Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 Mijë...
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 Mijë...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Rritja e çmimeve të shërbimeve celulare po e rimëkëmb tregun e komunikimeve elektronike në vend. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat totale të operatorëve të tregut vitin e kaluar arritën vlerën e 39.3 miliardë lekëve (rreth 400 milionë eurove), në rritje me 4% krahasuar me një vit më parë.
TIRANË- Pas një faze disavjeçare stanjacioni, tregu i shërbimeve të komunikimit të lëvizshëm vitin e kaluar tregoi rritje të volumit të të ardhurave dhe fitimeve të operatorëve. Rritja e çmimeve pas vitit 2022 duket se ka ndikuar pozitivisht në performancën financiare të kompanive. Ndërkohë, tregu fiks pësoi rënie për të dytin vit radhazi. Ndryshe nga tregu celular që është rikthyer në një strukturë duopol, segmenti fiks karakterizohet nga një konkurrencë e lartë dhe një numër i madh operatorësh aktivë.
Rritja e çmimeve të shërbimeve celulare po e rimëkëmb tregun e komunikimeve elektronike në vend. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat totale të operatorëve të tregut vitin e kaluar arritën vlerën e 39.3 miliardë lekëve (rreth 400 milionë eurove), në rritje me 4% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e tregut erdhi e gjitha në segmentin e shërbimeve celulare. Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike celulare në vlerën 27.93 miliardë lekë, në rritje me 8.9% krahasuar me një vit më parë.
Tregu i shërbimeve celulare vazhdon të sigurojë volumin më të madh të të ardhurave të tregut, me 71% të xhiros totale të tregut, në rritje të mëtejshme nga niveli prej 69% i një viti më parë.
Të ardhurat e gjeneruara nga ofrimi i shërbimeve celulare me shumicë përbëjnë rreth 18% të totalit të të ardhurave dhe pjesa tjetër, rreth 82%, gjenerohen nga tregu i pakicës.
Në ndarjen e tregut sipas xhiros nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 58% të totalit, nga 56% që mbante një vit më parë.
Fitimi i operatorëve celularë u rrit me 4.5 herë
Sipas informacionit të raportuar në AKEP, dy operatorët celularë vitin e kaluar fituan afërsisht 1.68 miliardë lekë për 2024, ndërsa viti 2023 ishte mbyllur me një fitim neto në vlerën e 370 milionë lekëve.
Vodafone Albania raportoi një fitim neto në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, ndërsa një vit më parë kishte realizuar një fitim neto prej rreth 300 milionë lekësh.
Një fitim më të vogël ka raportuar operatori i dytë One Albania, por që gjithashtu e ka përmirësuar ndjeshëm rezultatin krahasuar me një vit më parë.
Sipas AKEP, One Albania e mbylli vitin 2024 me një fitim neto në vlerën e 476 milionë lekëve, nga 70 milionë lekë që kishte qenë rezultati i raportuar një vit më parë.
Me këtë shifër, dy operatorët celularë kanë arritur fitimin më të lartë që prej vitit 2019.
Në mungesë të pasqyrave të detajuara financiare, mund të vlerësohet se rritja e çmimeve të shërbimeve të komunikimit po ndikon pozitivisht bazën e të ardhurave të operatorëve dhe rritjen e fitimeve të tyre.
Ulja e numrit të operatorëve celularë nga tre në dy, por edhe rezultatet e pakënaqshme financiare të tyre kanë sjellë shtrenjtimin gradual të paketave të komunikimit.
Pas vitit 2022, operatorët celularë i kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit me parapagesë me të paktën 100-200 lekë, por ndërkohë kanë ulur njësitë e përfshira të komunikimit në to, si një formë për të nxitur përdoruesit të lëvizin drejt paketave me çmim më të lartë.
Në fillim të vitit 2024, të dy operatorët celularë, kanë përcaktuar në kushtet e përgjithshme të kontratës të drejtën e tyre për të indeksuar çdo vit çmimin e paketës me inflacionin mesatar vjetor, sipas shifrës së publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për vitin paraardhës.
Megjithatë, sipas AKEP, Vodafone Albania nuk e ka aplikuar klauzolën në vitin e kaluar, ndërsa One Albania e aplikoi atë më datë 1 qershor 2024, por vetëm për pajtimtarët e kategorisë Biznes.
One Albania ka informuar AKEP-in se klauzola e IÇK-së u zbatua për 15,126 pajtimtarë individualë të kategorisë biznes dhe 3,265 subjekte biznesi të regjistruar me NIPT, zotërues të 195,282 numrave celularë.
Shpenzimi mesatar i shqiptarëve për komunikimin celular u rrit për të katërtin vit radhazi
Çdo përdorues shpenzoi vitin e kaluar mesatarisht pothuajse 9200 lekë për shërbime të komunikimeve celulare. Sipas të dhënave nga AKEP, vitin e kaluar, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për këto shërbime u rrit me rreth 16% krahasuar me një vit më parë.
Kjo vlerë mbështetet në treguesin e të ardhurave mesatare për përdorues të operatorëve celularë (ARPU) dhe llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me numrin total të përdoruesve aktivë (karta SIM aktive).
Sipas këtij treguesi, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për shërbimet celulare u rrit për të katërtin vit radhazi.
Ky tregues ka arritur gjithashtu nivelin më të lartë në më shumë se 15 vjet.
Shpenzimi mesatar mujor për shërbimet celulare kishte filluar rënien pas procesit të rregullimit të tarifave me pakicë dhe rritjes së konkurrencës në tregun celular, me hyrjen në të të operatorit të tretë dhe të katërt.
Kjo rënie vazhdoi deri në vitin 2016, kur shpenzimi mesatar për celularin shënoi edhe nivelin më të ulët, me 4750 lekë.
Pjesërisht, kjo tendencë u theksua edhe nga fenomeni i mbylljes së komunikimit brenda rrjeteve, që i shtynte një pjesë të madhe të përdoruesve të përdornin më shumë se një kartë SIM.
Kjo sillte një numër më të madh të kartave SIM aktive, duke ndikuar në uljen e treguesit ARPU.
Pas vitit 2017, shpenzimi mesatar për shërbimet celulare filloi rritjen. Ky moment përputhet me daljen nga tregu të operatorit të katërt, Plus Communication. Rritja vazhdoi deri në vitin 2019, ndërsa viti i pandemisë, 2020, solli rënie të përkohshme.
Pas vitit 2021, treguesi ARPU i është kthyer rritjes. Kjo rritje është shpejtuar ndjeshëm në dy vitet e fundit, pas daljes nga tregu të operatorit të tretë, Albtelecom dhe konsolidimit të strukturës duopol të tregut celular.
Gjithashtu, shpenzimi mesatar i shqiptarëve për çdo minutë thirrje celulare vitin e kaluar arriti në 5.54 lekë për minutë, në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë.
Kjo vlerë bazohet në treguesin e të ardhurave mesatare për minutë (ARPM), që llogaritet si raport i të ardhurave nga shërbimet me pakicë me sasinë e minutave dalëse dhe tregon të ardhurat e sipërmarrësit për një minutë. Edhe ky tregues ka arritur nivelin më të lartë që prej vitit 2010.
Ulja e numrit të operatorëve celularë në vend ka ndikuar në shtrenjtimin e paketave të komunikimit.
Operatorët celularë kanë rritur çmimet për paketat bazë të komunikimit, si me parapagesë, ashtu edhe me kontratë, por ndërkohë kanë ulur edhe njësitë e përfshira të komunikimit në to, duke sjellë si rezultat shtrenjtim edhe më të lartë të shprehur për njësi.
Numri i përdoruesve ka rënë me 28% në një dekadë
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë ose kartave SIM në fund të vitit 2024 arriti në rreth 3.4 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri zotëron rreth 1.4 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.25 karta SIM pёr banorё.
Ndërsa, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.5 milionë, në rënie vjetore me 3.8%.
Në fakt, ulja e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare duket të jetë edhe një tendencë afatgjatë. Në harkun e një dekade, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ka rënë me më shumë se 28%. Kjo mund të shpjegohet me faktorë të brendshëm të tregut, por ndoshta edhe me faktorë demografikë.
Numri i operatorëve celularë është ulur nga katër në dy, ndërkohë që është gjithnjë e më pak e zakonshme që një përdorues të mbajë më shumë se një numër celular.
Kjo tendencë ishte mjaft e përhapur afërsisht deri para një dekade, para se të ndalohej diferencimi i çmimeve për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në numrin e përdoruesve në vitet e fundit është edhe marrëveshja për heqjen e tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke qenë se një pjesë e mirë e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, ata tashmë nuk e kanë më të nevojshme për të përdorur numra shqiptarë për komunikimin e tyre, gjatë kohës që ndodhen në Shqipëri.
Gjithmonë në horizontin afatgjatë, edhe tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund ta shpjegojnë pjesërisht rënien e numrit të përdoruesve aktivë.
Megjithatë, në periudha të veçanta, rritja e fortë e turizmit hyrës e kompenson përkohësisht ndikimin e faktorëve të mësipërm. Turistët e huaj jashtë zonës së Ballkanit Perëndimor në përgjithësi përdorin karta SIM shqiptare gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Gjatë tremujorit të tretë 2024, numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare shënoi rritje të fortë nga 2.52 milionë në 2.81 milionë.
Por, në tremujorin e katërt 2024, numri i abonentëve aktivë shënoi menjëherë një rënie të fortë në 2.49 milionë, çka lë të kuptohet se turizmi ka një ndikim të konsiderueshëm në numrin e përdoruesve aktivë të telefonisë celulare.
Ndërkohë, ndarja e numrit të përdoruesve mes dy operatorëve celularë nuk ka pësuar ndryshime të rëndësishme vitin e kaluar. Vodafone Albania në fund të 2024, raportonte rreth 1.26 milionë përdorues aktivë ose 50.6%.
One Albania kishte rreth 1.23 milionë përdorues aktivë, ose 49.6% të tregut.
Tregu fiks, në rënie për të dytin vit radhazi
Volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse vitin e kaluar u tkurr në 11.39 miliardë lekë, me rënie prej 4% krahasuar me një vit më parë. Sipas AKEP, rënia është diktuar kryesisht nga tkurrja e të ardhurave të sipërmarrësit One Albania nga rrjetet fikse, me rreth 1 miliard lekë.
One Albania vazhdon të kryesojë strukturën e tregut sipas të ardhurave, me rreth 26% të tyre, por pjesa e tregut e operatorit më të madh ka rënë ndjeshëm nga niveli prej 34% i një viti më parë.
Vodafone Albania renditet e dyta, me rreth 24% të të ardhurave, në rritje të lehtë nga niveli prej 23% që zotëronte një vit më parë.
ASC (Tring), zotëronte një pjesë tregu prej 7%, në nivele të përafërta me një vit më parë, e ndjekur nga bissnet, me afërsisht 6% (në rritje nga niveli prej 4% i një viti më parë), Digicom, me 6% (nga 5% që zotëronte një vit më parë), Nisatel, me 4% (nga 3% një vit më parë).
Operatorët më të vegjël, të marrë së bashku, sipas AKEP vlerësohet se zotërojnë rreth 24% të të ardhurave të tregut, afërsisht në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Ndërkohë, AKEP nuk publikon të dhëna apo vlerësime lidhur me rezultatin financiar të segmentit fiks të tregut të komunikimeve elektronike.
AKEP: 92% e familjeve kanë internet fiks
AKEP raporton se depërtimi i internetit në familjet shqiptare u rrit më tej vitin e kaluar. Mbështetur në vlerësimet e AKEP, 92% e familjeve kishin një linjë interneti fiks vitin e kaluar.
Ndërsa norma e depërtimit në raport me popullsinë u vlerësua në masën 28.9%, nga 22.9% që kishte qenë një vit më parë.
Bazuar në të dhënat rajonale në vitin 2024, qarqet me normat më të larta të penetrimit broadband ndaj numrit të përgjithshëm të popullsisë janë Tirana, me 42.1%, e ndjekur nga Vlora, me 31.5%, Durrësi, me 29.5% dhe Shkodra, me 28.9%.
Të dhënat e AKEP tregojnë se numri i abonentëve në fund të vitit të kaluar arriti në afërsisht 687 mijë, në rritje me 8.6% krahasuar me një vit më parë. Ritmi i rritjes së numrit të abonentëve ishte i përafërt me vitin 2023.
Tregu i shërbimit të internetit broadband me linja fikse në dekadën e fundit ka qenë mjaft konkurrues, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë dhe ku janë përqendruar edhe investimet e operatorëve në infrastrukturë rrjeti.
Sipas të dhënave nga AKEP, në fund të vitit 2024, tregu kryesohej përsëri nga One Albania, që raportonte më shumë se 152 mijë abonentë në shërbimin e internetit me brez të gjerë, shifër që përbën afërsisht 22% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut.
One Albania e ka rritur numrin e abonentëve me 9.2% krahasuar me një vit më parë.
Pas bashkimit mes dy operatorëve mes One Telecommunications dhe Albtelecom, kompania e re, One Albania, ka përmirësuar ndjeshëm ecurinë e saj në segmentin e shërbimeve fikse.
Pasi pati humbur kryesimin e tregut në vitin 2022, prej vitit të kaluar, One i është kthyer rritjes me ritme të larta dhe ka lënë përsëri mbrapa Vodafone Albania.
Vodafone Albania në fund të vitit të kaluar raportonte rreth 144 mijë abonentë, në rritje të lehtë me 13.2% krahasuar me një vit më parë. Vodafone mban vendin e dytë në tregun e internetit, me 21% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.
Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 9% të numrit të abonentëve, e ndjekur nga Abissnet, me 7%, Digicom, me 5% dhe Nisatel, me 4%. Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonalë dhe lokalë, që, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë afërsisht 28% të numrit të përgjithshëm të abonentëve./Monitor.al
Foto Ilustruese Gjatë dekadës së fundit, fushat klasike të studimeve të larta kanë humbur terren në mënyrë dr...
Foto Ilustruese TIRANË- Sektori bankar bëri pothuajse 106 mijë disbursime të kredive në gjysmën e parë të këti...
TIRANË- Aktualisht, Shqipëria vijon të ruajë një avantazh konkurrues për sa u përket çmimeve të një vakti ...
TIRANË- Rritja e pagave në administratën publike ndikoi ritmet mesatare të pagës bruto në të gjithë ekonominë edh...
Euro TIRANË- Deficiti i llogarisë korrente u rrit për tremujorin e dytë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqip&eum...
Gjashtë janë sektorët, ku potencialisht mund të zhvillohen projekte që përfitojnë nga statusi i investitorit strategjik n&e...
TIRANË- Norma e rrezikut të varfërisë në zonat urbane, qytetet e mëdha të Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Fierit...
TIRANË- Nga 2026 për arsimin e fëmijëve prindërit më të ardhura vjetore bruto më pak se 1,2 milionë lekë do ...
Foto Ilustruese KOSOVË- Turizmi në Kosovë ka shënuar rritje të dukshme gjatë muajit korrik 2025. Sipas të dhënave z...
69 njësi administrative të vendit, me më pak se 100 fëmijë të moshës 0-14 vjeç, sipas Cens 2023. Në Njësin...