LIVE UPDATES
Aktualitet

‘Piratët” e Spanjës/ Trafik droge me vëllanë e ish-prokurorit, drejtësia bën një sy qorr ndaj pastrimit të parave në ndërtim

Pashuk Gjini u takua me Sulejman Shkallën në aeroportin “El Altet” pranë Torreviejas më 20 qershor 2006 për të thurur planin e trafikimit të një sasie të madhe heroine, që pritej të mbërrinte dy ditë më vonë nga Holanda.

21 Korrik 2022, 19:17 Nga k.m.
‘Piratët” e Spanjës/ Trafik droge me vëllanë e
Foto ilustruese

Plazhet me rërë të bardhë dhe liqenet e kripura piktoreske e bëjnë qytetin spanjoll të Torreviejas buzë detit Mesdhe një destinacion turistik popullor. Por një dekadë e gjysmë më parë, dy shtetas shqiptarë nuk ndodheshin atje për pushime.

Pashuk Gjini u takua me Sulejman Shkallën në aeroportin “El Altet” pranë Torreviejas më 20 qershor 2006 për të thurur planin e trafikimit të një sasie të madhe heroine, që pritej të mbërrinte dy ditë më vonë nga Holanda. Shkalla ishte 46 vjeç, jetonte në Spanjë nën emrin Andres dhe mbahej nën përgjim nga skuadra kundër krimit të organizuar, Greco Levante, si i dyshuar për importin e heroinës që furnizonte asokohe plazhet e provincave Alicante dhe Murcia.

Mysafiri i tij shqiptar ishte identifikuar gjithashtu përmes telefonit përpara se të prekte tokën spanjolle; ai njihej si Carlos Alberto ose Bucanero –një nofkë që simbolizon piratët famëkeqë të shekullit 17-18 në detin e Karaibeve. Ngarkesa e heroinës mbërriti siç ishte planifikuar pasditen e 22 qershorit, e ndarë në 100 pako dhe e fshehur në gomat e një kamioni. “Esta muy mal,” u përgjua të ankohej për cilësinë e keqe njëri prej distributorëve.

Pavarësisht cilësisë, droga premtonte një qarkullim prej 1.9 milionë eurosh në treg. Por organizatorët e trafikut morën në këmbim prangat. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pavarësisht të shkuarës kriminale dhe dënimit për trafik droge në Spanjë, Pashuk Gjini jetoi si njeri i lirë në Shqipëri dhe bëri sukses në biznesin e ndërtimit, i maskuar me një identitet të ri.

Ortaku i tij i dikurshëm ruajti gjithashtu lidhje me vendlindjen dhe kontribuoi në pasurinë e vëllait të tij, Petrit Fusha– njërit prej ish-prokurorëve më të pushtetshëm të vendit. Si Gjini ashtu edhe Shkalla janë subjekte të ligjit “Antimafia”, por pasuritë e tyre vazhdojnë të mbeten të pacenuara në një vend që aspiron se po lufton krimin e organizuar dhe asetet kriminale përmes strukturave të posaçme. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK tha në përgjigje të kërkesave për të drejtë informimi se nuk kishte regjistruar procedime penale apo hetime pasurore ndaj asnjërit prej subjekteve, me përjashtim të një kallëzimi të Partisë Demokratike në adresë të njërës prej kompanive të Gjinit. E pyetur nga BIRN për përgjegjësitë e prokurorëve në moszbatimin e ligjit “Antimafia”, SPAK tha përmes një zëdhënëseje se “nuk ka ndonjë koment për të bërë”. Avokati i Gjinit, Luan Hasneziri refuzoi gjithashtu të komentonte mbi akuzat.

Ndërsa ish-kreu i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se vëllai i tij ishte larguar nga Shqipëria 24 vite më parë dhe se nuk ishte në dijeni të “aktivitetit të tij gjatë këtyre 24 viteve”.

“Në çdo rast përgjegjësia është personale,” tha Fusha.

Para, influencë dhe informacion

Trajektorja e Pashuk Gjinit nga biznesi i drogës në atë të ndërtimit nuk është një rast unik. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, DPPP, sektori i ndërtimi është veçanërisht i ekspozuar nga fluksi i parave kriminale që depërtojnë në ekonominë e varfër të vendit.

“Pastrimi i parave nëpërmjet pasurive të paluajtshme mbetet një instrument ende dominues në Shqipëri, krahasuar me format e tjera për pastrimin e produkteve të veprës penale,” tha DPPP në një përgjigje me shkrim.

Pastrimi i parave në ndërtim shkon pas në dekada që prej kohës kur krimi i organizuar nisi të gjeneronte fitimet e veta në Shqipëri. Por sipas Arjan Dyrmishit, ekspert i sigurisë nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, format dhe përmasat janë shumëfishuar.

“Në vitet ’90, pastrimi i parave quhej investim,” kujton Dyrmishi, ndërsa shton se sot krimi i organizuar ka “më shumë para, më shumë influencë dhe informacion”.

“Kështu i janë drejtuar sektorëve që janë më fitimprurës, si ndërtimet në zona me çmime më të larta dhe ndërtimet më strategjike në zonat bregdetare,” shtoi ai. Kryeqyteti shqiptar mban rekordin e çmimeve, ndërsa kullat e larta prej xhami dhe betoni u kanë zënë vendin ndërtesave të vjetra në qendrën historike. Sipas databazës globale “Numbeo”, Tirana e vitit 2022 është në nivele të ngjashme me Londrën dhe Romën sa i përket raportit mes çmimit të pronave dhe të ardhurave.

Në vitin 2021, sipërfaqja e banesave të ndërtimit të miratuara në Tiranë arriti nivelin më të lartë historik që nga viti 2005. Sektori njohu gjithashtu një rekord kompanish të reja ndërtimi, ndërkohë që sipërmarrje të tjera biznesi po mbylleshin për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia.

Ornela Liperi, kryeredaktore e revistët ekonomike “Monitor” thotë se në Tiranë po ndërtohet shumë përtej kërkesës dhe mundësive të ekonomisë së ligjshme.

“Shumë firma ndërtimi të fjetura u riaktivizuan sërish pas viteve 2017-2018 dhe të tjera u ngritën nga hiçi,” tha Liperi.

“Rreth 40% e flukseve të ndërtimit nuk justifikohet nga burimet formale,” shtoi ajo, ndërsa ngre dyshime se ky marzh mund të jetë “pastrim parash”.

Edhe Eduart Gjokutaj, ekspert financiar nga organizata ALTEX, e sheh sektorin e ndërtimit si një nga “lavatriçet” kryesore të parave informale. Depërtimi i këtyre parave kriminale në ekonominë e varfër të vendit ndjek sipas Gjokutajt skemat tradicionale.

“Blerja e një emri tregtar është hapi fillestar për të mundësuar strukturën legale për pastrimin e parave,” thotë Gjokutaj, ndërsa shton se projektet e shtrenjta ndërtimore përballohet më pas nga “paratë që janë futur në biznes”.

Një kategori e dytë zgjedh që të përdorë persona të tretë.

“Mund të mos zotërojnë pasuri apo para në emër të tyre, por ata jetojnë në luks falë përdorimit të individëve që i kanë përzgjedhur të bëjnë ‘lojën’ e bizneseve të ligjshme,” shton ai.

Pasditen e 22 qershor 2006, policia spanjolle i rrethoi anëtarët e grupit në një punishte mekanike në qytetin e Torreviejas dhe i gjeti ata duke çmontuar gomën e një kamioni. Pamja ishte e qartë për agjentët: një pjesë e drogës ndodhej ende në njërën prej gomave, ndërsa pjesa tjetër ishte vendosur në një çantë aty pranë.

Sulejman Shkalla u arrestua në vend me duart e lyera me graso, ndërsa Gjini pak kohë më vonë në një shtëpi të vëzhguar në plazhin Torre La Matta, e njohur si fjetina periferike e Torreviejas. Sipas vendimit të Gjykatës së Provincës së Alicantes, që BIRN e disponon, organizatorët kryesorë të trafikimit të 50 kilogramëve heroinë ishin Carlos Alberto – i identifikuar më pas si Pashuk Gjini nga jashtë Spanjës dhe Andres alias Sulejman Shkalla nga brenda vendit.

Grupi kishte gjithashtu edhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë; një shqiptar i tretë i identifikuar si Inigo dhe i njohur me nofkën “Kambalja”, dy shtetas holandezë nga qyteti i Roterdamit dhe tre rezidentë spanjollë.

Në përballjen e gjatë me drejtësinë spanjolle, Pashuk Gjini i mohoi akuzat dhe shfrytëzoi mungesën e një përkthyesi për ta zhvlerësuar procesin. Mbrojtja e tij pretendoi gjithashtu se ai kishte shkuar në Spanjë për të blerë një shtëpi – por në tre ditët e qëndrimit nuk kishte parë ndonjë të tillë. Për drejtësinë spanjolle, nuk ka dyshim se Gjini ishte “arkitekti” i operacionit kriminal dhe kreu i asaj që mund të kuptohet si organizatë dhe ekip,” thuhet në vendim.

“Ai udhëtoi në Spanjë për t’u siguruar për suksesin e operacionit,”-thuhet në vendim.

Pretendimet e Shkallës për pafajësi u hodhën gjithashtu poshtë nga gjykata, me argumentin se provat që e implikonin atë ishin të drejtpërdrejta dhe rrethanore. Ndonëse u pretendua se ai ishte një tregtar makinash me qira, hetuesit thanë se termi “makinë” në bisedat telefonike përdorej si referencë për 1 kg heroinë.

“Policia e dinte që në fillim se Andres përdorte makina të shumta me qira dhe karta të ndryshme celulari. Po ashtu, ai dërgon shuma të mëdha në Shqipëri, 15,000 ose 20,000 euroshe,”-thuhet në vendim.

Në shkurt të vitit 2010, Gjini, Shkalla dhe Inigo u dënuan me nga 12 vjet burg, ndërsa anëtarët e tjerë të grupit me nga 10 vjet. Çështja shkoi në Gjykatë të Lartë në vitin 2011 dhe dënimi u reduktua në 8 vjet e 9 muaj burg. Por Gjini nuk qëndroi në Spanjë për të vuajtur dënimin.

Perandoria e paprekur e biznesit 

Në horizontin kaotik të pallateve shumëkatëshe në Tiranë, Pashuk Gjini ka një kontribut të dukshëm.

Në vitin 2014, ai themeloi kompaninë e tij të parë, Alesio 2014 me emrin e ndryshuar Anton Gjinaj dhe u përfshi fillimisht në prodhimin e betonit. Më pas, ai e zgjeroi biznesin drejt projekteve të kushtueshme të komplekseve të banimit si dhe në prodhimin e gipsit, alabastrës dhe minierave.

Në vitin 2020, Gjini numëronte gjashtë kompani biznesi, mes së cilave edhe “Foralb Alabaster” në ortakëri me Ministrinë e Ekonomisë. “Garden Rezidencë Turdiu” – një tjetër kompani e tij po ndërton ndërkohë një kompleks masiv prej 90 mijë metrash katrorë apartamente dhe 60 mijë metra katrorë ambientesh tregtare në hyrje të Tiranës.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Garden Rezidencë Turdiu” u themelua nga konglomerati “Kastrati” në shkurt të vitit 2019 me administratore Klaudia Gjinin –vajza e Pashuk Gjinit. Në shtator 2020, “Alesio 2014” e bleu atë për një çmim prej 1 milion eurosh. Alesio 2014 është gjithashtu një bashkëpunëtore e kompanive të mëdha të ndërtimit si dhe një kontraktore e institucioneve publike.

Kompania fitoi fillimisht tendera për ndërtime shkollash apo rrugësh nga bashkitë e vogla të vendit, por në vitin 2020, Gjini i hodhi sytë nga programi i madh i Rindërtimit të qeverisë “Rama” për kurimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i një viti më parë. Sipas Agjencisë së Prokurimeve Publike, Alesio 2014 fitoi si pjesë e konsorciumeve pesë kontrata me vlerë 1.5 miliardë lekë nga programi i Rindërtimit – përfshirë edhe një projekt të kontestuar për ndërtimin e një blloku pallatesh në rrugën “5 Maji” në Tiranë.

Në prill të vitit 2021, e shkuara kriminale i bëri një vizitë të papritur Pashuk Gjinit, sapo ky i fundit kaloi kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Një njoftim i policisë malazeze demaskoi jetën e tij të fshehtë dhe zbuloi se bosi i ndërtimeve në Shqipëri i ishte shmangur një dënimi prej 8 vitesh e 9 muajsh burg për trafik droge në Spanjë.

I ekstraduar drejt Spanjës nga drejtësia malazeze, Gjini u rikthye brenda një viti për të vuajtur dënimin në Shqipëri, pasi Gjykata e Tiranës i njohu atij të njëjtën masë prej 8.9 vitesh burg të dhënë nga drejtësia spanjolle. Sipas vendimit, dënimi konsiderohet i shlyer më 24 qershor të vitit 2025.

Ndonëse në burg, Gjini vazhdon t’i kontrollojë kompanitë e tij të biznesit përmes të afërmve të tij.

Petrit Fusha pati një karrierë të shtrirë në tre dekada si prokuror dhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2019. Ai drejton sot studion ligjore “Fusha & Partners” me aktivitet avokatinë dhe konsulencën, por edhe hotelerinë, turizmin dhe administrimin e pronave të familjes.

Lidhja e gjakut mes prokurorit jetëgjatë dhe vëllait të tij të dënuar për trafik droge, Sulejman Shkalla doli në sipërfaqe gjatë vitit 2019, ndërsa Fusha po i nënshtrohej procesit të vetingut. Përmes një raporti të 21 shkurtit 2019, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK,  informoi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se Fusha kishte fshehur dënimin e vëllait të tij për trafikim narkotikësh në Spanjë.

Hetimi në KPK e kishte klasifikuar gjithashtu vëllanë e subjektit ‘person të lidhur’ – një atribut që u dedikohet personave me transaksione apo kontribut financiar në pasurinë e zyrtarëve të drejtësisë. Sipas raportit të DSIK, vëllai i Fushës kishte autorizuar dhurim pronash në favor të tij përmes një prokurore të posaçme të firmosur në dhjetor 2016 në Valencia.

“Mosdeklarimi nga ana e subjektit të rivlerësimit për përfshirjen në veprimtari të krimit të organizuar të personit të lidhur… e ngarkon subjektin Petrit Fusha me përgjegjësinë e fshehjes së fakteve dhe plotësimit të pasaktë dhe me vërtetësi të Deklaratës së Kontrollit të Figurës,” thuhet në raportin e DSIK.

“Në këndvështrimin e përgjithshëm të kontrollit të pastërtisë së figurës, Fusha është një individ që mund të vihet nën presion nga strukturat kriminale…,” shtohet në raport.

Pas dorëheqjes së Fushës dhe ndërprerjes së procesit të vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se e kishte referuar atë për hetime penale në Prokurori. Por fati i këtij kallëzimi mbetet i paqartë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit refuzoi të vinte në dispozicion të BIRN një kopje të relacionit për Fushën, me argumentin se çështja ishte “në juridiksionin e një organi të posaçëm hetimi”.

Ky pretendim nuk mbështetet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, e cila i tha BIRN se në regjistrat e saj nuk kishte të regjistruar ndonjë çështje penale ndaj ish-prokurorit Petrit Fusha apo procedim pasuror ndaj vëllait të tij, Sulejman Shkalla.

Një kallëzim i dytë i mbërritur në adresë të Fushës dhe subjekteve të tjera në vitin 2020 u transferua nga SPAK në Prokurorinë e Durrësit.

“Pasi është vlerësuar se veprat penale për të cilat është bërë kallëzimi dhe vetë subjekti Petrit Fusha nuk janë kompetencë hetimi e Prokurorisë së Posaçme, kallëzimi është dërguar për kompetencë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës,” shtoi SPAK.

Petrit Fusha mohoi të kishte përfituar ekonomikisht nga vëllai i tij apo që të kishte ndikuar që ai t’i shmangej hetimeve.

“I vetmi kontribut që vëllai im ka patur në pasurinë time është akti i dhurimit prej tij i ¼ së pronës së përbashkët, të trashëguar nga babai ynë,” tha Fusha, ndërsa shtoi se bëhej fjalë për shtëpinë e vjetër të prindërve dhe një tokë arë në zonën e Farkës.

“Siç e shpjegova më lart, nuk kam qenë në dijeni të aktivitetit të vëllait tim, ndaj nuk e kam ditur që ai mund të jetë subjekt i ligjit Antimafia,” përfundoi ai./BIRN

pastrim parash

Sondazh

Poll

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi