LIVE UPDATES
Politike

Ditmir Bushati shpërthen ndaj Ramës në "Il Foglio": Të mohosh zemërimin popullor do të thotë të luash me zjarrin

Në artikull, gazetari Nicola Mirenzi trajton atë që e quan “revolta e rrugës”, duke u ndalur tek arsyet që, sipas tij, kanë shtyrë qytetarët të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe të gjithë klasës së vjetër politike.

4 Korrik 2026, 17:18 Nga E. D

Ditmir Bushati shpërthen ndaj Ramës në "Il Foglio":

TIRANË- E përditshmja italiane “Il Foglio”, i ka kushtuar një analizë të plotë situatës në vendin tonë, ku prej më shumë se një muajsh shqiptarët po kërkojnë largimin e Ramës. Gazeta italiane thekson në atikull se protsta që nisi për të mbrojtur flamingot është shndërruar në revoltën më të madhe qytetare kundër qeverisë. 

Il Foglio e përshkruan Shqipërinë si një vend ku zemërimi ndaj korrupsionit, ndërtimeve pa kufi, mungesës së transparencës dhe kapjes së institucioneve ka bashkuar mijëra qytetarë në një lëvizje që shkon përtej ndarjeve politike. Sipas artikullit, “Revolucioni i Flamingove” nuk është më vetëm një betejë për mbrojtjen e natyrës, por simbol i një vendi që kërkon të mbrojë identitetin, të ardhmen dhe demokracinë e tij.

Në artikull, gazetari Nicola Mirenzi trajton atë që e quan “revolta e rrugës”, duke u ndalur tek arsyet që, sipas tij, kanë shtyrë qytetarët të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe të gjithë klasës së vjetër politike. Artikulli vë në duke se për vite me radhë Rama është prezantuar në Perëndim si një figurë moderne, pro-europiane dhe reformuese, por situata aktuale politike dhe protestat në rritje kanë ndryshuar perceptimin ndaj tij.

Në këtë kontekst, Mirenzi i është drejtuar për koment ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, i cili ka theksuar se neglizhimi i pakënaqësisë qytetare mund të ketë pasoja të rënda politike.

"Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes – pra zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët – do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”, është shprehur Bushati për gazetën italiane.

Artikulli i plotë i IL Foglio: 

Faji për alarmin në Shqipëri janë flamingot rozë. Elegantë dhe të bardhë, ata arrijnë të jetojnë në baltë pa u ndotur. Këmbët e gjata, qafa e përkulshme: duken sikur kanë ardhur në tokë nga një ëndërr. Përcjellin një ndjenjë delikatese që të shtyn natyrshëm të duash t’i mbrosh. Edhe për këtë arsye janë bërë simboli i protestës së madhe që, prej më shumë se tridhjetë ditësh, mbush rrugët dhe sheshet e Shqipërisë kundër qeverisë së socialistit Edi Rama.

Protagonistë janë të rinjtë, por në të vërtetë lëvizja është gjithëpërfshirëse. Të gjithë thërrasin në kor: “Shqipëria nuk është në shitje.” Dhe zemërimin e kanë me etjen për ta futur vendin në modernitet duke u lënë dorë të lirë çdo sipërmarrësi të huaj që ka para për të ndërtuar. Një projekt pas tjetrit: fshatra turistikë, hotele luksoze, rrokaqiej. Pak rëndësi ka kujt i shërbejnë, kë dëmtojnë; e rëndësishme është të ndërtohen. Pa u kujdesur për brigjet, bukuritë natyrore, trashëgiminë peizazhistike dhe harmoninë urbane.

Prej vitesh ndodh kështu, denoncojnë protestuesit. Por kur, në fund të majit, puna arriti në zonën e mbrojtur pranë fshatit Zvërnec, afër Vlorës, gjithçka precipitoi. Është vendi ku dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner, bashkëshorti i Ivankës, planifikon të ndërtojë një resort luksoz.

Nuk është e qartë si dhe kur. As çfarë synon të bëjë me flamingot rozë që jetojnë aty. Megjithatë, më 30 maj, në plazh shtrihet tela me gjemba. Autoritetet nuk shpjegojnë se çfarë po ndodh. Shpërthen një protestë. Një manifestues dëbohet nga punonjësit e sigurisë private dhe tërhiqet zvarrë për dhjetëra metra. Videoja përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale. Zemërimi rritet. Që nga dita pasuese, sheshet mbushen me njerëz që duan ta shohin “Edi Ramën në burg.”

Një turmë që e konsideron atë një kriminel. Një njeri që ia ka hedhur Shqipërinë në gojë peshkaqenëve. Njerëz me shumë para, shpesh për t’u pastruar, të mësuar të mendojnë se çdo gjë ka një çmim. Edhe flamingot rozë.

E megjithatë, Edi Rama kishte arritur t’ia hiqte Shqipërisë nga supet imazhin e mallkuar të viteve nëntëdhjetë, viteve të tmerrshme të fundit të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai fitoi zgjedhjet e para në shtator 2013 dhe më pas edhe tre të tjera radhazi. Trembëdhjetë vjet të pandërprerë në pushtet, gjatë të cilave bëri që të harrohej koha kur shqiptarët largoheshin masivisht nga vendi në prag të luftës civile, mbi anije të mbushura me njerëz që kishin jetuar për dekada në një shtet-burg, pa marrëdhënie me botën e jashtme, aq i izoluar sa të besonte se Italia ishte Amerika, Toka e Premtuar.

Me Ramën, Shqipëria është bërë një vend shumë më i dëshirueshëm, një destinacion turistik, një vend ku është e mundur të investosh. Piktor përpara se të hynte në politikë në Partinë Socialiste, Edi Rama ka ekspozuar në Nju Jork dhe Berlin. Ka jetuar në Paris dhe ka shkruar për gazeta prestigjioze si The Guardian, The New York Times, The Independent dhe Frankfurter Allgemeine. Është meritë e tij që në vitin 2027 pritet të përfundojnë negociatat teknike për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, me synimin që vendi të anëtarësohet në vitin 2030.

Është ai që ka ndërtuar marrëdhëniet. Që ka kultivuar kontaktet. Gjithçka mes puthjeve, përqafimeve dhe përkuljeve me Giorgia Melonin, së cilës i lejoi të ndërtojë një qendër riatdhesimi në territorin shqiptar. Një marrëdhënie e veçantë me Emmanuel Macronin, i cili e konsideron “mik”. “Adhurimi” i yllit të progresizmit, Pedro Sánchez. Por ai ka arritur të lërë përshtypje edhe te Ursula von der Leyen. Përveç kësaj, një marrëdhënie e shkëlqyer me ish-kryeministrin hungarez Viktor Orbán. Shenjë se nuk ka barriera ideologjike që ta pengojnë të lëvizë me lehtësi.

Për të mos folur për Angela Merkelin. “Falë Edi Ramës,” – tha kancelarja – “Shqipëria po bën përparime të mëdha.”

Kështu gjendemi përballë alarmit që po dëgjohet në mbarë Shqipërinë disi të befasuar, si viktima të një flluske, me ndjesinë se jemi mashtruar nga një operacion i aftë marketingu politik.

Fatma Paja, një vajzë 28-vjeçare, i thotë Il Foglio-s: “Protestoj që prej 30 majit. Do të vazhdoj derisa Edi Rama të largohet. Nuk më intereson vapë sa bën. Do të bëj gjithçka që është e nevojshme.”

E rritur në një fshat të brendësisë së vendit, Fatma u transferua dhjetë vjet më parë në kryeqytet, Tiranë. Është dizajnere dhe punon me dy motrat e saj. Së bashku me një grup artistësh të tjerë krijoi kartonin me flamingon rozë që shfaqet në çdo protestë dhe që është bërë simboli i asaj që ata e quajnë, në anglisht, “Flamingo Revolution” – Revolucioni i Flamingove.

“Unë nuk jam kundër investimeve të huaja në Shqipëri,” – thotë ajo. “Jam kundër investimeve të huaja të menaxhuara në këtë mënyrë. Pa transparencë, pa rregulla, pa respekt për natyrën, për trashëgiminë tonë, pa marrë parasysh përfitimet ose dëmet që u sjellin atyre që jetojnë këtu. Kujt i shërbejnë gjithë këto resorte luksoze? Shqiptarëve që nuk kanë para të shkelin aty, apo oligarkëve që mund të vijnë këtu dhe të bëjnë çfarë të duan?”

Edhe Bernie Sanders, heroi i vjetër i së majtës amerikane, e ka vlerësuar protestën duke përmendur të pasurit. Po ashtu edhe Ilaria Salis, e cila mbërriti në sheshin e Tiranës të dielën e kaluar.

Por ajo që më habit te Fatma – dhe ia them edhe asaj – është fakti që ajo ka zgjedhur të qëndrojë në Shqipëri, që nuk bën pjesë në atë përqindje të lartë shqiptarësh që çdo vit largohen nga vendi, ku 62 për qind janë nën moshën 35-vjeçare.

Ajo përgjigjet duke e kthyer përmbys pyetjen: “Nuk jemi ne ata që duhet të largohemi. Janë ata që duhet të largohen. Këta politikanë të korruptuar, qofshin të djathtë apo të majtë, janë të gjithë të përfshirë.”

Në shesh nuk thonë vetëm se duan Edi Ramën në burg. Thonë se duan aty edhe Sali Berishën, liderin e opozitës, një figurë me një karrierë të gjatë dhe të debatueshme në Shqipërinë postkomuniste.

Edi Rama fitoi kundër tij pasi, në nëntor të vitit 2012, Berisha pati idenë rrëqethëse të festonte 100-vjetorin e pavarësisë duke urdhëruar një flijim gjigant publik bagëtish. Qengja dhe desh të therur e të ngrënë në çdo cep të vendit.

“E imagjinoni Angela Merkelin dhe François Hollande-in që kërkojnë të vriten mijëra kafshë të pafajshme?” – kishte ironizuar Rama.

Sot, megjithatë, shumë e vendosin në të njëjtin plan me kundërshtarin e tij. I vjetri dhe i riu. Kozmopoliti dhe notabli i vjetër. Politikani që di të komunikojë në rrjetet sociale dhe ai që vazhdon të arsyetojë bardh e zi. Edhe për këtë arsye, Edi Rama reagoi ndaj protestës me bezdi. Fillimisht duke e injoruar, siç bënë edhe shumë media. Më pas duke përmendur ndërhyrje të huaja.

Shqiptarët, sipas tij, ishin bërë “mish për top” i një fushate botërore kundër Donald Trumpit. Pastaj tha se ishin viktima të një hakmarrjeje nga Irani, pasi qeveria shqiptare kishte strehuar një grup politik kundër ajatollahëve. Më pas erdhi edhe pista greke: Greqia që, sipas tij, po nxiste revoltën për t’i marrë turistët Shqipërisë.

Kur Financial Times e intervistoi, Rama iu përgjigj protestuesve me fjalë të rënda: “Njerëzit thonë se unë jam kreu i gjithë kësaj. Unë u përgjigjem: ‘Shkoni në djall’. Është e thjeshtë. Nuk më takon mua të provoj se nuk jam Kumbari; u takon atyre të provojnë se jam.”

Deklarata që ish-ministri i Jashtëm i dy qeverive të para Rama, Ditmir Bushati, i komentoi për Il Foglio me shqetësim: “Duhet një reflektim serioz dhe një veprim konkret politik. Të mohosh realitetin, të tallesh me protestuesit, të polemizosh për numrin e tyre, të ndjekësh teori konspirative duke injoruar thelbin e çështjes – pra zemërimin popullor që ka pushtuar rrugët – do të thotë të luash me zjarrin. Shqipëria meriton më shumë”.

THE ALBANIAN FILES

I pafajshëm derisa të provohet e kundërta, Edi Rama ndodhet sot përballë bankës së të akuzuarve të opinionit publik europian. Kështu shkruan në një letër drejtuar La Repubblica Lajdi Sulaj, arkitekt dhe pedagog universitar që punon mes Milanos dhe Zyrihut, me origjinë shqiptare: “Besoj se prova kryesore që Edi Rama është një Kumbari (Padrino) është “një libër i sapo promovua nga qeveria, The Albanian Files: një katalog me 523 projekte të firmosura nga 60 arkitektë yje të huaj, që fotografon delirimin estetik të një ‘kryeministri mbret’ që vendos gjithçka i vetëm”.

Sulaj i tregon gazetës Il Foglio habinë e tij teksa shfletonte këtë libër me projekte të jashtëzakonshme dhe nuk gjeti brenda as emrin e një arkitekti shqiptar. “Është akti më i madh i mosbesimit ndaj arkitekturës së vendit tonë.”

Lajdi Sulaj shpjegon se Shqipëria është goditur nga një ethe ndërtimi, si pasojë e një ligji për investimet strategjike të miratuar në vitin 2015. Ligji përcakton disa sektorë kyç për rritjen e vendit dhe favorizon investimet e huaja që shkojnë në atë drejtim, duke garantuar procedura të lehtësuara, zero vlerësime të ndikimit në mjedis, ulje të kontrolleve, koncesione të lehta, edhe në zona të mbrojtura, ndërsa gjithçka centralizohet nga një komision që vendos sipas dëshirës.

Nëse në fillim mund të kishte pasur kuptim për të lëvizur ujërat dhe për të tërhequr kapital të huaj, pas kaq shumë vitesh funksioni i tij është transformuar plotësisht. Deri në pikën që, sipas Sulajt, “Shqipëria po kopjon më të keqen e Italisë së viteve Gjashtëdhjetë dhe Shtatëdhjetë”.

Por, ndryshe nga Italia e atyre viteve, ku kishte investime të mëdha publike në infrastrukturë, “në Shqipëri investimet janë të gjitha private dhe nuk ndjekin asnjë plan, nuk kanë asnjë qëllim kombëtar; është një spekulim i egër që nuk favorizon cilësinë e jetës së shqiptarëve”.

Cili është, në fakt, efekti konkret i investimeve luksoze në pasuri të paluajtshme? “Që rrisin çmimin e pasurive të paluajtshme, por ulin sistematikisht numrin e shqiptarëve që mund të blejnë një shtëpi për të jetuar.”

Bashkimi Europian kërkon që ligji për investimet strategjike të shfuqizohet. Përndryshe, negociatat teknike për anëtarësimin në BE do të mbeten të bllokuara. Kjo tregon se në Bruksel janë plotësisht të vetëdijshëm për problemet shqiptare. Dhe, nga ky këndvështrim, nuk ka shumë gjëra të reja: spekulimi, korrupsioni, prania e krimit të organizuar në ekonomi, pastrimi i parave të pista. Por edhe inflacioni, humbja e fuqisë blerëse të shtresës së mesme, mungesa e shërbimeve publike, veçanërisht një situatë katastrofike në shëndetësi dhe transport.

Ajo që i ka zënë në befasi zyrtarët europianë është se, këtë herë, një pjesë e shoqërisë shqiptare ka zgjedhur veprimin në vend të dorëzimit. Në vend që të largoheshin, shqiptarët kanë dalë në shesh dhe kanë vendosur të luftojnë.

Dhe, sipas politologut Blendi Kajsiu, kjo lidhet edhe me efektin e ngadaltë, por të pandalshëm, të një njësie speciale hetimore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e krijuar dhjetë vjet më parë. E ngritur nën presionin europian dhe amerikan, kjo njësi ka hyrë në funksion të plotë gjatë pesë viteve të fundit. Rezultati: një seri skandalesh që, pak nga pak, kanë minuar imazhin publik të sistemit politik.

“Kjo nuk është një revoltë kundër elitave – thotë Kajsiu për Il Foglio – është një protestë kundër klasës politike në tërësi.”

Skandali më i madh ka mbërritur shumë pranë Edi Ramës. Ai ka përfshirë zëvendëskryeministren e tij, Belinda Balluku, e akuzuar se ka manipuluar tenderë publikë me vlerë 200 milionë euro.

Deri në atë moment, Rama e kishte lënë njësinë të punonte pa e penguar. Më pas u vu kundër saj, e sfidoi, duke hyrë në një përplasje të drejtpërdrejtë me prokurorët.

Kur, në nëntor të vitit 2025, Gjykata e Posaçme urdhëroi pezullimin e zëvendëskryeministres nga funksionet publike, Rama e mbrojti me çdo kusht, duke e kundërshtuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Ai u tërhoq vetëm nën presionin e protestave në rrugë, duke e larguar nga qeveria dhe duke e zëvendësuar.

“Besoj se ai ishte një moment vendimtar për përgatitjen e protestës që sot është përhapur në të gjithë vendin.”

Tani Edi Rama është seriozisht i shqetësuar për të ardhmen e tij politike. Edhe pse këshilltarët e tij besojnë se ai ka ende një kartë për të luajtur: verën.

Vapa, me shumë gjasa, do t’i zbusë protestat. Dhe ai do të ketë mundësinë të marrë masa korrigjuese, të tregojë se e ka kuptuar mesazhin dhe të marrë vendime që do të ulin ndjeshëm arsyet për t’u rikthyer në sheshe në shtator.

Sigurisht, është e vështirë të imagjinohet se karizma e tij mund të ringjallet, apo se ai mund të dalë nga kjo situatë më i fortë se më parë.

Përshtypja është se në ndërgjegjen shqiptare ka lëvizur diçka shumë e thellë. Një ndjenjë që shkon përtej interesave të veçanta të njërit apo tjetrit. Një ndjenjë e një vendi në rrezik, do të kishte thënë Simone Weil. E cila, duke folur për dashurinë ndaj atdheut, thoshte se kur e duam atdheun, nuk duam madhështinë e tij, forcën e tij apo pushtetin e tij. Jo. Dashuria për atdheun është, mbi të gjitha, dashuri për brishtësinë e vendit tënd. Dashuri për atë që ekziston sot dhe që nesër mund të mos ekzistojë më.

Dashuri për atë që nuk duam të shkatërrohet, të shpërfytyrohet, të rrënohet, të përdhoset, të poshtërohet, të përçmohet apo të fshihet. Ndoshta pikërisht për këtë arsye flamingot rozë janë bërë një simbol kaq i përkryer i protestës. Qenie kaq të mrekullueshme dhe njëkohësisht kaq të pambrojtura, sa mishërojnë një atdhe të tërë.

ditmir bushati edi rama protestat ne shqiperi il foglio

Sondazh

Poll

Protestuesit para kryeministrisë urojnë 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës

Protestuesit para kryeministrisë urojnë 250-vjetorin e Pavarësisë së Amerikës

Qytetarët mblidhen këtë të shtunë në Tiranë në kuadër të protestës kombëtare

Pamjet me dron/ Tiranë e mbushur nga diaspora, mijëra kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

"Flamingot" derdhen në Bulevard! 35 ditë revoltë qytetare për largimin e Edi Ramës

“Det” protestuesish para Kryeministrisë, qytetarët dalin masivisht në shesh për largimin e Edi Ramës

Protestuesit sjellin arkëmort para kryeministrisë: Arkivoli politik i Edi Ramës

Protestuesit i ndezin qirinjtë kryeministrit për ditëlindjen: Rama jepe dorëheqjen

“Edhe 100 vite…në burg”- ‘Urimi’ i protestuesve për ditëlindjen e kryeministrit Rama!

Pamje mbresëlënëse nga protesta/ Bulevardi gumëzhin nga protestuesit

Tirana “vishet” kuq e zi/ Protestuesit nisin marshimin nga sheshi “Skënderbej”

"O Rama çfarë po hanë fëmijët e tu"? E reja shpërthen në lot para kryeministrisë

Me makina e flamuj kuq e zi, diaspora shkon tek Komisariati Nr.3, thirrje në kor: Lironi çunat

Berisha: Kryekërkesa e protestës është dhe kërkesa kryesore e PD

Protesta/ Berisha: Sot është dita e kombit shqiptar. Rama ka falangat e policisë

Berisha: Kërkoj lirimin e menjëhershëm të protestuesve

Berisha: PPE mbështeti plotësisht protestën rinore qytetare për shkak të kauzës të saj të drejtë

Zjarret

Protestuesit kundër qeverisë dhe klasës politike: Rama në burg, Berisha në burg

Mijëra qytetarë "pushtojnë" rrugët drejt Komisariatit nr. 3, protestuesit në kor: Lironi çunat

"Flamingot" derdhen në Bulevard! 34-t ditë revoltë qytetare për largimin e Edi Ramës

“Protestoj për një Shqipëri të lirë”/ Vogëlushja thirrje kryeministrit: Liroi çunat

Sot protesta e 34-t radhazi, qytetarët të vendosur për largimin e Edi Ramës

34 ditë revoltë qytetare, emigrantja thirrje Berishës: Sali mos i fut spiunat me përça tubimin

Dita e 34 e protestës për largimin e Ramës, qytetarët një zëri: Shqipëria kërkon Revolucion

Dalin pamjet nga arrestimi i ‘bosit’ të call center-ave, Granit Pepnika teksa fshihej në Dhërmi

Stuhi shiu e breshëri në Elbasan, dëme në bujqësi dhe probleme në qarkullim

"140 nëpunës të administratës kanë hyrë në një program të IA"/ Rama: Do të shtrihet edhe...

Rama: Shqipëria po punon për modelin e parë të IA për prokurimet publike

Rama: Sistemi për herë të parë në Shqipëri, po lufton me korrupsionin

Rama tregon rastin e të moshuarës: Njerëzit nuk dalin në protestë vetëm për halle...

Rama për protestat: Janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët

Aksion i IKMT në Jalë, shembet beach bar-i i ndërtuar pa leje

Dita e 33-të e protestës, protestuesi: U bëj thirrje pensionistëve të vijnë në protestë

Reagon protestuesi që u shoqërua në komisariat: Prangat na bënë ta duam më shumë lirinë

"Policia të mos ushtrojë dhunë"/ Ish-oficeri Ahmeti thirrje Hitës: Mbroje popullin tënd me ligj

Aktivisti nga kryeministria: Ata që janë sot në qeli do zëvendësohen me ministrat e qeverisë Rama

Gazetari lexon deklaratën në emër të protestuesve: Agresionit do i përgjigjemi me rezistencë

Protesta e 33-të, protestuesit para kryeministrisë: Edi Rama, o tradhtar, liro çunat sa më parë

Protesta para Parlamentit/ Aktivistja: Policët provokuan dhunë dhe ishte tërësisht joprofesionale

Urbani po kalonte në zonën ku ata po protestonin, protestuesit gjuajnë me vezë autobusin e Tufinës

Aktivisti: Taulant Balla është një bandit, i ka bërë thirrje policisë të ushtrojë dhunë

Protestuesja i gjen deputetët brenda qendrës tregtare: Idiot je vetë, palaço! I fshiheni popullit

Përshkallëzohet situata, protestuesit thyejnë xhamat e makinave të policisë

Përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, nisin arrestimet masive

Momenti kur një protestues godet me gur në kokë efektivin e policisë

Tensione te Kuvendi, protestuesit pengojnë largimin e Peleshit dhe qëllojnë me vezë automjetin e tij

Vijojnë tensionet, protestuesit heqin pjesë të gardhit metalik te Ministria e Brendshme

Adriatik Lapaj i bashkohet revoltës, protestuesit i kërkojnë të largohet

Tensione para parlamentit/ Protestuesit qëllojnë me miell e vezë makinën e Niko Peleshit

Protesta para Parlamentit/ Lëndohen tre efektivë, tre protestues shoqërohen me ambulancë