Mirela Kumbaro
TIRANË- Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi sot se janë miratuar grantet për IAL-të publike përmes vendimit të bordit të Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, por duke kërkuar edhe një raport më transparent për sa i përket mënyrës se si menaxhohen këto fonde.
Duke folur në Konferencën e Rektorëve, Kumbaro bëri me dije se është një mbështetje prej rreth 11,2 miliardë lekë, ose 115 milionë euro, si grant për mësimdhënien, që ndahet në Fond Institucional dhe Fond për Mbështetjen Studentore duke mbështetur me paga rreth 5,800 personel akademik dhe administrative në 14 universitetet publike dhe mbi 12,000 studentë ekselentë apo me nevoja sociale.
Më tej, gjatë fjalës së saj, u ndal tek problematikat lidhur me kërkimin shkencor. Ndër të tjera, Kumbaro theksoi se përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, qeveria vë në dispozicion 7 milionë euro për kërkim shkencor dhe për infrastrukturë shkencore.
“Është një mbështetje prej rreth 11,2 miliardë lekë, ose 115 milionë euro, si grant për mësimdhënien, që ndahet në Fond Institucional dhe Fond për Mbështetjen Studentore duke mbështetur me paga rreth 5,800 personel akademik dhe administrative në 14 universitetet publike dhe mbi 12,000 studentë ekselentë apo me nevoja sociale, përmes skemës së bursave.
Por po shfrytëzoj këtë komunikim, për të nisur edhe një marrëdhënie të re në formën si komunikojmë dhe shkëmbejmë informacion, pasi Ministria e Arsimit, duhet të dijë saktësisht se sa fonde trashëgoni, në mënyrë që të kemi një shpërndarje më të drejtë. Nga ana tjetër, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, qeveria vë në dispozicion 7 milionë euro për kërkim shkencor dhe për infrastrukturë shkencore.
Në të dhënat që kam marrë në tre vitet e fundit, mes projekteve të miratuara dhe projekteve të realizuara përmes mbështetjes së AKKSHI ku ju ftoheni të aplikoni, kemi një hendek shumë të madh. Norma e realizimit të projekteve është shumë e ulët. Kjo na shtyn që nga ana jonë të gjejmë mënyra të tjera më efikase, në përputhje edhe me praktikat më të mira që kemi hulumtuar në Bashkimin Europian, të shpërndarjes së buxhetit; gjithashtu duke përfshirë edhe mekanizma si angazhimi shumëvjeçar i fondeve për projekte dhe pajisje duke mos mbetur peng i vitit fiskal – pasi universitetet funksionojnë me vit akademik; mundësi transferimi të fondeve nga një vit në tjetrin dhe auditim të bazuar në risk dhe justifikim shkencor.
Pasi shpesh herë na rezulton që edhe vetë nga IAL-të, për shkak të vonesave burokratike, bllokohen proceset duke kryer investime kërkimore të fragmentarizuara. Dhe nga ana tjetër, do të duhet të kemi një ristrukturim të Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, për t’u përgjigjur trendeve të reja. Shqipëria po përgatitet në mënyrë të qëndrueshme për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke u fokusuar fort te ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe përfshirja e tyre në projekte dhe rrjete akademike europiane.
Kapitulli 25 dhe 26 që drejtohen nga Ministria e Arsimit kanë një avancim shumë të kënaqshëm dhe mendojmë se do jenë kapitujt e parë që do të mbyllen! Në këtë kontekst, kërkimi shkencor duhet të ecë me hapin e kohës, të jetë konkurrues, i orientuar drejt inovacionit dhe i lidhur ngushtë me nevojat e tregut dhe sfidat bashkëkohore prandaj këtu e shohim njëri-tjetrin në të njëjtën barkë! Vetëm kështu, institucionet e arsimit të lartë mund të kontribuojnë realisht në zhvillimin ekonomik, social dhe teknologjik të vendit”, tha ministrja Kumbaro./Dosja.al