LIVE UPDATES
Politike

Kulla 'Mali i Tiranës', Rama: Kulla pas TOB do të ndërtohet! Basha: Vetting në politikë!

Në një shkrim të gjatë, kryeministri theksoi se synimi është si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve.

11 Gusht 2023, 09:36 Nga k.m.
Kulla 'Mali i Tiranës', Rama: Kulla pas TOB do të
Edi Rama dhe Lulzim Basha

TIRANË- Kryeministri Edi Rama renditi sot disa prej arsyeve pse mbështet ndërtimin e kullës ikonike “Mali i Tiranës”, ndërsa iu përgjigj edhe të gjithë atyre që kritojnë projektin. Në një shkrim të gjatë, kryeministri theksoi se synimi është si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve. Gjithashtu shënoi edhe disa fjalë për opozitën, veçanërisht për Lulzim Bashën, ndaj të cilit nuk e kurseu ironinë.

"Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jë në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb,"- shkruan Rama.

Edhe padinë e dorëzuar në SPAK nga Partia Demokratike e quajti letër anonime që i mbërrin drejtësisë në një kohë kur po merret me çështje serioze të korrupsionit e krimit të organizuar.

"U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar,"-shtoi Rama. 

Më pas, një përgjigje i erdhi edhe nga Lulzim Basha, i cili edhe njëherë shprehet se një zgjidhje është Vettingu në politikë.

“Sa më shumë zgjatet lista e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që janë në burg, arrati apo nën hetim për shkak të makutërisë me të cilën është mbrujtur qeverisja e tij, aq dhe më të gjata bëhen hartimet e Ramës. Por atë që nuk e thotë dot me pak fjalë, nuk ka shans ta mbulojnë fjalët shumë e për lumë. Meqë mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i duket si një “mullar balte”, ka një zgjidhje shumë të thjeshtë për të ndarë të vërtetën nga balta: Veting në politikë.

Kur është i mirë për gjyqtarët, prokurorët, policët, pse të mos jetë i tillë edhe për politikanët?! Propozimi i Partisë Demokratike është në Parlament, mjafton vullneti politik për ta miratuar. Me këtë rast u kursejmë qytetarëve andrallat e njëpasnjëshme të cirkut 33 vjeçar, pas të cilave fshihet frika nga e shkuara e atyre që ndonëse e kërkojnë votën për t’i shërbyer njerëzve, i kanë shërbyer vetëm interesave personale dhe klientelës oligarkike,”- shkroi Basha.

SHKRIMI I PLOTË I RAMËS:

KULLA E RRADHËS DHE MULLARI I BALTËS

Gati një vit më parë u organizua një konkurs ndërkombëtar, ku një juri ndërkombëtare që në shumicë kishte arkitektë dhe ekspertë të mirënjohur nga disa vende të Europës, gjykoi me një debat skrupuloz në çdo detaj dhe mes pesë studiove të huaja, zgjodhi projektin e studios daneze CEBRA, për kullën që sot, një vit më pas është vendosur si një hu i sapogjetur në rrugë për mullarin e ri të baltës politiko - mediatike. Projekti fitues nuk pati asnjë kontestim për t’u mbajtur shënim dhe u pasqyrua pëlqyeshëm jo vetëm (shumë çuditërisht) në mediat tona, po edhe (aspak çuditërisht) në disa media të specializuara ndërkombëtare për zhvillimet më të reja arkitektonike nëpër botë. Në grupin danez bënte pjesë edhe një arkitekt i ri shqiptar, me banim në Danimarkë. Në momentet e fitores së konkursit ai tha shprehimisht: Do t’u telefonoj tani prindërve të mi në Elbasan dhe do t’u them, para se të thoni herë tjetër që në Shqipëri nuk ia del dot askush pa miq e pa rryshfet, mos e harroni rastin tim e të kolegëve të mi danezë, që erdhëm pa njohur askënd dhe pa pikën e besimit se konkursi ishte real, por do të kthehemi në Danimarkë të lumturuar nga eksperienca fantastike që patëm me organizimin e me seriozitetin mbresëlënës të këtij konkursi.
Pas përgatitjes thuajse njëvjeçare të projektit ekzekutiv, ku është përfshirë edhe njëra nga kompanitë më të mëdha inxhinierike të botës, Arup, me eksperiencë 75 vjeçare, 18.000 inxhinjerë, dizajner, ekspertë e këshilltarë me aktivitet në 140 vende të botës, si edhe pas pagesës së taksës rreth 4 milionë € në Bashkinë e Tiranës, kompania zhvilluese në marrëveshje me pronarët e tokës, që zakonisht në Tiranë përfitojnë deri gjysmën e investimit, rrethoi truallin për të ngritur kantierin e ndërtimit.

Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb.

U hapën kështu thasët e baltës, marrë turravrap në krahë për të ngritur rreth hurit të gjetur mes vapës së gushtit mullarin e “grabitjes” së radhës, duke ushqyer dëgjues, lexues e thashethemues që kanë ende dëshirë e nge të përtypin baltë nga e thasëve të këtyre hamejve të së shkuarës dhe duke mbajtur kësisoj vetveten me gajretin e pavdekshëm të iluzionit të vjetër, se kështu do të rrëzojnë regjimin. Dhe u nakatosën bashkë me baltën e gërrgërrditësve të zakonshëm edhe kunja të vjetra, gozhda inatesh të pandryshkura, vida gjelozirash të pashërueshme e jargë zilirash të pangushëllueshme dhe mullari u lartësua me shpejtësi, në pikën që u krahasua deri edhe me “djegësat” famëkëqinj apo u shikua si një i atillë katallan i zi, që mund edhe t’i linte vetë “djegësat” nën hijen e tij. U ngrit rrufe edhe padia e radhës për SPAK-un, e cila tanimë është bërë patatja dhe gjella e çdokujt që ka një gur për të hedhur, një dorë për të fshehur a një kunjë për të nxjerrë, duke e detyruar organin më të fuqishëm të akuzës në vend, që për shkak të një legjislacioni të mbingarkuar mbi shpinën e tij, të merret edhe me letrën e fundit anonime, ndërkohë që i ka duart e zëna seriozisht me patate gjithnjë e më të nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Arsyeja pse po i shkruaj këto radhë nuk është, largqoftë, të merrem me tërë ata e ato, të cilët gjetjen e hunjve dhe ngritjen e mullarëve të baltës e kanë si reaksion kimik të trurit ndaj absolutisht çdo vepre, që kjo qeveri e poshtër realizon në këtë vend. Fundja në 1 nga 100 hunj që ngulin arrinë të qëllojnë në shenjë dhe nuk është pak, po të llogarisësh se kanë 100 vjet që gjejnë e ngulin mesatarisht 1 hu çdo 3 ditë. Po duke e ndjekur nga larg ngritjen e këtij mullari balte të radhës dhe duke qenë personalisht i përfshirë në këtë “aferë” për shkak të detyrës e të pasionit tim për transformimin e Shqipërisë, nuk rrija dot pa ndarë me ata që kanë pasur ngenë e nervat të arrinë deri tek ky rresht i këtij çarçafi të gjatë, hallin tim përballë kësaj gjykate laramane të mbledhur kundër kullës së re, ku halli i një gjykatësi nuk i ngjan hallit të gjykatësit tjetër, ndërkohë që i imi nuk ka lidhje fare, po fare, me asnjë nga hallet e tyre. Halli im këtu është fatmirësisht më i rëndi dhe më i thjeshti! Si të nxjerrim maksimumin e fuqisë rrezatuese dhe tërheqëse për Tiranën, duke realizuar një tjetër kullë ikonike, të cilën nuk e financon e as e ndërton shteti, po e mundëson marrëveshja krejt private mes pronarëve, investitorëve, arkitektëve e inxhinierëve, po ku, ama, autoriteti përkatës shtetëror ka jo vetëm detyrën që t’i hapë rrugë zhvillimit legjitim të një prone private, konform vizionit të zhvillimit të kryeqytetit, po edhe të drejtën të kërkojë nga zhvilluesit cilësinë më të lartë të mundshme arkitektonike e inxhinierike.

Po pse e mbaj unë këtë hall, për çfarë qëllimi tjetër përveç atij që sapo thashë?! Eh, ja këtu, mu këtu, halli im bëhet, fatkeqësisht, shumë thjeshtësisht i rëndë, sepse s’ka Zot apo më saktë, sepse përveç Zotit dhe atyre që më njohin sadopak nga afër, më është e pamundur, absolutisht e pamundur, t’ia rrëfej gjykatës laramane, po edhe ndjekësve të saj të etur për baltë, gjak e teori konspiracioni, se halli im nis e mbaron me realizimin sa më bukur të një vepre si kjo apo si çdonjëra nga kullat, ndërtesat, shkollat, spitalet, rrugët, bulevardet, muzetë e me radhë, që po e ndryshojnë këtë vend dita - ditës, po që nuk mjaftojnë e duhen bërë më shumë, më shumë, më shumë… E pamundur t’u shpjegosh atyre që kanë Zot paranë, që udhëhiqen në jetë nga urrejtja, që verbohen në gjykim nga xhelozia, që sundohen në veprim nga ndjenja të ulëta në emër të parimeve të larta apo që thjesht duan t’u dalë e tyrja edhe sikur të bëhet shkrumb e hi, lumturinë e krijimit, realizimit të një vepre që i shërben njerëzve, vendit, historisë së shkruar duke ndezur në çdo hap një dritë tjetër, për ta bërë ditë natën e vjetër qindra vjet mbi këtë tokë të vogël shqiptare, në vend se të mallkosh përditë errësirën, pa të cilën lakuriqët e turlillojshëm të këtij vendi nuk e luajnë dot rolin e shqiponjave! E pamundur t’u tregosh se si nata bëhet më e shkurtër nga zgjatja e ëndrrave me sy hapur për veprat që i mbars pasioni, i ushqen dëshira për t’i lindur dhe i sjell në jetë e i zhvillon mundimi, shpeshherë i pashoq, në kapërcimin e dhjetë pengesave të parashikuara e nganjëherë, edhe e njëqind të tjerave të paparashikuara! E pamundur të ndash me ta dhimbjet torturuese të lindjes së një vepre mbi tokën e rrëshqitshme të “Shqipërisë që nuk bëhet” dhe çlirimin jetëzgjatës të kundrimit të saj, kur vepra ka hyrë në jetën e përditshme si një hallkë e re e zinxhirit të ëndrrës që vazhdon drejt dritës!…

Shqipëria sot është bërë lajmi i mirë, për shumëkënd befasues, i një destinacioni të ri në Mesdheun e peshqve më të mëdhenj të turizmit botëror, e kjo Shqipëri s’ka dalë nga deti, s’ka rënë as nga mali, se detet e malet aty ishin edhe kur këtu, turisti më europian vinte nga Gjakova a nga Tetova, po ka ardhur nga vite të tëra pune, Rilindjeje Urbane nga Vermoshi në Berat e Gjirokastër, në Lezhë, Durrës, Vlorë, Himarë e Sarandë, investimesh të mirëshënjestruara në infrastrukturë, aty ku janë çliruar potenciale të fjetura turistike, nga Thethi në Nivicë; agroturizmash që mbijnë përditë si këpurdhat në Shqipërinë rurale apo kantinash vere që tërheqin çdo vit e më shumë turistë deri në Mirditë e në Poliçan, falë mbështetjes me grante nga qeveria e Bashkimi Europian; parqesh arkeologjike e monumentesh kultura të rilindura në buzë të humnerës së zhdukjes përgjithmonë; investimesh gjithnjë e më cilësore private në industrinë e mikpritjes përgjatë bregdetit, nga Velipoja e deri në Ksamil, po edhe natyrisht, transformimit rrënjësor të zemrës së madhe të Shqipërisë, Tiranës, ku kullat e ngritura krahas mullarëve të baltës që shoqërojnë si hije vajtojcash të “këtij vendi që s’bëhet” ndërtimin e tyre, janë motorët e fuqishëm të ndryshimit, optimizmit, shpresës dhe ambicies për të ardhmen. I gjithë ky zhvillim që po e nxjerr përgjithnjë Shqipërinë nga cepi i errët i përbuzjes botërore në detin e hapur të jetës europiane, ku era e ndryshimit po sjell nga të katër anët numra marramendës turistësh të magjepsur prej këtij vendi që më në fund ka filluar të bëhet, ka patjetër edhe gabimet, deformimet, ekseset e veta, por s’ka mullar balte dhe gjyq qëllimesh që ia zeron dot përmasën historike, e cila është krijesë e pasionit dhe këmbënguljes së paepur, në një mjedis politik e mediatik të pushtuar nga ligësia e gjallesave të destinuara të harrohen, njësoj si balta pas shiut apo si mullarët e baltës pas ndërtimit të kullës së radhës.

Prandaj, teksa gjyqi inkuizicional i kullës më të re do të përmbushë edhe ai misionin e vet të mallkimit të vjetër të çdo gjëje të mirë që mbin në këtë tokë, kulla tjetër e radhës do të shfaqet me patjetër, si një tjetër fryt i pasionit dhe këmbënguljes për Shqipërinë, e për pasojë edhe si ftesë për një tjetër gjyq me mullarin përkatës të baltës së dalë nga thasët e aradhesë së bartësve të mallkimit, sepse mbase ky vend s’do shpëtojë kurrë nga ata që baltën e kanë bukën e gojës, po pa asnjë diskutim, as Tirana e as Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur pas shekujsh zvarritjeje dhe as fëmijët e Shqipërisë nuk ia kanë borxh të nesërmen e tyre tufës laramane të atyre që vesi i vjetër i baltosjes me shkulm e zulm të çdo vepre a qoftë edhe vetëm qëllimi të mirë në këtë vend, do t’u dalë veç me shpirtin.

POST SCRIPTUM

Mbase kushedi ndonjëri ngrihet e thotë s’kemi gjë me kullën, po me këtë e atë që themi-thuhet-thanë- thonë-thomi-thumi se fshihen pas saj, prandaj po e përsëris se ky çarçaf u var këtu thjesht e vetëm për hallin e autorit, që për të tëra arsyet e thëna më lart e dëshiron me gjithsej ndërtimin e kullës së re. Të askujt tjetër.

edi rama mali i tiranes

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje