashtu një takim i mëtejshëm midis Erdoganit dhe Bidenit, në të cilin ky i fundit mund të premtojë dërgimin e avionëve luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ankara, gjë që shumë besojnë se mund të çojë në vulosjen e marrëveshjes.
Por, djegia e më shumë kopjeve të Kuranit, që po ndodh në Suedi, për shembull, mund të rezultojnë ende si një dëmtues i mundshëm. Turqia dhe pjesa më e madhe e botës myslimane reaguan me tërbim kur një personi iu dha leja ta digjte librin e shenjtë mysliman pranë një xhamie të Stokholmit, më 28 qershor, gjatë një proteste që përkoi me festën e Kurban Bajramit, një nga ngjarjet më të shenjta të kalendarit islamik.
Protesta u lejua nga një gjykatë suedeze, pas kërkesave të ngjashme që ishin refuzuar, me autoritetet që përmendnin rreziqet e sigurisë kombëtare. Së paku tre leje për djegien e librave fetarë janë dorëzuar ditët e fundit dhe autoritetet suedeze tani përballen me një problem të vërtetë. Diplomatët me të cilët kam biseduar thonë se zyrtarët suedezë do t'u thonë homologëve të tyre turq se djegësi i fundit i librit të kuranit të paktën u akuzua për agjitacion kundër një grupi etnik ose kombëtar dhe se ata planifikojnë akuza të ngjashme nëse ndodh ndonjë incident i ngjashëm.
Protestuesi para xhamisë qendrore të Stokholmit ku e grisi e pastaj dogji Kuranin.
Nëse arrihet një marrëveshje në Vilnius, besohet se parlamenti turk do ta miratojë instrumentin e ratifikimit përpara se të shkojë në pushim deri në tetor. Hungaria, gjithashtu, ka refuzuar të ratifikojë protokollin e pranimit të Suedisë, kryesisht shkaku i solidaritetit me Ankaranë. Edhe pse ka aludime se deputetët hungarezë e shtynë votimin deri në seancën e tyre të vjeshtës, Budapesti ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të jetë vendi i fundit që do ta ratifikojë; kështu, Suedia mund të bëhet anëtari numër 32 i NATO-s që në fillim të këtij muaji.
Zbërthimi i detyrave thelbësore të NATO-s
Mbase vendimi i vetëm më i rëndësishëm që ka mundësi të merret në samitin e NATO-s është aprovimi njerëzi i planit të parë gjithëpërfshirës të mbrojtjes së aleancës që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Çfarë do të vendosin liderët gjatë samitit të NATO-s?
Si të mbrohet çdo centimetër i territoreve të 31 vendeve anëtare është ajo që NATO-ja bën më së miri. Rekomandohet miratimi i 4.000 faqeve të planeve të klasifikuara që përfshijnë tri zona kryesore gjeografike: veriu, i cili përfshin rajonet e Atlantikut dhe Arktikut; rajoni qendror, i cili në thelb përfshin Evropën nga Baltiku deri në Alpe; dhe jugu, i cili shtrihet nga Alpet deri në Mesdhe, dhe përfshin shtetet e NATO-s pranë Detit të Zi. Sigurisht, ka edhe seksione kushtuar temave të caktuara, për shembull, siguria kibernetike.
Nëse gjithçka shkon mirë dhe planet miratohen në samit, do të pasojë një planifikim edhe më i detajuar, që informon batalionet se çfarë zone territori apo deti duhet ta mbrojnë saktësisht, në rast të ndonjë sulmi.
Më hollësisht
Këto plane në thelb duhej të miratoheshin përpara samitit, por ka pasur disa pengesa – që kryesisht përfshijnë Turqinë. Ankaraja, për shembull, ka insistuar që në plane ta quajë Bosforin "ngushticë turke" dhe gjithashtu ka dashur të vinte më shumë theks në luftën kundër terrorizmit, sesa thjesht të fokusohej në kërcënimin e paraqitur nga Rusia.
Por, problemi i madh mbetet se si të kapërcehet nga planet në realitet, dhe kjo përfundimisht do të thotë: A ka pajisje të mjaftueshme ushtarake, ushtarë dhe mjete financiare për t’i arritur të gjitha këto? Tani, NATO-ja është e mirë në përkushtim. Në Madrid, vitin e kaluar, aleatët ranë dakord për t’i pasur gati 100 mijë trupa për t'u vendosur brenda 10 ditëve, dhe 300 mijë brenda një muaji. Por, ata ende nuk e kanë arritur atë objektiv të lartë.
Kur bëhet fjalë për shpenzimet e mbrojtjes, ato kanë performuar edhe më keq. Një angazhim për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2024, niveli që arritën të gjithë anëtarët e NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, u bë në samitin e NATO-s në Uells, në vitin 2014. Aleanca ushtarake, në tërësi, nuk është as afër përmbushjes së këtij zotimi, një vit pasi duhej të arrihej.
Kriteri prej 2 për qind u arrit në vitin 2022, nga vetëm shtatë vende: Estonia, Greqia, Letonia, Lituania, Polonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Finlanda, anëtari më i ri i NATO-s, së bashku me Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë, do t'i bashkohen grupit në vitin 2023. Vitin e ardhshëm, Gjermania duhet të arrijë këtë pikë, e ndjekur nga Franca, në vitin 2025. Por, disa zyrtarë të NATO-s theksojnë se shumë vende mund të arrijnë objektivin prej 2 për qind, vetëm për të rënë nën të përsëri, menjëherë pas kësaj.
NATO u kërkon aleatëve të rrisin buxhetet për ushtritë e tyre
Prandaj, zotimi i ri në Vilnius. Objektivi prej 2 për qind duhet të jetë "themeli" dhe jo "kulmi". Ky nuk është problem për vendet si Estonia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat shpenzuan të gjitha 3 për qind, ose më shumë. Por, për të tjerët, mund të jetë vetëm një premtim bosh.
Një çështje tjetër është se NATO-s edhe një herë do t'i duhet të kthehet te gjërat themelore. Pas 20 vjetësh luftimesh kryesisht guerile në Afganistan, parashihet një nevojë për investime në avionë, tanke dhe artileri -- dhe kjo ishte një nevojë e menjëhershme edhe përpara se shumë aleatë të NATO-s të fillonin të dërgonin pajisje të tilla ushtarake në Ukrainë.
Pastaj vjen prodhimi i artilerisë. Edhe pse vendet evropiane po i rrisin ngadalë investimet, kryesisht për t'i siguruar Kievit më shumë municione, Rusia ende po shkrep në normën mujore të prodhimit të artilerisë në Evropë (aktualisht vlerësohet në 20.000-25.000 predha në muaj) vetëm brenda një dite në Ukrainë.
Miqtë e tjerë të NATO-s
Edhe pse Ukraina do ta marrë padyshim të gjithë vëmendjen në konferencë, vende të tjera joanëtare të NATO-s janë gjithashtu të pranishme në Vilnius.
Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC) dhe "Partnerët në rrezik" - në këtë rast, Bosnje-Hercegovina, Gjeorgjia dhe Moldavia -- takohen joformalisht ditën e parë, më 11 korrik, dhe të gjitha do të përfaqësohen nga ministrat e tyre të Jashtëm.
Një takim i NAC-it me katër "Partnerët e Indo-Paqësorit" - Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut - do të zhvillohet në ditën e dytë dhe të fundit të samitit, më 12 korrik, dhe do ta ketë të njëjtin format të përdorur në Madrid, në vitin 2022.
Më hollësisht
Për shkak se Franca nuk është një mbështetëse e fortë e kësaj ideje, NATO-ja ende nuk ka arritur një marrëveshje për krijimin e një zyre në Tokio, që është një efekt i dukshëm i këtij konflikti të brendshëm. Megjithatë, në takim, NATO-ja do të krijojë plane të reja bashkëpunimi me katër kombet e rajonit Indo-Paqësor, duke përfshirë tema si teknologjia e re kibernetike dhe detare.
Duket i çuditshëm kombinimi i Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë në një seancë. Dy të parët janë anëtarë të mundshëm të NATO-s, të cilët, si Ukraina, kanë oferta për anëtarësim në të ardhmen, por jo me një afat të caktuar. Moldavia, nga ana tjetër, ka një kushtetutë neutrale dhe ka një popullsi të ndarë thellësisht në lidhje me anëtarësimin e mundshëm.
Është gjithashtu një lloj nënvlerësimi për Gjeorgjinë. Deri kohët e fundit, Tbilisi dhe Kievi vepronin "dorë për dore" kur ishte fjala për anëtarësimin në NATO; nuk është më kështu. Sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët kam biseduar, "shkëputja" thjesht pasqyron faktin se qeveria ukrainase po bën presion më të madh për anëtarësimin në NATO.
Në samit, aleatët do të vazhdojnë të bëjnë premtime financiare për t’i përforcuar aftësitë mbrojtëse të Gjeorgjisë, sidomos në fusha të njohura si CBRN (mbrojtja kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore), dhe për të rinovuar disa nga objektet e trajnimit të këtij vendi.
Për Bosnje e Hercegovinën pritet një marrëveshje për një pako mbështetëse prej 30 milionë eurove; financim në 12 projekte në fusha si siguria kibernetike, evakuimi ajror mjekësor dhe forcimin e policisë së saj ushtarake.
NATO-ja e ka planifikuar një të ashtuquajtur "pako të zgjeruar për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse " për Moldavinë, që fokusohet në luftimin e dezinformimit, reagimin ndaj kërcënimeve kibernetike dhe në modernizimin e institucioneve mbrojtësve të vendit./REL
Presidenti francez Emmanuel Macron do të ketë takime dypalëshe nesër në mëngjes me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe pasnesër me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, në margjinat e samitit të NATO-s, në Vilnius të Lituanisë.
Çështja e pranimit të Suedisë në Aleancën Atlantike, e cila ende nuk është ratifikuar nga Turqia dhe Hungaria, do të jetë në qendër të konsultimeve që presidenti francez do të ketë nesër me homologun e tij turk, shkruajnë mediat e huaja.
Pala franceze e ka bërë të qartë se ratifikimi i pranimit të Suedisë duhet të bëhet pa vonesa të mëtejshme. Sa i përket çështjeve të tjera që do të diskutohen në samitin e NATO-s, burimet diplomatike franceze thanë se Parisi favorizon pranimin e Ukrainës në Aleancën Atlantike, duke vënë në dukje megjithatë se derisa të përfundojë pranimi, mbështetja ushtarake për Kievin duhet të vazhdojë.
Në veçanti, atij duhet t'i jepen garancitë e nevojshme, jo vetëm në lidhje me trajtimin e sulmit rus, por edhe në lidhje me trajtimin e sulmeve të ngjashme në të ardhmen. Së fundi, për çështjen e shpenzimeve të mbrojtjes, Parisi pritet të informojë NATO-n se deri në vitin 2030 këto do të kalojnë 2% të PBB-së franceze.
RUSI- Kremlini kërcënon se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të sillte pasoja për sigurinë e Evropës.
"Ju e dini pozicionin absolutisht të qartë dhe të qëndrueshëm të Federatës Ruse se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ketë pasoja shumë, shumë negative për arkitekturën e sigurisë, arkitekturën tashmë gjysmë të shkatërruar të sigurisë në Evropë", tha Peskov.
Aleanca ka vendosur të heqë një kërkesë burokratike për anëtarësim, duke i mundësuar Ukrainës të bashkohet më shpejt kur të përfundojë lufta, shkruajnë mediat e huaja. Edhe nesër NATO do të mbajë një samit në Vilnius, Lituani, që synon të tregojë solidaritet me Ukrainën.
GJERMANI- Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius njofton se Gjermani do të shpallë paketa të reja mbështetjeje për Ukrainën gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius, Lituani.
"Puna paraprake është "praktikisht e përfunduar", tha Pistorius.
Gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij francez Sebastien Lecornu në Berlin, Pistorius shtoi se ai pret që samiti i NATO-s të jetë i bashkuar në fokus të situatës aktuale të luftës në Ukrainë, shkruan CNN.
Pistorius tha gjithashtu se ai po vëzhgon çështjen e pranimit të Suedisë në NATO dhe si do të veprojnë Turqia dhe Hungaria. Lecornu tha se ishte thelbësore për aleatët që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur.
BRITANI E MADHE- Kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti amerikan Joe Biden në përfundim të takimit të tyre zyrtar të zhvilluar ditën e sotme në Downing Street kanë ranë dakord për nevojën për të forcuar aleancën e tyre dhe për të ruajtur mbështetjen për Ukrainën, shkruan CNN.
"Të dy liderët diskutuan kundërsulmin e Ukrainës dhe theksuan "rëndësinë e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë të vendit për mbrojtjen e saj afatgjatë, duke ofruar mbështetjen që i nevojitet Ukrainës për të fituar këtë luftë dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Sunak dhe Biden ranë dakord gjithashtu për nevojën për të siguruar që Suedia të ketë një "rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në NATO", tha zëdhënësi në deklaratë.
Deklarata përfundoi duke thënë se të dy liderët pranuan rëndësinë e miqësisë së tyre dhe të vazhdimit të dialogut të ngushtë që kanë pasur në disa muaj.
TURQI- Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se vendi i tij mund të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO nëse kombet evropiane hapin rrugën ndaj ofertës së Turqisë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian. Erdogan, vendi i të cilit ka pezulluar miratimin përfundimtar të anëtarësimit të Suedisë në NATO, i bëri komentet në Ankara të hënën përpara se të nisej për në takimin e nivelit të lartë të aleancës në Vilnius, Lituani, shkruajnë mediat e huaja.
“Turqia ka më shumë se 50 vjet që pret në derën e Bashkimit Evropian dhe pothuajse të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë tashmë anëtare të Bashkimit Evropian. Unë po i bëj këtë thirrje këtyre vendeve që e kanë mbajtur Turqinë të presë para portave të Bashkimit Evropian për më shumë se 50 vjet. Ejani dhe hapni rrugën për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Kur të hapni rrugën për Turqinë, ne do t'i hapim rrugën Suedisë siç bëmë për Finlandën”, tha Erdogan.
Turqia është një kandidate për t'u bashkuar me BE, por oferta e saj për anëtarësim ka ngecur për shkak të kthimit demokratik të Ankarasë dhe mosmarrëveshjeve me Qipron, anëtare e BE-së.
BRITANI E MADHE- Presidenti amerikan Joe Biden është takuar me kryeministrin britanik Rishi Sunak në Downing Street. Në fokus të bisedimeve do të jetë lufta në Ukrainë. Ky takim vjen përpara samitit të NATO-së në Vilnius, Lituani, nesër, shkruajnë mediat e huaja.
Kjo është hera e parë që Presidenti Biden viziton Downing Street si lider i SHBA-së dhe takimi i tij i gjashtë me Sunak në shtatë muaj. Presidenti Biden mbërriti me automjetin e tij, i njohur si “Bisha” me një autokolonë shoqëruese të sigurisë.
Në samit, i cili do të zhvillohet edhe përgjatë ditës së nesërme, do të diskutohen një sërë çështjesh, ku kryefjalë do të jetë lufta në Ukrainë, por edhe ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë në NATO, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash.

Përpara se të nisej për në samitin e NATO-s, presidenti i amerikan Joe Biden tha se Ukraina nuk është gati për anëtarësim në aleancë, duke pohuar se lufta me Rusinë duhet të përfundojë përpara se vendi të marrë një ftesë për anëtarësim.
Më 9 korrik, gjatë një interviste për CNN-in, Biden u shpreh se megjithëse është herët të flitet për përfshirjen e Ukrainës në Aleancë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë të NATO-s do të vazhdojnë të furnizojnë Kievin me armët e nevojshme për t'u mbrojtur kundër pushtimit të pajustifikuar rus.
Kjo intervistë u realizua para nisjes së Biden për një turne në tre vende të Evropës.
Biden foli përpara udhëtimit të tij njëjavor, i cili fillon në Londër, më pas shkon në Vilnius të Lituanisë për samitin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik, dhe në fund shkon Finlandë për t'u takuar me udhëheqësit e anëtarit më të ri të NATO-s.
“Unë nuk mendoj se ka unanimitet në NATO se a duhet të anëtarësohet Ukraina në familjen e NATO-s tani, në këtë moment, në mes të një lufte”, tha Biden.
"Ne jemi të vendosur të angazhohemi në çdo centimetër të territorit që është territor i NATO-s. Është një angazhim që ne të gjithë e kemi bërë pa marrë parasysh çfarë ndodh. Nëse lufta po vazhdon, atëherë të gjithë jemi në luftë", tha Biden.
Biden tha se ka folur shpesh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për situatën e NATO-s dhe tha se e ka siguruar atë për mbështetjen e Uashingtonit në mbrojtje kundër agresionit rus.
"Unë mendoj se ne duhet të përcaktojmë një rrugë racionale për Ukrainën që të jetë në gjendje të kualifikohet për të qenë në gjendje që të hyjë në NATO", tha Biden.
Në një intervistë të gjatë me ABC News nga Kievi më 9 korrik, Zelensky përsëriti se ai "kurrë" nuk do t'i dorëzojë asnjë territor Rusisë, duke përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin Kremlini e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.
Ai nuk e kundërshtoi një raport të Washington Post se zyrtarët ukrainas i thanë drejtorit të CIA-s, William Burns, gjatë një udhëtimi të fundit në Kiev se qëllimi i kundërofensive aktuale ishte afrimi te Krimea, diçka që besohet se mund ta detyronte presidentit rus Vladimir Putin të ulej në tryezë për negociata.
“Ka shumë gjasa që Putini do të detyrohet të kërkojë dialog me botën e qytetëruar, ndryshe nga sa ishte përpara pushtimit në shkallë të gjerë, sepse ai do të dobësohet”, tha Zelensky.
Më vonë, më 9 korrik, Biden foli në telefon me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, në të cilën ata diskutuan mundësinë e anëtarësimit të Suedisë në NATO, tha presidenca turke.
Erdogan i tha Bidenit se Stokholmi kishte ndërmarrë hapat e duhur që Ankaraja të ratifikonte kërkesën e saj për anëtarësim, duke iu referuar një ligji kundër terrorizmit, por se këta hapa nuk ishin të dobishëm, pasi mbështetësit e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK) vazhduan të mbanin demonstrata në Suedi.
Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dërgimin e avionëve luftarakë F-16 dhe statusin e Ukrainës në NATO, teksa thanë se do të takohen personalisht në samitin e NATO-s në Vilnius./REL
LITUANI-Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama do të niset drejt Lituanisë ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Gjatë qëndrimit në Vilnius, Rama pritet të zhvilloj një takim me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis.
Takimi pritet të fokusohet te marrëdhënia dypalëshe dhe çështja për Fredi Belerin, i cili ndodhet që prej 12 majit në qeli pasi akuzohet për blerje votash.
Që prej arrestimit të tij Athina zyrtare ka kërkuar lirimin e kryebashkiakut të Himarës. Madje, pala greke ka ‘kërcënuar’ se këtë çështje do t'ia parashtronte edhe mekanizmave ndërkombëtarëve.
Kujtojmë se Fredi Beleri, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit dhe akuzohet për blerje votash. Prokuroria dhe Policia e Vlorës e ndoqën rastin me metoda speciale hetimi, duke përdorur agjent të infiltruar, i cili për tetë vota mori 400 mijë lekë të vjetra. Beleri u arrestua në kushtet e flagrancës.
Pavarësisht se u arrestua para zgjedhjeve, Beleri qëndroi si kandidat nga burgu dhe me ardhjen e mijëra minoritarëve nga Greqia arriti të fitonte zgjedhjet me një diferencë minimale votash, ndaj kandidatit socialist Jorgo Goro./Dosja.al

Në historinë 74-vjeçare të NATO-s, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare nuk kanë qenë kurrë kaq afër një kundërshtari. Kryeqyteti i Lituanisë, Vilnius, është vetëm 200 kilometra nga kufiri me agresorin rus në Kaliningrad. Ndërsa kufiri i Ukrainës, të cilën Rusia e sulmoi, është vetëm 360 kilometra larg. Kufiri i Bjellorusisë aleate të Rusisë, ku pritet të mbërrijnë luftëtarët e Wagner, është vetëm 35 kilometra larg.
Për sigurinë e samitit më të madh të krerëve të shteteve dhe qeverive në historinë e Lituanisë, ushtria e saj dhe NATO po vënë në dispozicion 4000 ushtarë. Po të shtojmë policinë dhe shërbimet sekrete, atëherë në sigurinë e samitit janë angazhuar 12 mijë persona. Diplomatët lituanezë thonë se duhet të merren parasysh "provokimet” e mundshme ruse, ndaj në mbrojtje janë përfshirë edhe ushtria gjermane, sistemet kundërajrore Patriot janë vendosur përkohësisht rreth Vilniusit, e janë angazhuar edhe njësi speciale ushtarake.
Çfarë duhet të arrijë Lituania?
Hapësira e panairit në kryeqytetin e Lituanisë është rinovuar për nevojat e samitit. Takimi do t'i kushtojë vendit 38 milionë euro. Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, beson se janë para të investuara mirë. Ai thotë se me një samit të organizuar mirë, Lituania tregon se është mjaft e "pjekur" për të lehtësuar një takim historik. Nauseda është një mbështetës energjik i Ukrainës dhe i anëtarësimit të saj në NATO. Ai shton se është e rëndësishme për të që NATO të tregojë unitet. Presidenti lituanez thotë se është e nevojshme të shfrytëzohet dobësia e Vladimir Putinit pas tentativës për grusht shteti nga mercenarët e Wagnerit.
"Disa nga kolegët e mi thonë se një Putin i fortë është më pak i rrezikshëm se një Putin i dobët. Unë nuk jam dakord. Ne duhet të veprojmë më energjikisht, sepse jemi në një udhëkryq historik, nëse nuk jemi të vendosur dhe të bashkuar tani, nesër do të jetë vonë”.
Çfarë pret Ukraina nga NATO?
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti vazhdimisht qëllimin e tij: "Ukraina është gati për anëtarësim në NATO". Ne presim se kur NATO do të jetë gati për Ukrainën”. Ai tha se e kupton që Ukraina nuk mund të bëhet anëtare e aleancës ushtarake perëndimore gjatë një konflikti të armatosur, por pret garanci sigurie: "Garancat e sigurisë nuk janë të rëndësishme vetëm për Ukrainën, por edhe për vendet përreth, për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe agresionit të mundshëm rus në pjesë të tjera të Evropës."
Pritshmëritë e Kievit janë të larta. Por kancelari gjerman Olaf Scholz, si dhe një numër i krerëve të tjerë shtetesh dhe qeverish të shteteve më të mëdha anëtare, ishin të qartë: "Nuk mund të ketë anëtarësim në aleancën tonë të mbrojtjes gjatë kohës së luftës. Një nga supozimet e anëtarësimit është - që vendi të mos ketë konflikte të pazgjidhura kufitare”.
A do të ishte më mirë një pranim më i shpejtë i Ukrainës në NATO?
Nuk është e qartë se si duhet të duken garancitë e sigurisë së anëtarëve më të mëdhenj të NATO-s si SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania menjëherë pas përfundimit të luftës. Kjo të paktën duhet të diskutohet në Vilnius. Claudia Major, një eksperte për politikat e sigurisë në Fondacionin për Shkencë dhe Politikë me qendër në Berlin, beson se kancelari gjerman është shumë hezitues. Ajo rekomandon që pjesët e Ukrainës që janë plotësisht nën kontrollin e Ukrainës të pranohen në NATO që tani. Pra, sipas saj, Ukraina do të ishte një aleate e vërtetë dhe NATO-ja do të duhej ta mbronte atë.
"Nuk është një proces i shpejtë dhe i lehtë. Anëtarësimi në NATO është i lidhur me rreziqe të shumta. Por nëse tani themi se anëtarësimi është i mundur vetëm pas luftës, atëherë ky është një motivim faktik për Rusinë që ta zgjasë luftën pafundësisht dhe kështu në mënyrë efektive të ketë një veto mbi të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur lirisht aleatët," thotë Major për ARD.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mandati i të cilit u zgjat kohët e fundit për një vit, përsërit pa u lodhur formulën se anëtarët e NATO-s do të ndihmojnë Ukrainën me armë, municione dhe trajnime për aq kohë sa i duhet për të zmbrapsur një sulm rus.
"Pres njoftime të reja për ndihmë ushtarake për Ukrainën në samit. Ne do të biem dakord edhe për një program shumëvjeçar për të përgatitur Ukrainën për anëtarësimin në NATO. Ne duhet të arrijmë që Ukraina të mbijetojë si një shtet sovran dhe i pavarur në Evropë”, tha Stoltenberg përpara samitit.
Çfarë është kontestuese?
Në mesin e 30 delegacioneve të anëtarëve të NATO-s, ende nuk ka marrëveshje për detajet e politikës ndaj Ukrainës dhe për planet e mbrojtjes për të penguar sulmet e mundshme ruse, thonë qarqet diplomatike. Përveç kësaj, Hungaria, e cila është e shpesh mbanë qëndrime në favor të Rusisë, nuk është shumë e përfshirë në ndihmën ndaj Ukrainës. Kohët e fundit, Franca është angazhuar për pranimin e shpejtë të Ukrainës në NATO. Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore janë më hezituese, ndërsa shtetet baltike kërkojnë më shumë armë, më shumë municione, në fakt më shumë nga gjithçka për Ukrainën.
Ish-strategu i lartë i NATO-s, Schtefani Babst thotë: "Është mirë të shkosh në një samit dhe të thuash - oh, ne jemi të gjithë në një anë. Por kjo është e pakuptimtë sepse çdokush mund të shohë se ka qasje të ndryshme. Dhe kur ne e shohim këtë, këtë mund ta shohë edhe Putini, e mund ta shohin edhe kinezët dhe iranianët".
Pse duhet të presë ende Suedia?
Është vendimtare se si amerikanët do të pozicionohen si liderë të NATO-s në tema të diskutueshme. Presidenti amerikan Joe Biden është shprehur kundër pranimit të shpejtë të Ukrainës në NATO, por synon të dërgojë më shumë ndihmë ushtarake. Përveç kësaj, ai dëshiron të ndikojë tek presidenti turk Erdogan që të heqë dorë nga rezistenca e tij ndaj pranimit të Suedisë si anëtare e NATO-s. Erdogan do të takohet me kryeministrin suedez Ulf Kristerson në Vilnius të hënën (10 korrik), përpara fillimit të samitit. Kreu i qeverisë suedeze ishte në Shtëpinë e Bardhë të dielën e kaluar për të kërkuar mbështetje.
Turqia vazhdon të akuzojë Suedinë se nuk po bën mjaftueshëm kundër terroristëve kurdë që banojnë në vendin skandinav. As parlamenti hungarez nuk ka votuar ende për pranimin e Suedisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se zgjidhja e problemit është në horizont.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishina, ka udhëtuar vazhdimisht në Evropë gjatë muajve të fundit për të lobuar për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Duke marrë parasysh grindjet brenda NATO-s, ajo vlerëson perspektivat për një premtim të qartë ndaj Ukrainës se do të pranohet në NATO si më poshtë: "NATO është një organizatë shumë e veçantë. Marrja e një përgjigje nga NATO është e ndryshme nga mënyra se si veprojnë miqtë e tjerë politikë në mbarë botën.”/DW