LIVE UPDATES
Politike

POLEMIKA/ “Shqipëria s’ka ministër të Jashtëm”/ Gent Cakaj sulmon Veton Surroin: Analizë ordinere, koment personal me

26 Gusht 2020, 11:02 Nga DOSJA
POLEMIKA/ “Shqipëria s’ka ministër të

Angazhimi i kryeministrit Edi Rama në cilësinë e presidentit të OSBE në krizën paszgjedhore në Bjellorusi, ka rezultuar në një polemikë mes analistit dhe botuesit të “KOHA”, Veton Surroi dhe ministrit të Jashtëm të Deleguar në Shqipëri, Gent Cakaj.

Shkak është bërë shkrimi i Surroit, i ribotuar në shumë media në Shqipëri, përfshirë edhe Dosja.al, (Lexo këtu), ku analisti jepte leksione elementare për diplomacinë.

Komenti i Surroit, që shkruante se Shqipëria nuk ka një ministër të Jashtëm i cili të shërbejë me kohë të plotë, dhe ironia se roli i Shqipërisë në krizën në Ukrainë është i vlefshëm vetëm për barcoleta, ka nxitur reagimin e Cakajt.

Ministri i deleguar nuk është kursyer në etiketimet e tij për Surroin, që mes të tjerash thotë se ka botuar një përshkrim të “pasaktë, tendencioz,” e vijon duke e quajtur analizën në tërësi një “koment cinik personal, formulim që shpërfaq padije dhe mllef”, dhe e mbyll duke thënë se “analiza kritike u kthye në një analizë ordinere, sipërfaqësore e dezinformuese”.

Por sot, Surroi i është përgjigjur sërish Cakajt, por duke mos e përmendur me emër.

Analisti është mjaftuar duke e quajtur Cakajn “Vartësin e Ramës”, që mosha i ka krijuar delirime, e më tej thotë se do të duhet të mësonte nga shefi-kryeministri Edi Rama, që e quan njeri të shkrimit dhe polemikës thumbuese.

SHKRIMI I PARË I VETON SURROIT:

Shenja e palexuar kineze

Në analogji me futbollistin që kërkon të hyjë në lojë, Shqipëria e mori kryesimin e OSBE-së dhe po e kalon lojën duke ikur nga topi
1.
Presidenti amerikan Kennedy citohet të ketë thënë se fjala kineze për krizë përbëhet prej dy shenjave, njëra rrezik e tjetra shans. Ky shpjegim kështu hyri pastaj në shumë fjalime e shkrime deri në ditët e sotme, si ajo puna e ‘mos pyet çka mund të bëjë atdheu për ty…’.
Doli që të mos jetë krejtësisht e vërtetë, sipas gjuhëtarëve, sepse në fakt njëra shenjë ishte me të vërtetë rrezik, kurse tjetra ‘pikë kthese’, e jo drejtpërsëdrejti ‘shans’.
Tej tëhollimit, besoj se hyn në punë edhe në formulimin e vet të saktë gjuhësor, pra se kriza ka rreziqet e veta me efektet dëmtuese dhe njëkohësisht sido të tejkalohet paraqet pikë kthese.
Shqipëria prej vitit 2020 është kryesuesja në detyrë e një organizate, OSBE, e cila ka pothuajse përshkrim të vetin fjalën kineze; pra, si të merret me kriza dhe rreziqet e tyre në kontinentin evropian dhe njëkohësisht si të krijojë mundësi që nga këto kriza të krijohet një pikë kthese.
Kur e mori kryesimin, Shqipëria trashëgoi njërën prej krizave më të mëdha evropiane, de facto okupimin e një pjese të Ukrainës nga ana e Rusisë. Nuk besoj të ketë pasur iluzione, qoftë në Tiranë, qoftë gjetiu, se Shqipëria si kryesuese e radhës do të ndërmjetësonte konfliktin dhe do të gjente rrugë pajtimi mes Ukrainës e Rusisë. Në politikë të jashtme – e besa edhe në të brendshme – Rusia njeh formulimin ‘raporti i forcave’ si raport i forcave fizike, sikur në pyetjen e famshme që bëri Stalini për të diskutuar forcën e Papës në botë: ‘Sa divizione tankesh ka në dispozicion?’. Nga ky këndvështrim, roli eventual historik i Shqipërisë në krizën e Ukrainës është i vlefshëm vetëm për barcoleta.
2.
Megjithatë, pa marrë parasysh forcën e shtetit, kryesuesi i radhës i OSBE-së bën atë që bëri parapraku dhe në masë të madhe atë që do të bëjë i ardhshmi, e kjo është t’i mbajë të gjalla konceptet e misioneve paqeruajtëse – a parandaluese të konfliktit, sido të quhen – derisa të gjendet pjesa e dytë e ekuacionit kinez, derisa të gjendet pika e kthesës. Dhe, këtë vit kryeministri Rama e filloi duke vizituar Ukrainën Lindore, duke lëvduar si arritje të madhe rinovimin e urës te Stanica Luhanska, një vend deri dje i harruar nga Zoti, e me gjasa të vogla që të kthehet në kujtimin e Tij.
Gjatë dhjetë ditëve të fundit, kryeministri i Shqipërisë, në rolin e kryesuesit të radhës së OSBE-së, duhej ta gjente veten duke u konsultuar me kryeministra e diplomatë evropianë, përfshirë rusët, dhe të ishte i pranishëm fizikisht në një vend i cili njihet shumë më tepër se ajo urë e harruar e Ukrainës Lindore dhe ku prania e tij mund të kishte efekt. Duhej të ishte në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë, ku prej dhjetë ditësh po ndodhë shthurja e një autokracie, pas zgjedhjeve presidenciale që për shumicën demonstruese të popullatës konsiderohen jolegjitime. Pas një deklarate formale për shtyp të lëshuar më 10 gusht, ku kërkohej respektimi i standardeve të OSBE-së për zgjedhje, kryesuesi në detyrë i OSBE-së duhej të udhëtonte në Minsk për të trajtuar një ngjarje të përsëritur, pra një palë zgjedhjesh që nuk kanë legalitet apo legjitimitet, e që kontestohen nëpërmjet demonstratave popullore.
Në tridhjetë vjetët e fundit ka qenë lista e gjatë e ngjarjeve të ngjashme dhe ndër reagimet e para, paralajmërues të brengës ndërkombëtare, ka qenë e ashtuquajtura Trojka, Treshja e OSBE-së e përbërë nga kryesuesi në detyrë, ai i mëparshmi dhe i ardhmi. Në Minsk, pra, gjatë kësaj jave do të duhej të ishin kryeministri i Shqipërisë (a ministri i jashtëm, si zakonisht) dhe homologët e Sllovakisë dhe Suedisë.
Misioni i tyre do të duhej të ishte që nëpërmjet të përkrahjes të të drejtave fundamentale, përfshirë edhe ato të protestës, të krijojnë mundësinë që kjo krizë e Bjellorusisë të shndërrohej në pikë kthese për demokraci. Pra, që nëpërmjet një marrëveshjeje mes pushtetit dhe opozitës, të ndihmuar nga treshja e OSBE-së, anëtare e së cilës është edhe Bjellorusia, të krijohet një rrugëdalje paqësore e demokratike.
Në vend të një iniciative të këtillë politike, Shqipëria u vetëmjaftua me një deklaratë shtypi, të asaj tipike, ‘jemi të brengosur’, ‘respektoni të drejtat e njeriut dhe standardet e OSBE-së’, e kështu me radhë.
3.
Kriza bjelloruse do ta gjejë rrugën e zgjidhjes dhe në fund, kur të bëhet vlerësimi i sjelljes së akterëve ndërkombëtarë, mund të ngjajë që të shënohet mungesa e veprimeve të Shqipërisë. Vendi ka të ngjarë të mbahet mend sikur lojtari i futbollit që e lut trajnerin ta fusë në lojë, por kur më në fund i përmbushet dëshira ai e kalon lojën duke ikur nga topi. Shqipëria fitoi jashtëzakonisht shumë në fushën diplomatike me suksesin e arritur që të marrë përkrahjen e vendeve të mëdha e të vogla për ta marrë kryesimin njëvjeçar të OSBE-së. Tash ka gjasa që ta meritojë zhgënjimin e një komuniteti të gjerë shtetesh të mëdha e të vogla që vunë në sprovë pozitive një Shqipëri që atëbotë projektonte vetëbesim, kreativitet dhe humbje të kompleksit të inferioritetit.
Kjo është njëra anë e efektit negativ që do të pësojë vendi. Ana tjetër është pyetja e thjeshtë të përsesë së ‘ikjes nga topi’. Dhe ja tri përgjigje të thjeshta. Një, kryesimi i OSBE-së nxjerr natyrshëm në pah diplomacinë e një vendi e Shqipëria mbeti pa ministër të jashtëm para se ta merrte kryesimin dhe ende nuk e ka gjetur atë. Dy, Shqipëria edhe vetë ka kriza, madje ciklike, rreth zgjedhjeve dhe gjendet në një të këtillë edhe sot. Është vështirë të shkosh e të predikosh për zgjedhje legjitime në Bjellorusi, ndërsa vetë vendi kushtëzohet nga Gjermania dhe partnerët e tjerë evropianë për t’i mbajtur ato. Dhe tre, Shqipëria nuk ka arritur të krijojë një kohezion funksional mes pushtetit e opozitës. Është vështirë të shkosh në Minsk, apo madje edhe në Prishtinë, e të thuash se si të gjitha forcat politike duhet të bashkohen rreth disa parimeve për të mirën e shtetit, por këtë nuk mund ta bësh brenda Shqipërisë.
Thjesht, është tashmë postulat se politika e jashtme e vendit nuk mund të jetë e shkëputur prej asaj të brendshme. Nuk ekzistojnë dy Shqipëri, njëra për konsum të jashtëm e tjetra për atë të brendshëm.
4.
Është mëkat humbja e rastit për avancimin e namit të vendit. Në OSBE kjo bëhet me shfrytëzimin e fjalës kineze për krizë, të asaj që përmban në njërën anë vështirësitë dhe në anën tjetër pikën e kthesës për dalje nga këto vështirësi.
Ndoshta, çuditërisht, ky shans që po humbet shtyn që Shqipëria të kuptojë se ka nevojë për pikën e vet të kthesës.

PËRGJIGJA E GENT CAKAJT:

Është mëkat humbja e rastit për avancim të namit të vendit. Në OSBE kjo bëhet me shfrytëzimin e fjalës kineze për krizë, të asaj që përmban në njerën anë vështërsitë dhe në anën tjetër pikën e kthesës për dalje nga këto vështirësi. Ndoshta, çuditërisht, ky shans që po humbet shtyn që Shqipëria të kuptojë se ka nevojë për pikën e vet të kthesës.’ – kështu e përfundon Veton Surroi vështrimin e tij kritik me titull ‘Shenja e palexuar kineze’, botuar më 20 gusht 2020 në Koha, lidhur me angazhimet e Shqipërisë si Kryesuese e radhës e OSBE-së pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit 2020 në Bjellorusi. Ky është sa një reagim ndaj shkrimit të përciptë të Surroit, aq edhe shfrytëzimi i mundësisë që Surroi krijoi për t’i dhënë disa shpjegime jo atij, por publikut të gjerë mbi kryesimin e OSBE nga Shqipëria, për të cilin çdo qytetar shqiptar duhet të ndjehet mirë bazuar mbi faktet kuptimplota të kësaj periudhe të mbulimit të këtij roli nga vendi ynë.
Ndonëse Surroi e merr si fakt të kryer vonesën e ndërhyrjes së Kryesisë së Shqipërisë në situatën në Bjelorusi, shtjella e tij është e mbështetur në një varg keqkuptimesh konceptuale për funksionin dhe rolin e OSBE-së. Ky “fakt” e bën shtjellën e Surroit një rrjedhë pasaktësish empirike lidhur me kontributin e Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë evropiane në përgjithësi. Sipas tij, “fjala kineze për krizën”, pothuajse ofron çelësin magjik të punës të vetë OSBE-së: përkatësisht, ‘si të merret me kriza dhe rreziqet e tyre në kontinentin evropian dhe njëkohësisht si të krijojë mundësi që nga këto kriza të krijohet një pikë kthese’. Si fillim, një formulim i kësisojtë e redukton pothuajse krejtësisht rolin e OSBE-së në thjesht menaxhim e trajtim krizash në hapësirën e kontinentit evropian. Karakteristika dalluese e OSBE-së, ndërkaq, është promovimi i konceptit gjithëpërfshirës të sigurisë të ndërtuar mbi tre shtylla themelore: politike-ushtarake, ekonomike-mjedisore dhe njerëzore. Në këtë kuptim, përdersia parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve është patjetër pjesë organike e rolit të OSBE-së, gama e angazhimeve të saj shtrihet në një numër të gjërë çështjesh, nga mbrojta e promovimi i lirive themelore, ruajtja e mjedisit, adresimi i rreziqeve transnacionale e kontrollit të armëve e deri forcimi i mbikëqyrjes së proceseve zgjedhore e demokracisë në përgjithësi. Surroi e ngatërron “fjalën kineze për krizën” me hieroglifin kinez, që është i njëjtë për krizën e për mundësinë dhe në varësi të kontekstit të fjalisë, lexohet ose krizë ose mundësi. Nejse, kjo pasaktësi është më e pakta dhe e vetmja që ndjell buzëqeshje në shtjellën e tij, ndërsa qëllimi i kësaj përgjigje nuk është as shqyrtimi etimologjik i fjalës ‘krizës’ as dhënia e mësimeve elementare për veprimtarinë e OSBE-së.
Problemi themelor me shkrimin e Surroit është përshkrimi thelbësisht i pasaktë, për të mos thënë skajshmërisht tendencioz, i performancës së Shqipërisë si Kryesuese e radhës së OSBE-së në përgjithësi dhe angazhimeve të saj të fundit në situatën paszgjedhore në Bjellorusi në veçanti. Kjo është e dukshme, së paku, në tre rrafshe kryesore.
Së pari, Surroi thotë se Kryesia e Shqipërisë/ Kryetari i radhës i OSBE-së,
z. Edi Rama, ka filluar punën duke vizituar Ukrainën lindore dhe është mjaftuar duke lavdëruar si arritje të madhe restaurimin e urës në Stanica Luhanska. Ky është një përshkrim krejtësisht i mangët: thelbi i vizitës më datën 20 dhe 21 janar 2020 në Ukrainë ishte pikërisht fillimi i komunikimeve intensive të nivelit të lartë (me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, Kryetarin e Kuvendit Dmytro Razumkov, Kryeministrin Oleksiy Honcharuk, Ministrin e Jashtëm Vadym Prysaiko) në kuadër të përpjekjeve të OSBE-së për të kontribuar në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Surroi vijon duke thënë se ‘(…)roli eventual historik i Shqipërisë në krizën në Ukrainë është i vlefshëm vetëm për barcoleta’. Më shumë sesa një koment cinik personal, një formulim i tillë shpërfaq padije dhe mllef, dy elementë që zakonisht ushqejnë njëri-tjetrin. Surroi me këtë pohim shpërfill krejtësisht dy të arritura shumë domethënëse të Shqipërisë si Kryesi e OSBE-së në krizën në dhe përreth Ukrainës. Nga njera anë, pas bllokimit të plotë të lëvizjës si pasojë e pandemisë COVID-19, me punë sistematike e ndërmjetësim të drejtëpërdrejtë të Kryesisë së Shqipërisë, është arritur rikthimi i monitoruesve specialë në Luhansk e Donjeck nga fundi i muajit qershor 2020. Nga ana tjetër, për herë të parë nga shpërthimi i konfliktit në e përreth Ukrainës në 2014, me punën konstruktive të Shqipërisë e bashkëpunim të ngushtë me Grupin Trilateral të Kontaktit e pjesëmarrje edhe të disa prej përfaqësuesve të zonave të Donjeckut, është arritur marrëveshja për forcim të masave të armpushimit. Rrjedhimisht, nga data 27 korrik 2020 e tutje, nuk është identifikuar asnjë thyerje shqetësuese e armpushimit. Shqipëria, ashtu sikurse Kryesitë e radhës të OSBE-së nga viti 2014 e këndej (Zvicrra, Serbia, Gjermania, Austria, Italia, Sllovakia), natyrisht, nuk posedon ndonjë formulë magjike për zgjidhje të konfliktit në e përreth Ukrainës, pavarësisht dijenisë mbi hieroglifin kinez. Sidoqoftë, të arriturat e lartëpërmendura shënojnë një konribut përmbajtësor në shërbim të sigurisë dhe paqes në Ukrahinë. Prandaj ato duhet të konsiderohen si të arritura të vyera të Shqipërisë si Kryesi e OSBE-së dhe mllefet duhet të paktën të adresohen gjetkë nëse rezultojnë të pakurueshme.

Së dyti, Surroi po ashtu insiston se Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të radhës të OSBE-së, dhe homologët nga Sllovakia e Suedia, si përfaqësues të Treshës së OSBE-së, tashmë do të duhej të ishin në Minsk duke shtyrë përpara idenë e një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës që siguron një rrugëdalje paqësore e demokratike. Për më shumë, ai thotë se Shqipëria thjeshtë është vetëmjaftuar me një deklaratë formale për shtyp të lëshuar me datën 10 korrik 2020, me përmbajtje tipike, me shprehje ‘(…)sikurse jemi të brengosur’, ‘respektoni të drejtat e njeriut dhe standardet e OSBE-së’ e kështu me rradhë’. Mjafton edhe kaq për të kuptuar se Surroi jo vetëm është i painformuar në rastin më të mirë, po është edhe thellësisht i keqkuptuar mbi mënyrën se si funksionon OSBE-ja. E cila nuk mund të zbarkojë në asnjë terren krize thjesht me “çelësin kinez” në dorë, pa u marrë paraprakisht dorën aktorëve të përfshirë në një krizë, e posaçërisht autoriteteve të vendit a vendeve të prekura nga kriza.

E vërteta është se Kryesia aktuale e OSBE-së e ka bërë publike më 17 gusht kërkesën për të shkuar në Bjellorusi, pas dhjetëra komunikimesh në nivelet e larta diplomatike, me synim të qartë hapjen e një kanali dialogu mes qeverisë e opozitës. Pavarësisht përpjekjeve për të qenë të pranishëm në Minsk që prej orëve të para pas shpërthimit të valës së protestave masive, OSBE-ja ende nuk e ka një përgjigje pozitive nga Bjellorusia. Vetë zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit 2020 me ç’rast Aleksandër Lukashenko fitoi me një rezultat mbi 80%, u mbajtën pa praninë e vetë ODIHR-it. Pra fakti që Kryetari i rradhës i OSBE-së apo Ministri i Jashtëm, nuk kanë zbarkuar ende në Minsk lidhet me një sërë rrethanash objektive, po asesi me ndonjë dëshmi të mungesës së angazhimeve diplomatike të të skuadrës shqiptare në krye të OSBE-së. Në të vërtetë, vetë presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Bjellorusisë për të filluar bisedimet me ndërmjetësimin e OSBE-në, mes tjerash është edhe rrjedhojë e punës intensive e qasjes proaktive të diplomacisë shqiptare.

Nuk është rastësi e as produkt i një thjesht “deklarate të brengosur”, siç ironizon Surroi, që angazhimi i Shqipërisë si Kryesi e radhës së OSBE-së në Bjellorusi është mbështetur fuqimisht nga Këshilli Evropian (shih përfundimet e datës 19 gusht 2020, paragrafi 8), Komisioni Evropian (shih komunikimin publik të Kryetares Ursula von der Leyen e Kryetarit Charles Michel të datës 19 gusht) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (shih deklaratën për shtyp të Sekretarit të Shtetit, Michael R. Pompeo, të datës 20 gusht), mes tjerash. Thënë ndryshe, përderisa Surroi flet për humbjen e rastit për ‘avancimin e namit të vendit’, mbështetja enorme e propozimit të Kryesisë së Shqipërisë për dialogun e brendshëm në Bjellorusi tregon krejt të kundërtën. Në këtë kuptim, Shqipëria është duke kaluar në një prej periudhave më të suksesshme sa i përket angazhimeve të saj në diplomacinë shumëpalëshe.

Së treti, Surroi përfundon me një argument krejtësisht cliché reflektimin e tij: ‘Nuk ekzistojnë dy Shqipëri, njëra për konsum të brendshëm e tjetra për konum të jashtëm’. Tutje, ai shprehet se ‘(…)është e vështirë të shkosh e të predikosh për zgjedhje legjitime në Bjellorusi, ndërsa vetë vendi kushtëzohet nga Gjermania dhe partnerët e tjerë evropianë për t’i mbajtur ato’. Këtu vlen të theksohet se vetë Gjermania, e cila mes tjerash ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e Shqipërisë për të marrë vetë Kryesinë e OSBE-së 2020, është duke mbështetur hapur përpjekjet e Shqipërisë lidhur me situatën në Bjellorusi. Nëse aludimi për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërkaq, është i mbështetur në kushtet e Bundestagut për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, atëherë Surroi thjesht riprodhon një shtrembërim tjetër, në vazhdën e shtrembërimeve që janë bërë bajate për konsum të brendshëm politik në Shqipëri. Ashtu siç duket qartë në paragrafin 10 të përfundimeve të 25 marsit 2020 të Këshillit të Bashkimit Evropian, mbajtja e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare me Shqipërinë kushtëzohet me miratimin e reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODHIR-it dhe jo me mbajtjen e zgjedhjeve. Prandaj kur shkon deri këtu, përpjekja e Surroit për të ofruar një analizë kritike lidhur me kryesinë shqiptare të OSBE-së, merr thjesht trajtën e analizave ordinere, sipërfaqësore e dezinformuese, të cilat tashmë kanë pushtuar masivisht sferën publike në Kosovë dhe Shqipëri.
Në mbyllje, mbase vlen të theksohet se Surroi shton edhe një vërejtje për cilësinë e diplomacisë shqiptare me pretendimin se ajo ende nuk ka gjetur një Ministër të Jashtëm. Në fakt Shqipëria e ka Ministrin e Jashtëm dhe për dijeninë e Surroit ai quhet Edi Rama, kështu që Surroi mund t’ia kursente vetes këtë lajthitje emocionale, e cila e bën kuaziqesharak në analizën e tij tendencioze. Përkundër këtij shënimi, duhet gjithësesi nënvizuar fakti se pas hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian dhe Kryesimit të sukesshëm të OSBE-së, Shqipëria është në një vlug të pashembullt përpjekjesh diplomatike për të siguruar ulësen e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit 2022-2023. Kështu pra, përtej relativizimeve cinike me padijeni e mllef nga zëra që vërtetë mund të ndihmonin në vend se të zhurmonin, diplomacia e Shqipërisë është duke kaluar objektivisht në një prej fazave me vëllimin më të madh të punës në gjithë historinë e saj. Kërkesa për ‘pikën e kthesës’ së Shqipërisë nuk është e fajshme në vetvete, por ajo nuk justifikon kurrëfarë shtrembërimi faktesh apo përfundimi të pathemeltë, qoftë në rrafshin e politikës së brendshme apo asaj të jashtme. Këshillat e lira, mungesa e informacionit, shtrembërimi i fakteve dhe mllefi që i frymëzon, bëjnë që opinioni i Surroit të vlejë njësoj sikurse vlera e të hollave të protagonistit të tij letrar, Milionerit.

PËRGJIGJIA E VETON SURROIT, PJESË E SHKRIMIT “Kujtimet edhe të një vere mashtruese (LEXO KËTU SHKRIMIN E PLOTË)

Do të ketë qenë rastësi numrash, dhe koincidencë fatlume për vazhdimin e këtij shkrim, që viti i lindjes i një vartësi të pezmatuar të kryeministrit të Shqipërisë të jetë mu ai i ballinës së “Vremes”. Vartësi , i hidhëruar me një shkrim timin kritik për mungesën e aktivizimit të Shqipërisë në cilësinë e kryesueses së OSBE-së, më shpjegoi me tonin qortues të pushteteve të kësaj ane të vitit të tij të lindjes, çka është OSBE-ja, se si Shqipëria kishte ndalur luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, se si e tërë bota perëndimore e përkrahte Shqipërinë (pra jo domosdoshmërisht kryesuesen e OSBE-së kushdo të ishte) për veprimet e veta në Bjellorusi, dhe se Shqipëria kishte ministër të Jashtëm e se ai quhej z.Edi Rama.

Nuk kam paragjykim ndaj moshës dhe dëlirëve eventualë që ajo mund të prodhojë; nuk i kisha mbushur tridhjetë vjet kur merresha me organizimin e rezistencës ndaj Milosheviqit. Mund të kem paragjykim ndaj fjalorit qortues të pushtetit, aq më parë kur vartësit e rinj nuk mësojnë diçka të mirë prej shefave të tyre. Kryeministri është njeri i shkrimit – qoftë edhe i polemikës thumbuese – që zakonisht kërkon ritëm, figurë dhe përsosje të fjalisë; ndonëse nuk do të duhej të ishte obligim të mësohet prej tij, nuk do të ishte mëkat të bëhej një gjë e tillë.

Dhe, meqë jemi te kryeministri, përsëris, si bindje e jo batutë për provokim pezmi, se Shqipëria nuk ka ministër të Jashtëm. Ministri i Jashtëm është një person i cili i përkushtohet në tërësi politikës së jashtme të vendit – tash dhe kryesimit të OSBE-së, si dhe institucionit të cilin e drejton. Kryeministri Rama – ndonëse një njeri i cili e njeh botën – duhet sot të merret me tërmetin dhe koronavirusin, efektet ekonomike e sociale të të dyjave, menaxhimin e Qeverisë dhe resurseve njerëzore dhe me vendime të përditshme mikromenaxheriale që ia marrin ditën. Plus, me një krizë të legjitimitetit të pushtetit. Plus, me një reformë të çoroditur të drejtësisë që e ka lënë vendin edhe pa Gjykatë Kushtetuese. Plus me çkado që del në përditshmëri e që zakonisht del.

Po, kryeministri Edi Rama këtë të premte do ta kryesojë në Vjenë mbledhjen e përjavshme të Këshillit të OSBE-së për krizën e Bjellorusisë, dhe mirë bën duke i dhënë staturë plotësuese. Por, javën e kaluar ministri i Jashtëm i Shqipërisë, në koordinim me kryeministrin, do të duhej të ishte takuar me prijësen e opozitës bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya, në Letoni. Aty do të konfirmonte përkrahjen për të drejtën e opozitës që të protestojë qetë dhe që, si në rastin e kandidates presidenciale, të mos frikësohet për jetën e të detyrohet të marrë rrugën e azilit. Më Minsk, ndërkaq, disa ditë më herët do të ishte gjendur i dërguari i veçantë, një diplomat shqiptar me bashkëpunëtorë nga vende të tjera me detyrë që të regjistronin gjendjen e të drejtave të njeriut, të demonstruesve të arrestuar dhe të rrahur nga policia.

(F.g/dosja.al)

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

politike politike edi rama gent cakaj polemika cakaj-surroi propozimi i osbe-se per krizen ne bjellorusi veton surroi edi rama gent cakaj polemika cakaj-surroi propozimi i osbe-se per krizen ne bjellorusi veton surroi

Sondazh

Poll

Nisin homazhet për policin që u vra në krye të detyrës gjatë aksionit në Maliq, kolegët e tij në lot

Nisin homazhet për policin që u vra në krye të detyrës gjatë aksionit në Maliq, kolegët e tij në lot

Drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho paraqitet në SPAK

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta