Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Vizita e të dërguarve të SHBA-së Gabriel Escobar dhe BE-së Miroslav Lajçak ka nisur në Kosovë. • Lajçak dhe Escobar janë takuar pasditen e sotme me Presidenten Vjosa Osmani. • Ndërkohë që takimi mes Albin Kurtit dhe dy të dërguarve nuk do të mbahet ditën e sotme. Ende nuk dihen arsyet e anulimit të vizitës. • Pas takimit me Osmanin, Escobar dhe Lajçak janë mbrëmjen e sotme me krerët e partive opozitare në Kosovë. Në takim morën pjesë Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku si dhe Ramush Haradinaj. Ditën e nesërme dy të dërguarit për dialogun Prishtinë-Beograd, do të shkojnë në Serbi për të vazhduar takimet e krerët serb. • Këto takime vijnë disa ditë pas nisjes së dialogut Kosovë-Serbi nga ana e Kurtit dhe Vuçiç. • Javët e fundit situata mes dy vendeve ka qenë në tensione të mëdha, për shkak të mospranimit nga ana e Serbisë për vendosjen e reciprocitetit të targave.
7 artikuj për këtë temë.
KOSOVË- I dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga SHBA, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak kanë nisur takimet me liderët opozitarë në Kosovë.
Escobar në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, po zhvillon takimet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Escobar dhe Lajçak takuan edhe presidenten Vjosa Osmani, ndërkohë që takimi me Kurtin u anulua.
PRISHTINË- Ka përfunduar takimi mes të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në dalje të takimit që zgjati rreth 2 orë, Escobar nuk ka pranuar që të flasë për mediat që ndodheshin jashtë selisë së presidencës.
Ndërkohë diplomati i lartë amerikan gjatë mbrëmjes së sotme do të zhvillojë takime dhe me liderët e opozitës.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiç, në Bruksel.
SHBA- Ndërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara përgatiten për një raund tjetër diplomacie për të shmangur tensione të mëtejshme mes Kosovës dhe Serbisë, dy njohës amerikanë të marrëdhënieve të vështira mes dy vendeve, bien dakord se megjithë përplasjet për targat dhe dokumentat e identifikimit, problemi kryesor është mosnjohja e Kosovës nga Serbia. Por ish-i dërguari i posaçëm për bisedimet për statusin, Frank Wisner dhe ish-analisti i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, David Kanin kanë qëndrime të ndryshme për rolin e Perëndimit dhe ndikimin që mund të ushtrojë. Në intervista për Zërin e Amerikës ata thonë se nuk besojnë që ekziston rreziku për dhunë në përmasa të mëdha në rajon, por se situata gjeopolitike e bën gjendjen më të brishtë.
Bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç javën e kaluar nuk dhanë rezultat dhe kanë mbetur vetëm pak ditë deri në 1 shtator kur pritet të hyjnë në fuqi masat e Prishtinës për reciprocitet për targat dhe dokumentet e identifikimit. Ish-i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet për statusin mes Kosovës dhe Serbisë, Frank Wisner thotë “nga përvoja ime personale në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, një raund bisedimesh nuk zgjidh kurrë asgjë. Duhet të kesh raunde të mëtejshme”.
Zoti Wisner thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se çështja e reciprocitetit për dokumentat e identifikimit dhe targat duhet të zgjidhet në mënyrë që palët të përqendrohen tek normalizimi i marrëdhënieve.
Por për ish-analistin e lartë të CIA-s për Ballkanin dhe Evropën David Kanin… “ka vetëm një problem mes Serbisë dhe Kosovës, ai i statusit të Kosovës”.
Sot profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, ai i thotë Zërit të Amerikës se përpjekjet perëndimore dhe amerikane për të zgjidhur përfundimisht këtë problem, kanë dështuar.
“Çështja e targave është thjesht pjesë e këtij problemi dhe duhet pasur parasysh se ky është konteksti i krizës aktuale”, thotë zoti Kanin.
Ambasadori Wisner thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shprehur qartë që nuk pajtohen me qëndrimin e Serbisë për çështjen e targave dhe dokumentave të identifikimit.
“Por ne në të vërtetë kërkojmë shumë më tepër se kaq: ne kërkojmë një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet një Kosove të pavarur dhe Serbisë. Ky qëndrim është i palëkundur nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së”, tha zoti Wisner.
Ai thotë se kjo nuk do të jetë e lehtë.
“Unë nuk parashikoj që njohja të vijë nesër, por është objektivi përfundimtar, është ajo që duan Shtetet e Bashkuara. Por aty mund të arrish vetëm hap pas hapi”, vlerëson zoti Wisner.
Ai thotë se angazhimi i të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe vizita e tij këtë javë në dy vendet, është një sinjal i fuqishëm nga ana e Uashingtonit se është plotësisht në krah të BE-së për një zgjidhje paqësore.
“Ky qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vjen në kohën e duhur, është i fuqishëm dhe efektiv dhe nënkupton përkushtimin e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara", thotë më tej ai.
Uashingtoni thotë se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë, por sipas prof. Kanin, qëndrimi amerikan është bërë statik.
“Administratat nga të dyja partitë, nuk kanë arritur të kenë sukses me njohjet e mëtejshme të Kosovës, nuk kanë arritur të sigurojnë njohjen nga pesë anëtarët e BE-së, që nuk e kanë njohur atë”, vlerëson profesori Kanin.
Ai thotë se në kushtet aktuale Bashkimi Evropian mund të bëjë përpjekje për marrëveshje për çështje teknike dhe të thotë se po ecet në drejtimin e duhur.
“Por ato do të ishin vetëm fasadë. Çështja është statusi i Kosovës. Unë nuk besoj se Perëndimi është në një pozicion ta shtyjë procesin përpara”, shton më tej ai.
Profesori Kanin u referohet përpjekjeve sipas tij të pasuksesshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës për ta konsoliduar pozitën e saj ndërkombëtarisht, por edhe marrëveshjes së vitit 2013 që ai e konsideron të pafavorshme për Kosovën, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe. Ai thotë se për këtë arsye Serbia është në një pozitë më të favorshme.
Por për ambasadorin Wisner, Serbia ka mjaft për të humbur, nëse këmbëngul në qëndrimin e mosnjohjes.
“Besoj se është Serbia ajo që do të paguajë një çmim afatgjatë, duke vazhduar të jetë e paarsyeshme për një çështje që është e vendosur, e përcaktuar në shkallë ndërkombëtare, dhe partnerët kryesorë të Serbisë në Perëndim, e mbështesin atë (pavarësinë e Kosovës). Kështu që shpresoj që të vijë një ditë që Beogradi ta pranojë realitetin”, thotë zoti Wisner.
BE-ja dhe NATO-ja kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër dhunës në rajon. Zoti Kanin nuk beson se ka rrezikshmëri për dhunë në shkallë të gjerë, por potenciali mbetet.
“Por në një moment të caktuar një nga këto kriza mund të sjellë dhunë, sepse përsëri, statusi i Kosovës mbetet një çështje e hapur dhe një plagë e hapur në sigurinë evropiane”, thotë ai.
Ambasadori Wisner thotë se udhëheqësit ballkanikë në përgjithësi nuk duan të shohin një kthim tek dhuna.
“Ata mund të bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar avantazhe politike, por e kam vështirë ta imagjinoj që të ketë një rikthim tek krizat e fundit të viteve 1990”.
Rëndësia e ruajtjes së sigurisë në rajon, duke pasur parasysh tensionet e fundit, u nënvizua kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë.
Ambasadori Wisner thotë se angazhimi i NATO-s është shumë i rëndësishëm.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht NATO-n, janë pjesë e saj, pjesë e forcës së NATO-s në Kosovë. Vënia e theksit tek fakti se NATO-ja nuk do të qëndrojë duarkryq kur Serbia kërcënon sigurinë e Kosovës për këtë çështje, është pikërisht qëndrimi i duhur. Kjo tregon, edhe pa u thënë shprehimisht, përkushtimin e plotë të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të qetësimit dhe të një zgjidhjeje të situatës”, thotë zoti Wisner.
Ai thotë se e sheh deklaratën e presidentit Vucic se nëse NATO nuk i mbron serbët e veriut të Kosovës, Serbia do ta bëjë një gjë të tillë, thjesht si një deklaratë bombastike politike.
“Nuk mund ta imagjinoj që qeveria e Serbisë të mendojë të shkojë në luftë për dokumentet e identitetit, dhe targat dhe të sfidojë fuqinë e plotë të përkushtimit të NATO-s ndaj Kosovës”, vlerëson zoti Wisner.
Edhe Prof. Kanin thotë se deklarata e zotit Vuçiç është një qëndrim për konsum të brendshëm dhe se në fakt ai mbështetet tek KFOR-i që të mos lejojë ndonjë veprim kundër serbëve.
Ai e konsideron vizitën e Ministrit të brendshëm serb Aleksandar Vulin dhe komentet e tij në Moskë, si vazhdimësi e qëndrimit të dyzuar të Serbisë ndaj Rusisë dhe Perëndimit.
Ai thotë se Presidenti serb është komod të ulet në dy karrige.
“Ka pasur disa raste kur Vuçiç anon nga Perëndimi. Në situata të caktuar anon nga rusët. Vuçiç ankohet gjithmonë se është një situatë të vështirë, gjithmonë ankohet për kërcënimet nga ky apo ai, se Serbia është e kërcënuar nga të gjitha anët. Ai i thotë të gjitha këto dhe e mban këtë qëndrim të dyzuar me shumë zotësi për konsum politik të brendshëm. Sipas mendimit tim, në fakt pozicioni i Serbisë është mjaft konstant, mjaft jokomod, por ai nuk është i kërcënuar nga asnjëra anë”, vlerëson profesori Kanin.
Por me gjithë rolin e BE-së dhe SHBA-së, megjithë përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në përpjekje për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë, ekspertët thonë se në fund të fundit, janë vetë Kosova dhe Serbia që do të vendosin për të ardhmen e tyre. Zoti Kanin thotë se qëndrimet e palëve mund të ndryshojnë për mirë ose për keq.
“Ato mund t'i çojnë gjërat përpara, ose mund t'i kthejnë prapa, por duhet të vijnë nga brenda rajonit. Perëndimi i ka ezauruar të gjitha mundësitë. Perëndimi ka bërë të njëjtën gjë në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë kohës”.
Ambasadori Wisner thotë se palët duhet të mendojnë për të ardhmen.
“U takon dy qeverive në Beograd dhe Prishtinë të gjejnë mënyra për të bërë hapa përpara që do të sillnin mirëkuptim në rajon dhe që do të lejonin zgjidhje praktike për problemet praktike, për t'i dhënë kohës një shans që të sjellë ndryshim në çështjen e përgjithshme të njohjes.”
Megjithëse rajoni i Ballkanit nuk është fushëbetejë kryesore në luftën që po kërcënon sigurinë evropiane, angazhimi diplomatik perëndimor për shmangien e tensioneve të mëtejshme, nënvizon përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin në një front tjetër në kontinent.
Marrë nga VOA
KOSOVË- I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, filloi të martën në Prishtinë takimet me udhëheqësit e Kosovës, në kuadër të vizitës së tij të përbashkët me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Zoti Escobar u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë mbrëmjes pritet të takohet me udhëheqësit e partive politike në opozitë ndërsa të mërkurën është paraparë që të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
Dy të dërguarit pas Prishtinës do të qëndrojnë edhe në Beograd në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.
Vizita pason takimin e javës së kaluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ku nuk u shënua ndonjë përparim por me pajtimin që të vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën në një bisedë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është serioze për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të shkaktuar siç tha ai nga "lëvizjet e njëanshme të Prishtinës", njoftoi zyra e presidentit serb.
Sipas njoftimit, presidenti serb i tha ambasadorit Hill se është e rëndësishme që Prishtina t'i përmbahet marrëveshjes që forcat e posaçme të Kosovës të mund të lëvizin në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët
Bisedimet në Bruksel që filluan 11 vjet më parë, synojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Një studim i publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës bën thirrje që Kosova dhe Serbia të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila si rrjedhojë do të zgjidhte të gjitha çështjet teknike.
“Deri tani kemi parë që dialogu mbi çështjet teknike nuk ka sjellur rezultatet e pritura prandaj është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të diskutojnë lidhur me marrëveshjen finale. Në këtë aspekt ka një vullnet politik nga ana e palës së Kosovës që të diskutohen elementet e marrëveshjes finale por si duket ka hezitim nga pala serbe që dialogu të shkoj drejt marrëveshjes finale, kjo mund të jetë edhe për arsye që kërkesë si SHBA-ve dhe BE-së është që marrëveshja finale të ketë në qendër njohjen reciproke e prandaj kemi një hezitim nga pala serbe që të diskutohet për këtë marrëveshje”, tha Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Sipas raportit të Institutit Demokratik, qeveria e Kosovës duhet të shtyjë përpara edhe idenë për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, në mënyrë që të shmangen paqartësitë dhe dezinformatat sikurse në rastin e reciprocitetit me dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve.
“Po shihet që tani edhe më e nevojshme që për vendimet e fundit të qeverisë që prekin këtë komunitet të ketë më shumë komunikim dhe më shumë informim nga ana e qeverisë së Kosovës sepse pastaj ky vakumi që po ekziston mes këtij komuniteti dhe shtetit të Kosovës po mbushet me informacione të pasakta nga pala serbe po rritet ndikimi i Serbisë tek ky komunitet”, tha zonja Haxholli.
Raporti me titull “Dialogu Kosovë-Serbi, një hap para, tre mbrapa” thekson se mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara drejt marrëveshjes përfundimtare, do të vazhdojë të reflektojë në terren, duke mbajtur një situatë të paqëndrueshme që prodhon herë pas here tensione.
Marrë nga VOA
PRISHTINË- Ka nisur në presidencë takimi mes diplomatit të lartë amerikan, Gabriel Escobar dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave ishte momenti pikant kur Escobar pas takimit me presidenten e Kosovës në hyrje të selisë së presidences "harron" se duhet të bëjë fotografinë e rastit me Osmanin. Ishte kjo e fundit që ia kujtoi dhe momenti u kalua me të qeshura.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiç, në Bruksel.
PRISHTINË- Ka nisur takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Takimi po mbahet në presidencë dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura.
Në ditën e parë të qëndrimit në Kosovë, Escobar, pritet të takojnë edhe liderët e partive opozitare. Ndërkohë më herët u njoftua se nuk do të kishte një takim me kryeministrin Kurtin ditën e sotme.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut vjen pas dështimit të arritjes së ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e 18 gushtit që pati kryeministri Kurti me presidentin serb Vuçiç, në Bruksel.
KOSOVË- Ditën e sotme janë mbledhur përballë Stacionit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore një grup qytetarësh serbë. Mediat në Kosovë raportojnë se nuk dihet ende arsyeja pse ndodhen serbët pranë godinës së Policisë. Policia e Kosovës nuk ka dhënë ende detaje për këtë grumbullim qytetarësh.
Në fund të muajit korrik pati tensione në veri të vendit pas vendimit të qeverisë së Albin Kurtit se më 1 gusht do të zbatoheshin dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, për targat dhe atij për dokumente në kufi me Serbinë. Më 31 korrik, serbët në Kosovë vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të vendimit të qeverisë për targat dhe dokumentet serbe.
Qeveria e Kosovës u tërhoq pas nisjeve të tensioneve dhe njoftoi se vendimet do të hyjnë në fuqi më 1 shtator.