LIVE UPDATES
Politike

"18 muaj pa një takim të nivelit të lartë!" Analiza: Si ka mbetur në vendnumëro dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt.

23 Mars 2025, 15:15 Nga M.B
"18 muaj pa një takim të nivelit të lartë!"
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt

KOSOVA- Tetëmbëdhjetë muaj pa një takim të nivelit të lartë - dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro. Me të dyja vendet të përfshira nga sfidat e brendshme, marrëveshja përfundimtare duket e largët. Analistët argumentojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të shtyjë përpara njohjen reciproke mes tyre, jo thjesht normalizimin e marrëdhënieve, dhe të ketë një plan B nëse dialogu dështon.

Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt. Në Kosovë, vëmendja mbetet te çështjet paszgjedhore, ndërsa Serbia përballet me protesta dhe trazira të brendshme. Pavarësisht këtyre, mesazhi i emisarit evropian ishte i qartë: dialogu duhet të vazhdojë.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis a jo, iu takon palëve për ta përcaktuar. Dialogu është për këtë dhe këtë jemi duke e bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen më 17 mars në Prishtinë.

Para 14 vjetësh kanë nisur rundet e para të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ndër vite, ato janë zhvilluar herë më me vrull, herë më ngadalë. Ka pasur me dhjetëra marrëveshje e zotime, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar.

Udhëheqësit, ndërkohë, kanë ndërruar në Bruksel, në Prishtinë e në Beograd, por, njësoj, ka ndërruar edhe narrativi. Nëse dikur flitej për njohjen e ndërsjellë si qëllim kryesor, tani flitet vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Sorensen, pasi takoi krerët shtetërorë të Kosovës, theksoi nevojën për të vazhduar dialogun, por tha se do që t’i dëgjojë të dyja palët, përpara se të vendosë për hapat e ardhshëm.

“Qëllimi është që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por më duhet të shkoj edhe në Beograd. Pasi t’i zhvilloj këto biseda, do të ulem dhe të shoh se ku jemi”, tha Sorensen.

Dy palët nuk duket se janë askund afër. Bisedime të nivelit të lartë mes tyre nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023. Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak. Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës. Përpjekjet e mëvonshme të BE-së për t’i ulur dy liderët bashkë në tryezë, kanë dështuar - kryesisht për shkak të kushteve që i ka paraqitur njëra palë, e që tjetra i ka kundërshtuar.

Pas takimit me Sorensenin, edhe Kurti, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë pasur një sërë kërkesash për të: nga heqja e masave ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës deri te dorëzimi i grupit që ka sulmuar Banjskën tek autoritetet e Kosovës. Për vëzhguesit e procesit të dialogut, topi, në fakt, është në fushën e BE-së. Ata thonë se është koha që ky bllok të fokusohet te një qëllim specifik, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, pasi, sipas tyre, kjo është zemra e problemit dhe kjo duhet të adresohet direkt. Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS - Shkolla e Londrës për Ekonomi, flet më shumë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Është vërtet e rëndësishme që njohja e ndërsjellë të vihet në ballë të këtij dialogu, sepse ideja e normalizimit është shumë e papërcaktuar. Nëse nuk keni një qëllim të qartë, ju as nuk përpiqeni të arrini diçka specifike”.

“Ndaj, mendoj se Sorensen duhet ta vendosë këtë qëllim përpara, që të mund t’i lëvizë palët në një drejtim të caktuar dhe ta zgjidhë këtë konflikt njëherë e përgjithmonë”, thotë Hartwell.

Vuçiç këmbëngul se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Fokusi i tij është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë - gjë të cilën shpesh e nxjerr edhe si kusht për vazhdimin e dialogut me palën tjetër. Për këtë asociacion ka një marrëveshje qysh në vitin 2013, porse Kosova - pavarësisht trysninë ndërkombëtare - nuk e ka zbatuar kurrë, nga frika se një mekanizëm i tillë, me kompetenca të gjera, do të mund të ndikonte në funksionalitetin e shtetit. Kosova ka kohë që ka marrë një draft të hartuar nga BE-ja për statutin e këtij asociacioni, por edhe ai duket se është jashtë tryezës tashmë. Presidentja Osmani tha këtë javë se drafti, si i tillë, nuk do të merrte dritë jeshile nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

“Unë, personalisht, besoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk është në përputhje as me vlerat dhe normat e Bashkimit Evropian dhe standardet e Këshillit të Evropës, e as me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015", tha Osmani.

Një asociacion me kompetenca të gjera do të vinte me rrezikun e krijimit të një Republike Sërpska në Kosovë, thotë Hartwell, duke iu referuar entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, i cili ka pushtet legjislativ.

“Ekziston një perceptim i fortë se Asociacioni do të ndihmonte në përparimin e dialogut, por unë jam shumë skeptik për këtë. Një opsion ndoshta për Kosovën do të ishte që të prezantonte një version të zbutur të Asociacionit dhe, në njëfarë mënyre, ta zbatonte atë, vetëm për t’i heshtur kritikët”.

“Por, theksoj se zbatimi i Asociacionit me kompetenca të forta ekzekutive do të bëhej mjaft problematik për Kosovën”, thotë Hartwell.

Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, thotë se Bosnje e Hercegovina, për shkak të organizimit të brendshëm që ka, ka mbetur çështje e hapur prej dekadash. Nuk e përjashton mundësinë që edhe kontesti mes Kosovës dhe Serbisë të mbetet i tillë, ndaj sugjeron që të gjitha palët t’i kthehen qëllimit të deklaruar fillestar: njohjes së ndërsjellë.

“Askush nuk flet më për njohje të ndërsjellë. Të gjithë flasin për një normalizim dhe kjo nuk është në interesin e Kosovës, e do të thosha se nuk është as në interesin e një Serbisë demokratike”, thotë Bassuener.

Në vazhdën e ndryshimeve të shpejta gjeopolitike, ai thotë se Ballkani Perëndimor në përgjithësi është një rajon ku BE-ja ka potencial të madh për të ndikuar në stabilizimin e situatës dhe çështja e Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, është thelbësore për këtë stabilitet.

“Shpresoj të ketë një rivlerësim dhe riorganizim të politikave nga Bashkimi Evropian. Nuk shoh ende asnjë provë për këtë - as në institucionet e BE-së dhe as në shtetet anëtare - edhe pse duhet kohë më e gjatë për ta kthyer anijen në drejtim tjetër”.

“Është e kuptueshme që janë fokusuar në atë se si t’i ndihmojnë ukrainasit, nëse amerikanët tërhiqen, si ta mbrojnë veten në mënyrë legjitime... Këto janë prioritete, por Ballkani Perëndimor është i vetmi vend në botë ku BE-ja mund të jetë vërtet vendimtare”, thotë Bassuener për Exposenë.

Analistët besojnë se BE-ja ka ende leva ndaj Kosovës dhe Serbisë për t’i shtyrë përpara drejt një marrëveshjeje, edhe pse kushtëzimi i integrimit të tyre evropian me normalizimin e marrëdhënieve, deri më tash nuk ka dhënë rezultate. Hartwell thotë se Perëndimi duhet të ketë një plan të qartë B nëse dialogu dështon.

“Një nga zgjidhjet mund të jetë që pesë shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta njohin atë. Sepse, në atë rast, Serbia nuk mund të thotë se çështja e njohjes së Kosovës është ende në ajër. Asaj do t’i duhej të merrej me një Kosovë që njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Dhe, nëse vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE, Serbia do të duhet të punojë brenda kësaj kornize”, thotë Hartwell.

Megjithatë, disa kanë hamendësuar se me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Serbia ka më shumë hapësirë veprimi, për shkak të lidhjeve të saj më të ngushta - qofshin politike, qofshin ekonomike - me njerëz të afërt me Trumpin. Ndaj, analistët thonë se fokusi i Kosovës duhet të jetë te ruajtja e mbështetjes dypartiake në Uashington. Sipas Hartwellit, vendi duhet të pozicionet si një partner i besueshëm, sidomos në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë, si dhe të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në në fushën e energjisë dhe mbrojtjes.

Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb. Kontakti i fundit i ditur, që Kosova ka pasur me Shtëpinë e Bardhë, ka qenë një letër që presidenti Trump i ka dërguar presidentes Osmani, me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në muajin shkurt. Në atë letër, Trump është zotuar për zgjerimin e lidhjeve me Kosovën dhe nuk e ka përmendur fare dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në BE nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse planifikojnë të thërrasin ndonjë takim mes udhëheqësve të të dyja vendeve së shpejti. Po ashtu, nuk është e qartë nëse ata do t’i përgjigjeshin ftesës. Me Kosovën ende pa qeveri të re, pas zgjedhjeve të shkurtit, dhe me protestat e vazhdueshme në Serbi, e vetmja gjë që lëviz me siguri përpara, është kalendari./ REL

kosova

Sondazh

Poll

Drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho paraqitet në SPAK

Drejtori i Hekurudhave, Ergys Verdho paraqitet në SPAK

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit