Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Një njësi ushtarake elitare iraniane ka goditur Izraelin me një breshëri raketash që synonin disa qytete gjatë natës. • Ata më tej kanë theksuar se do të kryejnë edhe më shumë sulme shkatërruese kundër objektivave jetikë. • Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz ka kërcënuar banorët e Teheranit duke u shprehur se ata do të vuajnë hakmarrjen për sulmet raketore iraniane që kanë shkaktuar dëme të mëdha në zonat e banuara izraelite. • Nga këto sulme janë vrarë 21 persona dhe duke plagosur qindra të tjerë që nga e premtja. • Breshërit e raketave iraniane kanë synuar vazhdimisht zonën metropolitane të Tel Avivit me popullsi të dendur dhe qytetet përreth që nga fillimi i luftimeve të premten, si dhe zonën e Haifës. • Ministria e Shëndetësisë thotë se 8 persona humbën jetën dhe 287 persona u shtruan në spital në të gjithë vendin gjatë natës si pasojë e sulmeve me raketa nga Irani në veri dhe qendër të vendit. • Një person është në gjendje të rëndë dhe 14 të tjerë janë të plagosur lehtë, përfshirë dy në Spitalin e Fëmijëve Schneider në Petah Tikvah. • Shumica e të tjerëve janë të plagosur lehtë ose kanë pësuar shok akut. • Mediat iraniane raportojnë se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei u zhvendos në një bunker nëntokësor në Lavizan në verilindje të Teheranit disa orë pasi Izraeli filloi sulmet e tij në Teheran. • Iran International duke cituar dy burime të informuara brenda Iranit u shpreh se të gjithë anëtarët e familjes së Khameneit duke përfshirë djalin e tij Mojtaba janë në një bunker.
12 artikuj për këtë temë.
GJERMANI- Ministri i Jashtëm gjerman, Johan Vandeful ka bërë thirrje që Irani të braktisë përpjekjet e tij për të zhvilluar armë bërthamore, në mënyrë që, siç tha ai, të bëjë të mundur zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes negociatave.
"Irani duhet të demonstrojë një gatishmëri të qartë për të hequr dorë nga armët bërthamore. Atëherë do të ketë një mundësi për të zgjidhur konfliktin e armatosur midis Izraelit dhe Iranit dhe për të hyrë në një fazë negociatash", tha Vandeful në një intervistë me Radion Gjermane, duke theksuar se Irani ka marrë paralajmërime vazhdimisht për këtë çështje.
Në të njëjtën intervistë, ministri i jashtëm vuri në dukje se nuk pret përfshirjen e SHBA-së në konfliktin Izrael-Iran, diçka që është përjashtuar tashmë nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
"Është shumë e qartë në të gjitha deklaratat dhe në të gjitha veprimet. Nuk kam asnjë tregues se SHBA-të do të ishin të interesuara të përfshiheshin", tha Johan Vandeful.
Forcat Ajrore Gjermane nuk morën pjesë në furnizimin me karburant të avionëve luftarakë izraelitë. Ministria e Mbrojtjes mohoi informacionin në lidhje me mbështetjen e Forcave Ajrore Gjermane për avionët luftarakë izraelitë në sulmet kundër Iranit.
"Nuk pati furnizim me karburant të avionëve luftarakë izraelitë nga avionët e Forcave Ajrore Gjermane", tha zëdhënësi i ministrisë Kenneth Harms, duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me raportet se një Airbus A400M i Bundeswehr ishte në zonë gjatë sulmeve izraelite.
Një avion tanker gjerman është në Jordani si pjesë e misionit ndërkombëtar kundër organizatës terroriste "Shteti Islamik", me qëllim furnizimin me karburant të avionëve luftarakë të vendeve partnere, si Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca. Furnizimi me karburant në këtë kontekst kryhet rregullisht, tha zëdhënësi, duke iu referuar furnizimit me karburant të Rafale francezëve në javët e fundit.
"Sigurisht që është edhe misioni i forcave aleate të stacionuara atje të mbrojnë veten dhe në këtë kontekst nuk mund të përjashtohet mundësia që pilotët luftarakë të veprojnë në vetëmbrojtje kundër kërcënimeve. Kjo është legjitime dhe mbulohet gjithashtu nga mandati i misionit", shtoi ai.
IRAN- Irani ka deklaruar se kërkon t’i japë fund armiqësive dhe të rifillojë bisedimet mbi programet e tij bërthamore, duke u dërguar mesazhe Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara nëpërmjet ndërmjetësve arabë.
Në mes të një fushate të egër ajrore izraelite, Teherani u ka thënë zyrtarëve arabë se do të jenë të hapur për tu rikthyer në tryezën e negociatave për sa kohë që SHBA-të nuk i bashkohen sulmit. Sipas Wall Street Journal, ata gjithashtu i përcollën mesazhe Izraelit duke thënë se është në interes të të dyja palëve, që dhuna të mbahet nën kontroll.
Gjithashtu Izraeli i cili kontrollon aktualisht hapësirën ajrore mbi Teheran dhe përballet me kundërsulme iraniane që shkaktojnë dëme të vogla ka pak arsye për të ndalur ofensivën. Efekti i sulmeve izraelite mbi objektet bërthamore iraniane ka qenë i kufizuar.
Nga ana tjetër, sipas diplomatëve arabë që kanë folur me përfaqësues iranianë, Teherani duket se po llogarit që Izraeli nuk mund të përballojë një luftë të zgjatur dhe rraskapitëse, dhe se në fund do të detyrohet të kërkojë një zgjidhje diplomatike.
LINDJE E MESME- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu drejtua me një mesazh të ri qytetarëve iranianë, duke u bërë thirrje të largohen sa më shpejt nga Teherani. Më parë zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se banorët e kryeqytetit iranian do të paguajnë çmimin për sulmet me raketa të Iranit.
Sulmet iraniane kanë shkaktuar të paktën tetë viktima në Izraelin Qendror, ndërsa rreth 300 persona janë shtruar në spital pas shpërthimeve në qytete si Tel Avivi dhe Haifa. Në një komunikim të përbashkët, presidentët Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan theksuan se vetëm diplomacia mund të sjellë një zgjidhje për krizën Iran-Izrael.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë iraniane, që nga fillimi i konflikteve të premten janë vrarë të paktën 224 iranianë nga sulmet izraelite, ku 90% e viktimave janë civilë.
LINDJE E MESME- Irani po përgatit një projektligj për të zyrtarizuar tërheqjen e tij nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore. Ky traktat aktualisht e detyron ligjërisht Iranin me bashkësinë ndërkombëtare të mos zhvillojë armë bërthamore.
Sipas një zëdhënëseje të Ministrisë së Jashtme të Teheranit, parlamenti iranian po përgatit një projektligj të kësaj natyre. Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore ka hyrë në fuqi që nga vitet 1970 dhe Izraeli nuk është palë në të.
LINDJE E MESME- Ambasada e Rusisë në Tel Aviv u ka bërë thirrje qytetarëve të saj të largohen nga atje. Ambasadori rus Anatoly Viktorov tha për mediat shtetërore këtë të hënë se të gjithë qytetarët rusë që janë në Izrael duhet të largohen nga vendi derisa situata të normalizohet. Ai i ka këshilluar qytetarët të largohen përmes Egjiptit, ku kanë qasje pa viza dhe mund të marrin fluturime për t’u kthyer në Rusi. Ambasadori tha se po shqyrtohen plane emergjente në rast se një evakuim më i gjerë bëhet i nevojshëm.
“Situata është e tensionuar, duhet ta pranoj. Kërcënimi për jetën dhe shëndetin si të diplomatëve ashtu edhe të qytetarëve rusë në Izrael është mjaft real", tha ai.
Ambasada e Rusisë në Teheran pezulloi përkohësisht aktivitetin në konsullatën e saj atje dhe tërhoqi një grup qytetarësh të saj nga vendi. Pas paralajmërimeve zyrtare të premten e kaluar, autoriteti i aviacionit civil të Rusisë urdhëroi linjat ajrore të pezullonin fluturimet për në Iran dhe Izrael dhe të shmangnin hapësirën ajrore mbi këto vende, si dhe Jordaninë dhe Irakun, të paktën deri më 26 qershor.
GJERMANIA- Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka kërkuar Iranit që të ndërpresë "menjëherë" sulmet ndaj objektivave civile në Izrael. Në të njëjtën kohë, ai riafirmoi qëndrimin e Gjermanisë se Republika Islamike "nuk duhet të zhvillojë ose të zotërojë armë bërthamore". "Do të ishte një kërcënim për Izraelin, Lindjen e Mesme dhe bashkësinë ndërkombëtare në tërësi", deklaroi kancelari në Berlin para se të nisej për në samitin e G7-ës në Kanada. Krerët e shteteve dhe qeverive të Grupit të shtatë kombeve kryesore demokratike të industrializuara do të takohen atje.
Izraeli ka të drejtë të "mbrojë ekzistencën dhe sigurinë e qytetarëve të tij", theksoi Merzi. "Kjo çështje do të jetë shumë lart në agjendën e samitit të G7-ës".
Kancelari theksoi se konflikti nuk duhet të përhapet: "Shtetet e tjera në rajon nuk duhet të bëhen shesh beteje." Prandaj, tani duhet të kërkohet një zgjidhje me anë të mjeteve diplomatike. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul është në kontakt të ngushtë me homologët në rajon për ta arritur këtë. Vetë Merzi telefonoi Sulltanin e Omanit, duke e falënderuar për përpjekjet e tij të ndërmjetësimit për t'i dhënë fund programit bërthamor.
Më tej, kancelari bëri të ditur: "Në Gjermani, ne po përgatitemi gjithashtu në rast se Irani vendos të sulmojë objektiva izraelite ose hebraike në vendin tonë."
Izraeli planifikon të "ndryshojë realitetin në Lindjen e Mesme"
Lufta kundër Iranit dhe programit të tij bërthamor nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e vendit, theksoi Presidenti izraelit Yitzhak Herzog. "Qëllimi ynë është të ndryshojmë realitetin në Lindjen e Mesme", tha ai gjatë një vizite në qytetin Bat Yam, në Izraelin qendror. Atje u vranë disa vetë në sulmet me raketa iraniane gjatë natës. "Nuk mund të ndodhë që Perandoria e së Keqes të vazhdojë të lëshojë raketa dhe të zhvillojë aftësi bërthamore, të cilat përfaqësojnë kërcënimin më të rrezikshëm për njerëzimin", theksoi Herzogu. Prandaj, Izraeli nuk po mbron vetëm veten, "por edhe Lindjen e Mesme, vetë njerëzimin dhe paqen botërore", sipas presidentit izraelit. Ai u bëri thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të G7 të qëndrojnë pranë Izraelit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi në Bat Yam gjithashtu hakmarrje. "Irani do të paguajë një çmim të lartë për vrasjen e qëllimshme të civilëve, grave dhe fëmijëve", deklaroi Netanyahu. "Mendoni se çfarë do të ndodhte nëse Irani do të kishte armë bërthamore që mund të aktivizonte kundër qyteteve izraelite", shtoi kryeministri izraelit.
Raporte për shumë të vdekur dhe qindra të plagosur
Që nga nata e së premtes,Izraeli ka sulmuarobjektiva të shumta në Iran, duke përfshirë objekte bërthamore dhe ushtarake. Republika Islamike u përgjigj me kundërsulme. Sipas raporteve të medias, të paktën 138 persona janë vrarë në Iran që nga e premtja, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Qindra njerëz thuhet se janë plagosur. Sipas shifrave zyrtare, të paktën 13 persona janë vrarë dhe rreth 400 të tjerë janë plagosur në Izrael që nga fillimi i sulmeve.
Presidenti iranian Masoud Peseshkian paralajmëroi se përgjigjja e vendit të tij ndaj sulmeve do të ishte "më e vendosur dhe e ashpër" nëse "veprimet armiqësore" të Izraelit do të vazhdonin. Deri tani, ushtria iraniane është përgjigjur "me vendosmëri dhe në mënyrë të përshtatshme".
Radioja iraniane raportoi shpërthime të dielën pranë Aeroportit Mehrabad të Teheranit dhe në veri të kryeqytetit. Ushtria izraelite njoftoi se më shumë se 80 objektiva në Teheran ishin sulmuar gjatë natës së së shtunës deri të dielën.
Alarmet për sulme ajrore u aktivizuan përsëri të dielën në Jerusalem, Tel Aviv dhe gjetkë. Hapësira ajrore izraelite mbetet e mbyllur "për arsye sigurie". Nuk ka ngritje ose ulje avionësh në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion./ DW
IRAN- Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian tha në një fjalim para parlamentit se vendi i tij nuk kërkon luftë dhe nuk është ai që e filloi atë. Pezeshkian theksoi se ata nuk janë agresorët dhe se sot më shumë se kurrë kanë nevojë për unitet dhe kohezion. Ai shtoi se të gjithë qytetarët iranianë duhet të bashkohen dhe të qëndrojnë të fortë kundër atyre që i sulmojnë.
"Bazuar në politikat e shpallura nga Udhëheqësi Suprem, nuk ishim ne që u distancuam nga fusha e negociatave dhe dialogut, por ne që filluam negociatat indirekte. Ne po negocionim dhe, bazuar në politikat e Udhëheqësit Suprem, ne nuk kërkojmë armë bërthamore, dhe ky është besimi ynë", tha ai.
Sipas tij Irani ka të drejtë të përfitojë nga energjia bërthamore dhe kërkimet që i sjellin dobi kësaj shoqërie, dhe askush nuk ka të drejtë t’ia heqë këtë të drejtë sistemit dhe Republikës Islamike. Ai theksoi se ata nuk kanë frikë nga askush.
Sipas tij Amerika përdor forcën dhe, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare po lejon Izraelin të pushtojë dhe sulmojë Irani.
"Ne nuk kërkuam luftë dhe nuk e filluam ne luftën. Nuk ishim ne që vramë komandantët dhe shkencëtarët e vendit, por terroristët. Çfarë mëkati ka bërë një shkencëtar që dikush nga ana tjetër e botës të vijë dhe ta shkatërrojë dhe shfarosë familjen e tij dhe veten e tij?”, theksoi ai.
IRAN- Gjyqësori iranian njoftoi varjen e një burri që u arrestua në vitin 2023 me akuzën se ishte agjent për shërbimin e inteligjencës së jashtme të Izraelit, Mossad. Vrasja e tij vjen gjatë ditës së katërt të sulmeve me raketa midis Iranit dhe Izraelit.
"Esmail Fekri, një agjent i Mossadit i cili u shpall fajtor për krimet e korrupsionit në tokë dhe moharebeh (që do të thotë luftë kundër Zotit), u var pas një procesi gjyqësor", raportoi agjencia e lajmeve Tasnim. Ky është ekzekutimi i tretë i një personi të dënuar për spiunazh për Izraelin në javët e fundit.
Sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Izraelit, “Operacioni Premtimi i Vërtetë 1”, u zhvillua më 13 prill 2024 dhe përfshiu mbi 300 raketa dhe drone që synonin instalimet ushtarake. Sulmi ishte si hakmarrje për vrasjen e dy gjeneralëve iranianë në Damask.
Ndërsa “Operacioni Premtimi i Vërtetë 2” pasoi më 1 tetor 2024, me rreth 200 raketa të drejtuara ndaj objekteve ushtarake izraelite në përgjigje të vrasjes së liderëve militantë të lidhur me Iranin, duke përfshirë ish-shefin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Ndërkohë të dielën, Izraeli sulmoi për herë të parë qytetin Mashhad, që ndodhet 2300 kilometra larg shtetit hebre. Një burim diplomatik në Lindjen e Mesme i tha Iran International se sulmi ajror izraelit në Mashhad ishte një paralajmërim për Udhëheqësin Suprem të Iranit se ai nuk është i sigurt askund në vend.
IZRAEL- Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz ka kërcënuar banorët e Teheranit duke u shprehur se ata do të vuajnë hakmarrjen për sulmet raketore iraniane që kanë shkaktuar dëme të mëdha në zonat e banuara izraelite. Nga këto sulme janë vrarë 21 persona dhe duke plagosur qindra të tjerë që nga e premtja.
“Diktatori arrogant i Teheranit është shndërruar në një vrasës të frikësuar që qëllon në frontin civil të Izraelit me qëllim që të pengojë IDF-në të vazhdojë të kryejë sulme që po shkatërrojnë aftësitë e tij”, tha Katz në një deklaratë.
"Banorët e Teheranit do ta paguajnë çmimin, dhe së shpejti," shtoi ai.
Breshërit e raketave iraniane kanë synuar vazhdimisht zonën metropolitane të Tel Avivit me popullsi të dendur dhe qytetet përreth që nga fillimi i luftimeve të premten, si dhe zonën e Haifës. Ministria e Shëndetësisë thotë se 8 persona humbën jetën dhe 287 persona u shtruan në spital në të gjithë vendin gjatë natës si pasojë e sulmeve me raketa nga Irani në veri dhe qendër të vendit.
Një person është në gjendje të rëndë dhe 14 të tjerë janë të plagosur lehtë, përfshirë dy në Spitalin e Fëmijëve Schneider në Petah Tikvah. Shumica e të tjerëve janë të plagosur lehtë ose kanë pësuar shok akut.
IRAN- Sulmi ajror izraelit ndaj Iranit dhe sulmet iraniane shënojnë përshkallëzim të ri në konfliktin e Lindjes së Mesme. Gjermania tani përballet me një sprovë të madhe të politikës së jashtme.
Politika e Gjermanisë në Lindjen e Mesme është gjithmonë një akt balancimi. Tani do të jetë edhe më e vështirë. Me sulmin e Izraelit ndaj objektivave në Iran, marrëdhëniet e ngushta midis Gjermanisë dhe Izraelit ka të ngjarë të vihen edhe më nën presion.
Siguria e Izraelit është pjesë e "kauzës shtetërore" të Gjermanisë, Kështu e ka formuluar ish-kancelarja Angela Merkel, që do të thotë Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë për sigurinë e Izraelit për shkak të historisë së saj të vrasjes së miliona hebrenjve gjatë epokës naziste. Pasardhësi i Merkelit, Olaf Scholz, e ripohoi këtë "kauzë shtetërore" pasi grupi radikal islamist Hamas kreu masakër të pashembullt në Izrael në tetor 2023.
Por veprimet gjithnjë e më të ashpra të Izraelit në Rripin e Gazës si hakmarrje pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë pozicionimin për qeverinë gjermane në Berlin. Kancelari aktual Friedrich Merz tha disa ditë më parë: "Sinqerisht, nuk e kuptoj më se çfarë po bën ushtria izraelite në Rripin e Gazës dhe cili është qëllimi i saj". Një dëm i tillë ndaj popullsisë civile, tha ai, nuk mund të justifikohet më si një luftë kundër terrorizmit të Hamasit. Por kjo nuk ka pasur pasoja. Dërgesat e armëve gjermane në Izrael, për shembull, vazhdojnë.
Frika nga shkallëzimi i ri
Izraeli mbron sulmet e tij të fundit ndaj Iranit, duke përmendur një "kërcënim të menjëhershëm dhe ekzistencial" nga Irani. Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, foli për një "sulm parandalues". Thuhet se Irani se ishte afër zhvillimit të një bombe bërthamore dhe Izraeli donte ta parandalonte këtë.
Qeveria gjermane ndan në thelb shqetësimet e Izraelit. Në një deklaratë për shtyp mëngjesin pas sulmit, kancelari Friedrich Merz përsëriti "se Izraeli ka të drejtë të mbrojë ekzistencën dhe sigurinë e qytetarëve të tij". Ai deklaroi se kishte folur në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e informoi për veprimet ushtarake dhe objektivat e tyre.
Më tej Merz: "Qeveria gjermane ka shprehur vazhdimisht shqetësimin e saj në lidhje me programin e përparuar të armëve bërthamore të Iranit për shumë vite. (...) Ky program bërthamor shkel dispozitat e Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore dhe përbën një kërcënim serioz për të gjithë rajonin, veçanërisht për shtetin e Izraelit." Qëllimi duhet të mbetet "që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore".
Europa si spektatore
Reagimi i qeverisë gjermane ishte i parashikueshëm, thotë Hans-Jakob Schindler, një ekspert i Lindjes së Mesme në organizatën ndërkombëtare Counter Extremism Project. Gjermania luan vetëm një rol dytësor në konfliktin e Lindjes së Mesme dhe nuk është në gjendje të ndërmjetësojë në mënyrë aktive. "Sigurisht, mund të ofrohet ta bëjë këtë. Por tani negociatat e drejtpërdrejta midis SHBA-së dhe iranianëve janë thelbësore", tha Schindler për DW. "Formati i negociatave të së kaluarës - Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja me iranianët - nuk është më pjesë e kësaj formule. Fatkeqësisht, evropianët tani janë më shumë spektatorë sesa aktorë në këtë konflikt."
Schindler nuk beson se përshkallëzimi aktual do të ndryshojë parimet bazë të politikës së Gjermanisë ndaj Izraelit. "Ne nuk jemi thjesht një vend tjetër; ne jemi Gjermania me historinë e Holokaustit. Në këtë drejtim, nuk ka absolutisht asnjë zgjedhje tjetër morale dhe etike përveçse të tregojmë solidaritet me Izraelin." Megjithatë, kjo nuk do të thotë që dikush duhet të miratojë automatikisht çdo operacion të ushtrisë izraelite dhe çdo vendim të qeverisë izraelite, vazhdoi Schindler. "Qeveria e re federale dukej shumë më e gatshme të kritikonte sesa qeveria e mëparshme."
Sa larg shkon e drejta për vetëmbrojtje?
Pas sulmit izraelit, eksperti i politikës së jashtme i SPD-së, Rolf Mützenich, i tha Deutschlandfunk se Izraeli kishte të drejtë për vetëmbrojtje. Megjithatë, kjo lidhej me një rrezik të menjëhershëm dhe një kërcënim ekzistencial. Nëse Izraeli iduhej ta shfrytëzonte këtë të drejtë, me siguri do të trajtohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Mützenich theksoi gjithashtu rrezikun e programit bërthamor të Iranit. "Teherani ka qenë gjithmonë i papërgjegjshëm në këtë spirale", tha ai.
Çështja nëse sulmi i Izraelit ishte legjitim sipas ligjit ndërkombëtar po diskutohet mjaft. Ekspertë ndërkombëtarë theksojnë se një sulm parandalues justifikohet vetëm në rrethana shumë të ngushta - për shembull, në rastin e një kërcënimi të afërt që nuk mund të shmanget në asnjë mënyrë tjetër.
"Kjo nuk është vetëmbrojtje, por një sulm në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare", tha Jan van Aken, kryetar i Partisë së Majtë gjermane, në një intervistë me DW. "Sigurisht, vendeve u lejohet të mbrohen nga sulmet. Por ky nuk ishte një sulm akut me armë bërthamore. Përkundrazi: për shkak se inspektorët ndërkombëtarë janë në Iran, ne e dimë se Irani aktualisht nuk ka uranium të pasuruar shumë në nivelin 90%", i cili është i nevojshëm për një bombë, tha van Aken. Sulmi eliminoi kontrollet. Prandaj, Irani tani do të jetë në gjendje të ndërtojë një bombë më shpejt "sesa nëse do të kishim vazhduar të mbështeteshim në diplomacinë e matur".
Qeveria gjermane tani duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar që negociatat për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin të mos ndërpriten. Gjermania ka "një përgjegjësi shumë të veçantë për Izraelin, për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe për sigurinë e Izraelit. Kjo nuk do të mbarojë kurrë. Por kjo nuk duhet të na pengojë të kritikojmë zhvillimin e paligjshëm të luftës në Gaza ose kundër Iranit dhe të ndërmarrim hapa të përshtatshëm, siç është njohja e Shtetit të Palestinës dhe ndalimi i dërgesave të armëve", theksoi van Aken.
Siguria e institucioneve hebreje në Gjermani
Ndërkohë, disa politikanë e shohin përshkallëzimin midis Izraelit dhe Iranit si një kërcënim për situatën e sigurisë në Gjermani. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt (CSU), në konsultim me ministrat e Brendshëm të landeve, njoftoi se po forcohen masat e sigurisë për të mbrojtur institucionet hebreje dhe izraelite në Gjermani. Gjermania duhet të jetë e përgatitur në rast se situata në Lindjen e Mesme shndërrohet në një kërcënim potencial për Gjermaninë. Ministria e Jashtme izraelite njoftoi se do të mbyllte të gjitha konsullatat dhe ambasadat e saj në të gjithë botën./DW
IRAN- Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei u zhvendos në një bunker nëntokësor në Lavizan në verilindje të Teheranit disa orë pasi Izraeli filloi sulmet e tij në Teheran. Iran International duke cituar dy burime të informuara brenda Iranit u shpreh se të gjithë anëtarët e familjes së Khameneit duke përfshirë djalin e tij Mojtaba janë në një bunker.
Sulmi i parë i drejtpërdrejtë i Iranit ndaj Izraelit, “Operacioni Premtimi i Vërtetë 1”, u zhvillua më 13 prill 2024 dhe përfshiu mbi 300 raketa dhe drone që synonin instalimet ushtarake. Sulmi ishte si hakmarrje për vrasjen e dy gjeneralëve iranianë në Damask.
Ndërsa “Operacioni Premtimi i Vërtetë 2” pasoi më 1 tetor 2024, me rreth 200 raketa të drejtuara ndaj objekteve ushtarake izraelite në përgjigje të vrasjes së liderëve militantë të lidhur me Iranin, duke përfshirë ish-shefin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Ndërkohë të dielën, Izraeli sulmoi për herë të parë qytetin Mashhad, që ndodhet 2300 kilometra larg shtetit hebre. Një burim diplomatik në Lindjen e Mesme i tha Iran International se sulmi ajror izraelit në Mashhad ishte një paralajmërim për Udhëheqësin Suprem të Iranit se ai nuk është i sigurt askund në vend.
IZRAEL- Një njësi ushtarake elitare iraniane pretendon se ka goditur me sukses Izraelin me një breshëri raketash që synonin disa qytete gjatë natës. Ata më tej kanë theksuar se do të kryejnë edhe më shumë sulme shkatërruese kundër objektivave jetikë.
“Një valë e re sulmesh nga Garda Revolucionare (...) lejoi që raketat të godisnin me sukses dhe në mënyrë efektive objektivat e tyre në Izrael," tha Garda në një deklaratë.
Zëdhënësi i shërbimit të shpëtimit, Magen David Adom tha se numri i të vdekurve në një breshëri raketash gjatë natës që goditi Izraelin qendror është rritur në pesë. Sipas raportimeve, viktima e fundit u gjet gjatë kërkimeve në rrënojat e një ndërtese të lartë banimi në Petah Tikva që u dëmtua gjatë sulmit.
Tre të tjerë u vranë në të njëjtin vend, dhe një burrë u vra në Bnei Brak, ku një raketë shkaktoi dëme të mëdha në një zonë banimi. Shërbimi i urgjencës thotë se 92 persona janë shtruar në spital, shumica e tyre me lëndime të lehta.
Kërkimet janë duke vazhduar në dy nga katër vendet e ndikimit. Raportet tregojnë gjithashtu se ekipet e shpëtimit po përpiqen të arrijnë dhe tre persona të bllokuar në një vend në Haifa të goditur nga një raketë.