Berisha
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencë para gazetarëve u shpreh se qëndrimi i tyre është i prerë për minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar. Ai më tej shtoi se diktaturat nuk zhvillojnë zgjedhje, por farsa elektorale.
Berisha u shpreh se ka pasur një suficit 700 mln euro nga mosrealizimi i shpenzimeve. Sipas tij janë dhjetëra milionë euro ilaçe të sëmurëve që i kanë porositur 2-3 herë duke vjedhur dhe nuk ua kanë sjellë ilaçet të sëmurëve. Ai theksoi se opozita e vërtetë po zhvillon një betejë kundër narkodiktaturës, për zgjedhje të drejta dhe të ndershme. Berisha ftoi qytetarët të bashkohen në këtë betejë për zgjedhje të lira dhe të drejta.
"Një vendim do të merret, por qëndrimi ynë është i prerë, minimumi jetik 200 euro për çdo shqiptar. Ky është ligji i të gjitha ligjeve që ne do të mbrojmë në parlament. Unë ftoj çdo shqiptar të mbështesë këtë nismë, e cila i jep zgjidhje imediate problemeve të madh të krijuara tek 46% e shqiptarëve që jetojnë sot në varfëri dhe të kërcënuara nga varfëria. Vendosja e minimumit jetik dhe mbi të llogaritja e pensioneve me një rritje shtesë, ky buxhet ka çdo mundësi dhe kapacitet për të rivendosur në këtë mënyrë. Rikujtoj shqiptarët ka pasur një suficit 700 mln euro nga mosrealizimi i shpenzimeve. E kuptoni apo jo.
Janë dhjetëra milionë euro ilaçe të sëmurëve që i kanë porositur 2-3 herë duke vjedhur dhe nuk ua kanë sjellë ilaçet. Ne do të insistojmë me të gjithë potencialin tonë. Mosbindja civile është 77 metoda. Kudo zhvillohet, por unë mendoj se ne duhet të bëjmë betejë për minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar. Diktaturat nuk zhvillojnë zgjedhje, por farsa elektorale. Opozita e vërtetë po zhvillon një betejë kundër narkodiktaturës, për zgjedhje të drejta dhe të ndershme, prandaj gjej rastin të ftoj çdo qytetar, por edhe ata që ndihen opozitar të bashkohemi në këtë betejë për zgjedhje të lira dhe të drejta. Me diktaturën nuk ka zgjedhje, por farsë elektorale," tha ai.
Berisha shtoi se PD ka filluar punën me emigracionin dhe se po punon shpejt për të caktuar personat që do merren me zgjedhjet e tyre. Ai komentoi takimin e Ramës në Selanik ndërsa tha se ajo ishte një histori e turpshme mashtrimesh, abuzimesh dhe përdorimit të shtetit elektoral.
"Lidhur me aktivitetin e Edi Ramës me administratën publike në Selanik, ajo ishte një histori e turpshme mashtrimesh, abuzimesh dhe përdorimit të shtetit elektoral. Ndaj gjej rastin të përshëndes ata qytetarë që në sallë ia përplasën në fytyrë Edi Ramës mashtrimet që bëri, abuzimet e tij. Një koleg i juaj njofton se shpenzimet në Nju Jork afrohen me çerek milion dollarë. Pra, kemi të bëjmë me abuzime të mëdha. Gënjeu nga Alfa tek Omega.
A e dëgjuat, ju lutem, se shkalla ekstreme e degradimit të njeriut në moral dhe karakter është kur beson gënjeshtrën e tij. A e dëgjuat, ju tha administratës së vet, sigurisht kishte edhe ndonjë emigrant, se ku erdha në pushtet në vitin e fundit në Shqipëri nuk shkelte këmbë njeriu, paçka se Shqipërinë e vizitoi njëshi i botës, njeriu më i rëndësishëm i planetit. Paçka se vetëm pak muaj para zgjedhjeve, mbajti një fjalim historik në parlament Hillari Klinton dhe e takoi edhe Edi Ramën. Por ky beson gënjeshtrat e tij dhe forma më e rëndë e degradimit moral të njeriut është kur ai fillon të besojë gënjeshtrat e tij.
Nëse kthehemi pak më tutje, i ulur në podkastin e tij me një ministre përkarshi, i thoshte sot u operova, nesër në kundërshtim me shkencën dola se duhej të prisja Erdoganin, se vinte miku nga Turqia. Miku nga Turqia erdhi më 8 tetor, ky u operua me 3 tetor. Të njëjtin mashtrim përsëriste në studio me pensionistët. Pra, ju lutem sa herë që e keni dhe e shihni, mos injoroni faktin se ai beson gënjeshtrat e tij. PD ka filluar punën me emigracionin, po punon dhe shpejt do caktojë personat që do merren me zgjedhjet e tyre. Po lufton fort kudo. Rregullorja që u miratua është një rregullore në përputhje me standardet që ne pëlqejmë për votimin e tyre. Ne do bëjmë gjithçka për konkretizimin më të mirë të mundshëm të të drejtës kushtetuese të shqiptarëve, votimin e tyre. Sapo të caktohet personi, do t’u bëhet publik mediave," tha ai.