"Analizat do të vërtetojnë shkakun"/ Helmimi i 64 kursantëve në Akademinë e Sigurisë, Salla: Kemi marrë ...
Politike
Protesta masive kundër qeverisë, grupi koordinues letër ambasadorëve perëndimorë: Ja 5 kërkesa tona të panegociueshme
Grupi Koordinator i lëvizjes qytetare u ka dërguar një letër zyrtare ambasadorëve dhe krerëve të misioneve të vendeve perëndimore të akredituara në Shqipëri, ku i informon mbi situatën politike dhe kërkesat e protestuesve.
27 Qershor 2026, 09:59Nga I.A
TIRANË- Protestat e përditshme që prej 27 ditësh po zhvillohen kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kanë hyrë në një fazë të re, duke u shtrirë edhe në komunikimin me përfaqësitë diplomatike në vend. Grupi Koordinator i lëvizjes qytetare u ka dërguar një letër zyrtare ambasadorëve dhe krerëve të misioneve të vendeve perëndimore të akredituara në Shqipëri, ku i informon mbi situatën politike dhe kërkesat e protestuesve.
Në dokument, përfaqësuesit e lëvizjes e cilësojnë protestën si një mobilizim qytetar paqësor dhe të gjerë, që sipas tyre synon mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor. Ata theksojnë se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u mbledhur dhe për të shprehur qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore në hapësirat publike në të gjithë vendin.
Pesë kërkesa kryesore të protestuesve
Grupi Koordinator ka paraqitur pesë kërkesa kryesore, të cilat i konsideron si shprehje të vullnetit të protestuesve:
Së pari, kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë aktuale, si hap i domosdoshëm për ndryshim politik.
Së dyti, propozohet krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor për të garantuar një proces të ri reformash.
Së treti, kërkohet një reformë e thellë kushtetuese që do të miratohej përmes referendumit, duke përfshirë ndryshime në Kodin Zgjedhor, rregullat për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit në maksimum dy.
Së katërti, kërkohen ndryshime në disa ligje, përfshirë shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ligjit për trashëgiminë kulturore, paketës së njohur si “Paketa e Maleve” dhe kuadrit për investimet strategjike.
Së pesti, propozohet hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë të pavarur dhe shoqërinë civile.
Në përfundim të letrës, Grupi Koordinator u bën thirrje ambasadorëve të marrin në konsideratë seriozitetin e protestës dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të situatës politike në vend. “Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm”, thuhet në letër./Dosja.al