Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
FOTO/ Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh 4 Qershor, 18:43 PAMJE ng...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
•Paraditen e sotme Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genc Sejko, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete dhe Shefja e Misionit të FMN-së Anke Weber kanë në një konferecë për mediat • Gjatë fjalës së saj shefja e FMN-së informoi se Shqipëria ka dal nga lista gri e vendeve të pastrimit të parave. • Ajo theksoi se duhet të mbështetet monedha vendase për përkrahjen e Bankës së Shqipërisë dhe të mbahet me kujdes menaxhimi i PPP-ve. •Ministri i Financave ka vlerësuar rritjen e ekonomisë në raportin afat mesëm dhe afat gjatë. •Mete ka thënë se do të krijohet një strategji investimesh në lidhje me turizmin, një sektorë që solli shumë të ardhura, sipas ministrit, këtë vit. • Guvernatori Sejko vlerësoi në fjalën e tij arritjen se Shqipëria doli nga zona gri dhe tha se do të punohet për të luftohet pastrimin e parave. • Kreu i Bankës së Shqipërisë tha se Shqipëria ka kaluar midis disa sfidave globale.
5 artikuj për këtë temë.
TIRANË-Gent Sejko Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, paraditen e sotme gjatë konferencës për shtyp me Shefen e FMN-së e ka cilësuar lajmin se Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave. Sejko u shpreh se kjo do të pasqyrohet në klimën e biznesit, por edhe në mbështetjen që sistemi financiar do të japë për bizneset, nëpërmjet investimeve dhe financimeve.
Nga ana tjetër Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se do të vijojë luftën ndaj pastrimit të parave.
“Shpreh kënaqësinë time për lajmin shumë të mirë që sapo morëm për daljen e Shqipërisë nga lista gri, për të ritheksuar gjithashtu në emër të Bankës së Shqipërisë, punën e madhe të bërë në këtë drejtim nga të gjitha institucione rregullatore, ligjzbatuese. Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv, lidhur me vijimin e ecurisë së mirë të sistemit financiar, bankar, por edhe të gjithë ekonomisë shqiptare, pasi do të pasqyrohet jo vetëm në klimën e biznesit, por edhe në aftësinë e sistemit financiar për të mbështetur me investime dhe financime bizneset e vogla, të mëdha dhe të mesme. Ne do të vazhdojmë punën në monitorimin dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të institucioneve që janë nën përgjegjësinë tonë për të mbajtur të garantuar sigurinë, luftën kundër parandalimit të pastrimit të parave”.-tha Sejko.
TIRANË- Shqipëria ka dalë nga lista gri e FATF. Lajmin e ka ndarë zv/kryeministrja Belinda Balluku përmes një reagimi në rrjetin social 'Facebook'. Sipas zv/kryeministres ky vendim sjell padyshim forcimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, krijimin e kushteve të favorshme për investime të huaja të mëtejshme, uljen e kostove të borxhit kombëtar, konsolidimin e shkëmbimeve tregtare dhe të shërbimeve dhe një sërë benefitesh të tjera të cilat rrjedhin nga ky pozicion i ri i Shqipërisë.
“Angazhimi i qeverisë Shqiptare, puna për përmbushjen e reformave, reformimi i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave në një Agjenci Inteligjence Financiare, investimi në ndryshimin thelbësor të ligjeve dhe dixhitalizimit të proceseve, kanë qenë të gjitha hapa që janë vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar dhe anëtarët e FATF që sot zhvilloi seancën e saj plenare duke marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, njëri prej të cilëve është një gur kilometrik për Shqipërinë, dalja e saj nga lista gri.
Lufta për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizimit është dhe ka qenë në fokus të punës së Qeverisë Shqiptare dhe do të mbetet një nga angazhimet kryesore të saj në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik.
TIRANË-Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Mete, mori pjesë këtë të premte në konferencën e organizuar nga FMN dhe Banka e Shqipërisë. Mete u pyet nga gazetarët në lidhje me kërkesën e FMN-së për amnistinë fiskale. Ministri tha se nuk do të merret asnjë masë pa këshillimin e BE-së.
Midis të tjerësh kreu i Financave tha se është duke u punuar për një draft të ri lidhur me çështjen që pritet të dakordësohet. Në fjalën e tij Mete theksoi se ekonomia e vendit ka treguar një qëndrueshmëri të kënaqshme, duke patur një nga rikuperimet më të shpejta në rajon.
"Nuk ndërmarrim asnjë masë pa mbështetjen e BE, pra çdo hap do jetë i dakordësuar me ata. Praktikisht amnistia siç u nis, nuk do bëhet, por ndoshta do jetë një drafti tjetër i dakordësuar me ndërkombëtarët."- tha Mete.
Ndërsa shefja e FMN-së Anke Ëeber, tha se i kemi sugjeruar qeverisë të marrë masa mbështetëse për familjet në nevojë.
TIRANË-Anke Weber, shefja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar ka marrë pjesë sot në një konferencë për mediat së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Genc Sejko dhe Ministrin e Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete. Weber ka vlerësuar fillimit përpjekjet pozitive të Shqipërisë në raport me sfidat globale që kanë shoqëruar botën së fundmi dhe se ka dalë nga "lista gri".
Nga ana tjetër shefja e minisionit të FMN ka thënë se Shqipëria duhet të menaxhojë fitimet e turizmit për të investuar, investuar në infrastrukturën e duhur. Weber në fjalën e saj kritikoi dhe bëri thirrje për kujdes në menaxhimin e fondve shtetërore, menaxhimin e PPP-ve dhe kërkoi nga qeveria që të mbështesë monedhën vendase për të ruajtur strategjinë ekonomike të Bankës së Shqipërisë.
“Patëm takime shumë të dobishme sot me zyrtarët. Falenderoj guvernatorin dhe Ministrin e Financave që mundësuan këtë takim. Së pari ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri, ekonomia i kaloj pritshmëritë me 5 përqind në vitin 2022. Politika monetare është fokusuar në mënyrë të drejtë në disa pika dhe standarde kryesore, edhe pse ende mbetet në nivel të ulët. Ne besojmë se ekonomia ka hapësirë për manovër, ne parashikojmë një rritje 3.5 përqind në një strategji afatmesme të ekonomisë shqiptare. Një ndryshim i papritur i këmbimit, një ndryshim i pensioneve gjeopolitike ka sjellë disa kriza. Së dyti ekziston nevoja për qëndrueshmërin fiskale. Ne besojmë se një përpjekje e madhe për nevojat për financim do të ishte jo e mirë. Praktika më të forta për investimet publike do të sjellin më shumë përmirësime të përfitimeve, duke nisur nga risku i keqmenaxhimit të PPP-ve në disa procese. Politika monetare duhet të kthehet në kursin e qëndrueshëm, kthimi i inflacionit do kërkoj rritjen e normës bazë. Kursi i lirë i këmbimit ka sjellë përfitime të inflacionit. Deurozimi i ekonomisë do të sillte një mbështetje dhe nxitja e monedhës së shqiptare nga ana e qeverisë për të ruajtur strategjinë ekonomike të Bankës së Shqipërisë."-tha Weber.
TIRANË- Vendi ynë ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave. Kjo u bë e ditur ditën e sotme në një konferencë për mediat, nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete. Ministri shtoi se vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve.
Sipas tij, ky vendim do të sjellë shumë ndikime pozitive, në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit.
“Është marrë vendimi nga FATF, Task Forca për Veprimin Financiar, për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, ashtu i njohur ndryshe si monitorim i shtuar. Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë.” tha Mete.
DEKLARATA E PLOTË:
Përpara se të kalojmë në diskutimet mbi vizitën më të fundit të misionit të Fondin Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, dua ta nis me një lajm të mirë për Shqipërinë. Është marrë vendimi nga FATF, Task Forca për Veprimin Financiar, për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri, ashtu i njohur ndryshe si monitorim i shtuar. Vendimi është marrë sot nga Asambleja Plenare e FATF dhe vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë frymë pozitive, kanë qënë edhe diskutimet me misionin e FMN-së gjatë dy javëve të fundit, që misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka qënë prezent në kuadër të Artikullit IV.
Diskutimet janë fokusuar në ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe financave publike, sfidat për periudhën në vazhdim dhe rekomandimet për përmirësime të mëtejshme. Është për t’u evidentuar se për herë të parë, për shkak se nuk janë vlerësuar risqe domethënëse nga ana e misionit të FMN-së, qëndrimet e shprehura edhe në deklaratën përmbyllëse, do të miratohen përmes një procedure konsensuale, pa kaluar më parë në Bordin e FMN-së.
Ekonomia e vendit ka treguar një qëndrueshmëri të kënaqshme përballë një seri goditjesh, duke patur një nga rikuperimet më të shpejta në nivel rajonal.
Fondamentet makroekonomike kanë rezultuar të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe sfidash, sfida të cilat kanë shërbyer si sprovë ndaj aftësisë rezistuese dhe rikuperuese të ekonomisë. Kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2023, rritja ekonomike ishte 3%, me përshpejtim nga tremujori i parë në të dytin, ku konsumi dhe investimet patën rritje përkatësisht me 4.2% dhe 9.2% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2022.
Sektorët që kanë udhëhequr rritjen ekonomike kanë qënë turizmi dhe ndërtimi, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme. Në gjysmën e parë të vitit 2023, punësimi vijoi të forcohet, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që, shkalla e papunësisë vijoi tendencën rënëse të viteve të fundit, duke zbritur në 10.7%, një nga shifrat më të ulëta historike.
Të dhënat paraprake indirekte për tremujorin e tretë tregojnë për një ritëm më të shpejtë të rritjes ekonomike. Treguesit e ndjesisë ekonomike kanë arritur nivele të larta historike, pasiguritë janë zvogëluar, si dhe tregues të tjerë të konsumit dhe investimeve sugjerojnë përshpejtim të rritjes ekonomike.
Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar.
Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim. Ne parashikojmë se një rritje e tillë në afatmesëm do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Gjithashtu, parashikojmë se edhe kërkesa e huaj neto do të japë një kontribut pozitiv, kryesisht në sajë të pritshmërive të mira për shërbimet, veçanërisht turizmin.
Ekuilibri i jashtëm në terma të llogarisë korrente gjithashtu është përmirësuar, falë turizmit dhe nivelit të lartë të investimeve të huaja direkte (IHD). Për gjysmën e parë të vitit, investimet e huaja arritën në rreth 700 milionë euro ose 7.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Gjithashtu, të dhënat e fundit për numrin e vizitorëve të huaj për janar-shtator 2023 janë shumë pozitive, me rreth 8.3 milionë vizitorë të huaj, 29% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Sektori financiar, siç do ta shpjegojë më gjerësisht Guvernatori, mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid për të mbështetur kreditimin dhe rritjen e mëtejshme ekonomike. Sa i takon inflacionit, gjatë këtij viti inflacioni mujor ka shënuar rënie të vazhdueshme, duke arritur së fundmi në 4.1% në shtator të këtij viti.
Kemi patur një performancë pozitive të të ardhurave, gjë që ka sjellë një rishikim në rritje të projeksionit të të ardhurave në fund të vitit, e reflektuar kjo edhe në Aktin Normativ të miratuar javën e kaluar në Këshillin e Ministrave. Përmes këtij akti synohet mbështetja dhe optimizimi i projekteve me ecuri pozitive, në funksion të rritjes së mëtejshme ekonomike.
Sot, në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, do të miratojmë projektbuxhetin 2024, i cili vijon mbështetjen për reformën e pagave, në arsim, shëndetësi, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe në sektorë të tjerë. Gjithashtu, projektbuxheti i vitit të ardhshëm mban në nivelin mbi 5% të PBB-së financimin e investimeve publike, jep mbështetje për zhvillimin e turizmit, si edhe vijon mbështetjen për fermerët dhe shtresat në nevojë.
Mbetemi të angazhuar për të vijuar me konsolidimin fiskal, me synim uljen e mëtejshme të borxhit publik, duke respektuar një balancë primare pozitive, të përcaktuar edhe në ligj.
Kemi diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar mbi rishikimin e Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, për një strategji sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë dhe që fokusohet kryesisht në mirëadministrimin fiskal. Sa i përket administrimit më të mirë fiskal do të ketë edhe asistencë teknike të dedikuar nga ana e FMN.
Hapja e negociatave me Bashkimin Evropian dhe përparimi në takimet bilaterale është një shtysë e mëtejshme për konsolidim institucional dhe avancim të reformave edhe në kuadër të procesin të integrimit në BE dhe ne mbetemi shumë të angazhuar në këtë drejtim.