LIVE UPDATES
Aktualitet

BIRN: Hetimet penale ndaj magjistratëve të dorëhequr nga vetingu mbesin rrugës

I larguar shtatë vjet më parë me dorëheqje gjatë procesit të vetingut, Fusha po përballet prej tre vitesh me një proces gjyqësor për akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.

1 Prill 2026, 16:16 Nga E.d
BIRN: Hetimet penale ndaj magjistratëve të dorëhequr nga vetingu
Foto ilustruse

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, ngjiti shkallët e Gjykatës së Durrësit të enjten e 26 marsit për të qenë i pranishëm në seancën gjyqësore të çështjes penale kundër tij, por u kthye mbrapsht nga sekretarja gjyqësore.

I larguar shtatë vjet më parë me dorëheqje gjatë procesit të vetingut, Fusha po përballet prej tre vitesh me një proces gjyqësor për akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.

Sipas sekretares gjyqësore, seanca e së enjtes nuk mund të zhvillohej, pasi gjyqtarja Emirjana Dimo ishte me leje.

“Palët do të njoftohen për seancën e radhës”, tha sekretarja, pa dhënë një datë.

Hetimet për Fushën nisën në vitin 2019, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kërkoi hetim penal lidhur me faktet e dala për pasurinë e tij gjatë procesit të vetingut. Hetimi ndaj tij zgjati gati 4 vjet dhe pasi kaloi nga njëri prokuror në tjetrin, u dërgua në gjykatë me konkluzionin se Fusha ka deklaruar me një vlerë më të vogël sesa investimi real një kompleks të përbërë nga një ndërtesë tre-katëshe me pishinë, ambiente ndihmëse dhe hotel në Mjull Bathore, pasuri e njohur ndryshe si resorti “Mai Tai”.

Fusha nuk është i vetmi magjistrat i dorëhequr nga detyra gjatë procesit të vetingut, i cili po përballet me një proces penal. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dorëzuar me dhjetra referime në Prokurorinë e Posaçme ndaj magjistratëve të dorëhequr nga procesi, por vetëm një numër i vogël prej tyre janë dërguar në gjykatë – ndërkohë që të tjerat kanë mbetur rrugës.

Hetimi penal i gjyqtarëve dhe prokurorëve mbi bazën e të dhënave të përftuara nga procesi i vetingut ka qenë një rekomandim kyç i Bashkimit Europian për avancimin e luftës kundër korrupsionit dhe rritjen e llogaridhënies në sistemin gjyqësor.

I pyetur nga BIRN për akuzat e ngritura kundër tij, ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha u rezervua të komentonte, duke theksuar se “sqarimet do t’i jepte aty ku duhet, në sallën e gjyqit”.

“Është në interesin tim personal dhe profesional që e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në vend. Zvarritja e proceseve nuk i shërben askujt dhe besoj se një vendimmarrje sa më e shpejtë dhe e drejtë do t’i japë fund çdo spekulimi,” tha Fusha për BIRN.

Dhjetra kallëzime, pak rezultate

Përgjatë tetë viteve të fundit, korpusi prej 805 gjyqtarësh, prokurorësh dhe ndihmësish ligjorë të vendit kaloi nëpër filtrat e vetingut – një proces kyç i reformës në drejtësi, që mbylli siparin me vendimet e fundit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 5 mars.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se 442 subjekte rivlerësimi ose 55% e totalit u larguan nga detyra; nga të cilët 268 u shkarkuan, 105 dhanë dorëheqjen dhe 49 të tjerë u larguan pa një vendim përfundimtar.

Mes gjyqtarëve dhe prokurorëve që u larguan me dorëheqje, një numër i konsiderueshëm u referuan në Prokurori në ndjekje të rekomandimeve të Bashkimit Europian për trajtimin e këtyre çështjeve.

Sipas raporteve të progresit të BE, deri në fund të vitit 2023 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte referuar 34 çështje për hetime penale në prokurori, pasi verifikimi administrativ kishte nxjerrë në sipërfaqe elementë penalë.  Në shtator të vitit 2024, KPK referoi edhe 19 çështje të tjera për hetime të mëtejshme – duke çuar gati gjysmën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të dorëhequr për ndjekje penale.

Vite më pas, rezultatet e këtyre çështjeve është e vështirë që të gjenden.

Në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme kanë përfunduar shqyrtimin katër çështje në ngarkim të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe gjyqtarëve Fatos Lulo, Shkëlzen Selimi dhe Admir Thanza.

Dedja dhe Lulo u dënuan respektivisht me 6 dhe 9 muaj për deklarim të rremë dhe fshehje pasurie, dënime të cilat u pezulluan. Thanza u dënua gjithashtu me 9 muaj burg për falsifikimin e formularit të deklarimit, ndërsa Selimi u shpall i pafajshëm pas një procesi që zgjati disa vite.

Për shtatë procedime të tjera penale për akuzën e fshehjes së pasurisë, SPAK kërkoi pushimin e hetimeve në gjykatë. Çështjet lidhen me ish-kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dh eish-gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Besnik Imeraj, Edmond Islamaj, Gani Dizdari dhe Tom Ndreca. Gjykata e Posaçme e rrëzoi si të pabazuar kërkesën e SPAK dhe urdhëroi kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore. Pas pesë vitesh, SPAK nuk ka dhënë asnjë njoftim për fatin e mëtejshëm të këtyre çështjeve.

Referimet e tjera janë shpërndarë nëpër prokuroritë e juridiksionit të Përgjithshëm, ku mungojnë gjithashtu rezultatet.

Burime pranë Prokurorisë së Tiranës pohuan për BIRN se janë regjistruar disa kallëzime ndaj subjekteve të rivlerësimit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk bënë me dije të dhëna të detajuara. Prokuroria e Durrësit vazhdon të ketë në shqyrtim pesë raste.

Prokuroria e Elbasanit i tha BIRN se vetëm gjatë periudhës janar-dhjetor 2025 janë regjistruar kallëzime penale për tre ish-prokurorë dhe një ish-gjyqtar. Dy nga këto materiale kallëzuese i janë dërguar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, ndërsa për dy të tjerat është kërkuar pushimi i hetimit në gjykatë.

Rebusi i çështjes ‘Fusha’

Petrit Fusha pati një karrierë të shtrirë në tre dekada si prokuror dhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2019. Prej asaj kohe, Fusha ushtron profesionin e avokatit.

Procesi penal ndaj tij i ngjan një rebusi që zvarritet prej shtatë vitesh.

Fusha u referua nga KPK në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda në maj të vitit 2019 dhe në të njëjtin vit, çështja u transferua për kompetencë në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2020, në Prokurorinë e Durrësit mbërriti nga SPAK një kallëzim i dytë i kryer ndaj Fushës nga një avokat, i cili u bashkua në të njëjtin procedim.

Fusha u mor i pandehur dy vjet më vonë për veprën penale të “deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë”, ndërsa dyshimi për akuzën e pastrimit të parave u nda si dosje më vete.

Dosja e tij kaloi për gjykim në dhjetor të vitit 2023, pasi kishte ndërruar duart e pesë prokurorëve dhe ku afati i hetimeve u shty shtatë herë. Aktualisht, çështja po përfaqësohet në gjykimin në themel nga drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Suela Beluli.

Zvarritja e hetimit u pasua nga nëntë seanca paraprake të zhvilluara gjatë periudhës prill 2024-shkurt 2025. Arsyet e shtyrjes së seancave paraprake lidheshin kryesisht me ndërrimin e prokurorëve dhe kohën që atyre u nevojitej për t’u njohur me dosjen.

Gjykimi në themel i çështjes ndaj Fushës po zhvillohet me procedurën e zakonshme, pasi ai nuk kërkoi gjykim të shkurtuar. Nga prilli i vitit 2025 janë zhvilluar dhjetë seanca gjyqësore, shumica e të cilave gjithashtu janë shtyrë.

Tetë seancat e para janë zhvilluar nga gjyqtari Sokol Mara, por pas transferimit të tij në Gjykatën e Tiranës, çështja i kaloi gjyqtares Emirjana Dimo. Sipas burimeve të gjykatës, tre prej këtyre seancave janë shtyrë pasi gjyqtari Mara ka qenë me raport mjekësor, dy herë ka munguar avokati dhe dy here të tjera për shkak të ndërrimit të prokurorëve.

Nga këto, vetëm dy prej seancave kanë qenë produktive.

Në kërkesën për gjykim, Prokuroria pretendon se për resortin “Mai Tai” ka mospërputhje të mënyrës së krijimit, të investimit fillestar, investimeve të mëtejshme dhe të ardhurave të krijuara prej saj.

Sipas Prokurorisë, mosdeklarimi e ngarkon Fushën me përgjegjësi penale në formën e fshehjes dhe deklarimit të rremë të të ardhurave dhe shpenzimeve. Organi i akuzës konstaton se i pandehuri ka ndërmarrë veprime shoqërisht të rrezikshme për t’i humbur gjurmët e krijimit të pasurisë, apo duke e gëzuar atë me ndërmjetësinë e personave të afërt apo të tretë.

Prokuroria vlerëson gjithashtu se mosdeklarimi ka pasur qëllim të mirëpërcaktuar, pasi pasuritë rrjedhin nga përfitime të paligjshme duke abuzuar me funksionin publik. “Pasi në të kundërt nuk do të kishte sens logjik dhe juridik për t’u fshehur pasuritë që vijnë nga burime të ligjshme e të justifikuara”, citohet në kërkesën për gjykim.

Sipas të dhënave të pasqyruara në gjykatë, Fusha e ka kundërshtuar hetimin e Prokurorisë së Durrësit si të paplotë. Sipas përfaqësuesit të tij ligjor, nuk janë të qarta provat dhe rrethanat ku mbështetet akuza.

Ai kundërshton gjithashtu një akt ekspertimi për vlerën e investimit të resortit, të sjellë në gjykim nga Prokuroria. Por në gjykimin e kryer në seancë paraprake, gjykata ka pranuar si provë një akt ekspertimi të kryer nga e njëjta eksperte për llogari të Fushës.

Ekspertja ka ndryshuar qëndrim në akt-ekspertimin e kryer për llogari të të pandehurit me argumentin se dokumentin për llogari të Prokurorisë e kishte hartuar pa këqyrur objektin. Në ekspertimin e dytë ajo ka konstatuar vlerë të përfaërt me atë të deklaruar nga i pandehuri./BIRN

petrit fusha vetingu magjistratë

Sondazh

Poll

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Fotoja e djalit të porsalindur të Zëvendëspresidentit J.D. Vance publikohet nga Donald Trump

Do mbështesim njëri-tjetrin si miq, deklarata e Jessie J për ndarjen nga Chanan Coleman

Të shtëna me armë zjarri në Elbasan, plagosen tre persona

Mbyllen fjalimet, nis marshimi në rrugët e kryeqyetit: Rama jepe dorëheqjen!

Aktivisti: Nuk jemi nazistë, por jemi shqiptarë të cilët po largohemi çdo ditë

Protestuesi: Kërkojmë largimin e një qeverie dhe një kryeministri të korruptuar

Aktivisti: Më datë 23 të gjithë para Parlamentit, t’u themi se nuk na përfaqësoni

Dita e 51-të e revoltës/ Protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

“Kryeministri bridh, Taulanti vendos”/ Qytetari: Dalim në protestë për skandalet e qeverisë

Labinot Tahiri mban premtimin, do të ndajë 150 euro me djalin e të ndjerit Shpat Kasapi

Zjarr përgjatë autostradës Fier–Vlorë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Yjet që dhuruan spektakël në finalen e kupës së botës

Përplasje mes Bardhit dhe Peleshit: Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh Kuvendin

"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Bie zjarr në zonën e Ujit të Ftohtë, flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta

Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërpritet seanca plenare

Rama: Protestat për mjedisin janë arritje e madhe për shoqërinë

"Dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara"/ Rama: Shteti do të paguajë sigurimet

‘O shoku kryetar! Alooo!’ Peleshi përplaset me Korreshit: S’është festivali folklorik!

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Balla- Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë... flamingot e vërteta e braktisën llumin e kënetës

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj