Dita e 39-të e protestës/ Qytetarët vijojnë qëndresën, kërkojnë dorëheqjen e kyeministrit Rama
FOTOLAJM/ Pankartat pikante të ditës 39-të: Vetëm burgu i kthjellon 8 Korrik, 19:32 “Sorrat dhe ko...
FOTOLAJM/ Pankartat pikante të ditës 39-të: Vetëm burgu i kthjellon 8 Korrik, 19:32 “Sorrat dhe ko...
Konflikti në Lindjen e Mesme/ Trump nga samiti i NATO-s: Mund të rivendosë një bllokadë detare ndaj Iranit 8 Korrik, ...
"Ajo është një person i mirë"/ Trump për Melonin: E dua shumë, por ajo bëri një gabim... 7 Korrik...
“Ato 4 mln euro në vend të ia japin pensionistëve, i lënë në tallava”/ I moshuari në protestë...
• Ankaraja vijon të jetë qendra e diplomacisë ndërkombëtare, ku liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s po zhvillojnë punimet e samitit të Aleancës. • Në fokus të diskutimeve janë siguria globale, lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme, forcimi i mbrojtjes së përbashkët dhe angazhimet e reja të vendeve aleate, ndërsa deklaratat e liderëve po dominojnë takimin. • Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit ka përfunduar, duke shprehur zhgënjimin e tij të fortë ndaj Teheranit. • Kjo duke shtuar se mund të rivendosë një bllokadë detare ndaj Iranit. • Trump u shpreh gjithnjë e më pesimist për perspektivën e një marrëveshjeje të përhershme paqeje me Iranin, duke sugjeruar se së shpejti mund të vendosë të kryejë një raund tjetër sulmesh. • Presidenti amerikan gjatë një konference të përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kritikoi ashpër Spanjën, duke e cilësuar qëndrimin e saj ndaj Aleancës si problematik. • Nga ana tjetër kancelari gjerman, Friedrich Merz e quajti Turqinë një partner dhe aleat të rëndësishëm gjatë takimit me homologun e tij turk, Recep Tayip Erdogan. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i përshkroi sulmet amerikane ndaj Iranit si absolutisht të nevojshme. • Ai theksoi për gazetarët se, kur ka një armëpushim dhe Irani e shkel atë, është absolutisht e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të reagojnë me forcë. • Megjithatë tha se nëse një vend i NATO-s sulmohet, përgjigjja jonë do të jetë shumë e fortë. Rutte shtoi se nuk mund të veprohet siç bëri Rusia me Ukrainën. • Kjo pasi një situatë e tillë sjell kërcënimin e demokracisë. • Në përfundim të punimeve të samitit, Rutte konfirmoi se Shqipëria do të jetë mikpritësja e samitit të ardhshëm të NATO-s, ku liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës do të mblidhen për të diskutuar agjendën e sigurisë globale.
14 artikuj për këtë temë.
TURQI- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, konfirmoi pas samitit të NATO-s se vendi i saj nuk ka marrë pjesë në asnjë sulm ushtarak kundër Iranit.
Ajo theksoi se Italia, ndonëse respekton angazhimet e saj ndërkombëtare, ka mbajtur një qëndrim të qartë kundër përfshirjes në operacione të tilla.
Në përfundim, Meloni u shpreh se zgjidhja diplomatike mbetet rruga e vetme e duhur, pasi opsioni ushtarak deri më tani nuk ka sjellë rezultatet e pritshme.
"Qëndrimi i Italisë për përdorimin e bazave ushtarake në vendin tonë është i qartë. Ne i respektojmë angazhimet tona si të gjitha kombet serioze, por thamë se nuk do të merrnim pjesë në sulme në Iran dhe nuk kemi marrë pjesë në sulme në Iran. Unë besoj se deri më tani opsioni ushtarak në këtë rast nuk ka dhënë rezultate kaq konkrete dhe mendoj se duhet të këmbëngulim në kapacitetin dhe mundësinë e negociatave", u shpreh Meloni./Dosja.al

TURQI- Në margjinat e samitit të NATO-s në Ankara, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se është shumë i prirur për ta hequr Sirinë nga lista e Departamentit të Shtetit të shteteve që mbështesin terrorizmin.
FT raporton se, gjatë një takimi dypalësh me Presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, Trump vlerësoi përparimin e vendit, duke e cilësuar atë si shumë të qëndrueshëm.
Kur u pyet nga gazetarët nëse do të ndërmerrte këtë hap, Presidenti Trump u përgjigj, "Mendoj se do ta bëj. Pse të mos e bëj?".
Ndërkohë, Siria mbetet aktualisht një nga katër vendet e vetme në listën e zezë të SHBA-ve për sponsorizimin e terrorizmit, përkrah Kubës, Iranit dhe Koresë së Veriut./Dosja.al
TURQI- Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar këtë të mërkurë se mund të rivendosë një bllokadë detare ndaj Iranit, pasi ai sulmoi një seri animesh tregtare pranë ngushticës së Hormuzit.
"Ne mund ta kthejmë bllokadën. Dhe do të ketë vetëm një bllokadë për Iranin, kushdo tjetër mund të ketë çfarëdo, natyrisht," tha ai në samitin e NATO-s.
CNN shkruan se kjo lëvizje do të shënonte masën e fundit hakmarrëse nga SHBA, pasi rivendosi sanksionet ndaj shitjeve të naftës iraniane dhe nisi një seri sulmesh të martën.
Trump deklaroi se ai është gjithnjë e më pesimist për perspektivën e një marrëveshjeje të përhershme paqeje me Iranin, duke sugjeruar se së shpejti mund të vendosë të kryejë një raund tjetër sulmesh.
SHBA vendosi bllokadën e saj për herë të parë pasi Irani mbylli në mënyrë efektive ngushticën e Hormuzit, e cila është një rrugë ujore kritike për dërgesat globale të naftës./Dosja.al

TIRANË- Teksa aleanca e NATO-s po përballet me presionin e vazhdueshëm të presidentit amerikan, Donald Trump për rritjen e buxheteve ushtarake dhe paralajmërimet për tërheqje të trupave, Shqipëria ndodhet në një fazë përshtatjeje me kërkesat e reja të sigurisë.
Financial Times ka publikuar të dhënat e fundit nga NATO, ku Shqipëria pozicionohet në pjesën e mesme të tabelës së shpenzimeve për mbrojtjen në raport me PBB-në. Sipas kësaj rënditjeje, Shqipëria regjistron një nivel shpenzimesh që përkon me pragun prej rreth 2% të PBB-së.
Ky pozicionim e vendos Shqipërinë pranë vendeve si Mali i Zi, Kanadaja dhe Italia, duke treguar një angazhim që e tejkalon atë të vendeve si Spanja apo Sllovenia, të cilat gjenden në fundin e listës.
Me vendimin e anëtarëve për të synuar 5% të PBB-së deri në vitin 2035, Shqipëria, si pjesë e aleancës, do të duhet të rrisë ndjeshëm investimet e saj në mbrojtje dhe siguri gjatë dekadës së ardhshme./Dosja.al
TURQI- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar ditën e sotme se nëse një vend i NATO-s sulmohet, përgjigjja jonë do të jetë shumë e fortë. Gjatë një konference për mediat, Rutte tha se nuk mund të veprohet siç bëri Rusia me Ukrainën.
Kjo pasi një situatë e tillë sjell kërcënimin e demokracisë. Rutte u ndal edhe tek media, të cilën e cilësoi si një shtyllë të demokracisë, pasi shoqëria ka detyrën që t’i bëjë të ditura opinionet e veta.
“Ne jemi aleancë mbrojtëse, për të mbrojtur 1 mld vetë. Ne nuk sulmojmë kurrë një vend tjetër, por ne ama sigurohemi që të tjerët, nëse u shkon mendja të na sulmojnë, përgjigjja jonë duhet të jetë shumë e fortë. Në shek. XXI s’mund të sulmosh siç bëri Rusia me Ukrainën sepse janë vlerat që kërcënohen, demokracia. Nuk është vetëm botë e lirë, media është shtyllë e demokracisë dhe shoqëria ka detyrën që t’i bëjë të ditura opinionet e veta”, tha Rutte./Dosja.al
TURQI- Shqipëria do të jetë mikpritësja e samitit të ardhshëm të NATO-s, ku liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës do të mblidhen për të diskutuar agjendën e sigurisë globale.
Konfirmimi është bërë nga vetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në përfundim të punimeve të samitit që u zhvillua këtë vit në Ankara.
Ndonëse më herët ishte përfolur për një organizim gjatë qershorit të vitit 2027, Rutte bëri të ditur se ende nuk është përcaktuar një afat kohor i saktë për mbajtjen e këtij takimi të nivelit të lartë në Tiranë.
“Samiti tjetër do të mbahet në Shqipëri, ky ishte vendimi i Hagës. Samiti do të mbahet në Shqipëri, por do të na duhet të vendosim për kohën”, tha Rutte./Dosja.al

TURQI- Presidenca e Turqisë u ka dhuruar krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s një suvenir të veçantë përkujtimor, të përgatitur posaçërisht për samitin.
Mësohet se, secili prej liderëve mori një stilolaps elegant me emrin e tij të gdhendur me shkronja të arta, si një dhuratë personale nga vendi mikpritës.
Mediat e huaja raportojnë se stilolapsat e personalizuar u vlerësuan për dizajnin e tyre elegant dhe karakterin unik. Sipas tyre, fotografitë e dhuratave që qarkulluan në rrjetet sociale morën komente pozitive nga përdoruesit./Dosja.al
Teksa udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur në Ankara për samitin që pritet ta përcaktojë drejtimin në të ardhmen të aleancës, kryeqytetet evropiane po shikojnë përtej objektivave për shpenzimet për mbrojtjen dhe njoftimet për blerje ushtarake, duke u fokusuar në atë që shihet si sfida kryesore e takimit: nëse aleanca mund të tregojë unitet politik në një moment të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike.
Samiti i 7-8 korrikut, që mbledh 32 shtetet anëtare të NATO-s zhvillohet në kohën kur vazhdon agresioni rus kundër Ukrainës, kur po rritet presioni ndaj aleatëve evropianë për të marrë përsipër barrë më të madhe për mbrojtjen dhe në kohën kur ka pikëpyetje lidhur me të ardhmen e raporteve transatlantike nën udhëheqjen e presidentit amerikan, Donald Trump.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se qëllimi i samitit është të sigurohet që aleanca “do të vazhdojë të japë rezultate”.
Agjenda e Trumpit vë në pah rolin e tij qendror në samit, me pjesëmarrje në sesionin e punës të udhëheqësve, takime dypalëshe dhe një konferencë për media në përfundim të vizitës, përpara largimit nga Ankaraja.
Pjesa më e madhe e deklaratave rreth samitit është përqendruar te pasiguria lidhur me angazhimin afatgjatë të Uashingtonit për sigurinë e Evropës.
Megjithatë, Michael Hikari Cecire, studiues i politikave të mbrojtjes dhe sigurisë në RAND Corporation, vlerësoi se kjo mënyrë e interpretimit anashkalon një transformim më të thellë strategjik që tashmë është duke ndodhur.
“Komentet e zakonshme rreth samitit të NATO-s në Ankara ka të ngjarë të përqendrohen te shqetësimet e njohura: një SHBA politikisht e paqëndrueshme, gjithnjë e më e përqendruar në hemisferën e saj dhe një Evropë e shqetësuar për qëndrueshmërinë e rendit të krijuar pas vitit 1945”, tha Cecire në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. “Por, kjo narrativë krize nuk e pasqyron realitetin më të thellë strukturor”.
Në vend se të jemi dëshmitarë të dështimit të raporteve transatlantike, Cecire argumentoi se vetë kjo marrëdhënie po evoluon.
Sipas Cecire, ajo që po ndodh nuk është dështimi i marrëdhënieve transatlantike, por transformimi i tyre.
“Raportet transatlantike jo domosdo po dështojnë, por më shumë po ndryshon gjeometria e tyre”, tha ai, duke e përshkruar këtë si një kalim “nga hierarkia e vjetër në formë piramide, e dominuar dhe e varur nga Uashingtoni, drejt një partneriteti më dypalësh mes të barabartëve, që të lidhur nga realitete të palëkundshme operacionale”.
Sipas Cecire, SHBA-ja dhe Evropa mbeten të pandashme në aspektin strategjik pavarësisht ndryshimeve në dislokimin e forcave amerikane dhe ndryshimit të prioriteteve të sigurisë.
“Duke nisur nga zinxhirët e furnizimit në mbrojtje e deri te dislokimi i forcave, SHBA-ja dhe Evropa mbeten, në thelb, të varura nga njëra-tjetra”, tha ai.
Sipas tij, kjo do të thotë se detyra kryesore e samitit shkon përtej sigurimit të aleatëve për angazhimin e Amerikës ndaj Evropës.
“Detyra e vërtetë e samitit nuk është që të zhvillojë një betejë mbrojtëse për ruajtjen e një status quo-je, por të ndërtojë një kornizë më fleksibile që pasqyron këtë rend të ri makro”, tha Cecire.
Argumenti i tij flet për një aleancë që po hyn në një fazë të re, në të cilën Evropa pritet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, duke mbetur njëkohësisht thellësisht e integruar me kapacitetet ushtarake të SHBA-së dhe sa i përket planifikimit operacional.
Për Evropën, tha Cecire, kjo “mund të nënkuptojë që të heqë dorë nga premisat themelore të NATO-s, të vendosura nga vetë Uashingtoni gjatë Luftës së Dytë Botërore”, dhe të marrë përgjegjësi më të madhe “për sigurinë e kontinentit dhe për paqen dhe prosperitetin botëror”.
Ai pranoi se një tranzicion i tillë do të ishte i kushtueshëm, politikisht i vështirë dhe do të ishte një ndryshim i thellë kulturor, por u shpreh se ai gjithashtu do t’i jepte Evropës “një rol dhe përgjegjësi të re si një aktore e normalizuar dhe proaktive e sigurisë”.
Në të njëjtën kohë, Cecire theksoi se prioritetet strategjike të Uashingtonit po ndryshojnë, por nuk po zhduken.
Sipas tij, SHBA-ja është e angazhuar për “një strategji të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes më të përqendruar te hemisfera dhe territori i saj”, teksa vazhdon të demonstrojë angazhime globale përmes konfliktit me Iranin, fokusit në rajonin Indo-Paqësor dhe mbështetjes së vazhdueshme te dislokimi i forcave dhe bashkëpunimi me aleatët në Evropë dhe gjetkë.
Përderisa Cecire e sheh samitin si pjesë të një tranzicioni afatgjatë strategjik, zyrtarët evropianë thonë se suksesi i menjëhershëm i tij do të vlerësohet nga aftësia e aleatëve për të shfaqur kohezion politik.
Zyrtarë të lartë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë para samitit se shqetësimi i tyre kryesor lidhet më pak me qëllimet për shpenzimet për mbrojtjen dhe më shumë me shmangien e përçarjeve publike që mund ta dobësojnë besueshmërinë e NATO-s.
Një zyrtar i lartë evropian tha se udhëheqësit shpresojnë që në Ankara të përsëritet atmosfera e bashkëpunimit që ishte në samitin e mbajtur muajin e kaluar të G7-ës në Francë, ku Trump iu bashkua udhëheqësve të tjerë duke mbështetur që t’i bëhet më shumë presion Rusisë përmes sanksioneve që kanë për shënjestër eksportet e naftës dhe sektorin bankar.
Ky rezultat u vlerësua nga disa kryeqytete evropiane si dëshmi se koordinimi transatlantik mbetet i mundur që të arrihet, pavarësisht tensioneve.
Zyrtarët pranuan se mosmarrëveshjet publike, veçanërisht ato që përfshijnë Uashingtonin, mund të lënë në hije marrëveshjet e arritura prapa dyerve të mbyllura dhe të dobësojnë mesazhin e NATO-s për parandalim./REL
ANKARA- Media britanike The Guardin ka publikuar disa nga fotografitë më pikante të udhëheqësve botëror gjatë Samitit të NATO-s në Ankara. Prestigjozja britanike ndalet te veshja e kryeministrit Edi Rama, i cili edhe në këtë ceremoni ka zgjedhur atletet e bardha, në vend të këpucëve të zeza.
Atletet e Ramës u bënë kryefjalë gjatë fotos familjare, ku teksa po pozicionoheshin për të bërë foton, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i tregoi me gisht presidentit amerikan, Donald Trump atletet e bardha të Ramës.
“Në lajmet e modës së samitit të NATO-s, kryeministri shqiptar Edi Rama është shfaqur me atletet e tij karakteristike ngjyrë të bardhë borë”, shkruan The Guardian.

Vemëndje e veçantë i është kushtuar edhe syzeve të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
“Nuk pati ndonjë zhvillim të rëndësishëm gjatë mbërritjeve, por vlen të përmendet se presidenti francez, Emmanuel Macron, është rikthyer të mbajë syzet e tij karakteristike aviator, madje edhe në ambiente të mbyllura. Kur u shfaq për herë të parë me to në World Economic Forum Annual Meeting në fillim të këtij viti, u tha se arsyeja ishte një enë gjaku e çarë në sy. Pamja e tij tërhoqi shumë vëmendje dhe solli një valë porosish të reja për prodhuesit e syzeve që ai mban. Ai ka rreth një javë që i mban sërish. A mund të jetë rikthyer problemi me syrin?”, pyet The Guardian.

Sa i përket kryeministres italiane, e cila shquhet për mimikat e saj, The Guardin ka zgjedhur të shkruaj vetëm një fjali. Si shpesh, italianja Giorgia Meloni e tregon qartë qëndrimin e saj për takimin e sotëm.

Vëmendje ka tërhequr edhe kryeministri belg Bart De Wever, i cili komentoi samitin duke thënë se vendimi i NATO-s për të ofruar 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën është një mesazh i fortë ndaj Putinit. Ai shtoi me ironi se “një karton i kuq nuk mund të tërhiqet thjesht”, duke iu referuar vendimeve të aleancës.
ANKARA- Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump nisi një sulm të ri ndaj Spanjës, duke akuzuar Madridin se nuk kontribuon mjaftueshëm në detyrimet e saj ndaj NATO-s dhe duke njoftuar se kishte urdhëruar ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve tregtare me vendin. Duke folur në një konferencë për shtyp gjatë Samitit të NATO-s, Presidenti amerikan e përshkroi Spanjën si një partner të tmerrshëm.
“Spanja është një partnere e tmerrshme në NATO. Ata nuk marrin pjesë. Ata nuk paguajnë. Unë nuk dua të kem asnjë lidhje me Spanjën. Ndalo çdo tregti me Spanjën, ju lutem, përfshirë vizitat”, tha Trump, duke iu drejtuar Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Scott Besant.
Duke vazhduar sulmin e tij, Trump shtoi se SHBA do të ndërmarrë masa për të reduktuar përfitimet ekonomike të Madridit nga marrëdhëniet tregtare. Ai parashikoi gjithashtu se Madridi do të detyrohet së shpejti t’i kërkojë Uashingtonit rifillimin e marrëdhënieve tregtare, duke pretenduar se Spanja do t’i lutet SHBA-së për të rikthyer bashkëpunimin ekonomik.
Trump ka kritikuar vazhdimisht Spanjën, pasi Madridi nuk ka pranuar objektivin e ri të NATO-s për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Po ashtu, qeveria spanjolle ka refuzuar t'i lejojë SHBA-së të përdorë hapësirën ajrore dhe bazat ushtarake në Spanjë për operacionet ushtarake kundër Iranit.
Nga ana tjetër, qeveria spanjolle reagoi me qetësi ndaj deklaratave të Trump, duke theksuar se me SHBA-në kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe nuk dëshirojnë që t'i ndryshojnë.
"Vendi ynë mban marrëdhënie të shkëlqyera sociale, kulturore dhe ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe ne nuk kemi ndërmend t'i ndryshojmë ato", tha një burim qeveritar i Sapanjës, duke i përshkruar këto lidhje si të dobishme për të dy vendet.
Burimi i qeverisë spanjolle theksoi se Spanja është pjesë e Bashkimit Evropian dhe se çështjet tregtare nuk mund të trajtohen vetëm për Spanjën, por për të gjithë vendet anëtare të BE-së./Dosja.al
ANKARA- Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdoğan theksoi mbështetjen e Turqisë për Ukrainën si dhe bëri thirrje për një marrëveshje armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit. Gjatë fjalës së tij në Samitin e NATO-s në Ankara, Erdoğan vlerësoi shumë rezolutat e presidentit Trump për tu siguruar që kriza në Iran të zgjidhet, ndërkohë që shprehi gadishmërinë e Turqisë për kontribut për të pastruar Hormuzin nga shpërthimet.
“Unë ndaj vizoni e Trump për paqen dhe të theksoj mbështetjen time për nismat e mbështetëse. Në përfitojmë dhe nga kanalet e komunikimit për të drejtuar Rusinë drejt paqes. Unë e vlerësoj shumë qëndrimin e vendosur të mikut tim Trump për të garantuar që kriza e Iranit të përfundojë me një marrëveshje pavarësisht përpjekjeve për sabotazh. Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për të pastruar Hormuzin. Dua ti shpreh falënderimet mbështetjes së NATO-s për raketat që shënjestrojnë Turqinë dhe shtete të tjera që kanë aktivizuar bateri raketash shtesë”, u shpreh Erdogan./Dosja.al
TURQI- Kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti Turqinë "një partner dhe aleat të rëndësishëm” gjatë takimit me homologun e tij turk, Recep Tayip Erdogan.
Në një postim në llogarinë e tij në X, Merz falënderoi gjithashtu Erdoganin për "mikpritjen” në Ankara. Të dy liderët u takuan në kuadër të vizitës së Merzit në Turqi për samitin dyditor të NATO-s,që zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.
Kancelari gjerman Friedrich Merz në aeroportin e AnkarasëFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance
Fillimisht liderët e vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në kompleksin presidencial në Ankara për darkën me Erdoganin.
Krahas udhëheqësve të vendeve anëtare mernin pjesë në darkë edhe të ftuar të tjerë nderi në kompleksin madhështor presidencial të Recep Tayip Erdoganit, përpara ditës kryesore politike të samitit që zhvillohet të mërkurën (08.07.2026).
Ndërsa presidenti i SHBA-së Donald J. Trump ndodhej më herët në ndërtesë për bisedime dypalëshe me Erdoganin, liderë të tjerë mbërritën në vendin e takimit, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, kryeministrin kanadez Mark Carney, kryeministrin bullgar Rumen Radev dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.
Erdogani dhe bashkëshortja e tij, Emine Erdogan, i pritën mysafirët në hyrje të ndërtesës luksoze duke ecur mbi tapetin e kuq pranë gardës ceremoniale të veshur me uniforma historike ushtarake.
Von der Leyen bën fjalë për "një epokë e re e sigurisë evropiane”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është ndër liderët që marrin pjesë në samitin e NATO-s në Ankara.
"Kemi hyrë në një epokë të re të sigurisë evropiane. Shtetet anëtare të BE-së po riarmatosen për të mbrojtur Evropën dhe, njëkohësisht, për të forcuar aleancën,” shkroi von der Leyen në rrjetet sociale.
"Ato po rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen. Evropa po ringjall bazën e saj industriale të mbrojtjes dhe po krijon vende të mira pune në Evropë,” tha ajo në X. Në Ankara, von der Leyen theksoi nevojën për "një rritje masive të investimeve në mbrojtje”.
"Dhe këtu Bashkimi Evropian po merr masa të mëdha,” tha ajo, duke përmendur programin ‘Rearm Europe', i cili synon të investojë 800 miliardë euro në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2030.
Rutte thirrje për një "revolucion transatlantik të industrisë së mbrojtjes”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po kërkon një ndryshim të madh në industrinë ushtarake dhe po promovon një "revolucion transatlantik të industrisë së mbrojtjes”.
"Zhurma e makinerive duhet të kthehet në një gjëmim,” tha Rutte në një forum të industrisë së mbrojtjes të NATO-s në Ankara.
"Industria në të gjitha vendet e përfaqësuara këtu duhet të jetë e gatshme të marrë më shumë rreziqe. Kërkesa ekziston dhe ju e dini këtë,” shtoi ai.
"Duhet të sigurohemi që fuqinë tonë ekonomike po e shndërrojmë në kapacitete ushtarake, duke i kthyer fondet në veprim – nga planet e mbrojtjes te dronët, nga paratë te raketat dhe sistemet e interceptimit,” tha Rutte.
Të martën, NATO prezantoi një seri projektesh ushtarake me vlerë miliarda dollarë. Rutte deklaroi: "Janë para të shpenzuara mirë.”
Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar aleancën si një "tigër prej letre”, duke thënë se ajo nuk do të funksiononte pa armët dhe udhëheqjen amerikane./DW
TURQI- Kancelari gjerman Friedrich Merz mendon se Kremlini duhet ta kuptojë gradualisht se Rusia nuk do të arrijë të fitojë këtë luftë dhe as të realizojë objektivat e saj ushtarake.
Gjermania ka luajtur një rol udhëheqës në vendimin që Ukraina të marrë 140 miliardë euro mbështetje në dy vitet e ardhshme. Berlini ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje, madje duke shkuar përtej kërkesave të presidentit amerikan Donald Trump.
"Ne nuk po e bëjmë këtë sakrificë për t'i bërë qejfin dikujt. E bëjmë sepse është e nevojshme për mbrojtjen dhe sigurinë tonë. Rusia mbetet një kërcënim serioz dhe çdo ditë teston vendosmërinë tonë”, tha Merz në Ankara.
Zelensky kërkon sërish anëtarësimin në NATO
Në Ankara u takuan edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Rutte vlerësoi sulmet ukrainase kundër infrastrukturës energjetike dhe ushtarake ruse, duke i cilësuar ato si të suksesshme. Ndërsa Zelensky falënderoi aleatët për mbështetjen e vazhdueshme, por ngriti hapur çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
"A besoni vërtet se është e drejtë të lihet jashtë NATO-s një vend dhe një popull me një kapacitet të tillë mbrojtës?”, pyeti ai. Me këtë deklaratë, Presidenti ukrainas bëri të qartë se Kievi vazhdon të kërkojë anëtarësim të plotë në Aleancë.
Megjithatë, kërkesa mbetet e vështirë për t'u realizuar.
Trump kritikon aleatët
Merz shprehu dëshirën qësamiti të krijojë një "frymë të Ankarasë”, por Presidenti amerikan Donald Trump dha sinjale krejt të tjera. Trump mbërriti në Ankara para Kancelarit dhe u prit personalisht nga Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan me nderime shtetërore. Megjithatë, ai nuk kurseu kritikat ndaj aleatëve të NATO-s.
Presidenti amerikan tha se ishte i zhgënjyer nga Aleanca dhe shtoi se, po të mos ishte Erdoğan mik dhe mikpritës i samitit, ndoshta as nuk do të kishte marrë pjesë fare.
Sipas Trump, vendet e NATO-s nuk e mbështetën SHBA-në gjatë konfliktit me Iranin. "I vura paksa në provë. Ne i ndihmojmë ata, por nuk jam i sigurt nëse ata do të ishin aty për ne. Italia na refuzoi, Gjermania na refuzoi dhe Franca na refuzoi. Kjo është në rregull, por pse të shpenzojmë qindra miliarda dollarë nëse ata nuk janë aty për ne? Ne kemi qenë gjithmonë aty për ta”, deklaroi Trump.
Sfida e unitetit të NATO-s
Samiti në Ankara zhvillohet në një kohë kur NATO përballet me dy sfida njëkohësisht: forcimin e qëndrimit ndaj Rusisë dhe ruajtjen e unitetit të brendshëm.
Pyetja kryesore që dominon takimin është: kush është i gatshëm të qëndrojë pranë kujt brenda një aleance që synon të mbrohet nga kundërshtarët e saj, por që njëkohësisht duhet të ruajë kohezionin e brendshëm?
Pikërisht kësaj pyetjeje pritet t'i japë përgjigje "fryma e Ankarasë”, të cilën liderët po përpiqen ta gjejnë në këtë samit të rëndësishëm të NATO-s./DW
SHBA- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i përshkroi sulmet amerikane ndaj Iranit si absolutisht të nevojshme. Ai theksoi për gazetarët se, kur ka një armëpushim dhe Irani e shkel atë, është absolutisht e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të reagojnë me forcë.
“Këto sulme ishin të nevojshme, sepse Irani shkeli armëpushimin. Pamë se anijet u sulmuan dhe mendoj se reagimi i Shteteve të Bashkuara ishte krejtësisht i natyrshëm. Pres që sot të diskutojmë edhe për Iranin me aleatët tanë. Duhet ta përsërisim qartë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Gjithashtu, Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet plotësisht e hapur, pasi është një pikë me rëndësi strategjike për të gjithë”, deklaroi Rutte.
Duke folur përpara seancës kryesore të Samitit të NATO-s në Ankara, Rutte tha se ndalimi i konflikteve kërkon një forcim të kapaciteteve mbrojtëse të aleancës. Rutte ritheksoi gjithashtu edhe mbështetjen e NATO-s për Ukrainën, duke theksuar se aleanca synon të jetë më e fortë dhe më e transformuar.
“Duhet t’i ndalojmë luftërat. Prandaj duhet të rrisim buxhetet për mbrojtjen. Jemi të vendosur të vazhdojmë mbështetjen për Ukrainën. Duhet të kemi një NATO më të fortë dhe më të transformuar. Aleatët evropianë janë tashmë shumë më të aftë dhe shpenzimet për mbrojtjen janë rritur ndjeshëm”, u shpreh ai.
Sa i përket Shteteve të Bashkuara, Rutte vlerësoi presidentin Donald Trump për shtimin e investimeve në mbrojtje, por shtoi se edhe kërcënimi i paraqitur nga Rusia ka ndikuar në këtë drejtim.
“Presidenti Trump arriti atë që shumë presidentë amerikanë kanë kërkuar prej kohëshh, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në Evropë dhe SHBA. Jo vetëm falë Trump, por edhe për shkak të Rusisë, sot po flasim për një NATO dhe një Evropë shumë më të fortë”, theksoi Rutte./Dosja.al