All - Scripts - 5
LIVE UPDATES
All - General - 1
Politike

BIRN: Rama në Izrael me avionin privat të sekuestruar nga ish-miliarderi i kriptovalutave

Në Shqipëri, dikur një vend i izoluar dhe ende i varfër –  ku vetëm një grup i vogël njerëzish udhëtonte jashtë vendit për dekada – simbolika e përdorimit të një aeroplani privat është më e fortë, në mënyrë të veçantë kur këto udhëtime bëhen nga zyrtarë publikë si kryeministri Edi Rama, shpesh larg syve kureshtarë të publikut.

5 Shkurt 2026, 09:25 Nga E. D
All - Paragraf - 1

BIRN: Rama në Izrael me avionin privat të sekuestruar nga

IZRAEL- Avionët privatë reaktivë për distanca të gjata, të cilët përdoren nga elitat globale të biznesit dhe politikës, nuk janë thjesht mjete udhëtimi. Ata shërbejnë si një metaforë e hendekut midis njerëzve të pasur dhe të pushtetshëm dhe pjesës tjetër të shoqërisë, e cila pret me durim në terminal për të marrë aeroplanin e linjës.

Në Shqipëri, dikur një vend i izoluar dhe ende i varfër –  ku vetëm një grup i vogël njerëzish udhëtonte jashtë vendit për dekada – simbolika e përdorimit të një aeroplani privat është më e fortë, në mënyrë të veçantë kur këto udhëtime bëhen nga zyrtarë publikë si kryeministri Edi Rama, shpesh larg syve kureshtarë të publikut.

Udhëtimi i fundit i liderit jetëgjatë shqiptar në vizitën shtetërore tre-ditore në Izrael me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u realizua nëpërmjet avionit ‘Bombardier Global 5000’, dikur në pronësi të Sam Bankman Fried, një sipërmarrës amerikan i dënuar për mashtrim dhe pastrim parash.

Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor një avion privat për udhëtimet e tij zyrtare. Për vite me radhë, ai shfrytëzoi një Airbus A319-100 të konfigurimit VIP nga kompania e flamurit ‘Air Albania’, i pagëzuar me emrin ‘Ismail’, në nder të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlora.

Përfaqësues të mazhorancës argumentojnë se përdorimi i një “avioni qeveritar” për udhëtime zyrtare nga kryeministri lidhet me “dinjitetin” e shtetit shqiptar dhe përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare.

Kritikët e Ramës nga radhët e opozitës mendojnë të kundërtën, ndërsa theksojnë se dinjiteti që gëzon një zyrtar publik – qoftë brenda apo jashtë vendit – nuk lidhet me luksin e mjeteve të transportit të përdorura prej tij.

“Dinjiteti i vendit tonë, fatkeqësisht, cenohet përditë e më shumë nga një kryeministër dhe një qeveri e korruptuar dhe e papërgjegjshme, që kohët e fundit u kanë hyrë edhe aventurave gjeopolitike për hir të interesave të ngushta politike,” tha Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë.

I pyetur nga BIRN, Rama e lidhi përdorimin e një avioni privat për udhëtimin e tij në Izrael me çështjen e sigurisë.

“Udhëtimi në Izrael ka pasur edhe elemente të mirëkuptueshme sigurie të veçantë dhe transporti ka qenë pjesë e këtyre elementëve,” tha ai, nëpërmjet një zëdhënëseje. “Shpenzimet nuk janë mbuluar nga qeveria shqiptare,” shtoi Rama, pa specifikuar se kush i kishte mbuluar ato.

Qeveria e Izraelit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN nëse ishte ajo që e kishte paguar fluturimin e kryeministrit shqiptar për në Tel Aviv.

Tre dekada pas rënies së regjimit komunist, i cili e izoloi vendin për gati gjysmë shekulli, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Europë, me të ardhura për frymë pak më të larta se Moldavia dhe Kosova.

Edi Rama është një nga politikanët që ka shenjuar periudhën e tranzicionit, duke udhëhequr prej vitit 2013 si kryeministër, ndërsa siguroi një mandat të katërt të paprecedentë në zgjedhjet e vitit 2025.

Megjithatë, pavarësisht sukseseve në zgjedhje, të cilat i detyrohen shumë transformimit të Partisë Socialiste në një makineri elektorale, qeveria e drejtuar nga Rama është përndjekur nga akuzat për korrupsion në nivelet më të larta ekzekutive të saj – përfshirë marrjen të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku për shkelje të barazisë në tendera.

Në klimën e një përballjeje mes pushtetesh për imunitetin e Ballukut, vizita shtetërore në Izrael përbënte një mundësi të artë për kryeministrin për të lëmuar imazhin e tij të dëmtuar.

Së bashku me kryeministrin në Izrael udhëtoi edhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Megi Fino, dhe shefja e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni.

Stacioni i parë i vizitës në Izrael me 25 janar ishte ‘Nova Site’, afër Kibutz Re’im në jug të Izraelit, vendi ku nisi sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe u vranë 378 të rinj që merrnin pjesë në festivalin muzikor.

Më 26 janar, kryeministri shqiptar u prit në një takim në Tel Aviv nga homologu i tij, Benjamin Netanyahu, i cili po përballet gjithashtu me akuza për korrupsion në Izrael dhe është subjekt i një kërkese arresti ndërkombëtar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për krime lufte në Gaza. Ai i ka kundërshtuar me forcë të dyja akuzat.

Në të njëjtën ditë, kryeministri shqiptar iu drejtua me një fjalim parlamentit izraelit, ku ai theksoi lidhjet historike midis dy popujve, përfshirë ndihmën që shqiptarët dhanë për popullin hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Media proqeveritare në Tiranë nxituan ta shpallnin fjalimin e tij si “historik”.

Më 27 janar, Rama mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare për luftën kundër antisemitizmit, përpara se të kthehej në atdhe.

Sipas të dhënave të aplikacionit “Flightradar”, avioni “Bombardier Global 5000” u nis nga “Nënë Tereza” në Rinas të dielën, më 25 janar, në orën 10:53 dhe arriti në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit në orën 13:55.

I njëjti mjet fluturues udhëtoi të martën, më 27 janar, përsëri drejt Tiranës, ku u ul në orën 20:33. Menjëherë pas uljes së avionit në aeroportin “Nënë Tereza”, eskorta e kryeministrit Edi Rama u pa të largohej nga terminali VIP.

Avioni Bombardier Global 5000 me numër “N410AT”, i regjistuar në Administratën Federale të Aviacionit (FAA) në SHBA, është një avion reaktiv biznesi i kategorisë ‘ultra long range’, i prodhuar nga kompania kanadeze Bombardier Aerospace në vitin 2008.

Ky model konsiderohet një nga avionët më luksozë dhe më të aftë për fluturime ndërkontinentale në segmentin e tij. Të dhënat e pronarit aktual të avionit janë anonimizuar nga FAA në bazë të “Titullit 49 të Kodit të Shteteve të Bashkuara, Seksioni 44114,”, e cila është një dispozitë e ligjit federal amerikan që rregullon regjistrimin e avionëve në Shtetet e Bashkuara dhe lejon që, këta të fundit, të mbeten anonimë.

Ndryshe, për pronarët e mëparshëm të këtij mjeti fluturues dihet më shumë, pasi avioni ka qenë objekt i një procesi ligjor në SHBA, pas kolapsit të bursës së kriptovalutave FTX, the arrestimin të themeluesit të saj, Sam Bankman Fried, i njohur gjithashtu me nofkën ‘SBF’.

Avioni ‘Bombardier’ ishte blerë nga FTX nëpërmjet kompanisë Trans Island Airways në vitin 2021, për vlerën 15.9 milionë dollarë. FTX gjithashtu zotëronte një tjetër avion privat të llojit “Embraer Legacy” më vlerë 11.2 milionë dollarë. Të dy mjetet u sekuestruan në vitin 2023.

Në mars 2024, Bankman-Fried u dënua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 25 vjet burg, i ngarkuar me shtatë akuza penale për mashtrim dhe komplot. Themeluesi i bursës FTX dhe kompanisë së investimeve ‘Alameda Research’, SBF ishte një nga figurat kyçe të tregut të kriptovalutave.

Bursa e kriptovalutave FTX kolapsoi në nëntor 2022, pas publikimit të akuzave për mashtrim dhe korrupsion, të cilat çuan në tërheqje masive të fondeve nga klientët. Bankman-Fried u arrestua dhe u ekstradua në dhjetor të të njëjtit vit në SHBA.

Në shkurt 2025, Gjykata Federale e Distriktit Jugor të Nju Jorkut nxori një vendimin përfundimtar konfiskimi për pasurinë e SBF, për një vlerë të barabartë me 1 miliard dollarë, përfshirë dy avionët e tij privatë.

Avionët privatë zënë një vend të veçantë në tregun e shërbimeve të luksit, duke qenë një simbol ekskluziviteti, ndaj të cilit shumë pak njerëz mund të kenë qasje.

Kjo industri përfitoi një ngritje të madhe gjatë pandemisë globale të COVID-19 dhe ka regjistruar rritje të fortë edhe në vitet që pasuan. Sipas kompanisë së inteligjencës financiare “Wing X”, ajo vlerësohej në 39.8 miliardë dollarë në vitin 2025.

Megjithë zhvillimin e tregut të fluturimeve private, ky sektor ka tërhequr edhe kritika, për shkak të ndikimit në mjedis dhe shkarkimeve të larta të dioksidit të karbonit në atmosferë.

Në Shqipëri, kritikat, të cilat kanë shënjestruar kryesisht kryeministrin Edi Rama për përdorimin e avionëve privatë, kanë qenë më me këmbë në tokë. Ato lidhen gjerësisht me transparencën e shpenzimeve publike për transport nga kreu i qeverisë.

Që kur mori Presidencën e OSBE-së për një periudhë 1-vjeçare në vitin 2020, kryeministri ka përdorur për udhëtime zyrtare një avion të kompanisë së flamurit “Air Albania”, duke përfituar nga një kontratë kuadër me çmim në kosto për orë fluturimi.

Përdorimi i këtij avioni nga kryeministri dhe shpenzimet për operimin e tij kanë qenë burim akuzash nga opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar. Kërkesa e PD-së është hedhur poshtë nga mazhoranca në shkurt 2023.

Në tetor 2025, Këshilli i Ministrave vendosi t’i shpallë sekret të dhënat për udhëtimet e kryeministrit dhe të zyrtarëve të lartë jashtë vendit, duke argumentuar se kjo bëhej për të mbrojtur të dhënat personale.

“Prej atij momenti, qytetarët e kanë humbur të drejtën të dinë se me çfarë mjeti, kostoje apo eskorte udhëton kryeministri i vendit,” shprehet Rigels Xhemollari, drejtues ekzekutiv i “Qëndresa Qytetare”, një organizatë kundër korrupsionit me qendër në Tiranë.

Sipas Xhemollarit, me këtë vendim nuk kemi të bëjmë vetëm me rënien e një standardi etik, por edhe të një standardi demokratik, pasi sipas tij ka humbur llogaridhënia për taksat publike.

“Në momentin që një zyrtar i lartë udhëton me paratë e përbashkëta, ai ka detyrim të publikojë minimalisht kostot dhe kontratat e udhëtimit,” tha ai. “Fakti që kryeministri nuk e bën këtë, nënkupton minimalisht fshehje të kostove dhe maksimalisht abuzim me detyrën,” shtoi Xhemollari.

Marrëveshjes midis Këshillit të Ministrave dhe kompanisë “Air Albania” për përdorimin e “Ismailit” për fluturime zyrtare i erdhi fundi në dhjetor 2025, pasi kompania ajrore ndaloi së operuari, nën barrën e rreth 50 milionë dollarëve borxhe të akumuluara ndër vite.

Besnik Vathi, themelues i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA), i tha BIRN se falimentimi i Air Albania erdhi si rrjedhojë e faktorëve të jashtëm të tregut dhe menaxhimit të dobët të kompanisë.

Ai theksoi se shumë vende i subvencionojnë kompanitë ajrore të “flamurit”, duke u siguruar fluturime pa konkurrencë në disa destinacione, pasi i konsiderojnë ato shtylla të rëndësishme të zhvillimit të turizmit.

“Ndërsa Air Albania u la të konkurronte në një treg shumë të ashpër – ku prezentë janë Wizz Air dhe Ryanair – dhe u detyrua të punonte në një situatë të vështirë,” tha Vathi. “Menaxhimi ishte anadollak, pa vizion dhe pa koncepte,” shtoi ai, ndërsa theksoi se “pati mungesë vizioni për të krijuar një kompani të suksesshme.”

Ndryshe, kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, fajëson qeverinë për falimentimin e kompanisë ajrore të flamurit.

“E konsideroj, së paku, politikisht përgjegjës Edi Ramën,” tha ai, ndërsa rikujtoi se vite më parë kryeministri e trumbetonte themelimin e saj si histori suksesi.

Qori ishte gjithashtu kritik për përdorimin e fluturimeve “charter” nga Kryeministria.

“Përdorimi i çarterave privatë është shpërdorim i shpenzimeve nga buxheti i shtetit vetëm për hir të komoditetit të lëvizjes së një kryeministri, i cili në parim, duhet të ishte kryeshërbyesi i popullit, por në fakt përditë e më shumë ka një stil jetese luksoz, në sinkron me autokratët e të shkuarës dhe të tashmes nëpër botë,” tha ai.

“Luksi është antitezë e demokracisë, e cila, aty ku lulëzon, shkon bashkë me thjeshtësinë në paraqitjen publike të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe me kursimin e shpenzimeve qeveritare,” shtoi ai.

Edhe Xhemollari ishte i mendimit se përdorimi i fluturimeve private nga qeveria shqiptare nuk i bënte nder reputacionit të kryeministrit.

“Justifikimi i [kreut të Kuvendit Niko] Peleshit për ‘përfaqësim dinjitoz’, apo ai i kryeministrit për të reklamuar kompaninë ajrore, tashmë të falimentuar, janë hije propagande për të justifikuar luksin e udhëtimeve me avionë privatë,” tha ai.

“Dinjitoze për një vend të varfër si Shqipëria do të ishte nëse do të udhëtonte si çdo qytetar i kësaj republike, me avionët që përdorin ata që paguajnë taksat në këtë vend, e jo si baron droge apo si drejtues i vendeve diktatoriale,” përfundoi Xhemollari./BIRN

edi rama


All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 1
All - ArticleEnd - 2
All - ArticleEnd - 2

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje