Shqipëria 14 vite në NATO, presidenti Begaj: Krenarë!
1 Prill, 09:18
Shqipëria 14 vite në NATO, Amba...
Ekonomi
‘Me ritmin e kërmillit’/ Si po tkurren fermat, u konsideruan si “minierat e arit”
21 Shkurt 2022, 06:27Nga DOSJA
Disa vite më parë, fermat e kërmillit u lakuan si “minierat” e radhës “së arit”, duke nxitur investime të njëpasnjëshme në këtë fushë. Sot, pas më shumë se një dekadë, shifrat tregojnë se rritja reale ishte e ngadaltë, madje një pjesë e “pionierëve” janë dorëzuar rrugës për arsye të ndryshme. Në një dokument zyrtar, Ministria e Bujqësisë pranon se numri i fermave është në rënie të lirë. Ata pak fermerë në treg shprehen se interesi mbetet i lartë, por hapja e fermave të reja kufizohet nga “frika” e dështimit. Të tjerë që kanë mbyllur këtë aktivitet thonë se mund t’u rikthehen, duke qenë më të kujdesshëm këtë herë me investimin. Operatorët shprehen se janë disa arsye pse investimi te kërmilli ka dështuar, duke nisur nga planet e pamenduara mirë të biznesit, mungesa e përvojës e deri te problemet me tokën dhe moskoordinimin mes fermerëve të të njëjtit profil
Nga Nertila Maho
Ervin Hajdaraga e nisi biznesin e kërmijve më pak se një dekadë më parë. E mendoi si një mundësi të mirë investimi, madje ende e sheh si të tillë, edhe pse ka hequr dorë nga ferma që zotëronte. Gjithsesi ai nuk e përjashton mundësinë e kthimit në të njëjtin sektor, por këtë herë, duke mësuar nga gabimet e së shkuarës që sipas tij, kanë të bëjnë me përzgjedhjen më të kujdesshme të llojit të kërmillit që do të rrisë, por edhe me alternativat e financimit.
Në një intervistë për “Monitor”, ai pohon se ky është një biznes i mirë dhe Shqipëria i ka të gjitha kushtet klimatike që mundësojnë zgjerimin e kësaj fushe, por duhet të krijohen lehtësi për tregun që përfshin edhe bashkimin e fermerëve të të njëjtit profil. Ndërkohë, interesi në tregjet e huaja mbetet i lartë.
“Prej thuajse një viti e gjysmë kemi hequr dorë nga aktiviteti të cilin e nisëm dhe e zhvilluam për më shumë se gjashtë vjet.
Pavarësisht se e kemi lënë mënjanë këtë aktivitet, përkohësisht, mendoj se ia vlen të angazhohesh në një fermë kërmilli. Sigurisht është një sektor me potencial dhe ka fitim. Por në fillim duhet të plotësohen disa kushte kyçe për mbarëvajtjen e një aktiviteti të tillë. Duhet të bëhen bashkë shumë elemente. Kryesore është bashkimi i fermave të ndryshme me vendimmarrje të përbashkët, kur vjen puna te grumbullimi apo rënia dakord me grumbulluesit për të mundësuar eksportin. Ka nevojë për investime të rëndësishme në frigoriferë gjithashtu” pohon ai.
Bie interesi për ferma të reja, shkak “zërat” e falimentimit
Stavri Lala zotëron një fermë kërmilli në Vilë Bashtovë, me sipërfaqe 12 dynymë. Ai e nisi aktivitetin ndër të parët në vend dhe nuk sheh ndonjë arsye për t’u dorëzuar.
Tregje si Franca, Italia, Gjermania, sipas z. Lala, kërkojnë vazhdimisht kërmill dhe ky është një produkt që përdoret në industri të ndryshme, duke e bërë një alternativë të leverdishme biznesi. Në vijim të fermës së parë, ai këtë vit hapi të dytën, me sipërfaqe 9 dynymë. Z. Lala shprehet se edhe fermerë të tjerë kanë interes dhe pyesin për këtë alternativë investimi, por shumica nuk guxojnë të hedhin hapa para. Kjo duket se ka të bëjë më shumë me “zërat” që qarkullojnë se është një biznes jo i leverdishëm.
“Pyesin shumë, por nuk ka hapa konkretë për të hapur ferma. Mendoj se janë të trembur nga ajo çfarë kanë dëgjuar për ata që kanë dështuar në këto sipërmarrje” – nënvizon ai. Për të pasur një fermë me leverdi, kusht kryesor, sipas z. Lala, është sipërfaqja, e cila nuk duhet të jetë më pak se 7 dynymë. Nëse janë të vogla, atëherë nuk ka leverdi dhe falimenton shpejt.
Ministria e Bujqësisë: Numri i fermave të kërmillit, në rënie
Disa vite më parë, numri i atyre që vendosën të investonin në një fermë kërmilli shënoi rritje të ndjeshme nën “joshjen” e një biznesi me fitim.
Por gjatë rrugës, jo pak u zhgënjyen duke e braktisur si aktivitet dhe sot, sasia e kultivuar mbetet modeste. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se numri i fermave është tashmë më pak se pesë dhe po shkon drejt uljes, ndërsa eksportet janë rreth 400 tonë.
“Kultivimi i kërmillit është i orientuar kryesisht nga eksporti. Vendi po prodhon 400 tonë kërmij. Ka pak fermerë që kultivojnë kërmij dhe shitja e tij bëhet me çmim 4 euro për kg. Rendimenti është 12 tonë për hektar. Operatorët janë nga Durrësi dhe Fieri. Edhe pse prodhimi i kërmillit ka disa nënprodukte, pjesa më e madhe janë kërmijtë e freskët. Aktualisht kultivimi është thuajse i papërfillshëm” – thuhet në dokumentin e Ministrisë.
Sipas të njëjtit studim, tregu i kërmijve është i orientuar kryesisht drejt eksportit të vjeljes së të egrit, ndërsa kultivimi aktualisht ndiqet nga dy operatorë. Tregu ka një vlerë të përafërt prej 400 mijë eurosh që eksportohet. Në terma të volumit, vlera e eksportit është në stanjacion. Pjesa kryesore e eksportit është drejt industrisë kozmetike, ndërsa një pjesë tjetër e prodhimit shitet edhe në tregun e brendshëm. Restorantet i kanë blerjet e tyre direkte për kërmij që nuk janë të kultivuar, por të mbledhur në natyrë. Sot nuk ekziston një treg i brendshëm për kërmijtë për qëllime joushqimore.
“Kultivimi i kërmillit ka nevoja për frigoriferë, rrjeta dhe struktura për fermat, makineri të vogla për përgatitjen e tokës. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, një pjesë e madhe e operatorëve të sektorit kanë mbyllur aktivitetin dhe numri i fermave është zvogëluar nga më shumë se 10 deri në më pak se 5” – thuhet në dokument.
Dokumenti sqaron se në rastin e kërmijve kërkohen pak investime përveç mbështetjes me ngritjen e kapaciteteve dhe informacionin për tregun. Gjithashtu kërkohet rritje e qëndrueshme në kapacitetin menaxhues dhe njohuritë teknike, si dhe mbështetje për rritjen e aksesit në tregje.
Arsyet pse fermat e kësaj natyre po pakësohen në vend
Nuk ka asnjë anketë të mirëfilltë për të kuptuar arsyet pse fermat e kërmillit që njohën rritje pak vite më parë po shkojnë drejt “zhdukjes”. Operatorë dhe ish-operatorë të tregut pohojnë se mund të jenë disa arsyet që kanë sjellë këtë rezultat.
Së pari, ata përmendin si shkak investimin e pamenduar mirë, gjë që do të thotë se kanë hyrë në treg, duke mos përzgjedhur me kujdes llojin e kërmillit, nuk kanë pasur njohuritë e duhura për rritjen dhe nuk kanë zbatuar teknologjinë me përpikëri ose sipërfaqja e fermës ka qenë relativisht e vogël.
Së dyti, është bërë e vështirë gjetja e punonjësve në përgjithësi në bujqësi dhe aq më tepër në një sektor delikat si ky.
Së treti, një shkak mund të jetë toka në të cilën është ngritur ferma. Një pjesë e atyre që i kanë hyrë këtij investimi janë emigrantë që kanë ngritur këtë aktivitet për të punësuar të afërmit por kanë hyrë në marrëdhënie me kontratë për tokën. Kjo kontratë mund të ketë mbaruar apo mund të kenë pasur probleme dhe kjo ka sjellë braktisjen e investimit.
Një tjetër arsye është mosorganizimi apo moskonsolidimi si grup interesi i fermerëve të këtij profili për të krijuar kushte lehtësuese në treg, të cilat lidhen me grumbullimin apo eksportet.
Stavri Lala, fermer “Kërkesa mbetet e lartë, por nuk janë hapur ferma të reja”
Tregjet e huaja janë të “uritur” për kërmillin, qoftë për përdorimin në industrinë kozmetike, ashtu edhe për konsum, por Shqipëria mbetet periferike në prodhim.
Stavri Lala, ndër të parët i cili ka nisur investimin në një fermë kërmilli në vend, thotë se ky është një sektor që ka fitim dhe mund të shihet si një mundësi e mirë investimi. Sa u takon fermave të reja, ai pohon se interesi mbetet i lartë, nëse marrim parasysh numrin e atyre që e kontaktojnë për të mësuar më shumë.
Megjithatë nuk ka hapa konkretë, ndoshta dhe për shkak të frikës nga zërat që qarkullojnë se shumë ferma falimentojnë. Sipas Lalës, nëse respekton teknologjinë dhe parametrat e sipërfaqes së një ferme, si dhe kujdesesh siç duhet, nga një fermë mund të ecësh mirë në këtë sektor, i cili shihet si mundësi e një pune të dytë.
Si është interesi për kërmillin në përgjithësi, duke pasur parasysh atë çfarë shihni ju?
Interesi mbetet i lartë dhe tregu kërkon kërmij. Janë vende si Italia, Franca e Gjermania që kanë interes për këtë produkt.
Të dhënat zyrtare tregojnë për një tkurrje të numrit të fermave, ju si e shihni?
Aktiviteti i fermave të kërmillit nuk është diçka e lehtë dhe lidhet ngushtë me ecurinë e vitit dhe kushteve klimatike. Për shembull nëse ka përmbytje apo kur bën shumë ftohtë, edhe prodhimi në fermë nuk është aq i mirë. Për shembull, mund të themi se viti 2021 nuk ishte aq i mirë.
A mendoni se ky është një investim që ia vlen?
Mendoj se është një formë e mirë vetëpunësimi për familjet që kanë toka apo janë në emigrim dhe investojnë dhe punësojnë të afërmit.
Cilat janë shkaqet që mund të çojnë në pakësimin e fermave, sikurse pohohet në dokumente zyrtare?
Një ndër ato që më vjen në mendje është pamundësia për të gjetur punëtorë. Është bërë shumë e vështirë që të gjesh punonjës në përgjithësi. Duhet të gjesh edhe njerëz me njohuri specifike për mënyrën si funksionojnë këto ferma, pasi është një punë delikate që do kujdes. Prodhimi i kërmijve nuk është diçka e jashtëzakonshme, është një aktivitet normal dhe prodhojnë kudo, vetëm në Shqipëri është kaq periferik dhe nuk ka ndonjë peshë të ndjeshme.
Një tjetër element mund të jetë zbatimi i teknologjisë. Shumë prej fermerëve mund ta kenë pasur me shkrim që ndoshta nuk e kuptojnë dhe kjo sjell gabime dhe humbje.
Duhet të investohet për të siguruar të gjitha kushtet në fermë. Nëse në verë mungon uji, mund të shkaktojë humbje dhe shkatërrim në masë të fermës. Një arsye tjetër që mund të ketë ndikuar në uljen e numrit lidhet me pronësinë e tokës. Shumë nga fermat mund të hapen nga emigrantë që punësojnë të afërmit dhe investojnë në një tokë që ndoshta nuk është e tyre dhe mund të jetë prishur kontrata.
Sa kohë duhet nga fillimi i investimit e deri në daljen në prodhim dhe cila është sipërfaqja që mund ta bëjë fitimprurëse një fermë?
Nga fillimi i fermës duhen të paktën 14 muaj që të dalësh në prodhim. Sigurisht që është shumë e rëndësishme ajo që përmenda, zbatimi rigoroz i teknologjisë, pasi nëse nuk bëhet kjo, nuk merr prodhimin e duhur dhe shkon drejt dështimit. Lidhur me sipërfaqen, mund të them se ferma nuk duhet të jetë më pak se 7 dynymë, nëse është më pak, falimenton.
Kur janë të vogla nuk ka interes. Pikërisht angazhimi me ferma të vogla që pastaj rezultojnë pa leverdi lë dhe një shije të keqe në përgjithësi për investimin në kërmill, por në disa raste është shkak sipërfaqja e vogël. Duhet cilësi për ta prodhuar, pasi ka gjithmonë treg. Parametrat që kërkohen janë që kërmilli të jetë mbi 8-10 gramë. Për ata që investojnë, kërmilli del dy herë në treg, në qershor dhe tetor. Në tre muajt e dimrit është në gjumë. Një fermë e tillë shërben më shumë si punë e dytë për ata që angazhohen.
Këtë vit pati disa ditë me temperaturë ekstreme negative në pjesën më të madhe të vendit. A mendoni që kjo do t’ju prekë edhe ju, duke ju dëmtuar, sikurse ka ndodhur me bujqësinë?
Këtë vit, pati disa ditë të ftohta, por jo më shumë se 5 të tilla, ndaj nuk mendoj se do të kemi ndonjë problem. Kur të ftohtët zgjat më shumë se dy javë, atëherë mund të shkaktohen dëme. Për çdo rast në fermat e kërmillit aplikohet dhe mbulimi me rrjeta për t’i mbrojtur. Nga prilli besoj se do të kemi një pamje më të qartë të situatës, pasi tani kërmilli është futur në tokë. Në përgjithësi ky është procesi që ndodh në dimër dhe më pas mund të dalë 80-90 për qind e tij në pranverë. Varet gjithnjë nga moti dhe kushtet.
Ju si e shihni sektorin, a ka interes për ferma të reja? A keni ndihmuar në hapjen e ndonjë tjetre?
Pyesin shumë, por nuk ka hapa konkretë për të hapur ferma. Mendoj se janë të trembur nga ajo çfarë kanë dëgjuar për ata që kanë dështuar në këto sipërmarrje. Unë vetë kam një fermë 12 dynymë në Vilë Bashtovë dhe tani kam hapur edhe një tjetër me sipërfaqe 9 dynymë.
Ervin Hajdaraga
“Ka nevojë për investime të rëndësishme në frigoriferë”
Pak vite më parë, qeveria shqiptare u dha përparësi subvencioneve edhe në fushën e rritjes së kërmillit, diçka që sot nuk ekziston.
Ervin Hajdaraga, i cili prej një viti e gjysmë ka mbyllur aktivitetin në fermë, shprehet se duhet të kishte parë më me kujdes këto mundësi financimi, që do t’i kishin dhënë një dorë të mirë në atë kohë. Edhe sot, megjithatë, ai shprehet se të investosh në këtë fushë ia vlen dhe ndoshta do t’i rikthehet fermës së dikurshme, por duke mësuar nga përvoja e dikurshme dhe duke korrigjuar disa aspekte që mund të rrisin përfitimin.
Ju keni pasur një aktivitet të rritjes së kërmillit, a vijon ende dhe si duket situata?
Prej thuajse një viti e gjysmë kemi hequr dorë nga aktiviteti të cilin e nisëm dhe e zhvilluam për më shumë se gjashtë vjet.
Nga Ministria e Bujqësisë dhe GIZ është publikuar një studim që përfshin edhe pjesën e kërmijve, ku nënvizohet se është ulur numri i fermave. Cilat ishin arsyet që çuan në braktisjen e aktivitetit?
Mendoj se ne kemi bërë disa gabime që në fillim të investimit kur vendosëm të krijonim fermën. E para ka të bëjë me llojin e kërmillit, që duhet të ishte zgjedhur një variant i përshtatshëm për klimën dhe motin tonë.
Duhet të ishte një lloj i veçantë që kishte tolerancë për klimën e Shqipërisë. Mendoj se një tjetër element që duhet ta kishim parë më me vëmendje ishte mundësia e financimit. Duhet të ishim më të predispozuar për të aplikuar për subvencione dhe të mbështeteshim nga shteti me ato mundësi që ofroheshin në atë kohë. Ne në fakt u fokusuam te rritja me forcat tona dhe rritja e fermës, e cila në fakt duhet thënë që do mjaft angazhim.
Pas kësaj përvoje në këtë fushë, a ia vlen të merresh me këtë lloj aktiviteti?
Pavarësisht se ne e kemi lënë mënjanë këtë aktivitet përkohësisht mendoj se ia vlen të angazhohesh në një fermë kërmilli. Sigurisht është një sektor me potencial dhe me fitim, por si fillim duhet të plotësohen disa kushte kyçe për mbarëvajtjen e një aktiviteti të tillë.
Duhet të bëhen bashkë shumë komponentë dhe kryesore është bashkimi i fermave të ndryshme me vendimmarrje të përbashkët kur vjen puna te grumbullimi apo rënia dakord me grumbulluesit për të mundësuar eksportin. Gjithashtu ka nevojë për investime të rëndësishme në frigoriferë.
Në dijeninë tuaj, a ka ferma të reja që janë krijuar së fundmi në këtë fushë, po ferma që janë mbyllur?
Ka pasur interes për disa vite me radhë për hapjen e fermave të reja. Kur ne kishim aktivitet, kemi krijuar me ekipin katër ferma përveç sonës. Nuk di të them nëse ato janë ende funksionale për momentin.
Pse e braktisët aktivitetin e fermës së kërmijve?
Nisi pandemia, pati një sërë problemesh që u bënë të gjitha bashkë dhe u bë i pamundur vijimi i normalitetit. Sigurisht që ne e kemi lënë përkohësisht aktivitetin, por besoj se do ta fillojmë sërish sapo të shohim që krijohen kushtet e përshtatshme.
Në fermën tuaj, çfarë sasie kërmilli prodhonit në një vit?
Prodhimi që merr nga ferma e kërmillit varet shumë nga viti, nëse është një vit i mbarë apo jo në kuptimin e kushteve atmosferike. Përtej kësaj, prodhimi ynë nuk ishte asnjëherë më pak se 4 tonë. Një pjesë e gjenim mundësinë për ta shitur dhe kishim lidhjet tona, por një pjesë tjetër na mbetej stok dhe prishej, duke sjellë edhe dëm. Në tregun e brendshëm kishim mundësi të shisnim një pjesë të prodhimit pasi gjithë restorantet më të mira e kishin të përfshirë në menu gatimin e tij.
Në aspektin e ndikimit ekonomik lokal, a ia vlen të zhvillohet ky sektor?
Mendoj se ia vlen sepse është një kombinim i të dyjave, edhe bujqësi, edhe blegtori. Ka ndikim të dukshëm lokal, pasi për të ngritur një fermë të duhet forcë punëtore që do t’i marrësh nga zona ku ushtron aktivitetin, do përdorësh mjete bujqësore. Gjithashtu duhet të punësosh njerëz edhe për kujdesin apo për ruajtjen e fermës. Për ekonomitë e vogla lokale, ky nuk është një ndikim i vogël. Mendoj se ndihmon shumë./MONITOR
Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?
Vala e re e pandemisë ka rritur sërish mungesat në punë. Prej dy vitesh kompanitë kudo në botë dhe në Shqipëri po vuajnë pasojat e kësaj situate në produktivite...
Pavarësisht përmirësimit afatgjatë të standardeve të jetesës, popullsia e Shqipërisë në moshë pune vazhdon të tkurret, pasi njerëzit po emigrojnë në kërkim të m...
TIRANË- 2021 regjistroi shifër rekord fatalitetesh krahasuar me 10 vitet e fundit, por edhe pse një vit pandemik me fokus tek Covid 19, ekspertët thonë se ...
MAT- Ndonëse mënyrat e transportit të ngarkesave sot janë të ndryshme dhe me automjete, zona të caktuara të vendit tonë, vijojnë të ruajnë traditat e vjetra. Kë...
Vala e re e pandemisë ka rritur sërish mungesat në punë. Prej dy vitesh kompanitë kudo në botë dhe në Shqipëri po vuajnë pasojat e kësaj situate në produktivite...
TIRANË- Në gjysmën e parë të janarit, rreth 8.8 milionë punëtorë amerikanë duhej të qëndronin në shtëpi, për shkak të infektimit me COVID-19, ose përkujdes...
Të ardhurat nga vetëpunësimi duhet të taksohen njëlloj si ato nga punësimi, në mënyrë progresive. Rekomandimi vjen nga Banka Botërore në raportin fundi teksa qe...
Vit pas viti lulëzojnë shumë biznese të reja, shumë prej tyre mbyllen, vetëm disa i rezistojnë tregut dhe konkurenca vijon pambarimisht. Të gjithë ata që dëshir...
Taksistët e Elbasanit po shkojnë drejt falimentimit. Konkurrenca e pandershme, çmimi i naftës, prenotimi për rrugën në kthim e kanë bërë të pamundur ofri...