Suella Braverman dhe Gerald Darmanin
BRITANI E MADHE- Suella Braverman sot nënshkroi një marrëveshje të re me Francën për të trajtuar krizën e emigrantëve në Kanal. Firmosja u bë më homologun francez, Gerald Darmanin. Pakti i nënshkruar nga Sekretarja e Brendshme, e shoqëruar nga një paketë financimi prej 63 milionë paundësh në vit – përfshin një rritje prej 40 për qind në numrin e oficerëve që patrullojnë plazhet.
Stafi britanik do të futet gjithashtu në dhomat e kontrollit francez për herë të parë për të ndalur kalimet e rrezikshme të varkave të vogla, pasi numri i njerëzve që bëjnë udhëtimin e rrezikshëm për në Mbretërinë e Bashkuar deri më tani këtë vit arriti në 40,000.
Sipas Dailymail, masat e mëtejshme të nënshkruara në Paris përfshijnë një investim në CCTV (kamerat e sigurisë) dhe ekipet e zbulimit të qenve për të kontrolluar portet dhe planet për të pajisur më mirë oficerët me dronë.
Ndërkohë, Britania dhe Franca kanë rënë dakord të rrisin bashkëpunimin për këtë çështje me partnerët evropianë, megjithatë, nuk do të ketë patrulla të përbashkëta midis oficerëve francezë dhe britanikë pasi Parisi duket se ka vendosur veto që të mos përfshihet në aksione dypalëshe.
Braverman shqyrton një sërë planesh për të gjetur strehim më pak të kushtueshëm për emigrantët e deri më tani po konsiderohen ndërtesat e vjetra të akomodimit të studentëve dhe anijet turistike.
Deri më tani kontributi vjetor i Mbretërisë së Bashkuar për kontrollin e kufirit pritet të rritet nga rreth 54 milionë në ekuivalentin e pak më shumë se 63 milionë paundve.
Një grup i ri pune do të krijohet gjithashtu për të trajtuar rritjen e numrit të shqiptarëve dhe grupeve të krimit të organizuar që shfrytëzojnë rrugët e paligjshme të emigrimit. Ekipet e përbashkëta Angli-Francë do të kërkojnë të nxisin shkëmbimin e informacionit.
Downing Street tha se rritja me 40 për qind në numrin e oficerëve që patrullojnë plazhet në Francën veriore do të 'rriste zbulimin e hershëm' dhe ndalimin e emigrantëve në hyrjen në territorin britanik.
Rishi Sunak tha se ai është 'i sigurt' se numri i kalimeve me varka të vogla do të zvogëlohej me kalimin e kohës pasi numri i njerëzve që bënin udhëtimin e rrezikshëm për në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit deri më tani këtë vit arriti në 40,000.
Duke folur me gazetarët që udhëtonin me të në Indonezi për samitin e G20, Sunak tha se ishte 'i kënaqur' që po nënshkruante marrëveshjen me Francën.
Britania i ka paguar rreth 175 milionë paund Francës për të kontrolluar kufirin e Kanalit që nga viti 2018. Sekretari i Jashtëm James Cleverly nuk pranoi të specifikojë një objektiv se sa një marrëveshje e re me Francën për emigrantët mund të zvogëlojë numrin e kalimeve.
Ai i tha BBC Breakfast: Ne duam të ulim ndjeshëm shifrat. Ky është i gjithë thelbi i këtyre marrëveshjeve. E gjithë çështja është se ne po përpiqemi të shpenzojmë më pak para sesa duhet të shpenzojmë aktualisht për strehimin e emigrantëve.
Jenrick është zotuar se do t'i japë fund të ashtuquajturës 'Hotel Britain', plan që bën që taksapaguesit britanikë të shpenzojnë 6.8 milionë funte në ditë për t'i vendosur emigrantët në akomodime 'të papërshtatshme'.
Mijëra njerëz kanë pritur për më shumë se një vit që kërkesat e tyre për azil të shqyrtohen. Në mënyrë tronditëse, 725 njerëz, përfshirë 155 fëmijë, kanë pritur për më shumë se pesë vjet.