LIVE UPDATES
Politike

Rasti i Igor Popoviç/ Analiza e REL: Lojë e Serbisë apo vetësakrificë politike

Popoviç u dërgua në paraburgim për 30 ditë në Kosovë, për veprën penale “nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit”. Sipas Kodit Penal të Kosovës, kjo vepër dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

23 Korrik 2025, 16:02 Nga r.ll
Rasti i Igor Popoviç/ Analiza e REL: Lojë e Serbisë apo
igor popovic

KOSOVË- Keqpërdorim i mundësive dhe i serbëve në Kosovë. Kështu e komentojnë Dushan Janjiç nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike dhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi deklaratën e zyrtarit serb, Igor Popoviç, i cili Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quajti organizatë terroriste.

Popoviç u dërgua në paraburgim për 30 ditë në Kosovë, për veprën penale “nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit”. Sipas Kodit Penal të Kosovës, kjo vepër dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha më 21 korrik se ky ishte një “vendim politik” dhe se “nuk do të ketë vazhdim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, derisa Popoviç të lirohet”.

Janjiç, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se bëhet fjalë për “një lojë të pakuptimtë të pushtetit në Serbi”.

“Një qasje e tillë ndaj dialogut [me Kosovën], një qasje e tillë ndaj realitetit, tregon vetëm se Serbia me qëllim - e kam fjalën për Zyrën për Kosovën - nuk dëshiron ta bëjë punën e saj… Ky është keqpërdorim i situatës së serbëve në Kosovë, për të mbetur në pushtet në Serbi”, thotë Janjiç.

Miftaraj ndan të njëjtin qëndrim. Sipas tij, Popoviç ishte “shumë i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe pasojat ligjore që mund t’i kishte”.

“Megjithatë, në këtë rast, ai bëri një vetësakrificë, si dëm kolateral ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili përdor [drejtorin e Zyrës për Kosovën, Petar] Petkoviq dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë serbë, apo edhe vetë serbët e Kosovës, si mjet për të larguar vëmendjen nga trazirat dhe protestat aktuale kundër Qeverisë së tij në të gjithë Serbinë”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë tha Popoviç dhe ku?

Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, qëndroi më 18 korrik në Hoqë të Madhe, për të shënuar përvjetorin e vrasjes së disa serbëve në territorin e komunës së Rahovecit, dhe në fjalimin e tij Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quajti organizatë terroriste.

“Vëllezërit tanë [serbët e Kosovës] kanë pësuar, sepse terroristët e UÇK-së nuk i donin serbët në këto troje, dhe me ekzekutimin e tyre, donin t’i frikësonin banorët e tjerë serbë, që të largoheshin nga ky vend. Gjithashtu, është e dhimbshme që terroristët dhe organizatorët, autorët e krimit, nuk janë gjetur dhe ndëshkuar gjatë gjithë këtyre viteve, edhe pse shohim se i gjithë Rripi i Gazës po shkatërrohet për një krim të ngjashëm të rrëmbimit të civilëve izraelitë”, tha Popoviç.

Për shkak të këtyre fjalëve, ai u ndalua në vendkalimin kufitar në Jarinjë dhe, më vonë, iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji, sipas nenit 141 të Kodit Penal për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.

Për veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike ose grupeve të tjera, në një mënyrë që mund të rrezikojë rendin publik, dënimi mund të jetë me gjobë ose deri në pesë vjet burgim.

Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke abuzuar me pozicionin ose autoritetin e tij kryen këtë vepër penale, i nënshtrohet dënimit me burgim nga një deri në tetë vjet. Avokati Lubomir Pantoviç tha më herët se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit kundër vendimit për caktimin e paraburgimit për Popoviçin.

Marrëveshja për vizita të ndërsjella

Në vitin 2014, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për vizita të ndërsjella të zyrtarëve, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë, palët shpesh e injorojnë atë, duke i ndaluar vizitat e zyrtarëve dhe duke i akuzuar ata se nuk ndjekin procedurat e parapara me marrëveshje.

Marrëveshja përcakton se palët duhet ta informojnë njëra-tjetrën, nëpërmjet oficerëve ndërlidhës, për vizitat e zyrtarëve të tyre të kategorisë së parë dhe të dytë. Kategoria e parë përfshin presidentin, kryeministrin, zëvendëskryeministrat, kryetarin e Kuvendit dhe ministrat e Brendshëm, të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes.

E dyta përfshin të gjithë ministrat e tjerë, nënkryetarët e Kuvendit, drejtorët e zyrave qeveritare dhe agjencive të sigurisë, kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Supreme, prokurorin publik, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë siguri fizike, siç janë udhëheqësit fetarë. Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i është ndaluar disa herë të vizitojë Kosovën për shkak të, siç është thënë, “deklaratave provokuese”.

Megjithatë, zëvendësit dhe asistentët e tij kanë qëndruar vazhdimisht në zonat me shumicë serbe në Kosovë.

“Fjalor i caktuar fjalësh”

Janjiç thotë se autoritetet aktuale në Serbi kanë një “fjalor të caktuar fjalësh”, por se ato nuk mund t’i anulojnë dokumentet ndërkombëtare.

“Ekziston Marrëveshja e Kumanovës, në të cilën është përcaktuar qartë demilitarizimi dhe transformimi i UÇK-së, jo si organizatë terroriste. Politikanët në Serbi i keqpërdorin mundësitë në Kosovë dhe gjatë vizitave të rralla atje përhapin retorikë të re”, thotë Janjiç.

Ai thekson se që nga fundi i viteve 1970, vendet perëndimore kanë mbështetur ndryshimet në organizimin e UÇK-së, duke mos e konsideruar më si një organizatë terroriste, por si një forcë politike-ushtarake që ka luftuar për çlirim nga forcat serbe. Janjiç thotë, po ashtu, se deklarata e Popoviqit nuk ishte “e mençur”, veçanërisht për shkak të proceseve gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë duke hetuar krimet e luftës që dyshohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

“Një deklaratë e tillë është shkatërruese, veçanërisht kur ekzistojnë procese të papërfunduara gjyqësore për krime lufte, të kryera nga ushtria dhe paraushtarakët serbë. Kjo arrogancë dhe ky primitivizëm i diskursit të ri, që përkrahet në Serbi, nuk mund t’i fshijnë faktet. Përkundrazi, kontribuojnë në propagandën politike se serbët nuk mund të integrohen”, thotë Janjiç.

“Në vend të mesazheve të paqes, gjuhë e urrejtjes”

Miftaraj thekson se ligjet aktuale në Kosovë, por edhe në shoqëritë e tjera demokratike, nuk e lejojnë gjuhën e urrejtjes.

“Igor Popoviç, në vend që ta përdorte vizitën e tij për të promovuar paqen dhe harmoninë midis popullsisë serbe në Kosovë, e keqpërdori atë, duke përdorur gjuhë urrejtjeje dhe duke dërguar mesazhe politike, që kontribuojnë më tej në përçarje dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë”, thotë Miftaraj.

Ai beson se të gjitha veprimet e Zyrës për Kosovën janë të organizuara dhe të orkestruara mirë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe Qeveria serbe. Në vitin 2022, Ivan Todosijeviç, zyrtar i Listës Serbe, u dënua me një vit burg për “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”.

Deklarata e tij lidhej me masakrën e Reçakut, të cilën e cilësoi si “trillim”. Por, në korrik të vitit 2023, Gjykata Supreme e Kosovës e liroi atë nga të gjitha akuzat, duke konstatuar se mendimi i shprehur nuk përbënte vepër penale, pavarësisht nga ngjarja që kishte ndodhur.

Reagimet nga Kosova dhe Serbia

Pas arrestimit të Popoviçit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Kosova nuk do të tolerojë fyerjen dhe përdhosjen e historisë, e aq më pak të luftës së zhvilluar nga UÇK-ja.

Pastaj erdhën edhe reagimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriç, dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët vlerësuan se deklarata e Popoviçit “u kërkonte llogari atyre që kryen krime” dhe bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Presidenti serb, Vuçiç tha se Beogradi zyrtar i ka informuar të gjithë partnerët për arrestimin e Popoviçit, duke shtuar se kjo ngjarje “mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.

“Arrestimi i Igor Popoviç tregon se [kryeministri në detyrë i Kosovës] Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe dëshiron të provokojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiç gjatë një paraqitjeje si i ftuar në Televizionin Pink të Beogradit.

Kurti tha se e sheh këtë deklaratë të presidentit serb si kërcënim, sepse vjen nga komandanti suprem i ushtrisë së një shteti.

“Me tone nxitëse të konfliktit, [deklarata] nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shtetërore”, tha Kurti në një konferencë me gazetarët.

Lista Serbe, thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë

Zyrtari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiç, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare më 23 korrik që të reagojë ndaj arrestimit të Igor Popoviçit, i cili, siç tha, kërkoi “përgjegjësi dhe drejtësi”.

“U bëj thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare të reagojnë dhe që Popoviq të lirohet dhe të bashkohet me familjen sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se kjo është e rëndësishme ta themi sot, sepse, e përsëris, dikush dëshiron të na ndalojë të flasim [për krimet kundër serbëve]. Përveçse na mohojnë drejtësinë, na mohojnë edhe mundësinë për të kërkuar llogari për ata që kryejnë krime”, tha Jevtiç në 26-vjetorin e krimit në Grackë të Vjetër, pranë Lipjanit, ku u vranë 14 civilë serbë.

Jevtiç shprehu gjithashtu keqardhje që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nuk morën pjesë në shërbimin përkujtimor, sepse, siç tha, “ata premtuan se do t'i sjellin autorët e këtij krimi para drejtësisë”.

Në tetor të vitit 2007, policia e UNMIK-ut arrestoi Mazllum Bytyqin, nën dyshimet për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve në Grackë të Vjetër, por ai u lirua nga paraburgimi dy muaj më vonë, për shkak të mungesës së provave.

Hetimi për këtë krim u pezullua më pas në vitin 2017, por Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) tha se mund të rihapet, nëse dalin prova të reja.

Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë, u vranë rreth 13.000 njerëz, kryesisht shqiptarë, ndërsa rreth 1.600 persona mbeten ende të zhdukur.

Më 21 korrik, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i kërkoi Drejtorisë së Policisë Kriminale (UKP) dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) të Serbisë të mbledhin informacionet e nevojshme për “identifikimin e personave” që arrestuan Popoviqin, me qëllim “vërtetimin e elementeve thelbësore të veprës penale: rrëmbim”./REL

igor popovic

Sondazh

Poll

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje

"Studentët të ndërrojnë qeverinë"/ I riu thirrje të forta nga protesta: Mos u largoni nga Shqipëria

Protestuesit nuk i tremb as shiu, thirrje të forta nga Kryeministria: Revolucion!

“I preve në besë banorët e Rrjollit dhe Thethit”/ Protestuesi thirrje Ramës: Malet i nxore në shitje

PAMJE PREKËSE/ Vogëlushja mes lotësh mesazh Ramës: Pelikanin kaçurrel do ta sjellim në Surrel

Qytetarët njëzëri para Kryeministrisë: Rama në burg, Berisha në Burg

Banorja e Rrjollit: Mos bini pre e provokimeve! Këtu do rrimë deri sa Rama të japë dorëheqjen

Protesta kundër projektit të Zvërnecit/ Protestesit mesazh Ivanka Trump: Mbaj duart larg Nartës

Tensionohet situata në protestë, policia nuk kursen qytetarët hedh ujë me piper me presion

Protesta për Zvërnecin, përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Përplasjt mes qytetarëve dhe policisë në protestë, çahet kordoni

PAMJE nga tubimi i i katërt kundër projektit në Zvërnec #dosja #protesta #zvernec

Protestë në Durrës kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Bashkisë

Berisha: Shteti duhej të ishte garanti në Zvërnec.Ndërtimet të bëhen në përputhje me standardet e BE

Berisha: Aeroporti i Vlorës kurrë nuk mund të ndërtohej aty

Zvërneci,Berisha:Ne mbështesim plotësisht investimin e huaj.Sazani nuk është një investim i thjeshtë

Berisha në grupin parlamentar: Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re

Berisha: Meta është një i burgosur politik, Rama po vazhdon me besnikëri rrugën e babait të vet

Burgun apo dorëheqje? Rama kapet me gazetarin: Nuk meriton përgjigje

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen, Rama: Film i vjetër, përfaqësoj të paktën 800 mijë shqiptarë

Protesta për Zvërnecin, Rama: SPAK po mban të ngrira fondet pa i lënë të kalojë te shitësi

Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thotë të mbështesësh Shqipërinë drejt BE

Rama: Jemi këtu për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes

Rama: Bëmë ligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit, partia jonë u përball me të keqen në opozitë

"Kryeministri gënjeu"/ Gazetarja thirrje qytetarëve: Ai që të vjedh sot, do e bëjë dhe nesër

35-vjetori i PS në Tiranë/ Rama: Arsyeja e fitores së PS është aftësia për t’u hapur!

Mbyllet protesta për Zvërnecin #dosja #protesta #zverneci

Protesta për Zvërnecin/ Qytetarja: Ne nuk e lëshojmë sheshin pa u heq gardhi në Zvërnec dhe Rrjoll

Qytetarja: Kërkojmë anulimin e ligjit për zonat e mbrojtura, nuk ka negociata

"Anulo projektin"/ Me pankarta në duar, të rinjtë 'pushtojnë' kryeministrinë: Jep dorëheqjen

"Janë provokime"/ Çfarë po ndodh para ambienteve të Kryeministrisë?

Protestuesit i përgjigjen kryeministrit Rama: Jep dorëheqje nuk ka dialog!

Qytetarët zbresin sërish në shesh, protestojnë kundër projektit në Zvërnec

Ermonela Jaho mbështet protestën për Zvërnecin, shpërndan pamjet në rrjetet sociale

Skandali me ADS/ Berisha: U ngrit pa vendim qeverie, Rama krijoi një monstër për të vjedhur

"Populli flet në ditën e zgjedhjeve"/ Kryeministri: Thirrjet 'O Rama të QR' nuk funksionojnë me mua

Projekti për Zvërnecin/ Rama për hetimet e SPAK: Investimi nuk ndalon sa kohë unë jam këtu!

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Antonio Costa: Zgjerimi një domosdoshmëri gjeostrategjike për Europën

Mesazhi i Antonio Costës: Përshpejtoni luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend

Grabitet me armë një bankë e nivelit të dytë në Tiranë