Lulzim Basha
BERAT- Deputeti i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të rinj të Partisë Demokratike në qytetin e Beratit, nga ku ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit nuk ishte surprizë, teksa i cilësoi zgjedhjet si “një farsë të shoqëruar me dajre e të shara”.
Basha tha se për 10 vite ka denoncuar aferat e naftës në Shqipëri, por shtoi se kjo gjë nuk ka rritur kredibilitetin e qytetarëve te PD-ja, pasi siç u shpreh “ne nuk kemi folur për korrupsionin tonë me naftën”, që ka pasuruar një grusht njerëzish.
“Po vija nga Rruga e Dumresë, dhe kalova nga fushat naftëmbajtëse, aty ka puse nafte shumë të vjetra, të ndryshkura. Dhe u kujtova për premtimet dhe zotimet që i janë bërë të gjithë qarkut të Beratit, në gjithë keto vite, nga këta që kanë 10 vite ne pushtet por edhe nga ne. Ka disa konstante, disa të vërteta që në nuk i kemi thënë. Unë vij nga një përvojë e veçantë në jeten time politike. Sikurse e dini përpara një viti e ca muaj unë kam dhënë dorëheqjen. Dhe kur hedh një hap pas, ke mundësi t’i shohësh gjërat pak më ftohtë. Ritmi ndryshon, ritmi i çmendur i politikës ndryshon. Distancë me atë që ndodh, zmadhohet dhe ke mundësi të shohesh gjërat më ftohtë. Sepse nganjëherë të merr vala përpara, dhe harron të shohësh të rëndësishmen.
Njerëzit flasin ndryshe kur je kryetar i partisë; dihet ti ke një axhendë politike. Ndryshe kur ti je i dorëhequr dhe ti po reflekton. Kam përshtypjen se njerëzit janë edhe më të sinqertë, me direktë.
Edhe vetë kupton disa gjëra. Kupton që ndërkohë që ngrinim gishtin dhe denonconim për 10 vite me radhë, me të drejtë aferat me naftën shqiptare, kupton që një pjesë e besueshmerisë tonë binte në fund për faktin se ne nuk flisnim për korrupsionin tonë me naftën. Per njerëzit që në qeverisjen tonë u bene miliarder nga hiçi me naften. Para publike që duhet të vinin në Berat por nuk erdhën kurrë, u pasuruan një grusht njerëzish. Kjo ka ndodhur. Drejtesia nuk ka bërë të vetën, por as ne nuk kemi bërë tonën. Dhe tani, për dy vite vjen ballafaqimi. Ka nga ata që mendojnë se ne duhet të “koracojmë” formacionin tonë politik, të ndërtojme sendukën tonë të fushatës dhe të bëjmë matematikën e numrave. Matematika e numrave dikton të gjejmë edhe këta abuzuesit e para 10 viteve, të shtojmë numrat dhe të përballemi, tanet me tyret. Luftë totale. Por a është ky ndryshimi që prisni ju?
A është ndryshimi që meritoni? Ky është rrotacion. Nëse ndodh. Ikin ata dhe vijnë keta. Nëse vesi mbetet brenda i pandëshkuar, çfarë do ndryshojmë për Beratin? E meriton Berati dhe Shqipëria këtë?
Për mua jo! Ndaj jam kundër çdo bashkimi mekanik, nuk jemi ndarë për gjëra të vogla me ata që jemi ndarë një vit e gjysëm më parë. Jemi ndarë për bindje, per vlera. Jemi ndarë si parti e vlerave perëndimore. Jemi ndarë për luften kunder korrupsionit. Nëse i dorëzojmë këto kauza, me çfarë arsyetimi do u kërkojmë votën shqiptarëve?!
Ky bashkim, edhe po të ndodh, në bindjen time nuk ndodh dot në natyren njerëzore. Edhe po të ndodh, nuk është garanci për fitore. Por siç e tregoi 14 Maji, është garanci për humbje tjetër poshtëruese, dyshen siç e patë që bashkoi forcat, gjoja në emër të opozites. Sepse në politike një dhe një nuk bejne dy; mund të bëjnë tre, mund të bëjnë pesë, por mund të bëjnë edhe zero. Zerojnë njëra-tjetrën”.