LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

Kurti propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës/ LVV deklaron se ofroi 30 firma për të mbështetur Osmanin, Presidenca e Kosovës e përgënjeshtron

• Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka propozuar Glauk Konjufcën për president të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje partive të tjera të propozojnë kandidatin e tyre. • Konjufca, i cili sapo është emëruar ministër i Punëve të Jashtme, është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. • Gjatë ditës, deputetë të të gjitha partive janë parë pranë Kuvendit, të mbledhur në takime të grupeve parlamentare. • Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër, çka e shton presionin politik mbi shumicën parlamentare për të ofruar një zgjidhje. • Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. • Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61. • Sipas Kushtetutës, po dështoi zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh. • Pasi LVV propozoi Konjufcën, LDK ka reaguar ashpër, duke thënë se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. • Përmes një deklarate LDK shprehet se LVV e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. • Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar, se për ta thirrur në seancë për zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë. • Gjithashtu Kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Negavci ka njoftuar në një konferencë për media se LVV i ka ofruar presidentes aktuale, Vjosa Osmani, tridhjetë nënshkrime për kandidaturën e saj për mandatin e dytë, por sipas saj, Osmani ka refuzuar ofertën për shkak të mungesës së mbështetjes nga partitë e tjera. • Pas deklaratave të Negavcit, Presidenca ka mohuar se partia në pushtet i kishte ofruar mbështetje presidentes Vjosa Osmani për të garuar për një mandat të dytë në krye të shtetit.• Shefja e stafit të Osmani, Learta Hollaj e quajti gënjeshtër deklaratën e Arbërie Nagavci, se partia e saj ia kishte ofruar edhe Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të garuar për një mandat të dytë.

6 artikuj për këtë temë.

4 MUAJ ME PARE

REL: Propozimi i Konjufcës për president thellon përplasjet mes pushtetit, opozitës dhe Osmanit

Kurti propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës/ LVV
Glauk Konjufca

Në prag të skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës - më 5 mars në mesnatë - Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ka dalë zyrtarisht me kandidatin e saj për këtë pozitë – Glauk Konjufcën, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Për t’u caktuar seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, nevojitet edhe një kandidat tjetër.

Vetëvendosje u ka bërë thirrje partive opozitare më 4 mars që gjatë ditës së nesërme ta propozojnë kandidatin e tyre, duke u ofruar edhe nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të saj - 30 sosh - në mënyrë të procesi të shkojë përpara.

Kjo parti pret që seanca për zgjedhjen e presidentit të mbahet brenda afatit, ndërsa në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje u tha se do të angazhohet edhe vetë kryeministri Albin Kurti.

“Do t'i vazhdojnë angazhimet e kryeministrit Kurti për të gjetur një zgjidhje, dhe pas kësaj unë jam shumë optimiste dhe pres, dhe u bëj thirrje krejt deputetëve që të mos e çojnë vendin edhe një herë në zgjedhje. Pra, kjo nuk është punë kushtëzimi, por përgjegjësie qytetare”, tha të mërkurën shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Kjo parti ka numër të mjaftueshëm deputetësh për ta propozuar edhe një kandidat të dytë, por tha se për momentin po ia lë këtë mundësi opozitës.

Opozita e akuzoi Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje se nuk po kërkojnë konsensus për zgjedhjen e presidentit, por po e shtyjnë vendin drejt një krize të re politike dhe rrezikut për zgjedhje të reja.

Kandidaturën nga Vetëvendosje dukej se e priste edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila edhe herën e parë ishte zgjedhur pas garë në një listë të përbashkët me këtë parti.

Nagavci tha se ky subjekt ia kishte ofruar mbështetjen për kandidim edhe asaj, përveç Konjufcës, por kjo u demantua shpejt nga kabineti i Osmanit, i cili tha se kjo është gënjeshtër.

Nagavci u kundërpërgjigj dhe tha se qysh sot ia garanton asaj nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të Vetëvendosjes për kandidaturë.

Çka parasheh Kushtetuta?

Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.

Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike sikurse është shkuarja në zgjedhje. Miftaraj thotë se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

Si reaguan partitë tjera për emrin e Konjufcës?

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), partia më e madhe opozitare në vend, deputetja Vlora Çitaku tha se "tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total".

Çitaku shkroi në Facebook se "në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike".

Burime brenda PDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie nuk shkojnë fare në seancë "derisa ka kandidatë partiakë pa marrëveshje politike".

Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) tha në Facebook se “qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi".

Sipas LDK-së, për shkak të qasjes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.

Pse LVV-ja nuk e kandidoi Osmanin?

Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nga gazetarët më 2 mars pse nuk po e propozon Osmanin, ai ka lënë të kuptohet se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke thënë se "ne duhet t'i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht".

"Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t'i kemi 80, por 84 apo 85", tha Kurti.

Emini: Një presidente e pavarur sot mund të bëhet një konkurrente e drejtpërdrejtë politike nesër
Donika Emini nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova u është qasur vazhdimisht zgjedhjeve presidenciale përmes cikleve të manovrimeve politike, e jo përmes ndërtimit të një konsensusi të mirëfilltë.

“Tani Kurti po i përdor numrat për ta arsyetuar vendimin e tij për Osmanin, megjithëse ai njihet për arrogancë ndaj numrave dhe për presion ndaj opozitës. Në këtë kuptim, një mandat i dytë për Osmanin nuk ishte kurrë i garantuar. Pavarësisht vlerësimeve të vazhdueshme të larta në publik, ajo nuk shihej domosdoshmërisht si një kandidate unifikuese parlamentare. Marrëdhëniet e saj me partitë opozitare kanë qenë të tendosura; madje as baza e saj politike, përfshirë GUXO-n, nuk e ka mbështetur kandidaturën e saj, kryesisht për shkak të përçarjeve me Donika Gërvallën. Legjitimiteti popullor nuk përkthehet automatikisht në aritmetikë parlamentare. Ky është realiteti në Kosovë”.

Sipas saj, rol në këtë situatë ka luajtur edhe “profili i fortë dhe i dukshëm ndërkombëtar i Osmanit”.

“Në një mjedis politik ku prestigji i politikës së jashtme ushqen autoritetin e brendshëm, kjo dinamikë është e rëndësishme. Për një kryeministër që ka qeverisur me një shumicë të fortë dhe kontroll të centralizuar politik, të mbetesh në hije në arenën ndërkombëtare nuk është çështje e vogël. Ka pasur gjithashtu momente fërkimi mes dy institucioneve: gjatë fazave të ndjeshme të dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë, rreth aspekteve të Procesit të Berlinit dhe në menaxhimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara”.

Mes tjerash, ajo beson se “duke pasur parasysh karakterin e fortë politik të Osmanit dhe një shkallë të caktuar paparashikueshmërie, ai skenar paraqet pasiguri afatgjatë për Kurtin: një presidente e pavarur sot mund të bëhet një konkurrente e drejtpërdrejtë politike nesër”.

Sa i përket kandidaturës së Konjufcës, Emini beson se ky hap ka kuptim strategjik.

“Si figura e dytë më e votuar brenda Vetëvendosjes dhe ish-kryetar i Kuvendit, Konjufca sjell si legjitimitet elektoral, ashtu edhe përvojë institucionale. Në të njëjtën kohë, ai është një nga aleatët politikë më të afërt dhe më të besuar të Kurtit. Ky kombinim - qëndrueshmëri e fortë e brendshme, kredibilitet ndërpartiak dhe besnikëri personale - e bën atë një zgjedhje të parashikueshme dhe të harmonizuar politikisht”.

Prej ditësh, në media janë përmendur emra të ndryshëm si kandidatë të mundshëm, të cilëve më 4 mars u është shtuar edhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.

Zhvillimet e sotme pasojnë një sërë takimesh të ditëve të fundit mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të partive opozitare, si Bedri Hamza i PDK-së dhe dy takime të njëpasnjëshme të hënën dhe të martën me Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Takimet përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete dhe pa konsensus mes palëve për emrin e kandidatit për president./REL

4 MUAJ ME PARE

Presidenca përgënjeshtron deklaratat e LVV-së: Gënjeshtër, Osmanit nuk i janë ofruar nënshkrimet nga LVV për rizgjedhje

Kurti propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës/ LVV
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidenca e Kosovës e ka mohuar se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje i kishte ofruar mbështetje presidentes Vjosa Osmani për të garuar për një mandat të dytë në krye të shtetit, duke ia siguruar edhe asaj nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë.

Shefja e stafit të Osmani, Learta Hollaj e quajti gënjeshtër deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, se partia e saj ia kishte ofruar edhe Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të garuar për një mandat të dytë, por se ajo e kishte hedhur poshtë mundësinë.

"Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si presidente e Kosovës", shkroi në Facebook Hollaj.

Nagavci tha se LVV-ja i ka numrat e mjaftueshëm të deputetëve për t’ua siguruar garimin dy kandidatëve, por, “duke dashur të ofrojë mundësi për bashkëpunim dhe për një garë që u jep mundësi garimi edhe kandidatëve të tjerë”, ajo është e gatshme t’ua ofrojë nënshkrimet partive të tjera për një kandidat tjetër.

Më herët LVV-ja e kryeministrit Albin Kurti e propozoi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, për president të Kosovës. Konjufca është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se për ta thirrur në seancë pr zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë.

“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit”, tha Haxhiu./Dosja.al

4 MUAJ ME PARE

Kurti i ofroi Vjosa Osmanit 30 firma, Presidentja në detyrë i refuzon

Kurti propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës/ LVV

KOSOVË- Kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Negavci ka njoftuar në një konferencë për media se LVV i ka ofruar presidentes aktuale, Vjosa Osmani, tridhjetë nënshkrime për kandidaturën e saj për mandatin e dytë. Por sipas saj, Osmani ka refuzuar ofertën për shkak të mungesës së mbështetjes nga partitë e tjera.

“Ka pasur interesim për kandidimin e presidentes edhe një mandat. I kemi ofruar Vjosa Osmanit nënshkrimet për kandidaturën e saj, deri tani asnjë subjekt tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë. Osmani s’ka pranuar këtë ofertë,” tha Nagavci, duke shtuar se LVV është e gatshme të ofrojë nënshkrime edhe për partitë e tjera për të mundësuar paraqitjen e kandidatëve potencialë.

Ajo sqaroi se Lëvizja Vetëvendosje mund të ndajë, 10 nënshkrime për një kandidat te Partia Demokratike e Kosovës dhe 20 për një kandidat tjetër, për të shmangur përsëritjen e situatës së vitit 2025, kur u detyruan të zhvillojnë zgjedhje të përsëritura dhe të kushtueshme. Nagavci theksoi gjithashtu se oferta për nënshkrime ka për qëllim të mundësojë zgjedhje të shpejta dhe të efektshme të presidentit, duke marrë parasysh afatin e shkurtër dhe dinamikat aktuale të procesit./Dosja.al

4 MUAJ ME PARE

LVV propozoi Konjufcën për President të Kosovës/ Haxhiu: Nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit pa i pasur dy kandidatë

Kurti propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës/ LVV
Albulena Haxhiu

KOSOVË- Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka deklaruar, pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufca, për president të Kosovës, se për ta thirrur në seancë për zgjedhjen e presidentit, nevojiten të paktën dy kandidatë në garë. Konjufca është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

“Derisa nuk kemi së paku dy kandidatë që nuk kanë siguruar 30 nënshkrime për garën për president, unë nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se janë edhe “30 orë kohë” deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Por, Kushtetuta, në nenin për zgjedhjen e presidentit, thotë se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje. Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike si shkuarja në zgjedhje. Miftaraj thotë se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

Pas propozimit të LVV, i menjëhershëm ishte reagimi i partive opozitare. Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) tha në Facebook se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Sipas LDK-së, për shkak të qasjes së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), deputetja Vlora Çitaku tha se tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total. Çitaku shkroi në Facebook se në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike.

Prej ditësh, në media janë përmendur emra të ndryshëm si kandidatë të mundshëm, të cilëve sot u janë shtuar edhe Konjufca, dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti. Osmani më herët kishte shprehur gatishmërinë për të kandiduar edhe për një mandat tjetër në krye të shtetit. Ajo ishte propozuar nga Vetëvendosje kur u zgjodh për herë të parë më 2021, por jo edhe këtë herë.

4 MUAJ ME PARE

Pas shpalljes së kandidatit për President, LDK reagon ashpër ndaj LVV: Nuk reflektojnë përpjekje serioze për zgjedhje

Kurti propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës/ LVV
Foto ilustruse

KOSOVA- LDK ka reaguar ashpër ndaj LVV, pas shpalljes së kandidatit për President. LDK-ja thotë se qasja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. 

Përmes një deklarate LDK shprehet se  ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Sipas tyre, një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional.

LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike.

Njotimi:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore.

Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar.

Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional.

LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike. Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare.

Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë./Dosja.al

4 MUAJ ME PARE

Gara presidenciale, Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës

Kurti propozon Glauk Konjufcën për president të Kosovës/ LVV

KOSOVË- Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti e ka propozuar Glauk Konjufcën për president të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje partive të tjera të propozojnë kandidatin e tyre. Konjufca, i cili sapo është emëruar ministër i Punëve të Jashtme, është kandidati i vetëm i propozuar deri më tani, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, tha Vetëvendosje në Facebook.

Prej disa ditësh, në media janë përmendur emra të ndryshëm si kandidatë të mundshëm, të cilëve sot u janë shtuar edhe Konjufca, dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti. Ndërkohë, Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, më herët kishte shprehur gatishmërinë për të kandiduar edhe për një mandat tjetër në krye të shtetit.

Gjatë ditës, deputetë të të gjitha partive janë parë pranë Kuvendit, të mbledhur në takime të grupeve parlamentare. Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër, çka e shton presionin politik mbi shumicën parlamentare për të ofruar një zgjidhje.

Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61. Sipas Kushtetutës, po dështoi zgjedhja në këto tre runde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, deklaroi se deri më tani nuk kanë marrë asnjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për ndonjë takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ajo theksoi se përgjegjësia për procesin i takon partisë së parë parlamentare, përkatësisht LVV-së, e cila sipas saj duhet të prezantojë një emër dhe të sigurojë 30 nënshkrime për thirrjen e seancës.

Neni 86 i Kushtetutës përcakton që secili kandidat duhet t’i sigurojë 30 nënshkrime të deputetëve për t’u nominuar, dhe se deputetët mund të japin nënshkrimin vetëm për një kandidat. Lushaku shtoi se LDK-ja ka shprehur gatishmëri për dialog dhe për të marrë pjesë në proces, por se deri tani nuk ka as iniciativë zyrtare dhe as kandidat të propozuar.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka sinjale për marrëveshje. Kryetari i saj, Bedri Hamza, tha se nuk ka as marrëveshje dhe as kandidat, duke theksuar se PDK-ja nuk do të propozojë emër pa dakordim paraprak politik. Ai shtoi se partia e tij ka kërkuar që presidenti të zgjidhet nga radhët e PDK-së ose të paktën të ketë një marrëveshje për një “emër dinjitoz”, brenda ose jashtë strukturave partiake.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku tha se ai dhe kolegët e tij do të kishin votuar me zemër një kandidat nga familja Jashari, por se nuk do ta votojnë Andin Hotin, edhe nëse ai propozohet, duke theksuar se ai është pjesë e LVV-së.

Lushtaku shtoi se PDK-ja nuk do të qëndrojë në sallë nëse mbahet seanca për presidentin pa një marrëveshje politike. Kritika të ashpra pati edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i cili tha se vendi po përballet me një krizë serioze për shkak të mungesës së një procesi të mirëfilltë politik për zgjedhjen e presidentit. Ai theksoi se ende asnjë grup parlamentar nuk ka informacion për mbajtjen e seancës, ndonëse kanë mbetur edhe pak orë deri në afat.

Zhvillimet e sotme pasojnë një sërë takimesh të ditëve të fundit mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të partive opozitare, si Bedri Hamza i PDK-së dhe dy takime të njëpasnjëshme të hënën dhe të martën me Lumir Abdixhikun e LDK-së. Takimet përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete dhe pa konsensus mes palëve për emrin e kandidatit për president.

kosove albin kurti vjosa osmani glauk konjufca

Sondazh

Poll

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Balla- Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë... flamingot e vërteta e braktisën llumin e kënetës

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim