Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Kosova feston sot 16-vjetorin e Pavarësisë. • Më 17 shkurt 2008, ditë e diel, në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall shtet i pavarur e demokratik. • Krerët e shtetit do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në mëngjes, do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz. • Në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sikurse në ditën kur u shpall pavarësia 16 vjet më parë, Kosova ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve pa dallim. • Pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca morën pjesë në ngritjen e flamurit para ndërtesës së Qeverisë. • E para e shtetit tha se në këto 16 vjet, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, teksa kujtoi dhe nderoi të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. • Kryeparlamentari Konjufca tha se 17 shkurti është dita më e rëndësishme e shtetit të Kosovës,
7 artikuj për këtë temë.
KOSOVË- Krerët shtetërorë kanë kryer homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës iu bashkëngjiten edhe ministrat qeveritarë e shumë qytetarë nga rajone të ndryshme, për të nderuar familjen Jashari.
Kosova feston sot 16-vjetorin e Pavarësisë. Më 17 shkurt 2008, ditë e diel, në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall shtet i pavarur e demokratik.
SHBA- Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar Republikën e Kosovës në 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Blinken në urimin e tij theksoi se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës kur ju festoni përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt, më të sigurt dhe më të begatë. Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes së ndërsjellë eventuale," thuhet në urimin e Blinken.
Sekretari amerikan gjithashtu përmendi dialogun e lehtësuar të BE-së, teksa inkurajoi Kosovën që të zbatojë zotimet e saj.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të “kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi”. Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të lulëzojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë. Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paçi një vit të qetë dhe të begatë”, thuhet në urimin e Blinken.
KOSOVË- Në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë para objektit të Qeverisë së Kosovës është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë Presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti. Paraprakisht u mbajtë mbledhja festive e Qeverisë, ku Kurti tha se Kosova ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.
“Ashtu sikurse ditën kur u shpall, 16 vite më parë, ashtu edhe sot si dhe cdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Andaj sot festojmë e urojmë e përgëzojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet joshumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazëzët, kroatët etj”, deklaroi Kurti.
KOSOVË- 17 shkurt, 16-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës - një përvjetor që këtë vit festohet përballë thirrjeve ndërkombëtare që politika të mos nxisë tensionet me Serbinë, me të cilën zhvillon dialog që nga viti 2011. Nga Kosova kërkohet që të mos ndërmarrë veprime të veçuara, por t'i koordinojë ato.
Marrëdhënia Kosovë-Serbi është e tensionuar që pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të shkuar në Banjskë në veri të Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku u vra një polic nga Kosova. Atëherë Kosova akuzoi Serbinë për mbështetje të grupit të armatosur. Ndërkohë përgjegjësinë për sulmin që udhëhoqi grupin e mori ish-nënkryetari i Listës Srpska, Milan Radoiçiq, i cili tashmë gjendet në Serbi. Autoritetet ndërkombëtare i kërkuan Serbisë ta hetojë rastin deri në fund dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Edhe një vendim i fundit Bankës Qendrore të Kosovës u bë shkas për rritjen e tensioneve. Me një rregullore të BQK-së përcaktohet Euro si valuta e vetme për përdorim në Kosovë. Kjo sjell ndalimin e dinarit të Serbisë, që përdoret në pothuaj të gjitha komunat e banuara me shumicë serbe. Ky veprim i Kosovës u cilësua i njëanshëm, që mund të rrisë tensionet, jo mirë i menduar dhe pa koordinim me faktorin ndërkombëtar.
Pakënaqësi për vendimin e njëanshëm të Kosovës
Megjithë thirrjet ndërkombëtare që Kosova ta pezullojë vendimin e BQK-së, që ndalon përdorimin e dinarit serb, vendimi hyri në fuqi më 1 shkurt. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O'Brien tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me këtë vendim duke nënvizuar se "me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara”. Për çështjen e ndalimit të dinarit të Serbisë në Kosovë, javën që shkoi diskutoi edhe KS-it në një seancë të jashtëzakonshme. Çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën dhe qëndrimi kritikues i miqve të Kosovës për veprimet e njëanshme të saj, për ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, janë shqetësuese.
"Është e rrallë që në Këshill të Sigurimit, përfaqësuesi amerikan të thotë gjëra kritike për Qeverinë e Kosovës. Ambasadorja Linda-Thomas Greenfield e bëri këtë. Është e rrallë që ndihmës-sekretari për Evropën, James O'Brien, të japë intervistë me tone e kontekst të tillë siç e bëri, është shumë e rrallë. Reflekton për një problem. Shpresa ime është të ndalet kjo. Nuk duam të jemi në këto rrethana. Duam të jemi në rrethana tjera”, tha në një konferencë për medie të enjten ambasadori Hovenier. "Përkushtimi i SHBA-së për qytetarët e Kosovës është më i fortë se kurrë. Pres ta festojnë së bashku të shtunën Ditën e Pavarësisë, porse është e vështirë situata. Qeveria nuk duket se po punon në partneritet, duam të evitojmë këtë”, tha Hovenier.
Kurti: SHBA partneri më i rëndësishëm
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke komentuar deklaratën e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, tha se Shtetet e Bashkuara paraqesin mikun dhe partnerin më të rëndësishëm që ka Kosova, por nuk la të nënkuptohet se do të tërhiqet nga vendimi për dinarin. "Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, deklaroi Kurti.
Presidentja Vjosa Osmani nga ana e saj, thotë se shteti i Kosovës lindi falë edhe mbështetjes së aleatëve e miqve ndërkombëtarë, në krye me SHBA-në dhe roli amerikan për krijimin e shtetit tonë është tepër evident. "Miqësinë e përhershme me Amerikën e kemi testament nga presidenti Rugova, të rrënjosur thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, ndaj, siç e dëshmoi sidomos periudha e shtetndërtimit, roli amerikan për krijimin e shtetit tonë është tepër evident, tepër përmbajtësor dhe pa dyshim kryesor”, tha Presidentja Osmani.
Por në lidhje me partneritetin qeveri e Kosovës-SHBA ambasadori amerikan, Jeffry Hovenier shprehet ndryshe. "Ne do të shpresonim që Qeveria dhe kryeministri Kurti do të angazhohen si partnerë që ta zgjidhim këtë çështje së bashku, në vend se të ndërmarrin veprime të njëanshme dhe në të kundërtën e asaj që kemi kërkuar. Jemi të shqetësuar që Qeveria dhe kryeministri Kurti nuk e kanë bërë këtë. Çfarëdolloj deklarimi se gjërat janë në rregull dhe se marrëdhëniet tona vazhdojnë, nuk janë të vërteta. Jemi të brengosur”, shprehet Hovenier.
Serioz ndryshimi i kursit politik ndërkombëtar me Kosovën
Por si i shohin analistët politikë kritikat e faktorit ndërkombëtar drejtuar Kosovës, e cila po akuzohet për veprime të njëanshme dhe pa koordinim. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se është befasuese dhe e papritur që të ndodhë një kthesë kaq e madhe e ndryshimit të kursit politik në raport me diplomacinë ndërkombëtare që ishin mbështetëse e pa rezervë e politikës kosovare. "Kosova tash po sillet plotësisht e pavarur dhe jo kooperuese që po ndërmerr veprime pa konsultime ndërkombëtare. Kjo pashmangshëm ka sjellë dy situata. E para veprimet, sipas Kurtit janë të pavarura dhe ecja e Kosovës përpara bazuar në interesa politike të tij. Dhe e dyta shtetet perëndimore janë të nevojshme kur vlerëson Kurti se ka nevojë për ta. Kjo ka bërë që jo rrallë aleatët të reagojnë dhe ta cilësojnë kryeministrin si faktor të veprimit vetjak”, thotë Burjani. Sipas tij, përderisa SHBA dhe BE e vlerësojnë sigurinë ndërkombëtare si prioritet të veprimit, Kurti duhet të zbusë kursin politik në drejtim të kooperimit me aleatët duke marr parasysh interesat e tyre gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan.
Burjani thotë se kërkohet racionalitet veprues dhe mekanizëm ure e bashkëpunimit. "Paqja dhe siguria rajonale dhe ndërkombëtare janë prioriteti më i madh i miqve të Kosovës. Frika e ndryshimit të rendit ndërkombëtar e ka shty perëndimin të mbrojë me çdo kusht këtë rend ndërkombëtar, pa ndryshuar asgjë në të.” Kryeministri Kurti duhet të jetë më shumë adoptues i rrethanave aktuale ndërkombëtare dhe rajonale kur flitet për sigurinë ndërkombëtare, thekson analisti Blerim Burjani dhe të angazhohet për një zgjidhje të plotë dhe të pa kusht me Serbinë, në kuptimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
"Sinjali i fundit që i dërgohet qeverisë"
Një retrospektivë të zhvillimeve deri tek krijimi i shtetit të Kosovës e bën analisti, Ehat Miftaraj për DW. Ai thotë se shteti i Kosovës është projekt i demokracive perëndimore duke marrë për bazë zhvillimet që kanë ndodhur nga fundi i viteve 80-ta dhe fillimi i viteve 90-ta. "Gjatë gjithë rrugëtimit të saj, Kosova dhe liderët politikë që kanë përfaqësuar Kosovën në shumë procese të rëndësishme kanë ndërtuar dhe kultivuar dialog të bazuar në mirëbesim dhe koordinim të plotë më SHBA dhe shtetet e BE-së”, thotë Miftaraj, duke shtuar se qeveria e tanishme nuk duhet të "injorojë edhe faktet dhe zotimet ndërkombëtare që vetë Republika e Kosovës i ka marr përsipër me rastin e shpalljes së deklaratës së pavarësisë”.
Miftaraj thekson, se kjo ka pasoja. "Një qasje e tillë e qeverisë së Kosovës e vë në pozitë të vështirë si SHBA-në dhe BE-në në raport me shtetet mos njohëse dhe garancionet që kanë dhënë se Kosova do të përmbushë obligimet e saj për të ndërtuar një shtet demokratik, të bazuar në vlera që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Sanksionet nga BE dhe deklarata e Ambasadorit Amerikan me një gjuhë jo diplomatike, është sinjali i fundit që i dërgohet qeverisë së kjo qasje e gabuar duhet të marr fund”, thotë Miftaraj.
Thirrje për vetëpërmbajtje e hapa normalizuese
Tensionet e muajve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë ngritur shqetësimet ndërkombëtare për një eskalim të mundshëm të situatës. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, gjatë vizitës në Shqipëri, tha se Shtetet e Bashkuara "nuk duan të shohin përsëritjen e asaj çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Bosnjë e pastaj edhe në Kosovë”. "Për këtë arsye jemi të angazhuar t'i mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe Evropën. Sa i takon Kosovës dhe Serbisë, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë rruga e vetme e duhur dhe jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur të dyja vendet që të përshkojnë këtë rrugë”, tha sekretari Blinken.
Këtë javë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çfarëdo lloj veprimi që mund të përshkallëzojë tensionet në Ballkanin Perëndimor. “Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor përgjatë muajve të fundit. Mesazhi im kryesor është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika nxitëse dhe çfarëdo veprimi që mund të përshkallëzojë më shumë tensionet në rajon. Kur flasim për Kosovën, rruga përpara është nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të dyja palëve të angazhohen në mirëbesim në këtë dialog”, tha Jens Stoltenberg.
Presidenti amerikan, Joe Biden në një mesazh urimi dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuqiç, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Serbisë, i bëri thirrje Serbisë që të bëjë hapa përpara duke përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Marrë nga DW

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 16-vjetorin e pavarësisë, ka thënë se me mbështetjen nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar u ndërtua Republika e Kosovës. Kurti, mes tjerash në një mbledhje të Qeverisë, theksoi se Kosova do të jetë shtëpia të gjithë qytetarëve pa dallim.
“Republika shteti ynë sot feston përvjetorin e 16-të. Sivjet shënojmë dy përvjetorë të rëndësishëm, 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 25 vjetorin të çlirimit tonë nga okupimi i Serbisë. Nga kemi ardhur nga, ku jemi dhe nga po shkojmë këto janë pyetje që i shtrojmë veç e veç dhe bashkërisht. Sot jam i veshur me petkun e kryeministrit të Kosovës përkatësisht kryeshërbëtorit tuaj. Ne vijmë nga një betejë çlirimtare me karakter antikolonial që rrënjët i ka te rilindja kombëtare shqiptare, prejardhja e republikës sonë është e luftë çlirimtare dhe të lëvizjet e rezistenca shekullore të popullit tonë për liri. Ne i mbijetuam gjenocidit të fundit të shekullit 20 pas luftës shkatërruese 98, 99, ne rindërtuam shtëpitë tona, me mbështetjen nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët Republikën e Kosovës. Me drejtësi e barazi për drejtat e saj kontribuuese ne paqe dhe garanci për paqe një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të gjitha pakicave i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekull pas luftës Republika jonë qëndron e fortë, përkundër sfidave shteti ynë po zhvillohet. Kosova është shtet sovran i pavarur dhe i pandashëm, ashtu si në ditën kur u shpall 16 vite më parë, Kosova ishte është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetare të saj pa dallim ne sot festojmë e urojmë jo vetëm shqiptarët por edhe komunitetin joshumicë në republikën tonë.
Kurti theksoi se prejardhja e republikës sonë është e luftës çlirimtare dhe të lëvizjet e rezistenca shekullore të popullit tonë për liri.
“Integrimet euroatlantike janë sepse duhet të jenë ylli ynë polar nga ku po shkojmë, për barazi mes popujve dhe kontinentit tonë dhe paqe brenda shteteve, për siguri për të gjithë për secilin dhe secilën, vizioni është i qartë – ne rreshtohemi me kombet paqësore demokratike që mishërojë lirinë unitetin dhe solidaritetin, kjo është arsyeja pse kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe BE. Teksa festojmë ditëlindjen e shtetit përkujtojmë çdo jetë të dhënë gjakun e derdhur, përpjekjet e vetëmohimin për të mirën e përbashkët të këtij vendi për ruajtjen e jetës dhe për jetesën e mirë për ta. Përkujtimi është i anasjellë me rininë dhe popullin tonë ecim përpara njëkohësisht duke kujtuar veprimtarinë e atyre që ishin para nesh, rrugën e kësaj vepre duhet përmbajtur, rrugën që nuk duhet lëshuar asnjëherë”, tha Kurti.
KOSOVË- Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar Kosovën në 16-vjetorin e pavarësisë. Osmani theksoi se Kosovën e duam të lirë, të pavarur dhe me aleatë.
“Të duam Kosovë. Të lirë, të pavarur, sovrane e me aleatë. Urime ditëlindjen e 16të”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.
KOSOVË- Kosova feston sot 16-vjetorin e Pavarësisë. Më 17 shkurt 2008, ditë e diel, në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall shtet i pavarur e demokratik.
Ky përvjetor do të përcillet me shumë aktivitete institucionale. Krerët e shtetit do të bëjnë ngritjen e flamurit shtetëror në mëngjes, do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova e ai i veprimtarit Adem Demaçi dhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.
Ndërkohë, Kuvendi do të mblidhet në seancë solemne. Më vonë, krerët e shtetit do të mbajnë edhe pritjen shtetërore. Deri tani, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 vende. Shteti i fundit që ka njohur është Izraeli.