“Europës i duhet rajoni ynë”/ Rama nga Berlini: Shqipëria dëshiron të bëhet pjesë e BE-së përpara se të mbarojë kjo dekadë
“Sulmet kibernetike janë një problem madhor, me të cilat është përballur vendi"/ Rama: Dezinformimi krijoi m...
“Sulmet kibernetike janë një problem madhor, me të cilat është përballur vendi"/ Rama: Dezinformimi krijoi m...
"Toka të mos u shitet spekulatorëve Trump dhe Kushner"/ Eurodeputetja Salis nga PE: Në Shqipëri po protestojnë kund&eum...
"'Revolucioni i flamingove' në Shqipëri po kundërshton planet e tyre"/ Komenti i The Guardian: Ajo që duan Jared dhe Ivanka,...
Operacioni i SPAK/ Kush është Dritan Gjika, "koka" e mafias shqiptare të trafikut të drogës në Ekuador 16 Qershor...
•Po mbahet sot protesta e 17-të rradhazi në sheshin para Kryeminstrisë si revoltë ndaj politikave në vend• Që në nisje të grumbullimit, një grup të huajsh u bashkuan me qytetarët, ata mbajnë me vete flamurin kuqezi si dhe flamingo të improvizuar. • Edhe gjatë protestës së një dite më parë, mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit. • Me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, qytetarët kanë vijuar për orë të tëra, duke protestuar .• Një protestuese ka deklaruar se për shkak të temperaturave të larta, orari i i protestës do të shtyhet, u lajmëruar se tashmë protesta do të nisë në orën e 19:00. • Një tjetër risi është heqja e fjalimeve në podium, ndërsa lidershipi i protestës i është besuar të rinjve të "Gjeneratës Z". • Në podiumin para Kryeministrisë, një vajzë e re i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të anulojë projektet aktuale dhe të largohet nga vendi. • Një tjetër protestues i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama se protesta po dëmton imazhin e vendit dhe turizmin. • I riu e ka pyetur nëse kryeministri është në dijeni të familjeve shqiptare që nuk kanë mundësi ekonomike të shkojnë për pushime. • Sipas protestuesve, përpjekjet e kryeministrit për të minimizuar rëndësinë e marshimit kanë dështuar, duke provuar se revolta nuk po zbehet. • Në një fjalim të mbushur me tone të ashpra dhe thirrje për ndërgjegjësim, profesori i njohur Lush Susaj ka motivuar studentët e pranishëm në protestë. • Një studente ka ngitur zërin për mungesën e lirive themelore dhe nepotizmin në tregun e punësimit në vend. • Përveç sloganit që tashmë është bërë refren i përditshëm i protestave “Rama jepe dorëheqjen”, pjesëmarrësit sollën edhe pankarta me mesazhe të forta, të cilat tërhoqën vëmendjen gjatë marshimit dhe tubimit para Kryeministrisë. • Pas një marshimi të gjatë nëpër rrugët e Tiranës, turma e protestuesve ka mbërritur para godinës së “Europe House” për të vijuar protestën e 17-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama.
20 artikuj për këtë temë.
TIRANË- Mijëra protestues e kanë mbyllur sot në sheshin “Skënderbej” protestën e 17-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, pas një qëndrimi disaorësh para godinës së Kryeministrisë dhe një marshimi të gjatë nëpër rrugët e kryeqytetit.
Pasi dëgjuan fjalimet, turma përshkoi akset kryesore të Tiranës, duke mbajtur gjatë gjithë kohës parulla dhe thirrje si, “Rama jep dorëheqjen” e “Shqipëri e re”.
Tubimi u finalizua sërish në qendër të qytetit, ku organizatorët apeluan për një pjesëmarrje masive në ditët në vijim, duke ftuar qytetarët që të mblidhen sërish në shesh nesër në orën 19:00./Dosja.al
TIRANË- "O Erion o legen prite Ramën se po vjen", ka qenë thirrja e vazhdueshme që po përsëritin protestuesit teksa marshojnë nëpër rrugët e kryeqytetit. Në ditën e 17 të protestës, teksa marshojnë në rrugën e Elbasanit dhe zona të tjera, protestuesi iu kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen revoltës masive.
Sipas qytetarëve, kjo protestë përbën një qëndresë që nuk njeh lodhje dhe kthim pas. Bulevardi është "pushtuar" nga protestuesit, ku thirrjet në kor dhe vullneti i hekurt po tronditin themelet e qeverisë në këtë ditë të 17-të të kryengritjes paqësore. Protestat kanë marrë përmasa të mëdha, duke kapërcyer edhe kufijtë shqiptarë./Dosja.al
TIRANË- Pas një marshimi të gjatë nëpër rrugët e Tiranës, turma e protestuesve ka mbërritur para godinës së “Europe House” për të vijuar protestën e 17-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama.
Qindra qytetarë kanë kërkuar vëmendjen e ndërkombëtarëve duke thirrur në kor “Europa është me ne!”.
Protesta, e cila nisi para Kryeministrisë, vazhdon të mbajë gjallë thirrjet për dorëheqjen e kreut të qeverisë rrugëve të kryeqytetit./Dosja.al
BERLIN- Kryeministri Edi Rama është përballur me protestën edhe gjatë vizitës së tij në Gjermani. Mësohet se, një grup shqiptarësh në Berlin shihen se teksa protestojnë i drejtohen kryeministrit me thirrje në momentin kur ai po dilte dhe po hipte në automjetin e tij.
Protestuesit e shoqëruan reagimin e tire edhe me fishkëllima, ndërsa Rama, përpara se të largohej, i përshëndeti me dorë. “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë.”, “Turp”, “Anulo projektin”, “Anulo ligjin”, ishin disa prej thirrjeve kundër Ramës.
Bëhet me dije se, kryeministri ndodhet në Gjermani në kuadër të një vizite dyditore, i cili po merr pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor./Dosja.al
TIRANË- Me thirrjet kumbuese 'Rama ik!' dhe 'Rama jep dorëheqjen!', të cilat janë kthyer në simbolin e kësaj proteste, mijëra qytetarë kanë marshuar në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Pas fjalimeve në podiumin para Kryeministrisë, kanë vijuar marshimin e tyre rutinë.
Pjesëmarrësit shprehen se asnjë kompromis nuk është i pranueshëm përveç largimit të kryeministrit. Ata kanë deklaruar se do të vazhdojnë të mbajnë të pushtuara sheshet deri në arritjen e qëllimit të tyre final./Dosja.al

TIRANË- Me pankarta kreative, mesazhe ironike dhe thirrje politike, mijëra qytetarë janë mbledhur sot në Bulevard, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Përveç sloganit që tashmë është bërë refren i përditshëm i protestave “Rama jepe dorëheqjen”, pjesëmarrësit sollën edhe pankarta me mesazhe të forta, të cilat tërhoqën vëmendjen gjatë marshimit dhe tubimit para Kryeministrisë.

Mesazhet pasqyruan pakënaqësinë dhe revoltën e protestuesve, të cilët deklaruan se do të vijojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ndër pankartat që spikatën ishin: “Kjo tokë ka zot popullin”, “Tirana s’është filtër Instagrami o shefi”, “E ardhmja nuk negociohet”, “Nga Roma në Tiranë për një Shqipëri pa Ramë”, “Kur diktatura është fakt, revolucioni është detyrë” dhe “Gjynahet e tua nuk i lan as shiu”.

Disa nga pankartat e protestës ishin të fokusuara te Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos. Duke u frymëzuar nga shprehja “u bë deti kos”, ata e kanë përdorur si ironi për komisioneren. "Dua ta bëj Zvërnecin kos o Marta", "E bëjmë o Edi, direkt", thuhet në një tjetër pankartë, ku kryeministri Rama dhe Marta Kos shihen në një dialog./Dosja.al













TIRANË- Angjelo Tila, një student i gazetarisë ka marrë fjalën për t'iu kundërvënë politikave të kryeministrit Edi Rama.
Duke iu përgjigjur etiketimit që kreu i qeverisë u bëri protestuesve pak ditë më parë, teksa i ka cilësuar si “nazistë” dhe “fashistë”, studenti ka artikuluar një mesazh të qartë për pushtetin.
I riu theksoi se lëvizja qytetare nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap pas, teksa shtoi se rezistenca do të përshkallëzohet deri në përmbushjen e të gjitha kërkesave të tyre.
View this post on Instagram
"Zoti kryeministër! Ne nuk jemi nazistë, ne nuk jemi fashistë. Nazistë dhe fashistë janë ata që lënë fëmijët të vdesin për bukën e gojës. Janë ata që lënë spitalet pa ilaçe, ku vdesin njerëzit për shërbim. Dhe ne jemi këtu për ta ndryshuar këtë gjë. Ne nuk do të tërhiqemi. Po të jetë nevoja, ne do të flemë në shkallët këtu deri sa ju të jepni dorëheqjen", deklaroi ai./Dosja.al
TIRANË- Pas disa orësh qëndrimi para godinës së Kryeministrisë, mijëra qytetarë kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke kërkuar largimin e Edi Ramës. Një nga organizatorët, Arben Kola sqaroi dhe itinerarin që do të ndjekin protestuesit.
“Tajvani-Bashkia-Parlamenti (ndalese 5 min)-Shkolla Kosova-Shtepia e Europes(ndalese 5 min)-Kryeministria (perfundimi)”, tha Arben Kola.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku për disa orë u mbajtën fjalime nga studentë, mjekë, profesorë artistë dhe qytetarë të ndryshëm. Gjatë fjalimeve, mesazhi kryesor i përcjellë nga protestuesit ka qenë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, me thirrje të përsëritura si “Rama jepe dorëheqjen”./Dosja.al

TIRANË- Një protestues, duke folur para Kryeministrisë iu drejtua Komisioneres së BE për Zgjerimin, Marta Kos duke i thënë se garancia e qeverisë s’është e vlefshme pasi kanë vendosur të grisin kontratën me klasën politike. Qytetari theksoi se teorisë se të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës i ka ardhur fundi.
“I them znj. Kos, ti mund të marrësh garanci nga kjo qeveri, por ka diçka që e ke harruar: ne shqiptarët e Shqipërisë kemi vendosur ta grisim kontratën 36-vjeçare me këtë klasë politike! Pavarësisht përpjekjeve për ta kapur këtë protestë, inteligjenca e kësaj rinie është më e madhe nga sa mendoni! Teorisë se të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës i ka ardhur fundi!”, tha protestuesi./Dosja.al

TIRANË- Korça ka vijuar edhe këtë të martë qëndresën qytetare kundër qeverisë. Pavarësisht numrit të kufizuar të pjesëmarrësve, qytetarët e mbledhur në shesh, të pajisur me pankarta dhe simbole kombëtare, kanë manifestuar vendosmërinë e tyre për të mos u tërhequr.
Një detaj i veçantë në tubimin e sotëm ka qenë prania e disa turistëve nga Holanda.
Duke iu bashkuar kauzës qytetare, vizitorët e huaj kanë përcjellë një mesazh inkurajues për rininë shqiptare, duke bërë thirrje që ata të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të luftojnë për të ardhmen./Dosja.al
TIRANË- Një studente ka ngitur zërin për mungesën e lirive themelore dhe nepotizmin në tregun e punësimit në vend. Gjatë fjalës së saj, ajo ka cituar ligjin themeltar të shtetit për të treguar hendekun e madh mes asaj që shkruhet në letër dhe realitetit në Shqipëri.
Ajo u shpreh se, rezistenca do të vazhdojë, duke theksuar se kjo është dita e 17-të që qytetarët ndodhen në shesh dhe nuk kanë ndërmend të tërhiqen deri në largimin e kryeministrit.
“Në Kushtetutë, në nenin 18 garantohet liria. Ne këtu s’kemi liri, prandaj jemi për të dhënë një mësim. Ata që s’kanë vend këtu duhet të largohem, kjo është dita e 17 dhe s’do të tërhiqemi. Rama ka thënë se ka punë, por s’ka profesionistë. Punë ka por merret me mik. Rama ik largohu! S’kemi të drejta, sa e sa njerëz vuajnë, kemi shumë të paarsimuar.", u shpreh ajo./Dosja.al
TIRANË- Në një fjalim të mbushur me tone të ashpra dhe thirrje për ndërgjegjësim, profesori i njohur Lush Susaj ka motivuar studentët e pranishëm në protestë.
Profesori tha se, rinia duket të bëhet e përgjegjshme duke votuar për ata që i mbajnë në universitete.
Susaj i konsideroi studentët si pjesën më të masakruar të shoqërisë, duke shtuar se, në krye të institucioneve arsimore nuk janë vendosur njerëz të dijes, por emra të emëruar nga partia dhe kryeministri.
“Përshëndetje të nderuar bashkëqytetarë. Shpreh respekt për çdo protestues, sepse sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm, dhe jo për sehirxhinj. Shpreh mirënjohje dhe dhimbje për studentët e Shqipërisë, pjesa më delikate dhe më e masakruar në këto 35 vite. O shqiptarë, o bashkombasit e mi, nuk ka vend më keq se Shqipëria që ka masakruar shkollat. Të nderuar studentë, ju flet një njeri që fëmijën e vetë e ka arsimuar në Shqipëri.
Universitetet e Shqipërisë, klika sorosiane i ka kthyer në strehë korrupsioni. Nuk u jepet mundësi intelektualëve, por spurdhjakëve e nepotizmit të partisë. Sot shkolla nuk u vu në funksion të qytetarëve, por të hajdutëve. Kurrë studentët dhe nxënësit e Shqipërisë, nuk i dëgjoi kurrë njeri, por në krye të shkollave u vunë njerëz të partisë dhe të kryeministrit. Bëhuni njerëz të përgjegjshëm. Mos vononi më kurrë hasnim e fëmijëve tuaj! Bëhuni të përgjegjshëm dhe votoni ata që ju mbajnë në universitete.”, tha ai./Dosja.al
TIRANË- Një i ri e ka cilësuar kryeministrin si të vetmin person të zhgënjyer nga vazhdimësia e qëndresës qytetare.
Sipas protestuesit, përpjekjet e kryeministrit për të minimizuar rëndësinë e marshimit kanë dështuar, duke provuar se revolta nuk po zbehet. Ai theksoi se fokusi i vërtetë i shqetësimit qytetar nuk është protesta në vetvete, por edhe largimi i profesionistëve nga Shqipëria.
“Në të vërtetë, i zhgënjyeri i vërtetë është Rama. Se nuk po e zbeh dot protestën! Keqardhje nuk ndjejmë për marshimin, por sepse ku janë inxhinierët që do ndërtojnë Shqipërinë që këta e shkatërruan! Ku janë doktorët dhe mjekët që do të mjekojnë plagët e kësaj Shqipërie që këta e plagosën.”, tha ai./Dosja.al
TIRANË- Një protestues i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama se protesta po dëmton imazhin e vendit dhe turizmin.
I riu e ka pyetur nëse kryeministri është në dijeni të familjeve shqiptare që nuk kanë mundësi ekonomike të shkojnë për pushime.
Ai theksoi se këto deklarata janë të pabaza, ndërsa shtoi se protesta po mbështetet gjerësisht edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
“Kryeministri tha se kjo protestë po dëmton turizmin. A e di z. kryeministër se ka familje shqiptare që nuk kanë qenë kurrë në bregdet me pushime?, u shpreh i riu./Dosja.al
TIRANË- Në podiumin para Kryeministrisë, një vajzë e re i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të anulojë projektet aktuale dhe të largohet nga vendi.
Ajo theksoi se asnjë nga këto nisma nuk është në shërbim të interesave të tyre.
“Ai tha se projekti është në interes të publikut. Por kur ka qenë? Kurrë! Anulo projektet, dhe zhduku nga Shqipëria.”, tha ajo.

TIRANË- Organizimi i protestës ka pësuar disa ndryshime thelbësore. Duke filluar nga dita e nesërme, për shkak të temperaturave të larta, protesta do të zhvendoset në orën 19:00.
Një tjetër risi është heqja e fjalimeve në podium, ndërsa lidershipi i protestës i është besuar të rinjve të "Gjeneratës Z".
Një nga organizatorët, Arben Kola, rikonfirmoi se objektivi kryesor mbetet rrëzimi i qeverisë dhe i kastës politike.
"Qëllimi ynë mbetet rrëzimi i qeverisë dhe kastës politike, por kërkojmë vëmendje dhe kujdes, pasi në shesh ka edhe fëmijë. Kjo protestë është unike dhe është kthyer në një frymëzim. Ne do të nisemi, ndërsa gratë dhe fëmijët do të zënë vendin e parë.", u shpreh Kola./Dosja.al
TIRANË- Protestuesja Doriana Musai ka deklaruar se ngjarja e 30 majit, ndryshe nga protestat e mëparshme, e ka indinjuar atë të protestojë për shkak të cenimit të rëndë të dinjitetit njerëzor.
Sipas saj, tërheqja zvarrë e qytetarit ishte 'pika që derdhi gotën'pas një akumulimi të gjatë të pakënaqësisë qytetare.
Ajo e cilësoi këtë rast si një tregues të qartë të degradimit të shtetit ligjor, duke nënvizuar se dhuna ndodhi nën sytë e policisë.
"Unë kam protestuar gjithmonë, por kësaj radhe më indinjoi shumë shkelja e dinjitetit njerëzor që u krye në datë 30 maj. Deri në atë moment ne ishim përballë me policinë, kundrejt një përplasjeje qytetar–shtet, por të vinin forca të treta, anonime dhe të dhunonin qytetarin, ishte e patolerueshme.
Kjo është rënie e shtetit, e shtetit të së drejtës, dhe praktikisht ndodhi para policisë së shtetit. Në këtë rast m’u duk policia e pambrojtur dhe e dorëzuar para një rendi mafioz, i cili është instaluar në qytet dhe tani ka marrë edhe zonat tona të mbrojtura, bukurinë e vendit që i përkasin popullit. Gjatë këtyre viteve unë mendoj se kjo ishte diçka e akumuluar prej kohësh. Ai akti i tërheqjes zvarrë të një qytetari ishte momenti që ndezi flakën.
Ai akt barbar i trajtimit të një qytetari dhe zhveshja e shtetit nga mbrojtja e qytetarit, pamë atë ditë arrogancën e pushtetit, pamë se si tokat po shkëmbeheshin për përfitimet e një privati, pamë shtetin të dorëzuar dhe figurën e policisë të dhunuar sepse u injorua dhe u përjashtua, qytetarët u ndjenë vetëm në atë moment.", tha protestuesja./Dosja.al

SAZAN- Qindra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të bllokuar planet e Jared Kushner për të ndërtuar një resort. Por ata nuk janë të vetmit miliarderë që veprojnë sikur e gjithë bota të ishte në shitje.
A kanë thënë shqiptarët faleminderit një herë? Ka javë të tëra që ankohen, ankohen, ankohen në rrugët e Tiranës vetëm sepse Ivanka Trump dhe Jared Kushner duan të zhvendosin disa flamingo dhe të ndërtojnë një vendpushim luksoz. Duke parë të gjitha protestat, njerëzit e thjeshtë nuk e kuptojnë se çfarë vizionarësh janë Trump-Kushner.
As nuk e kuptojnë që Ivanka ishte ajo që zbuloi ishullin e Sazanit. Ishulli ka qenë aty, por nuk ka pasur kaq emër, derisa Ivanka e pa nga një jaht dhe notoi drejt tij për ta eksploruar.
"Ne shkuam për një shëtitje, zbathur deri në majë, dhe thjesht u mahnitëm", tregoi Ivanka në podcastin David Senra në maj.
Aventurat e Kushnerit në pasuri të paluajtshme në Shqipëri nuk janë të reja; qeveria e vendit i dha Atlantic Incubation Partners, një LLC të lidhur me Kushnerin, statusin e "investitorit strategjik" në vitin 2025, pak pasi Donald Trump fitoi zgjedhjet.
Teksa në Shqipëri ka shpërthyer zemërimi, Ivanka foli gjatë në një intervistë për ishullin. Intervista e saj në podcast bëri që projekti të njihej në gjithë botën dhe shkaktoi më shumë zemërim te njerëzit vendas. Shumë prej tyre nuk e pëlqyen që një e huaj e re fliste për “zbulimin” e tokës së tyre. As nuk janë të emocionuar kur miliarderët duan të marrin ishullin më të madh të vendit tuaj, i cili është pronë publike, për fitim privat.
Planet e zhvillimit të Kushnerit në Shqipëri kanë shkaktuar shumë reagime dhe janë quajtur “revolucion flamingo”. Deri në 200,000 njerëz kanë dalë në rrugë në Shqipëri çdo ditë për më shumë se dy javë duke protestuar. SPAK ka nisur një hetim për projektin e Kushnerit për të zbuluar pse toka humbi papritur statusin e mbrojtur.
Ndërkohë, një raport nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative pohoi se projekti përfshin një rrjet kompanish dhe individësh me prejardhje të dyshimtë. Disa shqiptarë tani po bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama. Nëse zemërimi vazhdon, fjalët e Ivankës mund të bëhen arsyeja në podcast që të ndikojë në rrëzimin e një qeverie.
Nga ana tjetër, Rama ka thënë se nuk do të japë dorëheqjen dhe po sillet shumë në stilin Trump në qasjen e tij ndaj kritikave. Të premten, Rama i tha MS NOW (ish-MSNBC) se askush nuk interesohet për flamingot budallenj, habitati i të cilëve është në rrezik dhe i hodhi poshtë kritikat ndaj projektit të Kushner. Ai gjithashtu akuzoi njerëzit se po e përdorin Shqipërinë për të sulmuar administratën Trump.
Por nuk janë vetëm flamingot që njerëzit i kushtojnë vëmendje, apo jo? Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka të bëjë me miliarderë dhe kolonialistë kriptovalutash, të cilët duket se mendojnë se e gjithë bota mund të blihet ose të plaçkitet. Investitori belg i kriptovalutave, Olivier Janssens, për shembull, është përpjekur të ndërtojë një parajsë libertariane të quajtur Destiny në ishullin e Nevisit, me sistemin e vet gjyqësor.
Pastaj është Próspera, një qytet privat në Honduras i mbështetur nga Peter Thiel, me ligjet dhe forcën e vet policore. Dhe, sigurisht, është Gaza, e cila është rrafshuar me tokën dhe është përgatitur për pronën "shumë të vlefshme" bregdetare për të cilën Kushner ka folur me zë të lartë.
Gaza është ende në një harresë, por një plan që qarkullonte midis Trump dhe miqve të tij parashikonte zhvendosjen "vullnetare" të të gjithë popullsisë palestineze dhe krijimin e një qyteti tjetër. Vitin e kaluar, u raportua se shumë investitorë të teknologjisë në Silicon Valley po mbështesnin idenë që Trump të pushtonte Groenlandën në mënyrë që ta shndërronin atë në një "qytet lirie".
Ndërsa hyjmë në një epokë të re trilionerësh, ku një grusht njerëzish kanë më shumë burime se shumë vende, nuk jam i sigurt nëse është hiperbolë të thuash se jemi në fillim të fundit të shteteve kombëtare. Pa "revolucione flamingo" globale, do të shohim më shumë grabitje tokash lakmitare të ripaketuara si mendim vizionar.
"Ndihet si një sfidë më shumë se çdo gjë tjetër.Kulmi i gjithë përvojës sime në pasuri të paluajtshme, i të gjitha udhëtimeve të mia, shumë reflektim mbi mënyrën se si dua të jetoj, si mendoj se njerëzit gjithnjë e më shumë po duan të jetojnë...", tha Ivanka gjatë intervistës së saj në podcast për resortin e saj në Shqipëri.
Nuk mund të flas në emër të popullit. Por më lejoni t'ju tregoj se si dua të jetoj, Ivanka. Në paqe në një demokraci pa i dëgjuar kurrë më emrat Trump ose Kushner./The Guardian.
TIRANË- Një protestuese ka deklaruar se për shkak të temperaturave të larta, orari i i protestës do të shtyhet.
Gjatë grumbullimit në shesh, u lajmëruar se tashmë protesta do të nisë në orën e 19:00.
“Nuk do të ndalemi, tashmë frika është thyer. Do të shtyjmë orarin e protestës, sepse është vapë”, tha zonja./Dosja.al