4 Korrik 2026, 16:28
Nga E. D
Erjon Llapushi
TIRANË- Erjon Llapushi, i dënuar me 17 vite burg për vrasje e kamarierit Gazment Kurmaku, më 2 tetor 2021, ka reaguar me anë të një deklarate të gjatë publike. Gjatë deklaratës së tij, Llapushi ka kundërshtuar mënyrën se si është cilësuar penalisht ngjarja dhe kërkon që rasti i tij të rivlerësohet mbi bazën e provave dhe standardeve ligjore.
Ai shprehet se nuk e mohon tragjedinë dhe humbjen e jetës së viktimës, por këmbëngul se nuk ka pasur asnjëherë qëllim për të vrarë. Sipas tij, ngjarja ka qenë pasojë e një goditjeje të vetme me grusht, pa përdorim arme, pa planifikim dhe pa konflikt të mëparshëm mes palëve.
Sipas Llapushit, familja e viktimës ka pranuar normalizimin e marrëdhënieve me familjen e tij përmes një akti noterial të firmosur më 22 dhjetor 2021, element që, sipas tij, nuk është vlerësuar siç duhet gjatë procesit gjyqësor. Ai ngre akuza të forta ndaj institucioneve, duke pretenduar se është përndjekur prej vitesh dhe se është ekspozuar padrejtësisht si një nga personat më të kërkuar në Shqipëri.
Llapushi deklaron ndër të tjera se do të kërkojë verifikim institucional për mënyrën se si është trajtuar çështja e tij, duke përfshirë hetimet, procesin gjyqësor dhe vendimet e marra nga organet ligjzbatuese.
Deklaratë publike nga Erjon Llapushi
Unë jam Erjon Llapushi. Sot nuk po flas për t’i ikur përgjegjësisë. Po flas për të kërkuar të vërtetën. Një jetë ka humbur. Këtë nuk e kam mohuar kurrë. Përballë dhimbjes së familjes së të ndjerit, kam qëndruar me kokë ulur. Por një tragjedi nuk duhet të kthehet në një padrejtësi tjetër.
Unë jam dënuar për vrasje me dashje. Për një ngjarje ku ka pasur vetëm një goditje me grusht. Nuk ka pasur armë. Nuk ka pasur thikë. Nuk ka pasur sende të forta. Nuk ka pasur plan. Nuk ka pasur pritë. Nuk ka pasur konflikt të mëparshëm. Nuk ka pasur njohje të mëparshme. Nuk ka pasur qëllim për të vrarë. Unë nuk po them se nuk ka ndodhur tragjedi. Ka ndodhur. Dhe ajo tragjedi do të më rëndojë gjithë jetën. Por unë po them se nuk kam vrarë me dashje. Dashja nuk shpiket. Dashja provohet. Nuk mjafton pasoja e rëndë për ta quajtur një njeri vrasës me dashje.
Duhet të provohet që ai ka dashur pasojën, ose e ka pranuar atë me ndërgjegje. Unë nuk e kam dashur. Nuk e kam kërkuar. Nuk e kam pranuar vdekjen e askujt. Prandaj pyes publikisht: Si mund të quhet vrasje me dashje një goditje e vetme me grusht? Pa armë. Pa plan. Pa konflikt të mëparshëm. Pa qëllim për të vrarë.
Unë nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj drejtësi. Nuk kërkoj favor. Kërkoj të njëjtin standard si çdo qytetar tjetër. Familja e të ndjerit, me gjithë dhimbjen e saj, ka pranuar normalizimin e marrëdhënieve me familjen time. Kjo është bërë me akt noterial.
AKT NOTERIAL 22.12.2021
Në këtë akt deklarohet se marrëdhëniet mes familjeve janë normalizuar. Deklarohet gjithashtu se familja ime ka kërkuar ndjesë për ngjarjen e ndodhur. Kjo nuk e kthen jetën pas. Nuk e fshin dhimbjen. Nuk e zhduk tragjedinë. Por tregon diçka shumë të rëndësishme: Ata që kishin dhimbjen më të madhe pranuan normalizimin. Familja që humbi njeriun e saj gjeti forcën për paqe. Drejtësia, ndërkohë, zgjodhi akuzën më të rëndë.
A u pa ky akt me peshën që meritonte? A u vlerësua qëndrimi i familjes së të ndjerit? Apo u morën vetëm ato që rëndonin mbi mua, dhe u lanë mënjanë ato që tregonin të vërtetën njerëzore të kësaj ngjarjeje? Në Shqipëri ka pasur raste ku edhe me rrethana më të rënda, gjykatat kanë arritur në përfundimin se nuk ka pasur vrasje me dashje. Rasti i Rei Matës është një nga rastet më të njohura publikisht. Aty ka pasur konflikt, goditje të shumta dhe dinamikë më të gjatë. Megjithatë, drejtësia arriti në përfundimin se nuk provohej dashja për vrasje. Atëherë unë pyes: Pse për mua u zgjodh kualifikimi më i rëndë? Pse në një rast shihet pakujdesi, ndërsa në rastin tim shihet dashje?
Kjo nuk është vetëm çështja ime. Kjo është çështje standardi. Sepse ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Kur ligji nuk zbatohet njësoj, nuk kemi më drejtësi. Kemi dy peshore. Kemi dy standarde. Por padrejtësia ndaj meje nuk filloi vetëm në gjykatë. Ajo filloi edhe më herët, kur Policia e Shtetit më vendosi publikisht mes pesë personave më të kërkuar në Shqipëri. Unë pyes sot publikisht: A isha unë rreziku më i madh për këtë vend? A isha unë njeriu që duhej të paraqitesha si armik publik? Në një vend ku qytetarët shohin çdo ditë njerëz me lidhje politike, me mbështetje pushteti, me miq në institucione, me mbrojtje nga deputetë, ministra apo njerëz me ndikim, si ka mundësi që mua më kthyen në tabelë publike?
Si ka mundësi që emra të rëndë, të përfolur për krime, për lidhje kriminale, për pasuri të dyshimta, dhe për ndikim mbi shtetin, shpesh nuk preken, nuk përmenden, nuk ekspozohen, ndërsa mua më nxorën para gjithë Shqipërisë si një nga më të rrezikshmit? Dhe sot, me indinjatë të madhe, deklaroj publikisht se unë kam arsye serioze të besoj se prej vitesh ka ekzistuar një dorë brenda Policisë së Shtetit, një dorë që pretendon se është e fshehtë, por që për mua nuk ka qenë aspak e padukshme në pasojat që ka prodhuar. Për jo më pak se 13 vite, unë kam ndjerë mbi vete një përndjekje të heshtur, një përpjekje të vazhdueshme për të më dëmtuar, për të më goditur, për të më vendosur në shënjestër, për të më dëmtuar imazhin, për të më baltosur publikisht, dhe për të krijuar rreth meje një figurë që nuk përputhet me të vërtetën time. Unë nuk po e them këtë si akuzë të lehtë.
Nuk po e them për të krijuar zhurmë. Po e them sepse heshtja ime është keqpërdorur për shumë vite. Nëse ka një njeri, një grup njerëzish, apo një dorë të fshehur që ka vepruar pas institucioneve, pas uniformës, pas raporteve, pas informacioneve, pas emrit të Policisë së Shtetit, atëherë sot unë i them publikisht: Ndalo, sa nuk je vonë. Ndalo, sepse asnjë uniformë, asnjë zyrë, asnjë lidhje, asnjë hije pushteti, nuk mund të mbulojë pafundësisht një padrejtësi.
Ndalo, sepse unë nuk do të hesht më. Do të kërkoj verifikim. Do të kërkoj akte. Do të kërkoj përgjegjësi. Do të kërkoj të di kush ka vepruar kundër meje, kush ka ndikuar, kush ka ushqyer këtë imazh, kush ka shtyrë këtë goditje, dhe kush ka përfituar nga baltosja ime publike. Nëse kjo dorë mendon se është e fshehtë, gabohen. Sepse pasojat që ka lënë mbi jetën time, mbi familjen time, mbi fëmijët e mi, dhe mbi emrin tim, janë shumë të dukshme. Unë nuk kërkoj hakmarrje. Kërkoj të vërtetën. Por të vërtetën do ta kërkoj deri në fund. Dhe kujtdo që për 13 vite ka menduar se mund të më dëmtojë pa dhënë llogari, i them edhe një herë: Ndalo, sa nuk je vonë. Kjo nuk ishte thjesht procedurë. Kjo ishte goditje publike. Ishte baltosje. Ishte dënim mediatik përpara se të mbaronte drejtësia. Mua nuk më trajtuan si një qytetar që duhej të përballej me ligjin.
Mua më trajtuan si shembull publik. Si kurban. Si njeri që duhej ekspozuar, damkosur dhe dënuar në sytë e opinionit. Përpara meje, ky vend ka pasur dhe ka njerëz shumë më të rrezikshëm për shoqërinë. Njerëz me pushtet real. Njerëz me para të pista. Njerëz me lidhje të forta. Njerëz që nuk i prek askush, sepse kanë mbrojtje, kanë miq, kanë krahë politikë. Por mua, që nuk kisha as armë, as grup kriminal, as strukturë, as pushtet, më vendosën mes pesë më të kërkuarve. Më bënë fytyrë publike të një rreziku që nuk isha. Kjo është një nga plagët më të mëdha të kësaj çështjeje. Sepse kur shteti të vendos në shënjestër publike, media të dënon përpara gjykatës, familja përjeton turp, frikë dhe presion, dhe fëmijët rriten me emrin e babait të baltosur padrejtësisht.
Unë nuk po them se nuk duhej të përballesha me ligjin. Unë po them se nuk duhej të më kthenin në spektakël publik. Nuk duhej të më përdornin për propagandë. Nuk duhej të më paraqisnin si kriminel të rrezikshëm, kur çështja ime lidhej me një ngjarje tragjike, me një goditje të vetme, dhe pa qëllim për të vrarë.
Në Shqipëri, shpesh ai që ka mik të fortin, politikën, ministrin, deputetin, apo njerëz brenda sistemit, nuk preket lehtë. Ndërsa ai që nuk ka mbrojtje, bëhet shembull. Bëhet kurban. Bëhet lajm. Bëhet titull. Bëhet armik publik. Kjo është arsyeja pse unë flas sot. Jo vetëm për vendimin. Jo vetëm për dënimin. Por për mënyrën si u ndërtua imazhi im publik. Për mënyrën si u përdor emri im. Për mënyrën si u godit familja ime. Për mënyrën si u krijua përshtypja se unë isha një nga njerëzit më të rrezikshëm në Shqipëri. Unë nuk isha një kriminel me strukturë. Nuk isha pjesë e ndonjë bande. Nuk isha njeri me pushtet kriminal. Nuk isha kërcënim publik për Shqipërinë. Isha një njeri i përfshirë në një ngjarje tragjike, për të cilën duhej të gjykohesha sipas ligjit, jo të shkatërrohesha publikisht përpara popullit.
Prandaj sot kërkoj që të verifikohet edhe roli i institucioneve në këtë baltosje publike. Kush vendosi që unë të futesha mes pesë më të kërkuarve? Mbi cilat kritere? Me çfarë arsyetimi? Me çfarë rrezikshmërie konkrete? Pse unë? Pse në atë mënyrë? Pse me atë goditje mediatike?
Nëse shteti ka vepruar sipas ligjit, le t’i tregojë aktet. Por nëse emri im është përdorur për të prodhuar propagandë, për të fshehur dështime, ose për të treguar forcë mbi një njeri pa mbrojtje, atëherë kjo kërkon përgjegjësi. Unë nuk do ta pranoj që emri im të përdoret si mbulesë për padrejtësitë e sistemit. Nuk do ta pranoj që familja ime të mbajë mbi shpinë një turp publik që nuk i takon. Nuk do ta pranoj që fëmijët e mi të rriten me një damkë të krijuar padrejtësisht nga institucione që duhet të mbronin ligjin, jo ta përdornin për spektakël.
Çështja ime fillimisht u regjistrua për plagosje. Më pas, pasi çështjen e mori në hetim prokurori Kreshnik Ajazi, akuza mori drejtimin më të rëndë: vrasje me dashje. Nga ai moment, familja ime ka ndjerë një intensitet të pazakontë, një këmbëngulje të pazakontë, dhe një ashpërsi që nuk përputhej me rrethanat reale të ngjarjes. Ne kemi arsye serioze të kërkojmë verifikim institucional, nëse në fazën e Apelit ka pasur ndërhyrje, ndikim apo kërkesa që ndaj meje të kërkohej dënimi maksimal.
Nëse kjo nuk është e vërtetë, institucionet le ta sqarojnë me akte. Por nëse është e vërtetë, atëherë kjo është goditje ndaj drejtësisë. Unë dua të di: A u gjykova nga gjykata, apo u shty procesi im nga njerëz jashtë gjykatës? A u pa çështja ime me qetësi juridike, apo dikush kërkoi me çdo kusht që unë të merrja dënimin më të rëndë? Një tjetër plagë e rëndë për familjen time është përgjimi në banesë. Në atë banesë nuk jetonte vetëm një emër në dosje. Aty jetonte gruaja ime. Aty jetonin katër fëmijët e mi të mitur.
Aty kishte jetë familjare. Kishte fëmijë. Kishte frikë. Kishte net pa gjumë. Kishte lot. Kishte lutje. Dhe në atë banesë janë vendosur pajisje përgjimi. Kur shteti hyri aty, nuk hyri vetëm në jetën time. Hyri në zemër të familjes sime. Hyri në dhomën ku flinin fëmijët e mi. Hyri në jetën e gruas sime. Hyri në sofrën tonë. Hyri në heshtjen tonë. Dhe sot unë pyes: Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë? Aty nuk është prekur vetëm një i pandehur. Aty është prekur një grua me katër fëmijë të mitur. Kush e kontrolloi proporcionalitetin e kësaj mase? Kush garantoi që kjo masë të mos kthehej në abuzim? Sipas konstatimeve të familjes sime, një pajisje përgjimi ishte vendosur në një prizë elektrike dhe krijoi mbinxehje. Në atë banesë jetonin fëmijë. Kjo nuk është gjë e vogël. Kjo nuk mbyllet me një fjali në dosje. Kjo kërkon hetim. Kërkon përgjegjësi. Kërkon llogaridhënie. Unë nuk do ta lë këtë çështje në heshtje. Do të kërkoj çdo akt. Çdo vendim. Çdo autorizim. Çdo zgjatje afati. Çdo procesverbal.
Do të kërkoj çdo dokument që tregon kush e kërkoi përgjimin, kush e lejoi, sa zgjati, pse zgjati, çfarë u përgjua, ku u ruajtën materialet, dhe si u përdorën. Do t’i drejtohem çdo institucioni ligjor, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Jo për hakmarrje. Por për llogaridhënie. Sepse kur shteti hyn në shtëpinë e një familjeje, përgjon një grua dhe fëmijë të mitur, dhe askush nuk jep llogari, nesër kjo mund t’i ndodhë çdo qytetari.
Unë nuk po kërkoj që publiku të më besojë vetëm sepse po flas unë. Po kërkoj që publiku të shohë faktet. Të shohë një goditje të vetme. Të shohë mungesën e armës. Të shohë mungesën e planit. Të shohë mungesën e qëllimit për të vrarë. Të shohë aktin noterial. Të shohë normalizimin mes familjeve. Të shohë se edhe në dhimbje, familja e të ndjerit pranoi paqen njerëzore. Drejtësia nuk dënon sipas dhimbjes publike. Drejtësia dënon sipas ligjit, provave, qëllimit, dhe rrethanave reale. Nëse humbet dallimi mes dashjes dhe pakujdesisë, humbet drejtësia.
Nëse një goditje e vetme pa qëllim për të vrarë trajtohet si vrasje me dashje, nesër çdo qytetar mund të përballet me një akuzë më të rëndë se veprimi që ka kryer. Unë nuk jam duke i ikur drejtësisë. Unë po i kërkoj drejtësisë të jetë drejtësi.
Unë jam Erjon Llapushi. Kam gabuar që u përfshiva në një moment që solli një pasojë tragjike. Për këtë dhimbje do të mbaj peshën time gjithë jetën. Por nuk pranoj të quhem vrasës me dashje, kur nuk kam pasur asnjë qëllim për të vrarë. Nuk pranoj që familja ime të përgjohet dhe të frikësohet pa llogaridhënie. Nuk pranoj që fëmijët e mi të rriten me ndjesinë se babait të tyre iu bë padrejtësi dhe askush nuk foli.
Unë nuk mund ta kthej pas kohën. Nuk mund ta kthej pas jetën që humbi. Por askush nuk ka të drejtë të më marrë edhe të vërtetën. Prandaj nuk do të hesht. Do të flas në çdo institucion. Do të flas në çdo gjykatë. Do të flas në çdo media. Jo për hakmarrje. Por sepse dua që fëmijët e mi, kur të rriten, të mos thonë kurrë: “Babai ynë heshti përballë padrejtësisë.” Unë nuk kërkoj favor. Kërkoj të vërtetën. Kërkoj barazi para ligjit. Kërkoj drejtësi.
Si ndodhi ngjarja?
Llapushi në 2 tetor 2021 rrahu me grushta dhe sende të forta kryekamarierin e lokalit “Fish City” Gazment Kurmaku. Konflikti nisi pasi Kurmaku i tha Llapushit se tavolina ku ishte ulur ishte e rezervuar. Pamjet e kamerave të brendshme të lokalit treguan se si 33-vjeçari Llapushi godet kryekamarierin dhe më pas largohet nga vendngjarja. 50-vjeçari Kurmaku përplasi kokën në shtresë betoni dhe ra në koma. Pas disa ditësh, ai ndërroi jetë. Përveç këtij rasti, "karriera kriminale" e Erjon Llapushit është mjaft e pasur ndër vite.
2007, tentativë për vrasje
Në vitin 2007, Erjon Llapushi ka tentuar të vrasë me armë zjarri Andi Sukollarin. Por nuk është ndalur me aq, pasi pasi ka kryer dënimin, ka dalë nga burgu dhe ka plagosur rëndë Mariglen Topuzin.
2008, plagosje e rëndë me dashje
Një vit më pas, në një lokal në qytetin e Pogradecit, Llapushi ka ka plagosur Mariglen Topuzin, ndërsa qëndronte bashkë me të. Topuzi edhe pse i qëlluar poshtë zemrës, fatmirësisht ka mbijetuar. Ndërsa i riu është dërguar sërish pas hekurave të qelisë.
2019, kanosje për dhënien e pasurisë
Erjon Llapushi në bashkëpunim me Saimir Frahollin, përmes presionit dhe shantazhit mundën të merrnin 17 për qind të aksioneve të një kompanie private për transportin e udhëtarëve në linjat Pogradec-Korçë dhe Pogradec-Tiranë. Më pas, aksionet i shitën tek një person i tretë. Megjithatë të dy u arrestuan nga Policia e Pogradecit, e në vitin 2020 Llapushi ishte në burg. Edhe pse vepra për të cilën ishte prangosur dënohej deri në 8 vite.
2021, arrestohet për trafik njerëzish
Në 29 maj të këtij viti, pra katër muaj para se të kryente krimin në Elbasan, Erjon Llapushi u arrestua sërish pasi po transportonte 24 emigrantë të paligjshëm drejt vendeve të BE-së. Sipas Kodit Penal, një vepër e tillë penale dënohet 3 deri në 7 vite burg, por Llapushi, për arsye që nuk dihen u la i lirë.
Erjon Llapushi, objekt i OFL-së
Në janar të vitit 2020, Erjon Llapushi ishte objekt i Operacionit Forca e Ligjit, por nuk iu sekuestrua asnjë pasuri./Dosja.al
erjon llapushi
Aktualitet
4 Korrik 2026, 16:22
G.M
Foto
KAMËZ- Një zjarr ka përfshirë një varrezë makinash në Kamëz, duke shkaktuar shtëllunga të dendura ty...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 16:14
G.M
Pamje
LEZHË- Policia e Lezhës ka arrestuar në flagrancë 57-vjeçarin Bashkim Alija, i dyshuar si autori i zjarrit të pë...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 15:53
E. D
pamjet
TIRANË- Diaspora ka 'zbarkuar' këtë të shtunë në Tiranë, në mbështetje të protestës për...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 15:59
G.M
Foto ilustruese
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “detyrim paraqitje” për Denada Toda, e cila u ekstradua nga Gj...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 15:16
E. D
Lea Ypi
MBRETËRI E BASHKUAR- Shkrimtarja Lea Ypi ka shpërndarë në rrjetet sociale një letër të një grupi ...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 15:02
E. D
pamjet nga zjarri
MAT- Vatra e zjarrit pranë shtratit të lumit Mat vijon të mbetet ende aktive, duke u përhapur edhe në af&e...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 14:22
G.M
Foto ilustruese
BERAT- Kanabisi në serat në Berat, Gjykata e Posaçme jep dënimet për të pandehurit, që u gjykuan p&eum...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 14:04
G.M
Foto
TIRANË- Niko Qerkja, qytetari i arrestuar gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit, është dërguar në spit...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 13:49
Foto ilustruse
GREQI- Një 58-vjeçar shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur në&n...
Aktualitet
4 Korrik 2026, 13:19
G.M
Foto
TIRANË- Kristian Gjoni është arrestuar nga Policia e Shtetit, ndërsa dy gra janë vënë nën hetim në l...