Opozita kërkon Ramën në Kuvend/ Zvërneci bëhet temë dite në seancën plenare, Berisha: Rama u vuri protestuesve topat e ujit. Balla: Projekti do bëhet
Resorti në Zvërnec, Zhupa: S’ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm 4 Qershor, 1...
Resorti në Zvërnec, Zhupa: S’ka turizëm të qëndrueshëm me beton të qëndrueshëm 4 Qershor, 1...
FOTO/ Ja kush është polici që u vra në krye të detyrës në Maliq 4 Qershor, 09:06 Vrasja e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
• Seanca e sotme plenare ka nisur me 1 minutë heshtje për 2 fëmijët e mitur, të cilët humbën jetën tragjikisht ditën e djeshme nga aksidenti në Durrës. • Lidhur me këtë ngjarje, deputeti i PS Erion Braçe ka kërkuar ashpërsim të Kodit Rrugor dhe atij Penal për ta konsideruar si vrasje me dashje vdekjen e dy të miturve. • Edhe Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, paralajmëroi rishikim të Kodi Penal i Shqipërisë, pas aksidentit tragjik në Durrës, duke theksuar se ndëshkimet aktuale nuk janë të mjaftueshme për raste të tilla të rënda. • Ai theksoi se përgjigja institucionale duhet të jetë e menjëhershme, sapo të krijohen mundësitë për ndryshime ligjore, ndërsa i bëri thirrje Policisë së Shtetit për një analizë më të thelluar të rasteve të shkeljeve në qarkullim. • Nga ana tjetër, Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, akuzoi mazhorancën socialiste se, pasi kanë vjedhur kërkojnë që të flasin për hallet e popullit. • Berisha preku edhe çështje të vizitës së Peleshit që u kritikua nga emigrantët sipas tij, për çmimin e lartë të naftës, falimentimin e fermerëve dhe të tjera. • Sipas tij, shumica e deputetëve socialistë në Kuvend janë bërë si Balluku, kurse Rama është bërë famzi në botë dhe Evropë. • Duke vijuar akuzat ndaj kreut të qeverisë, ai deklaroi se Edi Rama është damkosur tashmë në Evropë dhe në botë, ndërsa shtoi se gjatë takimeve jashtë vendit nuk gjeti një njeri që nuk e kishte kuptuar se çfarë përfaqëson ai. • Po ashtu, Kryedemokrati u shpreh kategorik kundër kandidaturës së Genta Bungo për Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
11 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Deputeti i PD-së Luçiano Boçi gjatë seancës së sotme foli për aksidentin tragjik të Durrësit ku humbën jetë dy fëmijë të mitur. Gjatë fjalës së tij, Boçi theksoi se “të fortëve të lagjes” që shkaktojnë këto aksidente, socialistët u kishin dhënë “karta bianka”. Demokrati tha se vetë mazhoranca, këta “të fortë” i ka sjellë edhe në Parlament dhe i ka bërë drejtues bashkish apo pozicione të tjera, deri te patronazhistë për të vjedhur votat.
Boçi vijoi akuzat ndaj socialistëve, duke thënë se këta të fortë kontrollojnë shpërndarjen e drogës në shkolla, kontrollojnë inspektorët e Policisë dhe kanë mbrojtje politike.
“Ju deputetë të mazhorancës sigurisht që ndjeni dhimbje për humbjen e atyre dy fëmijëve, atyre dy engjëjve në Durrës. Por nuk pajtohem me retorikën cinike tuajën në lidhje me gabimin e parë të Kodit Penal për ata që shkaktojnë aksidente dhe e dyta si gabim, më cinikja, ku të fortët e lagjes thoni të mos kenë patentë. Çfarë patente, ju i keni dhënë “karta bianka” atyre patentë politike, të fortët e lagjes i keni patronazhistë, për rrëmbimin e votës së qytetarëve.
Këta të fortët e lagjes që i njihni mirë me emër e mbiemër që menaxhojnë shpërndarjen e drogave në shkollat e lagjeve, i keni në rrugë, i keni në bashki këta të fortë të lagjes, i bëtë drejtues të pushtetit vendor, i bëtë kryetar bashkish, i bëtë deputetë këtu, se i kemi parë, i dimë. Këta të fortë të lagjes mund të kenë patentë dhe duhet të kenë, por nuk duhet të kenë “karta biankë” politike. Ata kontrollojnë edhe inspektorët e Policisë në lagje.
Nuk dua të përsëris se cilat janë shkaqet kryesore të aksidenteve, por prapa të cilëve kanë qenë gjithmonë të fortët e lagjeve që bëjnë parakalime, bëjnë gangsterin, hyjnë kundratabelë, të gjithë jemi dëshmitarë në rrugët e Shqipërisë se kush i kryen këto akte. Ndaj ju lutem shumë në këtë atmosferë zie, e dhimbjeje, na e kurseni cinizmin. A duhet të reflektojmë? Po, patjetër, por në radhë të parë ata që duhet të reflektojnë jeni ju. Ka dhe problematika të tjera për të cilat isha përgatitur, por patjetër dhimbja prevalon, kjo ngjarje prevalon”, tha Boçi./Dosja.al
TIRANË- Kryetari i PD-së Sali Berisha duke folur për gazetarët jashtë sallës së parlamentit, ka akuzuar drejtuesin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi se është një militant socialist dhe sipas tij, vendimin e fundit Gjykata e Lartë e ka marrë për Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn.
Duke vijuar akuzat ndaj kreut të qeverisë, ai deklaroi se Edi Rama është damkosur tashmë në Evropë dhe në botë, ndërsa shtoi se gjatë takimeve jashtë vendit nuk gjeti një njeri që nuk e kishte kuptuar se çfarë përfaqëson ai. Kryedemokrati u shpreh kategorik kundër kandidaturës së Genta Bungo për Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Berisha: Lubia shkon çdo ditë, sa për dijeni. I jep udhëzime, i modifikon dhe i falsifikon dosje dhe de facto sillet sikur të ishte sekretar i saj. Asnjë fjalë ai. Se kishte frikë se i nxjerr videon. Asnjë fjalë. Pra, Edi Rama, i cili është damkosur tashmë në Evropë dhe në botë. Takova shumë persona në këtë udhëtim. Nuk gjeta një, një i cili nuk kishte kuptuar qartë se ç'përfaqëson Edi Rama, se çfarë hajduti të pamëshirë për shqiptarët përfaqëson ai. Asnjë. Që të gjithë. Në unison. Dhe siç theksova, tani po studionte dosjen e Kraksit. Se e dini ju, Kraksi ka qenë një udhëheqës i Partisë Socialiste Italiane, që kur e kapën për korrupsion, të një lloj si Ramën, ja mbathi në Tunizi. Kishte blerë një rezidencë të madhe, Hamamet pallati apo zona, kush i mban mend të gjitha këto. Dhe jetonte atje si pasha, duke tretur paratë e marrë nga italianët. Edhe ky tani i duhej dosja. I duhej dosja. Çfarë i duhej dosja? Më thoni ju mua. Çfarë, ç'lidhje ka me dosjen? Ka lidhje sepse po përgatit edhe ky, sipas tij, ekzilin, po edhe prapa Hënës po shkoi, do ta gjej, do ta kapin.
Pyetje: Zoti Berisha, ditën e sotme, Gjykata e Lartë me shumicë votash ka ndryshuar praktikën e vitit 2011 për sa i përket...
Sali Berisha: Për Lubinë dhe Erion Velinë. Pikë. Është ndryshim, sigurisht, i një militanti të verbër të Partisë Socialiste, vetëm në funksion të Lubisë dhe të Erion Velisë. Kushtetuta është shumë e qartë. Po këta kur duan e respektojnë, kur duan e shkelmojnë. Kaq. Kurse ky udhëzimi i fundit i kolegjit ka të bëjë me Lubinë. Pra, përgatitjen me Lubinë dhe këta të tjerë që janë në rresht, se këta janë të gjithë në rresht për burg. E dini ju vetë. Këtu i ka secili më të mëdha dosjet se shoku.
Pyetje: Partia Socialiste do të propozojë zyrtarisht në Kuvend emërimin ose votimin në parlament të Genta Bungos si komisionere për mbrojtjen nga diskriminimi. Do ta votojë Partia Demokratike dhe çfarë qëndrimi do të mbajë?
Sali Berisha: Genta Bungo, me vetingjet që ka bërë dhe që do j'ua paraqesim, se ju e patë, filloi sot. Ajo meriton të shkojë tek ata që brohorisnin për Sali Berishën. E patë ju mbrapa? Se po mbroja të drejtat e tyre. Kështu që ajo jo për të ardhur këtu, po ajo s'është e denjë për asnjë post, për asnjë detyrë. Do jemi kategorik kundër saj./Dosja.al
TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa foli për aksidentin tragjik, i cili ndodhi ditën e djeshme në qytetin e Durrësit, ku dy të mitur humbën jetën dhe një i tretë mbeti i plagosur. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Zhupa tha se Kuvendi nuk mund të bëjë politikë me vdekjen, por të bëjë politika që i shërbejnë qytetarëve.
Ajo tha se ky rast tragjik është dështimi i parë i një qeverisjeje që e ka parë policinë, si një mjet force për synimet e veta elektorale. Zhupa shtoi se policia ishte në dijeni për atë rast dhe nuk kishte reaguar.
“Ky kuvend nuk mund të mjaftohet vetëm me 1 minutë heshtje për një ngjarje tragjike dhe të paralajmëruar. Kuvendi s’mund të bëjë politikë me vdekjen, por të bëjë disa politika që i shërbejnë qytetarëve. Kemi dështuar të gjithë, sepse nuk arrijmë ta ngremë këtë kuvend në një kuvend që bën ligje që i shërbejnë qytetarëve. S’mund të kujtohemi dhe të flasim për Kodin Rrugor apo atë Penal vetëm kur ka një vdekje. Kur e keni parë Policinë e Shtetit që kujdeset për nevojat e komunitetit?
Ky është dështimi i parë i një qeverisjeje që e ka parë si një mjet force për synimet e veta elektorale. Qytetet tona janë kthyer në fjetore, ku vetëm mund të flesh gjumë në shtëpi dhe asnjë jetë komunitare s’mund të ndërtosh dot. Qytete pa sheshe, pa kënde lojërash, pa lulishte. Ku në mes të rrugës ti mund të gjesh çdo gjë, por asgjë që lidhet me komunitetin, me ndërtimin e një hapësire të përbashkët. Meraku ka qenë të betonohet çdo hapësirë. S’ka qenë ndonjëherë për fëmijët, prindërit, gjyshërit: ku do të jetojnë, si do ta mbushin ditën.
Komuniteti durrsak shpreh të gjithë të njëjtën gjë: që e kanë paralajmëruar policinë, por s’ka reaguar askush. Nëse kemi një grup, grupin e miqve të fëmijëve, ne nuk mund të bashkohemi me njëri-tjetrin vetëm për të kërkuar 1 minutë heshtje; duhet të bashkohemi për të kërkuar ndryshime në Kodin Rrugor e Penal, por mbi të gjitha të ndryshohet sesi përdoren institucionet në shërbim të disa klientëve, të një të forti. Kështu jeni krijuar, kështu e mbani pushtetin. Kur ndodhin ngjarje të tilla, na i kurseni ngushëllimet tuaja, sepse nëse doni të bëni diçka, i keni votat, keni mundësi”, tha Zhupa./Dosja.al
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se ngjarja tragjike në Durrës kërkon reflektim të menjëhershëm nga të gjitha palët politike, pa dallime ideologjike. Duke folur në Kuvend, ai argumentoi se zbatimi aktual i ligjeve nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar raste të tilla, duke marrë si shembull faktin se masa si heqja e pikëve në patentë nuk janë proporcionale me pasojat e rënda që mund të ndodhin. Sipas tij, Shqipëria duhet të reagojë shpejt dhe të përshtasë legjislacionin për të trajtuar më ashpër këto raste.
Në fjalën e tij, Balla bëri thirrje të drejtpërdrejtë ndaj Policisë së Shtetit për të marrë masa më të forta ndaj personave problematikë në komunitet, të cilët i quajti “të fortët e lagjeve”. Ai kërkoi që këta individë të monitorohen vazhdimisht dhe të mos lejohen të kenë akses në mjete që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Më pas Balla mbrojti reformën në drejtësi, duke e cilësuar si një nga sukseset më të mëdha institucionale në vend. Ai theksoi se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, individë nga të gjitha krahët politikë po përballen me drejtësinë, duke e konsideruar këtë si provë të funksionimit të saj dhe kritikoi sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë dhe bëri thirrje për ndalimin e presioneve ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Sipas tij, sistemi i ri garanton pavarësi dhe fundin e praktikës së vjetër ku politika ndikonte në emërimet në drejtësi.
Në vijim, Balla theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave ligjore, duke nënvizuar se çdo akuzë duhet të depozitohet në organet përkatëse dhe jo të përdoret për retorikë politike. Ai ndau edhe përvojën e tij personale si dëshmitar në gjykatë, duke theksuar se përpara se të jesh politikan, je qytetar që duhet t’i bindet ligjit.
Balla kritikoi mungesat në raportimin e ministrave në Kuvend, duke theksuar se institucionet ekzekutive janë të detyruara të japin llogari përpara parlamentit. Ai kërkoi që raportimi të bëhet i rregullt dhe sistematik, sidomos për çështje të rëndësishme si procesi i integrimit europian. Ai theksoi rolin kyç të Kuvendit në monitorimin e negociatave me BE-në, duke kërkuar që çdo hap dhe çdo pozicion negociues të diskutohet dhe të bëhet transparent për deputetët.
Balla kundërshtoi opozitën për dështimin e procesit të integrimit, duke theksuar se Shqipëria është në një fazë të avancuar dhe madje përpara Serbisë në disa aspekte. Ai përmendi deklarata ndërkombëtare që e rendisin Shqipërinë si një nga vendet pararojë për anëtarësim në BE. Ai bëri thirrje për një qasje më kombëtare ndaj integrimit, duke kërkuar që opozita të pranojë arritjet dhe të mbështesë procesin. Sipas tij, integrimi europian duhet të jetë një objektiv i përbashkët mbi interesat partiake
Fjala e plotë:
Në vijim të asaj që tha kolegu Braçe dhe duke e mbështetur plotësisht nevojën që kemi për të reflektuar të gjithë pa asnjë dallim të majtë, djathtë, socialistë, demokratë, ngjarja e djeshme është një ngjarje që na kërkon ne këtu të fillojmë të kuptojmë se si zbatohen ligjet tona.
Shembulli që dha zoti Braçe është kuptimplotë: nëse ne si Kuvend do mjaftohemi me heqjen e pikëve në patentë, një ngjarje e tillë, kjo është e rëndë për ne. Dhe prandaj, po diskutoja edhe me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, në kushtet që jemi pranë një faze të rishikimit të Kodit Penal, SHBA, unë nuk i di të tjerat, por Gjykata e Lartë e SHBA-së ka vendosur konceptin e vrasjes në kushtet e vetëbesimit të tepruar. Dhe si koncept në rastet e këtyre. Por zoti Manja më shpjegoi edhe raste të tilla, të tjera, në Gjermani apo vende të tjera, kështu që mendoj, kolegë, që përgjigjja jonë në këtë rast duhet të jetë e menjëhershme, sapo të kemi mundësinë që të ndryshojmë kodin.
Dhe kam edhe një thirrje për Policinë e Shtetit, e cila këtë rast duhet ta analizojë me shumë vëmendje. Këta të fortët e lagjeve, këta duhen bërë shembull të gjithë. Këta të fortët e lagjeve duhen kontrolluar mëngjes, drekë, darkë dhe këta të fortët e lagjeve nuk kanë pse të kenë fare patentë. Këta, këta duhet gjetur çdo lloj arsye për t'i pamundësuar në vlerësimin tim, me të drejtën e fjalës, me të drejtën e fjalës që ma jep Kushtetuta, zoti Berisha. Tani, besoj edhe ti je dakord që këta të fortët duhen, duhen bërë shembull nga Policia e Shtetit në çdo komunitet.
Këtu e mbyll këtë çështje, për të shkuar përsëri, po, në të njëjtën fushë, ju kam dëgjuar sot që të sulmoni reformën në drejtësi. Dhe e bëni këtë dy herë në muaj tek dera e Institucionit të Prokurorisë së Posaçme dhe të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Dhe mendoj që reforma në drejtësi është një sukses. Ne jemi një vend që nga viti 1912 nuk kemi pasur drejtësi, por suksesi më i madh i reformës tonë në drejtësi, zonja e zotëri, është që ka të majtë, të djathtë, socialistë dhe demokratë që sot përballen me drejtësinë. Nuk do t'ia kishim arritur kurrë kësaj dite që para drejtësisë të shkojnë të gjithë. Dhe drejtësia, dhe drejtësia... Unë nuk e di pse bërtisni, por kur flisni ju, ne nuk bërtasim. Padyshim që radhën e kanë ata që i kanë futur duart në xhep qytetarëve.
Dhe reforma në drejtësi përfaqëson një nga transformimet më të rëndësishme institucionale. Thirrja ime për ju është t'i lini sulmet personale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Prokurorët dhe gjyqtarët bëjnë një punë për të cilin ja kemi besuar ne në ndryshimet kushtetuese. Koha kur ky parlament emëronte prokurorë apo gjyqtarë ka përfunduar. Ne votonim në këtë sallë për të emëruar gjyqtarë, nuk ka më.
Dhe sa i përket, sa i përket akuzave, ka një standard: kushdo që ka një akuzë, të shkojë ta bëjë, ta depozitojë atje. Javën e kaluar, ditën e enjte, jam gjendur në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe do kisha shumë dëshirë që njëri prej personave të ishte aty. Megjithatë, kam vlerësuar lart procedurën që bënte Gjykata, ku edhe në cilësinë e dëshmitarit s'duhet të harrosh kurrë se përpara se të jesh politikan, je një qytetar i thjeshtë. Dhe respektimi, respektimi i rregullave dhe i ligjit duhet të jetë rregull për të gjithë.
E fundit, që lidhet me një çështje që u përmend këtu nga parafolësi, sa i përket një raportimi normal në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë. E para e thashë aty, po e them edhe ministrave. Ministrat duhet të kuptojnë që Kuvendi është pushteti ku nuk shmangesh dot për të raportuar, Kuvendi është pushteti legjislativ ku je i detyruar të paraqitesh sa herë të të thërrasë Kuvendi dhe ajo që ka ndodhur sot në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme duhet të jetë një punë e përjavshme, e përmuajshme, për të mbajtur të informuar Kuvendin për gjithçka bën, shtuar këtu dhe një autoritet të veçantë që ia ka dhënë ligji për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE, ku për çdo pozicion negociues, për çdo hap që hedh Shqipëria drejt anëtarësimit në BE, duhet që të informohet Komisioni.
Tani, zoti Këlliçi, atë që ju thashë në Komision, po ja them dhe këtu. Ministri ynë i Jashtëm është një prej ambasadorëve më të mirë që ka pasur Shqipëria në këto 35 vjet. Ka punuar me të gjitha qeveritë, dy herë me qeveritë e Sali Berishës kur ju ishit në pushtet dhe dy herë me ne kur ne kemi pasur nderin e madh të qeverisim vendin.
Dhe e vërteta është që Ferit Hoxha, Ferit Hoxha është duke bërë një punë të shkëlqyer në një kohë kaq të shkurtër që ka marrë Ministrinë e Jashtme dhe sa i përket, sa i përket asaj që thua ti, edhe sulmeve të natyrës personale që bëni, që bëni ndaj një ambasadori apo ministrit të jashtëm, pa pasur asnjë lloj lidhje, ndërkohë që i referoheni standardit që kemi vendosur ne, ne nuk merremi as me vëllezërit, as me motrat e as secilit prej jush.
Tani, tani, e vërteta është që, ju lutem, kolegë, mos u provokoni, e vërteta është që përgjigjen ta dha ministri, ndërkohë që besoj duhet ta kishe ndarë dhe me kolegët e grupit tënd parlamentar të Partisë Demokratike, keni dy muaj, tre muaj që dilni e bërtisni: "Jo, Ibari ka dështuar!", Njëri sot, Tritani, po nuk është këtu, tha, "Ibari është rrëzuar!", ndërkohë që Ibari ende nuk është shqyrtuar nga Këshilli. Erdhi Tritani aty sot, tha, "E ka rrëzuar Këshilli", ndërkohë që s'është zhvilluar mbledhja.
Dhe e vërteta është, siç u tha ministri. Dhe unë po citoj jo ministrin tim të jashtëm, të Shqipërisë tonë të përbashkët, por po citoj...Po mirë, mirë, dakord, ti në rregull je i fut një paçe, po unë po flas për gjë tjetër, patjetër. Dhe ajo që po flasim, po flasim për Kaja Kallas, ministrja e jashtme, ministrja e jashtme e Europës, e cila tha që, padyshim tha, që Shqipëria, tha, bashkë me Malin e Zi, janë dy vende pararojë, që Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë dy anëtarët më të reja të BE-së, që Shqipëria në fund të majit apo në fillim të qershorit do të miratojë raportin për piketat e ndërmjetme, për ata që s'e dinë, ky raporti për piketat e ndërmjetme është ky Ibari i famshëm dhe që Shqipëria sot është pas 12 vitesh kur Serbia hapi negociatat, në janar të 2014-s, Serbia hapte negociatat.
Ne i hapëm negociatat 10 vite më pas, për shkak se në atë kohë s'kishim as statusin e kandidatit kur ikët ju nga pushteti dhe sot e kemi lënë Serbinë mbrapa dhe për shkak se kemi një metodologji të re që nuk ishte për Serbinë dhe Malin e Zi, ne prapë jemi shumë përpara Serbisë. Dhe këtë fakt nuk duhet ta mohojë askush prej jush.
Sa kohë që Shqipërinë e kemi atdheun tonë të përbashkët, merrni guximin, dilni përtej urdhrave të Partisë dhe thoni: "Shqipëria jonë e përbashkët sot në rrugën e integrimit europian është përpara Serbisë." ...Patjetër, unë, unë ty të injoroj, unë ty të injoroj se ty të përdorin siç thoshte një, siç thoshte një ish-kryeministër për "New York Times-in". Mban mend si të thoshte një ish-kryeministër për "New York Times-in", kështu të konsideroj dhe unë ty./Dosja.al
TIRANË- Deputeti demokrat, Belind Këlliçi tha se Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha duhet të sqarojë mesazhet dhe çështjet e integrimit europian. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Këlliçi tha se ministri duhet të vijë dhe të thotë ose se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë 'idiotë' dhe ai i qëndron thënies së tij, ose se ky mesazh është i fabrikuar nga ana e tij.
Ai theksoi se e ka pyetur, ministrin Hoxha edhe në raport me çështjet e integrimit europian. Në fund, deputeti demokrat tha se ministri Hoxha duhet të jetë transparent për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për skandalin, i cili sipas tij është i paprecedent në 36 vitet.
Belind Këlliçi: Të nderuar qytetarë, kjo është një seancë që në fakt i dedikohet zgjedhësve dhe problematikave të qytetarëve dhe dua të flas në këto katër minuta për një problem madhor që e kanë të gjithë qytetarët shqiptarë me bindje apo jo politike që ka të bëjë me procesin e integrimit europian. Dhe me një seancë dëgjimore që është organizuar sot në komisionin e marrëdhënieve me jashtë, ku ministri i jashtëm do duhej të raportonte për raportin e IBAR-it dhe ecurinë e procesit të integrimit europian. Raporti i IBAR-it për të gjithë qytetarët që na ndjekin duhet ta dinë se është një raport i vlerësimit të kushteve të ndërmjetme i cili fokusohet në grup kapitullin numër një që janë pikat themelore dhe ku aty trajtohen fushat kyçe të qeverisjes demokratike duke përfshirë funksionimin demokratik të institucioneve, gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, prokurimin publik dhe kontrollin financiar, statistikat dhe kriteret ekonomike si dhe reformën e administratës publike.
Dhe pikërisht për këto arsye, i jam drejtuar sot zyrtarisht ministrit të jashtëm me disa pyetje që prekin thelbësisht këto çështje, por që prekin gjithashtu dhe një nga kriteret kyçe, raportet e fqinjësisë së mirë dhe raportet që ne kemi me vendet e rajonit. Një javë më parë personalisht kam publikuar disa mesazhe të ministrit të jashtëm në grupin e ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në botë. Ku ministri i jashtëm i Republikës së Shqipërisë etiketon bashkëkombasit tanë në Maqedoninë e Veriut si idiotë dhe shprehja tekstualisht është, ‘po ata idiotët shqiptarë atje, çfarë thonë?’. Menjëherë pasi kam bërë publike këto mesazhe ka patur një reagim i Ministrisë së Jashtme që i ka mohuar dhe ka thënë që kanë qenë fabrikime. Jam detyruar të nxjerr komunikimin e grupit të ambasadorëve dhe nuk kam nxjerrë komunikime private, këtu nuk flitet për piknik, as për të lënë ndonjë orar dreke, por është grupi ku jepen direktivat për politikën e jashtme drejtuar të gjithë ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë nëpër botë. Dhe sërish ministri e ka mohuar.
Jam detyruar të nxjerr më pas edhe momentin kur ministri ka fshirë mesazhin dhe është larguar nga ky grup. Dhe sot pasi ka patur disa herë një kërkesë të përsëritur nga ana jonë për të marrë një përgjigje për këto mesazhe, prapë ministri nuk ka kthyer përgjigje. Ministri duhet të vijë dhe të thotë këtu, ose shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë idiotë dhe ai i qëndron thënies së tij, ose ky mesazh është i fabrikuar nga ana ime dhe unë dal këtu publikisht dhe i kërkoj ndjesë çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë edhe shqiptarëve të Maqedonisë, ose ministri i jashtëm i Republikës sonë duhet të kërkojë ndjesë. Gjithashtu e kam pyetur në raport me testin kritik për rastin Balluku duke qenë se është një pikë që prek drejtpërdrejtë edhe raportin e IBAR-it përsa i përket fushave të prokurimit publik, funksionimit të shtetit ligjor, pavarësisë së gjyqësorit, konkurrencës dhe luftës kundër luftës kundër korrupsionit.
Zero përgjigje, as edhe një koment për testin kritik që u vendos në mes të Tiranës nga kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister. Asnjë përgjigje dhe edhe për dosjen e AKSHI-t. I kam bërë me dije ministrit, i kam lexuar vendimin numër 289 datë 20 prill 2026 të Gjykatës së Posaçme të shkallës së parë për korrupsion dhe krimin e organizuar dhe e kam pyetur nëse është në konflikt interesi në momentin që raporton para institucioneve europiane për reformën në drejtësi, për institucionet e drejtësisë dhe sërish ka patur vetëm mohim dhe nuk kemi marrë përgjigje. Mendoj se është në nderin e ministrit të jashtëm të bëjë transparencë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për këtë skandal që është i paprecedent në 36 vitet./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha pyeti deputetët socialistë se pse kryeministri Rama ka marrë dosjen Kraski, të socialistit italian që vodhi gjatë kohës kur ishte në pushtet dhe u arratis në Tunizi. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha tha se aktet e Ramës janë bërë të njohura në mbarë botën, ndërsa e cilësoi si të pa shpresë.
Lideri i opozitës tha se Rama po e turpëron Shqipërinë me qëndrimin e tij cinik ndaj fermerëve shqiptarë.
Sali Berisha: Dhe kreu juaj, prej një jave, prej ca ditësh, merr në dorë dosjen Kraksi. E morët vesh ju? Dhe miq të mi italianë më pyesin, çfarë e do ky dosjen Kraksi? Me ca pyetje shtesë. Kraksi është socialisti që ja mbathi pasi vodhi dhe u instalua në Tunizi. Po po e dini mirë ju. Edhe këto vizitat e tij nëpër vende të gjirit, duan se kanë të njëjtin kuptim. Çfarë i duhet dosja Kraksit? Më thoni mua ju? Si ka mundësi që ky të marrë dosjen e Kraksit tani, më thoni pak. Ka mundësi sepse e dinë që është në rreth të kuq. Është në rreth të kuq nga shqiptarët.
Shqiptarët nuk do ja falin atë. Është absolutisht i pa shpresë. Është bërë famoz. Aktet e tij janë bërë tashmë të njohura në mbarë botën. Dhe ju thoni se po e turpëroni Shqipërinë se po e, po e, po e demaskoni Edi Ramën, po e denonconi. Po e turpëron ai veten, njeriun, Shqipërinë dhe çdo gjë me vjedhjet e tij, me qëndrimin e tij cinik ndaj fermerëve shqiptarë. A keni ju në zonat tuaja fermerë? Nuk keni. Sigurisht. Se po të kishit, ju nuk lëshonit parlamentin pa ulur naftën. Ju nuk lëshonit parlamentin pa shtuar fondet. Pa shtuar fondet për vaditje, pa ndryshuar sistemin fiskal.
Por për ju, ata nuk ekzistojnë. Por kjo do të thotë të sillesh si, si fuqi koloniale ndaj qytetarëve, ndaj, ndaj fermerëve. Dhe rrini e flisni. Larë me miliarda këtu, miliarda aty. A ju kujtohen ju miliardat e Shell-it? Ju kujtohen ju se do krijonte fondin e madh të investimeve si Arabia Saudite? Sado unë thashë këto gjëra, po ju nuk keni zgjedhës. Ju i keni qytetarët vetëm për t'i vjedhur dhe për t'i larguar nga Shqipëria, ashtu siç e tha, ashtu siç i thanë emigrantët në Dublin Niko Peleshit. Po pse, pse e çoni atë? Mos shkoni të paktën. Mos dilni se jeni, jeni, jeni krejtësisht të konsumuar. Jeni të turpëruar. Nuk duan t'ju shohin./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se policia është bërë zap nga pushteti. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha iu drejtua deputetëve soicialistë duke iu thënë se përdorin 83 mandatet për të mbrojtur vjedhjet dhe për të goditur drejtësinë.
Ai tha se nuk ka hipokrizi më të madhe se të flasësh për teorinë e të fortit, kur sipas tij 'të fortit' janë vetë patronazhistët.
Sali Berisha: Më vjen keq që të citoj veten time, po unë sapo thashë që jeni ballukizuar të gjithë. Po të dalësh këtu dhe të flasësh për reformë në drejtësi dhe sukseset e saj, në një kohë kur përdorni mandatet, 83 mandate si thika krimi, për të mbrojtur vjedhjet e Lubi Ballukut, nuk ka hipokrizi më ekstreme se kjo. Nuk ka hipokrizi më ekstreme se kjo! Nuk ka hipokrizi se të bësh teorira se të fortit. Po të kujt janë të fortit, mor? Po të fortit janë patronazhistë të poshtër, që terrorizojnë qytetarët për pushtetin e krimit. Të fortit janë patronazhistë! Ai duhej arrestuar 10 herë, po nuk desha të zgjatem në këtë pikë. Dhe s'u arrestua asnjëherë. Se ishte terroristi i votave. Nuk ka të fortë që s'i bën dot zap policia, po ka polici të bërë zap nga të fortit e partisë. Kjo është e vërteta! Ndaj dhe gjërat duhet t'i themi siç janë. Ballukizimi juaj është fundi juaj! Edi Rama, pse e ka marrë dosjen e SKAP-it dhe po e shqyrton? Kur t'ia mbathë një ditë, çfarë do të thoni ju? Prapë do të do bëni avokatinë e tij? Ndaj dhe nuk e zgjidhin fjalët problemin, e zgjidhin aktet, veprimet. Ju faktikisht i dhatë goditjen më fatale drejtësisë. Ishit në zyrë me të./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu drejtua maxhorancës duke i thënë se janë simboli më i urryer i abuzimit dhe hajnisë shtetërore. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha akuzoi shumicën e deputetëve të saj se ishin “Ballukizuar”. Berisha foli edhe për vizitën e Peleshit, i cili sipas tij u kritikua nga emigrantët për çmimin e lartë të naftës.
"Zonja deputete, zotërinj deputetë, të dashur qytetarë dhe qytetarë që më ndiqni këtë seancë, në axhendë kushtuar problemeve tuaja, por kjo është hipokrizia më e madhe e tyre. Cilido që pat fatin të ndjekë lajmin e censuruar në mënyrë të padenjë nga mediat e kontrolluar nga Edi Rama, në të cilin shqiptarët e diasporës në Irlandë, emigrantët tanë e zhveshën lakuriq në kuptimin figurativ kryetarin tuaj të parlamentit, dhe i thanë, ne jemi këtu se vidhni ju.
Ne marrim rrugët e botës. Dëgjojeni, dëgjojeni lajme me zë me figurë. Se ju vidhni. Dhe më keq se kaq, jo vetëm vidhni, por ju mbroni hajdutët. Ju bllokoni prokurorët, siç bllokuar rastin Balluku. Ne ikim, ikim dhe vetëm ikim nga një tokë që është bërë tashmë për ne, nga e bekuar në tokë e mallkuar. Sepse ju vidhni. Sepse ju, në vend se një ditë të ktheheni në njeri, bëni aktin siç ai krimineli dje që shtypi dy engjëj dhe ja mbathi e i la aty pa asnjë ndihmë. Dhe ti do të thoshe se ai ishte një njeri i përkëdhelur i pushtetit.
Pra, edhe ju e shihni që ajo vjedh. E shihni që vetëm kontrolli i fundit, kontrollin që është bërë para pesë ditësh. A e dini ju se Sokol Balluku me dhëndërrin e tyre, Arben Balluku, me të gjithë sojin që u kontrolluan, a e morët vesh ju që bëhej fjalë për të paktën 80 milionë euro në kërkim të grabitura prej tyre dhe ju e mbroni. A e morët vesh ju? Atëherë, çfarë seance bëni ju për hallet e qytetarëve, kur ai thoshte ne ikim, marrim rrugët e dheut se ju vidhni dhe s'krijoni asnjë mundësi. Ju, jo çdo njeri prej jush, nuk them, por në tërësi meritoni mbiemrin Balluku.
A nuk është ky Enea Balluku, më thoni mua, i cili pret çdo ditë shiringën e korrupsionit? Lubinë. Për t'i rregulluar letrat, për t'i falsifikuar. Më thoni pak. Si mund të flisni ju për hallet e popullit apo jo? Edhe organizoni edhe seancë. Si mund të flisni ju kur jeni e vetmja qeveri, në Evropë, e cila në kulmin e çmimeve të naftës dhe gazit, ju hiqni fshatarëve subvencionin për naftën. A ka cinizëm më të madh se ky? A ka akt më të papërgjegjshëm?" tha Berisha./Dosja.al
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur për aksidentin tragjik në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën dhe një i tretë mbeti i plagosur. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla i bëri thirrje Policisë së Shtetit, që 'të fortët' e lagjes t'i bëj shembull për të tjerët.
Ai tha se duhet rishikimi i Kodit Penal, ndërsa theksoi se është i trishtë fakti që vendi mjaftohet me heqjen e pikëve në patentë.
Taulant Balla: Kam dhe një thirrje për policinë e shtetit, që këtë rast duhet ta analizojë, këta të fortët e lagjeve duhen bërë shembull të gjithë. Duhen kontrolluar mëngjes drekë darkë. Këta nuk kanë pse të kenë fare patentë. Këta të fortit duhen bërë shembull në çdo komunitet. Dëgjova sot që sulmoni reformën e bën dy herë në muaj te dera e SPAK dhe GJKKO. Dhe mendoj se reforma në drejtësi është një sukses. Jemi një vend që nga 1912 nuk kemi patur drejtësi. Reforma ka të djathtë të majtë që përballen me drejtësinë. Nuk do ia kishim arritur që para drejtësisë të arrinin të gjithë. Padyshim që radhën e kanë ata që kanë futur duart në xhep. Lini sulmet personale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Bëjnë një punë që ia kemi besuar ne në ndryshime kushtetuese. Koha kur ky parlament emëronte prokuror dhe gjyqtarë ka mbaruar. Sa i përket akuzave, ka një standard, kushdo që ka një akuzë ta depozitojë atje.
Javën e kaluar isha në GJKKO do kisha dëshirë që njëri prej personave të ishte aty. Kam vlerësuar lart procedurën që bënte gjykatën. Respektimi i rregullave dhe ligjit duhet të jetë rregull për të gjithë. E fundit, sa i përket një raportimi normal në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtëm, ministrat duhet të kuptojnë që Kuvendi është pushteti ku nuk shmangesh dot për të raportuar. Ajo që ka ndodhur sot në komision duhet të jetë një punë e përjavshme për të mbajtur të informuar Kuvendin. Zoti Këlliçi atë që ju thashë në Komision, po ja them edhe këtu ,ministri ynë është më i suksesshme që ka patur Shqipëria. Ka punuar me dy qeveritë. Dhe e vërteta që Ferit Hoxha po bën një punë të shkëlqyer në një kohë kaq të shkurtër. Sa i përket dhe sulmeve personale që i bëni ndaj një ambasadoreje dhe ministre, ne nuk merremi me vëllezërit as me motrën e secilit prej jush. E vërteta që përgjigjen ta dha ministri. Duhet ta kishe ndarë dhe me kolegët e PD. keni 2 muaj që bërtisni jo IBAR ka dështuar, rrëzuar. IBAR ende nuk është shqyrtuar nga Këshilli. Erdhi Tritani e ka rrëzuar këshilli tha./Dosja.al
TIRANË- Deputeti socialist, Erion Braçe foli për aksidentin tragjik i cili ndodhi ditën e djeshme në Durrës, ku dy të mitur humbën jetën dhe një i tretë u plagos rëndë si dhe kërkoi ndyshimin e Kodit Penal. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Braçe e cilësoi aksidentin si një vrasje me dashje dhe krim.
Në lidhje me këtë, ai tha se duhet riformuluar Kodi Penal, pasi ndodhi të tilla janë akte si vrasje me dashje.
“Fjalët që duhet të thuhen këtu duhet të kenë logjikë. Nëse ka një qeveri që në dy kohë të ndryshme ka dhënë naftë pa akcizë dhe pa lekë fare, është qeveria Rama dhe Nano. Unë u çova për tjetër hall, dy familje përcollën sot pa shpirtin e tyre. Kush ka fëmijë e di mirë. Një i tretë ka një traumë të rëndë emocionale dhe mendore. E gjitha pasojë e një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje. Vrasje me dashje për mua dhe asnjëherë aksident apo shkelje të rregullave. Është një ngjarje e përsëritur. Dje kam publikuar një video ashtu siç ishte, për të refuzuar normalizimin e një krimi të tillë. Kodi penal e normalizon një krim të tillë. Një i pirë, jo thjesht i dehur, për më keq pastaj që nget një makinë në rrugë, ndonjëherë shoqërohet dhe dërgohet në paraburgim. Pastaj lirohet pas 2 ditësh dhe procedohet në gjendje të lirë. Morali është që ti mund të pish, të dehesh, të ngasësh makinën, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente. Dhe në rast se ke para, paguan dyfishin e gjobës dhe nuk të pezullohet patenta. E bën një herë, dy herë, mund të shkosh deri në 18 muaj ndalim patente. I hiqen vetëm 10 pikë në patentë. Ndërkohë ai po hetohet për shkelje rregullash, largim nga vendi i aksidentit. Është profili i një të forti që dehet dhe vret njerëz. Kjo nuk është shkelje e rregullave, është vrasje. Nëse ne duam të bëjmë diçka, është që të reformulojmë Kodin Penal, aktet si vrasje me dashje”, u shpreh Braçe./Dosja.al

TIRANË- Seanca plenare e kësaj të hëne ka nisur me një minutë heshtje në nderim të dy fëmijëve të mitur që humbën jetën nga aksidenti tragjik në Durrës. Deputetët u ngritën në këmbë në shenjë respekti për viktimat, ndërsa seanca vijoi më pas me rendin e ditës.
“Engjëjt u prehshin në paqe”, u shpreh zv.kryeparlamentarja, Klodjana Spaho.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.
Radaçi rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Ndërkohë që nga testet e alkoolit është zbuluar se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel 0.73 mg/l. Kjo nuk është hera e parë që 57-vjeçari ecte në gjendje të dehur në makinë dhe me shpejtësi. Më parë atij i është pezulluar dy herë patenta në vitin 2020 dhe 2022./Dosja.al