Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
• Moti i keq ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit duke shkaktuar përmbytje në disa segmente rrugore. • Në Durrës rrugët pranë stadiumit të qytetit dhe te zona e 'Vollgës' janë nën ujë, duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve. • Prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë dhe reshjat kanë rritur gjithashtu nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. • Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë sjellë problematika në disa zona të qytetit të Lezhës. • Në lagjen “Besëlidhja”, situata duket se është më e rënduar si edhe në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arriturnë disa centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve. • Situata në Qarkun Kukës pas reshjeve të shumta ka qenë problematik sidomos me bllokimin e rrugëve. • Ka patur rënie të gurëve në rrugë në aksin Bajram Curri Valbonë, Sopot - Kam dhe në aksin Kukës – Shishtavec. • Si pasojë e përmbytjeve, procesi mësimor është pezulluar në të gjithë qarkun e Durrësit për shkak të pamundësisë së lëvizjes nxënësve. • lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në pikat e tij më të dobëta në fshatin Murqinë e Mallkuç në Fushë- Krujë duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore e duke bllokuar dy lagje në fshatin Murqine. • Situatë kritike është edhe në qarkun e Gjirokastrës, ku në qytet është pezulluar mësimi në shumë shkolla dhe ka mungesë të energjisë elektrike në shumë lagje.
32 artikuj për këtë temë.
VLORA- Rreshjet intensive të shiut kanë bërë të mundur që niveli i ujit në lumin Vjosë të shkojë deri në 8.6 metra. Në kudër të kësaj situatë të rrezikshme, janë evakuuar 13 familje.
Gjatë një prononcimi për mediat, kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini, deklaroi se në orët në vijim pritet një ulje e sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar.
Mersini tha se 6 familje janë në një zonë rrisku, të cilat në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen.
“Situata aktualisht është në pikë kritike sepse prurjet janë në nivelin 8.6 metra. Në orët në vazhdim presim një ulje të sasisë së ujit, duke qenë se pjesa e jugut që sjell këto prurje është stabilizuar dhe kjo do të pasqyrohet në harkun kohor të 12 orëve. Në një zonë risku kemi 6 familje që, në rast se do të kalohet kjo pikë prej 8.6 metrash, do të evakuohen. Deri më tani janë 13 familje që kanë qenë të gatshme të largohen nga zona e rrezikuar”, u shpreh kryebashkiakja.
Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se të gjitha strukturat e policisë janë të gjitha në gatishmëri. Ai tha se janë në dispozicion të gjitha mjetet me kalueshmëri të lartë, në rast emergjence.
“Strukturat e policisë janë të gjitha në gatishmëri. Kemi vënë në dispozicion të gjitha mjetet me kalueshmëri të lartë dhe, në rast nevoje për evakuim, policia dhe emergjencat civile do të ndërhyjnë kudo të jetë nevoja”, deklaroi Çela./Dosja.al
FIER- Moti i keq dhe rreshjet intensive të shiut kanë prishur argjinaturën e Çervenit. Emergjencat Civile të Bashkisë Fier, së bashku me kryebashkiakun Armando Subashi kanë shkuar në vendngjarje. Ata janë duke monitoruar situatën, e cila është krijuar si pasojë e motit të keq, që ka përfshirë vendin ditën e fundit.
Në rregullimin e argjinaturës janë përfshirë dy fadroma dhe mjete të tonazhit të rëndë. Ata janë duke punuar për riparimin e disa segmenteve, të cilat janë rrezikuar nga dalja e lumit Vjosë. Reshjet të cilat vijojnë të bien me intensitet të lartë, po vështirësojnë punën./Dosja.al
TIRANË- Ujërat e zeza kanë shpërthyer në zonën e ‘vilave Gjermane’ . Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara nga Syri.net, tubacionet e ujërave të zeza kanë hyrë në banesat e banorëve.
Këto pamje janë regjistruar ditën e sotme, në zonën ‘vilave Gjermane’, në rrugën e Elbasanit. Deri më tani, nuk raportohet për ndërhyrje nga institucionet vendore dhe qendrore./Dosja.al
BERAT- Rreshjet intensive të shiut dhe moti i keq, kanë bërë të mundur që dhjetra fshatra në qarkun e Beratit të mbeten pa energji elektrike. Pa energji elektrike kanë mbetur fshatrat Backë, Gjergjovë, Koprenckë, Gërmenj, Visockë, Qafë Helms, Melskë, Nikollarë, Dyrmish dhe Staraveckë në Njësinë Administrative Potom në bashkinë Skrapar.
Niveli i lumit Osum është drejt rritjes, ndërsa disa hektarë tokë bujqësore janë përmbytur në fshatin Veterrik. Burime nga OSHE Berat, bëjnë me dije se se grupet e punës janë në terren dhe po punohet për riparimin e shtyllave të dëmtuara. Në vendin e quajtur “Rripi i Strorës”, ka pasur prezencë gurësh. Deri më tani nuk raportohen situata emergjente./Dosja.al
TIRANË- Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur edhe disa rrugë të Tiranës pasditen e sotme. Bëhet me dije se si pasojë e reshjeve intensive, është rritur edhe niveli i ujit në lumin Lana.

Siç shihet edhe në pamje, situata më problematike paraqitet pranë pallatit me shigjeta, ku lumi mundë të dalë nga shtrati. Gjithashtu Lana është ngjitur në pjesën e lulishtes dhe rrezikon të dalë edhe në rrugë./Dosja.al
DURRËS- Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka deklaruar në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile në Durrës, se është krijuar një grup edhe me ekspertë të ujësellës. Gjatë një prononcimi për mediat, Vengu u shpreh se hidrovoret janë në funksionim të plotë, madje është aktivizuar edhe hidrovori i vjetër.
Ai tha se 5 skuadra do të shkojnë shtëpi më shtëpi në zonën e kënetës. Ministri pohoi se rreziku nuk ka kaluar në Nënshkodër, ndërsa në fshatin Obot ka përforcime sepse ka prezencë uji në zonat bujqësore, por jo në ato të banuara.
‘Kemi krijuar një grup edhe me ekspertë të ujësellës edhe me ndihmë të bashkive të tjera dje dhe një grup forcash civile dhe ushtarake në 5 zona ku kemi ende prezencë uji në banesa. Prioriteti janë njerëzit dhe zonat e banura. Elementi i dytë ka të bëj me shbllokimin e kalanve të ujërave të larta. Hidrovovet janë në funksionim të plotë madje ne kemi aktivizuar edhe hidrovorin e vjetër.
5 skuadra do të shkojnë shtëpi më shtëpi në zonën e kënetës dhe do të jemi në terren që skuadra shkon aty ku është nevoja. Nuk ka kaluar rreziku në Nënshkodër, në Obot kemi përforcime sepse ka prezencë uji në zonat bujqësore, por jo në ato të banuara. Kemi shumë prurje në Vjosë që vjenë nga Greqia, kemi përforcime edhe në argjinatura. Është një natë shumë dinamike ', tha Vengu./Dosja.al
SHKODËR- Prefektja e Shkodrës Holta Duda, ka shkuar në fshatin Obot, i cili ka pasur përmbytje si pasojë e rreshjeve intensive, sidomos orëve të fundit. Gjatë një prononcimi për mediat, Duda deklaroi se është vlerësuar deri në 60 cm prania e ujit në këtë rrugë, e cila ka bërë të pamundur që mjetet e vogla të lëvizin lirisht. Prefektja tha se forcat e armatosura janë në dispozicion të banorëve.
“Ndodhemi në Obot në pikën ku kemi pasur ujë të shtuar sidomos orët e fundit. Është vlerësuar deri në 60 cm prania e ujit në këtë rrugë që ka bërë të pamundur që mjetet e vogla të lëvizin lirisht.
Ndodhemi në terren së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, është dislokuar një mjet i i kalueshmërisë së lartë dhe ndodhen dhe forcat e armatosura në dispozicion të banorëve”, tha prefektja./Dosja.al
SHKODËR- Rreshjet intensive të shiut dhe moti i keq kanë përmbytur qindra hektarë tokë, në qarkun e Shkodrës. Në Bashkinë Shkodër vijon puna për montimin e urës tip “Bailey” në fshatin Bardhaj. Ndërkohë që strukturat e Emergjencave Civile, po monitorojnë nga afër zonat me prezencë uji.
Në fshatin Reze e Vështit ka prezëncë uji, ndërsa po vijon pastrimi i kanaleve dhe rregullimi i rrugës pranë Përroit të Thatë në fshatin Kamicë. Në fshatin Vukpalaj raportohet prezencë uji në një banesë.
Reshjet e shiut në Bashkinë Fushë Arrëz vijojnë me intensitet të lartë dhe si rezultat, kanë shkaktuar përkeqësim të situatës në disa rrugë rurale. Në njësitë administrative Iballe, Fierzë, Blerim dhe Qafë Mali, si pasojë e vërshimit të ujërave në rrugë, kanë shkaktuar dëmtimin e tyre.
Lumenjtë Drin, Buna, Kir, Gjadër, si dhe përrenjtë Glinë dhe Përroi i Thatë, kanë rënie të prurjeve dhe të nivelit të ujit. Ndërsa, Diga e Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqet rrezik dëmtimi apo përmbytjeje. Hidrovoret e Velipojës, në Vilun dhe Cas, janë në gatishmëri dhe funksionojnë me kapacitet të plotë./Dosja.al
DURRËS- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka vizituar sot familjet e përmbytura në Durrës. Blushi e ka cilësuar këtë situatë si katastrofike, ku qindra shtëpi janë përmbytur dhe shumë prana janë shkatërruar.
Ai thekson se shteti, 48 orë pas kësaj tragjedie që nuk ka ndodhur për shkak të motit, por për shkak të një qeverie të korruptuar dhe të një bashkie që ka vjedhur të paktën 46 milionë euro, është zhdukur duke i lënë këta banorë në mëshirë të fatit. Në fund, Blushi shprehet se fatkeqësi natyrore mund të ketë një herë në 20 vjet, por jo çdo vit dhe shton se këto janë pasojat e korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës.
"Është më shumë se katastrofike. Me qindra shtëpi janë përmbytur, krejt prona të shkatërruara, pasuri e përmbytur nga uji. Shteti, 48 orë pas kësaj tragjedie që nuk ka ndodhur për shkak të motit, por për shkak të një qeverie të korruptuar dhe të një bashkie që ka vjedhur të paktën 46 milionë euro, është zhdukur duke i lënë këta banorë në mëshirë të fatit. I bëj thirrje të menjëhershme Edi Ramës, ndërprit pushimet!
Shteti duhet të çohet në këmbë, të vijë pranë banorëve, të cilët duhet të dëmshpërblehen, çdo qindarkë dëm që ka ardhur si pasojë e një babëzie, e një korrupsioni të pafe që sot po rëndon mbi supet e këtyre familjeve.
Është kriminale ajo çfarë ka ndodhur në Durrës. Fatkeqësi natyrore mund të ketë një herë në 20 vjet, por jo çdo vit.
Këto janë pasojat e korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës. Këto janë pasojat e korrupsionit, përmbytjet, sepse kanë vjedhur lekët e kanalizimeve. Lekët e ujësjellësit i kanë vjedhur, lekët e hidrovoreve që nuk punojnë i kanë vjedhur, i kanë futur në xhep. Prandaj fshihet Emirjana Sako që duhet nxjerrë për zverku nga zyra. Kjo është kriminale!" tha Blushi./Dosja.al

FIER- Rreshjet intensive të shiut dhe moti i keq, kanë sjellë probleme në qytetin e Fierit. Kjo ka bërë që furnizimi me ujë të ndërpritet. Kjo ka ardhur si pasojë e prurjeve të shtuara të lumit Vjosë dhe rritjes së nivelit të ujërave nëntokësore, si shkak i presioneve të krijuara.
Disa nga puset që furnizojnë Njësinë Administrative Fier, janë prekur nga situata e krijuar. Autoritetet kanë njoftuar se do të ketë kufizime në furnizimin me ujë, nga ora 16:00 deri në një njoftim të dytë.
Detaje nga autoritetet:
Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Fier njofton se si pasojë e prurjeve të shtuara të lumit Vjosë dhe rritjes së nivelit të ujërave nëntokësore si shkak i presioneve të krijuara, disa nga puset që furnizojnë Njësinë Administrative Fier janë prekur nga situata e krijuar.
Për këtë arsye do të ketë kufizime në furnizimin me ujë, nga ora 16:00 deri në një njoftim të dytë. Ekipet teknike janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e situatës./Dosja.al
KUKËS- Moti i keq dhe rreshjet intensive të shiu do të vijojnë sot dhe nesër në të gjithë vendin. Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave.
Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Sipas IGJEO, rrezik të shtuar përpërmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës.
Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarkun Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
Njoftimi
Sot pasdite (e mërkurë, dt. 07) dhe nesër (e enjte, dt. 08) pritenreshje intensive në të gjithë vendin. Në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte, do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Seman, Shkumbin. Rrezik të shtuar përpërmbytje në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme do të ketë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës.
Reshjet
Sot pasdite (e mërkurë, dt. 07) dhe nesër (e enjte, dt. 08) në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarkun Kukës priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata. Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 500 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperatura
Nesër (e enjte, dt. 08) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 5 / 10 °C
në vendet e ulëta: 0 / 9 °C
në vendetmalore: -5 / 4 °C
Era
Sot pasdite (e mërkurë, dt. 07) dhenesër (e enjte, dt. 08) era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore./Dosja.al
DIBËR- Aksi nacional Burrel - Rrëshen ka pasur rrëshqitje dherash dhe gurësh. Kjo ka bërë që qarkullimi i automjetetve të vështirësohet. Si pasojë e motit të keq, një masiv shkëmbor ka rënë pranë urës së Urakës.
Shirat e dy ditëve të fundit kanë krijuar probleme në rrugët e shumë fshatrave. Në këto rrugë ka patur shembje dhe bllokime si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Autoritetet përkatëse ndodhen në terren dhe po punojnë për të rikthyer në normalitet lëvizjen e banorëve drejt zonave urbane./Dosja.al
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa pamje të punonjësve të policisë, të cilët po monitorojnë trafiku. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se shërbimet e policisë rrugore janë në terren, në ndihmë të qytetarëve dhe po menaxhojnë qarkullimin e automjeteve.
“Policia e Shtetit gjithashtu vijon të jetë në gatishmëri. Shërbimet e Policisë Rrugore, patrullat e përgjithshme, “Shqiponjat” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë janë në terren, në ndihmë të qytetarëve dhe për menaxhimin e qarkullimit të automjeteve”,- shkruan Rama në Facebook./Dosja.al
GJIROKASTËR- Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në Gjirokastër. Bëhet me dije se janë bllokuar rrugën që lidh katër lagje të sipërme të qytetit.
Gjithashtu si pasojë e rrëshqitjes së dherave, janë izoluar lagjet Manalat i Parë, Manalat i Dytë, Cfakë dhe Dunavat, ndërsa qarkullimi rrugor drejt këtyre zonave është vështirësuar. Siç shihet edhe në pamje, rrëshqitja e dherave dhe një pjesë e kodrës, e cila ka rënë kanë zënë aksin rrugor./Dosja.al
DURRËS- Qyteti i Durrësit po përballet me përmbytje masive dhe rreshje shiu intensive. Janë evidentuar 953 banesa, të cilat kanë prani uji brenda dhe nëpër oborret e tyre. Këto banesa gjenden në zonën e ish Kënetës, në Zonën e plazhit, në njësitë administrative Manëz, Rrashbull dhe në lagjen 14 Shkozet.
Bëhet me dije se 160 persona të strehuar në 2 shtëpitë e pushimit, ndërsa 15 grupe pune të po merren me evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga shirat. Rreth 337 biznese kanë prani uji, por pas nuk mbeten as tokat buqësore në njësitë administrative të Katundit të Ri, Sukthit dhe Manzës.
Kjo situatë ka ardhur për shkak të rreshjeve intensive të shiut dhe motit të keq, por ka ardhur edhe si pasojë e mos funksionimit të rrjeteve kulluese të ujit siç janë tubacionet e kanalizimeve dhe kanalet e ujërave të bardha. Grupet e emergjencave civile, po punojnë në terren./Dosja.al
GJIROKASTËR- Një rrëshqitje e një masivi dheu dhe gurësh ka ndodhur në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, për shkak të kushteve të rënduara atmosferike me reshje të dendura shiu. Si pasojë, qarkullimi i mjeteve në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” po zhvillohet vetëm me një sens lëvizjeje.
Gjithashtu strukturat e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me strukturat e Emergjencave Civile dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.
Ndërkohë, është rritur prezenca e shërbimeve policore në të gjitha akset e qarkut, me punonjës me uniformë dhe automjete të pajisura me fenelina, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ofrimin e ndihmës për drejtuesit e mjeteve, në rast nevoje.
Njoftimi i policisë:
Njoftojmë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, se si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe guresh, për shkak të kushteve atmosferike me reshje të dendura shiu, aksi rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, konkretisht në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, funksionon me një sens lëvizjeje.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Strukturat e Emergjencës dhe me ato të ARrSh-së po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës.
Gjithashtu, është rritur prezenca e shërbimeve me uniformë dhe me automjete të pajisura me fenelina, në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe ofrimin e ndihmës përdoruesve të rrugës, në rast nevoje.
Policia e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, pasi ka prezencë të ujit në akset rrugore. Gjithashtu, apelon për vëmëndje të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, si dhe për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor. Për çdo nevojë ose problematikë, telefononi në numrin pa pagesë 112!/Dosja.al
TIRANË- Kryeministri Edi Rama duket se ka gjetur shkakun e përmbytjeve nga shirat këto ditë. Me anë të një postimi në X, Rama ia ka faturuar fajin qytetarëve, duke postuar një foto nga një grumbull mbeturinash në Shkozetë.
Postimi i Plotë:
Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrinë dot detin si zakonisht sepse gryka e kanalit taposet krejt, duke përmbytur dynjanë…
Sigurisht që kur i hedhim plehrat e shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve të atdheut që e duam vetëm në stadium, vjen një ditë shiu me gjyma që i mbledh nga janë e nga s’janë dhe i dynd në det, po kur pastaj shiu është aq i furishëm sa ky i fundit, atëherë nuk e arrinë… pic.tëitter.com/xJpxPdeCQq
— Edi Rama (@ediramaal) January 7, 2026

DURRËS- Qytetarët e Durrësit janë ngritur këtë të mërkurë në protestë. Protesta e tyre vjen një ditë pas përmbytjeve masive që u regjistruan në disa zona të Durrësit, e që ende ka banesa të shumta nën ujë. Burimet paraprake bëjnë me dije se, rreth 800 banesa rezultojnë me prezencë uji.
Banorët kanë bërë thirrje që të dëmshpërblehen për dëmet e shumta të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore. Një banor shprehet se është hera e tretë që oborri i banesës së tij është përmbytyr, dhe që kësaj here uji ka hyrë në banesë. Ai thekson se nuk ka marrë asnjë ndihmë dhe kërkon që shteti të marrë masa./Dosja.al

DURRËS- Qyteti i Durrësit është vendi më i prekur nga përmbytjet për shkak të reshjeve. Një nga zonat më kritike mbetet ish-Këneta, e cila që prej ditës së djeshme është e mbuluar nga uji.
Në një intervistë për Euronews Albania, një banor i kësaj zone tha se kryebashkiakia nuk i ka vizituar familjet e prekura nga kjo situatë e rëndë.
“Jemi përmbytur tre herë. Uji ka hyrë dje në orën 7 të mëngjesit dhe është 40 cm në nivel. Bashkia s’ka asnjë investim, ne na quajnë të ardhur si alienë se ska mundësi. Në kohën e Enverit s’të prekte këmba në ujë, sot jemi rrafsh me ujë. Ka rënë shi i madh, këtë duhet ta pranoj, por jo tre herë përmbytje. Jemi përmbytur në shtator, nëntor dhe tani. Unë s’dua lekë, dua një investim që të rri rehat në shtëpinë time. Kemi fjetur gjumë në katin e dytë, nëna fle akoma në ballkon. Gjatë kësaj kohe, të na rrojë kati i dytë, se do kishim dalë me çadra. Kryetarja e bashkisë s’na ka parë fare, ajo i merr taksat, bashkia merr taksat. Atë as në TV s’e kam parë mbrëmë, prefekti dilte, ajo hiç”, ka deklaruar një banor.
KORÇË- Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të madhe të rrugës që lidh qendrën e Njësisë Dardhas me aksin nacional. Si pasojë kanë mbetur të bllokuar disa fshatra të kësaj njesie.
Po ashtu janë dëmtuar varrezat e zonës si pasojë e rrëshqitjes së tokës. Mësohet se forcat e bashkisë dhe emergjencat civile janë në terren për monitorimin e situatës./Dosja.al
VLORË- Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe bllokimin e rrugës që lidh fshatin Shkozë me zonat përreth të Vlorës. Banorët duke folur për mediat, kanë deklaruar se rruga është komplet e bllokuar për shkak të rrëshqitjes së dherave.
“Kanë shkarë të gjithë dherat nga lart, dhe ka bllokuar rrugën. Jemi të izoluar. Shiu nuk pushon, sapo filloi tani përsëri. Jemi me fëmije dhe pleq të sëmure dhe nuk kemi mundësi të shkojmë me makinë në Vlorë për në spital. Bëjmë thirrje të gjithë institucioneve për të sjellë mjetet e nevojshme për të hapur rrugën e fshatit”, tha një banor./Dosja.al
TIRANË- Moti i keq që ka përfshirë vendin në dy ditët e fundit ka sjell në pah shumë problematike në lidhje me bllokimin e pusetave në vend. Ky shkak ka sjell dhe përmbytje në shumë qytetet dhe zona.
Duke parë situatën e vështirë, grupi 'Balkan Beat Official' i ka kushtuar një këngë satirike përmbytjeve dhe justifikimeve se faji në këtë rast nuk është i qeverisë apo bashkive.
View this post on Instagram

DURRËS- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për situatën e rëndë nga përmbytjet në vendin tone. Me anë të një postimi në Facebook, Berisha Velierën në Durrës e zhytur nën ujë e cilëson si ‘Trau i xhepit..’.

VLORË- Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar një situatë alarmante në jug të vendit, veçanërisht në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë në Vlorë. Një rrëshqitje masive dheu gjatë natës ka dëmtuar rëndë disa banesa, duke lënë të paktën një familje pa strehë.
Si pasojë e lëvizjes së tokës, një banesë është shkatërruar totalisht duke u bërë e pabanueshme, ndërsa dy të tjera kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe rrezikojnë shembjen totale.
Banori i prekur tregon për gazetarin e SYRI TV Gentian Këllçiu se rrëshqitja e dherave ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit, duke zgjuar familjarët nga gjumi. Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar, pasi familjarët kanë arritur të dalin me shpejtësi nga shtëpitë sapo kanë ndjerë lëkundjet e para. Një prej banorëve të prekur rrëfen momentet e tmerrit.
"Ishim në gjumë kur dëgjuam një zhurmë të fortë rreth orës dy të natës. Muret rrethuese u shembën. U ngrita dhe pashë që toka po lëvizte", tregon ai.
Në dy banesat e dëmtuara jetonin tetë persona, të cilët falë ndihmës së njëri-tjetrit arritën të evakuoheshin në kohë. Sipas dëshmisë së tij, shtëpia e shkatërruar është spostuar rreth 30 metra më poshtë nga vendi ku ishte ndërtuar, duke u fundosur gjithashtu rreth 10 metra.
Dëmet materiale janë të konsiderueshme, teksa banori pretendon se vetëm për banesën e tij ato kapin vlerën e 80-90 mijë eurove. Aktualisht, familjet e prekura janë strehuar përkohësisht te të afërmit e tyre, ndërsa situata në zonë mbetet problematike për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave.
Gentian Këllçiu: Ju përshëndes Eneda. Atëherë si pasojë e reshjeve të shiut të rëna gjatë natës, janë shkaktuar probleme në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë. Siç shohim mbrapa shpinës time, pothuajse janë tre banesa të cilat janë të dëmtuara, kur njëra pothuajse është dëmtuar totalisht. Janë dhe dy banesa të cilat janë dëmtuar në pjesë të ndryshme që kanë rënë pjesët e dhomave, por rrezikojnë që të bien pothuajse dhe banesa totalisht pasi ka shkarje dherash herë pas here në këtë zonë.
Por, kë janë banorët, të cilët janë shprehur pothuajse të pasi kanë ndjerë rreth orës 2 të mëngjesit që ka patur shkarje dherash, menjëherë kanë dalë nga banesat e tyre pasi fatmirësisht pa të lënduar, vetëm dëmtime të banesave.
Po, kemi një nga pronarët e banesave të cilët janë dëmtuar. Po. Atëherë, çfarë ndodhi mbrëmë?
Banori: Ishim me këtë shokun këtu. Mbrëmë nga ora 2 dëgjuam zhurmat, na ranë muret rrethues. U ngrita në këmbë, pashë që çfarë ishte. E pashë që lëvizi toka. Pastaj u ngrit ky gjitoni këtu, ky shoku jonë.
Banori tjetër: Mora unë gjithë familjarët, gjithë burrat e shtëpia ime aty se gjynah... Ja, pastaj... Mora plakën e tij, e futa te shtëpia.
Ishim tetë veta këtu. Në të dy shtëpitë.
Njëra, kjo është dëmtuar totalisht më thonë.
Banori : Kjo ishte, kjo që shikojmë tani këtu është... dyshemeja e asaj se këtu ku shkelim neve. Tani është spostuar 30 metro më poshtë edhe është ulur dhe 10 metro.
Këllçiu: E këto, sa dëmet janë bërë ty në banesë?
Banori: I kalon 80-90 mijë euro. Që janë bërë. Po. Kurse këto gjërat s'e shpif tona janë të reja. Ne i kemi tre vjet që kemi bërë shtëpitë këtu lart, kurse gjitoni që e shikoni aty poshtë është, e ka bërë ka 8 vjet, 9 vjet. Që e ka bërë të re. Siç e shikoni që kanë lëvizur shtëpitë dhe nuk janë prishur.
Këllçiu: Ndërkohë banesa që ishte e ngjitur është totalisht e shkatërruar.
Banori : Jashtë funksionit. E shkatërruar, jashtë funksionit. Tani, te për njerëz të afërt. Na erdhën na dhanë, na dhanë ndihmën njerëz të afërt. Kështu këto këtu.
Këllçiu: Do qëndroni tek të afërmit? Keni ku të shkoni?
Banori : Me të keq. Tashi me këta të afërm kemi njerëz këtu, me të keq. Po. Folësi 2: Banesa juaj pothuajse.../Syri.net
DURRËS- Pas reshjeve të dendura të shiut, bilanci janë rreth 800 banesa të përmbytura. Situata në Durrës është mobilizuar përgjithësisht por mbetet problematike gjendja në disa zona, kryesisht në periferi të qytetit.
Sipas shtabit të emergjencave në prefekturë, gjendje vijon e pa stabilizuar, kryesisht në zonat më të ulëta dhe më problematike, si ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla dhe zona të tjera. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Për sa i përket mësimit nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.
Mbrëmjen e kaluar janë evakuuar 304 persona, ndërsa numri i të prekurve mund të rritet, në varësi të situatës në terren dhe verifikimeve. Besohet se uji është tërhequr nga rrugët kryesore dhe nga autostrada Durrës-Tiranë, duke normalizuar qarkullimin, por në disa lagje vijon prania e ujit dhe nevoja për ndërhyrje emergjente për banorët e izoluar që nuk ia dalin dot pa ndihmë.
Godina, biznese dhe sipërfaqe të tëra tokash u përmbytën. Dhjetra automjete u dëmtuan nga uji si rezultat i situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe mosfuksionimit normal të rrjetit të kanalizimeve./Dosja.al
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me përmbytjet e vendit gjatë orëve të fundit për shkak të shirave. Me anë të një postimi në X, Rama ka ironizuar reagimet e Opozitës në Shqipëri, për shkak se ia hedhin fajin atij për situatën në vend.
Duke bërë një paralelizëm me Opozitat e vendeve të tjera që nuk i fajësojnë qeveritë e tyre për përmbytjet, Rama shkruan se kjo është çudi.
Postimi i Plotë:
Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf
Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf????????♂️ pic.tëitter.com/nx4dms6Nh6
— Edi Rama (@ediramaal) January 7, 2026

VLORË- Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, ka rrëshqitur rruga si dhe janë dëmtuar dy banesa.Si pasojë e reshjeve të shiut, rruga është bërë e pakalueshme për automjetet, ndërsa mësohet se fatmirësisht nuk ka lëndime nga banorët e dy shtëpive të dëmtuara.
Uniformat blu, ndodhen në terren dhe po monitorojnë qarkullimin e automjeteve, pasi kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster. Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati, duke përmbytur pazarin e gjësë së gjallë. Niveli i ujit ka arritur në rreth 7 .1 metra. Banorët janë njoftuar dhe deri më tai janë evakuuar 12 banesa. Sipas autoriteteve, prurjet në lumin Vjosë vijojnë të mbeten të larta dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme./Dosja.al

KOSOVË- Rifillimi i mësimit pas pushimit dimëror është shtyrë në gjithë vendit si pasojë e vështrimeve të mëdha që kanë shkaktuar dëme në disa qytete të Kosovës, njoftuan autoritetet.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi të martën rreth mesnatës së mësimi - i paraparë të rifillonte sot – është shtyrë për të hënën e 12 janarit.
Reshjet e mëdha në ditët e fundit nxitën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, si dhe vështirësi në komunikacion.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur”, shkroi Nagavci në Facebook.
Ajo bëri të ditur se orët e humbura të enjten dhe të premten, do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova, janë komunat më të prekura nga vërshimet, sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME).
Përveç dëmeve në prona, në këto pjesë të vendit pati edhe evakuime të banorëve nga shtëpitë e tyre.
AME tha të martën se situata me vërshime “paraqitet e menaxhueshme, me raste të lokalizuara në disa komuna”.
“Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.Në shumicën e komunave të tjera, gjendja është relativisht e qetë dhe stabile, në monitorim të vazhdueshëm”, u tha në njoftim.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi më herët gjatë 6 janarit se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.
IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërprera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.
Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit - si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës - kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi institucionet për reagimin ndaj vërshimeve për mbrojtjen e "jetës dhe pronës".
"Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate", shkroi ajo në Facebook.
Osmani tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri që të ofrojë mbështetje "nëse paraqitet nevoja".
Përmbytjet në disa rrugë bënë që Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.
Në Drenas, KEDS tha se "uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik".
Më vonë, autoritetet njoftuan se furnizimi me energji elektrike u rikthye pas krijimit të kushteve të sigurta për ndërhyrje të KEDS-it.
Përveç telasheve me rrymë, qytetarët u përballën edhe me ndërprerje të ujit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Mitrovica" gjatë ditës tha se ka ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë për shkak të "ngritjes së nivelit të lartë të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit".
"Kjo masë po ndërmerret për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijes, në përputhje me standardet teknike dhe shëndetësore në fuqi", thuhet në njoftimin e KRU "Mitrovica".
Ngjashëm, për reduktime në furnizim me ujë njoftoi edhe KRU "Prishtina" për Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë.
Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, komuna apeloi për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.
Në rrjete sociale, banorë, zyrtarë komunalë dhe media lokale të qyteteve të ndryshme kanë publikuar foto e video që tregojnë përmbytjet.
Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka publikuar disa foto nga vizitat e tij te lagjet e përmbytura dhe ka thënë se ekipet emergjente kanë qenë të angazhuara në terren që nga mesnata.
“Reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona të Komunës së Skenderajt, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh”, shkroi Lushtaku në Facebook.
Më pas ai tha se situata aktualisht është "nën kontroll".
Në Malishevë, shtabi për menaxhimin e situatave emergjente u ka bërë apel qytetarëve që të shmangin “lëvizjet e panevojshme”, për shkak të vërshimeve.
“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.
Me njoftime të ngjashme kanë dalë edhe disa komuna të tjera, si ajo e Gjakovës dhe Klinës.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se situata më Malishevë është "nën kontroll" dhe se ishin evakuuar banorët nga zonat e rrezikuara.
Në këtë komunë, për shkak të situatës së krijuar, drejtoria e arsimit njoftoi se ka vendosur që gjysmëvjetori i dytë të shtyhet deri më 12 janar.
Komuna e Junikut ka krijuar shtabin emergjent pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Edhe kjo komunë, sikurse Malisheva, ka shtyrë deri më 12 janar nisjen e gjysmëvjetorit të dytë.
"I lusim qytetarët për kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare", tha kjo komunë në një njoftim të publikuar në Facebook.
Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tha se aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit.
Megjithatë, IKSHPK-ja rekomandoi që qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarët e pambrojtur, ta valojnë ujin para se ta përdorin, dhe ushqimi që ka pasur kontakt me ujin e shiut të mos konsumohet.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./REL

TIRANË- Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka marrë masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të pavafavorshëm në vend.
Përmes një njoftimi zyrtar, ministria deklaroi se po monitoron situatën në terren dhe po kryen kontrolle të vazhdueshme të infrastrukturës.
Njoftimi i ministrisë
Mbi gatishmërinë e strukturave të shëndetësisë dhe situatën në terren për shkak të kushteve të motit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se, në bashkëpunim me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH), po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren dhe funksionimin e strukturave shëndetësore në të gjithë vendin, për shkak të kushteve të motit.
Nëpërmjet komunikimit të drejtpërdrejtë me 36 NJVKSH-të dhe 4 Drejtoritë Rajonale, po sigurohet raportim i detajuar dhe i përditësuar mbi gjendjen e qendrave shëndetësore, pikave ambulatore dhe strukturave spitalore.
Ndërkohë, janë marrë masat e nevojshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor të pandërprerë dhe të sigurt për qytetarët gjatë këtyre ditëve me mot të keq.
* Monitorim i pandërprerë 24/7 i situatës në terren
* Verifikim i infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave bazë medikamentoze të emergjencës
* Sigurim i aksesueshmërisë së transportit të urgjencës dhe koordinim me autoritetet vendore dhe emergjencat civile
* Caktim i personave përgjegjës për monitorimin e situatës në çdo institucion shëndetësor
Masat në nivel spitalor
* Aktivizim i plotë i shërbimit të urgjencës me gatishmëri 24/7
* Forcim i koordinimit operacional me OSHKSH-në, pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave
* Monitorim i situatës çdo 3 orë dhe kontroll i vazhdueshëm i infrastrukturës
* Verifikim i rezervave kritike: medikamente, materiale mjekësore, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë dhe pajisje emergjente./Dosja.al

GJIROKASTËR- Aksi Gjirokastër-Kakavijë është bllokuar nga reshjet dhe po punohet për hapjen e rrugës.
Gjithashtu, ka bllokim të rrugës Gjirokastër–Valarë në vendin e quajtur Ura e Aznakut. Në pjesën më të madhe të qytetit të Gjirokastrës ka prezencë të inerteve, të cilat kërkojnë përdorimin e mjeteve të rënda për largimin e tyre. Mësohet se është pezulluar dhe procesi mësimor.
Momentalisht, reshjet e shiut kanë ulur intensitetin, ndërsa niveli i lumit Vjosë në Memaliaj ka arritur 6.5 metra. Ndërsa nga bashkitë e tjera të qarkut deri tani nuk raportohen situata të tilla emergjence./Dosja.al
DURRËS- Një ditë pas reshjeve të dendura të shiut, që përmbytën Durrësin dhe paralizuan të gjithë jetën në qytet e periferinë e tij, situata në zonën e ish-Kënetës në Durrës vijon të jetë kritike.
Uji ka përmbytur gjithçka dhe nuk është tërhequr as nga rrugët dytësore dhe as nga banesat e shumë familjeve. Banesa e tyre vazhdon të jetë e mbushur me ujë dhe e rrethuar nga uji, i cili ka dëmtuar orenditë, pajisjet elektroshtëpiake dhe çdo send të domosdoshëm për jetesën e përditshme.
Ata shprehen se dëmet janë të mëdha, ndërsa shqetësimi kryesor mbetet mungesa e ndihmës. Sipas tyre, deri tani askush nuk ka shkuar për t’i asistuar, duke u ndjerë të izoluar dhe të lënë në harresë./Dosja.al

TIRANË- Vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura. Reshje shiu të herëpashershme dhe me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit që në orët e para të 24-orëshit.
Në Shkodër, Lezhë, Krujë, Kurbin, Durrës, Tiranë, Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Përmet reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë deri në orët mëngjesit.Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit, hera-herës shtrëngata shiu shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Në orët e pasdites deri në orët e vona të mbrëmjes reshjet e shiut pritet të fitojnë intensitet deri të lartë kryesisht në Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Tropojë, Fushë Arrëz, Durrës, Tiranë, Kavajë, Fier, Berat, Vlorë,Himarë, Delvinë, Sarandë, Dropull, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, hera-herës reshje shiu në formën e shtrëngatave dhe stuhive.
Në orët e mbrëmjes në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet mesatar ndërsa në verilindje në lartësitë mbi 600-800 metër dhe juglindje në lartësitë mbi 700-900 metër kryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Mjegull e dendur/ mjegullinë dhe shikim ireduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.
Era do të fryjë me drejtim juglindje –jugperëndim me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s. Valëzimi në det do të jetë forcës 4-5 ballë./Dosja.al