"Donin të shpërbënin Shqipërinë pa i bezdisur askush", Kalaja para bashkisë: Fitorja e Trump tregoi se duhet t&eum...
Ekonomi
S’ka tërheqje nga paketa fiskale, për fermerët do të kalohet në skema subvencionuese
28 Nëntor 2021, 06:53Nga DOSJA
Për Shoqatën e Eksportuesve të Fruta-Perimeve, Sindikatën e Fermerëve dhe KASH, vendosja e TVSH-së 10% te çmimi i inputeve bujqësore të importit dhe heqja e TVSH-së së kreditueshme për blerjet e prodhuesve te fermeri me paketën fiskale 2022 parashikohet të shtojë kostot e prodhimit dhe të rrisin informalitetin e sektorit. Ministria e Bujqësisë thotë se, deri tani, përjashtimet nga taksat nuk ndihmuan fermerin dhe se në vijim do të vazhdohet me skema subvencionuese direkte
Dorina Azo
Heqja e TVSH-së së rimbursueshme 6% për prodhuesit dhe përpunuesit që furnizohen me produkte nga fermeri dhe vendosja e TVSH-së 10% te inputet bujqësore nga zero që është prej 2019-s janë ndryshimet më të debatueshme të paketës fiskale 2022.
Gjasat që skema e TVSH-së së kreditueshme (të zbritshme) të rikthehet apo të njësohet TVSH-ja, në blerje dhe shitje, siç kanë kërkuar prodhuesit, nuk ekzistojnë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) pohoi për “Monitor” se skema e rimbursimit të TVSH-së 6% që nisi të aplikohet nga 2019 nuk e ndihmoi fermerin të formalizohet dhe të ulë çmimet për konsumatorin.
MBZHR parashikon në vijim se do të hartojë skema direkte të subvencionimit të fermerëve që do të zëvendësojnë heqjen e përjashtimeve nga taksat. “Duhet të qartësojmë se kemi të bëjmë me heqjen e skemës së kompensimit të prodhuesit bujqësor për qëllime të TVSH-së. Fermerët mund të zgjedhin që të kthehen në subjekt të tatueshëm me TVSH dhe të përfshihen në skemën e TVSH-së të fermerëve, duke lejuar që nga TVSH-ja e llogaritur për shitjet e produkteve bujqësore, të kreditojnë (zbresin) TVSH-në e paguar në blerjen e inputeve.
Skema e kompensimit të TVSH për prodhuesit bujqësorë, në gjenezat e saj, u prezantua si një përjashtim për të ndihmuar fermerin e vogël, të paformalizuar, i cili në shitje përveç kostos dhe marzhit të fitimit të tij, të mund të rimbursonte dhe një pjesë të TVSH që paguante me shërbimet/mallrat që blinte. Por, në fund subvencionimi indirekt nuk arriti dot tek fermeri, pasi ai vijoi të arkëtonte të njëjtën shumë për shitjen e produkteve bujqësore dhe nga ana tjetër çmimet për konsumatorët në tregjet lokale nuk u ulën.
TVSH është taksë konsumi, atë e paguan konsumatori final, nuk e paguan as grumbulluesi, as prodhuesi agropërpunues, as eksportuesi. Për të adresuar faktin që subvencionimi indirekt nuk shkoi tek fermeri i vogël, do të ulemi me fermerin, për të përcaktuar një skemë mbështetëse për fermerin”.
Ministria e Bujqësisë: Do të kalojmë në skema direkte subvencionuese
Vendosja e TVSH-së 10% për çmimet e inputeve bujqësore të importuara ishte një tjetër ndryshim i paketës fiskale që u kundërshtua nga fermerët dhe shoqatat e biznesit.
Në Lushnjë, disa ditë rresht, fermerët protestuan për ndryshimet fiskale, duke kërkuar që të mos aplikohej taksë 10% për inputet bujqësore dhe të zbatohen subvencionime direkte nëpërmjet faturës tatimore për çdo shitje të produkteve të fermerëve. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural pranon që efektet nga ndryshimi i taksave t’i kompensojë me skema direkte për fermerët. Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduard Sharka, kërkoi që fondi i subvencionit direkt të jetë me vlerë 70 mln euro në vit.
“Në vetvete skema 6% ishte një lloj frymëmarrje në marrëdhëniet fermer-eksportues, pasi duke qenë se eksportuesit rimbursoheshim për TVSH-në kishin më tepër hapësirë financiare për të blerë te fermerët dhe për të shitur me fitim të vogël.
Në këtë situatë propozojmë që heqja e TVSh-së së kreditueshme të zëvendësohet me një skemë subvencionese për fermerët, për njësi prodhimi nëpërmjet faturës tatimore. Nuk e kërkojmë si instrument lëmoshe, por si masë për të shëruar sëmundjen më të madhe që ka sektori i bujqërisë që është informaliteti. Nga të dhënat e sindikatës, informaliteti në tregtinë e fruta-perimeve është 90%. Interesi për të marrë faturë tatimore pasi nëpërmjet saj do të përfitojë subvencionimin dhe barazimi i TVSH-së në shitje me atë në blerje (kërkesa e përbashkët e Shoqatës së Eksportuesve, Sindikatës të Fermerëve dhe KASH) do të kishim 80% formalizim të sektorit.
Është e habitshme që qeveria nuk negocion me ne, pasi në bazë të treguesve të projektbuxhetit 2022 ne parashikojmë që nëse formalizohet bujqësia, të ardhurat do të rriteshin 150 mln euro. Ne kërkojmë subvencione direkte në vlerën 70 mln euro për fermerët e fruta-perimeve; 5 mln euro mbrojtje për bizneset eksportuese, pasi janë me risk për shkak të kushteve të ekonomisë sonë dhe duhen të mbrohen. Për realizimin e këtyre pikave nuk kërkojmë të marrim fonde nga taksat, por nëpërmjet formalizimit të sektorit. Një pjesë e të ardhurave që do të mblidhen nga formalizimi të shpërndahen për fermerët sipas propozime tona”, veçon kreu i Sindikatës së Fermerëve.
Skema e subvencionimit direkt të fermerit që kultivon perime të freskëta në bazë të produktit të hedhur në treg, të justifikuar me fature tatimore, propozohet të jetë e ngjashme me skemën e aplikuar në vitin 2019, për prodhuesit e qumështit, por pa procedurat burokratike të aplikimit dhe konkurrimit në AZHBR dhe pa limit.
MBZHR thotë se ende nuk ka një masë konkrete zbatimi dhe se skemat e subvencionimeve direkte do të hartohen pas dëgjesave me grupet e interesit.
“Në momentin që paketa fiskale u hartua dhe u miratua, efektet anësore të heqjes së këtyre përjashtimeve, u vendosën që të adresohen përmes rritjes së mbështetjes direkte të fermerëve. Për mënyrën sesi do të mbështeten fermerët nëpërmjet skemave direkte të mbështetjes, do të bëhen dëgjesa me të gjithë aktorët, për të përcaktuar si do të adresohet më së miri mbështetja e prodhimit vendas me buxhetet e vëna në dispozicion.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, po i shqyrton kërkesat e ardhura dhe do t’i përkthejë në politika publike. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po konsultohet me ekspertë të fushës, dhe aktorët përkatës, për t’i përafruar masat e mbështetjes direkte, me Politikat e Përbashkëta të Agrikulturës së BE (Common Agriculture Policy), por ky është një proces i vazhdueshëm dhe do të kërkojë kohën e vet”.
Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë të Bujqësisë, Vojo Bregu, thotë se subvencionet direkte për fermerët duhet të arrijnë të paktën kufirin e Kosovës. “Është deklaruar në buxhetin e Kosovës, se 70 milionë euro do të shkojnë direkt për fermerët.
Deri tani për fermerët shqiptarë, duke pasur parasysh dhe kakofoninë e shifrave luhatet nga 13-17 milionë euro”. Z. Bregu rekomandon gjithashtu se për shkak të buxhetit shumë të ulët në raport me rajonin dhe duke pasur parasysh që mund të kemi konkurrencë nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, për shkak të OPEN BALKAN, do të ishte i domosdoshëm rajonalizimi i subvencionimit, që do të thotë se në rajone të caktuara të subvencionohet për kultura të caktuara.
“Pra ekonomizimi i fondeve të pamjaftueshme nëpërmjet rajonalizimit duhet të jetë “A-ja” për hartimin e skemave subvencionuese. Për këtë është hartuar nga Ministria e Bujqësisë edhe një studim i thelluar që mbështetet në studimet para viteve ’90”.
Efektet e ndryshimeve fiskale, do të rritet informaliteti
Shoqata e Eksportuesve të Fruta-Perimeve ngre shqetësimin se vendosja e taksës 10% tek inputet bujqësore jo vetëm që do të shtojë kostot e prodhimit, por edhe informalitetin e farave bujqësore.
Nga të dhënat e doganave për periudhën 2015-2020 rezulton se importet e farave bimore që përdoren për të mbjellat për vitet 2015-2018 (kur aplikohej TVSH-ja 20% tek inputet bujqësore) janë më të ulëta në raport me 2019 kur nisi zbatimin heqja e TVSH-së mbi këto produkte. Në 2019, periudhë kur u zerua TVSH-ja e inputeve bujqësore, importi i farave bimore u rrit 37% në krahasim me 2018-n.
Rritja e importit të farave në 2020 ishte 14% më shumë se në 2019. Shoqata e Eksportuesve të Fruta-Perimeve pohon se nga heqja e TVSH-së të inputeve bujqësore në 2019, formalizimi i fermerëve u rrit dhe inputet bujqësore nuk po hynin më kontrabandë nga Kosova. Anëtarë të shoqatës parashikojnë që këto ndryshime fiskale pritet të rrisin kontrabandën e inputeve bujqësore, sidomos nga Kosova, pasi nuk taksohen dhe do të rrisin informalitetin te fermerët.
Rriten kostot e fermerit dhe do të reduktohen të mbjellat
Për vendosjen e TVSH-së 10% te çmimi i inputeve bujqësore, ish- sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Vojo Bregu, thotë se fermerëve do t’u rriten kostot minimalisht 10%. Kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduard Sharka, parashikon se taksimi i importit të inputeve bujqësore do të reduktojë edhe më tepër të mbjellat.
“Këtë vit, 30% e fermerëve nuk kanë porositur blerjen e fidanëve për mbjellje, pasi dështuan për 4 sezone rresht. Kostoja e prodhimit shkon sa çmimi i shitjes. Krizat e tregut detyruan shumë prej tyre të hedhin produktet bujqësore në kanal.
Krahas efekteve të krizës globale që ka rritur 30 deri 40% çmimet e lëndëve të para, vendosja 10% e TVSH-së për inputet bujqësore do të rëndojë edhe më tepër kostot e prodhimit. Në anën tjetër, tregu i tregtimit të frutave perimeve është kaotik. Në vendet e rajonit, ky treg është i rregulluar në bursë. Fermerët pyesin njëri-tjetrin se sa i ka blerë inputet bujqësore dhe me çfarë çmimi i shite produktet te grumbulluesit. Krijimi i një burse do të orientonte për çmimet jo vetëm fermerët, por edhe eksportuesit”.
Ndryshimet e propozuara fiskale, sipas kryetarit të KASH, Agim Rrapaj do të rëndojnë edhe më shumë bujqësinë, pasi vijnë në periudhën pas tërmetit, pandemisë së Covid-19, thatësirës, rritjes galopante të çmimeve dhe shpopullimit masiv të zonave rurale.
“Bujqësisë, në periudhën e pandemisë përmes aktit normativ iu reduktua buxheti me 500 milionë lekë. Projektbuxheti 2022, jo vetëm që i redukton fondet e bujqësisë në të njëjtat shifra, por sektori privat rëndohet drejtpërdrejt edhe më shumë me taksa, tatime e tarifa shtesë me vlerë 1,75 mld lekë, pa asnjë argument apo arsye madhore ekonomike.
Plagëve të vjetra që i kemi të trashëguara, si informaliteti i lartë dhe konkurrenca e pandershme, niveli i ulët i mekanizimit, shpopullimi që po shkakton deficite të ndjeshme në fuqinë punëtore, dëmet nga kushtet e këqija të motit, tërmeti, pandemia, mungesa e kompensimit dhe siguracionit, po u shtohen edhe çmimet e larta të inputeve të importuara, të energjisë elektrike dhe karburanteve.
Të gjitha këto do të rëndojnë më shumë situatën, do të reduktojnë investimet në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, duke i shtuar edhe një peshë ekstra kostos së prodhimit dhe sektorit privat prej 1,75 miliardë lekësh. Situata ekonomike dhe sociale në bujqësinë e zonave rurale do të bëhet e pamenaxhueshme”, nënvizon z. Rrapaj.
Barazimi i TVSH-së për skemën e rimbursimit
Njëzëri, shoqatat e biznesit dhe ekspertët rekomandojnë se në ndihmë të fermerit dhe grumbulluesve do të ishte skema e njehsuar e TVSH-së. Propozimet konkrete, deri tani, janë për TVSH të kreditueshme 6% në blerje dhe 6% në shitje.
Për Shoqatën e Eksportuesve të Fruta-Perimeve edhe skema aktuale rëndon shumë mbi eksportuesit dhe më e favorshme për sektorin do të ishte njehsimi i skemës. “Shteti na detyron që ne të kemi barrë kreditimin ndaj fermerëve. Më pas, në momentin që kur eksportohet ky mall, do të kthehet TVSH-ja por nëpërmjet shumë burokracive, si aplikimet, kontrollet etj. Në 2014, kur skema e TVSH-së të kreditueshme ishte 20% në blerje, eksportet ishin më të larta se importet.
Në 2019, kur ndryshoi skema e TVSH-së, eksportet nisën të bien. Edhe për 3-mujorin e fundit të 2021, parashikohet të jenë me rënie. Në këtë situatë do të ishte ndihmë për sektorin barazimi i TVSH-së, si për blerje dhe shitje. Nuk kemi përcaktuar normën e barazimit të TVSh-së, por kjo duhet të diskutohet nga Ministria e Financave dhe grupet e interesit”. Edhe kryetari i KASH, Agim Rrapaj kërkon që rimbursimi i TVSH-së të barazohet në blerje dhe në shitje.
“Duhet të ndryshojë qëndrimi justifikues dhe i gabuar, si dhe koncepti i artikuluar duke e konsideruar rimbursimin e TVSH si një subvencion. Kërkojmë që TVSH të trajtohet dhe zbatohet, si një instrument i rëndësishëm për formalizimin e bujqësisë dhe ekonomisë së ushqimit”.
Edhe për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, z. Vojo Bregu, heqja e TVSH-së së kreditueshme penalizon grumbulluesin dhe do të ndikojë te rritja e çmimeve për konsumatorit. “Me paketën fiskale do të penalizohen edhe me 6% më shumë grumbulluesit e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, pasi do të blejnë me TVSH të zeruar dhe do të shesin me TVSH 20%.
Edhe me formulën që është aktualisht, grumbulluesit penalizoheshin me 14% të çmimit, pasi TVSH-ja që paguanin fermerët dhe blegtorët ishte 6%. Me zerimin e saj, do të ngarkohen grumbulluesit dhe për pasojë, ata do ta shkarkojnë tek konsumatori. Ajo që do të ishte e drejtë dhe do të ndihmonte si fermerët, si grumbulluesit, është njehsimi i TVSH-së.
Pra të kenë TVSH të njëjtë, si në hyrje dhe në dalje. Si propozim do të ishte 6%”. Nga 2019, për përpunuesit dhe grumbulluesit hyri në fuqi skema e kreditimit të TVSH-së 6% nga 20%, që ishte para kësaj periudhe. Me skemën e vjetër, vlera e kompensimit ishte 20%, ndërsa nga 1 janari 2019 është 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga kompanitë e mëdha përpunuese është së paku trefish më e lartë (kompensimi është TVSH-ja e zbritshme për grumbulluesin dhe deklarohet në periudhën tatimore kur është lëshuar fatura e blerjes nga fermeri). Me paketën e re fiskale të propozuar në projektligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” TVSH-ja e kreditueshme nga 6% pritet të zerohet.
Kërkesat e tjera të fermerëve
Në ndihmë të sektorit të bujqësisë, Shoqata e Eksportuesve të Fruta-Perimeve, KASH dhe Sindikata e Fermerëve kërkojnë edhe rregullimin me ligj të kushteve dhe mënyrën e kryerjes së tregtisë me produktet bujqësore për të garantuar interesat e palëve në këtë treg.
“Aktualisht janë me qindra fermerë të Myzeqesë të pambrojtur në treg në aspektin e likuidimit të faturave të tyre nga grumbulluesit.
Në këtë aspekt kërkojmë zbatimin e modelit të Maqedonisë së Veriut ku grumbulluesit dhe tregtarët e fruta-perimeve regjistrohen edhe në Ministrinë e Bujqësisë dhe përveç standardeve të tjera mbyllin dhe një fond garancie, i cili garanton likuidimin e faturave të fermerëve brenda një afati 60-ditor të përcaktuar në ligj”, pohojnë shoqatat e biznesit në kërkesat e tyre ndaj paketës fiskale. Ndër kërkesat e tyre është përfundimi i studimit për dëmet që i shkaktohen sektorit privat në bujqësisë para hyrjes në fuqi të ndryshimeve fiskale dhe hartimi brenda afatit të librit të fermës./MONITOR
Kjo mund të përshpejtojë lëvizjen drejt dixhitalizimit…“Është njëlloj si t’i japësh goditjen e fundit një të moshuari që është në shtratin e vdekjes”, thot...
Ndërsa bariu në një skaj të largët, mes malesh, në veri të Shqipërisë, duhet të kalojë natën duke ruajtur dhentë e tij, shoqëruesin më të mirë gjen celularin dh...
Vendit i është dashur të blejë në tregun e lirë 213 milionë euro energji për të plotësuar konsumin nga janari në nëntor. Kjo është shifra e akumuluar e ankandev...
Rreth 6 miliard lekë grante të tjera rikostruksioni pritet t’u shpërndahen 6 bashkive në vend për rikonstruksionin e apartamenteve dhe shtëpive të dëmtuara nga ...
Kreditë për blerjen ose ndërtimin e pronave me qëllim investimi së shpejti mund të jenë më të shtrenjta.Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime rregulla...
Të hartuara me mungesë transparence, pa studime të mirëfillta kontratat kocensionare me Partneritet Publik-Privat (PPP) në proces zbatimi po shfaqin defekte që ...
Të gjithë ata që marrin paga në bankë do të mund të përfitojnë hua më të lira, pasi do të kategorizohet si klientë me rrezik më të ulët, por kësti do t’u mbahet...
Unaza e Tiranës është kthyer në një projekt që “gllabëron” në mënyrë të vazhdueshme fonde shtesë që rritin dita-ditës koston duke mbetur larg shifrave fillestar...
Një studim krahasues i Bankës Qendrore të Austrisë, i bazuar në anketë, tregoi se, gjatë vitit pandemik 2020, familjet huamarrëse në Shqipëri kishin përqindjen ...