LIVE UPDATES
Aktualitet

Diaspora e Kosovës/ ANALIZA: Potenciali i pashfrytëzuar për diplomaci

Me një “potencial të jashtëzakonshëm”, diaspora e Kosovës mund të bëhet faktor në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të vendit, por i mungon kauza e unifikuar dhe koordinimi i mirëfilltë, thonë vëzhguesit e veprimtarisë së saj.

12 Prill 2025, 09:32 Nga I.A

Diaspora e Kosovës/ ANALIZA: Potenciali i pashfrytëzuar për

KOSOVË- Diaspora e Kosovës është një aset i fuqishëm, por i pashfrytëzuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, thonë njohësit e kësaj fushe. Dikur forcë lëvizëse e përpjekjeve për pavarësi, sot potenciali i saj mbetet i fragmentuar, sipas tyre.

Me një “potencial të jashtëzakonshëm”, diaspora e Kosovës mund të bëhet faktor në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të vendit, por i mungon kauza e unifikuar dhe koordinimi i mirëfilltë, thonë vëzhguesit e veprimtarisë së saj.

Lirim Krasniqi, analist i politikave në organizatën Germin, thotë se “politikat dhe strategjitë duhet të vijnë nga Kosova” dhe të tillat, sipas tij, mungojnë.

Më konstatimin e tij pajtohet edhe ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Valon Murtezaj, aktualisht ligjërues i Diplomacisë në Shkollën e Menaxhmentit IESEG në Paris.

Sipas tij, Kosova nuk e shfrytëzon siç duhet potencialin e diasporës së saj për të hapur shtigje të reja për diplomaci, në të mirë të vendit.

“Kjo nuk do të thotë se nuk ka veprimtari. Por, veprimtaria e diasporës, e individëve të shquar, e grupeve të ndryshme - qofshin biznesmenë, akademikë, njerëz të kulturës dhe artit - mbetet e fragmentuar dhe e izoluar”, vlerëson Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë, në vitin 2024, për herë të parë u përfshinë edhe kosovarët që jetojnë në diasporë.

Prej tyre, u regjistruan rreth 550 mijë, sipas të dhënave që publikoi Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Por, besohet se numri i personave me prejardhje nga Kosova, që jetojnë në diasporë, është shumë më i lartë, vetëm se ata nuk e kanë shtetësinë kosovare.

Viteve të fundit, diaspora ka luajtur rol në ndarjen e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, përmes votës.

Për zgjedhjet e fundit parlamentare, që u mbajtën më 9 shkurt, u regjistruan afro 105 mijë votues nga diaspora, prej të cilëve votuan rreth 80.000 - disa në përfaqësi diplomatike, të tjerët me postë.

Partitë kryesore politike, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, organizuan disa tubime me kosovarët në diasporë - sidomos në Evropë - duke kërkuar mbështetje për vota.

Profesori Murtezaj thotë se, marrë parasysh potencialin e madh të diasporës, qasja e partive dhe institucioneve të Kosovës ndaj saj është paradoksale, sepse ajo shihet vetëm si burim votash.

“[Votimi] është minimumi që mund ta bëjë individi. Angazhimi dhe bashkëpunimi do të duhej të ishin shumë përtej kësaj, sepse zgjedhjet janë një ditë në katër vjet, ndërsa kontributi potencial i diasporës është 365 ditë apo tërë jetën”, thotë Murtezaj.

Ai vlerëson se shembulli më i mirë i fuqisë së veprimit të diasporës është periudha e viteve ’90.

Asokohe, Kosova gjendej nën regjimin serb të Sllobodan Millosheviqit, aparati shtetëror i të cilit ushtroi dhunë dhe la pa punë shumicën e madhe të kosovarëve.

Gjatë asaj kohe, remitencat nga diaspora ishin ndër burimet kryesore të mbijetesës për shqiptarët e Kosovës, të cilët organizuan institucionet e tyre paralele.

Edhe këto lëvizje politike në atë periudhë financoheshin kryesisht nga diaspora, e cila lobonte për çështjen e Kosovës gjetkë në botë.

Avni Spahiu, ish-ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, e përshkruan si të pazëvendësueshëm rolin e diasporës shqiptare në SHBA për çështjen e Kosovës, gjatë viteve 90.

Ai thekson se diaspora mund ta luajë këtë rol edhe sot, në kohën kur “lobimi në Uashington është në pikën më të ulët”.

Përmes diasporës, ai thotë se Kosova mund të iniciojë riformatimin e “grupit shqiptar të miqësisë”, që aktualisht mungon në Kongresin amerikan, por që dikur përbëhej nga kongresistë si: Eliot Engel, Tom Lantos, Bob Dole e të tjerë.

“Tash, sa mund të bëjë diaspora? Ata janë edhe amerikanë dhe kanë të drejtë të kërkojnë të kontaktojnë me Kongresin, ta bëjnë ‘grupin e miqësisë’. Tash kemi nevojë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se diaspora e Kosovës ka individë me ndikim që mund të ndihmojnë në krijimin e “grupeve të miqësisë” edhe në parlamentet e vendeve të tjera perëndimore.

Gjatë viteve ‘80 dhe ‘90, në vendet perëndimore ekzistonin shumë shoqata, klube dhe organizata të tjera të diasporës së Kosovës, që operonin kryesisht mbi bazën e angazhimit vullnetar.

Krasniqi, nga organizata Germin, thotë se ato ishin pikëtakime jo vetëm për ruajtjen e kontakteve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës, por edhe për organizimin e ndihmave financiare për vendin, si dhe për krijimin e lidhjeve me kanalet politike dhe diplomatike të vendeve ku jetonin.

Sipas tij, shoqata e organizata të tilla ekzistojnë edhe sot, por nuk mund të pritet që të veprojnë siç vepruan në vitet ‘90.

Kauza që i bashkonte në atë kohë, ishte lufta për demokraci dhe pavarësi të Kosovës nga ish-Jugosllavia, veçanërisht nga Serbia, sipas Krasniqit.

“Atëherë, kauza ishte e përbashkët dhe të gjithë vepronin me forca vetanake, duke e ditur mungesën e një shteti që do t’i orientonte dhe organizonte. Sot, nuk mund të pritet një organizim i tillë, sepse sot e kemi një shtet, i kemi institucionet”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, janë institucionet e Kosovës ato që duhet ta orientojnë sot diasporën, për ta shndërruar potencialin e saj në fuqi diplomatike.

Para gati dy javësh, Radio Evropa e Lirë i drejtoi Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës pyetje në lidhje me koordinimin e mundshëm midis institucioneve të Kosovës dhe diasporës, si dhe për kontributin e saj të mundshëm në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, por, nuk mori përgjigje.

Murtezaj, i cili shërbeu si zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës nga marsi i vitit 2016 deri në qershor të vitit 2017, thotë se një nga sfidat që e ka përcjellë dhe vazhdon ta përcjellë këtë ministri, është mungesa e strategjive të veçanta për çdo vend, marrë parasysh kontekstet e ndryshme në shtetet perëndimore dhe të tjera, ku jetojnë kosovarët ose individë me origjinë nga Kosova.

“Nuk vlejnë sjelljet dhe objektivat e njëjta për secilin vend. Qeveria e Kosovës duhet të ketë strategji unike, individuale për secilin kontekst shtetëror apo regjional nëpër botë”, thotë Murtezaj, duke shprehur bindjen se institucioneve të Kosovës u mungon edhe të kuptuarit e rolit të diplomacisë publike.

“Diplomacia publike shkon përtej komunikimeve zyrtare ‘qeveri me qeveri’ apo ‘ambasadë me ambasadë’. Diplomacia publike prek të gjitha shtresat dhe sferat e jetës në një vend përkatës”, thotë Murtezaj.

Sipas tij, ajo duhet të ketë qëllim edhe krijimin e një terreni për realizimin e ambicieve diplomatike mes autoriteteve të dy shteteve, përmes rritjes së vetëdijes, ndërgjegjësimit dhe më pas edhe njohjes ndërkombëtare të një shteti.

Në këtë lloj diplomacie, thotë Murtezaj, duhet të përfshihen individë nga Kosova që paraqesin histori suksesi dhe që ndihmojnë në relaksimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, kulturore, akademike, institucionale, sportive dhe të tjera.

E, Kosova ka mjaft individë dhe grupe të tilla në diasporë, sipas Murtezajt.

“Për t’i nxjerrë përfitimet nga kjo minierë potenciale e kontributit për Kosovën, duhet një strategji ombrellë, e cila pastaj ka mundësi t’i orientojë këto kontribute në synime të caktuara”, thekson ai.

Kosova, aktualisht, nuk ka të angazhuar asnjë kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-ambasadori Spahiu thotë se institucionet e Kosovës po sillen me “komoditet të tepërt” në lidhje me këtë çështje.

Sipas tij, forcimi i imazhit të Kosovës është i domosdoshëm, në kohën kur raportet Kosovë-SHBA janë lëkundur, si pasojë e disa veprimeve të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, të cilat SHBA-ja i ka konsideruar si të pakoordinuara dhe me ndikim jo të mirë te komuniteti serb lokal.

“Mendoj se mund të bëhet më shumë. Të kërkojmë forma të reja organizimi dhe që diaspora të mos jetë e shpërqendruar. Iniciativat duhet të nisin nga diplomacia jonë”, thekson Spahiu.

Për Krasniqin, nga organizata Germin, angazhimi i diasporës në çështjet diplomatike është paksa edhe delikat, sidomos kur bëhet fjalë për kontraktimin e kompanive lobuese ose individëve për këtë çështje.

Ai sqaron se shumë individë nga diaspora janë shtetas të vendeve ku jetojnë dhe thotë se kjo do të krijonte një situatë të ndjeshme nëse ata do të angazhoheshin për një shtet tjetër - në këtë rast Kosovën.

Një ide, Krasniqi thotë se mund të jetë krijimi i një departamenti të institucionalizuar, që do të merrej vazhdimisht me çështjet e diasporës dhe angazhimin e saj diplomatik.

Radio Evropa e Lirë bëri përpjekje t’i kontaktojë disa shoqata të kosovarëve në diasporë, si në Evropë, ashtu edhe në SHBA, për të marrë komentet e tyre për qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj angazhimit të diasporës në çështje diplomatike. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, ato nuk u përgjigjën.

Qytetarët e Kosovës, prej kohësh, pranojnë mbi 1 miliard euro remitenca në vit. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë, po ashtu, se diaspora zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja në Kosovë, të cilat bëhen kryesisht në patundshmëri./REL

lirim krasniqi valon murtezaj

Sondazh

Poll

Rama nga Thethi: Ka një keqkuptim të madh për Paketën e Maleve

Rama nga Thethi: Ka një keqkuptim të madh për Paketën e Maleve

Publikohen pamje brenda Postës në Durrës, ish-shefja e Financës me një thes në dorë merr para

Berisha: Eurodeputeti denoncon Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para

"Një tufë budallenjsh"/ Ministri Gonxhja fyen protestuesit: Hajde rrugë budallait

Korreshi ironizon Manjën për koncertin e Kanye West: Te Luan Zhegu jam ende, ti kërceve upsi-dupsi

"Kemi refuzuar Jennifer Lopez se donte 2 milionë euro garanci"/ Gonxhja: Kërkesa nuk u pranua

“Nuk shiten malet, është mundësi për pronarët dhe emigrantët” Rama: Paketa e Maleve, nuk anulohet

Abuzimi me tenderat e AKSHI-t! Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK

Rama mes protestave: Ata që gjykojnë nga kafeneja nuk e njohin Paketën e Maleve

Rama- protestuesve: Delirantë, injorantë dhe dështakë-zemërakë!

Filmi The Princess Diaries 3 nuk është anuluar, çfarë tha aktorja Anne Hathaway?

Fotoja e djalit të porsalindur të Zëvendëspresidentit J.D. Vance publikohet nga Donald Trump

Do mbështesim njëri-tjetrin si miq, deklarata e Jessie J për ndarjen nga Chanan Coleman

Të shtëna me armë zjarri në Elbasan, plagosen tre persona

Mbyllen fjalimet, nis marshimi në rrugët e kryeqyetit: Rama jepe dorëheqjen!

Aktivisti: Nuk jemi nazistë, por jemi shqiptarë të cilët po largohemi çdo ditë

Protestuesi: Kërkojmë largimin e një qeverie dhe një kryeministri të korruptuar

Aktivisti: Më datë 23 të gjithë para Parlamentit, t’u themi se nuk na përfaqësoni

Dita e 51-të e revoltës/ Protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

“Kryeministri bridh, Taulanti vendos”/ Qytetari: Dalim në protestë për skandalet e qeverisë

Labinot Tahiri mban premtimin, do të ndajë 150 euro me djalin e të ndjerit Shpat Kasapi

Zjarr përgjatë autostradës Fier–Vlorë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Yjet që dhuruan spektakël në finalen e kupës së botës

Përplasje mes Bardhit dhe Peleshit: Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh Kuvendin

"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Bie zjarr në zonën e Ujit të Ftohtë, flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta

Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërpritet seanca plenare

Rama: Protestat për mjedisin janë arritje e madhe për shoqërinë

"Dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara"/ Rama: Shteti do të paguajë sigurimet

‘O shoku kryetar! Alooo!’ Peleshi përplaset me Korreshit: S’është festivali folklorik!

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Balla- Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë... flamingot e vërteta e braktisën llumin e kënetës

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion