“Ky ishte vetëm një paralajmërin”/ Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë: Opozitë e shitur
18 ...
Aktualitet
RAPORTI/ Binomi Rama – AADF në vëmendje të UNESCO-s
Raporti i WHW shqyrton vlerat e jashtëzakonshme universale në 75 pasuri të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, qysh nga Stonehenge në Britani të Madhe, Akropoli në Greqi, qendra historike e Vjenës, e deri tek ato në ishujt Galapagos, Lumin Amazon, në ishujt Hawai, etj.
19 Qershor 2026, 17:22Nga E. D
Organizata World Heritage Watch (WHW) botoi më 11 qershor 2026 Raportin Vjetor për gjendjen dhe ruajtjen e mbrojtjen e Vlerave të Jashtëzakonshme Universale (VJU) në disa nga pasuritë më të rëndësishme të globit. Botimi përkon edhe me protestat e gjera qytetare në Shqipëri, ku thelbi është edhe ruajtja e konservimi i zonave të mbrojtura në vend.
Raporti i WHW shqyrton vlerat e jashtëzakonshme universale në 75 pasuri të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, qysh nga Stonehenge në Britani të Madhe, Akropoli në Greqi, qendra historike e Vjenës, e deri tek ato në ishujt Galapagos, Lumin Amazon, në ishujt Hawai, etj. Qysh në Hyrje botuesit kritikojnë “humbjen tronditëse të trashëgimisë botërore dhe kulturore botërore për shkak të projekteve monstruoze të infrastrukturës dhe rritjes pa cak të turizmit…”. Mirëpo për herë të parë vëmendjen e WHH-së e ka tërhequr edhe Shqipëria. Jo pak, por tri Vise të Trashëgimisë Botërorë analizohen në Raportin Vjetor për 2026, dhe gjegjësisht Amfiteatri i Durrësit (si pasuri kandidate), Liqeni i Ohrit dhe Butrinti.
Edhe pse të tri analizat e Viseve shqiptare në Listën UNESCO përqendrohen në rreziqet e tyre të veçme, prapëseprapë ato përcjellin dy bashkëpërkime të rëndësishme me qasje veçanërisht kritike.
Së pari, të tri artikujt për Shqipërinë godasin “vizionin” në thelb cenues të Kryeministrit Edi Rama ndaj Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Butrintit, Durrësit dhe Ohrit. Së dyti, analizat thyejnë mitin e “përsosmërisë dhe “bamirësisë” të AADF-së në projektetet e saj gjegjësisht në Butrint, Pogradec e Durrës, mit që deri tash është kuruar dhe nxitur me kujdes dhe propagandë zamadhe nga dy bashkëdrejtuesit ekzekutivë të saj, zz. Martin Mata e Aleksandër Carapuli.
Amfiteatri i Durrësit Probematikat serioze të lidhura me Amfiteatrin e Durrësit janë analizuar me kompetencë e mprehtësi në Raport nga arkitektja Entela Koja. Pasi përcjell fillimisht VJU-të e Amfiteatrit të Durrësit bashkë me indin rrethues e tij urban të shtresëzuar përgjatë shekujsh, Koja kritikon pa dorashka projektin TID/BID, model kanadezo-amerikan i nxitur, i imponuar dhe propaganduar fuqishëm nga AADF-ja. Ky model menaxhimi, thekson Koja “nuk përputhet me parimet ndërkombëtare të mbrojtjes së viseve arkeologjike dhe të peizazhit historik qytetës”. Madje autorja haptazi e cilëson projektin TID/BID si “kërcënim”. Koja godet me profesionalizmin e një eksperteje të mirëfilltë konceptet e propaganduara me të madhe nga AADF-ja të “rijetëzimit”, apo të “rigjenerimit të udhëhequr nga trashëgimia”. Koja argumenton se në rast se projekti TID/BID do të realizohet, kjo do ta bëjë të pamundur ruajtjen apo procesin e ardhshëm të kandidimit të Amfiteatrit të Durrësit në Listën UNESCO.
Në fund Koja bën thirrje për mobilizim vendas dhe ndërkombëtar në mbrojtje të Amfiteatrit, për pezullimin e menjëhershëm të projektit, ndërmarrjen e një vlerësimi të plotë arkeologjik, përfundimin e hulumtimeve arkeologjike para ndërhyrjes urbane, vlerësimin ndërkombëtar të impaktit në trashëgimi dhe përmbysjen e modelit BID të menaxhimit.
Qendra e Vizitorëve në Butrint Raporti i WHW përcjell për herë të parë edhe një analizë të thelluar të projektit të shumëpërfolur të Qendrës së Vizitorëve. Në krye autori Jack Chekrezi, anëtar i ICOMOS-it në SHBA, i hyn thelbit të marrëveshjes së qeverisë Rama me AADF-në, sipas së cilës AADF-ja do t’I “dhuronte” Shqipërisë një Qendër Vizitorësh në Butrint në vlerë 6 milion dollarë, mirëpo në këmbim do të merrte në zotërim të gjithë parkun arkeologjik të Butrintit, me monumentet dhe hapësirat përreth, me vlerë të paçmuar e të shumëfishtë krahasuar me 6 milionët. E thënë ndryshe, AADF-ja do të jepte gishtin, por do të merrte krahun. Në një poshtëshënim autori vëren se vetë AAEF-ja (Albanian American Enterprise Fund) ose organizmi mëmë i AADF-së, rezultonte nga ana e organeve tatimore amerikane me status të revokuar si OJF.
Autori mandej analizon projektin e Qendrës së Vizitorëve të firmës arkitektonike Kengo Kuma në Japoni, duke e quajtur atë hiperbolikisht si një “Qendër Vizitorësh e përshtatshme për planetin Mars”. Në analizë theksohet vlerësimi i pakushtëzuar i Kryeministrit Rama për projektin e Kengo Kumës, të cilësuar si “Qendra e Vizitorëve më e mira në botë”.
Mirëpo, thekson autori, UNESCO-ja orienton se një projekt i tillë, ku Qendra e Vizitorëve parashikohet të ngrihet brenda Butrintit, “duhet t’u nënshtrohet karakteristikave të vetë peizazhit të tij”. Për më tepër, “peizazhi natyror i pacenuar dhe lidhja hapësinore me monumentet përbëjnë një aspekt thelbësor të VJU-së” së Butrintit. Projekti i Qendrës së Vizitorëve parasheh dy ndërtesa, një rreth 1 km larg (Porta e Malit), dhe tjetri në hyrjen e tashme në Butrint (Porta Arkeologjike). Me konstrukt druri dhe të propaganduara sikur kinse mbështeten në traditën ndërtuese vendase, të dy “portat” nuk janë tjetër veçse dy konstrukte mbikalimesh, i pari mbi xhadé, dhe I dyti përmbi murin rrethues ekzistues të Butrintit. Projekti për Portën Arkeologjike ka hasur qysh tash në pengesa të pakapërcyeshme, pasi në këmbën apo bazamentin e saj brenda mureve janë konstatuar gjetje të rëndësishme arkeologjike.
Autori analizon edhe Vlerësimin e Impaktit në Trashëgimi (VIT) të Qendrës së Vizitorëve, të hartuar nga dy arkitekte boshnjake, dhe ia merr me të madhe analizës dhe konkluzioneve të tyre, duke i kritikuar ashpër ato. Autori ve në dukje se dy arkitektet pranojnë vetë se as nuk e kishin vizituar Butrintin gjatë kryerjes së projektit të tyre.
Në fund, autori hedh poshtë konkluzionet e arkitekteve boshnjake se kinse projekti I propozuar i Qendrës së Vizitorëve nuk kërcënon VJU-në e monumenteve të Butrintit nga këndvështrimi i vlerësimit të riskut pamor.
Përkundrazi, autori konkludon se projekti i Qendrës së Vizitorëve cenon VJU-në e Butrintit. Rrjedhimisht, para UNESCO-s dhe qeverisë shqiptare mbeten dy rrugë: • Qeveria ta anullojë projektin ose ta zhvendosë QV-në në hyrje të Parkut Kombëtar, pranë Ksamilit, ose • UNESCO-ja ta inskriptojë Butrintin në Listën e Pasurive të Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Liqeni i Ohrit Binomi AADF – Qeveri merr një tjetër goditje të tërthortë në pjesën në Raport që lidhet me Liqenin e Ohrit. Dihet se AADF-ja ka qenë nxitëse, financuese dhe pjesërisht zbatuese e projektit famëkeq të Parkut Ujor Drilon – Tushemisht. Dihet po ashtu se UNESCO-ja e ka kundërshtuar rreptë këtë projekt të AADF-së në Liqenin e Ohrit. Madje Parku Ujor Drilon-Tushemisht ishte njëra nga pikat kryesore kritike të Vendimit për Liqenin e Ohrit të sesionit të fundit të Komitetit të Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s, ku për pak Liqeni i Ohrit u përfshi në Listën e Pasurive në Rrezik.
Shkrimi për Liqenin e Ohrit ka si autor Stop Kullave Pogradec, një grup aktivistësh të trashëgimisë natyrore. Autorët këtu ngrejnë alarmin për objektin “Pogradec Marina”, një kompleks ndërtimi mamuth prej 27 katesh, i projektuar për t’u ngritur në bregun e Liqenit, në një zone shumë të brishtë, pjesë e VJU-së të Liqenit të Ohrit, dhe i lidhur me shoqërinë Arlis shpk.
Autorët deklarojnë se se shkalla, lartësia dhe intensiteti i zhvillmit të propozuar janë të papajtueshme në thelb me ekosistemin e brishtë liqenor si dhe me karakterin e qenësishëm të vendit.
Autorët deklarojnë më tej se “një strukturë e kësaj madhësie rrezikon të shkaktojë impakt të pakthyeshëm ndaj …vlerave të prekshme dhe të paprekshme të trashëgimisë së Liqenit të Ohrit, si dhe do të ndryshojë së tepërmi peizazhin poetik e njerëzor që ka përcaktuar prej kohe identitetin e Pogradecit.”
Autorët shtojnë se kanë nisur një peticion dhe u janë drejtuar me letër institucioneve vendore dhe qeveritare. Madje ata i janë drejtuar edhe kryeministrit të Shqipërisë, duke i kërkuar rishikimin urgjent të projektit,si dhe përgjegjësi më të madhe institucionale për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, si Pasuri e Trashëgimisë Botërore. Në fund autorët nxjerrin në pah se projekti është në faza të avancuara të procesit të miratimit, çka risjell në vëmendje projektin famëkeq të Zvërnecit, ku plani i zhvillimit është miratuar para vlerësimit të ndikimit në mjedis. Edhe projekti ndërtimor në Pogradec provon ekzistencën e një farë vije politike a metodologjie të qeverisë sa i takon raportit zona të mbrojtura / zhvillim, ku përparësi I jepet ndërtimeve apo “zhvillimit”, dhe jo mbrojtjes e konservimit për brezat e ardhshëm.
Të tri pasuritë shqiptare të trashëgimisë botërore UNESCO të paraqitura për here të parë në raportin e World Heritage Watch 2026 sot përballen me plane dhe veprime sistematike, që në fund të fundit cenojne vlerat e jashtëzakomnshme universale të Butrintit, Liqenit të Ohrit dhe të Amfiteatrit të Durrësit.
Raporti i World Heritage Watch u është shpërndarë të gjitha Shteteve Palë, përfshirë edhe qeverisë shqiptare. Raporti i është përcjellë edhe Komitetit të Trashëgimisë Botërore (KTB) dhe Qendrës në Paris, dhe do të shqyrtohet edhe në Sesionin e ardhshëm të KTB-së në Korenë e Jugut. Deri tash nuk dihet reagimi i Tiranës zyrtare ndaj kritikave të argumentuara në Raportin e World Heritage Watch./ Ma Shqip