LIVE UPDATES
LIVE UPDATES

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama: Është trend, do kthehen. Berisha: I përzë krimi

• Mediat britanike vijojnë të ndjekin me mjaft prioritet zhvillimet në lidhje me emigrantët shqiptarët dhe rrugët që ndjekin ata për të shkruar në ‘tokën e premtuar’. The Sun shkruan se trafikantët tashmë po vijnë me oferta të reja pasi u premtojnë emigrantëve se do tu krijojnë mundësi që të anashkalojnë qëndrimet në kampe ku nuk janë as kushtet minimale. Paketa e re, me vlerë 11,000 £ për person përfshin një udhëtim 40 minutash me skaf nga Belgjika, pa rrezik për tu kapur e burgosur. Ata gjithashtu premtojnë akses te avokatët që do t'i ndihmojnë ata të shmangin kampet ose dëbimin e shpejtë. • Sot, valës së ikjeve nga Shqipëria, qeveria ka vendosur t’i përgjigjet përmes propagandës së inçizuar në Shijak. Ishte një zonjë e pranishme mes qytetarëve që sot presin të tërheqin çelësin e shtëpisë së rindërtuar pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, tha se ishte emigrante prej 30 vitesh në Belgjikë, por me shpirt jetonte në Shijak. Zonja në fjalë u shpreh se është krim të largohesh nga Shqipëria, pasi në Belgjikë paguanin 500 euro çdo muaj, energji elektrike dhe gaz. Ajo shtoi dhe faktin që në vendin e huaj shqiptarët përbuzen për të qenë më koherente me fjalët e kryeministrit Rama që prej ditësh përplaset me autoritetet britanike për valën e emigrantëve. • Vetë kryeministri Edi Rama tha se në mos herët apo vonë, çdo shqiptar do të kthehet në atdheun e tij dhe se vala e emigracionit për të, është vetëm një trend. • Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se është duke e kthyer në çështje politike shqetësimin e qeverisë britanike për emigrantët shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Angli. Këtyre replikave, Rama iu përgjigj me një status përmes të cilit u kërkonte qytetarëve të mos votonin PD-në e PL-në, pasi i konsideroi ‘llum’. • Autorja Lea Ypi ka debatuar në studion e Good Morning Britain në lidhje me fluksin e emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe. E ftuar për të dhënë mendimin e saj pse shqiptarët po shkojnë në Britaninë e Madhe, Ypi ishte përballë dy gazetarëve Kevin Maguire dhe Andreë Pierce. Debati nisi me revoltën e komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe pas deklaratës së Sekretares Suella Braverman "se po e pushtojnë Britaninë". Ypi tha se shqiptarët kanë të drejtën e tyre për të lëvizur dhe se është Britania e Madhe që duhet të shikojë mundësi punësimi por edhe të koordinimit të kufijve.

11 artikuj për këtë temë.

1 VITE ME PARE

The SUN: Saiti dhe Xheridja ngritën shtëpinë e ëndrrave me paratë që u çoi djali nga Anglia, tani u ka emigruar edhe ndërtuesi

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Sait dhe Xheride Shabaj

BRITANI E MADHE- Shtëpia mbresëlënëse e këtij çifti në Shqipëri u ndërtua duke përdorur paratë e dërguara nga djali i tyre, i cili hyri ilegalisht në Britani. Por Sait Shabaj dhe gruaja Xheride thonë se banesa është e papërfunduar pasi vetë ndërtuesi i tyre tani është larguar nga vendi për një punë më të paguar në Angli. 

Dhe Sait, 70 vjeç, dhe 53-vjeçarja Xheride shpresonin se djemtë e tyre – të gjithë punojnë jashtë vendit – do të ktheheshin sapo të ndërtohej shtëpia. Por të tre e kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend të rikthehen kurrë. Më i riu i tyre, Nimet, 30 vjeç, mbërriti në Britani në pjesën e pasme të një kamioni dhe tani jeton në Londër.

Elektricisti në pension Sait tha: Është një problem i madh sepse tani këtu ka vetëm të moshuar. Të gjithë të rinjtë kanë shkuar për punë, kështu që të gjitha të rejat kanë shkuar gjithashtu. Kjo do të thotë që unë nuk mund të gjej një ndërtues për të përfunduar murin tim të përparmë, gardhin.

Teksa qëron portokallet e mbledhura nga pemishtja e tij, ai pranon se kishte vetëm një mënyrë për të mbledhur 100,000 £ që duheshin për të ndërtuar pronën e tij madhështore.

Ai tha: Anglia është vendi më i mirë në këtë tokë. Është kampion i destinacioneve. Gjithmonë është konsideruar si vendi më i mirë për të shkuar. Në çdo vend tjetër në Evropë, pagat janë më të ulëta se në Angli. Në Shqipëri mund të fitosh 30 £ në ditë. Në Angli është 150 £ në ditë. Kur njerëzit shkojnë në Angli, ata gjejnë një punë dhe më pas i ndihmojnë njerëzit këtu për të ndërtuar shtëpi siç kemi bërë ne. Gjithçka është shkatërruar në këtë vend, kështu që të rinjtë i marrin paratë hua dhe e dinë se për katër apo pesë vjet do t'i kenë paguar ato.

Djali Nimet ndoqi atë rrugë të paligjshme 7 vjet më parë. Më vonë ai u martua me një grua në Angli, duke i dhënë të drejtën për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar. Tani ai punon në ndërtim dhe vazhdon të dërgojë para në shtëpi, ashtu si vëllezërit e tij më të mëdhenj që punojnë si ndërtues në Greqi dhe Itali.

Njëri prej tyre ka punuar më parë në Britaninë e Madhe dhe Sait ka dhjetë të afërm të tjerë që rrinë në Angli.

Edhe bariu i dhive, Jetmir Hyseni, 50 vjeç, një nga të paktët që kanë mbetur në fshat, tha: Nëse dikush më ofronte mundësinë, do të shkoja sot. Mund të fitoja 50 £ në ditë ose më shumë duke punuar në Angli. Këtu fitoj 2 £ në ditë.

Dashamir Plangaj, 49 vjeç, është edhe më keq. Ai fiton 1 £ në ditë duke përdorur kalin e tij për të ndihmuar fqinjët të transportojnë sende ose të zhvendosin objekte të rënda. Por ai dhe gruaja Lavdije, 51 vjeç, që të dy jetonin në një hambar guri të shkatërruar, tani banojnë në një shtëpi të ndërtuar për ta nga fqinjët zemërmadh, i cili përdori paratë e dërguara në shtëpi nga djemtë që punojnë në Angli.

Ata shpresojnë që dy djemtë e tyre një ditë ta ndjekin shembullin e dashamirësve.

“Ata punojnë në pyje duke prerë dru, por ne do të donim që ata të transferoheshin në Angli. Gjithçka është më mirë në Angli,”-tha Lavdija.

Sait Shabaj pranon se rritja e qyteteve fantazmë në Shqipëri është një shqetësim dhe tha: Ne e dimë se në Angli nuk janë të kënaqur me shumë emigrantë nga Shqipëria. Por ne kemi dëgjuar se Anglia ka nevojë për punëtorë dhe shqiptarët janë punëtorë shumë të mirë./ TheSun

1 VITE ME PARE

INTERVISTA- Princ Leka II mbron shqiptarët, intervistë me Piers Morgan: Ikin se jemi ende në trazicion. Richard Tice: Ejani me viza, 259 paund kushton...

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Richard Tice, Piers Morgan dhe Princ Leka II

TIRANË- Gazetari Piers Morgan ka marrë në një intervistë Princ Leka II, lidhur me largimin e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe. Në një prononcim live, Leka II ka folur për "hallet" e shqiptarëve, duke u shprehur se ikin për shkak të varfësirë dhe problemeve në vend e jo për shkak të krimit. Ndërsa Richard Tice e ka kundërshtuar duke dhënë edhe versionin e tij sesi mund të shkojnë në Britaninë e Madhe për të punuar. Madje ishte interesuar sesa kushtonte aplikimi për një vizë britanike në Shqipëri. Gjithashtu një tjetër detaj që zbuloi Princi Leka II ishte fakti se lidhur me çështjen e emigrantëve, kryeministri Edi Rama ishte në diskutimet me homologun e tij britanik, Rishi Sunak. 

PJESË NGA INTERVISTA: 

Piers Morgan: Pse u inatose me Suella Braverman?

Princi Leka II: Faleminderit që më ftuat sepse është e rëndësishme që të shpeh aspektin njerëzor të kësaj çështjeje. Këtë pasdite pata një bisedë me ambasadorin amerikan, më konfirmoi se komentet nuk janë reflektime të qeverisë britanike ndaj Shqipërisë. Shqipëria dhe Angli kanë marrëdhënie fantastike. Jemi në aleancë për luftën në Ukrainë. Shqiptarët janë kontribues. Kemi marrë emigrantë nga Afganistani. Po sulmohemi nga Irani për shkak të kampit të Manzës. Por qëndrimi dhe retorika në media më kanë bërë që të reagoj dhe të them se shumica e shqiptarëve janë punëtorë. Britania e Madhe ka 1.6 mln emigrantë, 20 mijë shqiptarë nuk mund të konsiderohen si pushtim. Kam folur me familjarë, mikë, disa i kanë marrë fëmijët nga shkolla dhe ndjejnë sikur po i bullizojnë dhe u kanë bërë komente ksenofobike.

Piers Morgan: A ke biseduar me Rishi Sunak?

Princi Leka II: Jo, e di që kryeministri Edi Rama është në kontakt me të. Ka dalë me një qëndrim të fortë për komentet.

Piers Morgan: Gjithë ky axhitim në Angli i shkaktuar nga shqiptarët është sepse dyshohet se vijnë për t'ju bashkuar bandave në Britaninë e Madhe. Ku është vija e kuqe?

Richard Tice: Ne kemi marrëdhënie të mirë dhe shumica e shqiptarëve janë njerëz të mirë. Shkojmë për pushime atje dhe vice-versa. Këta njerëz po vijnë me barka ilegalisht kur shqiptarët mund të vijnë me visa legalisht. Nëse janë të ligjshëm dhe që duan të vijnë, pse nuk vijnë ligjërisht? E vetmja arsye se përse paguajnë 10 herë më shumë është sepse mund të kenë objektiva të tjera. E dimë se shqiptarët kanë numrin më të madh në burgje. Të tjerë zhduken dhe u bashkohen bandave që kontrollojnë tregun e kokainës dhe hashashit në një mënyrë të tmerrshme. Bëjnë shumë fitim, duan "ushtarë" dhe të pastrojnë paratë. Hapin bërberhane dhe madje dyqane karamelesh. Ky aktivitet kriminal duhet të ndalojë. është për ata që shkakojnë kaos dhe vrasje në rrugët tona.

Piers Morgan: Ka një numër në rritje të shqiptarëve që vijnë dhe janë të huajt që kanë numrin më të lartë në burgje. Duket se ata që po vijnë nuk ndahen dot nga poteciali i kriminelit.

Princi Leka II: Jam avokat i lëvizjes së lirë. Shqiptarëve nuk u jepen viza për të marrë viza. Kur nuk të jepet kjo e drejtë për të lëvizur lirshëm, është që të futesh nëpër vendet e tjera. Kështu që këta shqiptarë të rinj. Kur futen ilegalisht, bëhen viktima të bandave. Duhet të gjejmë mënyra që shqiptarët të gjejnë mënyra për t'u futur në Angli. Shumë shqiptarë e shohin Anglinë si një vend fantastik. Edhe familja ime në 1939 kur Shqipëria u pushtua nga fashistët, vajtëm në Angli. Edhe unë u edukova atje, iu bashkova ushtrisë si oficer.

Piers Morgan: A të kërkoi falje ambasadori britanik për termin pushtim?

Princi Leka II: Nuk kemi kërkuar kërkesë falje sepse e dimë që është debat i brendshëm në Angli. Nuk përfshihemi në politikën e brendshme të Mbretërisë së Bashkuar. Mendoj që kemi qëllimin tonë politik. Opozita ka reaguar. Nuk duhet të harrojmë se kush është Shqipëria. Ishim viktimë e regjimit më të ashpër komunist. Dolëm nga komunizimi, tani kemi një periudhë të gjatë tranzicioni. Ikin sepse duan të shohin ndryshim. Edhe pse po inkurajohet turizmi. Por këto nuk i sheh dot një i ri që jeton në fshat ndaj dhe do ndryshim. Shpresoj që këto probleme ti eliminojmë. Por duhet ta bëjmë së bashku.

Piers Morgan: A t'u ndryshua mendimi?

Richard Tice: Jo, fare! I kujtoj Princit se nuk kemi lëvizje të lirë me Shqipërinë. Kemi një skemë viza. E kontrollova sot, kushton 259 paund. Merr përgjigje për 3-4 javë dhe asnjë nuk forcohet që të vijë me varka. Së fudmi, disa prej tyre që janë zhdukur janë gjetur në ferma kanabisi. Kriminelë që janë deportuar, janë kthyer për punë ditësh me varka. Mendoj që Princi duhet të reflektojë me faktin që ka një element kriminal që po vjen tek ne. Dhe që duhet të ndalojë.

1 VITE ME PARE

Emigrantët e paligjshëm në Britani, Sunak: Do reduktojmë numrin e tyre, s'ka zgjidhje të thjeshtë

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Rishi Sunak dhe Macron

EGJIPT- Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka besim dhe optimizëm për trajtimin e problemit të emigrantëve që kalojnë Kanalin me anije të vogla. Kjo vjen pas bisedimeve të tij me liderët evropianë në Cop27 dhe me presidentin francez, Emmanuel Macron. 

Ai tha: Unë në fakt po largohem me besim dhe optimizëm të rinovuar se, duke punuar së bashku me partnerët tanë evropianë, ne mund të bëjmë një ndryshim, të kapërcejmë këtë sfidë të migrimit të paligjshëm dhe të ndalojmë njerëzit që vijnë ilegalisht. Ne duhet të reduktojmë numrin e njerëzve që vijnë këtu ilegalisht. Dhe kjo do të kërkojë që Sekretari i Brendshëm dhe të tjerët të punojnë në mënyrë konstruktive me partnerët në mbarë Evropën për të ndaluar njerëzit që të vijnë në radhë të parë. Dhe ka një sërë gjërash që duhet të bëjmë për ta bërë atë realitet.

Ai tha se më shumë detaje rreth planeve të qeverisë do të shpallen në javët e ardhshme, raporton The Guardian.

Theksimi i Sunak mbi rëndësinë e bashkëpunimit me francezët dhe të tjerët për të adresuar këtë problem shënon një ndryshim nga plani 10-pikësh për t'i dhënë fund emigracionit të paligjshëm që ai njoftoi kur kandidoi për udhëheqjen e konservatorëve në verë. 

Por Sunak tha gjithashtu se nuk kishte "asnjë zgjidhje të thjeshtë" për problemin e varkave të vogla. Ai refuzoi të përgjigjej kur u pyet se kur qeveria do të mund të fillonte të shkurtonte numrin e njerëzve në Kanal me varka të vogla.

Ai tha se fakti që Boris Johnson mori pjesë në Cop27 reflekton mirë në Britani. 

'Është fantastike që ish-kryeministri është këtu… Thjesht demonstron lidershipin tonë në këtë çështje globalisht.'- tha Sunak.

Shqiptarët në Britani do të dalin në protestë më 12 nëntor, në "Westminister Bridge" në orën 10:30. Shkak i kësaj proteste është bërë deklarata e Sekretares së Brendshme Britanike, Suella Braverman. Ajo tha se shqiptarët po sillnin kriminalitet në Britani dhe se duheshin larguar sa më shpejt nga vendi. Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se nuk mund ta toleronte reagimin e Braverman, të cilin e konsideroi ‘të çmendur’ dhe një sjellje që ushqen ksenofobinë. Ai i bëri thirrje që të ndalojë 'diskriminimin' ndaj shqiptarëve në përpjekje për të justifikuar dështimet e politikave në Britani.

1 VITE ME PARE

Rrugë e shpejtë drejt Britanisë: SKEMA e MASHTRIMIT që po ndjekin shqiptarët – gjithçka HAP PAS HAPI

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Foto ilustruese

BRITANI E MADHE- Akti i Skllavërisë Moderne u prezantua nga Theresa May, atëherë sekretare e Brendshme në vitin 2015, si një mënyrë për të mbrojtur viktimat e bandave që merreshin me trafikun e njerëzve, por që atëherë është bërë "dëmi më i madhe" në sistemin e imigracionit. Të rinjtë shqiptarë janë bërë të aftë për të luajtur me sistemin për të shmangur kthimin  në shtëpi kur kalojnë ilegalisht Kanalin për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar. Shqiptarët tani përbëjnë kombësinë e vetme më të madhe që pretendojnë se janë viktima të skllavërisë moderne.

Duke paguar bandat për t'i çuar në Britani, deri në 2 për qind e të gjithë meshkujve shqiptarë ose kanë tentuar të kalojnë Kanalin ose po mendojnë ta bëjnë këtë gjë. Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme, në mënyrë të diskutueshme iu referua krizës si një "pushtim", pasi deputetët theksuan se 12,000 shqiptarët që kanë mbërritur në Britaninë e Madhe deri më tani këtë vit nuk kanë ardhur nga një vend i shkatërruar nga lufta, por nga një vend që pret anëtarësimin në BE.

Qytetet verilindore shqiptare të Kukësit, Dibrës dhe Shkodrës janë terrenet kryesore të gjuetisë për bandat e kontrabandës së njerëzve që bëjnë pasuri nga premtimi i kalimit të sigurt për të rinjtë e papunë në zonat më të varfra të vendit. Duke përdorur TikTok dhe faqet e tjera të mediave sociale, bandat reklamojnë kalimin e Kanalit, shpesh me video dhe fotografi të varkave që bëjnë udhëtimin, me hashtags si #makeyourmove. Në varësi të rrugës, bandat paguhen nga 3,500 deri në 15,000 £ për person.

Që nga viti 2014, Shqipëria ka qenë një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE dhe që nga viti 2010 qytetarët e saj kanë qenë në gjendje të udhëtojnë pa viza brenda BE-së, që do të thotë se ata mund të udhëtojnë deri në bregun e Kanalit pa shkelur asnjë ligj. Shumë emigrantë tashmë e dinë nga miqtë ose të afërmit që kanë arritur në Mbretërinë e Bashkuar se duke pretenduar se janë 17 vjeç, ose duke pretenduar se janë trafikuar, ata mund të shmangin dërgimin në shtëpi.

Një shqiptar me banim në Kukës, djali i të cilit udhëtoi ilegalisht në Britaninë e Madhe dhe tani jeton këtu, tha: Njerëzit largohen nga këtu çdo ditë. Njerëzit që i marrin në barkë ose i futin në kamion u mësojnë se çfarë të thonë nëse kapen.

Pagat në Shqipëri – për ata që mund të gjejnë punë – mesatarisht 442 £ në muaj dhe kriza e kostos së jetesës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë ka bërë që çmimet e ushqimit, karburantit dhe energjisë të rriten. Kaq shumë shqiptarë janë larguar nga vendi, sa nuk ka punëtorë të mjaftueshëm për të mbledhur të korrat, e po aq shumë mjekë janë larguar për të punuar diku tjetër, sa që vendi po mendon të ndryshojë ligjin për të mbajtur peng diplomën mjekësore në mënyrë që mjekët të punojnë të paktën deri në 3 vjet në vendin e tyre.

Statusi i Shqipërisë si një vend me udhëtim pa viza në BE e ka bërë gjithashtu një vend kyç tranzit për emigrantët nga vendet e tjera që nuk kanë udhëtim pa viza. Emigrantët nga Ballkani, duke përfshirë vendet jo anëtare të BE-së si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, shkojnë përmes tokës në Shqipëri dhe arrijnë në Francë pa kontrolle pasaporte.

Nëse moti është i favorshëm, emigrantët mund të mbërrijnë për disa orë. Megjithatë, jo të gjithë emigrantët përdorin rrugën e Kanalit. Muajin e kaluar, Agjencia Kombëtare e Krimit shkatërroi një bandë kontrabande njerëzish që sillte shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar me tragete dhe anije mallrash nga Bilbao dhe Santander në Spanjë në Portsmouth, Southampton dhe Liverpool për të shmangur patrullimet e Kanalit anglez. Me të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, emigrantëve u ofrohet një test Covid, kontrollohet për ndonjë urgjencë mjekësore dhe kërkohet emri, mosha dhe kombësia e tyre. Thjesht mbërritja në Mbretërinë e Bashkuar me një varkë të vogël nuk përbën krim, por emigrantët po shkelin ligjin nëse nuk paraqiten pranë autoriteteve të imigracionit ose nëse nuk kanë dokumente të përshtatshme identifikimi, si një vizë apo leje qëndrimi. 

Shumica e emigrantëve ndalohen zyrtarisht, në vend që të arrestohen, por kur ka shqetësime për emigrantët individualë, ata mund të marrin shenjat e gishtave të tyre por edhe t'i arrestojnë nëse është e nevojshme. Çdo emigrant kërkohet për armë dhe pyetet nëse ka ndonjë gjë që duan t'u thonë zyrtarëve. Ata nuk pyeten në atë fazë nëse po kërkojnë azil. Pasi janë fotografuar me një aparat fotografik Polaroid, ku tregohen të dhënat, fotografia i bashkangjitet formularit të ndalimit të tyre.

Emigrantëve u jepen rroba të thata, ushqim dhe pije të ngrohta dhe dërgohen 20 milje më tutje, në qendrën e pritjes, Manston. Sapo të mbërrijnë në Manston, nis procesi i kontrollit të emrave, moshës dhe vendit të origjinës së emigrantëve dhe ata dërgohen në stacionet e regjistrimit biometrik ku merren shenjat e gishtërinjve dhe fotot e tyre.

Të gjithë detajet e të cilit përputhen me bazat e të dhënave të të dhënave kriminale arrestohen dhe dërgohen në një qendër largimi imigracioni për të pritur dëbimin, ku shumë do të kërkojnë këshilla ligjore dhe do të pretendojnë se janë trafikuar ose do të pretendojnë se jeta e tyre është në rrezik nëse kthehen.

Procesi i identifikimit nëse emigrantët kanë kërkuar azil në vende të tjera tani është më i vështirë si rezultat i tërheqjes së bashkëpunimit nga BE-ja, duke e larguar Anglinë mbi bazën e të dhënave evropiane të daktiloskopisë së azilit (Eurodac), e cila përdoret për të identifikuar kërkesat për azil në vendet e BE-së. Në korrik, David Neal, Kryeinspektori i Pavarur i Kufijve dhe Imigracionit, tha se të dhënat për emigrantët nuk regjistroheshin gjithmonë. Çdo migrant që pretendon se është nën 18 vjeç do të transferohet në kujdesin e shërbimeve sociale, të cilët më pas do të vendosin nëse individi po thotë të vërtetën.

Ata që gënjejnë transferohen përsëri në Shqipëri, ndërsa të miturit e vërtetë të pashoqëruar do të bëhen përgjegjësi e punonjësve socialë. Emigrantët nuk kanë të drejtë për përfaqësim ligjor gjatë kohës që janë në Manston, dhe asnjë avokat nuk lejohet të hyjë në objektin ku ata ndodhen. Emigrantët mund t'u tregojnë zyrtarëve të emigracionit në këtë fazë pse kanë ardhur në Mbretërinë e Bashkuar dhe nëse po kërkojnë azil. Ata që nuk arrestohen, dërgohen në hotele ose në disa raste vendosen për të qëndruar me familjarë që tashmë ndodhen në Britaninë e Madhe. Por ndërkohë që aplikimet e tyre janë duke u përpunuar, problemet bëjnë që shumë arratisen nga hotelet pa u bërë kontrollet e duhura dhe autoritetet thjesht humbasin gjurmët e të tjerëve.

Nga 4,171 viktimat e mundshme të skllavërisë të referuara në Home Office në tremujorin e dytë të këtij viti, 27 për qind ishin shqiptarë, më shumë nga çdo kombësi. Emigrantët nuk duhet të pretendojnë se janë viktima të skllavërisë sapo të hyjnë në Angli dhe në shumë raste ata i bëjnë pretendime të tilla vetëm pasi të kenë folur me avokatët. Emigrantët kanë të drejtë të konsultohen me avokatët e emigracionit pasi të jenë liruar nga Manston në hotele ose akomodime të tjera. Ata nuk mund të deportohen derisa rastet e tyre vlerësohen.

Chris Philp, ish-ministri i Emigracionit, tha në fillim të këtij viti se shumë emigrantë u thonë zyrtarëve kufitarë se nuk janë viktima të skllavërisë, vetëm për të ndryshuar historinë, por ndonjëherë kopjojnë të njëjtën histori pa u munduar as të ndryshojnë detajet.

Ka edhe kriminelë të dënuar mund të përdorin Aktin e Skllavërisë Moderne për të shmangur dëbimin. Shifrat e Home Office vitin e kaluar treguan se 2/3 e të gjitha pretendimeve për skllavërinë moderne nga emigrantët ishin false dhe Priti Patel, e cila ishte sekretare e Brendshme në atë kohë, tha se Akti i Skllavërisë Moderne po abuzohej në mënyrë të shfrenuar nga kriminelët, përfshirë përdhunuesit e fëmijëve dhe kriminelët, e se kjo përbënte një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Qeveria ka premtuar në të kaluarën se do ta frenojë problemin duke futur një përjashtim që do të parandalonte këdo që ka marrë një dënim me burg prej më shumë se një viti nga përdorimi i Aktit të Skllavërisë Moderne për të shmangur dëbimin.

Akti ka një interpretim shumë më të hapur të asaj që përbën skllavërinë moderne sesa vendet e tjera evropiane, që do të thotë se të ardhurit mund të kërkojnë azil thjesht duke thënë se janë viktima të skllavërisë, edhe nëse nuk kanë prova mbështetëse. Franca dhe Gjermania kanë përkufizime shumë më të rrepta, që do të thotë se pranojnë vetëm 10 për qind nga po aq pretendues sa Britania.

Marrë dhe përkthyer nga The Telegraph

1 VITE ME PARE

Përtacia është sëmundje britanike, kështu më tha taksisti im shqiptar

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Foto ilustruese

Ne filluam një bisedë shumë interesante se pse ai kishte ardhur këtu: ishte sepse kishte shumë punë. Ky është një vend ku nëse punoni do shpërbleheni. Diskutimi u kthye për ekonominë e Anglisë, për të cilën kaq shumë njerëz po na thonë se është në një gjendje të tmerrshme. Interesante, miku im i ri nga Shqipëria nuk e shikonte kështu. Ai tha se nëse i duheshin më shumë para. Dhe nëse ai nuk mund të paguante faturat e tij, në vend që të kërkonte nga shteti, ai mund të gjente një punë tjetër, të punonte shumë dhe të siguronte të ardhmen e familjes së tij.

Ai nuk kishte nevojë të shkonte në 'banka ushqimore'.

"Cili është problemi më i madh me ne britanikët?,"- e pyeta unë. Ai më siguroi se nuk donte të më ofendonte mua apo bashkatdhetarët e mi, por përmendi dy probleme kryesore. E para ishte mungesa e respektit nga të rinjtë dhe e dyta ishte dembelizmi.

Për çështjen e respektit, me sa duket shumë herë familjeqë marrin taksinë së bashku kanë pasur debate në të cilat fëmijët nuk u kanë treguar prindërve dhe madje edhe gjyshërve të tyre aspak respekt. Kjo nuk do të lejohej në shumë vende, ku një i moshuar që ka pasur përvojën e jetës do të duhej të dëgjohej nga një person më i ri. Këtu duket se është e kundërta.

Në frontin e dembelizmit, ai ndjeu se ne duam të bëjmë vetëm atë që duam të bëjmë dhe nëse nuk mundemi, presim që njerëzit e tjerë të na paguajnë për të mos bërë asgjë. Njerëz të tjerë, natyrisht, jemi ne që punojmë dhe paguajmë taksa.

Unë kam shumë miq në biznesin e kateringut dhe më thonë se është bërë thuajse e pamundur të marrësh staf për të punuar si kamarier ose në kuzhinë. Është një punë që shumë britanikë mendojnë se është e ulët.

Kështu që miku im i ri shqiptar mund të ketë disa këndvështrime të mira lidhur me ne britanikët. Të gjithë mund të mësojmë nga kritika, apo jo? Ai gjithashtu tha se ishte i neveritur nga kriminaliteti dhe sjelljet e bashkatdhetarëve të tij që vijnë këtu dhe punojnë në të zezë dhe lidhen me krimin. Më pas, ai kërkoi falje për ta.

Një udhëtim me taksi që më çoi në një udhëtim drejt një kuptimi të ri mbi Shqipërinë - dhe Anglinë./ Ekspress.co.uk

 

1 VITE ME PARE

'Nuk është e drejtë të na drejtojnë gishtin si kriminelë'/ Shqiptari në Angli: Do marr pjesë në protestën e 12 nëntorit

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Ermir Kola

TIRANË- Çështja e emigrantëve shqiptarë në Britani po zë hapësirë për debat jo vetëm në Angli por dhe në Shqipëri. Të shumtë kanë qënë reagimet nga shqiptarët pas deklaratës së sekretares britanike Suella Braveman e cila i cilësoi shqiptarët si kriminelë. 

Ditën e sotme, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” nga Anglia ishte Ermir  Kola. Ky i fundit është emigrant që ka mbërritur në Britani me kamion me familjen kur ka qenë 10 vjeç. Tani që është rritur punon në një kompani ndërtimi si mbikëqyrës i kujdesit ndaj klientit.

Kola u shpreh se nuk është e drejtë që të konsiderohen të gjithë kriminelë dhe se e gjithë kjo është “gjë politike”.

Nuk është e drejtë të na drejtojnë gishtin si kriminel. Frikë nuk kemi se kur një person është i drejtë nuk ka pse të ketë frikë. Por reagimet e miqve, të afërmve, normalë që do kenë opinionet e tyre. E kur dëgjojnë një gjë nga një fytyrë politike të tyre, do krijojnë një mendim ndryshe. Krijohet një stereotip”, tha Kola.

I pyetur nëse do të ketë protestë më datë 12 nëntor, ashtu siç është paralajmëruar në rrjetet sociale, Ermiri u shpreh se “po”. 

“Po, do ketë një protestë. Aty do të jem edhe unë. Nuk e kam organizuar unë, por do të shkoj. Do të shkoj  për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Nuk jemi kriminelë siç na thonë të gjithë. Disa nuk është që nuk e thyejnë ligjin, por mendoj se nuk kanë rrugë tjetër. mendoj se nëse u jepet e drejta e punës, ata do të preferonin një punë të ndershme”, përfundoi Kola.

Shqiptarët në Britani do të dalin në protestë më 12 nëntor, në "ëestminister Bridge" në orën 10:30. Shkak i kësaj proteste është bërë deklarata e Sekretares së Brendshme Britanike, Suella Braverman. Ajo tha se shqiptarët po sillnin kriminalitet në Britani dhe se duheshin larguar sa më shpejt nga vendi. Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se nuk mund ta toleronte reagimin e Braverman, të cilin e konsideroi ‘të çmendur’ dhe një sjellje që ushqen ksenofobinë. Ai i bëri thirrje që të ndalojë 'diskriminimin' ndaj shqiptarëve në përpjekje për të justifikuar dështimet e politikave në Britani.

1 VITE ME PARE

40 mijë shqiptarë ikin drejt Anglisë, Rama: Është trend, në mos herët, vonë do kthehen në atdhe

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Edi Rama

SHIJAK- Kryeministri Edi Rama është shprehur në dorëzimin e çëlesave për shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit tragjik, nuk ka bërë dallim mes të emigruarve dhe vendasve. I pranishëm në Shijak në një rast ku u ndanë çelësat, Rama tha se në mos herët apo vonë, çdo shqiptar do të kthehet në atdheun e tij dhe se vala e emigracionit për të, është vetëm një trend.

“Ne nuk kemi bërë asnjë dallim. Atyre që janë këtu, i kemi dhënë bonus. Atyre që janë në emigracion, ju kemi ndërtuar shtëpinë. Me herët se sa vonë, shumëkush prej tyre do të kthehen këtu. Ky është trend historik. E kanë kaluar vendet e tjera para nesh. Ne na ka qëlluar ta kalojmë të fundit. Se të fundit kemi dalë nga ferri i komunizmit. Mos ta shajmë Shqipërinë në gjuhë të huaj,”- tha Rama.

1 VITE ME PARE

Deklaratat e Metës e Berishës në mediat britanike, Rama: Llumi që s'duhen parë e jo më votuar

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama u ka kërkua shqiptarëve që të mos votojnë për Opozitën e Bashkuar, duke i konsideruar ata, një hull që nuk u duhet hedhur as vështrimi e jo më tu besosh të ardhmen. Në një postim në rrjetet sociale, pas deklaratave të kryedemokratit Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në mediat britanike, Rama shkruan se politikanët që s’kanë asnjë dinjitet me të huajt dhe që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë llum.

“Çfarë shqiptari je kur ia beson votën dhe përfaqësimin tënd dikujt që sulmon Shqipërinë në gjuhë të huaj? Politikanët që s’kanë asnjë dinjitet me të huajt dhe që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë një llum ku jo besimi po as vështrimi nuk duhet hedhur!”- shkruan Rama.

Çfarë deklaruan Meta e Berisha?

Ilir Meta, në një prononcim për BBC tha se emigrimi i shqiptarëve ndodh për shkak të mungesës së mundësive që u ofron qeveria autokratike e kryeministrit Rama dhe nga mungesa e një shteti të drejtë.

“Fatkeqësisht kjo po ndodh për shkak të mungesës së mundësive që u ofron qeveria autokratike e kryeministrit Rama, i cili është në detyrë prej 10 vitesh. Dhe gjithashtu prej mungesës së shtetit të së drejtës në vend. Janë këto, dy arsyet kryesore që kanë vrarë shpresat e të rinjve shqiptarë dhe po i detyrojnë ata të largohen nga vendi. Por, pse duhet të kërkojnë azil në Mbretërinë e Bashkuar? E kuptoj që ka njerëz që duan të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, por pse të kërkojnë azil?”- tha Meta.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se vendi ynë është kthyer në një rrezik të madh për Ballkanin dhe Europën. Berisha, në një prononcim për Daily Mail u shpreh se bosët e krimit janë vënë në dijeni se nën vëzhgim dhe ndaj largohen nga vendi.

“Ky është një moment kur Shqipëria është kthyer në vendin më të rrezikshëm në Ballkan dhe Evropë,”- tha ai.

1 VITE ME PARE

Qeveria i përgjigjet valës së ikjeve me propagandë, gruaja në Shijak: Na kënaqet syri këtu, 500 euro gaz e drita në Belgjikë

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Gruaja në Shijak

SHIJAK- Valës së ikjeve nga Shqipëria, qeveria ka vendosur t’i përgjigjet përmes propagandës së inçizuar në Shijak. Ishte një zonjë e pranishme mes qytetarëve që sot presin të tërheqin çelësin e shtëpisë së rindërtuar pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, tha se ishte emigrante prej 30 vitesh në Belgjikë, por me shpirt jetonte në Shijak. Zonja në fjalë u shpreh se është krim të largohesh nga Shqipëria, pasi në Belgjikë paguanin 500 euro çdo muaj, energji elektrike dhe gaz. Ajo shtoi dhe faktin që në vendin e huaj shqiptarët përbuzen për të qenë më koherente me fjalët e kryeministrit Rama që prej ditësh përplaset me autoritetet britanike për valën e emigrantëve.  

“Përshëndetje, unë ju uroj zoti ministër, më falni kryeministër Edi Rama, ju uroj mirëseardhjen. Jemi shumë të lumtur për fjalët që thatë dhe i mbajtët. Falenderoj dhe kryetarin e komunës tonë që ka bërë çdo gjë për Shijakun, unë jam shijakse, apartamenti im është prishur dhe ndërtuar. Unë jam emigrante në Belgjikë dhe me dëshirën time, 30 vite në Belgjikë, por do të isha kthyer në Shijakun time të dashur. Atje jeta nuk është lule, paguajmë 500 euro në muaj, 300 gaz, 200 korent. Shtëpinë e kam ble me bankë, jemi qiraxhinjtë e bankës. Po të huaj jemi, me një shikim, domethënë që, një oërbuzje, është krim të ikësh nga vendi jot. Unë Shijakun e dua shumë dhe jam e kënaqur që ka lulëzuar nga Rama dhe Arbana. Ky njeri i përsorur i ka qëndruar popullit aq afër, me komunikimin e tij më përfekt, zoti ministër, më fal zoti kryeministër. Të uroj mirëseardhjen sa herë të duan në Shijak, na kënaq syrin, në kënaq vendin, na zbukuron vendin, faleminderit,”- tha zonja.

Mediat britanike vazhdojnë dhe i dedikojnë dhjetra artikuj shqiptarëve që kalojnë Kanalin me gomone për të kërkuar azil në Angli. Gjithashtu disa media kanë zhvilluar edhe reportazhe në Shqipëri, duke zbuluar edhe sesi ikin në Francë e jo vetëm, për të kaluar më pas në Angli me gomone. Por reagimi i kryeministrit Edi Rama erdhi kur sekretarja e Brendshme, Suella Braveman e konsideroi një 'pushtim' hyrjen e mbi 40 mijë shqiptarëve në Angli. Rama theksoi se nuk mund ta toleronte reagimin e Braverman, të cilin e konsideroi ‘të çmendur’ dhe një sjellje që ushqen ksenofobinë. Ai i bëri thirrje që të ndalojë 'diskriminimin' ndaj shqiptarëve në përpjekje për të justifikuar dështimet e politikave në Britani.

1 VITE ME PARE

Emigrantët shqiptarë, Berisha: Rama po e kthen në çështje politike, gjuha ndaj zyrtarëve britanikë, ordinere

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Sali Berisha, kryetar i PD

TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se është duke e kthyer në çështje politike shqetësimin e qeverisë britanike për emigrantët shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Angli. Në një konferencë për mediat, Berisha tha se "arkitekti" i kësaj drame është Edi Rama që këshillohet për të kthyer këtë çështje në një luftë politike. Berisha dënoi gjuhën e Ramës dhe tha se kryeministri e di efektin e eksportit të krimit në një shoqëri tjetër. 

Pjesë nga fjala e Berishës: 

Unë sot gjithashtu dua të denoncoj qëndrimet e Edi Ramës ndaj problemeve të mëdha, dramës shqiptare që luhet në kanalin e Lamanshit. Autor kryesor i kësaj drame, theksoj edhe njëherë, është Edi Rama. Arkitekt kryesor i kësaj drame njerëzore është Edi Rama, janë lidhjet e tij të tmerrshme me korrupsionin, janë vjedhjet e tij nga afera qindra milionëshe, janë rrëmbimi i votës, çka i bën këta qytetarë shqiptarë të pashpresë në vendin e tyre, janë lidhjet e forta me krimin dhe drogën personalisht të Edi Ramës, Olsi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë të vendit.

Edi Rama këto ditë është angazhuar në një beteje politike të brendshme në jetën e Britanisë së Madhe. I këshilluar nga këshilltarë që duan ta shtrojnë çështjen e shqiptarëve një luftë të brendshme për pikë politike, Edi Rama kalon nga një konferencë në tjetrën duke përdorur gjuhën e një njeriu më ordiner, gjuhë të cilën ai tregon se nuk ka minimumin e minimumit të asaj që quhet edukatë familjare apo njerëzore. Gjuhë e cila bazohet në urrejtjen dhe që për interesat e tij është gati të përdorë çdo fjalë dhe të mbajë çdo qëndrim.

Kjo që po ndodh me shqiptarët në Britaninë e Madhe, është kryekëput vepër e Edi Ramës, kjo ikje massive e shqiptarëve diktohet nga kjo qeveri që nuk ka ligj as moral. Nga kjo qeveri që vret çdo ditë, çdo orë, çdo minutë shpresësn e shqiptarëve.

Diktohet nga kjo qverie e cila pasi i dorëzon krimit të gjitha sistemet e sigurisë, të policisë së shtetit, sitemin TIMS, MEMEX, të gjithë kartotekën e krimit 30-vjeçare të policsë, pasi hap dyert për largimin masiv të tyre në drejtim të vendeve të tjera, pasi hap dyert për eksportin legal dhe illegal të krimit në katër anët e botës, në mënyrë të veçantë në Britaninë e Madhe,  vesh petkun e pseudopatriotit dhe shan si një ordiner në rrugë.

Edi Rama duhet ta dijë mirë se eksporti i krimit është një nga aktet më të rënda që një vend mund të bëjë ndaj fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera. Dhe se lufta kundër krimit të organizuar është një nga detyrimet absolute më madhore të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, dënoj me forcën më të madhe, këto qëndrime të cilat qëndrojnë në themel të dramës shqiptare që luhet në La Manshe. Sigurisht hedh poshtë çdo etiketim të shqiptarëve. Kriminele dhe kryekriminele është qeveria e Edi Ramës. Është vetë Edi Rama, ministrat dhe zyrtrët e tij, të cilët arritën deri në atë shkallë sa të zhdukin çdo kontroll në kufijtë e vendit.

Shikoni çfarë ndodh në Portin e Durrësit. Për gjashtë muaj rresht, porti u la jashtë çdo kontrolli. Zbarkuan në Durrës tonelata të pafundme kokaine. Pork u shkuan ato? Ato shkuan drejt Europës, nuk shkuan drejt hënës. Dhe pasi u alarmua e gjithë bota, tani janë dyndur. Por në port, të gjithë autoritetet janë të përfshirë në trafikun e kokainës. Porti është shndërruar në portin më të madh të kokainës në Europë dhe Edi Rama përpiqet që t’i mbulojë këto me sharje ordineri, me sulme dhe fjalor të një njeriu si ai.

Edhe njëherë, dënoj këto qëndrime dhe deklaroj me përgjegjësi të plotë se shkak më madhor i këtyre është Edi Rama dhe qeveria e tij. PD do të aplikojë, sikundër ka faktuar në të kundërtën, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. PD do të jetë, do të zbatojë ligjin jo vetëm ndaj bandave në strofullat e mafies ku jetojnë, por ndaj bosëve të mafias në zyrat qeveritare./Dosja.al

1 VITE ME PARE

Paketa premium që po tundon shqiptarët: 11 mijë paund nga Belgjika në Britani, asnjë ditë në 'kampet e ferrit'

Shqiptarët në Britani/ Mediat: Ka paketa të tjera. Rama:
Emigrantë

BRITANI E MADHE- Mediat britanike vijojnë të ndjekin me mjaft prioritet zhvillimet në lidhje me emigrantët shqiptarët dhe rrugët që ndjekin ata për të shkruar në ‘tokën e premtuar’. The Sun shkruan se trafikantët tashmë po vijnë me oferta të reja. Ata u premtojnë emigrantëve se do tu krijojnë mundësi që të anashkalojnë qëndrimet në kampe ku nuk janë as kushtet minimale. Paketa e re, me vlerë 11,000 £ për person përfshin një udhëtim 40 minutash me skaf nga Belgjika, pa rrezik për tu kapur e burgosur. Ata gjithashtu premtojnë akses te avokatët që do t'i ndihmojnë ata të shmangin kampet ose dëbimin e shpejtë.

Artikulli:

Kontrabandistët kanë nisur të ofrojnë paketa shërbimi premium për emigrantët që duan të futen në Britaninë e Madhe duke u premtuar se ata do të anashkalojnë qëndrimin në kampe. Trafikantët shqiptarë tani ofrojnë një paketë prej 11,000 £ për person, e cila përfshin një udhëtim 40 minutash me skaf nga Belgjika, pa rrezik për t'u burgosur në mbërritje. Ata gjithashtu premtojnë akses te avokatët që do t'i ndihmojnë ata të shmangin kampet ose dëbimin e shpejtë. Një burim në kontakt me bandat i tha The Sun: “Shqetësimi kryesor i emigrantëve tani është të mos ngecin kampet e tmerrshme duke mos qenë në gjendje të largohen.

"Por bandat tani po ofrojnë një shërbim premium që e shmang atë dhe disa njerëz janë të gatshëm të paguajnë çmimin."

Trafikantët zakonisht paguajnë nga 3,500 deri në 5,000 £ për të transportuar shqiptarët përmes Kanalit, ku oficerët e Forcave Kufitare në pritje i dërgojnë ata në kampe. Por shërbimi premium është një përgjigje ndaj alarmit pas raporteve për kushte të tmerrshme në kampet e mbipopulluara si Manston në Ramsgate, Kent. Ata gjithashtu duan të marrin para para se dimri të mbyllet dhe ta bëjë kalimin e Kanalit edhe më të rrezikshëm. Një reklamë në TikTok thotë: “Udhëtim me skaf nga Belgjika për 40 minuta në MB. Çmimi më i mire nesër dhe pasnesër.

“Mos e vendosni jetën tuaj në rrezik në varkë. Sigurojmë kalim të sigurt, për të mos qëndruar asnjë ditë në kamp.”

Një hetues i Sun i dërgoi mesazh njërës prej bandave duke i kërkuar detaje dhe iu tha: “Ti nuk shkon në një qendër paraburgimi. Një orë udhëtim. Çmimi 11,000 £ për person.”

I pyetur nëse njerëzit e kishin përdorur tashmë rrugën, trafikanti u përgjigj: “100 për qind. Të enjten dhe të premten e javës së kaluar ne dërguam njerëz.” Një tjetër reklamë e TikTok ofroi një kalim nga një vend i BE-së në MB, me pasaportë biometrike dhe një shoqërim, për 15,000 £.

Tregtia fitimprurëse është bërë e lehtë pasi shqiptarët lejohen të qëndrojnë pa viza deri në 90 ditë në çdo vend të BE-së të zonës Shengen, siç është Belgjika. Fluksi i emigrantëve nënkupton një rekord prej 40,000 njerëzish që kanë kaluar Kanalin me varka të vogla deri më tani këtë vit. Sekretarja e Brendshme Suella Braverman e ka quajtur atë "një pushtim".

edi rama sali berisha shqiptaret ne britani

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni