jan prenga, dritan rexhepi
TIRANË- Dritan Rexhepi po dëshmon sot për herë të parë në seancën në Gjykatën e Posaçme për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Rexhepi është shprehur se asokohet ka qenë burg në Ekuador i dënuar me 13 vjet për trafik droge.
Për Gentian Doçajn, i dyshuar si urdhëruesi i pengmarrjes së Prengës, Rexhepi ka deklaruar se ka dëgjuar për të vetëm në media dhe në dosjen që ka lexuar. Ai është se nuk ka pasur asnjë njohje tjetër me të dhe gjithashtu nuk njeh as Martin Bletë dhe Korado Gështenjën.
Rexhepi ka mohuar të ketë pasur dijeni gjithashtu edhe për vjedhjen e drogës në portin Portsmouth në Londër, dhe se për gjithçka është informuar nga familja dhe mediat shqiptare.
Pyetjet dhe përgjigjet në seancë gjyqësore
Prokurori Behar Dibra: Në fund 2019 ku ndodheshit?
Dritan Rexhepi: Isha në burg në Ekuador. Isha i burgosur me 13 vite për trafik droge. Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja burgun.
Prokurori: A kishit kontakte me jashtë?
Rexhepi: Po me kabinë burgu.
Prokurori: Po me persona të tjerë?
Rexhepi: Jo nuk ishte e mundur.
Prokurori: Me kë kishit kontakte në burg ndonjë shqiptar?
Rexhepi: Me një kosovar, nuk ia mbaj mend emrin.
Prokurori: Ku keni qenë më përpara se të burgosurit?
Rexhepi: Nëpër botë.
Prokurori: Me kë u arrestuat?
Rexhepi: U akuzuan 10 persona. Remzi Azemi nga Kosova doli i pafajshëm
Prokurori: Gentjan Funiqi u kujton gjë ky emër?
Rexhepi: Vetëm nëpër media e kam dëgjuar. Kurrë në jetë s’kam pasur me të njohje.
Prokurori: Martin Dedja dhe Korado Gështenja i njeh?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: Në atë kohë ke bashkëpunuar me të tjerë për të kryer aktivitet droge kur ndodheshit në Ekuador?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: A ke marrë dijeni për një kontejner me drogë që u kap?
Rexhepi: E mësova pasi e pash nga mediat në Shqipëri. E kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzoheshin për një ngarkesë që është kapur në Angli. Në atë kohë mora dijeni për një person që ishte rrëmbyer dhe ishte marrë peng. Nëpërmjet familjarëve kërkova të merrja vesh. Më thanë që kishte përgjime të Dritan Rexhepit me vëllain e të humburit. Ku janë këto përgjime? Nuk jam unë aty. Më është nxirë faqja ka 5 vite. Ju keni hipur trenin e gabuar dhe doni të shkoni ku doni vetë. Nuk jam unë personi që kam folur me ata dhe s’jam unë ai person për ato që keni shkruar në dosje.
Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës
Jan Prenga u rrëmbye në 17 janar 2020. Në nëntor 2020, SPAK sqaroi se nga hetimi kishte rezultuar se të pandehurit Dritan alias Gromos Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës Jani Prenga në Kamëz më 17 Janar 2020. Si bashkëpunëtorë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës akuzohen dhe Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe Altin Hajri, ky i fundit pronari i kompleksit “Golden Resort” në Shijak, ku u rrëmbye dhe u pa për herë të fundit Jan Prenga.
Për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 17 janar në Kamzë, hetuesit shqiptarë zbuluan përgjimet telefonike nga Ekuadori, lidhur me sasinë e kokainë që do të transportohej nga Amerika Latine në Britani. Kokaina u mor për t’u transportuar nga vëllai i viktimës, Astrit Prenga, i cili nuk e dorëzoi kurrë dhe në formë hakmarrje u vendos rrëmbimi dhe më pas vrasja e Jan Prengës.