VIDEO/ Çështja e Zvërnecit/ Qindra qytetarë mblidhen në Londër: Rama në burg, Berisha në burg, mos dal...
Sport
FSHF nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Basketbollit...
Presidenti Duka u shpreh i sigurt se kjo marrëveshje do t’i shërbejë të dyja federatave për shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe për të bërë akoma më shumë për dy sportet më të rëndësishme në Shqipëri.
3 Prill 2025, 11:09Nga DOSJA
TIRANE - Federata e Futbollit dhe Federata e Basketbollit kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim promovimin, zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së arbitrimit në të dyja sportet, përkatësisht futbollit dhe basketbollit.
Me anë të kësaj marrëveshjeje synohet shkëmbimi i përvojave, praktikave të mira dhe gjetja e burimeve për të arritur rezultate më pozitive, si dhe për të rritur nivelin e profesionalizmit të arbitrave.
Ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe të pranishëm ishin presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e cilësoi këtë marrëveshje bashkëpunimi shumë të rëndësishme dhe falënderoi presidentin Ponari për gatishmërinë e tij. Presidenti Duka u shpreh i sigurt se kjo marrëveshje do t’i shërbejë të dyja federatave për shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe për të bërë akoma më shumë për dy sportet më të rëndësishme në Shqipëri.
Memorandumi i bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit përfshin disa pika kryesore:
Trajnime të përbashkëta mbi vendimmarrjen dhe menaxhimin e presionit, si dhe organizimin e seminareve dhe trajnimeve për arbitrat e të dyja sporteve mbi komunikimin, menaxhimin e stresit dhe vendimmarrjen gjatë ndeshjeve.
Testime fizike dhe stërvitje të përbashkëta, për të siguruar që arbitrat të kenë një nivel të lartë të aftësive fizike dhe qëndrueshmërisë.
Shkëmbim eksperiencash dhe mentorim, ku arbitrat me përvojë nga të dyja federatat do të ndajnë raste konkrete të arbitrimit për të ndihmuar kolegët e tyre në rritjen profesionale.
Zhvillimi i një kodi të përbashkët etike dhe profesionalizmi, për të krijuar standarde të përbashkëta që forcojnë integritetin dhe respektin për këtë profesion.
Organizimi i eventeve dhe forumeve të përbashkëta për arbitrat, duke përfshirë workshop-e, konferenca dhe forume, ku arbitrat e të dyja sporteve do të diskutojnë sfidat e arbitrimit dhe do të ndajnë praktikat më të mira.