edi rama
SPANJË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë për shtyp në Madrid ku është pyetur nëse po dështon marrëveshja me Italinë për emigrantë, duke qenë se Gjykata e Romës ka kthyer mbrapsht nga Shëngjinitre grupet e emigrantëve.
Rama u shpreh se nuk ka asnjë mendim për këtë çështje dhe se këto pyetje duhet ti drejtohen homologes së tij italiane, Giorgia Melonit. Ai tha se Shqipëria në këtë marrëveshje vetëm ka ofruar ndihmën e saj, ndërsa siguria, aspekti ligjor dhe gjithçka tjetër është italiane.
Kreu i qeverisë u pyet nëse do të ketë Shqipëria një marrëveshje të tillë me Spanjën pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Rama tha se nuk e sheh të realizueshme këtë për shkak të pozicionit gjeografik të dy vendeve. Sipas tij kjo nuk është dhe zgjidhja përfundimtare e krizës së emigracionit.
Javën e kaluar, drejtësia italiane refuzoi të zhvendosë emigrantët nga Italia në Shqipëria. Do të doja mendimin tuaj, mendoni se marrëveshja po dështon?
Rama: Nuk kam asnjë mendim për këtë. Pyetja duhet t’i drejtohet si motrës sime italiane, Meloni. Për ne është një rol shumë i thjesht, na u kërkua nga Italia që ti ndihmojmë dhe ne i detyrohemi shumë Italisë. Pasi na ka ndihmuar shumë. Së fundmi, kur patëm tërmetin shkatërrues, emergjencat italiane rrezikuan jetën e tyre dhe na ndihmuan. Si çdo vend duhet të ndihmojë tjetër. Siguria, aspekti ligjor, gjithçka është italiane. Prandaj për këtë duhet të pyesni palën italiane jo ne.
A do ketë një marrëveshje të njëjtë me Spanjën kur të integroheni në BE?
Rama: S’jam i sigurt se do kishte kuptim, lidhet me gjeografinë. Ne jemi të bashkuar nga deti me Italinë, e vetmja gjë që e bën këtë marrëveshje të arsyeshme është se emigrantët nuk ndalojnë në Itali, por ata ndalojnë në Shqipëri. Sa e bëshme do të ishte për Spanjën, që të ndalonin në Shqipëri. Nuk e shoh të mundshme. Në fund të fundit, nuk mendoj se kjo është zgjidhja përfundimtare e krizës së emigracionit.
Evropa tani duhet të merret me emigracion të paligjshëm dhe të përballet me një rënie demografike. Evropës i duhet të luftojë emigracionin, por nga ana tjetër, i duhen më shumë emigrantë. Nuk është çështje, kush tregon më shumë muskuj ndaj emigrantëve. Kjo është gjëja më e rrezikshme që po i bëjmë vetes në Evropë. Kjo mund të shkatërrojë shpirtin e Evropës. Për aq kohë sa nuk ka një politikë të përbashkët për këtë, Evropa do të jetë në telashe. Nëse Evropa e tejkalon këtë dhe bën diçka shumë më gjithëpërfshirëse, duke krijuar një mënyrë ndryshe për t’u marrë me vendet e origjinës, do të jetë një fitore e madhe.